KRYQI  IM … POEZI NGA ODISE KOTE

 

 

I kam besuar kryqit thellë n’asht të malit,

në bërthamë të gurit,

shqipes në gjenezë.

Tingujve që më sjellin këngët e thinjura të lumenjve,

kur derdhen në det …

 

I kam besuar kryqit të brengës së thyer,

lënë në mes si zhgaravina fëmijësh,

ndërgjegjes së brejtur.

Lëngut të athtë të bajames,

kujtimeve të varrosura,

në lëngatën e trarëve të shqepur.

 

I kam besuar kryqit në petal të manushaqes,

që dridhet si ëndërr adoleshenti

prej dëborës.

Ditareve të fshehura  nē plasaritjet e parvazeve,

e shtrëngimit prej Njeriu,

të dorës.

 

I kam besuar kryqit në limfë të drurëve,

pendesës së ngecur në tel të teshave

të pathara të foshnjës.

Vizatimeve të lëna në llërën e lofatës,

dorzës së udhëtarit,

në zemër të portës…

 

I kam besuar dhimbjeve, ankimeve të pafata, që zbulohen prej dritës,

nga njëri në tjetrin rreth të vjetër…

E di se një ditë do ta humbas Kryqin tim,

por dashuria do të ma kthejë në formë tjetër …

 

MËLLENJË E VETMUAR …

 

Mëllenjë e vetmuar, krahëthyer degëve,

eremite e mbyllur në vetvete.

 

Trembur prej vetmisë, fatit të pa kthimtë,

besimit të verbër, heshtje fshehur në pyll.

 

Aty ku të vdekurit s’dëgjojnë fabula të rrejshme,

pikojnë lotë drurësh,

lotë gjethesh,

por lëvizja është jashtë,

jashtë dhe e përjetshme…

 

Mëllenjë e vetmuar,

ngjethur, përpëlitur, humbur lirinë e qiellit, atje lart.

Si ta gënjejë gjahtarin,

që e ka vënë nishanin në çark…?

 

Mëllenjë e vetmuar …

 

Zemëruar me gjakun e prishur të njeriut,

zemëron për oqeanin, jo për pikat e shiut…

 

 

 

DITË  E  XHAMTË  …

 

Kur ra këmbana e Kishës, zoti s’tha asgjë.

Vetëm u kujdes të mos shkelja ligjin.

Tek ditë e re, e xhamtë, vizatoj frymën tënde,

në shkëlqimin e rrugës kallkan që ndrin.

 

Dimri kaq i thellë, më e thellë dhembja,

njerëzit e horizontit, të mjegullt. Sikur bëjnë piruetë!

Më mirë prek drojë malli e shkoj mes akullit,

se sa të lundroj ajsbergëve që shkrijnë si retë…

 

Mes meje dhe ëndrrës, histori triumfi,

matanë bien gjethet, brof brenda gjakut drita,

Veç mumjet s’jetojnë me thirrjet e së shkuarës,

s’i harron dot gjërat e bukura vetmia …

 

Te kjo ditë e xhamtë, buzët e tua të kuqe,

prekin netët  e pagjumat, trillet, marrëzitë.

Aty lind puthja që rrëfen përse kemi heshtur,

pse s’bëjmë atë që bën pranvera me qershitë…

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here