ME RASTIN E 85 VJETORIT TË DITËLINDJES
HAPAT E RESHAT ARBANËS DREJT TEATRIT POPULLOR
Reshat Arbana bën pjesë ndër ata artistë të mëdhenj të Shqipërisë, të cilët me artin dhe me kulturën e tyre i dhanë gjithçka atdheut dhe popullit: shpirtin, zemrën, gjakun dhe emrin e tyre të mirë. Reshat Arbana është nga fshati Arbanë i Tiranës. Pasi përfundoi politeknikumin 7 nëntori në Tiranë në vitet 1954 -1958, ai do të emërohej në SMT – në e Peshkopisë. Më pas, ai do të fillonte punë si tornitor në parkun e kamionëve në Tiranë. Xixëllonjat e para të talentit, ai i kishte përshfaqur që kur ishte 14 -15 vjeç dhe bënte imitime zërash para pasqyrës në shtëpinë e tij në Arbanë sa nëna e tij filloi të bëhej merak se mos çunit të saj i kishte hyrë xhinomi(shejtani) në trup. Disa vjet më vonë, Reshatit i doli e drejta e shkollës për matematikë, por ai nuk mund ta «tradhtonte» teatrin dhe filmat se koka i ishte bërë kinema.
Reshati konkuroi në shkollën e teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës dhe fitoi me forcat e veta pa futur asnjë mik. Siç thotë ai vetë me humor : U bona aktor se nuk doja të bohesha marinar. Siç rrëfen ai vetë, ky fakt ishte i vërtetë se po të mos i kishte dalë shkolla për teatër Reshati do të kishte shkuar 4 vjet ushtar në marinë se atje i dërgonin ata që ishin me përbërje të mirë politike se familja e tij në Arbanë kishte qenë familje e luftës. Sa për prirjet artistike, ai mendonte që prirjet janë të përbëra nga 99 përqind punë dhe 1 përqind talent. Shokët e tij mekanikë të politeknikumit paskëshin qenë gabuar kur kishin menduar që Reshatit i hanin duart për hekura, ndërsa ai mendonte ditë dhe natë për teatrin. Ai kishte marrë pjesë në një film të Kinostudios Shqipëria e Re që në moshën 23 vjeç në vitin 1963. Diplomën e Institutit të Lartë të Arteve, Reshat Arbana do ta mbronte me rolin e Tybaldit nga tragjedia Romeo dhe Zhuljeta, të Uilliam Shekspirit, rol me të cilin do të merrte vlerësimet më të larta.
Ende pa përfunduar Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1966, regjisorët Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti do t’i besonin studentit Reshat Arbana rolin e Nikollë Mustaqeziut në filmin Komisari i dritës. Megjithatë duhet pohuar se prirjet e tij artistike kishin kohë që mugëllonin në shpirtin e tij ëndërrimtar. Po ta pyesësh sot Reshat Arbanën se sa herë e kishte parë dramën Orët e Kremlinit, sa herë e kishte parë Prefektin e Besim Levonjës, sa herë e kishte parë Familjen e Peshkatarit të Sulejman Pitarkës ku do të luante rolin e Selim Brugës, sa herë e kishte parë filmin Kashej i Pavdekshëm, sa herë e kishte parë filmin kinez Vajza me flokë të thinjur, sa herë e kishte parë filmin Debatiku dhe sa shumë kishte ëndërruar të luante rolin e Colit, askush nuk do t’a kishte besuar. Pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1968, Reshat Arbana punoi 6 vjet në radiotelevizionin shqiptar fillimisht si redaktor i redaksisë së pionierit dhe të rinisë dhe më pas si redaktor i emisionit teatri në mikrofon. Ai u bë pjesë e trupës teatrale të teatrit popullor në vitin 1974 dhe roli i tij i parë do të ishte roli i Selim Brugës në dramën Familja e Peshkatarit. Ky rol do ta ndryshonte kryekëput fillin e jetës artistike të aktorit Reshat Arbana. Ai e konsideronte si një fat të rënë nga qielli të luante në skenë krah për krah me divat e teatrit shqiptar si Naim Frashëri, Kadri Roshi, Ndrek Luca, Robert Ndrenika, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Rikard Ljarja, Drita Pelingu, Besa Imami, Roza Anagnosti, Margarita Xhepa dhe të tjerë.
Sa netë pa gjumë kishte kaluar Reshat Arbana duke parë në stacionet televizive italiane me antena të improvizuara deri në orët e para të mëngjesit filma italianë, francezë, amerikanë, anglezë duke mësuar «sekretet» e zanatit prej aktorëve të shquar Zhan Gaben, Zherar Filip, Xhina Llobrixhida, Sofia Loren, Alen Delon, Zhan Maria Volente, Amadeo Nazari, Raf Valone, Renato Salvadore, Vittorio Gasman etj. Të mos harrojmë këtu që duhej të kishe «kockë të fortë» të interpretoje në skenë drama të Shekspirit, komedi të Molierit, drama të Ibsenit dhe të Bertold Brehtit. Reshat Arbana do të luante rolin e Pilo Shpiragut me motive nga romani Lumi i Vdekur i Jakov Xoxës, vepër, e cila u dënua dhe u hoq nga qarkullimi për gabime ideore.
Duke punuar me rolet dhe duke mësuar nga eksperienca e aktorëve të shquar që ai i shihte i mrekulluar si të ishin shenjtorë, Reshat Arbanës i dukej vetja si minator që punonte në minierë. Edhe miqtë e tij aktorë, ai i konsideronte gjithashtu si minatorë, të cilët punonin me norma të larta për muaj të tërë pa e parë dritën e diellit me sy vetëm dhe vetëm t’i dhuronin publikut dhe popullit mademe të çmuara(lexo – vepra dramatike me nivel të lartë cilësor) dhe të merrnin duatrokitje prej spektatorëve se pa duatrokitje aktori vdes. Reshat Arbana ka një galeri të pasur rolesh në teatër dhe në kinematografi, të cilat shquheshin për shkallën e lartë të interpretimit aktoresk, për zbërthimin e personazheve dhe për bagazhin e pasur të mjeteve shprehëse artistike. Përmendim këtu dramat dhe filmat : Babai(2019)Teatër. Ada(2013). Në kërkim të kujt(2009). Familja moderne(2008). Kaskadori shqiptar(1998). Vite të rëndësishme(1997). Jeta në duart e tjetrit(1991). Balada e Kurbinit(1990). Vetmi(1990). Flutura në kabinën time(1988). Rikonstruksioni(1988). Binarët(1987). Kur hapen dyert e jetës(1986). Hije që mbeten pas(1985). Të paftuarit(1985). Kush vdes në këmbë(1984). Shirat e vjeshtës(1984). Zambakët e bardhë(1984). Dora e ngrohtë(1983). Fundi i një gjakmarrjeje(1983). Gracka(1983). Kohë e largët(1983). Nëntori i dytë(1982). Shokët(1982). Gjurmë në kaltërsi(1981).Intendenti(1980). Liri a vdekje(1979). Nga mesi i errësirës(1978). Gjeneral gramafoni(1978). Kur hidheshin themelet(1978). Fije që priten(1976). Pylli i lirisë(1976). Tinguj lufte(1976). Kapedani(1972). Plagë të vjetra(1968). Duel i heshtur(1967). Komisari i dritës(1966).
MJESHTRIA E AKTORIT NË VËSHTRIMIN E RESHAT ARBANËS
Shtrojmë pyetjen : C’i thoshte vetes Reshat Arbana kur regjisori i jepte rolin e ri ? Reshat Arbana ishte i mendimit se nuk ka role të vogla dhe role të mëdha por ka aktorë të mirë dhe aktorë jo të mirë. Gjithçka varet se si punohet me tekstin, me personazhin, ç’farë të jep personazhi ty si aktor ? Që të dalë një personazh i mirë duhet të të kullojnë djersët çurg, duhet të zgjohesh dhe të ngrysesh me të, duhet të flasësh me personazhin sikur flet me një njeri të gjallë që e ke përballë teje, duhet t’i hysh në karakter, duhet t’ja dish anët e mira, po duhet t’ja mësosh edhe huqet që ka. Populli thotë që nuk ka njeri pa huqe. Në fund të fundit duhet të bëhesh kaq i afërt me personazhin që po krijon sa të ulesh në tavolinë, të bisedosh me të si me një mik të vjetër, të shkrihesh dhe të bëhesh një me personazhin tënd. Këtë princip ka patur gjithë jetën Kadri Roshi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Robert Ndrenika, Reshat Arbana dhe shumë aktorë të tjerë të shquar të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare.
Duhet ta duash dhe ta njohësh personazhin tënd deri në pejzat më të holla të shpirtit njerëzor. Por më i rëndësishëm është fakti se ç’farë i jep ti personazhit tënd. Shtrojmë pyetjen : Si i «vishte» dhe i «mbathte» Reshat Arbana personazhet e tij në teatër dhe në kinematografi ? Ai nuk ju bënte magji as në pëllëmbën e dorës, as në filxhanin e kafesë, as në eshtrat e zogjve, as në vendet e mira të bektashinjve. Po ama ai dinte t’i mbante personazhet e tij si në pëllëmbë të dorës. Ai nuk i vishte personazhet e tij me rrobat e Versaçes dhe të Armanit. Ai i vishte personazhet e tij sipas festes së tyre dhe ju a blinte rrobat te Gabi, te tregu çam apo te tregu kinez. Për të ishte i rëndësishëm fakti që personazhi i tij të ishte vetvetja, të ishte i vërtetë dhe i besueshëm në të gjithë arealin ku jetonte dhe punonte. Po si do t’i mbathte Reshat Arbana personazhet e tij ? Me këpucë firmato që kushtojnë sa rroga e katër vjetëve të një punëtori në Shqipëri ! Me një fjalë këto këpucë të shtrenjta nuk duhen vënë në etazher si këpucët e tjera të zakonshme por duhen vënë në kasafortë, duhen mirëmbajtur dhe duhen lyer me bojë.
Në Zvicër ka rreth 30 vjet që nuk ka më llustraxhinj. Për fat të mirë në Tiranë ka akoma llustraxhinj që lyejnë këpucët e afaristëve të huaj që banojnë nëpër grataçiela, a thua se në Shqipëri kanë plasur puset e naftës së Kuvajtit ! Në rast se një ditë në Tiranë nuk do të ketë më llustraxhinj, afaristët e huaj janë të lutur t’i kërkojnë taksistit që t’i çojë te Gabi që të blejnë këpucë. Gjithsesi të gjithë e dinë se llustraxhinjtë në Tiranë e kanë «selinë» e tyre para Pallatit të Kulturës. Faktet kanë treguar që Reshat Arbana megjithëse ka luajtur role të mëdha nuk i ka refuzuar asnjëherë rolet e vogla. Ai ka shkëlqyer edhe në rolet e vogla me timbrin e zërit të tij, me portretin e tij fotozhenik, me kollitjen e tij, me vështrimin ngulmues të tij, me mënyrën e të ecurit të tij, me mënyrën e të krehurit të flokëve të tij. Reshat Arbana ishte mjeshtër i psikologjisë njerëzore. Ai fillonte t’i studjonte rolet dhe personazhet e tij me vëmëndjen e një shkencëtari që është duke bërë një shpikje për të kuptuar nëse personazhi i tij kishte karakter të mirë apo ishte pa karakter, ishte njeri i ndershëm apo ishte njeri me shumë fytyra. Reshat Arbanës i mjaftonte ta shikonte një njeri në sy dhe të kuptonte menjëherë se ç’njeri ishte. Atij i mjaftonte t’i shtrëngonte dorën një njeriu kur e takonte në rrugë dhe të kuptonte se ç’brumë ishte. Atij i mjaftonte të dëgjonte për tre minuta një person që fliste dhjetëra fjalë në minutë dhe të kuptonte që ai nuk thoshte asgjë. Të gjithë gazetarët që e kanë intervistuar Reshat Arbanën në rrjedhën e viteve të thonë që ai i shpreh mendimet e tij burrërrisht dhe me pastërtinë më të madhe sa të «çarmatos» dhe të lë pa fjalë me sinqeritetin dhe vërtetësinë e mendimeve që artikulon. Fjalët e tij janë të drejtpërdrejta, të shkoqura dhe të kthjellëta sa herë herë të krijohet idea se je duke folur dhe intervistuar një copë qielli të kaltër pa asnjë re në horizont, i cili të «pushton» menjëherë me shpirtmadhësinë e tij. Reshat Arbana kur bisedon me njerëzit dhe me gazetarët nuk bën deklamacione teatrale dhe nuk e rreh gjoksin, anipse për 50 vjet me radhë, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për artin dhe kulturën shqiptare.
Reshat Arbana ka një meritë të madhe se i ka dhuruar publikut shqiptar të skenës dhe ekranit figura, role dhe personazhe të papërsëritshme, fati i madh i të cilëve është se ata janë aq të vërtetë, aq tokësorë dhe aq njerëzorë, sa mund t’i takosh çdo ditë në shtëpi, në punë, në jetën e përditshme. Shtrojmë pyetjen : Përse publiku i pëlqen rolet dhe personazhet që ka krijuar Reshat Arbana gjatë veprimtarisë së tij të gjatë aktoriale dhe artistike ? A ka ai ndonjë sekret, të cilin e mban si asin nën mëngë dhe nuk preferon që të na e tregojë ? Faktet tregojnë që një sekret i tillë nuk ekziston. Reshat Arbana nuk është i kufizuar brenda 28.748 kilometrave katrore të Shqipërisë londineze. Aktorin e përbotshëm të Kosovës, Bekim Fehmiun dhe Reshat Arbanën nuk i ka lidhur vetëm gjaku shqiptar njëri me tjetrin. Ata i ka lidhur më tepër pasioni, vrulli dhe dashuria për artin, për personazhet e tyre, të cilët i mëkonin, i rrisnin, i burrëronin dhe e ngrinin në këmbë me frymën dhe shpirtin e tyre. Bekim Fehmiu ka interpretuar rolin e Uliksit në filmin Odisea. Po a e dini se Penelopa, mbretëresha e Itakës është aktorja greke Irene Papas me origjinë arvanitase ? Kam lexuar diku një intervistë të aktorit gjirokastrit Timo Flloko, i cili kujton se Bekim Fehmiut i mbeti peng që nuk luajti një film për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Reshat Arbana në shumë intervista që ka dhënë e ka artikuluar qartazi dëshirën e tij të fshehtë dhe të zjarrtë për të interpretuar rolin e Uliksit, ëndërr, e cila do të mbetej në sirtar.
Reshat Arbanën e duan, e respektojnë dhe e konsiderojnë si një njeri të afërm të familjes të gjithë shqiptarët kudo që janë në Shqipëri, në Kosovë, në Shkup, në Tetovë, në Ulqin, në Kozenca, në Piana dei Albanesi, në Frascineto, në Janinë, në Prevezë. Pa harruar këtu shqiptarët e diasporës që ju mbushen sytë me lot kur aktori i madh Reshat Arbana reciton poezi patriotike. Ka shumë shqiptarë që i mbajnë mend edhe sot batutat e filmave të interpretuara nga Reshat Arbana. Ndoshta një ditë shqiptarët e disporës, fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tyre do t’i thërrasë gjaku dhe do të kthehen sërish për të populluar Shqipërinë e tyre që po çpopullohet dita ditës dhe të mos lejojnë që ky vend i bukur buzë Adriatikut dhe buzë Jonit që na e kanë lënë trashëgim të parët të popullohet me ugandezë, afganë, indianë, srilankezë, iranianë, kilianë, kinezë, indonezianë dhe bangladeshas. Kujtojmë këtu faktin që në vitin 1990 Shqipëria ka patur 3.5 milion banorë. 35 vjet më pas rezulton që rreth 1 milion qytetarë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Duke parë hapat galopante të largimit të qytetarëve shqiptarë nga Shqipëria kam mendimin që i takon parlamentit shqiptar të nxjerrë një ligj për të kontrolluar numrin e qytetarëve të huaj që jetojnë në Shqipëri me qëllim që të mos vihet në rrezik mazhoriteti i popullsisë shqiptare. Në Zvicër dhe në Itali shteti bën përpjekje të mëdha për popullimin e fshatrave të braktisura ku prej shumë vitesh nuk banon njeri. Shteti iu ofron të interesuarve të blejnë një shtëpi të braktisur me 1 euro dhe ju vë në dispozicion kredi të buta, bonuse favorizuese për punësim dhe për shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndoshta ka ardhur koha që të ngrihet një komision qeveritar për të bërë një hartë të fshatrave të braktisura në Shqipëri ku espertët e kësaj fushe të paraqesin propozimet përkatëse për ripopullimin e tyre.
Gjithsekush që ka jetuar para viteve 90-të në Shqipëri e mban mend mirë që kur mbaronte filmi artistik që çfaqej në kinema apo në ekranin e televizionit afishoheshin emrat e aktorëve, emri i regjisorit, i skenaristit, i kompozitorit, i drejtorit të fotografisë, i piktorit kostumograf, i grimierit, i operatorit, i kameramanit, i fonistit dhe lista vazhdon gjatë. Megjithatë për të respektuar punën e të gjithëve pas emrave të personave të lartpërmendur ekipi realizues nxirrte në ekran titrën : Në rolet episodike. Cdo rol që regjisorët i besonin Reshat Arbanës në teatër dhe në kinematografi, ai e konsideronte si një sfidë të re për karrierën e tij artistike dhe aktoriale. Makthi më i madh për Reshat Arbanën ishte një premtim që ai ia kishte bërë vetes dhe që nuk kishte mundur ta mbante. Ndërsa premtimet që ai ju ka bërë miqve dhe dashamirëve të tij, ai i ka mbajtur gjithmonë gjallë a vdekur. Ky arketip nuk ka se si të shpjegohet ndryshe veçse me karakterin e fortë të njeriut. Reshat Arbana rolin e ri e konsideronte si një mal që duhej kapërcyer, si një kështjellë që duhej «pushtuar» dhe mbrojtur me jetë. Në fund të betejës, Reshat Arbana do të ngjitej në bedenat e kështjellës jo me mantelin e triumfatorit por të mbajtësit të fjalës së dhënë dhe do të ngrinte flamurin e punës, të sakrificës dhe të fitores së tij.
Reshat Arbana bën pjesë në radhën e njerëzve optimistë për jetën që lufton për realizimin e ëndrrave të tij duke sakrifikuar edhe veten. Më lejoni të bëj një përshkrim imagjinar. Reshat Arbana shumë vite më parë kur punonte me rolet dhe personazhet e tij kishte krijuar një bejte me rimë të puthur në dialektin e Tiranës, të cilën e këndonte me vete sa herë do të fillonte punën për të krijuar një personazh të ri : O kështjella me murana/ka me t’rrëzu Reshat Arbana /. Një herë të vetme që nuk e kishte kënduar këtë bejte nuk i kishte ecur mirë me rolin. Që prej asaj here nuk e ndante më bejten nga vetja. Po vazhdojmë më tutje me një situatë tjetër imagjinare. A e dini se si e përfytyronte Reshat Arbana rolin e ri që i besonte regjisori në teatër apo në kinematografi ? Ai e përfytyronte rolin e ri si një mëz të egër që vrapon i lirë nëpër pyll dhe nuk pranon që t’i vërë njeri shalën. Po që ta kapësh mëzin e harbuar kërkohet durim dhe zgjuarsi që atij nuk i mungonin. Ai kishte po aq durim sa ç’kanë piktorët kinezë që bëjnë piktura në kokrrën e orizit. Reshati dilte në pyll pa zbardhur dita, i hidhte hapat me ngadalë sikur kishte veshur opinga me pupla zogjsh që të mos e trembte mëzin. Ai mblidhte me duart e veta majën e barit të njomë që e karashtiste me thela molle dhe karrota se e dinte që kuajve ua ka anda frutat. Ai e dinte që mëzi çdo mëngjes shkonte në një burim me ujë të pastër që të pinte ujë po ai nuk e cyste. Reshat Arbana e nuhaste me intuitën e tij prej venaliu që një ditë mëzi do t’i afrohej vetë fillimisht me hapa të pasigurtë dhe më pas do ta ulte qafën aq sa duhej që ai t’i vinte ngojëzën dhe më pas do ta ndiqte nga mbrapa si një manar. Në një tekst zoologjie, ai kishte lexuar se kali i ri që quhet mëz sapo lind ngrihet në këmbë dhe ja ther vrapit. Eshtë një fakt i njohur që gjuetarët nuk e vrasin kafshën kur është duke pirë ujë. Kjo duhet të jetë një bestytni shumë e vjetër, e cila ka ardhur deri në ditët tona që nga koha e largët e paganizmit dhe e panteizmit. Në disa krahina të Shqipërisë ekziston sentenca ose shprehja : as hasmi, as gjaksi nuk vritet me bukë në gojë ose as hasmi, as gjaksi nuk vritet duke pirë ujë.
Reshat Arbana është një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar si për spektatorët e teatrit, po ashtu për shikuesit e televizionit se ka 80 role në galerinë e tij. Duke vlerësuar biografinë që ka botuar publicisti Albert Zholi për Reshat Arbanën po citojmë një fragment të shkurtër të një interviste që ai i ka marrë aktorit të shquar : «…Artisti duhet të njohë dhjetëra zanate dhe kjo nuk është një gjë aq e thjeshtë. Duhet të dijë të kalërojë, të qëllojë me pushkë, të jetë mekanik, shofer kamioni, pilot, infermjer, mësues e shumë profesione të tjera. Duhet të jetë i gjithanshëm. Të ketë dhunti dhe durim për të mësuar kleçkat e çdo profesioni(Albert Zholi. Gazeta Telegraf. 17 mars 2025). Reshat Arbana flet nga eksperienca e tij personale, sipas së cilës atij dhe kolegëve të tij aktorë iu është dashur në shumë raste t’i xhirojnë filmat e tyre në situata të vështira dhe të rrezikshme për jetën si dhe në kushte atmosferike të rënduara si në filmin Duel i heshtur, Komisari i dritës, Malet me blerim mbuluar etj.
Reshat Arbana është aktor i teatrit dhe i kinematografisë. Ai nuk mund ta imagjinojë veten një Reshat Arbanë tjetër në teatër dhe një tjetër Reshat Arbanë në skenën e xhirimit të filmit. Ai ka bërë një aliazh të natyrshëm dhe organik dhe i ka shkrirë të dy Reshat Arbanat në një shpirt dhe në një zemër të vetme. A nuk i jepte dikur farkëtari formën që donte hekurit të skuqur në kudhrën e tij! Edhe aktori Reshat Arbana të njëjtin princip dhe rrugë ka ndjekur në jetë për shkak se ai ju ka dhënë dhe ju ka falur personazheve të tij zemrën, shpirtin, zërin, mimikën, profilin, portretin, karakterin, filozofinë dhe psikologjinë e tij. Ndoshta për dikë ky operacion ishte delikat dhe i komplikuar për t’u realizuar por për Reshat Arbanën ishte diçka e natyrshme dhe normale si buka që hamë për shkak se ai ka qenë gjithmonë vetvetja, e cila është përshfaqur nëpërmjet kredos së unit të tij. Shtrojmë pyetjen : A ka mundësi reale që një qënie njerëzore me zemër, me shpirt, me gjak dhe me eshtra ta realizojë këtë operacion pa precedent pa shqisën e gjashtë. Këtë shqisë psikologët e vendosin në një pjesë të trurit, e cila na ndihmon për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme duke na dhënë një zgjidhje të ndërmjetme, e cila anon midis arsyes, intuitës dhe ndjenjës. Kjo shqisë ndodhet në tru midis dy hemisferave dhe na vë në alarm sa herë që ndodhemi në rrezik.
80 PERSONAZHE VIJNË PËR T’I URUAR DITËLINDJEN BABAIT TË TYRE
RESHAT ARBANA
Dialog imagjinar
Ditën e 15 shtatorit të vitit 2025 nga paraditja deri vonë pasdite në rrugën që të shpie në shtëpinë e Arbanasve në Tiranë vërshuan lumenj me njerëz të moshave të ndryshme që t’i uronin aktorit të shquar shqiptar 85 vjetorin e ditëlindjes së tij. Aty nga buzëmbrëmja kur njerëzit në rrugë kishin filluar të fashiteshin, djali i tij Atridi hyn në oborrin e shtëpisë dhe zhvillon një dialog me babën e vet :
Atrid Arbana : Midis bllokut të pallateve mbrapa shtëpisë janë mbledhur shumë njerëz që po presin radhën që të vijnë të të urojnë ditëlindjen. Problemi është se ata janë shumë. Edhe gjashtë kate të kishte shtëpia jonë nuk do të kishte vend. Si mendon ti o bab’ ? Si do ta zgjidhim këtë problem ?
Reshat Arbana : Dëgjo bir. Në radhë të parë nuk është problem se ata njerëz vijnë në shtëpinë tonë për të na respektuar. Ti i njeh zakonet shqiptare se ke lindur dhe je rritur në këtë shtëpi. Mos më turpëro se burri një faqe ka. Ti e di që kur troket miku në derën e shtëpisë ne i themi : Mirë se erdhe. Ftoji miqtë që të vijnë dhe të presin në oborrin e shtëpisë sa të lirohet vendi në dhomën e pritjes. Ti e ke nigju at’llafin e vjetër t’tironcve. Kur janë zemrat e mira, ka vend për të gjithë.
Atrid Arbana: Kur shkova dhe i takova njerëzit te sheshi midis pallateve e pyeta njërin prej tyre sa veta janë dhe ai m’u përgjigj që janë rreth 80 burra që po presin sa të rrallohen vizitorët që të vijnë t’i urojnë ditëlindjen Reshat Arbanës. Më bëri përshtypje që kishte vetëm burra dhe asnjë grua. Një pjesë prej tyre ka hyrë në oborr dhe pjesa tjetër ka zënë vend në të dy anët e rrugës. Ju kërkova ndjesë që nuk kemi karrike për të gjithë por më thanë që nuk ka asnjë problem që të presin në këmbë. Sapo të hyjë në dhomën e pritjes një pjesë e miqve të bëjë urimet e rastit dhe të dalin në oborr do të hyjnë miqtë e tjerë që po presin jashtë.
Reshat Arbana : Urdhnoni mirëse keni ardh’. Zini vend ku të dëshironi të dashur miq. Urdhnoni nga një gotë raki që ma ka sjell një miku im prej Lundre. Më falni që nuk po ju njoh por po vrej që keni bërë rrugë të gjatë dhe vini nga larg. Unë kam miq shqiptarë në të katër anët e botës, po sigurisht që nuk i njoh të gjithë për fytyrë. Kanuni i Lekë Dukagjinit thotë që shpija e shqiptarit asht e zotit dhe e mikut. Mirëse ju ka pru zoti. Pa më thoni : Prej nga ju kemi ?
Personazhi : Kam shumë emocion dhe më janë shtuar ekzarsistulat e zemrës se pas shumë vjetësh po kthehem në shtëpinë tënde baba ?
Reshat Arbana : Më fal zotëri. Mati fjalët. Kujt i thua baba ti ? Si e ke emrin ? Unë nuk të njoh. Unë nuk të kam parë asnjëherë në jetën time. Ti më thua me kollajllikun më të madh që je djali im. Ja ku është djali im Atridi këtu pranë meje. Ja ku është vajza ime Anduela. Më keni thënë një fjalë shumë të rëndë para gjithë këtyre burrave dhe do të mbani përgjegjësi për këtë. Unë kam qenë gjithë jetën njeri i ndershëm. Po ta them si burri burrit : Nëse ke ardhur si mik, rri si mik.
Personazhi :Ju kërkoj ndjesë për keqkuptimin i dashur baba. Ne që kemi ardhur sot këtu të të urojmë 85 vjetorin e ditëlindjes nuk jemi fëmijët e tu biologjikë dhe keni shumë të drejtë të nervozoheni me mua. Eshtë plotësisht faji im që nuk u shpjegova qartë që në fillim kur u prezantova, por mendova për një çast se na njohe se cilët ishim. Ne jemi personazhet e tua që ti na ke krijuar me zemrën, shpirtin, zërin dhe artin tënd gjatë pesëdhjetë vjetëve dhe ne nuk të harrojmë se jemi «gjaku» jot. Ne jemi krenarë që jemi fëmijët e tu dhe gëzojmë respektin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë në Shqipëri dhe nëpër botë.
Reshat Arbana. Tani më qetësove mor djalë. Duhet ta kishe filluar këtë histori nga gërma e parë e alfabetit dhe jo nga gërma e fundit se më ngrive gjakun. C’farë nuk sheh dhe dëgjon nëpër lajme sot me artistë dhe politikanë të njohur. Pas 20 vjetësh del një djalë në televizionin amerikan dhe thotë : Unë jam djali jashtë martese i x aktori. Del një vajzë dhe shkruan në një gazetë italiane dhe thotë : unë jam vajza jashtë martese e y politikani. Del një princ në Belgjikë pas 40 vjetësh dhe njeh vajzën e tij të lindur jashtë martese. Këto janë gjëra që ndodhin sot në botë. Një pjesë e bëjnë për para, një pjesë e bëjnë që të tregojnë të vërtetën dhe të qetësojnë ndërgjegjen e tyre. Po unë e njoh mirë veten time. Im bir Atridi ishte habitur me të drejtë kur kishte parë 80 burra në shesh dhe asnjë grua. Unë nuk di të kem luajtur ndonjë rol gruaje as në teatër, as në kinematografi. Për këtë do t’ju kallxoj një histori të vjetër. Kur ka shkuar zvicerani Eugène Pittard për vizitë në Pogradec në shtator të vitit 1921(Lasgush Poradeci aso kohe ishte 23 vjeç dhe ndiqte shkollën e Arteve të Bukura në Bukuresht)grupi amator i qytetit kishte përgatitur një çfaqje teatrale të një autori shqiptar. Pothuajse të gjithë «aktorët» ishin burra me përjashtim të një gruaje. Për bela atë ditë gruaja kishte rënë në shtrat e sëmurë nga ethet dhe nuk vinte dot të luante rolin e saj në çfaqje. Vranë mëndjen «aktorët» një ditë të tërë por nuk gjetën një grua tjetër që ta zëvëndësonte. Më në fund dikujt i ra ndër mend një zgjidhje magjike. I thanë një shokut të tyre të vishej si grua me veshje popullore pe Mokre dhe kur të fliste ta hollonte zërin si femër. Filloi dhe mbaroi çfaqja dhe as spektatorët në sallë as Eugène Pittari me Helenën nuk e morën vesh që gruaja mokrare me shami në kokë dhe me furkë në dorë ishte një goxha burrë me barkun si fuçi vere. Të nesërmen në mëngjes, Eugène Pittari me miqtë e tij pogradecarë doli në liqen me varkë afër Piskupatit dhe vrau një rosë me çifte.
Personazhi : Baba Reshat. Meqenëse 40 personazhet e filmave që ke luajtur në Kinostudion Shqipëria e Re dhe 40 personazhet që ke luajtur në dramat e vëna në skenë në teatrin popullor në Tiranë më kanë zgjedhur mua si përfaqësues të tyre, për të cilin i falenderoj për besimin, dëshiroj t’ju uroj gëzuar ditëlindjen se ti na ka bërë kokën dhe na ke sjellë në jetë. Një baba me 80 djem, Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit duhet të jetë shumë krenar dhe duhet t’ju tregojë të interesuarve formulën se si bëhen çunat. Në këtë ditë jubilare dhe të paharruar të 85 vjetorit tënd ne të urojmë që të arrish edhe 185 stacione të tjera. Më lejo që t’i nis përshëndetjet nga miqtë e huaj. Sot në shtëpinë mikpritëse të Arbanasve për të uruar ditëlindjen tënde ka ardhur vetë Tybaldi i tragjedisë Romeo dhe Zhuljeta të Uilliam Shekspirit, Arturo Ui i Bertolt Brehtit, Presidenti i dramës Intrigë e dashuri të Fridrih Shilerit, Komisioneri i dramës Vdekja e një komisioneri të Artur Milerit etj. Me lejo të lexoj emrat e disa personazheve që sot kanë ardhur në shtëpinë tënde për të uruar ditëlindjen. Isa Boletini. Asim Qani, Gjergji, Profesori. Kuk Memini, Andri, Xhaxhai. Shoku Emil. Ali Morina. Kryetari i këshillit të fshatit. Adnan Kodra. Mark Ukacjerra. Dajlan beu. I dërguari i ministrisë. Pedagog Petriti. Ahmeti. Komandanti i xhandarmërisë. Gjenerali amerikan. Nikolla. Komandanti. Bimbashi. Zoti Ugolini. Prefekti. Beqir Aga. Sami Ameni. Xha Kovi. Mësues Naimi. Një nga të rinjtë e fshatit. Pacienti. Nikoll Mustaqeziu dhe të tjerë.
RESHAT ARBANA – MAGJISTAR I FJALËS POETIKE SHQIPE
Që nga viti 1963 kur luajti filmin e parë në Kinostudion Shqipëria e Re deri në vitin 1990 kishin rrjedhur shumë ujëra dhe Reshat Arbana me talentin, personalitetin, popullaritetin dhe madhështinë e tij ishte pagëzuar me të drejtë si një nga margaritarët e gjerdanit të artë të kulturës dhe të artit shqiptar. Zanafilla e lidhjes së Reshat Arbanës me fjalën poetike daton në fundin e viteve 80-të kur atij i ranë në duar një tufë me poezi të poetit tropojan Hamit Aliaj, të cilat atij i pëlqyen shumë dhe i recitoi me pathosin e tij karakteristik në një ambjent publik në Tiranë. Lidhja e dytë e Reshat Arbanës me recitimin e poezive – siç vijon të rrëfejë vetë artisti i shquar – ka të bëjë me Kosovën. Mbyllja e minatorëve në galeritë e minierës së Trepçës në vitin 1989 e tronditi Reshat Arbanën dhe një zë i brendshëm e shtyu drejt bibliotekës së tij të pasur ku mori në duar librin Mrizi i Zanave të Gjergj Fishtës. Recitimet e poezive të Gjergj Fishtës nga baca Reshat ia bënë zemrën mal dhe i frymëzuan minatorët e Trepçës që të mos tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Kujtojmë këtu faktin që kur Reshat Arbana do të interpretonte rolin e Isa Boletinit në filmin Nëntori i dytë të Viktor Gjikës, ai më së pari do të lexonte librin e Skënder Luarasit me titull «Isa Boletini» që ai e kishte botuar në shtëpinë botuese Naim Frashëri në vitin 1971. Po në vitin 1989, Reshat Arbana -siç rrëfen vetë aktori ynë i shquar-regjistroi në një kasetë manjetofoni 10 poezi të Gjergj Fishtës me zërin e tij të fuqishëm dhe i shpërndau ato nëpërmjet miqve të tij kosovarë në klubet e shqiptarëve në Zvicër, në Gjermani dhe në disa vende të tjera. Në vitin 2004, regjisori Mihal Luarasi, i besoi Reshat Arbanës rolin e Demos në dramën e Ruzhdi Pulahës «Streha e të harruarve», ndonëse Reshat Arbana kishte kohë që kishte dalë në pension. Në vitin 2017, regjisori Spiro Duni do t’i besonte Reshat Arbanës rolin e babait në dramën me titull «Babai» të dramaturgut francez Florian Zeller. Reshat Arbana në tre dhjetëvjeçarët që do të vijonin pas viteve 90-të do të bëhej i famshëm në Shqipëri, në Kosovë, në Tetovë, në Preshevë, në Camëri, në Kalabri dhe në diasporë me recitimet apo thënë më saktë me kushtrimet e tij të fuqishme që i ndizte zjarr zemrat e shqiptarëve duke recituar(do të na pëlqente të përdornim fjalën kushtruar) poezitë Hakërrimi dhe Maskarenjtë të Ali Asllanit, duke recituar-kushtruar poezitë e Mitrush Kutelit, duke recituar-kushtruar poezitë e Budyard Kipplingut, duke recituar -kushtruar poezinë O moj Shqipni të Pashko Vasës. Reshat Arbana i ngriti poezitë e Gjergj Fishtës në piedestalin më të lartë jo vetëm se ai ishte poeti i tij i zemrës, por sepse ai kishte një lidhje shpirtërore të vjetër me Fishtën. Reshat Arbanës i kujtohej fare mirë që në vitet 1954 -1955 kur ishte 14 -15 vjeç në dyqanin e babës së tij në Tiranë vinin shumë njerëz për të shitur libra të vjetër. Një ditë në dyqan erdhi dikush në kohë dreke për të shitur librat e At Gjergj Fishtës. Reshati për fat qëlloi aty dhe si djalë i ri u bë kureshtar dhe e fshehu në gji librin Mrizi i Zanave megjithëse emrin e autorit nuk e kishte dëgjuar asnjëherë. Po nuk thonë kot që fati është mbreti i botës. Kur mbërriti në shtëpi Reshati u struk në një qosh ku nuk e shihte njeri dhe filloi të lexojë vjershat e Fishtës. Ai i lexonte çdo ditë vjershat e tij dhe i dukej se ato vargje i hynin vetvetiu dhe krejt natyrshëm nëpër deje si dëbora e butë që mbulon me çarçafin e saj të bardhë faqet e maleve. Reshati do ta mbante librin Mrizi i Zanave për shumë vite me radhë nën nënkrejsen e tij si një hajmali të shenjtë, e cila do t’i sillte fat në jetë. Për çdo ditë djaloshi i apasionuar kuptonte një fjalë gege më shumë, disa vargje gege më shumë, disa strofa gege më shumë aq sa po fillonte ta kuptonte dialektin gegë çdo ditë dhe më tepër.
Derisa një ditë Reshati vendosi të mos i lexojë më vjershat e Gjergj Fishtës. E mbylli kapakun e librit Mrizi i Zanave, e fshehu në hatllat e shtëpisë dhe doli nëpër rrugët e Tiranës. Pasi bëri disa hapa në ajrin e pastër të mëngjesit dhe hodhi vështrimin nga mali i Dajtit, nga shtëpitë e vogla me tjegulla të kuqe të Tiranës së vjetër me hajate të veshura me dru, me kopshtije të mbjella me mëllaga, karafila, luleborë dhe trëndafila, Reshat Arbana papritur vuri re që nga buzët nisën t’i burojnë vargjet e vjershës së parë të librit Mrizi i Zanave : Shqypnija. Vargjet e vjershës së dytë : Gjuha Shqype. Vargjet e vjershës së tretë : Atdheut. Vargjet e vjershës së katërt : Shqypnija e lirë. Vargjet e vjershës së pestë : Hymni i flamurit kombtar. Vargjet e vjershës së gjashtë : Ditën e të shuevet. Vargjet e vjershës së shtatë : 28 nanduer 1913. Vargjet e vjershës së tetë : Nji gjamë desprimit dhe shumë e shumë vargje të tjera, të cilat po i rridhnin si ujvara nga buzët derisa mbërriti te vjersha e fundit e librit Mrizi i Zanave me titull: Zoja Shkodrës.
Reshati nuk po arrinte të kuptonte se ç’po ndodhte me të. Ai i bënte pyetje unit dhe subkoshiencës së tij : A janë vargje këto apo janë barut ? Këto janë fishekë, mitraloza, gjyle topash, depo armësh. Këto vargje janë të rreshtuara si një ushtri shqiptare e disiplinuar me 100 mijë ushtarë të armatosur deri në dhëmbë. Papritur Reshat Arbanës i erdhi në fije që i paskësh mësuar përmendësh vetvetiu të gjithë vjershat e librit të Gjergj Fishtës, Mrizi i Zanave. Atë çast e kuptoi që ato vargje drithëruese që të thërrsnin në luftë nuk i përkisnin vetëm atij. Ai e konsideroi si mision dhe si detyrë atdhetare që t’ia përcillte ato vargje të shenjta të gjithë shqiptarëve me zërin, zemrën dhe me shpirtin e tij. Zëri, portreti, figura dhe personaliteti i Reshat Arbanës si dhe i shumë artistëve të tjerë të skenës dhe të kinematografisë, përfshi këtu figura dhe personalite nga fusha të tjera të arsimit dhe të shkencës, të cilët kanë dhënë kontribute të vyera për atdheun, janë monumente që duhet të ruhen dhe të mbrohen me ligj nga shteti shqiptar. Eshtë një fakt i njohur që tironcit janë gegë, megjithatë nuk është e lehtë të abstragosh dhe të besosh që një tironc si Reshat Arbana t’i kushtrojë vjershat e Gjergj Fishtës me të njëjtin dialekt, pasion dhe forcë meditative sikur të jetë lindur dhe rritur në bjeshkët e ashpra dhe të larta të Dukagjinit. Tash e tutje sa herë që Reshat Arbana do të recitojë vargjet e Gjergj Fishtës të gdhendura në zemrat e bashkëatdhetarëve të tij si shkëmbinjtë e alpeve shqiptare do t’i krijohet iluzioni se ai po kushtron epin e majëkrahut me Gjergj Fishtën, bardin dhe rapsodin e maleve shqiptare, i cili qëndron stoik krah për krah me të dhe që të dy duken si dy bubullima të mëdha që po nisen në turne ndër shqiptarë ku do të kushtrojnë me të gjithë fuqinë e shpirtit të tyre vargjet lapidare të Mrizit të Zanave dhe të Lahutës së Malcis.
DY FJALË MIRËNJOHJEJE
Ka qenë viti 1996, njëzetenëntë vjet më parë kur kam trokitur në portën mikpritëse të Reshat Arbanës në Tiranë. Ndonëse kanë kaluar shumë vite duke qenë në emigracion unë nuk kam për ta harruar asnjëherë portën e asaj shtëpie dhe atë kafe turke që Afërdita, bashkëshortja me zemër të bardhë dhe gojëëmbël e artistit të shquar të teatrit dhe kinematografisë m’a dha me dorën e saj të shoqëruar me një gotë raki rrushi që e pimë dalëngadalë duke bërë muhabet me të zotin e shtëpisë. Edhe duke qenë larg, kam menduar gjithmonë për atë shtëpi që ka qenë gjithmonë e hapur për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Tetovës, të Preshevës, të Ulqinit, për arbëreshët e Italisë, për shqiptarët e Camërisë dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës. Unë e shoh Reshat Arbanën me sytë e mendjes me flokët e bardha si dëborë dhe me staturën e tij si një pishë e drejtë duke pedaluar si një djalë i ri me biçikletë rrugës për të shkuar në Arbanë se Afërdita, engjëlli i tij i dashur që është në qiell i ka thënë se sporti do t’ja forcojë zemrën. Porta e madhe e Reshat Arbanës në një lagje të vjetër të Tiranës është një portë që hap zemra dhe të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde. Shtëpia bujare e Reshat Arbanës në Tiranë shqiptarëve iu përngjan me një vend të shenjtë, iu përngjan me shtëpinë e Gonxhe Bojaxhiut, me shtëpinë e Nënë Terezës.


















