SAGA E NJË LETËRKËMBIMI TË MBRETËRESHËS GERALDINË
ZOGU – APPONYI ME ZVICERANIN MARTIN BODMER
NË VITIN 1949 NË GJENEVË
GERALDINË APPONYI – TRËNDAFILI I BARDHË I BUDAPESTIT
Në 23 prill 1949, mbretëresha Géraldine Zogu -Apponyi i dërgoi një letër Martin Bodmer-it(1899-1971), zëvëndëspresidentit të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq në Gjenevë. Në vitin 1947-1948, ai kishte ushtruar përkohësisht funksionin e presidentit të këtij institucioni humanitar ndërkombëtar. Sapo u njoh me letrën në fjalë, Martin Bodmer informoi presidentin e komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq Paul Ruegger-in(1897-1988) dhe i këshilloi bashkëpunëtorët e tij që çështjen e mbretëreshës Géraldinë ta trajtonin me urtësi dhe delikatesë duke patur parasysh një nënë të dhëmbshur që interesohej për fëmijët e saj që i kishte larg në Shqipëri.
Kontesha hungareze Géraldinë Apponyi(1915-2002) mbërriti në Tiranë në dhjetor të vitit 1937 ku ishte e ftuar në ballon e vitit të ri organizuar në 31 dhjetor në ditën e fundit të atij viti gjatë së cilës vallzoi me bashkëshortin e saj të ardhshëm mbretin Zog(1895-1961). Ata ishin njohur në Venecia disa muaj më parë. Mbreti Zog e shpalli fejesën me konteshën Géraldinë në 31 janar 1938. Katër muaj më pas, mbreti Zog i propozoi konteshës Géraldinë të kurorëzoheshin në martesë. Përkatësia e saj fetare katolike nuk shërbeu si handikap për të penguar lidhjen e tyre martesore. Papa Piu XI(1857-1939), e dha pëlqimin e tij për martesën e konteshës katolike Géraldinë Apponyi me mbretin Zog me kusht që të bëhej një martesë civile dhe fëmijët e dalë nga martesa të rriten sipas riteve të fesë së krishterë. Pas martesës në 27 prill të vitit 1938, në kohën kur po ndërtohej pallati mbretëror në Tiranë, mbreti Zog i kërkoi arkitektit italian që bri pallatit mbretëror të ndërtonte një kishëzë katolike private ku bashkëshortja e tij mbretëresha Géraldinë mund të kryente ritet e fesë katolike. Për shkak të largimit nga Shqipëria me mbretin Zog në vitin 1939, mbretëresha Géraldinë nuk mundi të bënte asnjë shërbesë fetare në atë kishë të fshehtë. A mos vallë mbreti Zog kishte lexuar diku në kronikat e vjetra se Ali pashë Tepelena(1740-1822), i bëri dhuratë gruas së tij Vasiliqisë(1789 -1834) kalanë e Porto Palermos dhe 300 metra larg saj ndërtoi për të një kishë private në të cilën bashkëshortja e tij mund të kryente ritet e fesë ortodokse ? Pallati mbretëror i mbretit Zog, i cili pas vitit 1945 u quajt pallati i brigadave dhe kishëza katolike e mbretëreshës Geraldinë përfunduan së ndërtuari në vitin 1941. Cifti mbretëror nuk fjeti asnjë natë të vetme në pallatin mbretëror, fat që e pati mbreti Viktor Emanueli i III-të i Italisë kur erdhi për vizitë në Shqipëri në vitin 1941. Në 17 maj të atij viti, 19 vjeçari Vasil Laci i bëri atentat mbretit të Italisë gjatë përfundimit të vizitës së tij në Tiranë. Sipas një interviste të arkitektit Artan Shkreli dhënë gazetarit Eljan Tanini në televizionin Report TV në maj 2025, princi Leka Zogu II me bashkëshorten e tij Elia Zaharia në 28 janar 2023, gati 80 vjet pas ndërtimit të pallatit mbretëror, pikërisht në këtë kishëzë katolike kanë bërë pagëzimin e vajzës së tyre me emrin Geraldinë, në kujtim të mbretëreshës Géraldinë. Në 30 janar 1938, mbreti Zog i paraqiti një kërkesë me shkrim kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota(1886-1947) për të marrë miratimin e tij në lidhje me ligjin e martesave me persona të huaj në përputhje me nenin 89 të kushtetutës së monarkisë shqiptare. Mediat ndërkombëtare që zbarkuan në Tiranë në fillim të vitit 1938 i vunë Géraldinës epitetin: Trëndafili i bardhë i Budapestit.
Kontesha 23 vjeçare Géraldinë u martua me mbretin Zog në 27 prill 1938 dhe u kurorëzua si mbretëreshë e Shqipërisë. Mbreti Zog i dhuroi bashkëshortes së tij Géraldinë një kurorë me diamante. Adolf Hitleri(1889-1945) i dhuroi për dasëm mbretit Zog një Mercedes Benz të kuq(Grosser) tetëcilindërsh i sapo dalë nga fabrika. Me këtë Mercedes Benz, i cili për shkak të rrethanave të luftës së dytë botërore herë herë do të shërbente edhe si hotel me dy a tre yje, mbreti Zog me bashkëshorten e tij Géraldinë do të udhëtonin nëpër rrugët e shumë qyteteve dhe kryeqyteteve europiane. Duke plotësuar dëshirën e bashkëshortes së tij Géraldinë, mbreti Zog ia dhuroi Mercedes benzin kryqit të kuq britanik. Në fillim të viteve 40-të qarkullonte një anekdotë sipas së cilës kur mbreti Zog ndodhej në Londër me mbretëreshën Géraldinë, ai kishte ofruar 10
milion paund për të blerë gazetën Times. Regjisori francez Frédéric Mitterrand(1947-2024), nipi i presidentit francez François Mitterrand(1916-1996), në vitin 2015, realizoi në televizionin francez një dokumentar me titullin : «Trëndafili i Tiranës», kushtuar mbretëreshës Géraldinë Zogu-Apponyi. Mbretëresha Géraldinë në atë periudhë të kronometruar kohore prej 12 muajsh që qëndroi në Shqipëri dha një ndihmesë të veçantë në emancipimin e femrës shqiptare. Kujtojmë këtu që në vitin 1936 mbreti Zog kishte nxjerrë një dekret, sipas të cilit ndalohej mbajtja e perçes për të mbuluar fytyrat e grave dhe të vajzave myslimane. Një vit më parë, gazeta The Jewish Chronicle e datës 12.7.1935, botonte një deklaratë të Fuat Asllanit(1897-1981), ministrit të jashtëm të Shqipërisë në të cilën, politikani shqiptar i ftonte hebrenjtë të vendoseshin në Shqipëri dhe të pajiseshin me pasaporta shqiptare në mënyrë që të kishin mundësi të investonin kapitalet e tyre në vend. Ai citoi faktin që qytetarët e Vlorës kishin zgjedhur me vullnetin e tyre një hebre në postin e nënkryetarit të bashkisë së qytetit. Mbretëresha Géraldinë që në ditët e para të mbretërimit të saj deklaroi që do të kujdesej për gratë dhe fëmijët e Shqipërisë. Ajo dha ndihmesë në ndërtimin e spitalit ushtarak, në ndërtimin dhe transmetimin e valëve të radio Tiranës, në ndërtimin e maternitetit të kryeqytetit, i cili sot mban emrin e saj Mbretëresha Géraldinë. Ajo i kushtoi një përkujdesje të veçantë kryqit të kuq shqiptar duke u bërë mishërimi i kësaj lëvizjeje humanitare ndërkombëtare në Shqipëri.
Në 25 mars 1939, Benito Musolini(1883-1945), i dërgoi mbretit Zog ultimatumin e fundit në mënyrë që ai të pranonte pushtimin e vendit, ultimatum, të cilin mbreti Zog nuk e pranoi. Në datën 5 prill 1939, mbretëresha Géraldinë lindi djalë, princin e ardhshëm Leka Zogu(1939-2011). Të shtënat e topave në pallatin mbretëror në Tiranë njoftuan popullin për lindjen e trashëgimtarit të fronit mbretëror. Dy ditë më pas, në 7 prill 1939 në ditët e pashkëve katolike, Benito Musolini nënshkroi urdhërin për pushtimin e Shqipërisë. Abaz Kupi(1892-1976) dhe Mujo Ulqinaku(1896-1939) në 7 prill 1939, së bashku me disa qytetarë patriotë durrsakë luftuan në Durrës me armë në dorë kundër pushtimit fashist ku Mujo Ulqinaku dhe disa luftëtarë të tjerë ranë dëshmorë. Mund të cilësohet një akt burrëror gjesti i deputetit të parlamentit shqiptar Mehdi Frashërit, i cili në orët e para të mëngjesit të datës 7 prill 1939 shkoi në radio Tirana dhe i bëri thirrje popullit që të rrokte armët kundër pushtuesit fashist. Mikja e madhe e Shqipërisë Edith Durhami(1863-1944), protestoi në rrugët e Londrës duke mbajtur në duar pankarta kundër pushtimit të Shqipërisë. Në mëngjesin e datës 8 prill 1939, mbreti Zog me mbretëreshën Géraldinë, princin Leka dhe shpurën e oborrtarëve të pallatit mbretëror nisi rrugën e gjatë të mërgimit duke qëndruar herë tranzit herë për një kohë më të gjatë në Greqi, në Turqi, në Rumani, në Poloni, në Norvegji, në Angli, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundmi në Francë. Për një periudhë 20 vjeçare që kur u zgjodh ministër i brendshëm i Shqipërisë në kabinetin e kryeministrit Sulejman Delvina në vitin 1920, që kur ushtroi postin e Kryeministrit të Shqipërisë(1922-1924), që kur u zgjodh President i Republikës Shqiptare(1925-1928), që kur u zgjodh Mbret i Shqipërisë(1928-1939), Ahmet Zogu u përpoq dhe ndërtoi themelet e shtetit të ri dhe të brishtë shqiptar si dhe institucionet e tij legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore duke u mbështetur dhe duke u bazuar në juridiksionin dhe kushtetutat e vendeve europiane. Në vitin 1946, mbreti Zog me mbretëreshën Géraldinë u vendosën në Egjipt ku qëndruan deri në shpërthimin e grushtit të shtetit në vitin 1952. Mbreti Zog kishte lidhje të ngushta me mbretin e Egjiptit, Faruk I(1920-1965), i cili ishte me origjinë shqiptare. Ai ishte pasardhës i dinastisë së Mehmet Ali pashës(1769-1849), i cili e qeverisi dhe e udhëhoqi Egjiptin nga viti 1805 deri në vitin 1848. Mehmet Ali pasha konsiderohet si themeluesi i Egjiptit modern.
MARTIN BODMER – ZVICERANI QË PUNOI 17 VJET PA PAGESË PËR KOMITETIN
NDËRKOMBËTAR TË KRYQIT TË KUQ
Në 23 prill 1949, mbretëresha Géraldine Zogu -Apponyi i dërgoi një letër Martin Bodmer-it(1899-1971), zëvëndëspresidentit të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq në Gjenevë. Në vitin 1947-1948, ai kishte ushtruar përkohësisht funksionin e presidentit të këtij institucioni humanitar ndërkombëtar. Sapo u njoh me letrën në fjalë, Martin Bodmer informoi presidentin e komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq Paul Ruegger-in(1897-1988) dhe i këshilloi bashkëpunëtorët e tij që çështjen e mbretëreshës Géraldinë ta trajtonin me urtësi dhe delikatesë duke patur parasysh një nënë të dhëmbshur që interesohej për fëmijët e saj që i kishte larg në Shqipëri. Martin Bodmer ishte njohur me Max Huber-in(1874-1960), presidentin e komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq që në shtator të vitit 1939. Ishte koha kur ai i propozoi Max Huber-it që të punonte pa pagesë për komitetin ndërkombëtar të kryqit të kuq në Gjenevë. Ai ishte anëtar i këtij institucioni humanitar ndërkombëtar që prej vitit 1940. Gjatë kohës së luftës së dytë botërore, Martin Bodmer i dërgoi 1 milion e gjysmë libra të burgosurve të luftës dhe krijoi shoqatën e ndihmës intelektuale për të burgosurit e luftës. Në vitin 1944, komiteti ndërkombëtar i kryqit të kuq u nderua me cmimin Nobël për paqe për kontributin dhe sakrificat që kishte bërë gjatë luftës së dytë botërore. Në shtator të vitit 1946, Martin Bodmer do të priste një mysafir të rrallë në vilën e tij në Cologny, ish kryeministrin britanik Winston Churchill(1874-1965), i cili një ditë më pas do të vizitonte agjencinë qëndrore të të burgosurve të luftës që ndodhej në Gjenevë, i shoqëruar nga Max Huber, ish presidenti i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq. Cituam pak më lart që mbretëresha Geraldinë Zogu-Apponyi në 23 prill 1949 i kishte dërguar një letër Martin Bodmer-it. Letra përmbante tre pika.
1. Statutet dhe rregulloret(nëse ekzistojnë) të kryqit të kuq shqiptar që nga themelimi në vitin 1923.
2. Dhe statutin e ndryshuar të kryqit të kuq shqiptar të viteve 1926 -1939.
3. Broshurat e botuara ku janë regjistruar statutet e kryqit të kuq të të gjithë vendeve të botës.
J.C.Watteville, funksionar i lartë i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq në datën 10 maj 1949 i dërgoi Martin Bodmer-it letrën e mëposhtme :
Do të donim të propozonim elementët e mëposhtëm për përgjigjen :
1. Statutet e kryqit të kuq ndërkombëtar, të cituara nga korrespondenti juaj, nuk përmbajnë asnjë tregues për krijimin e shoqërive të reja të kryqit të kuq.
2. Nuk kemi kopje të statuteve më të fundit të kryqit të kuq shqiptar. Teksti që kemi daton nga viti 1922 ; një kopje është e bashkangjitur.
3. Ju tërheqim vëmëndjen te teksti mbi kushtet që kërkohen për të njohur shoqërinë kombëtare të kryqit të kuq. Nga këto kushte del që, për t’u ngritur si duhet dhe për t’u njohur nga kryqi i kuq ndërkombëtar, një shoqëri e kryqit të kuq duhet të miratohet nga qeveria e saj dhe të kryejë veprimtarinë e saj në territorin e saj kombëtar.
1. Përdorimi i simbolit të kryqit të kuq u nënshtrohet rregullave shumë të sakta, përkatësisht :
a). Kushtet e përcaktuara në konventën e Gjenevës të vitit 1929, në veçanti neni 27.
b). Legjislacioni kombëtar i çdo vendi nënshkrues i Konventës, që parashikon ndëshkimin e çdo abuzimi të simbolit nga individët, siç saktësohet në nenin 27. Prandaj krijimi i një shoqërie që do të përdorte simbolin e kryqit të kuq në një vend të huaj duket krejtësisht i pamundur.
Martin Bodmer, i cili ushtronte funksionin e zëvëndëspresidentit të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq, e ndjente veten të prekur dhe të shqetësuar dhe nuk e zinte gjumi natën kur mendonte që mbretëresha e Shqipërisë Géraldinë Zogu-Apponyi në Aleksandri të Egjiptit një pjesë të zemrës së saj e kishte lënë në atdheun e saj të dytë në Shqipëri. Ai ngarkoi dhe i dha porosi Jean Duchosal-it, sekretarit të përgjithshëm të kryqit të kuq ndërkombëtar t’i përgjigjej letrës së mbretëreshës Géraldinë duke i paraqitur fakte dhe argumente të miratuara nga instancat më të larta të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq pa e prekur në sedër dhe duke mëtuar që t’i përgjigjej të gjitha kërkesave të saj, të cilat buronin nga dashuria e saj e përjetshme për Shqipërinë.
Megjithatë, unë që kam tashmë mbi 17 vjet që në vitin 2008 që kërkoj, gërmoj, shfletoj, lexoj, nënvizoj, reflektoj dhe studjoj në arkivat shqiptare dhe zvicerane çdo rresht, çdo artikull, çdo dokument, çdo referencë bibliografike, çdo studim, çdo reportazh, çdo fotografi të Eugène dhe Hélène Pittard e njohur me pseudonimin e saj Noëlle Roger ndihem pak i habitur nga propozimi i mbretëreshës Géraldinë për të krijuar kryqin e kuq shqiptar në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1949. Duke patur respektin dhe konsideratën më të thellë për figurën dhe personalitetin e mbretëreshës Géraldinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ajo ka dhënë për Shqipërinë e ndjej të nevojshme të bëj një parantezë të shkurtër. Ndoshta mund të ketë ndodhur që mbretëresha Géraldinë kishte harruar për një çast që kryqi i kuq shqiptar ishte krijuar 28 vjet më parë në Tiranë, në 4 tetor 1921, nga Prof Eugène Pittard(1867-1962), Konsulli i përgjithshëm i Nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë, ish rektori i Universitetit të Gjenevës, themeluesi dhe drejtori i muzeut etnografik të Gjenevës, i deleguari i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924 ! Ndoshta mund të ketë ndodhur që mbretëresha Géraldinë kishte harruar për një çast që bashkëshorti i saj i ardhshëm mbreti Zog në kohën që ushtronte funksionin e ministrit të brendshëm të Shqipërisë në vitin 1922, ishte zgjedhur president nderi i kryqit të kuq shqiptar ! Apo ndoshta ka qenë thjesht një ide e mbretëreshës Géraldinë që të rivalizonte kryqin e kuq shqiptar, i cili e ushtronte aktivitetin e tij të rregullt në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë duke krijuar një strukturë paralele në Aleksandri dhe duke grumbulluar rrotull saj ish ministrat e qeverive shqiptare të para luftës së dytë botërore, të cilët ndodheshin prej vitesh në mërgim ! Këto janë veçse disa hamendje dhe pyetje të thjeshta dashamirëse, të cilat autori i këtyre rradhëve do të kishte dashur t’ia bënte personalisht mbretëreshës Geraldinë gjatë një interviste në Tiranë, intervistë, e cila ka qenë e pamundur të realizohej qoftë për shkak të gjëndjes së saj shëndetësore, qoftë për shkak të periudhës së shkurtër që mbretëresha Géraldinë qëndroi në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë në vitin 2002. Vorbulla e jetës u vërtit në mënyrë të atillë që kjo intervistë kaq shumë e ëndërruar dhe e dëshiruar të mbetej një ëndërr në sirtar e autorit të këtyre rradhëve. 22 vjet më pas, në 1 shkurt 2022 në bulevardin Zogu i I në Tiranë është përuruar dhe vendosur statuja e mbretëreshës dhe nënës Géraldinë, vepër e skulptorit hungarez Sardor Kligl.
Le të kthehemi përsëri në letrën në fjalë. Në 9 qershor 1949, sekretari i përgjithshëm i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq J.C.Duchosal i dërgoi një letër komitetit qëndror të kryqit të kuq shqiptar në Tiranë. Po citojmë një fragment të shkurtër nga kjo korrespondencë : «Do t’ju luteshim të na dërgonit një ose dy kopje të statuteve të kryqit të kuq shqiptar…Nënkuptohet se, nëse statutet tuaja nuk janë ndryshuar që nga viti 1922, nuk është e nevojshme të na i dërgoni». J.C.Duchosal nuk i bëri me dije komitetit qëndror të kryqit të kuq në Tiranë se këto dokumente i kishte kërkuar mbretëresha Géraldinë Zogu – Apponyi. Ky kujdes i posaçëm i Komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq në Gjenevë për mbrojtjen e privatësisë së personave dhe të partnerëve me të cilët ky institucion kishte marrëdhënie të ndërsjellta bashkëpunimi bënte pjesë në rregullat e arta të institucioneve të tilla humanitare ndërkombëtare. Martin Bodmer punoi pa pagesë si zëvëndëspresident i komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq për 17 vjet me rradhë nga viti 1947 deri në vitin 1964. Letra e Jean Duchosal-it mbërriti në zyrën e Qamil Celës(1896-1988), kryetarit të kryqit të kuq shqiptar në Tiranë. Ky i fundit në 30 gusht 1949, i dërgoi sekretarit të përgjithshëm të komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq në Gjenevë dy kopje të statutit të kryqit të kuq shqiptar. Në vitin 1920, Qamil Cela punoi në ministrinë e brendshme në Tiranë që drejtohej nga Ahmet Zogu. Në vitin 1924, ai ishte sekretar personal i kryeministrit të Shqipërisë, Fan Nolit(1882 -1965). Në fundin e viteve 30’ kur banonte në Lion dhe nxirrte gazetën Sazani, Qamil Cela do të bashkëpunonte me Justin Godart-in dhe Marsel Kashen-in dhe me miq të tjerë të Shqipërisë. Ai dha një ndihmesë të veçantë në dërgimin e luftëtarëve shqiptarë në luftën e Spanjës. Qamil Cela u kthye në Shqipëri në vitin 1945. Në vitet 1946 -1950, ai ushtroi funksionin e kryetarit të kryqit të kuq shqiptar, ndërsa në vitet 1951-1957, ushtroi detyrën e drejtorit të bibliotekës së Elbasanit.
MARTIN BODMER MUND TË SHKRINTE AKULLNAJËN E DIABLERET- IT
NË ZVICËR PËR TË GJETUR NJË DORËSHKRIM TË RRALLË TË SHEKULLIT TË XI-TË
Martin Bodmer ishte koleksionisti më i famshëm i dorëshkrimeve dhe librave antikuarë në Zvicër. Librin e parë antikuar ai e kishte blerë me kursimet e tij kur ishte 15 vjeç. Ai filloi të mendojë të krijojë bibliotekën e tij universale që në vitin 1919. Në vitin 1921, Martin Bodmer krijoi çmimin Gottfried Keller për të vlerësuar veprat e autorëve më të mirë zviceranë. Martin Bodmer deri në fillim të viteve 40’ banoi në Freienfeld në afërsi të Zyrihut. Që në atë kohë binte në sy që vila e tyre familjare ishte e superpopulluar me libra antikuarë dhe me objekte arkeologjike. Në vitin 1927, Martin Bodmer u martua me Alice Naville(1906-1982), me të cilën pati 4 fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Në vitin 1928, Martin Bodmer bleu biblën e Gutembergut me 42 rreshta, versionin e parë të shtypur të biblës në botë, të cilën revolucioni bolshevik ia kishte grabitur familjes perandorake të carëve të Rusisë në vitin 1917. Në vitin 1930, ai boton në Zyrih revistën Corona(1930-1943). Në vitin 1939, biblioteka e tij numëronte 60.000 volume. Në fillim të viteve 40’, Martin Bodmer e hodhi spirancën në fshatin piktoresk Cologny buzë liqenit Leman në afërsi të Gjenevës ku pasi bleu një sipërfaqe të madhe toke ndërtoi shtëpinë e tij, e cila disa vite më pas do të pagëzohej me emrin biblioteka Bodmeriana. Në vitin 1949, Martin Bodmer kreu një operacion special dhe delikat në qytetin e tij të lindjes në Zyrih larg syve të njerëzve kureshtarë, të cilët me dije apo me padije mund t’i dëmtonin dhe t’i shkatërronin sakrificën më të madhe të jetës së tij : koleksionin e librave antikuarë. Martin Bodmer e kishte «fshehur» thesarin e tij antikuar në një shkollë të vjetër fillore të braktisur në periferi të qytetit të Zyrihut, shkollë të cilën e kishte marrë me qera. Ai vuante nga një «sëmundje e pashërueshme», e cila lidhej me pasionin e tij të paoksidueshëm për koleksionet e rralla dhe librat e vjetër antikuarë. Në 6 tetor 1951, Martin Bodmer përuroi në vilën e tij në Cologny bibliotekën Bodmeriana, e cila ruante në gjirin e saj një thesar prej 150.000 dokumentesh nga 120 gjuhë të botës, objekte arkeologjike, 200 dorëshkrime nga vende të ndryshme perëndimore, 100 dorëshkrime të popujve të lindjes, 2000 autografë. Martin Bodmer ruante me fanatizëm 1800 fletë papirusi të zbuluara në Egjipt, të cilat i emërtoi Papyri Bodmer. Ai kishte në bibliotekën e tij botime të Virgjilit, librin e të vdekurve të gjetur në Egjipt, dorëshkrimin origjinal të komedisë Dyskolos të poetit athinjot Ménandre, poemat Trëndafilishtja dhe Pemishtja dhe Gjylistani dhe Bostani të Saad-iut, veprat e Thomas Akuin-it, 48 botimet e para të Gutembergut, botimet e para të Shekspirit, tre dorëshkrime origjinale të komedisë hyjnore të Dantes, partitura origjinale të Mozart-it dhe të Bethoven-it, dorëshkrime të Njuton-it, botimet e para të Faustit të Gëtes(Kur Napoleon Bonaparti e takoi Gëten në Jena në vitin 1806 dhe e nderoi me kryqin e legjionit të nderit i tha që romanin e tij me titull : Vuajtjet e djaloshit Verter e kishte lexuar shtatë herë), botime të Madame Bovari të Flober-it, botime të Tomas Man-it, botime të Prustit, botimet e përrallave të vëllezërve Grim, botime të Borgesit etj. Libri më i vogël që ruante biblioteka Bodmer në Cologny ishte 4,5 mm dhe peshonte 1 gram. Libri më i rëndë peshonte 30 kg dhe ishte 1 metër i lartë.
Tradita e bibliofilisë dhe e dorëshkrimeve antikuare në Zvicër e ka zanafillën e saj që në fillimet e mesjetës së hershme për faktin e thjeshtë se zviceranët historikisht nuk janë treguar asnjëherë gobsekë kur bëhej fjalë për të ruajtur pasuritë shpirtërore dhe materiale të vendit të tyre. Përfytyroni vetëm faktin që arkivat zvicerane kanë ruajtur të paprekur dokumentin origjinal të krijimit të Konfederatës Zvicerane të vitit 1291. Eshtë pak a shumë e njëjta analogji sikur priftërinjtë arbërorë në mesjetë të kishin fshehur në mesin e librave të shenjtë apo në regjistrat kishtarë tekstin origjinal dhe dokumentin e mbajtur në gjuhën shqipe në kuvendin e besëlidhjes së Lezhës të thirrur nga Gjergj Kastriot Skënderbeu në vitin 1444. Për të trashëguar ne pasardhësit e arbërorëve sot më tepër tekste origjinale në gjuhën shqipe të shkruara në kohën e mesjetës së hershme, Shqipëria nuk duhej të ishte ndarë me përdhunë nga Europa e vjetër, nuk duhej të kishte vuajtur pesë shekuj nën sundimin osman, i cili e dënoi, e përndoqi dhe u përpoq ta zhdukte gjuhën e bekuar shqipe me dekrete sulltanësh dhe me hanxharë jeniçerësh, siç nuk ka ndodhur me asnjë gjuhë tjetër në botë. Megjithatë, në atë periudhë të errët historike dhe më pas në rrjedhën e shekujve ishte një fat i madh për Shqipërinë që nxorri nga gjiri i saj Pal Engjëj, Gjon Buzukë, Marin Barletë, Pjetër Bogdanë, Frang Bardhë, Marin Beçikemë, Sami dhe Naim Frashërlinj, Konstantin Kristoforidhë, Dora D’Istria, De Radë, Zef Skironj, Faik Konicë, Gjergj Fishtë, Aleksandër Moisinj, Cajupë, Fan Nolë, Midhat Frashër, Shtjefën Gjeçovë, Nënë Tereza, Eqerem Cabej, Aleksandër Xhuvanë … Bibliofili dhe koleksionisti par excellence Martin Bodmer ishte i gatshëm të shkrinte akullnajën e Diableret-it në Zvicër nëse bëhej fjalë që të shpëtonte një dorëshkrim incunable të shekullit të XI-të apo të shpëtonte bibliotekën e një manastiri mesjetar, e cila ndodhej në 3000 metra lartësi në alpet zvicerane. Nëse një çështje të caktuar, e cila kishte të bënte me mbrojtjen e kulturës kombëtare helvetike nuk arrinte që ta zgjidhte vetë, Martin Bodmer nuk përtonte t’i kërkonte ndihmë të shtatë anëtarëve të këshillit federal të Zvicrës, të cilët tregoheshin të gatshëm të qëndronin netë të tëra pa gjumë për të përmbushur detyrën e tyre para kombit derisa në oxhakun e pallatit federal në Bernë të dilte tymi i bardhë. Pasurinë e arkivave dhe të bibliotekave të tyre zviceranët e kanë mbrojtur gjithmonë me besnikërinë më të lartë, pa rrahur gjoksin, pa zhurmë dhe pa bujë me çmimin e jetës së tyre se në fund të fundit po ruajnë, po mbrojnë, po trashëgojnë, po pasurojnë dhe po përtërijnë kujtimin e të parëve të tyre, regëtimat e zemrave të tyre, fisnikërinë e shpirtit të helvetëve të lashtë të materializuar dhe të derdhur në gërma, në dorëshkrime të vjetra dhe në libra antikuarë. Nuk janë të paktë në rrjedhën e shekujve mecenatët dhe filantropët gjenevas dhe zviceranë, të cilët ia kanë dhuruar pasurinë e tyre marramendëse qytetit të tyre të lindjes pa kërkuar asgjë në shkëmbim.
Askush tjetër më mirë se bibliofili dhe koleksionisti i famshëm Martin Bodmer nuk mund ta imagjinonte dhe ta kuptonte vlerën e paçmueshme historike, letrare, shkencore dhe dokumentare të koleksionit të librave antikuarë, të veprave të artit dhe të dorëshkrimeve të rralla dhe të objekteve arkeologjike, të cilat ai kishte mbledhur për gjysmë shekulli me radhë si një bletë punëtore ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti. Specialistët e apikulturës tregojnë si kuriozitet që një bletë duhet të pjalmojë 800 lule për të prodhuar 1 kg mjaltë. Po një shkrimtari sa vite punë i duhen që të lërë të paktën një vepër letrare që të mbahet mend dhe të kujtohet nga brezat e ardhshëm ? Në vitet 40’ kur Martin Bodmer me familjen e tij u vendos në Cologny, atij i lindi idea të krijonte një bibliotekë universale, e cila sot konsiderohet si një nga bibliotekat private më të mëdha në botë. Fondacioni Martin Bodmer zotëron sot 270 incunable( shkrime të periudhës 1454-1500). Martin Bodmer krijoi Pentagonin e tij poetik dhe e klasifikoi bibliotekën dhe letërsinë universale në pesë epoka kryesore, të cilat i emërtoi sipas periudhave historike të mëposhtme : 1. Homeri. 2. Bibla. 3. Dante. 4. Shekspiri. 5. Gëte. Ai e kishte të qartë që me këtë klasifikim subjektiv dhe vetanak që ai kishte hartuar në bibliotekën e tij në Cologny do të korrte furtunë dhe do të krijonte armiq dhe kundërshtarë. Megjithatë, ai si bibliofil erudit, si njeri i kulturës dhe si Gutembergas nuk pranoi të bënte korigjime dhe i qëndroi besnik deri në fund deduksionit të tij. Në vitin 1949, Universiteti i Frankfurtit e nderoi Martin Bodmer-in me titullin Honoris Causa. Universiteti i Gjenevës e nderoi me të njëjtin titull në vitin 1958 dhe Universiteti i Bernës e nderoi me titullin Honoris Causa në vitin 1967. Pas përurimit të bibliotekës Bodmeriane në 6 tetor 1951, Martin Bodmer ia besoi Odile Bongard-it, sekretares së tij personale në komitetin ndërkombëtar të kryqit të kuq, e cila kishte qenë bashkëpunëtorja e tij shkencore për 30 vjet me rradhë, administrimin, kurimin dhe restaurimin e 150.000 dokumenteve të thesarit të tij antikuar. Ka qenë pikërisht ky momenti kur Martin Bodmer së bashku me disa miq të tij, Victor Martin-in, Michel Testuz-in dhe Rodolphe Kasser-in filloi të botojë papiruset e rralla egjiptiane, të cilat i ruante në bibliotekën e tij. Nga viti 1954 deri në vitin 1969, ai botoi 26 volume me papiruse. Në vitin 1969 me rastin e vizitës së atit të shenjtë, papa Paul VI në Gjenevë, Martin Bodmer i dhuroi një përmbledhje, e cila përmbante dy letra të apostullit Shën Pierre, një nga dishepujt e Jezusit të Nazaretit dhe papa i parë i kishës katolike. Martin Bodmer vdiq në Cologny në 22 mars 1971 duke lënë një vend të zbrazët dhe të pazëvëndësueshëm si në familjen e tij po ashtu në rrethet kulturore dhe intelektuale të Gjenevës, të Lozanës, të Zyrihut, të atdheut të tij Zvicrës dhe përgjithësisht në shoqatat e koleksionistëve dhe të bibliofilëve në të gjithë botën. Martin Bodmer nuk ishte mbret i Zvicrës se Zvicra nuk është mbretëri dhe nuk ka mbret. Megjithatë, ai me djersën dhe punën e tij gjysmëshekullore, me mëndjen e tij diturake, e cila ishte e aftë të thithte sumumin e të gjitha kulturave të lashta botërore, arriti të krijojë një mbretëri, mbretërinë e pergamenave, të papiruseve mijëvjeçare dhe të librave të lashtë dhe të rrallë antikuarë, e cila e kishte prejardhjen nga Greqia dhe Roma antike, nga Egjipti dhe Siria, nga Kina dhe Japonia, nga Zvicra, Danimarka, Suedia, Franca, Anglia dhe Gjermania e mesjetës dhe e rilindjes europiane dhe nga shumë vende të tjera me kultura dhe civilizime të lashta dhe autoktone. Martin Bodmer me kapacitetin e lartë intelektual, me sakrificat e pafundme që ka bërë, me dashurinë e pamatshme që ka derdhur për dijen dhe kulturat e lashta, me punën e mundimshme që ka bërë duke ngjitur në majë të malit me forcën e krahëve të tij gurin e Sizifit, arriti t’ia heqë pluhurin e shekujve pasurive më të mëdha të njerëzimit. Gjeografia e dorëshkrimeve dhe e koleksioneve të rralla antikuare që ka mbledhur Martin Bodmer në Gjenevë është aq e gjerë, e larmishme dhe e shumëllojshme sa askush nuk mund të pretendojë që disa thesare janë të nënës dhe disa të tjerë janë të njerkës. Kjo pasuri e pallogaritshme e njerëzimit mund të krahasohet me galaktikën dhe me yjet që vezullojnë në hapësirën qiellore. Tri javë para se të ikte nga kjo botë, Martin Bodmer ia la me testament fondacionit Martin Bodmer të 150.000 dokumentet dhe të gjithë thesarin e tij antikuar, i cili përfshinte 3000 vjet civilizim të popujve dhe vendeve të ndryshme të botës. Në vitin 1998, fondacioni Bodmer i dorëzoi Sotheby’s në Nju Jork për shitje në ankand një vizatim të Mikelanxhelos, i cili paraqiste një episod biblik, Jezusin duke fjalosur në pusin e Jakobit me një shenjtore me emrin Fotine(Photine) nga Samaritania e Izraelit dhe e Palestinës.
Papritur një pyetje më ngulet në tru, të cilën e kam të pamundur ta shkul nga mendja. Mos vallë në bibliotekën e Martin Bodmer-it në Cologny si dhe në koleksionin e librave të tij antikuarë fle qetësisht që prej katër-pesë shekujsh ndonjë pergamen a ndonjë dorëshkrim i shkruar në shqipen e vjetër të Pal Engjëllit, të Gjon Buzukut, të Pjetër Bogdanit, të Pjetër Budit, të Marin Beçikemit apo të Frang Bardhit ? Në këtë hulli nuk kam se si të mos kujtoj mikun tim të vyer, gjuhëtarin e shquar, enciklopedistin me njëqind biblioteka mbi supe Prof. Dr. Xhevat Lloshin, i cili në një artikull të datës 16.12.2024 të botuar në gazetën Dita shkruan : «… Qysh nga Buzuku më 1555 e deri në fillimet e shekullit XIX libra shqip, domethënë në gjuhën shqipe dhe jo libra në të cilët përfshihej diçka prej saj, kanë qenë shtypur gjithsej dhjetë, vetëm dhjetë për pothuaj tre shekuj. Besoj se në këto rrethana është e kuptueshme, që do të përbënte një vlerë më vete çdo libër tjetër shqip që do t’i shtohej kësaj shifre sa gishtat e duarve…». Kam kaluar orë, ditë, javë, muaj dhe vite duke kërkuar, gërmuar dhe lëçitur jo duke qërruar sytë në dritën e qirinjve si Faik Konica dhe Fan Noli me shokë por në dritën e diellit dhe në abazhurin e netëve të gjata të ndriçuara nga vezullimi i hënës dorëshkrimet dhe librat e bibliotekave dhe të arkivave të Tiranës, të Shkodrës, të Gjenevës, të Lozanës, të Bernës, të Zyrihut si dhe pergamenat dhe librat antikuarë të bibliotekës Martin Bodmer në Cologny duke ëndërruar dhe shpresuar që një ditë mund të bie në gjurmë të një libri incunable, të një letre a të disa rreshtave a të një pergameni të shkruar me bukurshkrim me shqipen e vjetër të Pal Engjëllit dhe të Gjon Buzukut dhe të shqiptoj një lutje me zë të ulët si ata murgjërit e përgjëruar dhe të përulur të Arbërisë së vjetër : Hapu Sezam.
Mbretëresha e Shqipërisë Géraldinë Zogu Apponyi dhe Martin Bodmer nuk janë takuar asnjëherë njëri me tjetrin dhe kanë komunikuar midis tyre vetëm nëpërmjet letërkëmbimit. Kjo korrespondencë është zhvilluar në vitin 1949 kur mbretëresha Géraldinë dhe mbreti Zog ndodheshin në Egjipt. Mbretëresha Géraldine i kaloi 63 vjet të jetës së saj në mërgim. Ajo shkruante dhe fliste rrjedhshëm shqip pa harruar faktin që njihte një shumësi gjuhësh të huaja dhe ishte poliglote. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj Ahmet Zogut në Paris në vitin 1961, Geraldina Zogu – Apponyi e njohur botërisht me statusin e mbretëreshës së Shqipërisë ndihej krenare kur shqiptarët e saj nisën ta thërrasin Nëna mbretëreshë. Mbretëresha Géraldinë do të jetonte edhe 41 vjet të tjera në mërgim me djalin e saj Leka Zogun dhe familjen e tij. Parlamenti shqiptar në vitin 2002 e ftoi Mbretëreshën Géraldinë të kthehej në atdheun e saj të dytë, në Shqipëri. Kjo zonjë e randë dhe fisnike mbërriti në Shqipëri në korrik të po atij viti. Në 22 tetor të vitit 2002, mbretëresha Géraldine Zogu – Apponyi u fik në Tiranë, si një qiri i përvuajtur për Shqipërinë.
Marrë nga gazeta zvicerane infomeduse e datës 30 prill 2025.