KUDRET  ISAJ: ZVICERANI EUGENE PITTARD, FOTOGRAFON AT  SHTJEFËN GJECOVIN ME 1921,NË MITINGUN E VLORËS

ZVICERANI EUGENE PITTARD NË 3 SHTATOR 1921  FOTOGRAFON  AT  SHTJEFËN GJECOVIN NË MITINGUN E VLORËS

 

Fotografia e mësipërme është shkrepur në ballkonin e Bashkisë së Vlorës në datën 3 shtator 1921 në përvjetorin e parë të çlirimit të Vlorës nga ushtria italiane. Në këtë fotografi shquhet Eugene Pittard me bashkëshorten e tij Helenë së bashku me autoritetet më të larta qeveritare lokale të vendit. Fotografinë në fjalë nuk e ka bërë Eugène Pittard për faktin e thjeshtë se ai atë çast ndodhej në tribunën e Bashkisë së Vlorës bashkë me Helenën. Antropologu zviceran nga Gjeneva e ka memorizuar këtë moment historik disa çaste më vonë në një fotografi tjetër të shkrepur në ballkonin e Bashkisë së Vlorës, në të cilën ai ka fiksuar një  pamje të mitingut popullor në Vlorë, në të cilin morën pjesë rreth 10.000 vetë. Në këtë fotografi shquhen qindra njerëz, qytetarë dhe fshatarë si dhe dhjetëra  vajza të vogla të veshura me fustane të bardha  me buqeta me lule në duar për t’ja dhuruar xhaxhi Eugene Pittard-it dhe teta Helenës. Unë që i kam kaluar me qindra herë nëpër duar në Gjenevë fotografitë që Eugène Pittard ka bërë në Shqipëri në vitin 1921 dhe 1924 e di shumë mirë që  Eugène Pittard-it nuk i vinte shumë për hosh të memorizonte me aparatin e tij fotografik as portretet e pushtetarëve të lartë të qeverisë shqiptare, as portretet  e deputetëve të parlamentit, megjithëse shumë prej tyre, ai i kishte miq, madje i kishte ftuar për darkë në shtëpinë e tij në Gjenevë. Dua të dal tek idea që Eugène Pittard ka dashur të perceptojë dhe të memorizojë në fokusin e aparatit të tij fotografik entuziazmin dhe gëzimin  e popullit të Vlorës për çlirimin e qytetit nga trupat italiane. Për të shkruar këtë artikull më kanë ardhur në ndihmë revista Agimi në Shkodër dhe gazeta Posta e Korçës në Korçë botuar në vjeshtën e vitit 1921. Pikërisht ato gazeta më kanë shpëtuar dhe më kanë nxjerrë nga kjo situatë për verifikimin e saktë të disa figurave historike dhe për këtë ju a di për nder gazetarëve  të asaj kohe. Po të shfletojmë sot faqet e gazetave të para Luftës së Dytë Botërore që dilnin në Shqipëri do të zbulojmë shumë fjalë të bukura shqipe, të cilat sot janë harruar dhe anashkaluar, ose duken të «vjetëruara» dhe gjuhëtarët i kanë mbyllur me dryn që t’i ngujojnë  përgjithmonë në sepetet e kyçura të kujtesës.

 

Një falenderim i veçantë për verifikimin e portretit të At Shtjefën Gjeçovit  në foton që ka bërë Eugène Pittard në mitingun popullor të 3 shtatorit 1921 në Vlorë i takon studjuesit enciklopedist të historisë së fotografisë shqiptare zotit Qerim Vrioni,   studjuesit dhe shkrimtarit Prof. Dr.  Bardhosh Gaçe  dhe Prof. Dr. Zaho Golemi.

 

KRONIKË E SHTYPIT SHQIPTAR E  VITIT 1921

 

«Mbas të grishunit të Përlimtares së Vlonës, banda e Shoqnis «Vllaznija» për me kremtue bashkarisht ditën 3 shtatuer, ditën e bashkimit të Vlonës me Qeverin Komtare u nis me 1 shtatuer prej Shkodre e n’e nesre mërriti në Vlonë…Njinatë përpara kishte ardhë për të vizitue Vlonën, Albanofili i përmendun prej Sviceres Z. e tij Prof Eugene Pittard(shok nderi i Shoqnis s’onë)me gjith Zojen e vet, të cillët Përlimtarja me 2 shtatuer para dite i grishi në The…N’orën 11 p. dreke Zoja e Zotni Pittard mrrijtën me automobil ndërmjet të joneve të bandës, të brohorimeve e të trokitjeve të duerve. Këtu Z. Jani Minga, drejtori i arsimit të Vlonës mbajti një ligjëratë e Z.E. Pittard i përgjegji frengjisht me pak fjalë, por plot ransi e simpathi për komin t’onë. Mbas fjalës nji Zojushë, nxanëse shkolle i paraqiti dy tubë lule. N’orën 4 m. dreke pjesëtarët e bandës vizituen atdhetarin e famshëm Z. Avni Rustemi në spital të qytetit ku kishte ndejën e vet. Ky i priti me shumë sajdi me pak fjalë tregoi gëzimin e vet për kët ekskursion të nevojshëm të «Vllaznisë» Mandej i çoi me pa Spitalin i cili ishte i begatuem me të gjitha nevojat e mund të thohet se nën rregullin e të palodhshmit Dr. Sezai Comos, Vlona ka nji Spital modern e shembull për të gjith viset e Shqypnis .(Revista Agimi. Shtator 1921. Fq. 96 -100).

 

…Vlonë, 4 shtator. Dje Vlora kremtoi lirimin e saj, të cilin e kremtoi me bujë të madhe, dyke marrë pjesë në festimin përmes një shumice deputetësh po dhe Profesori Helvetian, shqiptarofili Z.Pittard… Pasi duallnë nga xhamia u drejtuan në kishën orthodokse, e cila ishte zbukuruar brenda dhe jashtë me flamurë dhe kurora prej dafine. Në Te  Deum-in q’u bë muar pjesë gjithë populli, e pasi muar fund lutjet duall nga Kisha Orthodokse dhe shkuan për në Kishën Katolike ku u bë dhe këtu lutje në gjuhën amtare. Para se të fillonte lutja u këndua hymni mbretëror. Në këtë ceremoni u ndodh edhe shqiptarofili i ndershëm Profesori Pittard, i cili u kënaq pa masë nga përshtypja e mirë q’i bëri populli i Vlonës. Z.Pittard, para se të hynte populli i bashkuar në të tri faltoret, mori disa fotografira, të cilat do t’i përdorë si bomba kundra atyre që thonë se elementi mysliman dhe i krishter s’afrohen… «Ky bashkim dhe kjo dashuri që shikoj në Shqipëri më bën përshtypjen më të mirë dhe më lehtëson studimet…» tha Z.Prof Pittard…(Gazeta Posta e Korçës. 13 shtator 1921).

 

Eugènit dhe Hélènës ju bëri përshtypje shumë madhe harmonia dhe vëllazëria që ekzistonte midis feve në Shqipëri dhe për këtë fakt, Eugène Pittard i dërgoi një telegram zotit Robert Cecil në Londër si dhe mikut të tij të vjetër Justin Godart në Paris. Eugène dhe Hélène Pittard u larguan nga Vlora të prekur në zemër nga dashuria dhe mikpritja e banorëve të saj si dhe nga historia e lashtë e këtij qyteti antik, histori, me të cilën ishin njohur nga libri i priftit erudit francez Zhan Klod Faverial, të cilin e kishin gjetur në bibliotekën e Gjenevës. Po botojmë një fragment të shkurtër nga ky libër.

 

…Duke patur zili për Francën, Venediku e shkatërroi agjencinë tonë tregtare të Durrësit, me anë të piratëve uskokë dhe atë të Vlorës në vitin 1742. Isnardi vdiq në vitin 1717, është konsulli i fundit që Franca pati në Shkodër. Spanja na zëvëndësoi aty për aty për mbështetjen e misioneve katolike deri në 1804. Në 1699 eksporti nga Durrësi për në Francë konsistonte në 3 mijë kuintalë dyllë, 15 mijë kuintalë lesh dhe 60 ngarkesa gruri. Me tregtarët francezë të Durrësit dhe të Vlorës kishin më shumë lidhje tregtarët e Voskopojës dhe të Vithkuqit. Në vitin 1741, Boulle, konsulli i Francës në Vlorë nisi nga porti i Vlorës një sasi të madhe gruri që kontribuoi në lehtësimin e Parisit të kapluar nga zia e bukës…(Zhan Klod Faverial. Historia (më e vjetër) e Shqipërisë. Përktheu Gent Ulqini. Shtëpia botuese Plejad. Fq. 361. 2004).

 

Fragmentet e mësipërme janë shkëputur nga libri «Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri. Gjenevë – Tiranë. Në gjurmët e kryqit të kuq shqiptar në Gjenevë» i autorit të këtyre rradhëve botuar në Tiranë në janar të vitit 2023 nga shtëpia botuese Les livres Rama.

 

 

MISTERI  I NJË FOTOGRAFIE TË AT SHTJEFËN  GJECOVIT NË APARATIN

FOTOGRAFIK TË EUGENE PITTARD

 

Gjatë punës sime kërkimore pesëmbëdhjetë vjeçare për Eugène dhe Hélène Pittard-in kam bërë hulumtime të vazhdueshme dhe të pandërprera në të gjitha arkivat dhe bibliotekat e kantoneve të Zvicrës, në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë për t’u njohur me dokumentet dhe materialet që lidhen me Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Një fjalë e urtë thotë : rasti është mbreti i botës dhe një kryefakt i zbuluar kohët e fundit e vërteton këtë më së miri. Disa muaj më parë duke bërë kërkime në internet për Luftën e Vlorës të vitit 1920 si dhe për aktivitetin e priftit françeskan At Shtjefën Gjeçovi, rastësisht rashë në gjurmë të një artikulli të botuar nga Prof. Dr. Zaho Golemi në të cilin, autori midis të tjerash flet për vizitën e shkencëtarit zviceran Eugène Pittard dhe të bashkëshortes së tij Hélène Pittard në Vlorë në datat 2 dhe 3 shtator 1921. Duke e falenderuar për informacionin e vyer autentik, po citoj një fragment të shkurtër  nga ky artikull, i cili ka të bëjë me takimin e Eugène Pittard-it me  At Shtjefën Gjeçovin në Vlorë në mbrëmjen e 3 shtatorit të vitit 1921.

 

«…Më 3 shtator 1921, në përvjetorin e parë të Luftës së Vlorës vërshuan telegramet dhe urimet në të gjitha zyrat postare të vendit…Në festimet e njëvjetorit merrte pjesë edhe profesori shqiptarofil Pittardi, që ishte bashkë me Shtjefën Gjeçovin, ku dëgjuan gjëmimet e topave në Kaninë, Babicë, Qafën e Bestrovës dhe Kuzbaba. Pittardi shkoi bashkë me Osman Haxhiun në tre veprimtari të komuniteteve fetare : në ritin muhamedan të Mulla Sulejman Demirit në Xhaminë e Muradijes ; në meshën e lutjeve shqip të At Shtjefën Gjeçovit në kishën katolike si dhe në meshën po shqip të At Isait në kishën ortodokse…At Shtjefën Gjeçovi në mbrëmjen e datës 3 shtator 1921 shtroi një darkë zyrtare për nder të Profesor Pittardit…Në darkën e shtruar nga Gjeçovi, merrnin pjesë Profesor Pittardi, Osman Haxhiu, Jani Minga, Kristo Floqi, Qazim Kokoshi, Eshref Dano, Dom Mark Vasa, At Isai, Ibrahim Avdullai, Ibrahim Shyti, Dr. Sezai Como, Dr. Ali Mihali etj. Në këtë darkë folën Shtjefën Gjeçovi, Jani Minga e Osman Haxhiu, i cili i prezantoi gjerë dhe gjatë mikut të huaj traditat vlonjate, përpjekjet e shumta për liri dhe mëvetësi  dhe në fund të fjalës së tij tha : «Zoti Pittard, fati i keq i truallit tonë ka qenë dhe është që Shqipëria ka gjitonë të liq e të pabesë…»(Mihal Peço, kujtime, 1964, fq. 9).( Zaho Golemi. Kontributi i At Shtjefën Gjeçovit për sigurinë publike të qytetarëve në Luftën e Vlorës. alb-spirit.com).

 

Faktin që Prof Eugène Pittard gjatë vizitës së tij me Hélènën në Vlorë në datat 2 dhe 3 shtator 1921 ka vizituar xhaminë Muradije,  kishën katolike dhe kishën ortodokse e kemi të njohur edhe nga artikulli i gazetës Posta e Korçës botuar në datën 13 shtator 1921. Eugène dhe Hélène Pittard-it  iu kishte bërë shumë përshtypje që para godinave të tre objekteve të kultit në qytetin e Vlorës valëviteshin banderola me flamurin kombëtar shqiptar, gjë të cilën, ata nuk e kishin parë as në Serbi, as në Greqi, as në Bullgari, as në Malin e Zi. Luftëtarët e Luftës së Vlorës derdhën gjak dhe dolën fitimtarë duke e çliruar qytetin e tyre  nga trupat ushtarake  italiane në 3 shtator të vitit 1920. Pjesëtarët e bandës Vatra të Amerikës dhe pjesëtarët e bandës Afërdita të Elbasanit erdhën në Vlorë të armatosur me «armët» e tyre për t’iu dhënë  zemër luftëtarëve trima me këngën Vlora-Vlora me muzikë të Thoma Nasit dhe me tekst të Ali Asllanit.

 

Fustanellat e vullnetarëve të Luftës së Vlorës mbanin ende era barut. Le të rikthehemi tani tek fotografia e dytë në të cilën shquajmë portretin e At Shtjefën Gjeçovit në mitingun e datës 3 shtator 1921 në Vlorë. At Shtjefën Gjeçovi kishte ardhur në Vlorë në maj të vitit 1920 me dëshirën e tij dhe me miratimin e Provincës Françeskane në Shkodër për të shërbyer si prift i kishës katolike në Vlorë. Ai do të takohej me Eugene Pittard-in dhe bashkëshorten e tij Helenë në datat 2 dhe 3 shtator të vitit 1921. Kujtojmë këtu faktin që Eugène Pittard e ka takuar Patër Gjergj Fishtën dy herë, herën e parë në vitin 1921 kur Fishta ushtronte funksionet e nënkryetarit të parlamentit shqiptar dhe herën e dytë në vitin 1924 kur Eugène Pittard erdhi në Shqipëri si i deleguar i Lidhjes së Kombeve për të shpëtuar nga uria malësorët e krahinave veriore të vendit.

 

At Shtjefën Gjeçovi ka dhënë një ndihmesë të çmuar në Luftën e Vlorës duke vënë veten e tij në rrezik disa herë për t’ju shpëtuar jetën banorëve të qytetit. Sado që kam bërë kërkime në arkivat e Gjenevës dhe në korrespondencën që Eugène Pittard ka shkëmbyer me qytetarë shqiptarë në vitet 20’-40’ të shekullit të XX-të nuk kam gjetur asnjë letërkëmbim të shkëmbyer midis Eugène Pittard-it dhe At Shtjefën Gjeçovit. Megjithatë, nuk mund të pohoj me siguri të plotë që ata nuk kanë shkëmbyer korrespondencë midis tyre. Ndoshta ky letërkëmbim «fle» ende në ndonjë arkiv apo bibliotekë në Shqipëri ose në Kosovë  dhe deri tani ka mbetur në hije. Duke qenë se Eugène Pittard-i dhe At Shtjefën Gjeçovi janë që të dy intelektualë sipërorë, njëri zviceran dhe tjetri shqiptar në një farë kuptimi, ata e kanë nxjerrë «bukën e gojës» me librat e tyre shkencorë, me kërkimet, studimet dhe botimet e tyre antropologjike, etnografike, fetare, juridike  dhe arkeologjike. Unë jam më se i sigurtë se ata dy burra të fisëm dhe diturakë kanë folur për historinë e vjetër të Shqipërisë për shkak se kanë patur shumë gjëra të përbashkëta për të diskutuar, pavarësisht se jetonin larg njëri tjetrit. Në fotografinë e dytë, të cilën e ka shkrepur Eugène Pittard shohim autoritetet lokale, kryetarin e bashkisë, prefektin,  ushtarakë, intelektualë të veshur me kostume dhe borsalina të modës, përfaqësues të fesë myslimane dhe ortodokse. Në mesin e tyre shquhet qartë statura e lartë e priftit françeskan At Shtjefën Gjeçovi veshur me rason e tij të zezë dhe me kapele republike.  Ah sikur Eugène Pittard-i të kishte patur mundësi të qëndronte disa ditë të tjera në Vlorë, Ati françeskan Shtjefën Gjeçovi do t’i kishte bërë një surprizë të bukur duke i shfletuar  me dorën e tij dorëshkrimin me 12 libra dhe 1263 nene të Kanunit të Lekë Dukagjinit !

 

Siç dihet, disa pjesë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, At Shtjefën Gjeçovi i kishte botuar në revistën Albania të Faik Konicës në Bruksel në vitin 1898. Po në këtë revistë, ai do të botonte gjithashtu dymbëdhjetë poezi me pseudonimin Lkeni i Hasit. Faik  Konica  do të shkruante për  të  se « Shtjefën Gjeçovi kish mbledhur, radhitur dhe ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në kohën e mesme…emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shenjtëruar të Shqipërisë». Faik Konica në vitin 1930, do të botonte në gazetën Dielli të Bostonit një artikull me titull : «Ca kujtime mbi At Gjeçovin». Specialistët e apikulturës pohojnë se një koshere blete duhet të pjalmojë 2 milion e 700.000 lule për të prodhuar 1 kg mjaltë. Ky krahasim nuk qëndron shumë larg punës titanike dhe frutdhënëse që ka bërë At Shtjefën Gjeçovi gjatë jetës së tij për të mbledhur, dokumentuar dhe krahasuar të gjithë sumumin e materialit të grumbulluar nga goja e popullit  dhe për t’i hedhur këto të dhëna me përpikëri me shkrimin e tij të dorës në korpusin monumental të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

 

At Shtjefën Gjeçovi e kishte mbledhur Kanunin e Lekë Dukagjinit në harkun kohor të viteve 1907 – 1917 kur shërbente në famullitë e Mirditës, të Gomsiqes dhe të Thethit, disa pjesë të të cilit, ai i kishte botuar në revistën françeskane Hylli i Dritës. Në fund të vitit 1921, Provinca Françeskane e Shkodrës do ta transferonte At Shtjefën  Gjeçovin në famullinë e Rubikut, në Mirditë. Në vitin 1923, At Shtjefën Gjeçovi u emërua sekretar i Provincës Françeskane në Shkodër. Në vitin 1926, ai do të emërohet prift në Zym të Hasit në Kosovë. Në 14 tetor të vitit 1929, në fshatin Has, në kodrën e Rrezinës,  At Shtjefën Gjeçovi u vra në pabesi nga një grup xhandarësh serbë, nga një pushkë vrastare, këmbëza e së cilës ishte tërhequr në Beograd. Me vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit, urdhërdhënësit menduan se do t’ja mbyllnin gojën priftit atdhetar dhe shkencëtar françeskan shqiptar. Do të ndodhte pikërisht e kundërta. At Shtjefën Gjeçovi do t’i fliste gjeneratave të sotme dhe të ardhme të shqiptarëve me gjuhën e Fishtës dhe do t’ju përcillte si zjarrin e Prometeut veprën monumentale të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène do ta merrnin haberin e keq në Gjenevë në dimrin e vitit 1929 dhe do të pikëlloheshin sikur të kishin humbur një njeri të afërt të familjes. Shqipërisë dhe Kosovës sot i mungon një anëtar i denjë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademinë e Shkencave të Kosovës pas vdekjes, një shqiptar i sakrifikuar për kombin  e tij, arkeologu, etnografi, princi i së drejtës zakonore shqiptare At Shtjefën Gjeçovi, njeriu i cili kodifikoi Kanunin e Lekë Dukagjinit, megjithëse nuk arriti ta shohë me sy botimin e tij në vitin 1933 me parathënie të Patër Gjergj Fishtës. At Shtjefën Gjeçovi e mblodhi Kanunin e Lekë Dukagjinit nga goja e popullit si thesarin e kombit shqiptar, i cili duhet ruajtur, trashëguar dhe mbrojtur me jetë.  Amaneti, shembëlltyra dhe emri i At Shtjefën Gjeçovit do të mbetet për shqiptarët po aq i çmuar sa kromi i minierës së Bulqizës, po aq i çmuar sa bakri i  maleve të Mirditës, po aq i çmuar  sa mineralet e të gjitha minierave të  Kosovës.

xxx

Drejtori i zyrës së shtypit njofton : Profesori zoti Pittard la qytetin t’onë sot më ora 6 para M.D. dhe shkoj për në Gjinokastër. Pasi të vizitojë Sarandën e Delvinën, do të kthehet prapë në Gjinokastër që ku do të shkojë për të vizituar Klysyrën, Përmetin, Leskovikun dhe Korçën…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

QERIM VRIONI

 

EUGENE PITTARD NË VLORË

 

Para disa javësh u çel në Tiranë(COD) një ekspozitë fotografike e studjuesit, antropologut dhe shqiptarofilit zviceran Eugene Pittard. Aty, për vizitorët e saj u shpërnda edhe albumi shoqërues i ekspozitës. Pittard së bashku me të shoqen Helene, e kanë vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 1910, mandej disa vjet më vonë, më 1921 dhe 1924. Në dy udhëtimet e dyta nëpër vendin tonë ai, realizoi edhe shumë fotografi, pjesa më e madhe e të cilave u ekspozuan dhe u përfshinë në albumin që u përmend më sipër. Fotot kanë vlera historike, dokumentare, etnografike e ndonjë herë edhe artistike.

 

Të tërheqin vëmendjen, veç të tjerave, tri foto që paraqesin festimet më 3 shtator 1921, në Vlorë për Njëvjetorin e Luftës së Vlorës. Fotoja e parë paraqet pamjen e ballkonit të Bashkisë(sot Muzeu Historik i qytetit) në mitingun e rastit. Midis autoriteteve të vendit, dallohet edhe portreti i Eugene Pittard, ishte një nder dhe vlerësim i merituar i zviceranit. Fotoja e dytë pasqyron rrugën nga do të kalonin autoritetet, nga të dy anët e së cilës duken fëmijë dhe të rinj me flamurë kombëtarë në duar. Ndërsa fotoja e tretë paraqet drejtues lokalë të tri feve midis qytetarëve të veshur për festë. Ndërmjet tyre dallohet një prift katolik me raso të zezë, me shumë gjasa ai ishte At Shtjefën Gjeçovi. Pasigurinë time u mundova që t’a shmang duke pyetur mikun tim historianin e njohur Prof. Dr. Bardhosh Gaçe për pjesëmarrjen e atdhetarit katolik në festimet e fitores së Luftës së Vlorës. Përgjigja e tij ishte pozitive. Gjeçovi ka kremtuar bashkë me vlonjatët festën e fitores, pra burri me raso të zezë në mes të fotos, ishte At Shtjefën Gjeçovi. Për më tepër, dihet edhe miqësia e hershme e Gjeçovit me Vlorën dhe vlonjatët.