Konstandin Dhamo: TOILET, tregim

Na erdhi Pandi në kafene ,ashtu si gjithmonë , duke buzëqeshur ndritshëm dhe duke fërkuar fort duart me njëra – tjetrën , i nxitur nga një gëzim gudulisës që nuk i ndahej. Sa tip i çuditshëm !
– Ulu o Pandi, ulu ! – e ftoi në tryezë Skënderi , drejtori i shtëpisë botuese Gent – Të bësh pesëmbëdhjetë vite burg dhe, të kesh kaq humor të çiltër dhe qejf për të jetuar , do të thotë se, ti atje në atë qelinë e errët , ke ditur që ç’ke me të , ta mbash veten gjallë dhe , me organizëm të paprishur , nëpërmjet lutjeve të fshehta të përditshme , gjithë përulësi dhe admirim ndaj Zotit , të cilat të falnin qetësi stoike dhe papërfillshmëri të plotë ndaj mbylljes , depersonalizimit dhe fatalitetit, ose, ke qeshur dhe je gajasur vazhdimisht me këmbëngulje, duke i lojtur mendsh tërë gardianët,Ç’të thuash? Dhe, e qeshura të ndoqi pas edhe sot e kësaj dite, si një kometë,(po e teproj ca, hë !) ndonëse tashmë më vezulluese dhe më e lirshme.Ja , faqet buçko si të kalamajve të kopshteve , sytë të kthjellët…
– Hehe, vetëm unë di ta shpjegoj, përse disa nga kolegët e mi, domethënë, disa nga ata që kanë bërë burg si edhe unë , i kanë faqet ashtu buçko; kështu i cilësove ti, apo jo ? Kam shkruar unë për të gjitha këto , por ja, sa t’i botoj ata të shkretët libra ! Por, çfarë buçko o , Skënder ! Të enjtura ore, të fryra dhe të përskuqura nga sëmundjet kardiake , por ti se ku i gjete edhe për mua ca kulte , apo autosugjestione çudibërës…
– Epo, në kafene jemi. Ju, shkrimtarët e burgut , na mbytët e na befasuat me letërsinë tuaj të sheqerosur deri në hidhësi . I lexon …
– Një minutë, një minutë; unë vetë kam qenë shkrimtar para se të futem në burg…
– Po, por mos na e trego neve, sepse e dimë ; pra, i lexon disa nga librat e kësaj letërsie të veçantë dhe, shtangesh nga habia që të shkaktojnë , ngaqë aty nuk has as dramacitet, pale tragjedi dhe, vërtetësi.Si atëherë? Por autorët e këtyre romaneve, apo edhe autobiografive janë kalbur realisht nëpër biruca.Ka edhe libra shumë të mirë; nuk e mohon dot kush këtë, por kjo lloj proze që tingëllon si vjershërim i keq, nuk duhej të ekzistonte. Më ndiqni pak: ja, fluturojnë të lirë pëllumbat në hapësirë, por ne na shtyjnë me shqelma dhe me kondakët e pushkëve pas telave me gjemba… Aman ore kini pak mëshirë , sepse na u shpif me këta pëllumbat!
– Më ngadalë , ore Skënder, më ngadalë! Ti e pohove vetë se, ndërkohë ka edhe libra shumë të mirë .Kështu e ka arti në tërësi.Po atë letërsinë e socrealizmit , e harrove ti?
– Ti qesh e buzëqesh gjithë kohës këtu, kurse mua nuk më lejon të bëj ca shaka.
– Bëj sa të duash, por shih t’ju tregoj diçka, për të cilën asqë ju ka shkuar , besoj, ndonjëherë mendja .Disa nga kolegët e mi , kur ulen të shkruajnë për jetën në burg, fillon dhe i sëmur dhe u kall ethet që në rreshtat e parë ai riprodhimi me vërtetësi i ngjarjeve të tmershme që kanë kaluar për vite e vite të tërë. Kësisoj, duke mos e përballuar dot duhmën e së kaluarës mizore , bëjnë si të thuash një marrëveshje pa fjalë me veten dhe , i llastojnë ca dhe i përkëdhelin faktet dhe akuzat. Kështu, në një farë mënyre, e nxjerrin edhe të ligën nga vetja. Kjo lloj psikoterapie, me ca marifete në përbërje , njihet tashmë .Ti ke një tregim ku trajton pikërisht këtë temë , apo jo? – m’u kthye mua. – Ti vetë e mbron idenë se, ngjarjet e së kaluarës, sado të rënda të kenë qenë,fillojnë e zhdramatizohen e madje romantizohen…
– Sikur nuk është e ndershme ta kurosh veten në këtë mënyrë.
– Dëgjo, Skënder…
– Lere Skënderin, sepse kërkon të të ngacmojë.
– Mirë , mirë, por dëgjo ! Unë në ata librat e mi, sakaq kam dy romane të përfunduar, e akuzoj regjimin komunist drejtpërdrejt dhe me ashpërsi të madhe .Unë nuk fal askënd që nuk është për t’u falur dhe, kam aq vërtetësi në përshkrimin e ngjarjeve saqë shpesh ( e di ) bie edhe në natyralizëm.Mua më ka mbetur zemra ende e fortë, por njerëzit janë lloj – lloj ; mos harroni , ka edhe nga ata që vrasin veten.Ne , të burgjeve nuk jemi hakmarrës; nuk po them përmendsh një slogan jo, po ju kujtoj një visar të karakterit tonë.Por ç’është ky libër i ri , këtu mbi tryezë ? O, urime urime, por kur e paske botuar , domethënë , kur ta paska botuar Skënderi ? – pyeti kinse me qortim dhe vijoi – Ah, unë ende nuk po mundem t’i botoj ata të mitë, por , urime urime ! – dhe fërkoi duart fort si për të rindezur gëzimin.
– Ç’të botosh ti ? Ti lavdi Zotit për vete nuk mërzitesh , por mua ama, ke dy vite plot që më vdiqe me atë Komitetin e të Përndjekurve Politikë; ja ,sa t’i marr ato paratë e burgut sot, ja sa t’i marr nesër; e mora një këst , por e prisha për diçka më të ngutshme, gënje ty ata , gënje ti mua, a u ulën çmimet, a u ngritën çmimet, a ia futi kau pelës…Unë si Skënder , apo si kredharaku i kënetave siç më quan ti, o i poshtër mua që vij nga internimi , qesh qesh me lot, ta kam bërë të qartë një herë e përgjithmonë se, çmimet veçse rriten, megjithatë ty do të të kërkoj aq para sa ç’kushtojnë materialet , pra letra , boja etj…
– Rrofsh rrofsh, por më uroni edhe mua, sepse jam fejuar ; o është një vajzë e shkëlqyer, këtë herë! Vërtet dyzet e shtatë vjeçe, por …
– O, i shkreti ti, prapë u fejove ? Si ua del gjithë këtyre femrave? Ti nga ana jote , a i kalove të gjashtëdhjetat ?
– Po , por kjo këtë herë…
– Kështu the edhe për atë tjetrën, para kësaj, por të iku në Itali dhe , ta bëri topin.Më mirë në burg sesa të fejohesh kështu si ty shtatë herë rresht ! Çfarë do të pish?
– Një ujë mineral me gaz, shumë të ftohtë.
– Ujë ? Po a kemi dy urime për të bërë; një për librin tim, një për fejesën tënde superiore.
– Zënë urimet edhe me ujë. Fjala vjen tre mijë kopje për një libër, a janë të mjaftushme, Skënder ?
– Tre mijë kopje ? Jo, po tridhjetë mijë ! Kush pjerdh sot për librat, Pandi ? Sot nuk po shiten më nobelistët, le pastaj ato fletushkat pornografike që gjer dje ua rrëmbenin gazetashitësve nga duart. Ua morën dorën shqiptarët shumë shpejt të gjithave ; e kam thënë këtë edhe herë tjetër.Treqind kopje janë të mjaftueshme edhe për të shitur , edhe për të dhuruar symbyllurazi, pa harruar të shkarravitësh një kushtim qesharak në faqe të parë.
– Ty të bindem pa asnjë mëdyshje.Së shpejti do të tërheq edhe një pjesë të mirë të parave të burgut dhe, do të llafosemi bashkë konkretisht, më në fund! Bobo; por më more në qafë me ata pëllumbat ! Për dreq , kam edhe unë një episod me pëllumba në njerin nga romanet e mi, por tashmë m’u përdhos i gjithë ai episod; do ta heq !
– Ç’punë ke ti me atë që tregova unë ?Atë shembull e solla sa për të ilustruar pikëpamjet e mia.
– Në fakt ajo çka përshkruaj unë në libër është e tëra një ngjarje e jetuar.
– E pastaj ? Edhe ai autori që përmenda unë, mund t’i ketë ndjekur vërtet ata pëllumbat në qiell, por përshkrimi i tij është bajat, i konsumuar dhe më e keqja, edhe libresk. Boll me zogjtë e lirë në qiell…
– Aahtu ashtu ; një ditë prej ditësh vjen në burgun tonë për inspektim një ekip i Ministrisë së Brëndshme dhe , ata përbindëshat që na ruanin ne, i gostitën me një drekë të përgatitur me pëllumba të pjekur; merrni vesh çfarë po ju them ? Drekë me pëllumbat e territorit të burgut, të cilët i kishim kuar ne gjer atëherë me krodhat e bukës sonë të mjerë, sa herë merrnim racionin…Ngjarje reale që të pikëllon, por mos ju tingëlloi e stisur dhe e sforcuar edhe kjo?
– Tërhiqi ato para të shkreta dhe,eja t’i botojmë edhe ata librat e tu njeri pas tjetrit ; pëllumbat e tu janë në rregull…
– Mua këtej rrotull më gjeni tërë ditën e ditës; jam më keq se ata kalamajtë rrugaçë unë; s’rri dot në shtëpi as edhe një minutë.Ohu, boll ndenja mbyllur atje në atë të mallkuarin burg ! Dua të hy e të dal nëpër kafene e dyqane, të shoh njerëz në rrugë e të piqem me të njohur e të panjohur, pale të bjerë shi e të bëjë ftohtë ;
– Sa mirë që gjen kohë edhe për romanet ; po ku ulesh të shkruash ?
– Oh, zakonisht te një kafene, që sërit ca tryeza ndanë trotuarit…
– Po në kishë a hidhesh ndonjëherë ?
– Ç’t’u kujtua kisha, aman ! E ç’dua unë atje, të piqem me ca priftërinj komunistë ? Në kishë më së shumti shkojnë ata, që i zë frika nga vdekja,me t’u plakur,kurse unë, jua thashë njëfarësoj,pas burgut po jetoj plot gazmend.
E more Pandi,more Pandi…
Ndonjë javë pas bisedës prekëse të Pandit, po ecja në një rrugë, përgjatë së cilës,tërë apartamentet e banimit në katet e parë të pallateve po i kthenin në dyqane , me një shpejtësi dhe shqetësim të atillë , a thua se , i urdhëronte ndokush, duke ua mbajtur koburen ngrehur pas qafe.Prishnin mure, lyenin , nxirrnin mbeturina , bërtisnin , hapnin dritaret gjer në dysheme për të vendosur dyer, ngjisnin tabela…
Por vura re Pandin ! Ja, përpara një dyqani, ku shiteshin pajisje sanitare gjithfarësoj.Gruaja e tij e fundit , siç mund të merrej lehtësisht me mend, një flokëkuqe, që i tononte fjalët me ca gjeste të prerë nervozë, po i tregonte disa pllaka të bardha, të vendosura rrëmujshëm në trotuar.
– Ç’ kemi Pandi ?
– O , si je miku im ! – ma ktheu Pandi, buzagaz dhe duke fërkuar duart si përherë, i lumtur sa më s’ka. – .Si po të ecën libri ? Njihuni, kjo është gruaja ime, ndërsa ky , siç e dëgjove , është miku im…
– Si jeni zonjë ?- iu drejtova unë flokëkuqes, s’di pse pak si me shpoti.
– Ah, shkëlqyeshëm ! Më ka folur Pandi aq shumë për ju, saqë çdo prezantim do të ishte i tepërt.
– Po zgjedhim disa pllaka për shtëpinë tonë të re – u fut shpejt e shpejt në mes Pandi – I mora edhe unë , më në fund, ca para dhe , ja po blejmë disa pllaka për të dekoruar banjën, domethënë nevojtoren ; kështu i takon të quhet ? Hahaha; e kemi për turp . Mendo, ende me mure të lyer me bojë vaji, mu si ato zyrat e hetuesisë,hahaha…
– Po romanet Pandi ?
– Ç’i duhen romanet këtij para shtëpisë ? – klithi kuqja, të cilën mesa dukej e kisha bërë armike që me vështrimin e parë.Pandi , ndonëse sipas të gjithë ligjeve universale të natyrës, mund të pohohej se, ndodhej aty, u bë për një çast tërësisht i paqenë , ngaqë u mpi dhe , nuk jepte e nuk merrte asnjë sinjal.
– Ju, mesa duket , nuk dini ende çdo gjë ? – e provokova kuqen.
– Ju – m’u gërmush ajo – nuk dini, mesa duket , çdo gjë ! Pika romaneve !
– Atëherë , mirupafshim dhe, toilettes të mbarë!
– Mirupafshim , mirupafshim ! – më përshëndi Pandi, që u çmpi, ndërsa kuqja e përkulur mbi pllaka, kukuriste prapësisht.
Pasi bëra disa hapa, ktheva kokën dhe , i vështrova edhe një herë .
Sa të bardha ishin pllakat , të bardha dhe të ndritshme !
Megjithatë , nuk ishin faqet e një libri …

1994