- Nga Leonat Shehu, VOA
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të enjten se Kosova është e gatshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që përfshinë njohjen e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin, me të cilës pas dyerve të mbyllura ka diskutuar zhvillimet në Kosovë, mundësitë e ripërtëritjes së bisedimeve me Serbinë dhe përgatitjet për takimin e Parisit me 1 korrik të organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Kryeministri Haradinaj shkroi më pas në rrjetet sociale se “sa i përket dialogut me Serbinë theksova se ne jemi për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, përfshirë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues. Me këtë rast e falënderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar. Nga kancelarja Merkel mora konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar!”shkroi ai.
Kryeminisri Ramush Haradinaj u tha mediave pas takimit me kancelaren Merkel se nuk është kërkuar largimi i tarifave. Ai tha se me rëndësi është që dialogu të vazhdoj por sipas tij çështja e pa zgjidhur mbetet njohja nga Serbia.
“Janë dy mundësi, një mundësi është e vendimit të madh edhe duhet shumë të shpresojmë pas përfshirjes së presidentit Trump dhe letrave por sidomos tash pas përfshirjes direkte pra dhe personal të kancelares Merkel dhe presidentit Makron duhet të shpresojmë për mundësitë të një marrëveshjeje të madhe. E nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disa mujor apo disa vjeçare”,tha kryeministri Haradinaj duke nënvizuar se nuk shpreson për një marrëveshje të shpejtë me Serbinë.
Ai tha se mundësitë më të mëdha janë për arritjen e një marrëveshjeje kornizë e cila pastaj do të përmbyllej përmes një përfaqësuesi të posaçëm.
“Ndoshta duhet ta shfrytëzojmë këtë energji për një kornizë marrëveshje të parë e cila pastaj do të negociohet në një proces nga një përfaqësues i lartë ndërkombëtar siç ishte Federica Mogherini, por do të jetë një tjetër, dhe unë mendoj se Berlini do të ketë prezencë direkte me një përfaqësues të posaçëm apo me një të ngarkuar në këtë proces”,tha kryeministri Haradinaj.
Kosova dhe Serbia po përfshihen në një proces të ri të takimeve me ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës, zyrtarët e të cilëve po bëjnë përpjekje për të ripërtërirë bisedimet.
Me gjithë bllokimin e bisedimeve, përfaqësuesit e dyja vendeve Kosovës e Serbisë po vazhdojnë të takohen në konferenca të ndryshme ndërkombëtare.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u nis sot për në Bratisllavë të Sllovakisë për të marr pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga “GlobSec”, ku së bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç pritet të jenë pjesë e një paneli diskutues.
Presidenti Thaçi para nisjes tha se nuk do të ketë takim të përbashkët me presidentin serb por bëri thirrje që të shkohet përpara me bisedime pa kushtëzime.
“Shpresoj që do të kemi edhe një mbështetje edhe të udhëheqësve tjerë në mundësinë e përafrimit të pozicioneve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të pranojmë kushtëzime nga Serbia për vazhdimin e dialogut ndërsa ky forum do të jetë edhe një mundësi tjetër për t’u takuar me përfaqëues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit por edhe senatorë që do të jenë pjesëmarrës”, tha presidenti Thaçi.
Kosova e Serbia po përballen me trysni ndërkombëtare për të rifilluar procesin e bisedimeve, proces ky që mbetet i bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, pas vendosjes së tarifave nga ana e qeverisë së Kosovës ndaj mallrave serbe.