KU PO SHKOJMË…?!   Poezi nga Fatmir Musai

 

 

 

 

LIBIDO*

 

 

Ju marrtë dreqi dhe e mira

Ju poetëve vetmitarë,

Libidos ju zjen dëshira,

Pa gjumë rrini ditë e natë!

 

Se ajo është Urdhëresa*

Që kjo jetë të mos zhduket,

Po jo të bëhet ujdhesa*,

Veç në një shpellë të futet!

 

… Ndaj, mos i bjer në një vrimë

Një pipze që të mban gjallë,

Gjej kavallin* – sinfoninë

Ku motivet vijnë radhë-radhë!

 

Pooo… dhe në qoftë kavall,

Mos i bjer ti në një vrimë,

S’e libidio akullnajë

Do të t’bëhet edhe ngrin!

 

*Libido- epsh

*Urdhëresë- urdhëresat e Zotit në Bibël

*Ujdhesë- ishull

*kavall- lloji më i madh i fyellit që ka 7 vrima e mundësi më të mëdha melodish.

 

 

 

MARRËZIA E MADHËSHTISË

 

 

Sikur Sokrati të ngrihej nga varri,

Të thoshte se di atë që s’di,

Sërish diku do dilte I marri

E t’i thosh:- Unë jam aiti!

 

.. Kështu ndodh kur këmbë e dhisë

Godet kokën e mençurisë!

 

KALLIRI PA BUKË

Sikur ta dija se ç’thua ti pas meje,

Kur ditën më qep e natën s’ndalon së shqepuri,

Si gjuetar do të të kërkoja pas çdo ferre

Që gjithë jetën të haja mish lepuri!

 

Po ti je lepurushi që bëhesh ujk,

Të rrofshin mustaqet, o kalli pa bukë!

 

 

 

 

 

GRATË E VETVETES

 

 

Ato i sheh rrallë, pasi kanë shkarë mbi dyzetë vjeç,

Ndaj dhe kaviljen e reklamojnë mbi këpucët me qafa,

I gjen tek tymosin e nga një gotë e kthejnë për qejf,

Sikur predikojnë këngën “Ku rafsha, mos u vrafsha”!

 

Se ato janë këtu për veten e jo për të tjerët,

Përtej dritares sodisin si zhurmërojmë ne të mjerët!

 

 

 

 

 

KRYQËZIM

 

 

Mu atje në majë të Kullës Eifel

Dua të të kryqëzoj ty, Dashuri,

Sepse më je bërë gjysmagjel,

Me gjysmën e munguar më robëron Ti!

 

Ti je vetë Krishti që për ne u bë theror,

Në kryq ngjitesh veç nga ca shkallë-horror!

 

 

 

 

 

BASHKËJETESË

 

 

Gjyshja ime – doktoreshë

Me diplomë popullore,

N’lesh pa la* më kallte* shpesh

Sa herë merrja ndonjë ftohje.

 

… E kuptoni, more njerëz,

Se jemi bërë sterilë,

Pak të na hajë një grerëz

Zëmë e marrim arratinë!?

 

Po Njeriu është gjallesë

E gjallesat rrinë tok,

Marrin edhe japin shpresë

Brenda nesh dhe si mikrob!

 

… Një mikrob të vdes – të ngjall,

Nga mikrobi kemi dalë!

 

* N’lesh pa la- (si nga Elbasani) në lesh të palarë.

*Kalle- fute

 

 

 

 

KRIMBËRI

 

 

Goja për të ngrënë,

Veshi për të nxënë*!

 

Po nuk pate veshë,

Goja bën përshesh,

I mjafton një vrim’

Në fund si një krimb!

 

Çfarë mbetet më tej?

… Veç një e pëgër’!

… Njeriu është tub,

K’tu qit – andej fut!

 

Qenka fut e qit

Përditë e përvit,

Qenka riciklim,

S’ka fund as fillim!

 

… Zhurmon si legene

Kjo botë llapaqene!

Veshi t’bën Njeri,

Goja – pocaqi*!

 

*për të nxënë- për të mësuar

*pocaqi- pisllëk

 

 

 

 

 

 

 

“I FORTI”

 

 

Na u shemb tavani,

Na ra mbi kurriz,

Poshtë tij instinkti

Fluturoi si mizë!

 

Dhe u bë luan,

Dhe u bë “i fortë”,

Ku ish një tavan,

Sot është bërë gropë!

 

… Mbijetoi e tha

Në mes të qelisë:

– Me doreza boksi

S’qërohet oriz!

 

 

 

 

 

 

 

 

KU PO SHKOJMË…?!

 

 

Fillimisht me kokrra ishin gjenitë,

Ata fundamentalët* që zbuluan ligjet,

Pastaj erdhën mikrobet te zorrët e barkut,

Kuzhinierët që qelizave ua dinë të gjitha shijet!

 

Në fund mbetëm ne, trilionat e grimcave të trupit,

Pafundësia e klientelës që vetëm konsumon…!

Të parët mbeten me gojë hapur,

Të dytët janë mizëria që masturbon!

 

Të tretët zhurmërojnë në dyshemenë e pyllit…

Jemi ne klientela që ha e qit e s’di ku shkon!

 

*fundamentalët- themelorët, shkencëtarët që zbuluan ligjet bazë të jetës e të Universit.

 

 

 

 

 

KOHË QEROSËSH…

 

 

 

Kur instinkti ndjehet gjallë

Dhe e ka emrin Vrenoz*,

Tërë jetën do bëjë pallë,

S’ka ç’i bën një tetanoz

Si dikur kur ca mikrobe

I mbillnim në kavanoz,

Sepse s’kishte epruveta

Dhe na duhej një Qeros*!

 

*Vrenoz- një personazh kodosh, prototip i Big Bradherit i vitit 2026!

*Qeros- personazh i zgjuar dhe kodosh i përrallave popullore.

 

 

 

 

 

MESKINI

 

 

Ti je veçse një instinkt,

Hapesh-mblidhesh si llastik!

 

Hapesh kot kur të tërheqin,

Kur ta kanë shkulur veshin!

 

Dhe at’herë kur nuk don miq,

Gjembat nxjerr porsi iriq!

 

Trimërohesh kot më kot,

Përreth vetes vjen si rrotë!

 

… Sepse ti punon me shatë*,

Kurrë nuk hodhe një lopatë!

 

*shata- një lloj kazme që tërheq vetëm nga vetja!

 

VEÇ NJË FJALË, MOJ…!

Po më thuaj ndonjë fjalë,

Nëse më ke Jetë, moj,

Vdekja është mit i gjallë,

Nuk të rrit as flokë, as thonj*!

 

Për sa kohë që jam në jetë,

Me një fjalë ti më bën mbret!

 

*thonë se të vdekurve vazhdojnë t’u rriten flokët e thonjtë!

 

 

 

 

 

PARADOKS

 

 

Një Aiti është mirësi,

Na ngre lart, na bën gjeni!

 

Ndaj nën vete, kur ndodh krimi,

I gjithë faji është i im!

 

Fajin e kam unë, samari,

Që përposh m’çalon gomari!

 

 

 

 

MBRAPSHTI…

 

 

Sikur epshi të ish’ busull,

Pol të kishte Mençurinë,

Konkubinat* dhe çdo kukull

Sulltan do kishin Darvinë!

 

Po haremet s’duan tru,

Çel instikti veç mbi hu!

 

*Konkubinat- top prostitutet edhe sot në Japoni

 

 

 

 

DEMOKRACI KAUBOJSH

 

 

 

Aty lindi, aty mbaroi:

Amerika – kauboj!

 

Me një puro nëpër dhëmbë

Si në filmat Western,

Majë kalit Klint Instvudi*

Sot na është President!

 

Më i forti… si tepsinë,

Kontrollon Dhembokracinë!

 

*Klint Instvuld- aktori legjendar i filmave Western

 

 

 

 

 

 

KANIBALIZËM

 

 

Jeta e dikurshme milionashekullore

Në prehje kishte rënë në varrin e vet me emrin Naftë,

Ne e çpuam me sonda të përbindshme vampirore,

Gjakun ia thithëm e transfuzion bëmë nëpër natë!

 

Dielli-krijues që kemi përmbi kokë, qesh e qan:

– Gjallesat që krijova njëra-tjetrën po e hanë,

Nuk u bënë të mençura që energjinë falas të ma thithnin,

Si kanibale njera-tjetrës po ia marrin shpirtin!

 

…. Rroni, o të gjallë e të vdekur, aq sa më nuk thuhet,

Si kanibalë shfarosuni deri sa të vetëshuheni!

 

 

 

 

 

 

KAUBOJSOPOEZIA

 

 

 

 

Ka dalë poezi e re

Përmbi kalë si kaubojse,

Kalëron ChatGPT*,

Poetët la pa koqe!

 

Poeteshat nga t’ia mbajnë,

Andej “keq” e këndej “pis”

Dhe nis këngë e patravajë*

Ku të gjejnë – atje pijnë sisë!

 

Kaubojsit rrinë mbi gjemba,

Kaubojset – ku i çon rrema*!

 

*ChatGPT- një dritare e Inteligjencës artificiale që të asiston për të krryer (nxjerrë me dhunë) vargje!

*e patravajë- e pashqetësuar, pa merak…

*rrema- vijë uji e rrëmbyer kur ndodh ndonjë përmbytje.