e
Pse u shkrua ky roman? Sepse e ëma ia kërkoi të birit: “A mund të shkruash ti një libër për këtë tumor? (vetmi – K.N.) Sigurisht që mund ta shkruash. Dhe do ta bësh. (f.272) Nëna donte një roman. Pra me detyrim e përcaktim.
E sotmja të ndihmon dhe të detyron që të hedhësh një vështrim tërësisht të ndryshëm ndaj së shkuarës duke e krahasur me dyzet vite më parë. E kam përjetuar këtë qasje kur rilexova Veprat e Kadaresë në trajtën origjinale të viteve kur ishin botuar së pari.
Nëna e shkrimtarit pati përjetuar një vit të jashtëzakonshëm në jetën e saj, atëherë autori ishte në djep; kur Nëna i kërkoi të shkruante Birit për atë vit të jashtëzakonshëm, jo vetëm kishte kaluar gjysmë shekulli, por Biri ishte bërë Ministër i Jashtëm i një partie të krijuar në një sistem të ri politik me pozicionim antagonist me partinë e Babait. Rrjedhimisht gjithë terminologjia politike e përdorur bashkë me kompromentimin e naivitetit fëminor përfton një vel të tejdukshën ironie që demokratët e shohin si apologji, kurse komunistët e metamorfizuar si nostalgji.
Vepra, e ngritur mbi një shtysë të brendshme familjare, vjen me një mënyrë të veçantë paraqitjeje të personazheve: Për autorin e rrëfimit heroina kryesore është Nëna, për Babain është e Shoqja, për Gjyshin është Nusja ose e Reja, për Partinë dhe për shoqet komuniste është Shoqja S. Gjyshi i autorit është Vjehrri për Nënën dhe i Ati për Babain. Shoku H. është Daja për autorin dhe Vëllai i madh për Nënën. Po t’i thërrisnim personazhet në skenë, do të ngjiteshin atje dhjetë prej tyre, pesë meshkuj e pesë femra.
Çdo gjë ka një fillesë, për prozën letrare kjo quhet pika e lidhjes. Si rrufe në qiell të kthjellët, Nëna merr një ftesë të papritur për t’u paraqitur në zyrën e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, ftesë që duke i shkuar një nuseje të re e të bukur e cila bën jetë shtëpiake dhe nuk e ka burrin në shtëpi, mund të përfundojë në një skenë erotike, sepse “…zyrat e politikanëve të lartë janë të mbushura me mistere djallëzore, ku njeriu i pamësuar zbulon pafuqinë e vet, duke pësuar në shpirt gjymtime të papërfytyrueshme.” (f.9) Nuk ndodh aspak kështu, por deklarimi i takimit dhe detyrës si sekret shtetëror, hiperbolizimi i qëllimshëm, kthehet për Nënën në gur Sizifi që zë gjithë pjesën e parë.
Pse e kërkon Sekretari i Parë? Mund të jetë edhe për mirë, sepse Komiteti i Partisë nuk është zyra e Sigurimit. A duhet që nëna të bisedojë me shoqen Kumrie e cila është aktiviste e shquar? A duhet t’i kërkojë ndihmë shoqes më të afërt, Dritës, fejuar me një të arratisur që është hedhur “në krahët e borgjezisë ndërkombëtare për t’i shërbyer asaj si mish për top”? (f.30)
Nëna paraqitet te Sekretari i Parë i cili bën dy gabime në komunikimin me Nënën: e para përdori fjalën “shoku” për Dajën bari gjë që tingëllon si tallje; e dyta, i tha se burrin e kishte marrë malli për të. Ç’kuptonte sekretari me “mall”? Ai i ngarkon një detyrë të rëndësishme në raport me Partinë dhe i kërkon një punë speciale për duart e saj që bëjnë mrekulli me grep dhe me pe të bardhë.
Nga ky çast në vetëdijën e Nënës ndodh një ngacmim që përcillet si angazhim, kjo bën t’i përngjajë “Nënës” së Gorkit, por te Gorki është Pavli që e tërheq nënën në lëvizje, te Mustafaj kemi një bebe me përndritje engjëllore që miraton angazhimin politik të Nënës. “Zemra ime e vogël, Ti më jep guxim, më jep gjithçka që më duhet.” (f.186)
Nëna ngacmohet nga ideja që mund të vizitojë Tiranën. Mos ishte lojë nga i Shoqi? Nëna guxon të shkojë për një takim të dytë me Sekretarin e Parë për më shumë informacion rreth mbajtësit të opingave: i shëndoshë apo i dobët, i shkurtër apo i gjatë, i ri apo i vjetër, masën e këmbës të paktën. Sekret. Do të zbulohej vetëm pas dy ditësh. Me një lajm të madh: Në Tiranë do vinte Hrushovi. “Ti e di se Hrushovin e kemi mik të shtrenjtë.” (f.112)
Hrushovi erdhi, po Nënën nuk e thirrën si pjesë të delegacionit pritës. Kompesohet me mitingun në fushën e futbollit ku Sekretari i Parë jo vetëm e thërret Nënën pranë tij në tribunë, por i jep mundësi të flasë. Të nesërmen fotoja e saj ishte në faqen e parë të gazetës “Zëri i popullit”. Tre vjet pas martesës, po bëhej pjesë e jetës publike. Ngjarjet fillojnë e rrjedhin me shpejtësi. Nënës i shkojnë për vizitë të papritur shoqja Rushe dhe shoqja Kumrie. Me cilësinë e kryetares së Këshillit të Grave të krahinës, Rushja e quan Nënën yll në ngjitje dhe shembull frymëzues. Do të organizohej një fushatë dhe ajo do shkonte në takime me të rinjtë dhe gratë.
Vizitë e pazakontë ishte ajo e Selmanit, një nga partizanët e parë, që pas luftës ishte dërguar për studime si mësues, por ishte i goditur, sepse kishte bërë dasmën e djalit në javën e zisë për Stalinin. Ishte përjashtuar nga partia, ishte hequr si mësimdhënës, ishte dërguar në gurore. Kyçja e gojës e kishte shpëtuar që mos rrëzohej nga buza e greminës. Tani deklarohet antistalinist, e kishte bërë qëllimisht dasmën me aheng dhe deklaratat e atëhershme të pendesës ishin vetëm për vetëmbrojtje. Hrushovin e shikonte si njeriun me fytyrë njerëzore që i kishte munguar socializmit. Ardhjen e Hrushovit në Shqipëri e shikonte si shenjë pozitive për të ndryshuar gjërat. Kishte ardhur të fliste me Nënën se ardhja e Hrushovit i kishte bashkuar. Ky rrëfim ishte si një lloj testamenti. Nga ky takim Nëna sheh Gjyshin që e kishte lepurin në bark dhe e humb rëndësinë si kryefamiljar.
Vizita e radhës është e shokut H., Daja i rrëfyesit. Kishte një brengë, një siklet. Pyetja e Dajës është tronditëse: “E di burri yt për këto që po bën?” (f.178)
Por ai urtësohet si burrë i mundur, sepse Partia ka porositur të zhvillohet luftën e klasave edhe brenda familjes. “Është koha e ndryshimit” – i thotë Nëna të Vëllait. (f.181)
Bota e Nënës përfshihet nga një vorbull, me bindjen se po zbulon veten e vërtetë. Fillon të lexojë shtypin e Partisë, imiton fjalimet e udhëheqësve të partisë të rrethit para bebes. Vjehrri e dëgjon, por hesht se është plak i kohës, ka përqafuar erën e re. Përsëritet si refren “ylli në ngjitje”. Po fillonte një e ardhme e ndritur politike. Nënës do t’i jepet Urdhri i Yllit me pesë cepa dhe lajmin e parë ia jep Kumria si sekret. Dekorata kishte lidhje me ndihmën e Nënës për forcimin e miqësisë vëllazërore midis popullit shqiptar dhe popujve të lavdishëm të Bashkimit Sovjetik. Në ceremoninë e dhënies së dekoratës vjen Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Indoktrinimi jep rezultatin e parë: Nëna ndihet fajtore se ardhja e të deleguarit mund t’i verë jetën në rrezik, prandaj ishte gati ta refuzonte dekoratën. Po refuzimi kishte anën e vet të zezë, mund të përfundonte në burgun e zi. Dhe vjen çasti kulmor i karrierës. Nëna shikon një ëndërr me vrasje. “E ç’më duhej mua kjo fitore?” – pyet veten Nëna. Kjo dekoratë nuk ishte vetëm për Shoqen S. por edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, që të mos dyshonin se Partia po i ngopte me lugë të zbrazët. Nëna kishte bërë një hap të rëndësishëm përpara në përgatitjen e nevojshme për të kryer me nder misionin që po i ngarkohej si shembull frymëzues për të gjitha gratë e krahinës. (me përpikëri, symbyllazi) (f.221) Shoqja Rushe e lavdëron Nënën duke vendosur në gojën e shokut Enver edhe fjalë që ai nuk i kishte thënë. Këtu mbaron motërzimi shqiptar i “Nënës” së Gorkit për t’u kthyer në një grua të trembur që i përngjan “Kukullës” së Kadaresë.
Po këtu ka një çudi të madhe: Si ka mundësi që në ceremoninë e dhënies së dekoratës dhe në darkën pas saj, i Shoqi i Nënës jo vetëm që mungon, por as nuk zihet me gojë? Babai vjen vetëm kur mbaron shkolla, si kofini pas të vjelit, por edhe i vonuar mbetet mospërfillës ndaj angazhimit politik të së Shoqes.
Duke iu rikthyer grupit të personazheve, mjedisit fshatarak të qytetit provincial do t’i shtojmë një përfaqësuese të klasës punëtore, Vasilikën, për të cilën shumë shpejt për të fillojnë letrat anonime për qëndrimin moral të cilat mbërrijnë edhe në zyrën e Enver Hoxhës. Autori ka gjetur në arkiva letrat anonime për Vasilikën dhe letrën e Enver Hoxhës që udhëzonte të trajtohej “si histori burrash të dobët dhe jo si histori grash të shthurura” (f.251) Ngarkesë negative përcjell autori edhe për dy gratë komuniste, Kumrien me pamje dhe veshje burri nga pantallonat dhe këpucët dhe Rushen që përfundon si limon i shtrydhur sepse i shoqi bëri synet njërin nga djemtë. E vetmja figurë stoike është ajo e Dritës e cila përfundon e internuar. Nga grupi i burrave, Sekretari i Parë, Babai dhe Gjyshi mbeten statikë dhe fisnikëria e këtij të fundit është e pamjaftueshme për të ndryshuar rendin e gjërave. I vetmi luftëtar mbetet Selmani që zhgënjehet në shpresën e parafundit për ndryshim që mund të sillte ardhja e Hrushovit dhe në shpresën e fundit nga nxitja e letrave anonime nga populli drejtuar Enver Hoxhës. Sërish autori ka gjetur në arkiva letrën dërmuese të Udhëheqësit: “T’i tregohet vendi!” (f.260)
Si filloi tatëpjeta e karrierës politike të Nënës? Filloi me refuzimin e ftesës së Nënës për kafe nga shoqja Rushe, shoqëruar me kërcënimin se shumë shpejt do t’i hapen petët lakrorit. (f.291) Rushja hyri në jetën e Nënës si smirë kur u dekorua dhe u fuqizua si rivalitet. Pritja e ethshme duket sikur e kthen nënën në disidente. “Brenda kishte përshtypjen torturuese se mbante një mbushje dinamiti të cilit i ishte ndezur fitili.” (f.297)
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Nënën e thërrisnin rrallë, derisa e harruan. “Asaj i dhimbte kjo harresë.” (f.315) Diçka e tillë i ndodhi dhe Pandorës së fshatit tim. Ajo shkoi si kooperativiste e dalluar në Bashkimin Sovjetik dhe u dogj si meteor në qiellin e lajmeve të miqësisë.
Pengu i nënës që erdhi e u fry si brumi i ardhur: “Përse regjimi e kishte bërë të vuante si fajtore një grua si ajo, e cila me sinqeritet donte ta shihte veten si pjesëmarrëse ndërtuese të shoqërisë së re?” (f.326)
A ka këtu grimca apologjie? Së pari, “do të vinte një kohë, kur pikërisht unë, i besuari i vuajtjeve të fshehta të shpirtit të saj, do ta shkruaja këtë histori duke nxjerrë në shesh… një torturë të fshehtë.” (f.265) Kjo tortura ishte ndjenja e vetmisë, që kishte prodhuar e ruajtur një inat 30-vjeçar me veten që nuk kishte arritur t’i tregonte të shoqit rrugën që kishte zgjedhur.
Së dyti, Nëna kishte besimin se nëpërmjet këtij rrëfimi publik do të çlirohej nga një barrë që nuk donte ta merrte me vete në botën tjetër. (f.276)
Së treti, a mund të konsiderohet si hakmarrje për Nënën shkelja e këpucës së Hrushovit në OKB?
Dy shënimet e fundit. Cili është shpjegimi për titullin e romanit? Vëllai i vogël i rrëfyesit që kishte emigruar në Gjermani, kishte dërguar një pako mbi të cilën ishte shkruar “Dëmtuar gjatë rrugës” dhe Nëna e zgjedh këtë titull që aludon për fatin e vet.
“Çfarë pret prej Babait pasi ai ta lexojë? “Hiç. Në veçanti nuk dua të më kërkojë të falur.” (f.275) Kjo shpresë mbetet e pazbardhur.
Durrës, 5 – 8 korrik 2023