SHTEPIA E POETIT
Ajo shtëpia përdhese,atje ndanë rrugës tregtare Myslym Shyri,ishte gjysmë e rrënuar,që nga oxhaku, tullat e të cilit kishin rënë mbi çatinë e mbetur vende – vende pa tjegulla dhe, deri te vetë muret e krisur dhe të shtrembëruar,aqsa habiteshe tek i vështroje sesi qëndronin ende në këmbë…
N’oborrin e vogël,të rrethuar me avlli qerpiçi të shkërmoqur aty – këtu prej rrebesheve,kishte një selvi, silueta e të cilës një herë të kujtonte një varrezë dhe, një tjetër herë e merrje mirëfilli për një monument të gjallë të pendës klasike të poetëve.
Ca më tej, përgjatë oborrit, kacavarej një hardhi e pluhurosur, së cilës i thaheshin vilet e rrushit, që kur ishin aguridhe dhe, nuk ta ndërmendte trillueshëm asnjë herë Bakun me poçen e verës…
Epo, nga kjo shtëpi dilte mëngjeseve poeti PK dhe, më së shumti nisej drejt Bibliotekës Kombëtare, për të tërhequr ndonjë libër të ri,apo edhe për t’u ulur në sallën e saj komforte, ku lexonte e përhumbej për orë të tëra…
Nga kjo shtëpi,që mund ta pandehje lehtësisht për një kasolle të braktisur dilte pra poeti,ashtu i veshur mos më keq dhe, pa vënë gjë në gojë.Ta shihje veç ç’dry të madh i vinte derës gjithë merak, a thua se përnjëmend brenda saj kishte diçka për të vjedhur !
Ah, por dale, dale ; kishte intimitetin e tij prej artisti aty,të cilin nuk duronte kurrsesi t’ia përdhosje.Uria e shqetësonte me dhembjet që i përhapeshin në stomak prej aciditetit, por njëherësh poeti përndizej nga një frymëzim, i cili e bënte të ndihej i fisnikëruar…
Eh,asgjë nuk të gjen edhe nëse rri disa ditë rresht pa ngrënë, thoshte PK përmes një buzëqeshjeje të prerë.Përkundrazi,vazhdonte,pikërisht agjërimi ta kuron si me magji sëmundjen që mund ta kesh ; sesi ndodh kjo,do t’jua shpjegoj bindshëm një herë tjetër…
Poeti
Në dhomën ku krijonte, ku flinte e hante më të rrallë një krodhë bukë,mbante gjithmonë mbi një tryezë të çalë, librin e Preverit, Verlenit, Bodlerit dhe,Hygoit,(të cilët një Zot e dinte sesi i kishte shtënë në dorë…) dhe, i lexonte e i lexonte n’origjinal pa u shkëputur prej tyre asnjë herë, si t’ishin ungjijtë e biblës…
Ndonëse PK e kishim mik të ngushtë dhe e takonim shpesh, asnjëri prej nesh nuk e dinte se me ç’të ardhura mbahej ; ai nuk qahej për asgjë, kështu që nuk gjeje rast për ta pyetur ngrohtësisht. Madje edhe nëse do ta ftoje për ta qerasur me një kafe, apo me një birrë, do të silleshe me takt, sepse po ta ndiente dorën e lëmoshës,fyhej keq.
Poeti
Që shkruante e shkruante…
Poetit që ishte dënuar me katër vite burgim, i akuzuar si shumëkush në dekadat e komunizmit për agjitacion e propagandë dhe, ashtu shëndetlig me mushkritë copë – copë dhe me njërin sy të qorruar,nuk i afronte kush një punë,të cilën të mund ta kryente njëfarësoj…
Eh, psherëtiu tek po shëtisnim të dy në një ditë t’errët dimri,retë që vorbullohen qiellit,tek shkrepin rrufe e vetëtima, tashmë më kujtojnë tablonë Britma të Eduard Kumkut,i cili vdiq i dërrmuar nga padrejtësitë kriminale të shoqërisë njerëzore…
Eh,tabloja e Kumkut,me atë portretin me nofulla të shqyera sa ç’i shqyhen edhe një gjarpri,vazhdoi,ka filluar të më fanitet shpesh e më shpesh,ndonëse unë vetë as kam lëshuar e as do të lëshoj kurrë një britmë ; unë veçse do të shkruaj gjersa t’iki nga kjo botë…
Poeti.
Por edhe pas Nëntëdhjetës PK nuk i duhej kujt, sepse ai nuk iu afrua politikanëve të rinj e nuk futi në xhep asnjë teserë partie…
Vazhdoi të shkruante poezi lirike dhe të përkthente autorët e dashur francezë, por këtë herë i ngazëlluar fort ,ngaqë mund të botonte pa e penguar kush…
Poeti
Kur vdiq shpenzimet e varrimit ia hoqi Bashkia,sepse Poeti,përveç një pensioni të mjerë,nuk arriti ta merrte kompensimin për vitet e burgut…
Tashmë ajo shtëpia gjysmë e shembur e Poetit nuk është më aty, ndanë rrugës së zhurmshme tregtare Myslym Shyri ; shumë e zgjati madje ekzistencën e saj,e ngjeshur mes pallateve të ngritur me nguti njeri pas tjetrit,ashtu siç po ngrihet edhe mbi truallin e Poetit një tjetër pallat, i derdhur i tëri në beton…
Eh,Poet !
Sikur të kishe rrojtur edhe ca vite më shumë, do të banoje edhe ti në një apartament modern, pale në ç’lartësi dhe, me gjasë, si pronar i tokës që ishe, do të përfitoje me siguri edhe nja dy apo tre apartamente të tjerë, plus ndonjë dyqan dhe një garazh nën tokë …
Posi posi,në qoftë se nuk do të dilnin (siç mund të kenë dalë ndërkohë) kushedi ç’lukuni trashëgimtarësh mashtrues,të cilët ti, sa ishe gjallë, nuk i pe kurrë në derë…
Eh, ç’para do të bëje !
Më dëgjon Poet ?
Do t’i shisje apartamentet e tepërt, dyqanin dhe garazhin, që i munëruam,po se po dhe…
Po ç’llogari të mbrapshtë po bëj ; e si mund të ndaheshe ti nga uria rituale në moshën shtatëdhjetepesëvjeçare, sa ç’i bie t’ishe në mbarim të pallatit që rëndon me beton mbi tabanin e shtëpisë tënde ?
Ti,kurrsesi s’do ta braktisje dot filozofinë e urisë !
Nuk po tregohem cinik,
Apo jo
Poet…
PORTRET QENI
Po, po, portret qeni, fotografia e të cilit gjendet e afishuar në këto ditë të lume, në tërë lagjen time , mbi shtyllat e llambave , mbi muret e pallateve , por ja , edhe mbi xhamat masivë të një kafeneje, pronari i së cilës, e ka lejuar të zonjën e brengosur të qenit të humbur, ta ngjisë aty, ngaqë e ka klienten e tij të rregullt.
O, por qenkësh një qenushe ! Ja : qenushja që shihni në foto quhet Xheni / Ka humbur më 09/ 08/ …Lutemi , kush e gjen të telefonojë në numrin 069 37…. Për Klodi S. / Shpërblimi do të jetë i konsiderueshëm…
Fotoja me ngjyra të zbehta e qenushes bardhoshe Xheni, me ata sytë e pikëlluar, gati më të qarë, dhe me atë fjongon rozë si prej çupëline, e lidhur papijon sipër, të prek thekshëm tek e sheh! Dhe, si të mos harrosh se, përballë ke gjithsesi një kafshëzë të humbur e jo një fëmijë, fryt të njeriut !
Epo sot, kjo përkatësi e secilës specie , së paku midis kafshëve shtepiake dhe vetë njerëzve, sikur s’para ndihet kushedi se çfarë…
Jo më kot, Klodi S. komunikonte me Xhenin përmes referencave humane: kujdes Xhen, të ka nëna shpirt / Xhen, eja nën’…
Por Xheni e dëborta, ç’e ka atë foton ashtu ?A thua e ka parandjerë humbjen e afërt, kur i pozoi nënës, për atë setin e fotografive me fjongon e re mbi krye ?
Melankolike Xheni e si në të qarë !
Edhe mimika e njëmendtë e një njeriu nuk do të shprehte më shumë emocione sesa Xheni e mençur !
Lutemi Lutemi / numri i cel . 069 …
Tashmë , pale nga vërtitet rrugëve Xheni e drobitur, ashtu duke kuisur ! A thua të ketë rënë ndërkohë në dorën e ndokujt që e ka ndjellur tinëzisht , e asqë i vete ndër mend t’ia kthejë zonjës së tronditur ? E pse jo ?
Por mundet gjithashtu, që Xheni shpresëhumbur , t’i jetë vënë pas dikujt , që e ka perceptuar instinktivisht, pa u gabuar , si të sjellshëm dhe kafshëdashës dhe , duke iu spërdredhur nëpër këmbë plot kërcime lodërtare e përkëdhelëse, t’i ketë kërkuar prindërimin ?
Lutemi …
Por qentë, a vazhdojnë të jenë besnikë ndaj të zotit, apo më së fundmi edhe ata , pas mijëra vitesh bashkëjetesë të pandarë miqësore me njerëzit, e kanë humbur virtytin sublim të besnikërisë ?
Jo jo , s’ka mbërritur e keqja deri aty, por Xheni , vogëlushja e brishtë dhe e frikësuar sa më s’ka, për më tepër , duke u ndier e braktisur, ç’të bënte, të vdiste urie ?
Ç’thoni ? Ajo është mësuar të hajë , veçse gjatë vakteve të rregullt, ushqim të zgjedhur, është edukuar të defekojë në vendin e caktuar, të lahet e të parfumoset, të vaksinohet periodikisht , të flerë në shtroje të buta e të ngrohta , të marrë mësime po se po …
Lutemi Lutemi…
Të zonjës nuk i shket tëposhtë në fyt kafja e mëngjesit , ajo e mesditës ca më ligsht; iu prish rutina motivuese dhe, orët e mbetura bosh e nervozonin .
Shpërblimi për atë që e gjen…
Pas disa ditësh , te kafeneja , ku ulet Klodi S , nuk e pashë më portretin e Xhenit mbi xham. O , por pashë Xhenin prej vërteti, këtë herë pa fjongon rozë të lidhur papijon , por me qafore shtrënguese te një zinxhir fin , si ata të bizhuve, që përfundonte në dorën e mbledhur grusht të Klodit.
Xhenin e vogël do ta kishin qortuar pambukshëm, sepse s’m’u duk e këndellur. Apo s’i kishte ikur ende tronditja nga humbja ?
E bukura Xheni !
Sidoqoftë kujdes nga pasionet e lirisë …
RREBESH
Ishte vrenjtur dhe,retë e gufuara rrokulliseshin tek bubullinte kumbueshëm,a thua se do të shembeshin përtokë.
Po e ndiqja me kërshëri katrahurën në qiell dhe,terri i parakohshëm po më pëlqente përnjëmend,ngaqë sikur të mëvetësonte aty në trotuarin që po zbrazej…
Ah,si është prilli: gjithë përndezje afshesh dhe epshesh ! Tek e fundit, cilat qenie nuk përngjallen në këtë muaj ?
O Zot,një çast ndieja vapë,një tjetër çast shkulmi i një ere të ftohtë më rrëqethte…
U terr edhe më ,a thua se nuk ishte mesditë ,por mbuzja e mbrëmjes dhe,ndonëse rrebeshi pritej të shkrepej,vazhdoja të çapitesha më nge,edhe pse nuk kisha me vete një ombrellë…
Pun’e madhe ; ajo derdhja e shiut mbi krye,le t’ishte si fillimi i një rituali pranveror…
Pas qulljes anekënd nga shirat do të mugullojë bari e do të çelen lulet,të cilat do t’i shkelin bletët dhe brumbujt pllenues.
Shkrepi rrebeshi !
Pemët në trotuar dhe përgjatë brigjeve të pjerrët të Lanës,i përfshiu duhia me shi dhe erë,duke i tundur e spërdredhur sikur t’i kishte zënë prej flokësh .
Rruga u përfshi nga rrëketë lyla – lula,teksa vetëtimat që kërcëllitnin si qarqet elektrikë kur digjen ,më sëmbonin trupin e më kreshpëronin qimet.
Ashtu i lagur paq, më në fund shpejtova hapin dhe u futa te tuneli poshtë pallatit masiv përballë Lanës,madje vajta gjer te mesi i tij,sepse era dhe pikat e shiut e përshkonin tej e tej duke m’u përplasur mbi fytyrë.
Çfarë rrebeshi zemërak e i tërbuar,që s’përmbahej kurrsesi !
Hehe,por unë dëshiroja ta ndiqja ,ndonëse i rrasur pas murit të tunelit.
Përtej shiut të pjerrët që shkundej valë – valë gjithçka dukej e shfokusuar,që nga pemët e deri te makinat q’e hidhnin ujin anëve si motoskafët,ndërsa dritat e tyre të bardha e të kuqe zmadhoheshin tek përsëriteshin mes trazimit të pikave.
Shkreptiu fort e me inat një vetëtimë dhe,më pas një rrufe goditi shurdhueshëm mesin e rrugës,duke bërë rikoshetë tinëzare mbi asfalt si t’ishte një predhë artilerie e nisur nga qielli.
Nuk e di se çfarë do të ndodhte,nëse atë çast do të kalonte aty pari një njeri,apo qoftë edhe një makinë …
Sakaq,në tunelin ku turrej era dhe rruzujt sëmbues të shiut si t’ishin rrufe sferike,hyri një femër që kullonte e tëra. Teshat i qenë ngjitur pas trupit,ndërsa nga flokët e gjatë të rrafshuar pas kokës,rridhnin e rridhnin bulëzat e shiut mu si nga lastarët e një shelgu lotues.
Nuk m’i hodhi sytë,gjersa e këqyri veten nga këpucët ,gjer te këmisha që ishte bërë e tejdukshme mbi gjoks,por ,me të shkrepur sërish rreptësisht një tjetër rrufe,u trand dhe, si e urdhëruar prej saj u kthye nga unë dhe,më vështroi pickueshëm,tek drithërohej . Ishte e gjitha një përftim i rrebeshit,vetëtimave,rrufeve dhe pemëve që kërlesheshin me njëra – tjerën, tek ua përziente era kurorat.
Oh,e njoha ! Ishim ndeshur sa e sa herë të dy ja,pikërisht në trotuarin e kësaj rruge,megjithatë,kur ia behu në tunelin me korrente,nuk e dallova që në fillim.
Sa herë ishim shkëmbyer në trotuar,ajo më vështronte haptazi,duke buzëqeshur ëmbëlsisht ,për të lënë të kuptohej se,dëshironte të lidheshim ( ndoshta ?), por unë, asnjë herë nuk vendosa ta ndalja. E përse ? S’e di,s’e di…
Vetëtinte dhe shkrepnin rrufe !
Ah,ç’femër ! Qull si një nimfë e sapodalë nga ujërat,u lëshua drejt meje e m’i hodhi duart rreth qafës,teksa unë e mbërtheva nga supet dhe, duke u puthur fort fort me kafshime rrëshqitës,po kërkonim çmendurisht të bëheshim një trup i vetëm!
Vetëtinte e shkrepnin rrufe !
Asqë e kujtoj sesi e zhvesha nga mesi e poshtë,ndërkohë që buzët i kishim të shkrumbëzuara…
Nisi të më ngulë thonjtë ku të mundte dhe,më së fundi,u tund nga shkrehja e orgazmës e sinkronizuar me shkrepjen e një rrufeje në qiell…
I ndërpreu lëvizjet e spërdredhura dhe,u lëshua ashtu siç lëshohet edhe një muskul kur shtendoset.
Ndreqi pa vëmendje teshat dhe…
Iku me nxitim !
Rrebeshi pushoi,
Ai rrebesh,
Që na paskësh munguar
Të dyve…
SHETITJE
Jo, jo , nuk po shkelja mbi asfaltin e fortë, që ka filluar të më duket si i përftuar nga ngurtësimi i smogut të papërmbajtshëm. Po shkelja drejt e në tokën e butë , tretësen , përpunuesen dhe trasformuesen e gjithçkaje në mënyrë të pandalshme dhe të përjetshme.Po, po, drejt e në tokën e veshur me një bar dimëror, të shkurtër, aqsa edhe kur e kositin lik në pranverë.
Por pyllin e kisha ende larg dhe, gjersa të mbërrija atje , kisha mjaft gjëra të tjera për të parë dhe shijuar.Vendi përreth ishte tërë humba – humba dhe pjerrina të befta , megjithatë, unë ngrita kokën dhe ndoqa fluturimin e gëzuar të një plime pëllumbash, që u behën në ajër dhe ua ndriti dielli flatrat . Ah, ditë shkurti, e ftohtë dhe e kthjellët, gjithë vezullime qiellore!
Thitha disa herë thellë e thellë ajrin e pastër dhe ndjeva gjakut të më rrymojë valueshëm ndër deje. Por sa e shtrenjtë është bërë tani një shëtitje e tillë kuruese, sa e rrallë dhe ç’privilegj ! E përditshmja është e neveritshme, gjithë pluhur e shqetësime, gjithë rrapëllima makinash , që të vihen pas si egërsira , gjithë fytyra të pakënaqurish , të lodhurish, të shtirurish…
Por unë këtë mëngjes po shëtis dhe nuk më kthen dot njeri. Qyteti i ngjeshur pas meje, s’është veçse një kompozim fluror, por, ja pylli…
Së largu m’u duk i kuqërremtë dhe mendova se kishte filluar të mugullonte, por me t’u futur mes drurëve të lythët dhe përplot zhibla, nuk vura re asnjë krëndth me rrëshirë të hollë mbrojtëse.Vetëm ndanë një përroi të vogël , që vrujonte mes barërash , fregullat e lofatave ishin mbuluar me vile lulesh të trëndafilta dhe, me siguri, së shpejti do të hapnin edhe zemrat – gjethe. Sa më gëzuan ato lule dhe sa më ndritën në fytyrë!
Çnuk sheh në pyll, qoftë edhe në dimër…
Disa drurë i kishte miellëzuar kria e fshehtë dhe myzavat nëpër lëkurën e tyre, dalloheshin menjëherë…..
Por asnjë hukamë, asnjë vrapim tinëzar i ndonjë kafshe, që skërfit dheun me thonj,tek shkel me mallthet e tulta të putrave. Dielli hidhet degë më degë dhe ato ndrisin e lëkunden lehtë, duke nanuritur foletë e përgjumura të zogjve të larguar,teksa zogjtë e mbetur dimërorë fryjnë puplat për t’u ngrohur dhe çukitin ca kokrra fyrbë të harruara majave.
Por, a do të mund ta gjeja sot atë luadhin brenda në pyll, atë luadhin e vogël dhe të rrethuar; si një skenë e krijuar enkas për personazhet e përrallave ? Po; nëse përqëndrohesha pak dhe orientohesha me kujdes.E dua shumë atë luadh dhe ndaloj me dëshirë ca minuta aty, sepse nuk dëgjohet asnjë lloj zhurrme nga rrugët automobilistike , apo nga qyteti. Dhe, sa çudi; në këto lloj luadhesh mes pyjeve , gjen përherë ndonjë pemë frutore të harruar. Për shembull, një mollë apo një gorricë, që të mbetura ndër degë deri vonë, mbrydhen dhe bëhen të ëmbla dhe të shijshme. Këta luadhe , kur është kthjellët , kthehen në diellishta të vërteta gjatë orëve të mesditës, por siç ju thashë , të rrethuar nga kolonada e drurëve , duken si skena, ku shfaqen përralla të bukura, prandaj , kur gjendesh mes tyre , pa dashur përfshihesh nga emocione fëmijërore…
Çnuk sheh në pyll, qoftë edhe në dimër…
Herën e fundit, kur dola të shëtis, ishte fundvjeshte dhe shiu i zhurmshëm, që shkundej lyla – lyla mbi pellgjet mes barit, më bëri të ndiej së bremdshmi një trishtim mallëngjyes, thuajse të papërballueshëm, ja tek rrija ashtu shtrëngueshëm pas trungut të një lisi , për të mos u qullur dhe për të kundruar i mahnitur shtigjet që po mjegulloheshin dhe po humbisnin a thua se, largoheshin e largoheshin,tek treteshin tutje…
Por dëgjova madrigalin e një bilbili, që ishte fshehur s’di se ku dhe, u rrëqetha!
Po ç’bilbil ! Bilbili kishte ikur me kushedi ç’kujtime përndezëse dashurish dhe, në pyll fluturonte tashmë gushëkuqi, regjenti i tij dimëror…