KUDRET ISAJ:Bajlozi online që ha gazetat e shtypura të Tiranës dhe aktivistja 22 vjecare suedeze Greta Thunberg

KUDRET ISAJ:

Bajlozi online që ha gazetat e shtypura të Tiranës dhe
aktivistja 22 vjecare suedeze Greta Thunberg

NDESHJA MIDIS DAVIDIT DHE GOLIATHIT

Lajmi i botuar në median e shkruar dhe në median vizive kombëtare se së shpejti do të mbyllet gazeta e fundit e shtypur në Shqipëri kishte marrë dhenë. Kësaj thagme i shkon për shtat titulli i romanit të shkrimtarit të famshëm kolumbian Gabriel Garsia Markez, i cili si një seizmograf i vërtetë e kishte parandjerë këtë flamë plot 44 vjet më parë në vitin 1981, kur kishte botuar romanin e tij të përbotshëm me titull : «Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar». Ne jemi dëshmitarë dhe shohim me sytë tanë se bajlozi online po ha çdo ditë gazetat e shtypura në shtypshkronjat e Tiranës dhe të qyteteve të tjera të vendit. Nëse do t’i referohemi legjendave të vjetra shqiptare na del se bajlozi vinte nga deti dhe bënte punë të këqia. Do të pyesni ju : Cili ia merrte shpagën dhe hakën bajlozit të zi kur vinte në anët tona ? Katragjyshat tanë na kanë kallxuar se sa ishte gjallë Muji dhe Halili, bajlozit të zi nuk i zinte këmba dhe në trojet shqiptare. Në mitologjinë popullore shqiptare bajlozi ka katër motërzime. Kuptimi i parë ka të bëjë me një njeri vigan ose me një përbindësh. Kuptimi i dytë personifikon një Ambasador ose të dërguar. Kuptimi i tretë lidhet me legjendën e një çike malësore, e cila për të shpëtuar të atin, i cili ishte sëmurë në shtrat, vishet me petka mashkulli dhe bën bejleg me bajlozin. Një legjendë tjetër shqiptare rrëfen se Gjergj Elez Alia e thërret bajlozin e zi në mejdan dhe ia ngul kryet shtatë pash nën dhe megjithëse, i kishte nëntë varra në trup.

Arkivat dëshmojnë se gazeta e parë në botë ka dalë në Strasburg rreth vitit 1605. Data e saktë nuk dihet për shkak se nga numri i saj i parë nuk ka mbetur asnjë kopje. Po në atë vit të hershëm kronikat rrëfejnë se botuesi dhe tipografi Johan Carolus i ka bërë një lutje qytetit të Strasburgut për të marrë një liçencë që «të shtypte zyrtarisht gjithë historitë që meritonin të kujtoheshin». Gazetat e para janë krijuar në kryqëzimin e rrugëve tregtare tokësore dhe detare, pikërisht aty ku shitej dhe blihej malli dhe tregtarët e bënin publicitetin e mallrave duke i shkruar lajmet me dorën e tyre me një pendë, të cilën e ngjyenin në kallamar. Po cili ishte subjekti i gazetave të para që dolën në treg ? Në shekullin XVII-të gazetat botonin lajme mbi luftrat e principatave, mbi gjyqin dhe djegjen e Xhordano Brunos në turrën e druve për herezi, mbi zbulimin e dylbive nga Galileo Galilei, mbi sulmet e piratëve në tokë dhe në det, mbi zjarret që shpërthenin në porte dhe në depo ushtarake. Më pas me kalimin e kohës u bë kalimi nga prodhimi artizanal i gazetave në prodhimin industrial duke përdorur rrulat me letra në mënyrë që gazeta të shtypej më shpejt. Gazeta e parë e përditshme doli në vitin 1650 në Manc të Gjermanisë.(Sot në këtë qytet është hapur një muze, i cili mban emrin Muzeu i Gutembergut). Në vitin 1705, doli gazeta më e vjetër gjermane me titull : «Hildesheimer Allgemeine Zeitung», e cila vazhdon të botohet edhe sot. Në fillim të shekullit të XX-të në Gjermani dilnin 3000 gazeta.

Tashmë në Zvicër ka disa vjet që shtypshkronjat janë në gjendje alarmi. Cmimi i letrës rritet çdo ditë dhe shpenzimet e botuesve të gazetave gjithashtu. Në 15 mars 2025, i mbylli dyert shtypshkronja më e madhe e Zvicrës romande në Bussigny. Kjo shtypshkronjë ka punuar për 36 vjet me radhë dhe është përuruar në vitin 1989 nga Presidenti i Konfederatës Zvicerane Jean-Pascal Delamuraz. Shtypshkronja atë botë kishte 500 vende pune. Deri ditët e fundit në këtë shtypshkronjë është shtypur gazeta Tribune de Genève, 24 heures, 20 minutes, Le Temps, Bilan, Femina etj. Deri në fund të vitit do të mbyllet edhe shtypshkronja e Zyrihut. Për shkak të rritjes së çmimit të letrës në vitin 2024, tre redaksi gazetash u bashkuan në një : la Tribune de Genève, 24 heures, Le Matin Dimanche dhe u shkurtuan 55 vende pune. Deri në fund të vitit 2025 në Zvicrën romande dhe në Zvicrën alemanike do të shkurtohen 200 vende pune. Po t’i hedhim sytë në Britaninë e Madhe do të shohim se gazeta The Independent që prej vitit 2016 del online, ndërsa gazeta The Guardian sot botohet në një format më të vogël. Gazeta Star-Ledger në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej shkurtit të vitit 2025 nuk del më në format të printuar. Grupi zviceran i shtypit Tamedia me qendër në Zyrih në datën 17 qershor 2025 ka marrë vendimin e mëposhtëm : Në fund të vitit 2025, në Zvicër nuk do të ketë asnjë gazetë të printuar. Të gjitha gazetat zvicerane do të botohen online. Gazeta falas 20 minutes tashmë nuk del më në versionin e shtypur.

Një tërmet i tillë herë me magnitudë tre ballë, herë me magnitudë gjashtë ballë, i cili e ka epiqendrën e tij në zemër të Europës së vjetër ku gazetat e para kishin filluar të shtypeshin katërqind vjet e ca më parë, vitet e fundit është ndjerë edhe në Shqipëri dhe «viktimat» – lexo gazetat e shtypura po preken në masë nga ky reaksion zinxhir, i cili as mund të pengohet, as mund të ndalet, as mund të anashkalohet me indiferencë. Po si do ta përjetonin lexuesit shqiptarë një librari dhe një kioskë pa gazeta, e cila në përfytyrimin e tyre konceptohet si një qiell pa yje, si një pyll pa drurë, si një det që ka humbur bregun e tij. Eshtë plotësisht e vërtetë që numri i lexuesve që hyjnë në libraritë e Shqipërisë për të blerë libra nuk është i lartë në parametra. Një pjesë e lexuesve mund t’i vizitojnë me shumë interes të gjithë pavionet e librarisë Adrion në Tiranë, mund t’i thonë librashitëses që të zbresë në tokë një vargan me libra të rinj që janë botuar vitet e fundit, të cilët janë vendosur në katet më të larta të librarisë dhe si përfundim mund të dalin nga libraria pa blerë asnjë libër. Natyrisht, që është e drejtë e çdo lexuesi që ta marrë librin e ri në duar, të shohë kopertinën, cilësinë grafike, çmimin dhe pastaj të vendosë. A nuk është e vërtetë një qasje e tillë në të gjithë Europën ku klienti ka statusin e mbretit. Lexuesit shqiptarë janë të qytetëruar dhe kanë një tërheqje gravitacionale për gazetat. Që nga ndryshimi i sistemit politik, shqiptarët janë bërë popull i gazetave që gazetarët me brumë dhe me emër i vënë me të drejtë në krye të oxhakut sikur të ishin deputetë të parlamentit. A do ta fillonin ditën mbarë lexuesit shqiptarë në fundin e viteve 80-të pa nuhatur që në agun e mëngjesit aromën e freskët të gazetës së shtypur. Më kujtohet sikur ka ndodhur dje që kur nxirrja gazetën Studenti në Tiranë në vitet 1982-1984 i hipja biçikletës dhe shkoja natën te Poligrafiku ku prisja me miqtë e mij tipografë deri në orët e para të mëngjesit që gazeta të dilte nga flani. A nuk është e vërtetë që qytetarët që ishin të apasionuar pas librave në Tiranë dhe dinin ta çmonin artin dhe letërsinë, i kemi parë të mbajnë rradhë në librari për të blerë romanet e Ismail Kadaresë dhe të Dritëro Agollit, për të blerë gazetën Drita sa herë që Xh. Spahiu dhe M. Zeqo a poetë dhe gazetarë të tjerë të talentuar botonin poezi dhe shkrime që përçonin kulturë europiane tek lexuesit dhe frymonin me freskinë e tyre një ndërkallje midis publicistikës dhe narrativës poetike !

DASHURIA E SHQIPTARËVE PËR GAZETAT E SHTYPURA

Vitet e fundit në Shqipëri ka një fluks të lartë turistik dhe aeroporti «Nënë Tereza» gjatë vitit 2024 ka pritur 10 milion turistë, të cilët ende pa mbaruar pushimet e tyre kanë rezervuar datat për pushimet e vitit të ardhshëm. Kur turistët hyjnë në librarinë Adrion në Tiranë dhe në librarinë Adrion të aeroportit të Rinasit, ata përzgjedhin sipas shijeve të tyre libra politikë, historikë, gjeografikë, fotografikë të përkthyer anglisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht dhe në gjuhë të tjera. Ndërkohë një grup njerëzish hynë në librarinë Adrion në Tiranë dhe dolën prej saj me një tufë gazetash në duar. Një ditë në mëngjes kur dola në ballkon pashë një komshiun tim të apasionuar pas gazetave të shtypura, i cili ishte duke bërë sherr me gazetashitësin e kioskës së lagjes duke i kërkuar llogari përse nuk dalin gazetat e shtypura ditën e dielë. Në Tiranë ka një kategori lexuesish, të cilët vitet e fundit e kanë bojkotuar kioskën e gazetave. Ata nuk dalim më të blejnë gazetat e ditës në mëngjes herët siç bënin dikur. Po kjo nuk do të thotë aspak se ata e kanë harruar dhe e kanë lënë mënjanë këtë zakon të vjetër shqiptar. Përkundrazi. Ata kanë ndryshuar vetëm taktikën dhe strategjinë e tyre. Sapo zgjohen në mëngjes, ata ulen në sallon në kolltukun e tyre të preferuar duke thithur ngadalë ekspresin që nxjerr avull.

Pas ritit të kafesë, ata marrin telekomandën në dorë dhe kërkojnë një stacion televiziv, në të cilin spikeri i televizionit nis të lexojë titujt e artikujve të gazetave të përditshme. Po ky ritual nuk mbaron me kaq. Ka ditë që ata nuk mbeten të kënaqur nga zëri pa pathos i spikerit të televizionit dhe ju thonë të tjerëve, nëse ka njerëz të tjerë në sallon, se niveli i prezantuesve të shtypit të ditës lë shumë për të dëshiruar. Ata marrin telekomandën dhe i dëgjojnë me durim titujt e gazetave të ditës në të gjitha ekranet e televizioneve të kryeqytetit. Kur më në fund rreth orës 10 paradite i kanë mësuar gati përmendsh titujt e gazetave të përditshme zbresin shkallët e pallatit dhe ndalojnë para kioskës së gazetashitësit. Gazetashitësi që disa vite më parë bënte pjesë në figurat e lagjes nuk e mban veten dhe nuk i lë pa i thumbuar : « E di shumë mirë që nuk blini gazeta në kioskën time. E di gjithashtu që i keni dëgjuar titujt e gazetave të përditshme në ekranet e televizioneve. Të keni turp. Bëhet burri për 50 lekë ! Vetëm një gjë ta kini të qartë : Një gazetë e shtypur që shitet në kioskën time edhe sikur të jetë e zhubravitur vlen njëqind herë më shumë se zëri i ngjirur i një spikeri të televizionit tuaj». Më kujtohet se si dikur plazhistët ia merrnin gazetashitësit gazetat nga dora në plazhin e Durrësit ku rëra e nxehtë të përvëlonte shputat e këmbëve ? Më kujtohet si thërriste gazetashitësi që në pikë të mëngjesit : Blini gazetën Tema, blini gazetën Panorama, blini gazetën Nacional, blini gazetën Dita, blini gazetën Telegraf. Afër gazetashitësit rrinte gjithmonë një çun i vogël, i cili thërriste edhe ai sa kishte në kokë duke përsëritur si një mesazh automatik në telefon : Blini misra të pjekur në prush. Blini misra të pjekur në prush. Ky çun i vogël e kishte zakon që t’i mbështillte misrat me gazetat e ditës, të cilat i bënte në formë kaushi. Me siguri që nuk bëjmë ndonjë gabim po të pohojmë se misrashitësi i vogël duke shitur misra në orarin e shkollës dashje pa dashje i informonte pushuesit për ngjarjet e ditës.

GAZETASHITËSIT PO BËHEN GATI TË HYJNË NË GREVË URIE

Në Tiranë dhe në Durrës këto ditë janë hapur fjalë si një telefon i prishur që shitësit e gazetave kanë ndërmend të bëjnë grevë urie për një kohë të pacaktuar. Në kioskat e gazetave ka grumbullime masive njerëzish, siç mblidhen tifozët në kioskë ditën e basteve të ndeshjeve të futbollit të skuadrave italiane. Analistët dhe moderatorët e ekraneve televizive po tjerrin pëlhurën e Penelopës mbrëmjeve nëpër studio dhe nuk po arrijnë të kuptojnë simbolikën e kësaj greve të veshur me mister. Gazetashitësit mbajnë heshtje dhe nuk japin deklarata as në shtyp, as në televizion. Cili e kishte menduar më parë se shqiptarët do të bëjnë grevë urie për të mbrojtur gazetat e shtypura ? Po ku jetojmë ne ? Në Norvegji ? Norvegjezi mund të hyjë në grevë urie kur merr vesh se një kaproll në pyll ka ndrydhur kaviljen ! Si nuk kemi parë një njeri që të hyjë në grevë urie për hidrocentralet që do të ngriheshin në Vjosë dhe në Valbonë ? Gjatë viteve të fundit, asnjë shoqëri civile nuk ka hyrë në grevë urie kundër ndërtimeve pa leje në Theth. Për të sqaruar problemin e mbylljes së gazetave të shtypura një ditë në mëngjes shkova në rrugën e Durrësit dhe takova shitësin e gazetave, i cili sapo ishte zgjedhur zëdhënës i shoqatës së gazetashitësve të Tiranës. E pyeta nëse mund të ma zhbirilonte më qartë këtë problem delikat. Pasi u mendua pak, zëdhënësi ra dakord të më japë një intervistë.

Unë : C’koment keni për grevën e urisë ? Ju paralajmëroni një grevë për qëllimet e së cilës, askush nuk është në dijeni. A mund ta shuani kureshtjen e publikut ?
Zëdhënësi : Ne gazetashitësve zëre se na ka rënë qielli mbi kokë. Po mbyllen cdo ditë gazetat e shtypura. Si do ta mbajmë familjen ? Si do t’i rrisim kalamajtë ? Kur i shisnim të gjitha gazetat e ditës ishim të kënaqur. Nuk e paskëshim ditur që paskemi qenë të lumtur. Në Tiranë kanë mbetur edhe dy a tre gazeta të shtypura që na vijnë çdo ditë në kioskë në orën 6 të mëngjesit. Gazetat e shtypura që nuk na vijnë më në kioskë tani i qajmë me oi.
Unë : Përse duan të hyjnë në grevë urie shitësit e gazetave ?
Zëdhënësi: Ne nuk do të hyjmë në grevë urie për interesin tonë personal ?
Unë : Për kë do të hyni në grevë atëhere ? Nuk po ju kuptoj? Eshtë hera e parë që dëgjoj që dikë kërkon të hyjë në grevë urie në favor të një personi tjetër ?
Zëdhënësi: Së pari. Ne gazetashitësit kemi vendosur të bëhemi kurban, duam të sakrifikohemi deri në frymën tonë të fundit për të drejtat e shkelura të gazetarëve të organeve të shtypit që nuk shtypen më në rrotativë. A mund të më tregosh sa gazetarë të gazetave të printuara do të shkurtohen në Tiranë ? Ne të dy e dimë shumë mirë që mjaft gazetarë nuk punojnë me letra dhe pronari i gazetës nuk paguan sigurime shoqërore për ta. Ku do të përfundojnë këta gazetarë ? Cili do t’i marrë në mbrojtje gazetarët e gazetave të shtypura që do të mbeten pa punë ? A do t’i ndihmojë shteti ? Së dyti. Ne gazetashitësit duam të bëhemi theror për sivëllezërit tanë, tipografët e shtypshkronjave, të cilët pas disa ditësh do të mbeten pa punë dhe do të hidhen në rrugë se makinat e shtypshkronjës nuk do shtypin më gazeta dhe do të ndryshken. Makinat e braktisura të shtypshkronjës atë ditë do të mbajnë zi. Bashkë me to do të mbajmë zi edhe ne. A të kujtohet si shtypeshin gazetat para ndryshimit të sistemit politik? Unë kam punuar 25 vjet si tipograf në shtypshkronjë dhe e di mirë si shtypej teksti i gazetës në linotip, si stampohej në flan, si derdhej në plumb dhe si futej në rrotativë. Sapo e merrje gazetën në dorë, ajo mbante era plumb, sa të dukej vetja sikur ishe në poligonin e qitjes. Pa llogaritur këtu sëmundjet profesionale. Unë e kam thënë kudo mendimin tim që puna e tipografëve para viteve 90’ ka qenë po aq e vështirë sa puna në minierë.
Unë : Ku do ta bëni grevën e urisë ?
Zëdhënësi : Fillimisht kishim menduar ta bënim grevën e urisë në repartet e shtypshkronjave. Më pas ndryshuam mendim se në shtypshkronja do ta bëjnë grevën e urisë tipografët. Atëherë shoqata e kioskave të gazetave vendosi që ta bëjmë grevën e urisë në kioskat tona. Do të qëndrojmë aty ku qytetarët e Tiranës na kanë parë 365 ditët e vitit. Ndoshta me tipografët në shtypshkronja do të hyjnë në grevë urie gazetarët e gazetave të shtypura që do të mbeten pa punë. Megjithatë, një vendim të tillë, iu takon që ta marrin gazetarët.
Unë : C’kërkesa keni vendosur t’i drejtoni qeverisë për ta zgjidhur këtë problem ?
Zëdhënësi : Ne do t’i propozojmë qeverisë eksperiencën e qeverisë hollandeze. Edhe në Hollandë po mbyllen shtypshkronjat për shkak të rritjes së çmimit të letrës, me qindra gazetarë kanë mbetur pa punë. Qeveria hollandeze ju ka propozuar gazetadashësve, të cilët nuk e pranojnë sistemin online, platformën mëposhtme : «Në mënyrë që të shpëtohen nga robotët e teknologjisë moderne disa gazeta, të cilat ne i ruajmë si relike të çmuara, për shkak se janë të lidhura me historinë dhe identitetin kombëtar hollandez, të cilat kanë rreth 400 vjet që shtypen me letër, ftojmë gazetarët që kanë mbetur pa punë nga mbyllja e gazetave të printuara, ftojmë tipografët e shtypshkronjave dhe gazetashitësit e kioskave që të fillojnë një fushatë kombëtare për mbjelljen e pemëve në të gjithë vendin. Celuloza që do të prodhohet nga pemët që do të mbillen do të shërbejë për të nxjerrë letrën që do të nevojitet për të shtypur gazetat e lartpërmendura, tirazhi i të cilave do të përcaktohet nga instancat më të larta të qeverisë». Ne shitësit e gazetave do t’i paraqesim në rrugë zyrtare qeverisë shqiptare, bashkisë së Tiranës, Bashkimit Europian dhe trupit diplomatik në kryeqytet, platformën e qeverisë hollandeze. Nëse qeveria jonë do të na vërë shkopinj nën rrota, nuk na mbetet zgjidhje tjetër. Do të hyjmë në grevë urie.
Unë : Duke ju uruar sukses në misionin tuaj që mushkëritë e Tiranës të jenë gjithmonë të gjelbra, ju falenderoj për intervistën.

GRETA THUNBERG HEDH «BOMBËN» NË KOMBET E BASHKUARA
NJË FJALIM IMAGJINAR DHE I PAMBAJTUR

Pyje, pemë, drurë shtatlartë dhe shtatshkurtër me trungje të prerë dhe të masakruar mizorisht me sopata dhe me sharra elektrike të të gjitha vendeve të botës bashkohuni. I bëj thirrje Chêne de Rumskulla-s 1000 vjeçare të vendlindjes sime Suedisë, Rrapit të Palasës së Shqipërisë, Mulberry-t të Afganistanit, Celbo Red Quebracho-s të Argjentinës, Hyperion-it 115 metër të lartë të Kalifornisë, Brazilwood-it të Brazilit, Maple-s të Kanadasë, Pedunculate oak të Danimarkës, Silver Birch të Finlandës, Indian banyan të Indisë, Japanese cherry të Japonisë, ullinjve shekullorë të Greqisë, Ceiba pentandra të Guatemalës, Ahuehuete të Meksikës, Cedrus deodara të Pakistanit, Cinchona të Perusë, Sacred fig të Nepalit, Siberian fir të Rusisë, Real yellowwod të Afrikës së jugut, Afrikan Blackwood të Tanzanisë, Adansonia digitata(baobab-it) të Senegalit dhe të Madagaskarit, Golden Wattle të Australisë, Araguaney të Venezuelës. I kërkoj ndjesë të gjitha vendeve të tjera, të cilave nuk ia kam përmendur emrin. Më ndjeni. Pyje të vrara, pyje të varura në litar, pyje të therura, pyje të ekzekutuara në gijotinë, pyje të copëtuara dhe të sakatuara nga sopata e sharrëtarit dhe e druvarit, e njeriut të panginjur për pasuri, e njeriut të pashpirt dhe me zemër prej guri. Po a e dini ju që krimin më të madh ju jua keni shkaktuar shpendëve që ngrinin foletë në pemët tuaja të larta. Duke prerë, masakruar dhe gjymtuar pyjet ju keni therur dhe vrarë qindra, mijëra shpendë dhe shtazë të egra që bashkëjetonin së bashku në të njëjtin habitat që prej 200-300 vjetësh. Ku kanë shkuar bilbilat, thëllëzat, fazanët, kumurijat, lejlekët, rosat, patat e egra, pulëbardhat, mjelmat që ju ua keni prishur dhe shkatërruar habitatin dhe strehën ? Duke prerë dhe gjakosur pyjet ju keni bërë edhe një krim tjetër të përbindshëm që nuk falet. Keni dëbuar poetët. Po, po. Poetët. Ku do ta gjejnë tani frymëzimin e tyre poetët për të shkruar vjersha për zogjtë ku nuk ka pyje ? Shpendët e gjorë, fluturuan sikur t’i ndiqte dhe gjuante çiftja e gjuetarit. Ato morën rrugën e hidhur të mërgimit me sy të lëngëzuar, u ngjitën përmbi re me krahët e tyre të brishtë dhe nuk u kthyen kurrë më në folenë e vjetër.

Ku e kanë mbajtur vrapin arinjtë, ujqërit, dhelprat, çakejtë, derrat e egër, lepujt e tromaksur nga frika ? Pyje të pambrojtura, të trembura, të rralluara të të gjithë botës kudo që jeni : Bashkohuni me ne. Nëse nuk mundeni të ngriheni në këmbë dhe të ecni me këmbët tuaja, tërhiquni zvarrë dhe këmbadoras dhe përpiquni të rrokulliseni me trungjet tuaja të gjakosura të lidhura me fasho dhe të mbajtura me paterica dhe pushtoni sheshet, bulevardet dhe rrugët e të gjithë kryeqyteteve të botës. A nuk i kanë rrokullisur trupat tuaja në kohën e mesjetës dhe më pas në fillimet e Rilindjes europiane pa mëshirë si trupa të vdekur në rrjedhën e gjatë të lumenjve për të dalë në det ku i prisnin me thika në dhëmbë pronarët e anijeve tregtare me bulçitë e hapura dhe me dhëmbët si çakej të mprehtë, pasi ju kishin therur, gjymtuar, sakatuar, masakruar dhe prishur bukurinë ! O malet e Shqipërisë, o ju lisat e gjatë – shkruante poeti kombëtar i Shqipërisë, Naim Frashëri, 150 vjet më parë. Të dashura pyje me bukuri magjike të pashoqe përrallore. Ngrihuni në këmbë, burrërohuni dhe shpallni ultimatumin, të cilin unë do ta lexoj me zë të lartë në emrin tuaj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe në Pallatin e Kombeve në Gjenevë. : «Ne pyjet e botës, edhe sikur të jemi gjysmë të vdekura, të gjymtuara, të plagosura, në buzë të varrit dhe me një fije shpirt nuk do t’ju lejojmë më ta shfrytëzoni trupin tonë për të prodhuar letër për të shtypur gazeta. Ju keni 500 vjet që na shfrytëzoni që në kohën e Uilliam Shekspirit, që na grabisni celulozën siç thithet gjaku me pambuk për të prodhuar letër për të botuar gazetat tuaja. Eshtë plotësisht e vërtetë që ne i kemi lexuar dhe i lexojmë me pasion dramat e Uilliam Shekspirit të shtypura në letër. Shtrojmë pyetjen : A e ka ditur vallë Uilliam Shekspiri kur ka qenë gjallë dhe në jetë se cilët pyje dhe drurë ka vrarë dhe ka masakruar me dorën e tij në Angli për të shtypur veprat e mëdha që shkroi ! A e ka ditur vallë Balzaku se sa drurë ka prerë në pyjet e Francës për të botuar serinë e romaneve të tij voluminoze që na kanë lënë kushedi sa netë pa gjumë ? Po Ismail Kadareja sa drurë ka prerë në pyjet e Shqipërisë, në pyjet e Gjirokastrës dhe në pyjet e Francës për të botuar serinë komplete të veprave të tij të botuara në shqip dhe frëngjisht ? Po Dritëro Agolli sa pyje ka prerë në Menkulas dhe në Devoll për të botuar romanet, tregimet dhe vjershat e tij, të cilat i lexojmë edhe sot me ëndje» ? Zonja dhe zotërinj ! Në fund të fundit, një pyll të bukur që ti e do, të çlodh, të preh dhe të zgjat jetën me kurorën dhe freskinë e tij nuk ka se si të ta bëjë zemra të marrësh sëpatën dhe ta vrasësh me dorën tënde !

Me shpirtligësinë dhe urrejtjen tuaj të pashoqe ndaj pyjeve dhe natyrës ju keni treguar dhe provuar se fshihni një kafshë të egër grabitqare në kraharorin tuaj, të cilën të tjerët nuk munden ta shohin me sy të lirë. Ju keni bërë një krim të llahtarshëm dhe të pafalshëm, të cilin nesër do ta paguajnë nipërit dhe stërnipërit tuaj që do t’ju quajnë pyjevrasës. Ndoshta një ditë ky term mund të hyjë në librat e penalistikës. Kam dëgjuar që në këto tri dekadat e fundit në Shqipëri janë prerë pa kriter në kundërshtim me ligjet në fuqi shumë pyje dhe qindra e qindra metër kub dru janë përdorur për ngrohje, janë përdorur në ndërtim dhe në sektorë të tjerë nevralgjikë. Ju flas sinqerisht. Jam trishtuar shumë kur kam lexuar në një gazetë italiane që një sasi lëndësh drusore nga Shqipëria ishte shitur me çmime më të ulëta se tregu. Ju shqiptarët keni një shprehje të bukur, të cilën më pëlqen që ta citoj. Ju thoni : «T’a ruajmë pasurinë kombëtare si sytë e ballit». Ka vende, të cilat janë shumë të pasura me pyje dhe ndoshta këto pyje kanë 200-300 vjet që nuk kanë parë sopatë dhe sharrë druvari me sy. Për shembull, Zvicra, Gjermania, Franca, Suedia, Norvegjia, Finlanda. Megjithatë, ato nuk i prekin pyjet e tyre dhe e importojnë lëndën drusore nga vende të tjera. Ndërsa disa vende, të cilat janë të varfëra me pyje nuk ngurrojnë aspak dhe nuk kanë asnjë mëdyshje që t’a eksportojnë dhe ta shesin lëndën drusore në vende të tjera me çmime të pafavorshme. Ky është vërtetë një paradoks. A keni dëgjuar që në disa vende të Mesdheut, madje në Greqi dhe në Shqipëri ka fshatarë piromanë që në zhegun e vapës ju vënë zjarrin pyjeve me dorën e tyre për të siguruar një sipërfaqe të re toke, gjë që është një akt penal i dënueshëm kombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo do të jetë damka që ata do të mbajnë mbi shpinë dhe nuk do të munden që ta heqin për shkak se në të drejtën penale ndërkombëtare kjo është një figurë krimi. Ju që sharroni dhe digjni pyjet shekullorë jeni kanibalë të pamëshirshëm se me gojën dhe me nofullat tuaja keni ngrënë dhe keni gllabëruar gjysmën e pyjeve të botës. Ne pyjet e mërguara, të dëbuara me dhunë, me sopata dhe me sharra elektrike, të terrorizuara, të gjymtuara, të masakruara, të shpërfytyruara sot në datën 15 gusht 2025 në orën 12.00 deklarojmë : «Ne nuk do të lëvizim nga sheshi para Kombeve të Bashkuara, nga parqet pa pemë, nga bulevardet dhe rrugët derisa Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të nënshkruajë një urdhëresë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara, ku të ndalohet me ligj prerja e pyjeve për prodhimin e letrës. Po ju njoftojmë zyrtarisht që kjo është demonstrata më e madhe paqësore e pyjeve në botë, e cila do t’ju ndjekë pas në Nju Jork, në Bruksel, në Gjenevë, kudo që të jeni. Ky është vetëm preludi dhe akti i parë i revolucionit tonë të gjelbër» .

Ne nuk do të tërhiqemi pa u përmbushur kërkesat tona sikur ta dimë që do të vdesim të tërë. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në grevë urie dhe të flijojmë jetën tonë në mënyrë që filizat tanë të rinj të rriten në liri, në ajri dhe në paqe. Duhet ta keni të qartë njëherë dhe përgjithmonë që ne pyjet e pambrojtuara, të bukura, të brishta, të pafata dhe të masakruara të botës nuk kemi frikë as nga policitë dhe as nga ushtritë tuaja të armatosura deri në dhëmbë. Nëse doni të na vrisni, na qëlloni m’u në zemër. Nëse doni të na hidhni mbi trupa lëndë helmuese luftarake(LHL) dhe gazlotsjellës, ne nuk trëmbemi dhe nuk tërhiqemi, ndonëse trupat tanë do të digjen. Nëse doni të na shtypni me tanke dhe me autoblinda, ne nuk kemi për të lëvizur asnjë centimetër nga pozicionet tona. Nëse doni të na bombardoni me avionë bombardues, na bombardoni se ne nuk fshihemi dhe nuk ikim si frikacakë. Nëse vini nga deti me anije luftarake dhe na qëlloni me topa dhe mortaja, ta dini mirë që predhat tuaja do të bien në gjoksin tonë dhe do të kthehen përsëri në det. Që të na rikthehet virgjëria e humbur me tehun e sopatës, që të na kthehet bukuria që vret siç shkruante poeti juaj i madh Millosh Gjergj Nikolla që ju e thërrisni Migjeni, ne pyjet e botës jemi të gatshëm të sakrifikojmë jetën tonë, jemi të gatshëm të rrëzojmë qeveritë dhe mbretëritë nga pushteti, nëse nuk i plotësojnë kërkesat tona të drejta dhe legjitime.
Greta Thunberg

Greta Thunberg është një aktiviste 22 vjeçare suedeze e njohur ndërkombëtarisht për luftën e paepur kundër ngrohjes globale dhe mbrojtjen e ekologjisë në botë. Për të mbrojtur idetë e saj, ajo ka hyrë në grevë urie para parlamentit suedez dhe është arrestuar nga policia. Ajo është ftuar të mbajë fjalën e saj në Kombet e Bashkuara, në Parlamentin Europian, në Parlamentin francez dhe në Parlamentin Britanik. Arnold Schwarzenegeri e ka ftuar në një samit në Vjenë të mbajë fjalën e saj për problemet e klimës. Në vitin 2019, ka takuar me Papa Françeskun në Vatikan dhe po atë vit, Cmimi Nobel për Letërsi J.M.G. Le Glezio iu bashkua kauzës së saj ekologjike. Greta Thunberg lufton për të drejtat e autistëve në botë duke qenë vetë autiste.