Me veprën e Migjenit mund të thuhet se nis letërsia e vërtetë moderne shqiptare, një letërsi plotësisht e pjekur, e çliruar nga mitet e Rilindjes Shqiptare dhe nga çdo idealizim i realitetit, po aspak e zhveshur nga idealet, madje shpallëse e idealeve të reja dhe më të larta, sociale dhe etike[1].
Migjeni ishte kundërshtues i pamëshirshëm i çdo lloj konformizmi në art. Ngaqë i dhimbset vendi i tij, ai është kundër idealizimit të tij, ngaqë do përparimin e vendit, ai është kundër traditave të ngrira, euforisë, krenarisë boshe kombëtare, këtyre kanxhave që e mbanin të mbërthyer Shqipërinë në vend dhe nuk e linin të bënte hap përpara[2].
Letrat shqipe prisnin me ngut ardhjen e shkrimtarëve novatorë, që do të thyenin rutinën, që do të zgjeronin venat e saj të ngushtuara, që do të shkatërronin klishetë parazitare, që do t’u rikthenin fjalëve lirinë e humbur, së fundi që do të vinin në gjunjë radhën e mediokërve, këtë ushtri të pafundme në monotoninë dhe hirnosjen e saj.
Si pararendës i letërsisë së realizmit socialist është trajtuar shpesh Migjeni në kritikën e shtampëzuar soc-realiste; sigurisht është e pranuar se te Migjeni filluan të braktisen format tradicionale të të shkruarit, metrika e vjetër fillon të dalë prej mode dhe i lëshon vendin vargut të lirë, dukuri këto që shënjojnë formalisht dhe poezinë e realizimit socialist, por te Migjeni gjejmë antioptimizmin, vetmimin klasor, ideologjik; gjejmë dekadentizmin shpirtëror dhe revoltë metafizike kur ai vuan fizikisht thotë se vuan dy herë shpirtërisht.
Kur Migjeni erdhi në letërsinë shqipe, ndonëse tepër i ri, duhet të ketë ndier se ç’rruge të rrezikshme po i hynte[3].
Vepra e Migjenit përbënte shkëputjen më të fuqishme të letrave shqipe prej romantizmit të Rilindjes[4], Migjeni nuk e hiqte veten ithtar të “metodës së realizmit socialist”, por ishte për një poezi të re, moderne. Ai kishte përfillje të veçantë për poetët simbolistë francezë[5].
Në letërsinë botërore për fazën e modernitetit si nyje të fillimit të saj mbahen figura, të tilla si: Bodleri, Rembo, Verleni, etj.
Poezitë e tyre fillojnë modernitetin, me këto emra poezia bëhet personale dhe intime, braktisen qëllimet e përbashkëta, kurse në poezinë shqipe moderniteti fillon me Migjenin i cili, për dallim nga tradita evropiane, i largohet personales, un-it vetjak për t’i lënë vend un-it të secilit anëtar margjinal të shoqërisë .
Sipas studiuese Dhurata Shehri, modernistët e zbuluan veten në të vetmen pikë qendrore e kritike të historisë, aty ku gjithë e shkuara shfaqet e dukshme, por kjo e shkuar habitshëm ekziston në të ardhmen. Këtë tipar të poezisë moderne te Migjeni e gjejmë të shprehur përmes përdorimit sinekdotik të lidhores dhe urdhërores, i cili jep vetëm një pjesë të objektit, të ardhmen e tij[6].
Migjeni ishte ndër ata krijues që e largoi letërsinë e tij nga romantizmi karakteristik për letërsinë e mëparshme[7], i Rilindjes kombëtare, duke kërkuar dhe eksperimentuar një art të ndryshëm nga pararendësit.
Interpretimi i tillë i plagëve shoqërore nga Migjeni, doemos se do ta konfrontonte atë, jo me Shqipërinë, por me sunduesit matrapazë dhe satrapë të saj, jo me religjionin, por me interpretuesit dhe përfituesit në emër të religjionit, jo me moralin e pastër ekzistues patriarkal, por me ata që e shalonin moralin duke u fshehur pas tij.
Në veprën e tij mjerimi damkoset si njollë e turpshme në ballin e shoqërisë, të historisë, të shekujve. Në truallin arbëror, sipas Migjenit, nuk ka vend për zana, orë e shtojzavalle, sepse të tjera qenie hedhin vallen e mjerimit e lodronin ironikisht me jetën e tyre (“zgërdhiu, zgërdhiu / deri në kupë të qiellës, ironi e poshtun”).
Te Migjeni mund të përmendim disa arsye të vuajtjes së tij, përveç mjerimit të gjithanshëm social, është anën klinike, shëndetësore, sëmundjen e rëndë që kish e cila, me gjasë, e bëri të ndrydhet në vetvete, të braktisë iluzionet dhe utopitë kolektive, të vërë në diskutim vërtetësinë dhe imoralitetin e predikatërorëve të ndryshëm, nga predikatorët politikë, shekullarë deri te zëdhënësit e vizioneve dhe utopive fetare.
Migjeni flet hapur për sëmundjen e tij i cili shprehet kështu: “Jam i sëmurë, jam shumë i sëmurë; kam pështyrë gjak! Mbajini larg meje fëmijët! Mos më jepni me një enë me të tjerët”[8].
Tuberkulozi përfytyrohet shpesh si sëmundje e varfërisë dhe e vuajtjeve e rrobave të holla, e trupave të hequr, e dhomave të pa ngrohura, e higjienës së keqe, e të ushqyerit të pamjaftueshëm[9].
“Kur Luli hyn n’oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, po askujt asnjë fjalë s’i thotë. Ecën ngadalë, tue shikue djathtas e majtas, por gjithnjë tue ecë, derisa të mrrijë në cak të vet. Aty te dera e rruginës shkollore shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtet e vegjël i shtie ndër xhepa, hundën picrrake të kuqun nga të ftohtit e mëngjesit ia sjell diellit dhe .. shikon. Gjaja që ma tepër ia tërhjek vrejtën janë që ma tepër ia tërhjek vrejtën janë çizmet, që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa të bukura janë! Si shkëlqejnë!-mendon Luli dhe pa dashje i shkojnë syt ndër tollumbat e veta, nëpër të cilat shifet fare mirë të pesë gishtat e kambve të zbathuna. Nga kureshta i afrohet një shoku që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmës kambët e veta të zbathuna-aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t’i ngrofi kambët. Po kur nuk ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë dis hallin apostujt e mëshirës dhe të dashuris”[10].
Migjeni ishte i sëmurë me tuberkuloz, ka raste në të cilat mikrobi i tuberkulozit shumohet që nga fëmijëria e hershme në një terren me predispozicion trashëgimor, kështu as në kushtet më të favorshme pacienti nuk mund t’i shmanget fatit të vet[11].
Mbas shfaqjes së sëmundjes, Migjeni, nuk përkëdhel më fëmijë dhe këtë porosi ua jep edhe në shtëpi, që mos t’i linin të vegjlit fare pranë tij[12].
Migjeni shemb të gjitha kultet fetare, politike e atdhetare, duke i quajtur si shkaktare të mjerimit shqiptar.
Kisha është pikërisht ajo kundër të cilës, Krishti predikoi dhe mësoi dishepujt e tij të luftonin[13].
Prandaj vargjet Migjenit janë të ashpra dhe polemizuese. Migjeni vuan tragjedinë shoqërore të kohës dhe tragjedinë tij personale të shkaktuar nga sëmundja që po i merrte jetën.
Ekzistonte përfytyrimi se tuberkulozi ishte sëmundje e lagësht, sëmundje e qyteteve me lagështirë. Trupi kishte lagështirë përbrenda dhe duhej tharë. Mjekët këshillonin udhëtime në vende të larta e të thata, male, shkretëtirë[14].
Si miti i tuberkulozit ashtu edhe miti i tanishëm i kancerit nisen nga premisa se i sëmuri është i përgjegjshëm për sëmundjen e vet[15].
I sëmuri nga tuberkulozi mund të jetë kriminel ose njeri që nuk i përshtatet dot shoqërisë[16], sëmundja e mushkërive është, metaforikisht, sëmundje e shpirtit[17].
Simptomat e sëmundjes nuk janë tjetër veçse një shfaqje e fshehtë e fuqisë së dashurisë; dhe çdo sëmundje s’është veçse dashuri e shpërfytyruar[18].
Siç mendonin dikur se tuberkulozi vinte nga zjarri i pasionit që pushton të papërmbajturit dhe epshorët[19].
Sipas mitologjisë së tuberkulozit, zakonisht ka një ndjenjë të zjarrtë që shkakton sëmundjen dhe që shprehet nëpërmjet saj[20].
Të sëmurët nga tuberkulozi mund të paraqiten si njerëz me pasione të forta, po karakteristikë e tyre është më fort mungesa e gjallërisë, e forcës jetësore[21].
Si të gjitha metaforat vërtet të goditura, edhe metafora e tuberkulozit ishte aq e gjerë sa të zbatohej në dy raste kundërthënëse. Përdorej për të përshkruar vdekjen e një personi (për shembull, të një fëmije) që ishte tepër “i mirë” për të qenë i lidhur me botën seksuale: pohim i një psikologjie engjëllore.
Po përdorej edhe për të përshkruar ndjenja seksuale-duke lënë mënjanë përgjegjësinë për shthurjen morale që lidhej me një rënie fiziologjike objektive. Ishte edhe një mënyrë për të përshkruar sensualitetin e për të paraqitur kërkesat e pasionit, edhe një mënyrë për të përshkruar ndrydhjen e pasionit e për të ngritur lart kërkesat e sublimimit, meqë sëmundja edhe “mpin mendjen” edhe zgjon ndjenja të larta.
Ajo ishte sidomos një mënyrë për të theksuar nevojën e një vetëdijeje më të lartë dhe psikologjikisht më të ndërlikuar. Shëndeti bëhet diçka e rëndomtë, për të mos thënë vulgare[22].
Migjeni kishte disa arsye objektive të ndihet pesimist, i përjashtuar nga shpresa e arsyeshme për të ardhmen; gjendja shëndetësore është e parë, shoqëria që e rrethonte, realiteti mbytës është një shkak tjetër dhe jo i fundit në radhë…dhe të gjitha këto i krijuan një ndrydhje në vetvete. Braktisi projektet revolucionare-transformuese të kohës, u distancua nga aksionet praktike të grupimeve me karakter e program shoqëror ekonomiko-politik, kthehet tek Niçja; ai krijoj kultin e dhimbjes, kishte mungesë të shpresës dhe kemi dekadendizimin e tij shthurjen për ballë një shoqërie pa sisteme vlerash.
Migjeni e drejtoi vëmendjen edhe te erosi i ndrydhur, te femra, te bukuria njerëzore si vlera të larta dhe të vëna në diskutim mbijetese.
Migjeni rezonon se tabutë që ka krijuar ambienti për dashurinë e jetën erotike, fshehtas krijojnë çoroditjet që prodhojnë ankthet e të rinjve për kontakt. Prandaj lindin fenomenet e incestit dhe të homoseksualitetit. Një temë e ndjeshme, e parë për të parën herë në letërsinë shqipe[23].
Përsa i përket femrës dhe dashurisë tek Migjeni gjejmë më shumë paralele me poezinë e Bodlerit. Poema e mjerimit, një ndër më të realizuarat e krijimtarisë së Migjenit, është një tablo e gjerë e një realiteti therës. Njëri pas tjetrit parakalojnë të: mjerët, fëmijët, lypsat, pijanecët, gratë që shesin veten, gratë që mallkojnë fëmijët e tyre, foshnja që lëngojnë. Mjerimi është shkak i të gjitha lëkundjeve morale shoqërore[24].
Mund të quhet Migjeni “poet i të mjervet” dhe vepra e tij nji “poemë mjerimi” e vazhdueshme e ndërprerë prej hovesh të flakta për me i shtëpue ktij mjerimi fatal. Ndër skutat e qelba të rrugëve, mes poteravet të tymosuna të mejhanavet, mbi shtratet e zhyeme të prostitutavet, ndër burgje, ndër kësolla edhe ma t’errta se burgjet, lohet nji tragjedi (apo nji komedi?) e përherëshme. Njerëzit qi e losin (njerëz a maska?): lavira, rrugaçë, dobiça, hajna, pijanecë, të burgosun, të sëmundë, të çmendun, sillen në nji valle fantasmagorike turpi e uje të pa-fund.
Ky asht skenari qi zbulon syni i Migjenit. Titujt shpjegojnë motivet. Njerzija asht si nji mal, i pandishëm. Dhe i del përpara, ja mbyllë rrugën, ja pret hovin. Aj i kërcënohet me i rá grusht në zemër, me e shkundë…maraz titajsh! Mali heshtë e në heshtje e tallë. Tallja atê e tërbon. E ndërsa ndihet “luâ i ndryem në kafaz”, urrejtja e tij endet kërcnueshëm mbrenda hekurave. Nuk ka me heshtë pra. Dhimbja e tij do të jetë jo e butë, por e egër: “dhimbë krenare”.
“O kangë e dejë e dhimbës krenare,
Mos pusho kurr! Por bashkë me vaje,
si dy binjakë këndoni mjerimin,
se koha do të ju bijë ngushllimin”[25].
Një ndër kritikët më të njohur të kulturës frënge Karl Rosenkranz duke folur për estetikën e së shëmtuarës ndër të tjera shton se relativja ka një aspekt shqetësues, d.m.th dominojnë forcat kaotike që stimulojnë thellësitë e errëta të estetikës duke lindur një dëshirë e pakontrolluar e emocioneve.
E shëmtuara është e hedhur në natyrën negative të së bukurës, është një element specifik i artit modern, e shëmtuara është e pranishme në karakteret individuale.
Kurse Shegel thotë se ka ardhur koha që një ide e të bukurës së qenësishme të mbyllet tek e shëmtuara, tendenca më e pëlqyeshme e artit modern ndërsa Hegeli thotë në të vërtetë nuk ka më shumë vend për të shëmtuarën.
Mjerimit Migjeni i kushton një poemë të terë duke e quajtur kështu “Poema e Mjerimit”.
Mjerimi i Migjenit shpreh shumë dhe jep të gjitha mundësitë e tij të shfaqjes në jetën njerëzore, ai është një spektakël i dhimbshëm, i tmerrshëm që na shfaqet para syve[26].
Ja çfarë prerje i bën Migjeni mjerimit duke e quajtur:
Mjerimi = mjerimi asht një njollë e pashtyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme,
ta shtyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj”[27].
Historia e dhimbshme e “shpirtit të ri”[28] i përket tipit të kritikës e cila synon të mbetet te shenjat e tekstit, por duke i barazuar ato me shenjat e jetës, ose duke provuar që empirinë autoriale ta barazojë me letërsinë e krijimeve të tij.
Migjeni, poeti që pikturon dhembjen është tekst i ideve, njësoj sikur teksti i tij i mëhershëm Historia e dhimbshme e “shpirtit të ri”. Duke qenë tekst i cili dëshiron të bind e jo të përshkruajë, ai është me shumë argumentues retorik i ideve të Migjenit për letërsinë se sa interpretues i teksteve të tij.
Rrjedhimisht edhe statusi i tekstit është i ndryshëm nga tekstet e tjera të Pipës: ai synon që përmes një ligjërate bindëse të argumentojë poetikën migjeniane ose, së paku, idetë e tij letrare.
Migjeni i kalon shkallë-shkallë nga “përshkrimi i portretit të mjerimit me ftyra të zbehta edhe sy t’jeshilta të mjedisit ku jeton mjerimi, “nëpër skajët t’errta” bashkë me qej, mij, mica, mbi pecat e mykta, të qelbta, ta ndyta, të lagta e ku njeriu mundohet që shpetimin nga urija ta gjejë në dashuritë epshore”.
Por nga mjerimi lind vetëm mjerim e që ka në ballë vulën e tij nga e cila nuk ka shpëtim. Femra të Migjeni është edhe hyjni edhe djall ashtu si na del edhe të Bodleri: “O grue, që te desha në dit’n e fatkobit tem”[29]. Kurse te Bodleri e gjejmë të shprehur në këtë mënyrë:
“O virgjëreshë, o djallushka, o mostra, o martirake,
O shpirtra të mëdhenj që realiteti u jep përçmimin e zi,
Kërkoni të pafundmen, herë të devotshme, herë dioniziake,
Herë në ulërima tharë, herë në dënesa në zëna në pusi!”[30].
Grue a hyjneshë[31], është kjo prapë një alternativë e fundit e Migjenit. Kjo është një gjendje shpirtërore që sugjeron fundin. Gruaja është e pambërrijshme dhe dashuria e parealizuar. Migjeni njëlloj si Bodleri ndihet i vetmuar dhe vuan. Migjeni e ndien thellë të huajsimin e gruas nga çdo gjë, bile edhe nga fryti i vet i pafajshëm. Ajo, duke mallkuar frytin e vet, mallkon veten për paaftësinë për të ballë kësaj vuajtjeje. Migjeni, përmes tragjedisë së gruas, akuzon shoqërinë që e ka sjellë në gjendje të tillë. Familja shqiptare nis të rrënohet, prostitucioni merr hov në mjediset ku nuk është parë asnjëherë më parë.
Në këto rrethana, Migjeni nis të trajtojë temën e prostitucionit ku çdo vlerë morale kishte filluar të fshihte kufijtë midis të mirës dhe të keqes, midis të moralshmes dhe të pamoralshmes.
Në veprën e Migjenit gjëjmë konceptin e së shëmtuarës, gjejmë mbeturina të llojeve të ndryshme dhe fenomene të qytetit të madh, pijetore, lypsarë, të pasur, mjeranë, prostituta dhe leckamanë, të gjitha këto elemente i gjejmë edhe në poezinë e Bodlerit[32].
Ai si shumica e ekspresionistëve evropianë, e ndien këtë problem dhe përpiqet ta portretizojë sa më mirë prandaj konstaton se:
“Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive,
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsit,
ku nuk mund t’u prishet qetësia e zotnive,
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis”[33].
Prostitucioni hap mundësinë e një komunikimi mitik me masën. Prostitucioni e shndërron gruan në një prodhim masiv për këtë masë. Për shembull:
“Kush nuk e kujton? Kush nuk e kujton, or shok, atë? Kë? Cilën? Cilën?-Atë! Njërën nga ato! – Po cila asht njena nga ato? Ato janë shum! Cili i ri (ose plak) nuk njef së paku dhetë nga ato?! Pse ato janë shumë. Pse shumë ka meshkuj, shumë ka pare, prandaj duhet në numër relative të kenë dhe trupna që shiten… Pra, kush asht njajo njena nga ato?”[34].
Duke i bërë thyerje e nevojshme romantizmit francez të dalë jashtë kohe, Bodleri u bë nistari i simbolizmit. Është një fakt i ditur që moti se kthesat në letërsi i kanë shënuar emrat e mëdhenj, shprehet, Laura Smaqi[35].
Në poezinë e Bodlerit shenjtërohet shpirti i atij që endet kot pa ndonjë arsye nëpër rrugë.
“Po krenaria ime e lartë sa një mal, e fortë sa një hyjni,
Mund ta dëbonte renë, ngërdheshjen e djajve ta bënte hi”[36].
Edhe Migjeni njëlloj si Bodleri ndodhet disa herë në kufijtë e ekstremit, i vetmuar e krenar, i ndodhur jashtë grupeve e shkollave poetike të kohës së tij. Poezia e tij është një shpërthim vullkanik i ndjenjave sublime, është akuzë tepër e fuqishme kundër realiteteve ekzistuese. Pikërisht kjo ndjeshmëri e ka përcaktuar tematikën, karakterin dhe intensitetin e shprehjes së tij poetike[37].
Klithma “Pak dritë”! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla”[38], kthehet në jehonë, ajo vetëm dëshmon për shpirtin që vuan përfundimisht i vetmuar dhe i pangushëlluar:
“Pak dritë vetëm, të lutem mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë”[39].
Poeti lyp mëshirë? Jo, kërkimi i dritës është mohim i realitetit, tejkalim i epokës, përmbysje e motivuar e pseudovlerave dhe pseudoheronjve të propaganduar të saj. Urrejtja instiktive për realitetin është rrjedhojë e një kapaciteti të stërmunduar vuajtjeje dhe ekzistimi, i cili absolutisht nuk dëshiron më të “preket”, duke ndjerë mjaft thellë çdo kontakt[40].
Të poezia “Vuejtja”, në një trajtë të drejtpërdrejtë të vetrrëfimit, Migjeni përshkruan gjendjen e vet shpirtërore që shfaqet edhe në pamjen e jashtme, duke bashkuar deri në nivelin më tragjik dhembjen fizike me dhembjen shpirtërore:
“Por kot,
në pasqyrë po shof,
se si nga vuejtja syt po më madhohen,
nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen,
dhe shpejt do të bahem,
flamur i vjetruem,
i reckuem,
ndër luftat e jetës”[41].
Ndërsa në vajtimin poetik të vjershës antologjike “Baladë qytetse”, tani ndërhyrja autoriale vetëm se shton intensitetin e dhembjes:
“Dikur, kur gjit’ e saj me kreni,
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë,
atëherë e dashunojshin shum’ zotni,
E sot?”[42].
Poezia e Bodlerit dhe e Migjenit janë në fund të traditës dhe në fillesat e modernitetit, të rregullit dhe të aventurës. Elemente si: gremina, skëterra, përsëriten e janë të dukshme në krijimet e dy poetëve. Gremina, herë shihet si tërësi e vuajtjeve të shpirtit, si zbrazëti që rëndon mbi të, e herë është krimbi i ndarjes brenda mollës së dashurisë, hija e ndarjes që lind para ndarjes.
Ikja prej mitit të malit është ikje prej tribalizmit të vjetër dhe hyjnizimit të një gjendjeje për t’u mbyllur në muze.
Ndarja e malësorit prej malit dhe denoncimi i atij rendi që dijetarët evropianë e rekomandonin në studime të bujshme si shansi i fundmë për të monumentalizuar dhe muzealizuar të shkuarën e pakthyeshme shenjohet në mënyrë paradigmatike dhe programore në “Recitalin e malsorit”, ku mali dhe malësori qëndrojnë në dy anë të kundërta të të njëjtit fill që i bën përjetësisht antagonistë:
“Mali hesht-dhe në heshtje qesh,
E unë vuej-dhe në vuejtje vdes”[43].
Kështu mund të themi se në vetëdijen e paskajshme lindi Recitali i Malësorit migjenian. Ky malësor jemi të gjithë ne, shqiptarët, kaq shumë të vonuar në histori, kaq të sfilitur dhe tragjikë, po edhe komikë, për marrëzitë tona këlthitëse, shpesh të pakonceptueshme[44].
Bota në prozën e tij jepet e ndarë në dy pjesë në atë të fshatit dhe në atë të qytetit.
Tregimet “A don qymyr zotni?”, “Studenti në shtëpi”[45], “Të çelën arkapijat”, “Historia e njenës nga ato”, “Qershijat”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet me thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah krijimtarisë së tij. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie që ai vetë jetonte. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfra.
Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t’i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Personazhi i prozës së Migjenit është mjeran, malësori që i ka harruar hyjnitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetveten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore.
Në “A don qymyr zotni” gruaja malësore që duhet të nxjerrë jetën e vet është jashtë kodit të jetesës tradicionale që lidhet me malin. Ndër të tjera në lidhje me këtë novelë Arshi Pipa një ndër kritikët e parë madhor që i ka thënë horizontin e merituar studimeve për Migjenin shton se:
“Mâ tutje âsht nji malsore e ré, e zbritun në qytet për me shitë qymyr. Asht pisku i vapës dhe qymyri nuk shitet. Afron mbramja, malsorja e ré duhet të këthehet në katund. Si me e shitë qymyrin? Veç në qoftë se shet me qymyrin edhe veten e vet. Pse malsorja e re âsht bukuroshe. Dhe njeriu që i afrohet tash malsores e din këtê, mbasi e ka njoftë-në kuptimin biblik të fjalës-nusen e ré nji herë tjetër. E kështu shitet qymyri e blehet turpi”[46].
Gruaja deri para ardhjes në Migjenit në letërsinë shqipe është trajtuar brenda kodeve të caktuara, brenda atyre kodeve të malit që lidhen me vetë kodet kanunore. Fati i saj paracaktohet brenda Kanunit të Maleve ose edhe paralindjes së saj, me dhënien e fjalës. Për sa kohë ishte në jetë Kanuni i maleve në zonat e veriut të Shqipërisë martesat e të rinjve ishin në duart e kryefamiljarëve. Fëmijët fejoheshin që foshnje, ose që në bark. Madje edhe më herët.
Në këtë rast ajo duhet të betohet përpara dëshmitarëve se do të mbesë virgjëreshë gjithë jetën e saj. Sikur ajo ta shkelë këtë betim shkaktohet gjakderdhje pafund. N.q.s i ati e shet te dikush tjetër, kjo shkakton dy gjaqe-gjak në mes familjes së burrit të saj me ish të fejuarin. Sikur ajo të bëjë ndonjë gjë e të ikë me dikë, atëherë ka gjak të trefishtë, sepse familja e saj futet në gjak me burrin që e ka rrëmbyer.
“Ajo e di kanunin, si dhe sasinë e gjakut që duhet të derdhet”[47].Unë nuk kam dëgjuar asnjë rast që ndonjëri të kundërshtonte, megjithëse takova disa “virgjëresha shqiptare”[48] vajza që ishin betuar për virgjëri për t’i shpëtuar fejesës” – shprehet Edith Durham tek libri i saj “Brenga e Ballkanit”. Sa herë që kam pyetur në malësi përse ishte bërë diçka më thoshin: “Sepse kështu ka urdhëruar Leka”.
Sipas kanunit të Lekë Dukagjinit normat kulturore të cilat zbatoheshin kryesisht në Shqipërinë Veriore, ndalohej fejesa e martesa nëse djali e vajza ishin gjak e gjini deri në katërqind breza.
Më së miri këtë fenomen po e japim të ilustruar sipas neneve që Kanuni zbatonte në lidhje më fejesat dhe martesat e cila bëhej sipas një rregullore që nuk duhet të shkelej nga askush dhe nuk të pyeste njeri për ndjenjat që dy të rinj mund të kishin mes njëri-tjetrit:
Fejesa sipas Kanunit: Përcaktimi i shkuesit: “Shkues thirret njaj, i cili rreket m’u ba fjalë mirë a te prindja e djalit a te prindja e vjazës, qi të marrin a të napin vajzën per at djalë”[49].
Tageri e perlimi i Shkuesit:
- Shkuesi asht ndermjetsi te dhandrri e te nusja (te djali e te vajza), të mos të luejn fjalet as njana as tjetra lagje.
- Shkuesi ka tager ( të drejtë) mbi 50 grosh të shkuesis, per kpucë, të preme prej kanuje.
- Kpucët e shkuesit e kan vaden në ditë që të mirret nusja[50].
Tagri i djalit:
Djali ka tagër me mendue per martesë të vet po s’pat prind.
Djali sa të ketë prind s’ka tager:
- Me mendue per martesë të vet;
- Me shenjue shkuesin
- M’u perzie në fejesë të vet;
- As në shej, as në petka, as në këpucë, e as në të prem fejet[51].
Tagri i vajzës:
Vajza, edhe në mos pastë prind, ajo s’ka tagër me mendue për martesë të vet, tagri në dorë të vëllezërve a të kushërinjve.
Vajza s’ka tager (të drejtë)
- Me zgjedh fatin e vet; do shkojë per atë, per të cilin t’a fejojn;
- M’u perzie në shkusi as në fejesë,
- As në këpucë as në petka[52].
Janë shumë proza të Migjenit që janë interpretuar kryesisht si letërsi sociale dhe denoncime të mjerimit dhe prapambetjes. Malësori është paraqitur si viktimë e një regjimi absolutist. Shembulli më i njohur i kësaj mënyre interpretimi është proza “Legjenda e misrit”.
Migjeni ka shkruar për malësorin e mitizuar, me brekë e këmishë legjendare mbi shtrat, që bjerr cilësitë e bëhet frikacak, servil, përpara një nëpunësi, para kokrrës së misrit. Ky servilizëm i neveritshëm si mënyrë jetese është një shoqëri pa liri, pa ndërgjegje të lirisë. Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëriten servilizmin ritual duke përdhosur kështu vetveten[53].
“Në shekullin e njëzetë s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri. Bjeshkët tona, që dikur qenë lterët e apoteozave perëndish, sot janë lterët e apoteozës së Misrit”[54].
Në “Legjenda e misrit”, Migjeni e përshkroi fshatin malor ashtu siç ishte, të uritur dhe të zhveshur, ku “një kokërr Misri asht nji kokërrz dhimbje, kur ka shumë û e aspak Misër”. Në ato male, me gjithë vuajtjet e rënda, dëshira për jetë nuk është shuar te njerëzit, por jeta nuk ka se si të kuptohet pa bukë. Dhe buka për “ta asht legjendë, sepse misri asht fjala e ditës, asht sinonim i jetës për banorët e legjendarë të këtyne maleve të erga”. Askush tjetër si Migjeni nuk arriti të paraqesë në letërsinë shqipe me kaq ngjyra të sakta figurën e malësorit të uritur dhe të poshtëruar, me atë kraharor vërtet si copë graniti, që “u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy këmbë të drejta e të forta si landa e pyllit”, por që e ka shtypur aq fort uria, sa të bjerrë “cilësinë karakteristike”-burrërinë tradicionale dhe të dridhet për një kokërr misër[55].
Migjeni nuk ka për qëllim në këtë prozë dhe as në skica e tregime të ngjashme as të deheroizojë malësorin, as të provokojë një kryengritje sociale, por të ç’maskojë atë trashëgimi etnologjike, folklorike dhe botëkuptimore që në mënyrë hipokrite ishte stabilizuar në mendimin shqiptar si model qytetërimi.
Karakteri republikan i rendit kanunor, madhështimi i kodit të vjetër si identifikues i njeriut shqiptar, që janë rikthyer edhe sot në vlerësimin e “rendit kalorsiak verior”, për Migjenin janë realitete të rrejshme.
E vetmja prozë e Migjenit ku mund të vërehet një dilemë jo aq zotëruese për raportet e njeriut me kodin, të qëndrojë apo të dalë jashtë tij, është novela “Studenti në shtëpi”. Pikërisht kodi ishte ai që ndau romantizmin me realizmin, dhe ky kod i shumëfishtë: etnografik, folklorik, gjuhësor, kanunor, nën hijen e malit, që kuptohej si kronos dhe topos njëherësh, histori dhe habitat, atdhe dhe trashëgimi, me Migjenin përfundimisht mori goditjen e fundme të një grushti të fuqishëm që poeti ëndërronte ta kishte dhe që pa bujë e me qetësi u bëri të ditur se të gjithë ata që “nip stërnipa done me mbetë” nuk kishin udhë tjetër veçse të ishullzoheshin në një botë të ikur prej kësaj bote.
Migjeni është i pari që bashkoi në letërsinë e tij dëshpërimin planetar të “brezit të humbur”, fuqinë shënjuese të fjalës si në letërsinë simboliste, realizmin social që kishte pushtuar gjithë Europën, kriticizmin e një shekulli që do të kalonte në dy luftëra. Jashtë “shkollës jezuite” dhe “shkollës françeskane”, nëse do t’u referoheshim termave të Koliqit; pranë “Botës së re”, po aq sa dhe pranë “Shkëndijës”, Migjeni do të mbetet një “outsider” i letërsisë shqipe të kohës. Duke folur për mitin dhe rreth tij në veprën e Migjenit hetojmë tre radhë të tillë:
Rrethi i parë: burri, gruaja, qielli, hëna, dielli, kafshët, mali, drunjtë.
Rrethi i dytë: simbolet e krishterimit: kisha, kryqi, prifti, murgesha.
Rrethi i tretë: miti i pasurisë. Ky rreth i fundit është ai që zbulon humbëtirën e ferrit, në të cilin janë katandisur figurat mitike të të dy rrathëve të mëparshëm[56].
Në kohërat e kaluara, kur u lindën këto mite pësimet e njeriut ishin të pashpjegueshme, miti kishte fuqi të madhe, pikërisht për faktin se kërkonte nënshtrim të verbër ndaj tij[57].
Nëse, në kohën kur lindën mitet, varësia e njeriut ndaj tyre ishte e arsyeshme, për shkak se nëpërmjet tyre njeriu tregonte se ka arritur në shkallë më të lartë të civilizimit; teksa në kohën e Migjenit të gjitha tiparet e mitit dekompozohen dhe ngel vetëm raporti i interesit të cilin njeriu e kishte qoftë ndaj diellit, hënës, yjeve, kasolles, misrit, bjeshkës, kalit[58].
“Përditë përndojnë zotat,
dhe rrëshqasin trajtat e tyne,
mbi vjet dhe shekuj,
dhe tash s’po dihet ma kush asht zot e kush njeri”[59].
Migjeni duke e dekompozuar mitin, i cili në fillim i shërbente si tregues i lashtësisë së njeriut, tani, nëpërmjet mitit të malësorit, ai tregon sa është njeriu i vogël[60].
Migjeni na jep të qartë skemën e rënies së malësorit, të atij malësori që deri dje ishte hijerëndë e krenar tani na shfaqet një malësor që lutet për një kokërr misër:
“Si thneglat që mbidhen rreth një kokrrës misri, qashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhun malësorët rreth depos së misrit. Katundeve që përfshin nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet e egra me mjegull e borë, qiella, që tue derdhi shi, të lag deri në palcë, kishin dashtë t’ia presin rrugën malsorit”[61].
Ky shpërfytyrim i njeriu si kryesimbol i të gjitha miteve e shtyn Migjenin që, përmes artit të tij, të rebelohet.
Që në fillim Kadare e cilëson dhe e dallon Migjenin nga të tjerët si një intelektual, që diskutonte për problemet dhe mërzinë e kohës; që në fillim Kadare do të paralajmërojë që Migjeni ishte ndryshe nga të gjithë, ai shqetësohej për problemet e të gjithëve dhe letërsinë e sheh si një lloj mjeti për të dalë nga të gjitha këto probleme që ishin në vend dhe Migjeni nuk kishte një grusht të fortë të malit që s’bë zë në zemër të ia ngjeshë[62]:
“O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët,
n’agoni të përdihet si vigan i vramë”[63].
Kështu Migjeni i brishtë, djalosh i krehur me kujdes, kërcënimi i të cilit do t’i bënte të shqyheshin gazit banorët e maleve, goditi i pari atë që ngjante e paprekshme[64]:
“Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?”[65].
Sfida e Migjenit s’ka të bëjë vetëm me institucionet gjysmëqesharake të regjimit, të cilat s’ishte fort e vështirë të ironizoheshin, sfida shkonte më thellë, kishte të bënte me “malin që s’bëzan”, pra me krejt mendësinë shqiptare, me idealet, kanunet, mitet, komplekset e paragjykimet të shtresuara shekull pas shekulli e të kthyera tashmë në një lëvozhgë të ngurtësuar mbi të cilën mund të thyenin kohën idetë përparimtare dhe të gjitha formulat e reja që mund t’i parashtroheshin këtij vendi prej mendjeve më të emancipuara të tij[66].
“O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh”[67].
Ai goditi tradicionalizmin reaksionar në disa pika të shenjta[68] që njerëzit deri atëherë i përkuleshin dhe i shenjtëronin.
“Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende tona të mjerueme,
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke,
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme,
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!”[69].
Në një pikëprekje tjetër me kodet e modernitetit, në përpjekjen për të përvetësuar në art dramën e individit, poet po kaq i madh i kësaj rryme të re del Migjeni.
Del i veçantë dhe krejt original në, pothuaj, të gjitha elementet e strukturës artistike: në frymëzim, tematikë, në mënyrën e shprehjes së ideve e të mendimeve e të formësimit të ndjenjave, përgjithësisht të gjuhës poetike[70].
Është theksuar tashmë, dhe ngulitur fakti se Migjeni është zë i veçantë i një brezi letrar në Shqipëri të viteve 30 dhe në krejt letërsinë shqipe. Revolta e Migjenit për liri si dhe njeriu portret që jep ai kërkojnë diçka të re, e një botë të re.
“Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Ndër lahuta tona të kënohet Jeta e Re”[71].
Migjeni profetizon ardhjen e epokës së re edhe përmes vuajtjes së individit hero, i cili është i aftë t’i minimizojë deri në mohim vuajtjet dhe torturat e veta shpirtërore dhe fizike.
“Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatit që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?”[72].
Ky hero ngrihet mbi vuajtjet dhe mjerimet e të varfërve e të vetvetes, duke i parë ato si domosdoshmëri për triumfin e Mbinjeriut[73].
Migjeni arriti të flasë hapur brenda caqeve të gjuhës letrare për realitetin e botës seksuale që e rrethonte: për femrën-mashkull, rrokun si dy vetë që mbyten për shijen e “mollës ndalueme” apo për “kafshimet” e “shuplakat” në trupat e lakuriqtë.
Shkrimtari shqiptar arriti të guxojë “heqjen e bragashave”[74], duke e pikëtuar kështu si emancipues dhe kapërcyes të madh, një mendje kureshtare dhe kërkuese, një natyrë depresive pesimiste.
Migjeni i afrohet erotizmit ndonëse në një mënyrë virtuale, meditative, lënguese dhe klithëse.
Njeriun tek Migjeni e gjejmë të thyer moralisht dhe shpirtërisht, ai e jep atë në disa forma e trajta si:
– Lypës[75] që çekuilibrohet mes termave mazokist-sadist. Migjeni ishte viktimë e prirjes së vet dhe gjendjes shoqërore në të cilën ai jetoi.
“Lypsi shtërngoi dhambët për ta ndalë gjuhën e cila ishte gati të kalojë kufinin e njerzis. Shtërëngoi dhe grushtat, e thojt që tash sa kohë nuk i kishte premë, iu ngulën në dhanat e duerve. Përpara vetes nuk shef asgja tjetër, veç objekte mnie. I bjen ndër mend koha kur s’ka pasë nevojë me pylë. Përkundra. Kujtohet si ka ndihmue lypsat që vijshin dite shtune në prakun e dyqanit të tij, kur ishte farkatar…. E sot? Atij pak kush i ndihmon, pse janë shumë lypsa. Kujt t’i epet ma parë? Arsyetonte lypsi së fundi”[76].
– Prostitutë[77] e cila vuan mes erotikës dhe dhunës psikike, të cilën Robert Elsie e cilëson si “karrierë” punën e saj, joshje të sëmurë.
“Lukja kanjëherë merrte pozë serioze dhe u bërtiste: Pse keni ardhë? Nuk asht këtu ai që kërkoni… Studentat hutoheshin, iu merrte fjala në gojë, shikojshin shoqi-shoqin, skuqeshin në ftyrë dhe niseshin të kthehen. Atëhere Lukja plaste gazit, qeshej me gjithë zemër dhe i merrte për dore n’odë të saj. Kanjëherë ziheshej me ta, pse ndonjeni nga ata ia puthte krahun e zhveshun, e kapte ose e ledhatonte për ftyre, ashtu si ka të drejtë të kapi gruen e vet vetëm burri që ka vue kynorë te prifti ose te hoxha, atëherë Lukja i thoshte:
Mos luej, more vagadond! Rri urtë, -dhe ia kërsitte shuplakë fytyrës”[78].
– Trumcak që mishëron edhe dilemën e madhe të vetëvrasjes (vetëdije dhe pavetëdije).
“Dhe trumcaku vuente nga melankonia. U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit e në vend të pemve-brinat e një shtazës parahistorike. Njëherë trumcaku qëndroi mbi një brenë. U mërzit të shikojë qimet e derrit, u mërzit të fluturojë prej brenës mbi brenë. Nga mërzia dhe idhnimi mbylli syt. Pa në pikllim melankolik. E inteligjenca në kuptim m atë hapët të fjalës, pak kuj i solli qetsi dhe të mirë”[79].
– Skifteri dhe pëllumbi-ku metamorfoza kafkiane merr frymë dhe ngjallet, apo edhe përftesën hermaphrodite as mashkull, as femër si puna e kërmillit, ushunjëzës, krimbave të tokës, që mbarsen me vetveten.
“Rrini, mor skyftera! Pse të baheni pëllumba?
Mizat e parajsit në jetën mbrapa vorrit,
kanë me iu mërzitun-dhe mandej prej zorit,
do të pëlcisni… Prandaj: pse të bahemi pëllumba?”[80].
– Bir….zog i dreqit-rrënja e thellë e njeriut me psikologji të tronditur.
“Në pazarin e qytetit tonë, kur duen të lëvdojnë ndoj të ri, i apin atribute të ndryshme, si dhe ngjet gjithkund; ndër ato atribute ma tipike janë: bir… dhe zog dreqit. Ai shegert pazari, i cili ka fatin ta përkëdhelin qashtu, domethanë se asht diçka. Jo se do të bahet milionar, por se asht i zoti t’i kryejë punët e shegertllëkut ma së miri dhe me pëlqim të plotë të zotnis. Një prej kësi shegertave ishte dhe Luli, shegerti i të shoqit t’Ages. Zog dreqit i madh asht! Mos t’ishte ai, kurr zotnia i tij nuk kish arrijë me e përhapë tregtin kaq sa e ka sot. Kështu mendojshin esnafët e pazarit”[81].
Migjeni, ky “fëmijë poet” që shembi çdo kufi moshe në art, krijim, kulturë theu “tabu” duke vërtetuar plotësisht se:
Poet do të thotë të lindësh…të lindësh si i tillë. Ai është hija frodiane e tij në letërsinë shqipe.
“Përditë përndojnë zotat,
dhe rrëshqasin trajtat e tyne”[82].
Qëndresat e Migjenit janë sa të drejtpërdrejta, sublime e shumë të thella. Fizikisht nuk i ikën kurrë botës që refuzon, ai mbyllet hermetikisht në qenien e tij së brendshmi, në mënyrë të padukshme. Ai do të jetë në botën që e rrethon për tu sprovuar në të, si model i ri dhe sfidë e shumëfishtë.
Migjeni ka fjalor jo shumë të pasur, por është i prirur të krijojë fjalë të reja. Më tepër shquhet për emërtimet e drejtpërdrejta, pa perifrazë a metonimi për veprime, dukuri, realitete kundërthënës që do të mishërojë.
Duke shkëputur simbole psikanalitike të pranueshme tashmë dhe në ç’formë i paraqet vepra e Migjenit do të kishim: zjarri-është aventuroz, i shpejtë dhe ekzistues[83].
Migjeni vë shpesh në dukje mendimet dhe trutë e ngatha të njeriut që ai ka dhe bën personazh nga ku kuptohet se si të tilla nuk dinë ta absorbojnë mirë modernen, kohën, nuk ecin me hapat e kohës ose më mirë të themi ato ia thyejnë këmbët vetes duke u munduar ta kapërcejnë atë flakë e zjarrmit të tyre na i përzhiti fytyrat pra ky zjarr nuk ndez, nuk ngjall, por përzhit duke të transformuar në këtë trajtë: “Nga zjarrmi i votrës u shkëput një shkëndi dhe nëpër oxhak, u vërsul në liri”[84], pra jep tradicionalen të simbolizuar me “zjarrin e vatrës” dhe nga ana vjetër siç jemi shprehur më lart ai si civil që ishte me pikëpamjeve të lira dhe kërkonte diçka të re. Kjo e re që është ndrydhur, është shtypur në atë oxhak nga të ndenjurit këmbë-kryq rreth saj, ato të pranishëm me qeleshe i kanë bërë ligjin ndaj dhe ajo shkëndijë e ndezur flakë nga një ligj natyror që nuk ia ngrehin dot kurthin dhe s’mund ta censurojmë kërkon gjëra të mëdha, gjëra shumë të mëdha, vetëm se larg, shumë larg zanafillës së saj mbase duke kërkuar origjinën, atdheu prej nga ku e shkëputi Prometeu si në këto vargje:
“O ti fëmi i ri!
E zjarrta shkëndi!
Pse votrën e le?
Më thuej, pse? Pse?”[85].
Në poezinë “Një natën pa gjumë” në aspektin psikoanalitik Migjeni bëhet vetë shkëndijë. Ai është një zjarr që nuk e tregon tymin (jo lajmërues), ai nuk e tregon flakën (jo sipërfaqësor), ai tregon veten, pra ai është një grusht prush që ndjek dhe do të pushtojë horizontet, shumëdimensional.
“Oh ta kisha pishën të madhe dhe të ndezun,
Me flakën e pishës në qiellin e kësaj nate,
Ta shkruajshe kushtrimin… Ehu Burrë i tretun!
Do ta shihja vallen tande në majë të një shpate”[86].
Kulmimin simbolik Migjeni e arriti me novelën “A do qymyr, zotni”. Tipikja, malësore bukuroshe do të shesë “qymyr” në qytet pra “qymyr” = “zjarr” dhe vihet në pikëpyetje çmimi i qymyrit ku mes çmimit dhe vetë “qymyrit” sikurse mes malësores dhe djaloshit që do të “blejë” lind një ndjenjë e shpejtë, diçka aventuroze.
“Njeriun që sa at qymyr fisnike,
Malësorja siellet. E njef e pyet”[87].
Tjetër simbol është dielli që është forcë e dashurisë, burim ngrohtësie që Migjeni kërkon tek “Trajtat e Mbinjeriut”, më saktë te vetë “Mbinjeriu” që është vetë poeti:
“Një vegim shpirtnuer n’errsin të paskajshme,
në botën e mjerimit,
një rreze e diellit,
më ngrof zemrën e ngrime të kësaj botës së varfshme”[88].
Në qoftë se do të flitet për Migjenin nëpërmjet psikanalizës, mund të evidentojmë dy prirje interpretimi të theksuara tashmë si:
Së pari: Disa nuk i ndahen kurrë fatit të keq të poetit (shëndetit të lig) duke e lidhur ngushtë me veprën[89] ku shohim: “Thelltë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme… unë-djepi juej, ndoshta varri juej”[90].
Kjo nuk bën të dyshojmë faktin se ishte i shoqëruar nga notat e pesimizmit dhe kjo na vjen qartë në këtë shënim. Migjeni nuk ishte aspak pesimist i mundur, i dorëzuar; ai e zotëronte me madhështi fatin dhe fatalitetin e tij të pazakontë dhe kjo vihet re në letrat që këmben me motrat e sidomos me Cvetkën. Në njërën nga letrat ai shprehet: “Edhe si shifet, këtu po më shkon mirë puna, mbasi në 11 ditë kam shtue 1,5 kile, domethanë mjaft mirë”[91]. Flej mirë bile, as me lexue s’po mundem prej gjumit.
Së dyti: Të tjerë studiues i referohen realizmit socialist[92], çka mund të themi se diçka e tillë është e paargumentuar objektivisht deri më sot. Nuk gjendet ndonjë krijim ku vihen re gjurmë të metodës së përmendur, as kufizimet që burojnë prej shabllonëve krijues të saj.
Revolta e Migjenit për liri si dhe njeriu-portret që jep ai kërkojnë diçka të re, e një botë të re[93].
Vihet re se njohja e zbulimi artistik i Migjenit kalon me sukses provat edhe përtej kufijve gjuhësorë të shqipes. Migjeni nuk pranon “Tabu”-“Tema” dhe “Tabu” + “Farma”. Ai nuk kërkonte formula në të shkruar, thjesht kërkonte transformime artistike[94].
“Përditë shoh qartë e ma qartë
Dhe vuej thellë e ma thellë”[95].
Bukën tonë të përditshme falna sot flet dhe di të kërkojë vetëm bukë, ai mohon gjithçka tjetër, s’do t’ia dijë as për uratën që do t’ia mësojë e ëma dhe as për përrallat nuk ngjall interes. Libidoja zëvendëson një seksualitet të ndarë në shumë degë, në një njësi dinamike, në mungesë të së cilës këta përbërës me domethënie të njëanshme nuk janë gjë tjetër vetëm se veprimtari të mundshme[96].
Migjeni vë shpesh në dukje mendimet dhe trutë e ngathta të njeriut që ai ka dhe bën personazh nga ku kuptohet se si të tilla nuk dinë të absorbojnë mirë modernen, kohën, nuk ecin me hapat e kohës ose më mirë të themi ato ia thyejnë këmbët e vetes duke u mundur ta kapërcejnë atë, “flakë e zjarrmit të tyre na i përzhiti fytyrat”[97].
Në veprën e Migjenit gjejmë një realitet që ai vetë e ka ndërtuar, shumë gjëra tek vepra e tij lidhen edhe me ëndrrën. Ëndrrën migjeniane e censuron shoqëria, kanuni, bota shqiptare e viteve 1930. Ajo është një ëndërr e trishtuar me sy hapur që tek Migjeni vret çdo ekstazë.
Gjithmonë i revoltuar dhe kudo mundohet të hedhë poshtë të gjitha kultet, duke shënuar, kështu kultet fetare, politike, atdhetare qofte edhe morale. Kështu duhet të kemi parasysh raste të tilla ku kulmin fetar më së miri e shemb në poezinë “Kanga skandaloze”:
“O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shejtënt,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
dhe ua zbulon veten”[98].
Edhe kultet politike di ai si ti shembë me një ironi therëse, por pa bërë pluhur dhe kjo jepet në vargjet si më poshtë:
“Politikë-Jo! Se politika s’ka një themel të shëndoshë, s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka kllef. Madje, s’ka as moral. Politika asht një kaleleon, i cili-dihet-simbas vendit ku gjendet, merr dhe ngjyrën. Të mendojmë se kaleleoni gjendet mbi një shkrep, dhe, natyrisht, merr ngjyrën e shkrepit”[99].
Nga ana tjetër Migjeni te “Zeneli” arrin të shembë kultin atdhetar të cilit i fshihet dhe i trembet aq shumë tek poezia “Kangë me vete”:
“Mjaft ma, zoti mësues, mjaft, mjaft na mësuet si duhet me jetue, ç’ka asht mirë e bukur mjaft na mësuet, megjithatë, na po rrojmë si rrojtën stërgjyshnit tonë, po n;ato gëzime e po n’ato mjerime, të lanum e të tretun ndër kët bjeshkë”[100].
Arti është një nga shfaqjet e ndërgjegjes shoqërore. Në art, ligjet dhe psikologjia e luftës së klasave shfaqen po aq sa edhe fushat e tjera të ndërgjegjes shoqërore. Arti përherë është mbartësi i ideve dhe pasqyrë e jetës së kësaj ose asaj klase shoqërore[101].
Migjeni në letërsinë shqipe shquhet si individualitet krijues, për origjinalitet të spikatur. Këngët e pakënduara shprehet ai, por sot këto këngë po i këndojnë të gjithë, ndërsa këngët e pakëndueme të poetit janë të lexueshme sot si tekste emocionues, aktuale, domethënëse:
“Thelltë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme,
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme,
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori”[102].
Migjeni sfidoi kohën si mentalitet dhe kohën si qeverisëse, por edhe atë që e copëtonte çdo ditë që ishte sëmundja e tij, ku ndër të tjera në një letër që i shkruan Andrea Stefit ai shton: “Nuk jam fatkeq. Fatkeq janë vetëm ata që munden. Unë jam mësuar me vuajtjen, lodhjen, por kurrë nuk jam mundur. Andre, dy armiq konkurrojnë me m’i afrue qefinat e vdekjes, Qeveria e TBC-ja, por në thellësinë teme unë këto s’i shof”[103].
Një çështje e pashterur ende mjaftueshëm në interpretimet tona teoriko-letrare për Migjenin është raporti mes vetëdijes dhe të pavetëdijshmes; e vetëdijshmja dhe e pavetëdijshmja në një simbiozë enigmatike, sidomos në autorë të mëdhenj, spontanë dhe novatorë.
Migjeni di të dalë prej ligjësive dhe rregullit të imponuar, di të dalë jashtë ligjit të padrejtë. Ai jep një goditje refuzuese shekullit të kaluar, duke kërkuar një rend të ri shoqëror, një moral të ri, një të ardhme të mirë me këngën e shekullit të ri. Më të dendur kuptimisht këtë e gjejmë të shprehur te poezia “Të birtë e shekullit të ri”.
Migjeni i hap perspektivë letërsisë shqipe duke e vitalizuar atë në disa aspekte; ajo, letërsia jonë, pati mbetur e mbërthyer në patetikë, në mitologji, në modele kolektive të përfytyrimit, të rrëfimit dhe të arsyetimit mbi fenomenet, ngjarjet, personat e veçantë; kish mbetur në lavdinë e “motit të madh”.
Evokimi i epokës së Gjergj Kastriotit u kthye në traditë e përditësuar ritualistike dhe kishte të ngjarë të bëhej një gjedhe letërsie, gjithsesi me pasoja penguese, dëmtuese.
Në mendimin shqiptar, Konica ishte ndër të parët që provoi të sjellë në vëmendjen e bashkëkohësve nevojën e ndërgjegjes kritike. Fishta arrti ta shpërngulë dhe ta sjellë të paktën tre shekuj më afër kohës letërsinë shqipe, duke hyjnizuar epopenë shqiptare të kohës së Lidhjes së Prizrenit.
Migjeni hyri në botën letrare shqiptare që letërsia e vendit të shihej sy ndër sy me kohën si tërësi kontradiktore dhe fushë ballafaqimesh ekzistenciale, shpesh me dukje groteske, por përherë me pasoja tragjike. Ai provoi me sukses të krijonte vlera poetike jo prej lavdisë, po prej rënies. Migjeni nuk maskoi, por demaskoi.
I cilësuar si një poet “outside”[104], Migjeni, ndonëse çdo përcaktim terminologjik për karakterin e letërsisë së tij do të kishte një kufizim, arriti një shkallë të lartë të realizmit ekspresionist. Ai krijoi art të bukur prej një realiteti të shëmtuar, prej një përditshmërie banale.
Lëngata e Dostojevskit, pesimizmi intelektual i Niçës, pikëllimi botëror i Shopenhaurit, “Lulja e së keqes” e Bodlerit, trishtimi për fundin e vlerave njerëzore, i shkrimtarëve të “brezit të humbur” kuptimi i kotësisë së jetës dhe i robërisë së kësaj bote, janë elementë të çmuar të teksturës poetike të Migjenit, ku bashkohen erëra të mendimit dhe të përjetimit bashkëkohor europian.
“Por si tha Shopenhaueri gëzimi asht vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë. S’paku, për hatër të njeriut nervoz mos t’u krijonte miza. Se sa e sa miza tjera ka jeta e njeriut! Edhe çfarë mizash! Si ato të kalit, të cilat, kur të ngjiten, s’të hiqen pa paravesh (ma mirë me thanë mbrapavesh). Miza si mizë, përzihet në punët e hueja dhe don ta bajë të vetën”. Njerzit që marrin rroga për miza ku janë? Deputetët çka bajnë? Mizat u banë stolia e vetme e qyteteve tona!”[105].
Në një nga krijimet e tij të arrira Migjenit bën pyetjen: “Ku janë zanat? Muzet ku janë?”. Ai e kishte titulluar këtë skicë, ku poeti dhe lexuesi pyesnin së bashku, me emrin “I fundmi Skanderbe”. Është ndoshta i vetmi krijim ku Migjeni i bie në mend “moti i madh” dhe lavdia e qëndresës shqiptare në periudhën e Skënderbeut. Shekulli i zanave, i shtojzovalleve, i mitologjizimit të historisë dhe të malësorit shqiptar, ishte mbyllur.
Koha e epopesë ishte “e kryer”. “Zanat dhe muzet” nuk ishin më. Migjeni nuk kërkon ndihmë nga muzat, siç ndodh rëndon me romantikët, sepse ato nuk janë më një “faction” besimi dhe arti, por thjesht një “fiction”.
Migjeni e shmangu letërsinë shqipe nga epopetë folklorike dhe nga modelet e trashëguara prej romantikëve të rilindjes kombëtare. Ajo kishte lindur bashkë me këto forma madhore të rrëfimit, por nuk mund të mbijetonte bashkë me to në rrjedhë të kohës moderne. Poema të mëdha epike shkruan De Rada e Gavril Dara, Naim Frashëri, Zef Skiori e Gjergj Fishta, por sa rrëfenin realisht ato poema për bashkëkohësinë, për njeriun e shekullit XX, për jetën individuale përgjithësisht?!.
Studiuesit janë të mendimit se shthurja e romantizmit dhe tërheqja e vonuar e epopesë kronologjikisht i morën shumë kohë letërsisë shqipe. Hyjnizimi i historisë, të jetuarit me të shkuarën, mitizimi i njeriut shqiptar nxiteshin edhe nga ekzaltimi i studiuesve të huaj, të cilat, të trembur prej shpejtësisë së zhvillimeve në Perëndimin, mendonin se Shqipëria ishte “kështjella e fundit e virtytit në Evropë” ky “muze i gjallë i vlerave njerëzore”, ky “rezervat i së shkruarës kalorësiake”, ishte tërheqës për qytetërimin e periudhës industriale, që përjetonte me ankth rrezikun e “kohëve moderne”[106].
Në përmbyllje të mesjetës, kur njeriu u bë i zoti të prodhojë atë “teshë të vogël” që më vonë u quajt “armë e luftës në distancë”, kreshnikët e eposit shqiptar u tërhoqën në zgafellë, në thellësitë e një bote që i kishte ardhur koha të mbyllej. Kështu thotë rapsodi shqiptar, nëse e pyet siç pyeste Migjeni, se ku janë kreshnikët, ku janë zanat e shtojzovallet, ku janë heronjtë me fuqi mitologjike, që vriten e ringjallen. Koha e re nuk i nxë më ata[107].
Ky është ngujimi i parë i epopesë. Në fakt, kjo tërheqje i takon epopesë gojore. Ajo u tërhoq pikërisht në kohën kur mendimin njerëzor kishte filluar ta sundonte humanizmi i Rilindjes Evropiane.
Epopeja sundoi kulturën shqiptare jo vetëm në formën e saj gojore, si rrëfim legjendar për një botë për të cilën “kështu m’kam thanë, atje s’kam kanë”, por edhe si formë e realizimit të letërsisë kombëtare.
Migjeni është ndër poetët me ndjeshmërinë më të thellë për fatin e njeriut në jetë dhe për pozitën e tij në shoqëri, si dhe të shoqërisë në përgjithësi. Poezia e tij është një shpërthim vullkanik i ndjenjave sublime, është akuzë tepër e fuqishme kundër realiteteve ekzistuese.
Me shpirtin kryengritës, herë-herë të rebeluar, i ndodhur disa herë në kufijtë e ekstremit, i vetmuar, e krenar, i ndodhur jashtë grupeve e shkollave poetike të kohës së tij, Migjeni krijon poezinë e pasioneve të trajtave të ngjeshura, të mbushur me vuajtje të brendshme, me theksime të fuqishme dramatike.
Poezia e tij është luftë kundër çdo gjëje që robëron shpirtin dhe mendjen, që sjell kaosin, mjerimin, që ndjell fundin; për pasojë, poezia e tij organikisht çmitizon idhujt pa krena dhe mitet e një botë të shkuar.
Pyetjes së përgjithshme që shtron Migjeni: “Vallë a ka shpëtim ndokun”?!, i përgjigjet në mënyrë mjaft të qartë: shpëtimi është përpjekja për krijimin e realiteteve të reja, ku nuk do të kishte mjerim social, është lufta kundër dogmave e konvencave që robërojnë mendjen dhe shpirtin e njeriut. Migjeni, si dhe intelektualë të tjerë të kohës, i shpallte luftë “teneqeve të vjetra të mendimit” dhe angazhohej për një jetë të re mendore, për ngadhënjim ndërgjegjeje, angazhohej për një besim të ri:
“Liri!-Po, liri dhe gaforrja gëzon,
Por, gaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
Jo, liri nuk asht!”[108].
Njerëzit që u besojnë “idhujve pa krena”, që kanë “shpirt të kryqzuem” dhe “vullnete të ndrydhuna”, nuk janë të lirë. Ata edhe sikur t’i gëzonin liritë sociale e politike, përsëri nuk janë të lirë, nuk janë zot të vetvetes, për arsyen e thjeshtë se kanë shpirt të robëruar. Migjeni, prandaj, u sugjeron subjekteve të poezisë së tij të “shkundin prangat e mbrapshta” të psikologjisë së të nënshtruarit.
Migjeni e çliron poezinë nga forma tradicionale, Migjeni i prozës së shkurtër është avangardisti i parë i vërtetë i letërsisë shqipe[109].
Prandaj koncepti i Elsies, sipas të cilit Migjeni është “rruga e modernitetit”, sepse “Ka qenë pikërisht Migjeni ai që ka ndërprerë vijimësinë e letërsisë së Rilindjes Kombëtare”, do të mund të qëndronte vetëm nëse studiuesi do të dallonte dy faza të avangardizmit në historinë e letërsisë shqipe: fazën klasike (apo historike) simboliste që shënon shkëputjen nga romantizmi (por jo përfundimisht), si dhe fazën e dytë moderne (ku mendojmë se bën pjesë dhe Migjeni), që karakterizohet nga shkëputja prej rrymave në kapërcyell të romantizmit.
Temat e Migjenit janë më ndryshe nga ato të letërsisë shqipe të kohës së tij. Gjithë temat së bashku lidhen në një bosht: individi përballë mitit/retorikës së etikës sociale[110].
Në ekspresionizmin e tij, Migjeni vetëm sa arrin të kërkojë që shoqëria të zbulohet, të heqë maskat, të dalë nga miti. Zbulimi është hapi i parë drejt transformimit.
Fuqia e mitit për të strukturuar analiza, për të përfshirë disa ide dhe përjashtuar disa të tjera, për të legjitimuar disa gjëra dhe për të bërë të papranueshme disa të tjera, për të përcaktuar se si ne duhet të kuptojmë interesat tona nuk mund të nënvlerësohet[111].
Vendi ishte i përshkruar nga male të shumta, të cilat e copëtonin atë në krahina e zona që në shumicën e rasteve nuk kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Shqipëria e Veriut mbizotërohej nga male të lartë pothuaj të pakalueshëm[112].
Çdo lexim i ri i veprës së Migjenit na ofron rrafshe të reja kuptimore, nënshtresa të pazbuluara të vlerave ideore të botës së cilës i referohen personazhet e tij, që janë të ndërlidhura sa me kohën e vet, aq edhe me perioda të mëvonshme historike dhe kulturore[113].
“Neve nuk na duhen kryevepra-thotë Migjeni-na duhen shkrimtarë që dijnë me pasqyrua realitetin, që jetojnë, që e shohin jetën pa perde, pa temijanë, pa frikë”[114].
Migjeni e ndien thellë tëhuajësimin e gruas nga çdo gjë bile edhe nga fryti i vet i pafajshëm. Ato, duke mallkuar frytin e vet, mallkon veten për paaftësinë për t’i bërë ballë asaj vuajtjeje. Migjeni, përmes tragjedisë së gruas, akuzon shoqërinë që e ka sjellë në gjendje të tillë. Ndryshimet shoqërore sollën si rrjedhojë edhe ndërrimin e kodit moral të mjedisit[115].
Varfëria do ta zhvlerësojë këtë kod deri në masën që karakteristikat dalluese të etnopsikologjisë shqiptare ta ndërrojnë fytyrën e vet. Familja shqiptare nis të rrënohet, prostitucioni merr hov në mjediset ku nuk është parë asnjëherë më parë.
Lufta për ekzistencë po e shkelte moralin e pastër familjar. Në kushtet normale, një veprim i tillë do të duhej vlerësuar në kuadrin e skrupujve që buronin nga ligjet e njohura, të cilat organizonin me shekuj jetën shoqërore të mjedisit shqiptar. Në rrethana të tilla, Migjeni do ta trajtojë problemin e prostitucionit. Në këto rrethana çdo vlerë morale nga e kaluara kishte nisur të lëkundej e të shembej, në të vërtetë, kishte filluar të fshiheshin kufijtë midis të mirës dhe të keqes, midis të moralshmes dhe të pamoralshmes[116].
Të katandisurit e Migjenit janë të rrethuar qoftë më “Ditë të kristaltë dimni, ku fryen veriu e acarimi kish ngri vesën, Lukja zbriti në qytet”[117], qoftë me diell që është “aq marrisht i nxehtë dhe aq egër të lëmon, saqë të rrahin tamthat, si të rrahunat e farkatarit mbi hekurin e kuqun”[118]. Ata, nga lart janë të vrojtuar nga “hana e zbehtë, si ftyra e një të vdekuni, kundron nga kupa e qiellës”[119], qoftë nga “nga hyjt e vramë që një ngjarje të trishtueme panë”[120].
Në këtë kontekst, Migjeni me të drejtë konstaton se “Andërrat çirren si këmisha e bame nga penjat e merimangës dhe mbetet vetëm lakurriqësia banale e jetës reale. Prandaj mos provoni t’i realizoni andrrat; t’i leni të jenë vetëm andrrime dhe kënaquni (nëse kënaqeni me andrra). Përndryshe, do dëshproheni, si çifti i kësaj historie të shkurtën dhe pa data të dokumentueme”[121].
Migjeni e çliroi letërsinë nga kanunet klasike të ngurtësuara, nga elementet arkaike dhe i hapi rrugën estetikës “vargut të lirë” që i jepte mundësinë për më shumë frymëmarrje e hapësirë, për të përcjellë më mirë mesazhin e veprës së tij.
Synimi për të shprehur me ekspresivitet artistik nyjet e fshehta e të ndërlikuara të jetës njerëzore, e nxiti të përdorë një tipologji figurative të pasur me grotesk, metafora, hiperbola, parabola etj.
Në një mënyrë të re (duke sjellë një material të freskët) e përdor Migjeni edhe figuracionin mitologjik tradicional, të cilin ia nënshtron lëndës konkrete jetësore.
Ai e zgjeronte ngarkesën semantike të figuracionit mitologjik pa e zhveshur nga universaliteti i tij, pa e barazuar me domethënien e përveçme të fakteve të realitetit bashkëkohor. Në frymën e realizmit Migjeni nuk e vë figuracionin mitologjik të punojë për një paraqitje natyraliste, por për të rritur dendësinë e informacionit e të mesazheve artistike, të përgjithësimeve dhe të forcës emocionalo-ekspersive.
Duke sjellë në letërsi një përmbajtje të pasur filozofike, ai përdori forma dhe zhanre të reja, siç ishin novelëzat e vogla, kuptimi themelor estetik i të cilave nuk qëndronte në fabulën dhe subjektin anekdotik rrëfyes, por kryesisht në meditimet e thella filozofike dhe në një ngarkesë të veçantë ironiko-satirike.
Mjetet e reja të ekspresivitetit artistik që përdori Migjeni dhe ideali demokratik humanitar që e frymëzonte e integrojnë në thesaret e letërsisë botërore moderne të shekullit XX.
“Ke Migjeni, hovi i ndjenjës krijon nji varg fare të ri, në vend qit e merret me vargënimin e vjetër”[122].
Migjeni dhe shkrimtarë të tjerë të kohës i parashtruan botës shqiptare një vizion të ri: sensin vetëkritik.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri.
Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik.
Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato te Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen në emër të së ardhmes, të cilën kërkon t’ia rrëmbejë me forcë kohës.
Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një poeti, që shpërthen me një protestë nga me të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës. Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar, i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar, Migjeni është novator.
Ai vështroi thellësisht në shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar rreptë, në emër të një të ardhmeje më të mirë, pavarësisht se ajo na shfaqet e turbullt e simbolike.
Migjeni në prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë të parë në prozë shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumëllojshmërinë problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhe pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e me shumë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqerore.
Në krijimtarinë e tij, për herë të parë përftohen figura dhe portrete të plota e shumë të fuqishme të malësorit, punëtorit, gruas shqiptare e cila ishte viktime e një shfrytëzimi të dyfishtë.
Deri më sot nuk i është kushtuar asnjë studim i posaçëm vjershës Shkëndija të Migjenit, ashtu si një vargu të gjatë krijimesh të tjera të tij.
Shkëndija vlerësohet në kuadër të ciklit Kangët e Ringjalljes si thirrje drejtuar kombit për t’u zgjuar dhe për të “flakur tej prangat” e tij[123], si shprehëse e tendencës drejt një triumfi, drejt një bote të re dhe një perspektive të ndritur, duke qenë shkëndija ndërkaq vetë poeti, i cili, bashkë me disa pak të tjerë, po shndriste te ‘qiella arbnore’ dhe që populli e vështronte i lumtur[124].
Elementi bazë i analizës së krahasuar të miteve është, siç dihet, individualizimi i njësive invariante që përcaktojnë në marrëdhëniet e tyre strukturore skenarin apo modelin mitik të pandërprerë, domethënë atë që siguron transmetimin e identitetit të mitit dhe të rezistencës së tij përmes vijimësisë historike të varianteve të vet të ndryshëm.
Mund të shtrohet pyetja: Si është e mundur të flitet jo për një përdorim të rëndomtë, aq më pak parodizues, por të sublimuar të parateksteve mitiko-biblik në rastin e Migjenit?.
Migjeni çliron letërsinë shqipe nga tradita nacional-romantike, që ka sunduar për një kohë të gjatë në literaturën shqiptare. Poetët bashkëkohorë në Shqipëri, shohin tek Migjeni karakterin e fortë social e etik, jo si art për art, por si një armë të fortë për të goditur padrejtësinë dhe shtypjen.
Në përcaktimin e Elsie ndihet qartë trysnia e konceptit të kritikës aktuale shqiptare, që e ka “shndërruar” Migjenin si një poet social. Kjo ka sjellë moszbulimin e kapaciteve të tjera letrare, stilistike, gjuhësore, estetike, si talentin të poetin për të kapur fenomenet e kohës së tij. Me një fjalë Migjeni është një fenomen letrar shumë më kompleks. Revolta sociale e Migjenit, është vetëm një element i krijimtarisë së tij.
Migjeni, në të kundërt ishte admirues i bukurisë femërore, element që dukshëm ndikoi në krijimtarinë e tij.
Ishte i pari poet që realizoi portrete të plota e të fuqishme të malësorit të uritur, të punëtorit të nëpërkëmbur, të gruas që për të jetuar bën prostitutën, të fëmijëve që shuhen nga jeta prej sëmundjeve dhe mizerjes.
Nëse deri më tani në letërsi kishim një leksik që i përkiste vetëm mitit, me shprehje të tilla si: zanë, orë, miti i malit, kodi, letërsinë e Migjenit e përbën një leksik jo më mitik, por leksik që e hasim në letërsitë qytetare.
Leksiku qytetar i veprës së Migjenit përbëhet nga terma që njoftojnë ardhjen e një letërsisë qytetare dhe ikjen prej mitit të malit, pra te Migjeni nuk kemi më mit mali me malin si hyjni dhe të shenjtë, nuk kemi më as orë e zana, por letërsi qyteti, aty ku miti nuk ekziston si: “Vargjet e Lira”, “Kangët e Mjerimit” (Kanga e të burgosunit, Kanga e dhimbës krenare, Kanga skandaloze) “Kangët e Përndimit”, “Kangët në vete”, “Kangët e Rinis”, “Kangët e fundit” (Kanga që s’kuptohet), zgjimi, shkëndija, blasfemi, trajtat e mbinjeriut, rezignata, fragment, motivet, dy byzë, Z. B, ndeshja, një natë, lutje, vuejtja, vetmia, qershiat, idhujt pa krena, legjenda e misrit, bukuria që vret, pak poezi, perëndi, kohë e re, epope, zjarrmi i votrës, nyjet e dashnis, rini, reliket e mia, mjerim, dashni epshore, fëmijët e padijes, murgeshë e zbehtë, mëshira e pamëshirëve, shqiponjë me krah të thyem, shpirt i therun, shpirt i molisun, vetmia, idhuj pa krena, kokërr misri, male të egra, bukuri që vret, perçe, tre napolona, Lukja, malësorja (A don qymyr zotni), Nushi e Agia (Studenti në shtëpi), Bakalli (Të çelën arkapijat), Kola (Bukën tonë të përditshme falna sot), Luli, tollumbat, apostuj të mëshirës dhe dashnis, lypsi, Zoti të dhashtë, (Qershiat), urimi “I shkoftë lypa mbarë”, idhuj pa krena, bukuria që vret, miza, qytet i Evropës së Mesme, Nushi, Agia, Babai, shegreti, bir… a zog dreqi, nder, kurvë, prostitutë, grua publike, grua problematike, napolonat, frangat, qytet, malësi, jetë e mbrapshtë, votër, shtëpi publike, ëndrrat, turmë, lëmoshë, vagabond.
[1] Klara Kodra, “Migjeni dhe letërsia moderne shqipe”, në: “Seminari XX/2”, Prishtinë 2011, f. 173.
[2] Moikom Zeqo, “Migjeni ose uragan i ndërprerë”, Vepra, parathënia, Naim Frashëri, Tiranë 1989, f. 22-23. Ai i ka hyrë rrugës së letërsisë, por arti që do të bëjë ai është ndryshe nga të tjerët. Ndryshe për çdo gjë dhe në çdo gjë. Në zgjedhjen e motiveve, në shtjellimin e tyre, në mesazhin filozofik që kumtojnë, në stilin, teknikën e të shkruarit, gjuhën. Ai ndahet kështu vetvetiu nga një grumbull i madh shkrimtarësh të kohës me një prerje prej humnere. Ndarja e tij s’ka asnjë shtysë abuzive, etje për t’u dukur, dalldi sallonesh letrare, kënaqësi sfiduese, revansh, larje llogarish personale. Ndarja e tij është në logjikën e gjërave, është në themel të artit të tij, në gjithë strukturën dhe në çdo qelizë të këtij arti. Letërsia e tij kështu ka lindur si një gjë e veçantë, një gjë tjetërlloj. Por, ndonëse e tillë e ndarë e veçantë, e tjetërllojshme është pjesa integrale e letërsisë shekullore shqipe. Madje, pjesë thelbësore e saj, sipas ligjit, që në pamje të parë mund të duket paradoksale, por që s’është aspak ashtu, sipas ligjit, pra, që fondi i artë i letërsisë së një populli përbëhet pikërisht nga vepra autorësh që hapin rrugë të reja, rrugë të parrahura më parë shkurt, që janë “tjetërlloj”. Në valixhen e studentit ka sjellë me vete ca vjersha, ca fragmente poemash e prozash, që s’ia ka treguar ende askujt. Letërsia klasike shqipe kjo strukturë hijerëndë epike, i duket prapë e largët. Por jo më pak të largët i ngjajnë shumica e shkrimtarëve të kohës, veprat e të cilëve mendimet, polemikat, grindjet e platformat po i përpin me ngut i etur për t’u futur sa më shpjet në klimën letrare të kohës.
Shih më gjerë: Moikom Zeqo, “Migjeni ose uragan i ndërprerë”, Vepra, parathënia, Naim Frashëri, Tiranë 1989, f. 59-60. Nga dy novatorët e tjerë të mëdhenj, Noli e Poradeci vetëm ky i fundit botohej e adhurohej, sepse tjetri qe i ndaluar. Nuk mund të parashikohej se ç’do t’i ndodhte Migjenit, po të arrinte ta botonte veprën e tij. Kishte mundësi që ndërsa me “Vargjet e lira” t’i lante hesapet shteti, “Novelat e qytetit të Veriut” mund t’u lihej si pre mediokërve, të cilët, më mirë se shteti ndoshta, më pamëshirshëm e më pa shpresë, do ta varrosnin. Migjeni ishte novator dhe si i tillë do të kishte fatin e një novatori. Të tre ata ishin novatorë sipas një mënyre të vetën, sepse një mënyrë të vet vendosi një raport midis tij dhe kohës, midis artit të tij dhe artit shqiptar.
[4] Ali Xhiku, “Letërsia shqipe si polifoni”, Dituria, Tiranë 2004, f. 255. Është e vërtetë që poezia e tij ruajti tipare romantike dhe përftoi ca më shumë akoma, pamje postromantike, por ato nuk kishin të bënin më me kurrfarë fryme nacionaliste. Ndërkaq, proza që la, veçanërisht proza rrëfimtare, vetëm romantike nuk mund të quhej; nga të gjitha pikëpamjet përmbajtësore e formale, ajo e “mohonte” romantizmin dhe, siç është vënë në dukje me kohë, rridhte vrullshëm në ujërat e realizmit shoqërisht të angazhuar.
[5] Alfred Uçi, “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi”, Vatra, Shkup 2003, f. 118.
Shih: Dhimitër Shuteriqi, “Migjeni”, në: “Migjeni-Kritika 4”, Rilindja, Prishtinë 1977. Shih: Emin Kabashi, “Autorë dhe vepra që janë shenja moderne të letërsisë shqipe”, në: “Seminari XX/2”, Prishtinë 2001.
[6] Dhurata Shehri, “Migjeni: e shkuara si e ardhme”, në: “Statusi i kritikës”, Albas, Tiranë, 2013, f. 85.
[7] Arben Prendi, “Migjeni-shkrimtar i letërsisë moderne”, në: “Tekste në kontekste”, Naimi, Tiranë 2011, f. 27.
Shih: Mark Gurakuqi, “Disa probleme e veçori të artit të Migjenit”, në: “Migjeni-Kritika 4”, Rilindja, Prishtinë 1977. Shih: Hysen Matoshi, “Migjeni dhe avangarda”, në: “Stilet në letërsinë shqipe ndërmjet dy luftërave botërore”, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2008.
Vehbi Bala, “Portret-monografi-Migjeni”, Rilindja, Prishtinë 1977, f. 50. Shih: “Migjeni ose uragani i ndërprerë”, parathënie nga Moikom Zeqo, Naim Frashëri, Tiranë 1989, f. 18. Si çdo krijues i madh, ngaqë ndien peshën e tij, ai ndien njëkohësisht peshën e rrezikut. Një botë e tërë mund të ngrihet kundër artit të tij. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai e ndien gjithashtu, se me këtë botë kundërshtare do të komplotojë një pjesë e atij vetë: sëmundja e ftizisë, fatalitet i kohës, që jep herë pas here shenjat e saj të para. Ndjesia e një afati, e një afati brenda të cilit duhej të kryhej vepra e tij, apo perde funebre që do të nxijë herë më pranë e herë më larg në horizont të jetës së tij, i jep një ngutje dramatike gjithçkaje. Turbull, ai i ndien e i parandien të gjitha këto, ndaj dhe në vjershën e famshme “Këngët e pakëndueme” shkruan për veprat e tij: “Unë djep i juej e ndoshta varri i juej”.
[9] Susan Sontag, “Semundja si metaforë, sida dhe metaforat e saj”, Korbi, Tiranë 1999, f. 22.
* Sëmundja është ana e errët e jetës, qytetaria më e rëndë e saj. Të gjitha ata që kanë lindur kanë qytetari të dyfishtë-atë të mbretërisë së të shëndoshëve dhe atë të mbretërisë së të sëmurëve. Dy sëmundje kanë qenë, në mënyrë dramatike njësoj të ngjashme, të ngarkuara me barrën e metaforës: tuberkulozi dhe kanceri. Për tuberkulozin mendohet se është sëmundje e një organi të vetëm, e mushkërive, kurse kanceri është sëmundje që mund të shfaqet në çfarëdo organi dhe të shtrihet në të gjithë trupin. Mendohet se tuberkulozi është sëmundje e kontrasteve të thella zbehje e skuqje, gjallëri e plogështi. Shenjë e zhvillimit spazmodik të sëmundjes është kola, që mendohet të jetë simptoma më tipike e tuberkulozit. I sëmuri dërrmohet nga të kolliturit, pastaj qetësohet, ngrohet me frymë dhe merr frymë normalisht; pastaj përsëri e nget kola. I sëmuri nga tuberkulozi nganjëherë është i zbehtë, kjo sëmundje që në fillim është plot shenja të qarta (tretje, kollë, dobësi, ethe), dhe mund të shfaqet në mënyrë të papritur e dramatike (gjak në shami), tuberkulozi ka periudha euforie, oreksi të madh dhe ngacmimi të ethshëm të dëshirës seksuale, ai është shpërbërje, djegie nga ethet, humbje lëndore; është sëmundje e lëngjeve, i kthimit të trupit në flegmë, jargë e pështymë dhe, në fund, gjak dhe e ajrit, e nevojës për ajër më të mirë.
[10] Migjeni, “Luli i vocërr”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 98.
[11] Sigmund Freud, “Teoria e psikanalizës” (Kritikë e Frojdit), f. 130.
[12] Musa Kraja, “Migjeni mësues”, 8 Nëntori, Tiranë 1973, f. 34.
[13] Friedrich Nietzsche, “Vullneti per pushtet”, Rinia 2000, Tiranë 2001, f. 26.
[14] Susan Sontag, “Semundja si metaforë, sida dhe metaforat e saj”, Korbi, Tiranë 1999, f. 23.
[15] Po aty, f. 60.
[16] Po aty, f. 61. * Tuberkulozi është sëmundja që shfaq dëshirën e fshehur; që zbulon, me gjithë kundërshtimin e invidivit, atë që individi nuk do të zbulojë. Kontrasti nuk është më midis pasionave te tepruara dhe pasioneve të matura, po midis pasioneve të fshehura dhe pasioneve të shfaqura. Sëmundja zbulon dëshira që i sëmuri ka të ngjarë të mos i dijë as vetë. Sëmundjet dhe të sëmuët bëhen subjekte interpretimi. E tani këto pasione të fshehura shikohen si burim sëmundjes. “Kush dëshiron e nuk vepron, i jep shkas sëmundjes”, shkruante Blejku në Fjalët e Urta të Skëterrës.
[17] Po aty, f. 26.
[18] Po aty, f. 29.
[19] Po aty, f. 30.
[20] Po aty, f. 31.
[21] Po aty, f. 33-34.
[22] Po aty, f. 34-35. Shih: Rexhep Qosja, “Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni (1911-1938)”, në: “Migjeni-Kritikë 4”, Rilindja, Prishtinë 1977. Shih: Mensur Raifi, “Madhështia si antitraumë”, në: “Migjeni-Kritikë 4”, Rilindja, Prishtinë 1977. Shih: Jeton Ostreni, “Disa mendime për veprën e Migjenit”, në: “Migjeni-Kritikë 4”, Rilindja, Prishtinë 1977.
[23] Sabri Hamiti, “Letërsia moderne”, vep. e cit., f. 673.
[24] Resmije Kryeziu, “Akti i krijimit”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2011, f. 145.
[25] Migjeni, “Kanga e dhimbës krenare”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 27.
[26] Friedrich Nietzsche, “Antikrishti”, ASD, Tiranë 2000, f. 7. Shih për më gjerë: Karl Rosenkranz, “L’Esthétique de la laideur de”, Germanica [En ligne], 37/2005, misen ligne le 07. Januier 2010, http://germanica.revues.org/466.
[27] Migjeni, “Poema e Mjerimit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 15-18. Skica e mjerimit te Migjeni jepet në këtë formë: Mjerimi = kafshatë që s’kapërdihet, Mjerimi = trishtim, Mjerimi = ftyra të zbeta, Mjerimi = duer të mpita, Mjerimi = vdekje, Mjerimi = tradhti, Mjerimi = vulë e shëmtueme, Mjerimi = neveri, Mjerimi = i keq, Mjerimi = i turpshëm, Mjerimi = fëmijë të padijes, Mjerimi = mbeturina të flliqta, Mjerimi = s’ka fat, Mjerimi = ka zhele, Mjerimi = ka zhele fund e maje, Mjerimi = flamuj të shkymë, Mjerimi = nuk ka besë, Mjerimi = ka skaje t’errta, Mjerimi = ka lecka të mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta, Mjerimi = ka ndjenja me fuqi shtazore, Mjerimi = në dritzën e synit te kërthini, Mjerimi = tavan të tymuem dhe plot merimanga, Mjerimi = mallkon frytin e vet, Mjerimi = djepi i skamit, Mjerimi = pjek fëmin para se të burrnohet, Mjerimi = hija e vdekjes, Mjerimi = punon, punon ditë e natë, Mjerimi = të nxjerr djersën në gjoks dhe në ballë, Mjerimi = faqet e lustrueme, Mjerimi = buzët e pezmatueme, Mjerimi = mollzat e ngjyrueme, Mjerimi = le trashëgim dhimbjen, Mjerimi = mbush gotën e helmit në trashigim brezninash, Mjerimi = ka motër ngushlluese gotën, Mjerimi = ka pijetore të qelbta, Mjerimi = ka nandhetenand’halle, Mjerimi = len kujtim ditën e dikurshme, Mjerimi = është gotë satanike (gotë djalli-dreqi), Mjerimi = hallet i mbyt në gotë, Mjerimi = ndez dëshirat, Mjerimi = s’ka gëzim, Mjerimi = është dhimbë e padurueshme që të bën të çmendesh, Mjerimi = të jep litarin që të varesh, Mjerimi = s’don mëshirë, Mjerimi = dehje, Mjerimi = punë.
[28] Arshi Pipa, “Historija e dhimshme e “shpritit të ri”, në: “Kritikë”, nr. 3, Princi, Tiranë 1944, f. 113.
[29] Migjeni, “Një natë”, në: “Kangët e rinis”, f. 54.
[30] Sharl Bodler, “Femra të dënuara”, në: “Lulet e së keqes”, f. 122.
[31] Migjeni, “Një natë”, në “Kangët e rinis”, f. 54.
[32] Hugo Friedrich, “Structure de la poésie moderne”, Traduit de l’allemand par Michel-Français Demet, Coll. Méditation, Denoël-Gonthier, 1976, f. 23.
[33] Migjeni, “Poema e Mjerimit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 16.
[34] Migjeni, “Historia e njerës nga ato”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 152.
Shih më gjerësisht: Ali Xhiku, “Letërsia shqipe si polifoni”, Dituria, Tiranë 2004, f. 249. E vendosur në mjediset shoqërore të Shkodrës, proza e Migjenit arriti të krijonte figurat e të papunit të përhumbur, të tregtarit filistin, të fanatikut të egër, të prostitutës, të cilat kultivoheshin orë e çast prej atyre mjediseve.
Shih: Moikom Zeqo, “Migjeni ose uragan i ndërprerë”, Migjeni-Vepra, Naim Frashëri, Tiranë 1989, f. 55. Gati gjysma e “Novelave të qytetit të Veriut” kanë për subjekt prostitucionin. Kështu Migjeni, duke e strukturuar veprën e tij si një univers që shkonte drejt plotësimit, pasi ka treguar se ç’u ka punuar burrave shqiptarë ky shtet e kjo shoqëri (për malësorët që bëheshin servilë te qendra e nënprefekturës, zemrat e nxënësve janë brengosur jo më pak), tani tregon se ç’mund t’u punonte grave.
[35] Laura Smaqi, “Lasgushi dhe simbolistët evropianë”, në: “Letërsia si e tillë”, vep. e cit., f. 339-340.
[36] Sharl Bodler, “Beatriçeja”, në: “Lulet e së keqes”, vep. e cit., 2004, f. 124.
[37] Resmije Kryeziu, “Migjeni dhe avangarda”, në: “Fenomeni i avangardës në letërsinë shqiptare”, vep. e cit., f. 40.
[38] Migjeni, “Një natë pa gjumë”, në: “Kangët e fundit”, f. 63.
[39] Po aty, f. 63.
[40] Friedrich Nietzsche, “Antikrishti”, ASD, Tiranë 2000, f. 36.
[41] Migjeni, “Vuejtja”, në: “Kangët e fundit”, f. 65.
[42] Migjeni,“Një natë pa gjumë”, në: “Kangët e fundit”, f. 19. Shih: Teufik Gjyli, “Disa shënime të jetës në Migjenit në vitet 1934–1937”, në: “Jeta e re”, nr. 1, Prishtinë 1974.
[43] Migjeni, “Recital’ malsorit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 20.
[44] Moikom Zeqo, “Migjeni, artitekti i nëndheshëm i qiellit”, vep. e cit., f. 134.
[45] Shih: “Migjeni ose uragan i ndërprerë”, parathënia nga Moikom Zeqo, Naim Frashëri, Tiranë 1989, f. 56.
Te novela “Studenti në shtëpi” Migjeni shkon edhe më larg. Në të tregohet se një pjesë e shoqërisë, madje ajo që ulërin më shumë dhe i bie gjoksit më fort për nder e namuz, nuk ka as nder as virtyt, dhe britmat e mallkimet e saj s’janë veçse një alibi që mbulojnë imoralitetin. Heroi i novelës, një student shqiptar që kthehet pas mbarimit të studimeve nga Evropa, pakëz Hamlet, pakëz Pastinjak, i lëshon këtë sfidë shoqërisë shqiptare: Shoqëri, po deshe të mos lozim në kurrizin tënd, ndro format. Hiqi bragashat. Por bragashat, maskat dhe idolet ishin kudo. Në prozën e shkurtër “Idhujt pa krena” Migjeni përfytyron atë tufan të tmerrshëm që do të shembë idolet dhe idolatrinë. E ata që lindin në kohën e idhujve pa krena s’dinë kah t’ia mbajnë. Duan t’adhurojnë, po ç’ka të adhurojnë? Idhujt pa krena?, Duan të besojnë, po ç’ka të besojnë? Idhuj pa krena? Kush mund t’adhurojë të shemtuemin? Kush mund të besojë në një zot pa krye? Çdo gja që s’ka krye, asht kufomë e kufoma s’e ka vendin në mes të gjallve. Kufoma duhet varrosë. Përndryshe e përlyemja me të ka për të qenë katastrofale. E katastrofa asht katastrofë. Nuk kusen! Zhduk kombe”. Shih për më gjerë: Andrea Stefi, “Kujtime nga jeta dhe vepra e Migjenit (Rreth historisë së botimit të vëllimit “Vargjet e lira”)”, në: “Jeta e re”, nr. 1, Prishtinë 1974.
[46] Arshi Pipa, “Për Migjenin”, Princi, Tiranë 2006, f. 37.
[47] Edith Durham, “Brenga e Ballkanit”, Naum Veqilharxhi, Tiranë 1998, f. 124.
[48] Po aty, f. 125.
[49] Shtjefen Gjeçovi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, GEER, Tiranë 2001, f. 12.
[50] Po aty, f. 12.
[51] Po aty, f. 13.
[52] Po aty, f. 13.
[53] Moikom Zeqo, “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”, vep. e cit., f. 135.
[54] Migjeni, “Legjenda e misrit”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 109.
[55] Vehbi Bala, “Migjeni, portret-monografi”, vep. e cit, f. 100.
[56] Remzije Kryeziu, “Arti i krijimit”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë 2011, f. 147.
[57] Po aty, f. 148.
[58] Po aty, f. 148.
[59] Migjeni, “Parathania e parathanieve”, në: “Vargje të lira”, f. 3.
[60] Remzije Kryeziu, “Arti i krijimit”, vep. e cit., f. 148.
[61] Migjeni, “Legjenda e misrit”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 110.
[62] Po aty, f. 3.
[63] Migjeni, “Recital’ malsorit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 20.
[64] Po aty, f. 65.
[65] Migjeni, “Recital’ malsorit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 20.
[66] Po aty, f. 3.
[67] Migjeni, “Recital’ malsorit”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 20.
[68] Po aty, f. 65.
[69] Migjeni, “Blasfemi”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 23.
[70] Liman Matoshi, “Migjeni-poet i veçantë”, në: “Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare”, vep. e cit., f. 75.
[71] Migjeni, “Të lindet njeriu”, në: “Kangët e ringjalljes”, f. 8.
[72] Migjeni, “Kanga që s’kuptohet”, në: “Kangët e fundit”, f. 68.
[73] Rinush Idrizi, “Migjeni”, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë 1992, f. 177.
[74] Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 145.
[75] Shih: Vehbi Bala, “Migjeni, portret-monografi”, vep. e cit., f. 104-105. Lypësi është një nga personazhet më të shpeshta te vepra e Migjenit. Lypësinë, ashtu si prostitucionin, rrugacërinë dhe pijen e tepërt ai e tregoi si fenomen tipik të realitetit të kohës. Ashtu si në poezi, edhe në skica, tregime dhe novela, mjeti më i preferuar i Migjenit për pasqyrimin e jetës është kontrasti, veçanërisht ai midis të varfërve dhe të pasurve. Lypësi, që dikur kishte qenë farkëtar (Zoti të dhashtë), urren dhe mallkon pa pushuar. Mallkimet e tij nuk kursejnë as perëndinë. Atë e neverisin fjalët që dëgjon në kishë:-Zoti, që kujdeset për zogjtë e qiellit, s’ka me i lanë njerëzit të vdesin nga ûja. Hee-thoshte lypësi tue dalë, sot nuk asht njashtu. Zoti ndoshta kujdeset për trumcakë dhe për priftën, por për mue s’e besoj. Mue dhe shokët e mi po na harron edhe bota, e si të mos na harrojë Zoti, që s’na ka parasysh?-thotë lypësi në dialogun me vetveten.
[76] Migjeni, “Zoti të dhashtë”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 101.
[77] Shih: Vehbi Bala, “Migjeni, portret-monografi”, vep. e cit., f. 104-105. Personazhi kyresor i tregimit është Lukja, një malësore, që kishte zbritur në qytet, e shtyrë nga uria. Për të jetuar, ajo u shtrëngua të shiste veten. “Shoqnia, drejt ose zhdrejt, e detyroi”, shpjegon shkrimtari. Rruga, që ajo mori, e gjymtoi fort moralisht. Ajo u bë cinike, sikurse shoqëria, ligjeve të së cilës iu nënshtrua. Por, me gjithë jetën tërë poshtërime që bën, Lukja ka ruajtur në shpirt edhe disa gjëra pozitive. Shpesh, ndjenja e dinjitetit njerëzor, dëshira për të jetuar në mënyrë të ndershme, nxjerr krye në ndërgjegjen e Lukës të helmuar nga morali i prishur i shoqërisë. Ajo fillon të urrejë gjendjen e vet të poshtëruar dhe i dhembset vetja, se çdo ditë e më tepër shket në greminë. Një valë humanizmi aktiv shpërthen nga penda e Migjenit për këto krijesa, viktima të rendit shfrytëzues në fuqi: “Kanjëherë edhe Luken e zente një trishtim i pakufishëm. I dhimbte ajo gja, që e quajnë shpirt, por vetëm një herë, se, po t’i dhimbte ma shpesh, zotnia do ta qitte jashtë, pse Lukja ndër çaste të rralla thente gota, cinia, pasqyra dhe çka t’i vinte për dore. O, sa trishtim, pothuej një dhimbë fizike ndjente kur u kujtonte se asht nji grue, që nuk prodhon, nji kukull, nji lodër, me pasë për t’ia kushtue dhe harrue ato orët e mbrapshta, kur e shef veten të zhigatun në baltë”. Ajo bën përpjekje për të dalë nga kjo gjendje, por pa fryt. Burri, me të cilin u martua, filloi t’ia hajë dyqind napolonët që ajo mblodhi për të kaluar një pleqëri të qetë. E flakur në mes të katër udhëve, e vetme, pa njeri dhe pa mjete jetese, Lukja çmendet.
[78] Migjeni, “Historia e njenës nga ato”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 153.
[79] Migjeni, “Vetvrasja e trumcakut” në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 96.
[80] Migjeni, “Pesha e fatit” në: “Kangët e mjerimit”, f. 37.
[81] Migjeni, “Studenti në shtëpi”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 138.
[82] Migjeni, “Parathania e parathanieve”, në: “Vargjet e lira”, f. 3.
[83] Po aty, f. 13.
[84] Migjeni, “Shkëndija”, në: “Kangët e ringjalljes”, f. 10.
[85] Po aty, f. 10.
[86] Migjeni, “Një natë pa gjumë”, në: “Kangët e fundit”, f. 63.
[87] Migjeni, “A do qymyr zotni”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 89.
[88] Migjeni, “Trajtat e Mbinjeriut”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 28.
Shih: Mensur Raifi, “Alternativat e Migjenit”, në: “Jeta e re”, nr. 1, Prishtinë 1974.
[89] Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, Albas, Tiranë 2000, f. 140.
[90] Migjeni, “Vepra”, parathënie përgatitur nga Skënder Luarasi, CETIS Tirana, Tiranë 2002, f. xii.
[91] Skënder Luarasi, “Letra të Migjenit”, në: “Migjeni–Vepra”, drejtuar Lenkes dhe Lazërit, CETIS Tirana, Tiranë 2002, f. 230.
[92] Sabri Hamiti, “Letërsia moderne shqiptare”, Albas, Tiranë 2000, f. 140.
[93] Drago Siliqi, “Në kërkim të së resë”, në: “Artikuj dhe studime letrare”, vep. e cit., f. 187.
[94] Ibrahim Rugova, “Kahe dhe premise të kritikës letare shqiptare”, Eurorilindja, Prishtinë 1996, f. 176.
[95] Migjeni, “Parathenia e parathenieve”, në: “Vargjet e lira”, f. 3.
[96] Sigmund Freud, “Teoria e psikanalizës”, vep. e cit., f. 150.
[97] Migjeni, “Të lindet njeriu”, në: “Kangët e ringjalljes”, f. 8.
[98] Migjeni, “Kanga skandaloze”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 32.
[99] Migjeni, “Program i një reviste”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 102.
[100] Migjeni, “Zeneli”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 119.
[101] Vehbi Bala, “Migjeni, portret -monografi”, vep. e cit., f. 46. Shih: Ernest Koliqi, “Migjeni dhe unë”, në: “Vepra 5”, Faik Konica, Prishtinë 2003.
[102] Migjeni, “Kangët e pakëndueme”, në: “Kangët e ringjalljes”, f. 12.
[103] Rinush Idrizi, “Migjeni”, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë 1992, f. 115.
[104] Shih: Robert Elsie, “Historia e letërsisë shqiptare”, vep. e cit., f. 305. sipas autorit, Migjeni dhe Poradeci mund të konsiderohen dy poetë “outsider”.
[105] Migjeni, “Në sezonën e mizave”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 127.
[106] Ismail Kadare, “Ardhja e Migjenit në letërsi”, Tiranë 1990, f. 7-13.
[107] “Eposi dhe kultura shqiptare”, ÇFSH 3, Tiranë 1987, f. 320 e vijim.
[108] Migjeni, “Të lindet njeriu”, në: “Kangët e ringjalljes”, f. 8.
[109] Blerina Suta, “Koliqi dhe Migjeni në kuadrin e modernizmit të letërsisë shqiptare të viteve ’30”, në: “Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare”, vep. e cit., f. 189.
[110] Kujtim Shala, “Letërsia shqipe: Mitologosi dhe mitologema”, në: “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, Prishtinë 2006, f. 232.
[111] Fatos Lubonja, “Mbi nevojën e dekonstruktimit të miteve”, në: “Roli i miteve në historinë e Shqipërisë”, në: “Përpekja”, viti VI, nr. 15-16, Tiranë 1999, f. 11.
[112] Artan Puto, “Feja e shqiptarit është “shqiptaria”: mit apo konstruktim historik”, në: “Roli i miteve në historinë e Shqipërisë”, në: “Përpjekja”, viti VI, nr. 15-16, Tiranë 1999, f. 32.
[113] Resmije Kryeziu, “Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare”, vep. e cit., f. 36.
[114] Migjeni-Vepra-Kritikë 2, Prishtinë 1977, f. 212.
[115] Vep e cit., f. 40.
[116] Resmije Kryeziu, “Fenomeni i avanguardës në letërsinë shqiptare”, vep. e cit., f. 40.
[117] Migjeni, “Vepra”, “Historia e njerës nga ato”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 155.
[118] Migjeni, “Vepra”, “Në kishë”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 92.
[119] Migjeni, “Vepra”, “Bukuria që vret”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 111.
[120] Migjeni, “Vepra”, “Baladë qytetse”, në: “Kangët e mjerimit”, f. 19.
[121] Migjeni, “Historia e njerës nga ato”, në: “Novelat e qytetit të veriut”, f. 157.
[122] Dhimitër Shuteriqi, “Arti i Migjenit”, 1939.
[123] Arshi Pipa, “Për Migjenin”, Princi, Tiranë 2006, f. 42.
[124] Kristaq Jorgo, “Një teori për Migjenin”, në: “Studime filologjike”, nr. 3-4/1998, Tiranë, f. 11.