KUDRET ISAJ
Helene Pittard(Noelle Roger) dhe artikulli i saj për
shpellën e Gojës së Ujkut në Tren të Prespës
në vitin 1921
ZBULIMI I PERIUDHËS SË GURIT TË STRALLIT NË SHQIPËRI NË VITIN 1921
Prof Eugène Pittard i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Hélène Pittard, e njohur me pseudonimin Noëlle Roger përshkuan në këmbë, me kuaj, me mushka, me automobil, rrugët, kodrat, malet, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë nga jugu në veri të vendit përgjatë një periudhe tremujore nga gushti deri në fillim të tetorit të vitit 1921. Megjithatë, ky udhëtim sa turistik, antropologjik dhe etnografik në Shqipëri, kishte diçka të veçantë. Ai ishte udhëtimi i tyre i dytë në Shqipëri. Udhëtimin e parë, ata e kishin bërë në korrik të vitit 1910 kur vizituan Shkodrën, qytet, të cilin autorët antikë në librat dhe në hartat e tyre e shkruanin me emrin latin Scutari. Kjo veçanti ishte e lidhur me faktin që ky udhëtim përbënte vizitën e parë në Ilirinë antike, në shtetin e ri të porsaformuar shqiptar, në vendin e shqiponjave, të konsullit të përgjithshëm të nderit të Shqipërisë që prej emërimit të tij në 29 janar 1921 nga Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar. Prof Eugène Pittard në gjysmën e parë të muajit shtator 1921, i ndihmuar nga disa fshatarë të zonës bëri gërmime në shpellën e gojës së ujkut në fshatin Tren, pranë liqenit të Prespës dhe zbuloi për herë të parë periudhën e neolitit në Shqipëri. Duhet pohuar që harta e Shqipërisë nga pikëpamja antropologjike deri në këtë periudhë ishte tabula rasa. Një fluturim zogu larg prej këtu në vijë ajrore ndodhet fshati i Voskopojës, i cili në shekullin e 18-të ishte i përmendur për shkak se aty kishte një shtypshkronjë dhe një bibliotekë të pasur me libra në gjuhën shqipe, latine, greke, franceze dhe gjermane, përpos Akademisë që mbante emrin e saj, e cila konsiderohej Akademia e dytë në Ballkan pas Stambollit. Në këtë Akademi mësonin me dhjetëra të rinj shqiptarë, arumunë dhe grekë, të cilët merrnin aty dituritë e para për të vijuar më tej shkollimin e tyre në universitetet e Romës, Milanos, Athinës, Berlinit dhe Vjenës. Fshati i Voskopojës ishte i veçantë gjithashtu për 24 kishat ortodokse, të cilat me shkëlqimin e tyre ndriçonin sado pak errësirën otomane dhe konsideroheshin si një nga bizhuteritë e çmuara të Shqipërisë. Pas zbulimit në shpellën e Trenit, Prof Eugène Pittard botoi një artikull shkencor të pajisur me fotografi, të cilat i kishte bërë vetë me aparatin e tij fotografik. Artikullin në fjalë ai e botoi në vitin 1921 në revistën e arkivave të antropologjisë së përgjithshme të Universitetit të Gjenevës. Po botojmë një fragment të shkurtër të këtij artikulli me titullin : Zbulimi i periudhës së gurit të strallit në Shqipëri.
«Mes mesit të gushtit dhe fillimit të tetorit 1921, udhëtova në Shqipëri pak a shumë në të gjitha drejtimet. Vizitova një numër mjaft të madh shpellash dhe u përpoqa të bëja në dyshemenë e disa prej tyre sondazhe e madje edhe gërmime në sipërfaqe. Një nga kërkimet ishte i frytshëm, pasi zbulova gurë stralli .- rreth të cilëve së shpejti do të botoj një studim – dhe mbetje qeramike që do t’i trajtoj pak më poshtë : Kjo shpellë, për të cilën nuk do të jap detaje këtu, ndodhet në verilindje të Korçës, pak hapa nga skaji jugor i liqenit të Prespës, pranë fshatit të vogël Trn(Tren – shën. im. K.I). Ajo është gërmuar në një masiv gëlqeror që dominon rrafshinën moçalore të Ventrokut. Rreth dy metra më lart se shtresa ku zbulova gurët e strallit të përmendur më sipër, nxorra, nga një shtresë krejtësisht sipërfaqësore, në një masiv dhe të formuar nga prurjet që dikur vinin nga shpella, një sasi copash qeramike – një pjesë e tyre ishin ende pranë njëra tjetrës dhe përbënin – pjesën e poshtme – të copëtuar – të një vazoje që nxitova ta merrja…Në të njëjtën shtresë ku u gjet vazoja, mblodha edhe disa copa të tjera me të njëjtën cilësi përmbajtjeje dhe me të njëjtën ngjyrë. Prandaj, në këtë nivel ishin mbetjet e të paktën dy qeramikave… Pas shumë peripecish – sepse një udhëtim në brendësi të Shqipërisë nuk është i lehtë gjithandej – këto fragmente mbërritën në laboratorin tim në Gjenevë. Ia kam dhënë disa nga këto copëza për t’i shqyrtuar kolegut dhe mikut tim, Z. Franchet, një nga specialistët më me autoritet të Europës, për njohuritë dhe datimin e qeramikës. Ja përgjigja që më dërgoi : « …Përbërja : gjysëm e hollë. – Formësimi : me dorë, pjesa e jashtme e lëmuar me shtresë të hollë argjili, e aplikuar mbi materialin e thatë. Pjekja : Qeramikë e pjekur në një gropë, pjekje me zjarr të reduktuar në fillim, pothuajse neutral në fund. Rreth 700 gradë. Epoka : fundi i neolitit ose fillimi i bronzit». Përcaktimi : «fundi i neolitit ose fillimi i bronzit» më duket se duhet vendosur në favor të së parës së këtyre dy periudhave. Në të vërtetë, nuk kam hasur asnjë copë të vetme metali – as bakër, as bronz – në shtresën ku ishte vendosur kjo qeramikë. Nga ana tjetër, në shtresat e poshtme kishte një sërë copash stralli…Prandaj i lejoj vetes ta konsideroj këtë poçeri si shenjë për herë të parë të ekzistencës së një horizonti neolitik në prehistorinë e Shqipërisë…». Në lidhje me këtë zbulim, Noëlle Roger në 21 dhjetor 1921, botoi një artikull në gazetën La Suisse me titull : «Në breg të liqenit të Prespës. Skicë mbi Shqipërinë», të cilin unë e kam lexuar disa vite më parë në bibliotekën e Gjenevës. Ky është një artikull i shkruar me shumë pasion se bashkon në një trung të vetëm narracionin e një gazetareje profesioniste, fantazinë e saj të pasur si shkrimtare dhe vëzhgimet e saj të holla me profil historik dhe poetik.
PËRSE AMBASADORËT ZVICERANË NË TIRANË BIEN NË DASHURI ME SHQIPËRINË ?
Ndalem një çast dhe mendimet më shkojnë tek Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber, e cila në fillim të tetorit të vitit 2024, ftoi në Tiranë Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger, autorin e librit, botuesin Luan Rama dhe Rina Cela Grasset, përkthyesen e librit të botuar shqip në vitin 2023 dhe frengjisht në vitin 2024. Ruth Huber krah për krah me dy bashkëpatriotët e saj zviceranë Eugène dhe Hélène Pittard hyri në ambjentet e brendshme të piramidës, bukuria dhe harmonia e së cilës, iu ka rezistuar viteve dhe kohës, një nga veprat më të bukura të arkitektit të mirënjohur Klement Kolaneci. Piramida në Paris është ndërtuar në oborrin e Napoleon Bonapartit, ndërsa piramida në Tiranë është ndërtuar në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në këtë ambjent arkitektonik, Ambasadorja zvicerane organizoi në 8 tetor 2024 promovimin e librit «Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri. Gjenevë-Tiranë. Në gjurmët e kryqit të kuq shqiptar në Gjenevë», në të cilin ftoi gazetarë të organeve të ndryshme të shtypit dhe të televizionit për të takuar dhe për t’u ç’mallur me Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard, për të bërë intervista dhe fotografi me ta e pse jo për të marrë dedikase me kaligrafinë e tyre në faqen e parë të librit biografik të botuar enkas për ta në Tiranë në qershor të vitit 2024. Eugène dhe Hélène Pittard kishin mbëritur në Shqipëri pas një mungese të gjatë prej gati një shekulli. Ditën e nesërme në 9 tetor 2024, Ruth Huber krah për krah me miqtë e saj të çmuar nga Gjeneva ngjiti shkallët dhe hyri në Akademinë e Shkencave në Tiranë, e cila dikur kishte qenë godina e parlamentit shqiptar. Kjo godinë daton që nga viti 1860 dhe ka qenë pronë e Zija Toptanit, deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1921, një njeri i afërt i familjes së Esad Toptanit. Ky i fundit përpos begraundit politik të njohur tashmë, ka një lidhje të drejtpërdrejtë ose të ndërsjelltë me botën e parfumerisë. Një gazetë pariziane e fillimit të viteve 20-të të shekullit të XX-të shkruante aso kohe në faqen e reklamave që një shtëpi parfumerie e njohur franceze kishte prodhuar dhe nxjerrë në shitje në dyqanin e saj me farfurima kristali në Paris një parfum me emrin : «Parfum Esad Pasha».
Në 11 shkurt 1920, sipas vendimit të marrë nga Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar ose Këshilli i Naltë i Regjencës në kongresin e Lushnjës, Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë. Qeveria me kryeministër Sulejman Delvinën gjeti strehë në godinën e bibliotekës së sapokrijuar në Tiranë. Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij e kujtonin gjithmonë sallën e parlamentit shqiptar ku zhvilloheshin debatet parlamentare, në të cilat ata kanë marrë pjesë herë pas here qoftë gjatë udhëtimit të tyre të parë në Shqipëri në vitin 1921, qoftë gjatë udhëtimit të tyre të dytë në vitin 1924. Në kongresin e Lushnjës trupa e parë legjislative u quajt Senat dhe anëtarët e tij u quajtën senatorë. Në datën 27 mars 1920 në orën 9.45 sipas procesverbalit të mbajtur në shtëpinë e Zija Toptanit ku ndodhet sot Akademia e Shkencave u zhvillua një mbledhje ku u mor vendimi që Senati të emërtohet Këshill Kombëtar. Në sesionin e parë të tij u zgjodh kryesia me kryetar Xhemal Nasipin, me nënkryetarë Spiro Kolekën dhe Dhimitër Kacimbrën dhe me sekretar Hil Mosin. Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar e përshëndeti dhe i dha mbështetje kryesisë së Këshillit Kombëtar. Në vitin 1921, fitoi të drejtë qytetarie emërtimi parlament, kryetar i të cilit u zgjodh Pandeli Evangjeli në seancën e parë të mbajtur në 21 prill të atij viti. Godina e parlamentit në vitin 1925 shërbeu si pallat presidencial i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut. Në 1 shtator 1928, parlamenti e zgjodhi Ahmet Zogun mbret të shqiptarëve. Në 27 prill 1938, mbreti Zog martohet me Géraldine Apponuy de Nagy-Apponi, e cila u shpall mbretëreshë e shqiptarëve. Reporterë dhe fotografë të gazetave më të njohura të Romës dhe të Vjenës zbarkonin disa herë në javë në kryeqytetin shqiptar për të fotografuar mbretëreshën e Shqipërisë që ata e kishin pagëzuar me emrin : «trëndafili i bardhë» i Budapestit. Nga viti 1928 deri në ditët e para të prillit të vitit 1939, kjo godinë shërbeu si pallat mbretëror i mbretit Zog deri në 7 prill 1939 kur Italia fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë, pikërisht ditën e pashkëve katolike. Në vitin 1972, në godinën e ish parlamentit shqiptar dhe të ish pallatit mbretëror, qeveria shqiptare vendosi selinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila sapo ishte formuar dhe kishte zgjedhur për kryetar Prof Aleks Budën. Pesëdhjetëtë e dy vite më pas nga kjo ditë në datën 9 tetor 2024, Presidenti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi pasi hapi simpoziumin shkencor në sallën Aleks Buda të Akademisë së Shkencave, ia dha fjalën Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij si dhe autorit dhe botuesit të librit : «Udhëtimi i mbramë i Eugène dhe Hélène Pittard në Shqipëri…». Duke falenderuar pjesëmarrësit në sallë dhe i prekur thellë nga mikpritja tradicionale shqiptare, Prof Eugène Pittard bëri një përshkrim të udhëtimeve që ai kishte kryer në Dobruzha të Rumanisë ku i takoi shqiptarët për herë të parë në vitin 1899. Ai u ndal më pas tek qindra matjet antropologjike dhe antropometrike të popullsive të ndryshme që kishte kryer në Dobruzha, të cilat do të kishte qenë e pamundur t’i realizonte pa ndihmën e çmuar dhe të pakursyer të bashkëshortes së tij. Helenës. Edhe artikujt shkencorë që ai botoi në revistën antropologjike të Universitetit të Bukureshtit në vitin 1902, ai nuk do të kishte mundur t’i botonte pa dokumentacionin shkencor antropologjik që Helena kishte mbledhur në terren duke bërë matje të përpikta me kompas nga mëngjesi deri në mbrëmje. Prof Eugène Pittard ishte i entuziazmuar nga udhëtimi dhe zbulimi i periudhës së neolitit në Shqipëri. Ai nuk donte të humbte kohë për shkak se dëshironte t’i rrëfente sa më parë kolegëve të tij profesorë në Universitetin e Gjenevës, ç’ngjarje epokale kishte ndodhur në Shqipëri ku ai kishte zbuluar për herë të parë periudhën e neolitit dhe kishte grumbulluar të dhëna të rëndësishme të karakterit antropologjik dhe antropometrik, të cilat do t’i shërbenin për kërkimet e tij të ardhshme shkencoren si dhe për veprat e reja që do të shkruante dhe do të botonte. Duke u nisur nga fakti se Prof Eugène Pittard kishte bërë rreth 300 fotografi në Shqipëri, ai do ta shoqëronte referatin e tij me një koleksion të pasur dhe të panjohur imazhesh, të cilat ai i kishte projektuar me aparatin e tij fotografik. Prof Eugène Pittard i ka kushtuar antropologjisë shqiptare studime të thelluara dhe serioze si në veprën «Popujt e Ballkanit» botuar në vitin 1920, po ashtu në veprën tjetër «Racat dhe historia» botuar në vitin 1924. Pa llogaritur këtu me dhjetëra artikuj për Shqipërinë, të cilat, ai i botoi në faqet e shtypit zviceran dhe në revista të specializuara shkencore. Eugène Pittard ia kushtoi jetën atdheut të tij Zvicrës, Alma Mater-it të tij Gjenevës, veprës së tij humane dhe shkencore, bashkëshortes së tij Helenës dhe Zhan-Zhakut(Jean-Jacques), djalit të tij të vetëm. Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger e mbajtën Shqipërinë gjithë jetën në krahun e tyre të zemrës.
Duke marrë fjalën në simpoziumin e organizuar në Akademinë e Shkencave në Tiranë, Noëlle Roger ju shprehu të pranishmëve emocionin që ndjeu kur Eugène Pittard bëri zbulimin e neolitit në shpellën e gojës së ujkut në fshatin Tren, pranë liqenit të Prespës, se si asaj nga rrahjet e forta të zemrës, iu duk se po i çahej kraharori. Syri i saj i vëmëndshëm dhe pena e saj e zhdërvjellët hedhin penelata poetike për malin Trajan, për liqenin e Prespës si dhe për fshatrat që e rretheqarkojnë atë. Noëlle Roger hedh hipotezën se mali Trajan mund ta ketë marrë emrin nga perandori romak Trajan, lindur me emrin Marcus Ulpius Traianus(18.09.53- 8 ou 9 août 117 pas Jezu Krishtit), i cili erdhi në viset iliriane në krye të ushtrisë romake. Ndoshta në mugëtirë të historisë aty mund të jetë zhvilluar ndonjë betejë iliro-romake. Noëlle Roger shkruan ndër të tjera, se asaj i krijohet një përfytyrim i atillë, sikur nga thellësia e shpellës papritur do të dalin njerëzit e parë, ilirët e lashtë, të cilët do të hipin në varkat e tyre të ndërtuara nga trungjet e pemëve për të lundruar në liqen. Këto varka përngjajnë me pirogat e para 1000 vjetëve, që kanë qenë të njohura deri në Venedik. Peshkatarët e Prespës edhe sot e kësaj dite i quajnë këto varka me emrin cungka. Gërmimet në shpellën e grykës së ujkut në fshatin Tren u bënë nga fshatarët vendas, të cilët pas një pune të lodhshme dhe rraskapitëse në pikën e diellit, nxorrën gurë stralli të punuar nga thellësia e shpellës dhe rendën me vrap t’ia tregonin Prof Eugène Pittard-it. Këta gurë stralli të punuar ruajnë autenticitetin dhe ekskluzivitetin e të qenit dëshmia e parë e periudhës së neolitit në Shqipëri. Duke e njohur mirë historinë antike të Shqipërisë, Noëlle Roger përpiqet të hedhë dritë mbi origjinën e shqiptarëve që nga koha e pellazgëve dhe perënditë e Homerit dhe zotët e tjerë të natyrës. Sapo Noëlle Roger e përfundoi referatin e saj dhe u duartrokit nxehtësisht nga të pranishmit, Eugène Pittard me të së bashku i afrohet bashkëpatriotit të tyre zviceran Prof Albert Hafner, i cili ju rrëfeu në vetën e parë zbulimin sensacional të një vendbanimi palafit në fshatin Lin, pranë Pogradecit nga ekspedita e përbashkët arkeologjike shqiptaro-zvicerane. Ky zbulim i rëndësishëm për Shqipërinë, për Zvicrën, për gadishullin e Ballkanit, për shkencat arkeologjike, paleografike dhe antropologjike i bërë në fshatin Lin në breg të liqenit të Ohrit, si rrjedhojë e zbatimit të projektit zviceran Explo dhe rezultateve të analizave të radiokarbonit dhe të analizave dendrokronologjike të realizuara në laboratoret e specializuara të Universitetit të Bernës, dëshmon katërcipërisht dhe botërisht se është vendbanimi më i vjetër palafit në Europë me një moshë 8500 vjeçare.
EUGENE DHE HELENE PITTARD-IN I KA MARRË MALLI
PËR TIRANËN E VJETËR
Në ditët e para të tetorit të vitit 2024 ku gjethet e vjeshtës fluturonin si të verbëra në horizontin e qiellit gri të shpupuritura nga puhiza e ftohtë e orëve të para të mëngjesit duke përngjarë me një tufë vargjesh lirike të shkruara nga letrarët e rinj. Ambasadorja zvicerane në Shqipëri Ruth Huber shëtiste nëpër udhët e Tiranës krah për krah me miqtë e saj të dashur Eugène dhe Hélène Pittard, të cilët ndjeheshin të humbur dhe nuk e njihnin më Tiranën e tyre të vjetër. Ambasadorja i pyet miqtë e saj të respektuar se ç’farë do të donin të vizitonin në Tiranë. Eugèni me Helenën nisën të diskutojnë me pasion njëri me tjetrin pa arritur të bëjnë ndonjë propozim konkret.
Ambasadorja : A dëshironi të vizitoni librarinë Adrion ? Aty do të gjeni libra shqip dhe në gjuhë të huaja, frengjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht etj. Të gjithë turistët që vijnë në Tiranë e vizitojnë atë që ditën e parë dhe mbeten të kënaqur. Po të jeni të interesuar i telefonoj Teodor Mishës, drejtorit të librarisë Adrion në Tiranë.
Eugène Pittard : E mirëkuptoj dhe e vlerësoj propozimin tuaj, i cili na shtin në ngasje. Ju kërkoj ndjesë që duhet t’ju korigjoj zonja Ambasadore në lidhje me një term, të cilin ju e përdorët me dashamirësi pak më parë. Unë me Hélènën nuk jemi turistë. Ne kemi më shumë se një shekull që e kemi vizituar Shqipërinë dhe i njohim mirë shumë qytete të saj si Tiranën, Durrësin, Fierin, Shëngjinin, Kukësin, Pukën, Himarën, Sarandën, Elbasanin, Peqinin, Kavajën, Krujën, Gramshin, Korçën, Shkodrën, Lushnjen, Pogradecin, Kolonjën, Beratin, Skraparin, Librazhdin, Maliqin, Mamurrasin, Matin, Përmetin, Dibrën, Tepelenën, Gjirokastrën, Vlorën, Lezhën. Pa llogaritur këtu fshatrat piktoreskë në jug dhe në veri të vendit. Ne në Tiranë e ndjejmë veten venalinj. Që nga themelimi i qytetit të Tiranës nga Sulejman Pasha në vitin 1614 kanë rrjedhur shumë ujëra dhe në Tiranë ka patur ardhje të banorëve të fshatrave të fushës dhe të malësisë rreth e qark malit të Dajtit, të cilët kanë lënë shtëpitë e tyre në fshat dhe kanë ndërtuar shtëpi të reja në Tiranë. Pa llogaritur këtu ardhjen në Tiranë gjatë rrjedhjes së viteve të banorëve nga qytete dhe fshatra të tjera të vendit. Kur unë me Helenën erdhëm në Tiranë në vitin 1921, tironsit e vjetër e quanin veten venalinj, ndërsa banorët e lagjeve të Tiranës, më kujtohet që e quanin veten mahallalinj. Kam dëgjuar se sot ka tironsa të rinj që fjalën shqipe venali e kanë zëvëndësuar me fjalën moderne autoktonë.
Ambasadorja : A dëshironi të bëni ju vetë një propozim konkret, i cili do të kënaqte kureshtjen tuaj ?
Eugène Pittard : Unë jam pak konservator dhe tradicional dhe e kam të vështirë t’i ndërroj zakonet e mia aq shpejt sa stinët e vitit. Unë dua që librat e vjetër t’i prek me duar dhe faqet e tyre t’i shfletoj ngadalë dhe me kujdes sikur të jenë objekte arkeologjike. Atë çast mua më krijohet iluzioni se jam duke thithur klorofilin e pemëve. Më duket se kam hyrë në një pyll dhe jam duke përkëdhelur shtatin dhe lëvoren e drurëve të pemëve, prej të cilave marrim celulozën për të prodhuar letër. Që në fillimet e njerëzimit, pema ka qenë mëma, nga barku i së cilës kanë lindur librat që janë prodhuar dikur dhe vazhdojnë të prodhohen sot për të vijuar udhën e tyre në duart e lexuesve, në librari dhe në biblioteka. Kam lexuar diku se disa popuj, e kanë ritual të tyre që njëherë në vit shkojnë në pyll të përqafojnë pemët me krahët e tyre për të marrë energji dhe për t’ju dhënë shëndet. Unë me Hélènën jemi të interesuar të vizitojmë bibliotekën e vjetër të Tiranës. Unë jam kurioz të di nëse aty ka libra incunable(libra të shtypura para 1500-tës) ose libra të hershëm të shtypur në kohën e Gutenbergut ?
Ambasadorja : Do t’ju shoqëroj të vizitoni bibliotekën e vjetër të Tiranës, e cila nuk ndodhet shumë larg nga ambasada zvicerane. Biblioteka që ju dëshironi të vizitoni quhet : Sotir Kolea, në nderim të ish drejtorit të saj, i cili i ka ushtruar funksionet e tij në vitet 1928-1937. Sotir Kolean e keni pak zviceran se në vitet 1915-1919 ka nxjerrë gazetën l’Albanie në Lozanë së bashku me Mihal Turtullin, Pandeli Calen dhe Hilmi Këlcyrën.
Eugène Pittard : Unë e kam vizituar Tiranën për herë të tretë bashkë me Helenën në 1 prill të vitit 1924. Unë isha emëruar i deleguar i Lidhjes së Kombeve dhe i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq për të shpëtuar nga uria dhe zia e bukës malësorët e krahinave të veriut të Shqipërisë. Për përmbushjen e misionit tim humanitar qeveria shqiptare na vuri një vilë në dispozicion në Tiranë dhe na krijoi kushtet e nevojshme.
Unë takova me Xhaferr Vilën, i cili në atë kohë ishte sekretar i parë i përgjithshëm i ministrisë së punëve të jashtme. Ai ishte dhëndërr i Sulejman Delvinës, i cili kishte qenë kryeministër i Shqipërisë në vitin 1920 dhe në vitin 1924 kishte ushtruar funksionet e ministrit të punëve të jashtme. Në vitet 1933-1935, Xhaferr Vila ka qenë ministër i punëve të jashtme dhe ambasador i Mbretërisë shqiptare në Beograd, në Athinë dhe në Romë. Ai vdiq në një aksident ajror në Itali në vitin 1938. Unë i kërkova Xhaferr Vilës që para se të nisesha në Shkodër dëshiroja të vizitoja bibliotekën e re që sapo ishte hapur në Tiranë. Miku im i vjetër Hil Mosi më kishte treguar në vitin 1921 që në Shkodër në vitin 1916-1917 ishte krijuar Komisia letrare shqipe me iniciativën e Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Maksimilian Lambercit, Aleksandër Xhuvanit dhe disa patriotëve të tjerë. Legata austriake në Shkodër i ka dhënë mbështetje financiare krijimit të kësaj komisie. Biblioteka e Tiranës u formua në 10 korrik 1920 me fondet e komisisë letrare të Shkodrës, me fondet e shoqërisë Vllaznia të Shkodrës, me fondet e bibliotekës françiskane të Shkodrës dhe të disa bibliotekave private, sa shkodranët i thonë me humor tiranasve që bibliotekën kombëtare e keni peshqesh prej nesh. Scodrinoni i mbretit ilir, Agron, mbretëreshës ilire Teuta, mbretit ilir Gent është një thesar ende i pazbuluar. Unë e kam vizituar varrin e mbretit ilir Gent në formë mauzoleu në provincën e Gubbios, në Peruxhia, në krahinën e Umbrias në Itali. Nuk duhet harruar që Karl Gurakuqin dhe Mati Logorecin, dy intelektualë sipërorë shkodranë i thirrën enkas në Tiranë për të dhënë kontributin e tyre për organizimin dhe funksionimin e kësaj biblioteke. Biblioteka e Tiranës u përurua zyrtarisht në 28 nëntor 1922 dhe drejtor i saj u emërua Viskë Babatasi, i cili ushtroi në të njëjtën kohë edhe funksionin e drejtorit të muzeut kombëtar në Tiranë. Ky muze u konceptua, u ndërtua dhe u pasurua me objekte arkeologjike shqiptare në sajë të përpjekjeve të palodhura të arkeologut austriak Prof Karl Patsch, një mik i vyer i Shqipërisë. Meqenëse nuk u gjet një godinë e përshtatshme, biblioteka e re e Tiranës fillimisht u vendos në një shtëpi private. Ministri i arsimit Rexhep Mitrovica në vitin 1923 kishte në dispozicion një shtëpi private me disa dhoma për personelin e ministrisë së tij.
Ambasadorja : Gjatë vizitës suaj në bibliotekën e Tiranës në fillim të vitit 1924, a keni gjetur libra të rrallë, të cilat kanë tërhequr vëmëndjen tuaj ?
Eugène Pittard : Megjithëse unë e kisha kohën të kronometruar për shkak se duhej të nisesha urgjentisht në Shkodër për të përmbushur misionin tim humanitar si i deleguar i Lidhjes së Kombeve, u shkëputa një ditë bashkë me Helenën për të vizituar bibliotekën e Tiranës. Unë kisha dëgjuar nga kolegët e mij profesorë në Universitetin e Gjenevës për shkencëtarin hungarez Ferenc(Franz)Nopça(1877-1933), i cili është paleontolog, gjeolog, etnolog, biolog dhe fotograf. Unë isha i interesuar të mësoja nëse në bibliotekën e Tiranës ndodheshin dorëshkrimet dhe librat e tij. A e keni parë një fotografi të hershme të tij veshur me kostum kombëtar shqiptar dhe me pushkë në dorë ? Imagjinoni një çast. Eshtë gati e pabesueshme. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij të frytshme shkencore, ai ka botuar 54 libra për Shqipërinë, pa llogaritur këtu dorëshkrimet e pabotuara. Në vitin 1903, Franz Nopça shkoi në Shkodër ku qëndroi një javë të tërë në shtrat për shkak se e kishte kapluar sëmundja e malarjes. Franz Nopça e fliste gjuhën shqipe si një profesor në gjimnazin e Shkodrës. Ndoshta nuk e dini që Franz Nopça në kongresin e Triestes në vitin 1913, vuri kandidaturën për t’u bërë mbret i Shqipërisë. Para luftës së parë botërore, ai bleu një shtëpi në Shkodër për të patur mundësi të kryente ekspeditat e tij paleografike, antropologjike dhe etnografike në zonat e thella malore. Për të përmbyllur këto kujtime që datojnë në ditët e para të muajit prill të vitit 1924 para se të nisem për të kryer misionin tim në malësinë e Shkodrës, po ju pohoj se në bibliotekën e Tiranës kam shfletuar me duart e mia katër libra të Franz Nopçës : Shqipëria katolike e veriut(1907). Nga Shala në Kelmend(1910). Shtëpi dhe mobilje në Shqipërinë katolike të veriut(1912). Ndihmë për prehistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së veriut(1912). Kam mendimin që nuk është rastësi që heroi juaj kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) bëri aleancë kundër osmanëve me princin Janosh Huniadi(1407-1456), regjentin e mbretërisë së Hungarisë. Ferenc(Franc)Nopça shkroi dhe botoi një bibliotekë të tërë me libra me vlera të mëdha shkencore për të ndriçuar historinë, paleontologjinë, gjeologjinë dhe etnografinë e Shqipërisë. Geraldine Zogu-Apponyi, mbretëresha e Shqipërisë, ra në dashuri me mbretin Zog dhe me Shqipërinë dhe ju përkushtua asaj me mish dhe me shpirt sikur të ishte bija e saj. Miqtë e Shqipërisë që luftuan dhe sakrifikuan për të mirën e saj, ju i çmoni dhe i vlerësoni njëmijë herë më shumë se sa vlerësohen ata në atdheun e tyre. Unë kam një jetë të tërë që e njoh shpirtin, mentalitetin, temperamentin dhe karakterin e shqiptarëve, të cilët në një mënyrë krejt të natyrshme si buka që hamë siç thoni ju, e kanë ngritur institucionin e mirënjohjes kombëtare në majën e malit Tomorr.
Pasi Eugène dhe Hélène Pittard përfunduan vizitën e tyre në bibliotekën e vjetër të Tiranës, vetura e ambasadës zvicerane doli nga qyteti dhe hyri në lagjen e një fshati piktoresk me shtëpi me tjegulla të kuqe, me oborre me lule shumëngjyrëshe dhe me kopshte të mbjella me perime dhe zarzavate. Si mund ta kemi ngatërruar rrugën duke patur vënë GPS në makinë – pyet veten Ambasadorja ? Papritur e zë paniku se nuk arrin të gjejë emrin e rrugës së fshatit në hartën që e mban gjithmonë me vete në çantë. Ajo e kërkon këtë rrugë edhe në celularin e saj, megjithatë nuk e gjen. Ambasadorja filloi të pyesë fshatarët për emrin e rrugës, për shkak se në mur nuk ka tabelë. Fshatarët mbanin mend vetëm emrin e vjetër që rruga kishte patur 50 vjet më parë. Bashkia e Tiranës ndoshta nuk kishte mundur t’i vinte tabelat me emrat e rrugëve në të gjithë territorin e kryeqytetit të vendit, si rrjedhojë nuk ishte ndonjë çudi e madhe nëse nuk gjendet në hartë emri i një rruge fshati që ndodhet në faqe të malit ! Duke përsiatur në kokë mendimin se si mund të humbësh rrugën në Shqipëri, më lejoni t’ju rrëfej një anekdotë, të cilën e dëgjova nga një taksist duke udhëtuar nëpër Tiranë.
Një klient kishte porositur një taksi dhe i a dha adresën e rrugës taksistit në telefon : «Mbrapa Ekspozitës Shqipëria e re ka një pallat gjashtëkatësh ngjyrë blu me shigjeta. E njohin të gjithë. Kthehu djathtas. Vazhdo 200 metra drejt dhe pastaj kthehu majtas sapo të shohësh një librari pa emër. Mbrapa librarisë ka një kafene me drita disko që rrinë ndezur ditë e natë. Vazhdo 100 m drejt dhe pastaj kthehu djathtas sapo të shohësh një tabelë Koka-Kola. Aty po të pres. A e ke të qartë ?»
Eugène Pittard : Zonja Ambasadore. Mos u shqetësoni. Unë nuk i njoh emrat e rrugëve të reja, por këtë rrugë të vjetër e njoh mirë, Unë e di që në krye të këtij fshati ka patur një kala. Për mendimin tim, kalaja duhet të jetë aty sepse kalatë në të gjithë botën i kanë rrënjët thellë në tokë. Më kujtohet që në vitin 1921, miqtë e mij tiranas më kanë treguar që kjo kala në mesjetë ka qenë zotërim i Mamica Kastriotit, motrës së Skënderbeut. Tani po e kuptoj se ku ndodhemi. Jemi në Petrelë. Gjatë rrugës pashë reklamën e një agjencie turistike, e cila i ftonte turistët për të vizituar dhe darkuar në restorantin e ndërtuar brenda kalasë së Petrelës. Një shembull i bukur ky për të mbrojtur thesarët arkeologjikë dhe historikë të vendit ! Kini besim tek unë zonja Ambasadore. Tani ciceroni juaj në Tiranë do të jetë një Gjenevas. Nuk po bëj shaka. Unë me Helenën kemi kujtime shumë të bukura nga Tirana e vjetër dhe nganjëherë shohim në ëndërr rrugët, rrugicat teqetë, xhamitë dhe kishat e Tiranës së dikurshme. Na ka marrë malli të shohim malin e Dajtit që zoti jua a ka bërë dhuratë tironsve me dorën e vet. Po tani na i kanë zënë sytë hotelet dhe pallatet shumëkatëshe dhe kullat e larta apo qiellgërvishtësit me 40 kate që po mbijnë si kërpurdhat kudo nëpër Tiranë dhe që duken si gjigandë me këmbë të mëdha që rrijnë në vend dhe nuk shkojnë asgjëkundi. Tek ne në Zvicër qiellgërvishtësit janë të rrallë. Qiellgërvishtësi më i lartë është 205 metra dhe ka 50 kate. Ai ndodhet në Bazel. Unë si zviceran nuk jam kundër qiellgërvishtësve dhe e kuptoj që Tirana si shumë qytete të tjera europiane për të ruajtur tokën që e ka aq të çmuar dhe të mangët i ka vënë përparësi ndërtimeve vertikale. Qytetarët e Tiranës, por edhe unë si qytetar zviceran që vij shpesh tek miqtë e mij në Shqipëri për t’u çmallur dhe për të kaluar pushimet me familjen time në Qeparo buzë detit, do të doja që kur të ngrihem herët në mëngjes dhe të pi kafen ekspres në ballkonin e hotelit apo në shtëpinë e një miku tim të vjetër në Tiranë të shoh kryet e mbështjella me re të baba Dajtit edhe kur ka mjegull. edhe kur rigon, edhe kur bie shi, edhe kur të përkëdhelin rrezet e diellit, edhe kur të pikon djersa mbi ballë në zhegun e vapës, edhe kur fryn erë e ftohtë në dimër dhe fraqi ta skuq fytyrën. Dikur në Tiranë kishte kopshte ku çelnin njëherësh njëmijë lule të ndryshme shumëngjyrëshe. Dikur në Tiranën e vjetër portat e shtëpive komunikonin me njëra tjetrën pa patur nevojë që banorët e tyre të dilnin në rrugë. Ne jemi habitur kur kemi mësuar që banorët e shtëpive private në Tiranë nuk i mbyllnin me çelës shtëpitë e tyre. Edhe nëse disa banorë i mbyllnin shtëpitë e tyre me çelës, celësin e shtëpisë e linin tek fqinjtë e tyre. Ne në Zvicër nuk e njohim një zakon të tillë. Unë e njoh mirë Tiranën. Ju a kam thënë që në vitin 1921 kam botuar një artikull me titull : «Tirana» në gazetën Journal de Genève. Disa kohë para se të nisesha në Shqipëri kam lexuar një ditar të një udhëtari, i cili ka udhëtuar në Shqipëri në fund të shekullit të XIX-të ose në fillim të shekullit të XX-të. Në ditarin e tij ai tregon që tregtarët e Tiranës u mblodhën bashkë dhe blenë me paret e tyre një kambanë të madhe bronzi në Vjenë për ta vënë në kullën e sahatit. Në orën e drekës, ora bie 12 herë. Në orën 1, ora bie 1 herë dhe kështu vijon me radhë rituali sipas lëvizjes së akrepave të sahatit. Ishte koha kur për shqiptarët ora konsiderohej si një objekt lluksi dhe banorët e përdornin sahatin e Tiranës si orë dore. Në fillim të vitit 1922, një miku im nga Tirana besimtar i njohur, i cili kishte kryer medresenë në Stamboll erdhi tek unë për vizitë në Gjenevë. Ai m’u ankua kundër ministrit të brendshëm Ahmet Zogu. Nën pretekstin e urbanizimit të Tiranës dhe të ndërtimeve të reja që do të bëheshin në qytet, ministri i brendshëm kishte «harruar» zakonet e vendit dhe kishte urdhëruar prishjen e varrezave që ndodheshin në oborrin e bashkive gati në të gjithë qytetet e vendit. Ju premtoj zonja Ambasadore – vijoi dialogun e tij Eugène Pittard – ju do të mbërrini shëndoshë e mirë në kullën e sahatit në Tiranë. Më kujtohet që në vitin 1921, kam ngjitur 90 shkallë spirale për të hipur në majë të kullës së sahatit të Tiranës ku u mahnita nga pamja e malit të Dajtit. Po të ishte natë nuk do të kishte qenë ndonjë çudi e madhe sikur t’i kisha lidhur me një filispanjë të gjatë një nga një të gjithë yjet në qiell dhe t’ju lëshoja pe dalëngadalë si një balonë tabake. Nëse një ditë bashkia e qytetit e sheh të pamundur t’ja ndërrojë pamjen Dajtit dhe mund të vendosë t’ia ndërrojë vendin kullës së sahatit, atëherë ju pohoj sinqerisht zonja Ambasadore që kam për të humbur nëpër rrugët Tiranës.