Me një pardesy të purpurtë të zbërthyer,me çizme gjer në gju, të cilave u shprishej forma vertikale nga loja e reflekseve të dritës dhe,me një minifund të zi lëkure,ajo u shfaq një mëngjes të qelqtë dimri përpara Televizionit,dhe ngjiti shkallët e hyrjes së tij, tek vështronte e përqëndruar.
Shtyu derën prej xhami,jo e drojtur,si shumëkush që do ta hapte për herë të parë,por si një punonjëse e institucionit,që e kryen këtë veprim rutinor çdo ditë.
Me të hyrë në holl iu drejtua policit për t’i thënë,mesa merrej me mend se,kush ishte dhe cilin kërkonte të takonte.
U nda shpejt e shpejt prej tij dhe,me hapa ritmikë e të sigurt u ngjit lart,pale për në cilin kat,pa pritur njeri ta shoqëronte…
– Ç’ishte kjo,o Zot,ndonjë prostitutë e rangut të lartë,që e ka ndarë mendjen të braktisë profesionin e saj heroik të gjertanishëm,për t’iu futur të përpjetës së artit ? Çfarë femre ekstravagante !A e vutë re ndopak o të humbur,apo u mekët ? – iu lëshua Mond Adami,gazetari i grupit të xhirimit të dokumentarëve,kameramanit dhe mjeshtrit të zërit,tek po prisnin aty poshtë shkallëve për t’u nisur me shërbim. – O,por ia këputa në tym,sepse kështu të ndodh nganjëherë kur rri e pret shoferin që vonohet,sepse është i papërgjegjshëm : sheh me negativitet. Jo ore jo,ç’prostitutë ! E thashë sa për ta zhvlerësuar ca atë femër,që kësisoj të më dukej më e arritshme nëse,fjala vjen,budallallepsem e i vihem pas,hahaha…
– Çnuk po hyjnë e po dalin tashmë ,këtu te ne – vazhdoi kameramani i grupit – por kjo e sotmja,e pranoj që më shokoi !
– I shkreti ti,s’ke faj jo, – e përkrahu mjeshtri i zërit – por a ma shpjegon dot sesi ka mundësi që një femër me kaq hire,nuk e kemi hasur më herët diku; ore, qoftë edhe krejt rastësisht në rrugë,apo edhe t’ulur në një kafene për qejf të vet? Sepse,vë bast se,sot e pashë për herë të parë.Ah,ne jemi vërtet të humbur !
– Le ta themi edhe këtë : si nuk është angazhuar deri tani kjo femër në ndonjë program artistik,fjala vjen,ndërkohë…
– Që s’duhet ta kishin lënë të binte përtokë ?
– Ja,erdhi sot që të na përndizte fantazinë.Ku ta dish,ndoshta ka jetuar jashtë për një kohë të gjatë,n’Itali,Gjermani…
– Kush nga këta birbot tanë do ta ketë thirrur vallë ?
– O, mos u bëj merak,do ta marrim vesh shumë shpejt,t’ikim njëherë me shërbim për të xhiruar…
– Të jetë vërtet ndonjë prostitutë ? Ndoshta nuk të vajti mendja ashtu fare kot ; ajo veshja e saj,ai grimi eksentrik,të cilin kushedi se ku e kishte bërë jashtë Televizionit,duke mos dashur të lyhej e të zhgërryhej që herën e parë këtu,sikur…
– E,sikur ? Cila femër nuk vishet e nuk mbathet sot sipas modës ?
– Po,por ajo dekolteja e saj,si shumë e shqyer ishte .
– Kishte gjoks të madh e të hedhur përpjetë,mëkat të mos e nxirrje ! Pse rastësisht e mbante pardesynë hapur,si të gjitha femrat që kanë ç’të tregojnë ?
– Si nuk i lamë gjë pa këqyrur asaj të shkrete,si nuk na shpëtoi gjë prej gjëje ! Me dy minuta në dispozicion…
– S’nevojiteshin më tepër,pastaj na ndihmon edhe profesioni ynë i vyer,por mbajeni mend, po nuk i rrotulloi të tërë kjo femra !
– Unë e pikasa madje,pa i ngjitur edhe shkallët. Ecte duke u spërdredhur provokueshëm : supet majtas,beli djathtas.Mirëpo sensualiteti,joshja dhe ngacmimi,do të shprehesha më ëmbëlsisht,më gudulisën kur e pashë nga prapa,tek ngjiste shkallët.Ah,si godisnin bythët e saja sa në nj’anë,në tjetrën !
– I soditëm edhe ne,prandaj mos e zgjat. Po flokët ? Mua më mbetën sytë te flokët.Se ç’kishin një nuancë t’artë prej dielli ! Dhe derdheshin krela – krela si nazet,haha…
– Sa për mënyrën e të ecurit,nuk besoj se e demonstroi enkas para nesh,para Televizionit pra; them se do ta ketë të natyrshme.
– Mondi nisemi ? – thirri shoferi i grupit që nga trotuari,ku parkoi makinën. – Unë erdha.
– Erdhe,hë …
2.
Mond Adami ishte ende në banjë,duke u rrojtur,kur ra zilja e telefonit dhe iu desh të shkonte ta ngrinte receptorin ashtu ende me shkumë në njërën faqe.
– Alo…
O,ishte Petriti,miku i tij,të cilin pas Nëntëdhjetës kishin filluar ta thërrisnin Piter ! Por ç’e donte inxhinieri mekanik i cili,me t’u shpërbërë ndërmarrja,ku kishte punuar prej vitesh,i hyri tregtisë së elektroshtëpiakeve,që i sillte me kamion nga jashtë ? Firmës private i kishte vënë emrin e së bijës dhe,thoshte pa ndonjë drojë prej besëtydi se,punët i ecnin për mrekulli…
E kishte marrë vesh që ishte kthyer nga shërbimi dhe i shkoi mendja ta ftonte për një darkë te një restorant mes pishave në Golem,pronarin e të cilit e njihte. Do të vinte patjetër me të shoqen dhe,kërkoi që në fillim nga Mondi të mos ia prishte.
E si t’ia prishte ? Pas shërbimit rropatës,një darkë aty mes pishave,pas të cilave dallgëzonte deti,do ta kënaqte,e do t’ia flladiste mendjen…
Me t’u kthyer në Tiranë,kishte ndalur së pari në Televizion sa për të lënë në zyrë kasetat me të cilat kishin xhiruar dokumentarin,por tek po zbriste shkallët për t’u larguar,ishte shkëmbyer me atë femrën,që e pikasën kur erdhi në Televizion ,ditën që ata po prisnin të niseshin me shërbim.I hapi krahun,por ndonëse i kryqëzuan vështrimet pashmangshmërisht,nuk shkëmbyen as edhe një përshëndetje të lehtë etike me kokë.
Ah,por paskësh qenë vërtet e bukur,tronditshëm e bukur ! Mbante në dorë një tufë letrash dhe nxitonte.Mësoi,ashtu nëpër këmbë se e quanin Lori dhe, se kishte nisur një emission për modën, i cili do të transmetohej çdo fundjavë.
Epo,sa shpejt të gjitha : vendi i punës,emisioni…
Eh,çfarë restoranti ! I sajuar me ca parete plastikë dhe i mbuluar po me plastikë,ai dukej i përkohshëm sa edhe një dekor teatri dhe, po të ktheheshe,fjala vjen, një ditë më pas e të mos e gjeje më aty,s’të takonte të habiteshe.Brenda,ato pak tryeza ishin të pazëna,por të tre ramë dakord të uleshim përjashta,te tavolinat e sëritura mbi truallin e shtruar me zhur e të rrethuar me tela me gjemba,që kishin tepruar nga repartet e dikurshëm ushtarakë të zonës bregdetare,ku për kilometra të tëra,ndalohej rreptësisht hyrja e civilëve gjer në Nëntëdhjetën…
Lart ndriçonin ca llamba ngjyra – ngjyra ,vargjet e gjatë të të cilave,të kapur te drurët e pishave përqark,të kujtonin një kafene fshati,në një ditë feste…
Por dale,dale ;çfarë do t’u sërvirnin miqve,aty përjashta n’ajrin e pastër të asaj mbrëmjeje të butë dimri ?
Sa për ndonjë biçim menuje,asqë bëhej fjalë.
Tregtari i frigoriferëve dhe lavatriçeve ishte në formë,ashtu si edhe gruaja e tij plus size, e cila qeshte sa i dilnin lot,ndërsa Mond Adami vështronte ende përqark dhe,një moment i shkrepi në kokë të lëshohej përmes pishave,gjersa të dilte përballë detit që kërcëllinte e shkumëzohej ! Por hë për hë,nuk ishte punë që bëhej; ndoshta pas darkës,këtë dëshirë të tij,mund t’ia propozonte edhe çiftit të gëzuar.
– Mirëmbrëma ! –i përshëndeti kamerierja ëmbëlsisht,një femër,e cila,në vend të një përparëseje,apo të një farë uniforme me emrin e lokalit,kishte veshur pantallona xhins dhe,një bluzë aq të shkurtër,sa mund t’ia merrje për reçipeta.Por s’kishte ftohtë jo.- Zotëria ,- vazhdoi – që është klienti ynë i pandarë,ka porositur që paradite një pjatancë me karkaleca dhe një tjetër me sallatë miks; kështu ?
– Po po,e porosita pronarin tuaj të nderuar dhe,në fund nuk harrova t’i them se,n’orën shtatë,kur ne të jemi ulur në tryezë,i duam të na i vini përpara.
– Sapo i kemi përgatitur dhe tani ua sjell unë,por erdha t’ju pyes se çfarë dëshironi tjetër ?
– Po,falëminderit zonjushë,vazhdojmë. Mondi,ky restorant kaq modest në paraqitje,furnizohet qind për qind dhe drejtpërdrejt,pa ndërmjetës marifetçinj pra,nga Italia ; urdhëro e shprehu…
– Atëherë,ndonëse buzë detit,do të desha të më sillnit proshutë,të famshmen e Toskanës,keni ? Ah,shkëlqyeshëm ! Dhe djathëra,zonjushë,të të gjithë llojeve që ju ndodhen,vezë të ziera dhe perime të pjekura në skarë; ujdisini vetë në pjata,përse qesh Piter,ti tregtari i elektroshtëpiakeve,të fluturuan paratë që do të fitoje nga shitja e një sobe? Hahaha,sa zili do t’i kesh ato pjatat e mia !
Qeshën të tre.
– Nuk na mungon gjë neve,zoti Mondi,hë ? – e siguroi kamerierja me kërthizën jashtë,ndërkohë që klientët përballë i kishte të mbërthyer në xhupa – kur t’jua servirim proshutën,do të pandehni se ju kemi sjellë një buqetë trëndafilash,aq e dekoruar do të jetë pjata !
Mos më duken si ca vulva rozë të lëmuara ,tha me vete tallshëm Mondi.
– Oho,ja një poezi e vërtetë e artit të kulinarisë ! – ndërhyri gati me solemnitet Piteri – Kinezët kanë mijëra vjet që i thurin vargje ushqimit,duke ia dalë gjithmonë të të bindin se,ajo çka po ha,ka veti të njëmendta kurimi. Me ne të tjerët vazhdo me oktapodët, sepiet,yjet e detit…
– Në rregull,ja,do të kthehem menjëherë,verën do t’jua serviri vetë pronari ynë,me ç’rast edhe do t’ju takojë…
– Pa shih, – shpërtheu Mondi – ç’thesare mbaka brenda kjo baraka !
– Duke filluar që nga kamerierja – e plotësoi Piteri dhe i shkeli syrin .
Pas ndonjë ore,gjatë së cilës kishin ngrënë e kishim pirë duke biseduar për punët e tyre,për politikën po se po dhe,firmat piramidale,që ua kishin flakëruar trutë shqiptarëve brenda vendit,por edhe emigrantëve nëpër Europë,ku rropateshin,ndezën nga një cigare,të cilat ua dha me krenari Piteri.
– Eh,çfarë cigaresh janë këto t’uruarat – psherëtiu ai – Pijini pijini,tani vonë kam sjellë ca paketa.E si ta lësh duhanin,kur në botë ekzistojnë të tilla cigare ? O,i kam blerë mjaft shtrenjtë !
– Mirë ke bërë,por ne nuk kemi aspak ndër mend ta lëmë duhanin – iu kthye Mondi – Efekti i tij kundërstres është i rëndësishëm,prandaj nuk duhet injoruar.
– Poo ! – ia aprovoi këshillën Mondit bashkëshortja e Piterit,që po e thithte fort cigaren e saj.
– Këta restorantet,hotelet e motelet,e gjithë ç’janë ngritur sa hap e mbyll sytë,përgjatë bregdetit,nuk i paguajnë shtetit hë për hë as energjinë elektrike që harxhojnë pa e vrarë mendjen,as ujin e pijshëm,me të cilin veç të tjerash,vadisin e pastrojnë territorin përreth,qira jo e jo,ngaqë tokën e kanë zaptuar me kallashnikov në dorë dhe,kanë ndërtuar mbi të,ç’u ka shkrepur në kokë,pa dashur t’ia dinë për pronarët e saj ditëzinj që s’i llogarit kush. Tekefundit,dua të them që,sot është koha kur fitohet shumë para.Po unë ? O,edhe unë fitoj me grushte me ato elektroshtëpiaket e mia.E ç’të të fsheh ty ? Veç të shikosh ç’bëhet nëpër dogana! Aman o Zot,aman,lëre dhe nja tre vjet kështu !
– Eh,i marr me mend të gjitha prapësitë e këtij vendi ! – psherëtiu Mondi tek e shoi cigaren në tavëll.
– Ç’të fshehësh,kushdo luan me letra të hapura ,rrofshin ryshfetet,thuaj,por unë s’i duroj dot ca e ca tregtarë që i tremben fitimit të parasë dhe,gjithë ditën,të krishterë qofshin,apo myslimanë,bëlbëzojnë me fjalë turko – arabe,të përthithura nga mentaliteti dhe gjuha shqipe : inshalla,shyqyr,gjynah,bereqavers,mashalla…
– E ke pyetur ndonjë herë veten sesa shumë injorantë ka midis radhëve tuaja që po shtohen ? Injorantë e të papërgjegjshëm që mund të të marrin në qafë pa u bërë syri tërr me skarcitetet dhe ushqimet e skaduara që nxjerrin në treg ? Ata tremben nga fitimi i parasë,sepse e kërdisin klientin ; shih,belbëzojnë,kur të na ndëshkojë i Madhnueshmi.
– Nga të gjithë sorollopët ka,por shih edhe te ky restorant :tërë klientët si edhe unë,paguajmë me dollarë në dorë,a thua se Leku është hequr nga qarkullimi një here e mirë.
– Hëm, me dollarë e pagova edhe unë para një muaji televizorin Samsung.
– Sigurisht ,te ky lokal vijnë shpesh edhe disa deputetë të djathtë e të majtë,siç janë vetëquajtur dhe,me dollarë fringo paguajnë edhe këta ligjëbërësit.Lavdi Zotit që s’na erdhën sonte,sepse do të na e përdhosnin darkën ! Bëjnë zhurmë e rrëmujë dhe kanë pordhë të mëdha .S’janë më kundërshtarë politikë siç shfaqen në seancat e Kuvendit dhe hanë e pijnë në një tryezë e bëjnë gëzuar dhe i urojnë njëri – tjetrit shëndet e fat.
– Lëre aman ! Një herë tjetër më ke pohuar se,disa nga ata tregtarët,me të cilët,dashur pa dashur,takohesh e përplasesh,punojnë e lëvizin paratë e disa deputetëve,apo edhe të disa ministrave.
– Poo.
– Mos kujto se çuditem e alarmohem ? Jo,jo; për fat të keq jam argasur dhe më është shuar pulsi i revoltës. Kam parë e shoh përditë turli prapësish. Tashmë që po xhirojmë nga jugu në veri për ciklin e dokumentarëve ,të titulluar Shqipëria Demokratike,po e ndjek nga afër sesi po zbrazen qytetet njëri pas tjetrit,pale fshatrat.Të rinjtë,që i zgjonte dikur nga gjumi çanga e kooperativës që menatë,për të dalë n’arë,s’ka burrë që ua vë më shatin e lopatën mbi sup e t’i çojë të rrëmihin tokën apo të qërojnë kanalet. Ata,ose kanë zbritur në Tiranë,ose ia kanë mbathur me të katra jashtë. S’kishte si të ndodhte ndryshe në Shqipëri.Për mua mërgimi sapo ka filluar.Kanë ikur mëse një milion,por kjo shifër mund të dyfishohet pa u kuptuar.Ky vend, të cilin Zoti e ka krijuar të pasur,asnjë herë s’i ka ushqyer dot gjithë banorët e vet.Një ditë do të ketë më shumë shqiptarë jashtë,sesa këtu brenda republikës sonë.Ligji i kompensimit ka nisur të funksionojë,miku im.Mos harro,pesëdhjetë vite rresht,nuk lëvizi kush nga vendi,shqiptarët madje s’kishin as pasaportë dhe as e njihnin atë ; kishin veçse një letërnjoftim,të cilin duhej ta paraqisnin kur mernin racionin e fasuleve në dyqan,për t’u identifikuar,po qe se shitësja s’i njihte ende tërë banorët e lagjes.
Më duket se,norvegjezë,por ndoshta edhe irlandezë,tashmë ka më shumë n’Amerikë sesa në atdheun e tyre përkatës.E ç’pret atëherë të ndodhë me ne ?
Ca mesoburra, monstra të përtacisë,që kanë mbetur në fshat,pijnë raki e lozin bilardo e bixhoz,ndërsa punët i kryejnë gratë,të cilat dalin edhe në qytet të shesin ndonjë bidon me qumësht.
– Eh,njëlloj si në Rusi,Ukrahinë,Rumani e mbarë Europën Lindore të Kampit Komunist…
– Të dhimbsen ata fëmijët e vegjël që shkojnë në shkollën e fshatit gjysmë të rrënuar dhe s’di pse të duken si të braktisur.Udha që përshkojnë është përgjithmonë plot rreziqe: baltë,përrenj,ura gati në shëmbje,po po. Një mësues më tregonte me pikëllim se,i vinin ende në klasë nxënës që dilnin nga shtëpia pa ngrënë mëngjes. Asgjë s’i mban më njerëzit në fshat.Tarracat bujqësore,Piter, janë kthyer në zhargina dhe,humusi i tyre zë rrugët. Po pyjet e asgjësuar,a i ke parë,sesi u duken trungjet e prerë që tani si të petrifikuar ? Po ç’po them ? Ti i di të gjitha këto,por ja që kam nevojë të shprehem.
– Eh,sa vështirësi ka përpara ! Për Zotin askush s’e di saktësisht se,çfarë do të thotë të kapërcesh nga socializmi në kapitalizëm.Sidomos nga ai socializmi ynë.
– Nga ai socializmi ynë,te ky kapitalizmi ynë…
– Vendet si Shqipëria,veçse një bujqësi intensive e industrializuar mund t’i shpëtojë nga uria.
– Fshatrat po boshatisen frikshëm ; po kthehen vetëm disa pasanikë të rinj që ndërtojnë vila me mermer,n’oborrin e të cilave vendosin kopje të statujave të Venusit,Apollonit, etj.Pale pishinat dhe mjellmat,apo Mercedes Benz-i në
hyrje! Oho,edhe flamuri i kombit majë çatisë…
– Kitsch i shëmtuar është e gjithë shija e tyre,megjithatë ata i rikthehen fshatit jo më si argatë,por si aristokratë.
– Pika aristokratëve…
Gruaja e Piterit ndezi një cigare të dytë me ta fikur të parën dhe u përqëndrua tek ekrani i televizorit,të vendosur mbi një kub të lartë,ndanë tryezës së tyre.
– Piter ! – i tha – mos na i ndërro më cigaret,të tilla na bli prapë andej nga do të vesh.Uaa ! – klithi befas – shih kush na doli n’ekran !
Burrat kthyen kokën rrëmbimthi,të nxitur nga pasthirrma e saj dhe,Mondi pa Lorin me flokët e saj të artë gjer te supet. Psherëtiu së brendshmi dhe u kapërdi,që ta kishte zërin të qëruar,nëse do t’i lëshoheshin ta pyesnin për të.Ndërkohë Piteri po i tregonte celularin e ri që kishte blerë dhe,ai gjeti rastin të hiqte sytë nga ekrani e të dëgjonte shpjegimet e mikut të tij.
Domethënë,Lori tashmë kishte vërtet një emission të sajin,të programuar madje për transmetim të përçdojavshëm.Ja,në studio kishte ftuar katër vetë,por shih kur t’i turrej gruaja gazmore plus size !
– Mondi,po ç’është nevoja të dalësh n’ekran me gjithë atë gjoks jashtë ?Për më tepër vend e pa vend.
– Ah,moj gruaja ime e dashur,femër më të bukur se kjo,unë për veten time s’kisha parë gjer më sot në atdheun tonë ! – e ngacmoi Piteri.
– Oh,na preke ; dihet që ju burrat jeni ca budallenj ! Mos pandehni se ajo ka vërtet një gjoks të madh e të parënë sa ç’po ju lë përshtypjen juve. Ehu, sa marifete ka ! Ka ditur të ndreqet shtriga .
– Mirë mirë,por na lër ta shohim ca,e dashur. Po për leshrat aman,ke ndonjë koment ?
– Jo jo,përkundrazi.Do të dëshiroja shumë të kisha edhe unë ca flokë si t’asaj.
– Pale ç’trup duhet të ketë ! Të shohim kur të hapet plani i studios edhe një herë dhe ta këqyrim.Ç’thua ti Adam ? Eh,ja edhe Televizioni,qëlloi në shenjë më në fund dhe,e këputi një yll për vete.Shprehem kështu sepse e di që bashkëshortja ime s’ka përse bëhet xheloze.
– Gruaja jote është një mrekulli më vete ; pak e shëndoshë,por sa në modë janë femrat e plota sot ! Ka një mentalitet të ri tashmë në përzgjedhjen e modeleve në pasarelat e megapoleve të modës.
– Aman Mondi,mos më bëj koplimente,sepse bëhet keq ky i marri.
– Kur iu vure ti pas,kjo zonja ishte njëzet vjeçe dhe të gjithë çmendeshin pas pulpave të bardha të saja,hë ?
– Edhe Piteri,atëherë Petriti,ka qenë çun simpatik,ç’e pyet…
Qeshën të tre.
Erdhi kamerierja dhe solli një pjatancë me thela pjepri të verdha si limoni,të pikëzuara aty – këtu me luleshtrydhe.
– Sikur nuk duket të jetë e mençur kjo moderatorja,Adam,apo jo ? – pyeti Piteri,tek hidhte sytë herë – herë n’ekran. – Por edhe trupin e paska të hijshëm.Pa shih,e gjatë…
– Ç’punë ke ti me atë ? – iu gërmush e shoqja – Ja,kofshë e cica sa të duash ! Ndiq të kamerieres që është më e re dhe aspak e zorshme për ta tërhequr,sepse me siguri kryen edhe ca shërbime të tjerë; e ke parë vetë sesi argaliset me deputetët që vijnë veçse me ca dashnore të shpifura .Kjo e ekranit,mirë e the,nuk duket të jetë e mençur.Shpesh mençuria shkon në përpjesëtim të zhdrejtë me bukurinë,hahaha ! Porosit,o i humbur verë,ç’është ky pjepër që tani, me nusepashke përsipër !
– Në vend ! Por dëgjo,se mos duket e mençur kamerierja,por fundja,e ç’nevojë ka për shumë mend.Pastaj mos harro se edhe ti ke qenë yll e bukur,por njëherësh të mbanin edhe për inteligjente,kështu që ai përpjesëtimi i zhdrejtë…
– O Zot,çfarë çifti jeni ju !
– Një minutë,një minutë; pa dale se na hutuat.Ua,kush është kjo ! Po fol o Mondi,fol ! Kjo femër ka luajtur edhe në disa filma të viteve të komunizmit,në dy së paku,eh role episodikë …
– Nuk e di zonjë. Nga filmat e realizuar gjatë diktaturës,kam ndjekur fare pak syresh dhe,si unë kishte edhe plot të tjerë.Por filmat që më kanë pëlqyer,do t’i shihja me vëmendje edhe sot e kësaj dite ; regjisorët e tyre të talentuar dhe të mençur,ndonëse të dhunuar nga censura,kanë ditur të përzgjedhin skenarët e duhur,t’i shkruajnë edhe vetë madje,kur u lypsej ca më tepër liri krijuese.Sa për ndarjen e roleve dhe ilustrimin muzikor original,telashet ishin më lehtësisht të përballueshëm,sepse aktorë dhe kompozitorë të zotë,ka pasur gjithmonë në Shqipëri.Pjesa tjetër dërrmuese e filmave ishin thjesht skematikë,propagandistikë,paraqisnin një realitet ekzaltues fals,ku vetëm punohej e këndohej ; prifti dhe hoxha,fjala vjen,në to ishin përçdoherë personazhe negativë dhe anakronikë dhe të lidhur me qarqet reaksionarë ndërkombëtarë.Sekretari i Partisë,pastaj,ashtu me flokë të thinjur ishte aq negativisht personazh pozitiv sa…
– O,lëre aman !
– Shih veç kur të nisin t’i transmetojnë rregullisht të gjithë filmat e komunizmit.Sot, të shkurdisur nga liria,pa norma dhe etikë qytetare,askush nuk po di të bëjë një film për të qenë.Regjisorët amatorë,pandehin se do të çudisin dynjanë me ato manierat kinse moderniste që s’dinë as t’i kopjojnë. Ndërsa ,të vjetrit,për habi e për paradoks,ashtu të kolauduar që të mbijetonin e të qëllonin në shenjë gjatë diktaturës,dështuan sot,kur kuturisën të bëjnë një film të ri…
– Unë do t’i shihja përsëri me qejf ata filmat e dikurshëm.S’e di,por ndihej nevojë t’i ndjek.Kushedi sesi do të më tingëllojnë pas kaq kohe…
– Shikoji ,zonjë,por ja ndërkohë ta shpjegova arsyen e mosnjohjes së kësaj moderatores.Ti ndiqi prapë ata filma,por nostalgjia patologjike është veçse dëmprurëse .
– Mundet.Oh,si po kujtohem : këtë femrën e quajnë Loreta,shkurt e thërrasin Lori,poo…
– Lori e thërrasin,e di.Kur u ktheva nga shërbimi, ndala së pari në Televizion për të lënë në zyrë kasetat dhe materialet e tjerë të xhirimit dhe,tek po zbrisja shkallët ,e ndesha këtë Lorin përballë,kaq…
– Si nuk na rrëfeve gjë prej gjëje,e kur se,sonte në këtë mbrëmje të rrallë dimri,me të ngrëna e me të pira,me verë frymëzuese në tryezë e me një kameriere që tundet e shkundet ? Sa thashetheme ka për këtë Lorin,tani u ndërmenda !
– E për kë femër të bukur nuk ka thashetheme ?
– Ku bëhet pa thashetheme ? Ajo banonte dikur te “Rruga e Durrësit” dhe dilte në xhiro me minifund pa pikë zori.S’pyeste ,po të them për askënd.Ti e di që po të ndiqje modën n’ato vitet e komunizmit,mund të të përjashtonin edhe nga shkolla,por mund të të shkulnin edhe nga Tirana ,me gjithë familjen,nëse nuk hiqje dorë pas kritikave.Por ti sonte na rrëfeve veçse për ciklin e dokumentarëve që po xhironi nëpër Shqipëri.Pale si i janë vardisur Lorit të tërë në atë Televizionin tuaj ?
– Të thashë,asgjë nuk di për atë femër,së paku tani për tani,por edhe ti…
Piteri qeshi :
– Nuk shpëton dot prej kësaj, Mondi jo,sajo ndonjë gjë,nëse do t’ia hesdhësh paq,hahaha…