Hyrje
Filozofia lindore ndahet në përgjithësi në dy degë kryesore: ajo e traditës budiste-hinduiste dhe ajo e traditës kineze-japoneze-koreane. Ne do të përqendrohemi në traditën budiste-hinduiste duke trajtuar problemet terminologjike në përkthimin e teksteve të kësaj tradite duke marrë si shembull veprën e joginit dhe filozofit të njohur indian Shri Aurobindo (Sri Aurobindo[1]), që ka shkruar dhe botuar në anglisht. Sistemi filozofik i Jogës Integrale, të cilën ai e ka zhvilluar në bazë të eksperiencave të tija spirituale, përfaqëson një terminologji të gjithanshme, që mbulon termat më të rëndësishëm të traditës budiste-hinduiste. Në vitin 2005 është botuar për herë të parë me tirazh shumë të ulët dhe ribotuar me tirazh pak më të lartë në vitin 2014 përkthimi nga origjinali anglisht në gjuhën shqipe i një përzgjedhjeje tekstesh kryesore të veprës së Shri Aurobindos me një hyrje të hollësishme të përkthyesit në problemet përkthimore dhe terminologjike si dhe në biografinë dhe veprën e autorit.[2]
Këtu bëhet fjalë për një vepër në fushën e letërsisë filozofiko-spirituale, e cila ka bazën në filozofinë spirituale të traditës indiane, ku përdoret një terminologji e veçantë me terma kryesisht nga sanskritishtja. Për përkthimin e saktë të këtij libri duhej krijuar një terminologji e re në gjuhën shqipe, dhe gjatë kësaj përpjekjeje përkthyesi has në shumë probleme terminologjike dhe vështirësi përkthimore. Këtu do të përmenden vetëm disa nga problemet themelore duke hyrë edhe në hollësi për të treguar shumanshmërinë e çështjes. Por përpara duhet të ndalojmë pak tek marrëdhëniet e përgjithshme midis tekstit dhe përkthimit.
Ka shumë teori të ndryshme mbi përkthimin.[3] Këtu i referohemi tipologjisë së tekstit, e cila orientohet nga përkthimi, e zhvilluar nga translatologia Katarina Rais (Katharina Reiß).[4] Sipas modelit Organon të gjuhës nga Karl Byleri (Karl Bühler) shenjat kanë tri funksione komunikative: paraqitje, lidhur me objektin ose përmbajtjen; shprehje, lidhur me dhënësin ose autorin; dhe apel, lidhur me marrësin ose lexuesin. Katarina Rais e shtjellon më tej teorinë e Bylerit duke përcaktuar respektivisht tre tipa tekstesh: së pari tipin informativ, i cili thekson informacionin, përmbajtjen e tekstit; së dyti tipin ekspresiv, i cili thekson formën, shprehjen e autorit; dhe së treti tipin operativ, i cili thekson apelin ndaj lexuesit. Në një tekst kemi zakonisht të gjitha funksionet komunikative, por gjithmonë njëra dominon mbi të tjerat. Raisi është i mendimit, se tipi mbizotërues në një tekst vendos për metodën e përkthimit, e cila duhet zgjedhur.
Me tekste të tipit informativ duhen kuptuar ato tekste që kanë për qëllim kryesor dhënien e përmbajtjes, dmth. të informacionit. Pra bëhet fjalë në radhë të parë për dhënie informacioni mbi çështje fiktive ose reale. Shembuj të tipit informativ të tekstit janë: njoftimet e ndryshme, punimet shkencore, dokumentat, instruksionet për përdorim, përshkrimet, përmbledhjet etj.. Metoda adekuate e përkthimit të këtyre teksteve të tipit informativ është ajo e përkthimit prozaik, i cili orientohet nga objekti duke ruajtur të gjitha informacionet e tekstit burimor në tekstin përfundimtar.
Edhe tekstet e tipit ekspresiv japin informacione, por mënyra e përdorimit të gjuhës është tipar dominues në to. Dhënësi, dmth. autori dëshiron të thotë diçka mbi veten nëpërmjet strukturës së tekstit. Nga këndvështrimi i marrësit, dmth. i lexuesit teksti tregon pra diçka nga autori. Shembuj të tipit ekspresiv të tekstit janë: në përgjithësi të gjitha tekstet letrare si romani, novela, poezia, pjesët teatrore si komedia dhe tragjedia, biografia etj.. Metoda e përshtatshme e përkthimit të këtyre teksteve të tipit ekspresiv është ajo e përkthimit identifikues, i cili orientohet nga autori duke ruajtur formimin artistiko-estetik të tekstit burimor në tekstin përfundimtar.
Tekstet e tipit operativ japin informacionin në një formë të caktuar, sepse para së gjithash kanë si qëllim efekte jashtëgjuhësore, pra apelimin ndaj dëgjuesit apo lexuesit të tekstit. Kështu në qendër të vëmendjes është marrësi. Shembuj të tipit operativ të tekstit janë: propagandat, reklamat, pamfletet, satirat, predikimet etj.. Metoda më e përshtatshme e përkthimit të këtyre teksteve të tipit operativ është ajo e përkthimit adaptues, i cili orientohet nga sjellja e lexuesit ose dëgjuesit duke ruajtur identitetin e apelit të tekstit burimor në tekstin përfundimtar.
Për tipologjinë e tekstit të librit të Shri Aurobindos mund të themi se bëhet fjalë për një tekst filozofiko-spiritual, i cili thekson në radhë të parë përmbajtjen, dmth. informacionin, dhe si i tillë ai është kryesisht një tekst i tipit informativ.
Probleme terminologjike
Parimi im lidhur me përdorimin e fjalëve të huaja e të huazuara si terma specifikë në një fushë të caktuar është që marrja e tyre justifikohet, në qoftë se
së pari, ekuivalentet përkatëse mungojnë në gjuhën e vet;
së dyti, formimi i fjalës është i pamundur me anë të mjeteve gjuhësore të gjuhës së vet;
së treti, ato mund t’u përshtaten rregullave gramatikore të gjuhës së vet.
Përkthimi i termave angl. “spirit” (gjerm. “Geist”) dhe angl. “soul” (gjerm. “Seele”)
Në shqip fjala “shpirt” mund të nënkuptojë në anglisht edhe “spirit” (gjerm. “Geist”) edhe “soul” (gjerm. “Seele”). Gjithsej kam gjetur pesëmbëdhjetë zgjidhje të mundshme, prej të cilave dua t’i përmend vetëm më të rëndësishmet.[5]
Këtu problemi qëndron në atë, se si mund të përkthehet në gjuhën shqipe fjala angl. “spirit” në kuptimin e transhendentes, absolutes, hyjnores përtej kohës dhe hapësirës dhe në kuptimin e hyjnores si origjinë e kohës dhe hapësirës si dhe fjala angl. “soul” në kuptimin e shpirtit individual spiritual të pavdekshëm të njeriut.
Perifrazimet (variantet nr. 7-8) nuk janë zgjidhje të vërteta të problemeve terminologjike, por vetëm shtyrja e tyre.
Fjalëkrijimet (var. nr. 9-15) e reja kanë një shans të mirë për t’u pranuar vetëm në se nuk ekziston ende një variant tjetër që i plotëson nevojat e shprehjes.
Varianti (nr. 1), i cili përdor të njëjtën fjalë “Shpirt” si për njërin term ashtu edhe për termin tjetër, është i pazbatueshëm në një tekst të tillë, ku nuk duhet të ngatërrohen “spirit” dhe “soul” në asnjë mënyrë për hir të kuptimit të drejtë të filozofisë spirituale në fjalë.
Varianti (nr. 3) “Frymë” për “spirit” dhe “Shpirt” për “soul” përfaqëson tendencën aktuale mbizoteruese në hapësirën shqipfolëse duke u mbështetur në terminologjinë krishtere, ku varianti “Fryma e Shenjtë” po fillon të zërë vend gjithnjë e më shumë para variantit “Shpirti i Shenjtë”. Mëgjithatë fjala e fundit në këtë lidhje nuk është thënë ende. Por një fakt i pamohueshëm është që fjala “Shpirt” mbulon, pa pasur ndonjë konkurrencë serioze, kuptimin e “shpirtit individual të njeriut”.
Variantet (nr. 4-5), që mbështesin përdorimin e fjalës “Shpirt” për “spirit”, d.m.th. për “shpirtin e vetëm të përgjithshëm”, dhe e fjalëve “Psike” dhe “Psikikë” për “soul”, d.m.th. për “shpirtin individual të njeriut”, janë ndoshta konkurrentët më të fortë. Shri Aurobindo vetë përdor në anglisht fjalët “psyche” dhe “psychic” si sinonime për “soul”. Ky fakt e justifikon përkthimin analog të fjalës angleze “soul” me fjalën e huazuar nga greqishtja “Psik|e, -ja”, e cila rrjedh nga greqishtja “psyche” në kuptimin e shpirtit individual të njeriut. Vendimi për këtë variant (nr. 4) mund të bazohet gjithashtu në faktin, se fjala shqipe “Shpirt” në kuptimin e fjalës angleze “spirit” është huazuar fillimisht nga latinishtja duke u mbështetur në fjalën “spiritus” (ital. “spirito”) në kuptimin e shpirtit të vetëm të përgjithshëm, siç e kemi përmendur edhe më sipër. Kështu i kemi shqipëruar të dy termat kyç të filozofisë spirituale dhe të Jogës Integrale të Shri Aurobindos nëpërmjet huazimeve nga dy gjuhët antike të Evropës, nga greqishtja dhe latinishtja. Ky variant e zgjidh përfundimisht problemin e ngatërrimit të mundshëm midis domethënieve “shpirt i vetëm i përgjithshëm” dhe “shpirt individual i njeriut” si dhe midis termave “Shpirt” dhe “Frymë”, të cilët në varësi të kontekstit mund të shprehin edhe “spirit” edhe “soul”. Gjatë zhvillimit historik të gjuhës shqipe fjala “Shpirt” ka filluar të mbulojë – krahas kuptimit të shpirtit të vetëm të përgjithshëm – edhe kuptimin e shpirtit individual të njeriut. Dhe sot kjo fjalë përdoret më shumë në këtë kuptim të ngushtë. Por kjo dykuptimësi e fjalës “Shpirt” e vështirëson tej mase përkthimin e teksteve të tilla, të cilat bazohen në eksperienca mistiko-spirituale, ku fjalët “soul” dhe “spirit” qëndrojnë shpesh pranë njëra-tjetrës në të njëjtën fjali dhe nuk duhen ngatërruar në asnjë mënyrë, për të mos shtrembëruar kuptimin e fjalisë deri në keqkuptime fatale.
Argumenti më i fortë kundërshtues ndaj përdorimit të fjalës “Psike” për “soul” në kuptimin e “shpirt individual i njeriut”, është përdorimi i zakonshëm i fjalës “Shpirt” në këtë kuptim dhe përdorimi në rritje i fjalës “Frymë” për “spirit” në kuptimin e “shpirt i vetëm i përgjithshëm” (var. nr. 3). Dhe në fakt fjala “Shpirt” për pjesën e pavdekshme hyjnore brenda qenies njerëzore është e ngulitur fort në përdorimin kolektiv të gjuhës shqipe. Një argument tjetër kundërshtues do të ishte fakti, se sot termat “psikikë” dhe “psike” nuk qëndrojnë vetëm për pjesën e mirëfilltë të pavdekshme të qenies sonë, por edhe për “ndjenjë” dhe “mendje”. Prandaj rezistenca kundër këtij varianti (nr. 4) mund të ishte tepër e madhe dhe shqipfolësit në gjithë botën do të vazhdonin të preferonin “Frymë” për “spirit” në kuptimin e “shpirt i vetëm i përgjithshëm” dhe “Shpirt” për “soul” në kuptimin e “shpirt individual i njeriut” (varianti i zakonshëm nr. 3), i cili për shkak të këtyre argumenteve të sipërpërmendura duhet të përdoret më në fund në përkthimin e veprës së Shri Aurobindos.[6]
Kështu që ne kemi për emrin „spirit“ (gjerm. „Geist, Spirit“) në kuptimin e “shpirt i vetëm i përgjithshëm” dhe për mbiemrin përkatës „spiritual“ (gjerm. „geistig, spirituell“) në ship emrin „Frymë“ dhe mbiemrat „frymor, spiritual“. Për emrat „soul, psyche“ (gjerm. „Seele, Psyche“) në kuptimin e “shpirt individual i njeriut” dhe për mbiemrin përkatës „psychic“ (gjerm. „seelisch, psychisch“) ne kemi në shqip emrat „Shpirt, Psike, Psikikë“ dhe mbiemrat „shpirtëror, psikik“.
Përkthimi i termit angl. „consciousness” (gjerm. “Bewusstsein”)
Për përkthimin e termit angl. “consciousness” (gjerm. “Bewusstsein”) ne kemi në shqip tri fjalë në dispozicion, të cilat përdoren pak a shumë si sinonime: vetëdije, ndërgjegje dhe koshiencë. Për sa i përket kuptimit të dijes mbi veten dhe mbi botën përdorimi i fjalës “vetëdije” është më i përhapur në hapësirën shqipfolëse. Fjala “ndërgjegje” përdoret më shumë në kuptimin e “ndjenjës vetjake të përgjegjësisë morale për sjelljen dhe veprimet përpara shoqërisë”. Dhe fjala “koshiencë” ka hyrë vonë në gjuhën shqipe duke u mbështetur në fjalën ital. “coscienza”. Vetëm në përkthimin e fjalës angl. “selfconsciousness”, të përdorur në veprën e Shri Aurobindos, ne hasim në një vështirësi, në qoftë se duam ta përkthejmë duke përdorur fjalën “vetëdije”. Se domethënia e fjalës “selfconsciousness” nuk është “vetësiguri, vetëbesim” (angl. “self-confidence”), por dija mbi veten. Pavli Qesku përkthen edhe „consciousness” edhe “selfconsciousness” me të njëjtën fjalë, pikërisht me “vetëdije”. Por në një tekst filozofiko-spiritual këta dy terma duhen dalluar patjetër. Meqenëse nuk tingëllon mirë të thuhet “vetëvetëdije” ose “vetëdije mbi veten” – sepse thjesht fjala “vetë-dije” e përmban në vetvete kuptimin e dijes mbi veten – ose të thuhet “vetëdije mbi botën”, mund të zgjedhim fjalën “koshiencë”, me të cilën të gjithë termat përkatësë në Jogën Integrale të Shri Aurobindos mund të formohen pa probleme në gjuhën shqipe, si p.sh. “vetëkoshiencë” (“self-consciousness”), “koshiencë mbi/për veten” (“consciousness of self”), “nënkoshiencë” (“subconsciousness”), “mbikoshiencë” (“superconsciousness”) etj.. Përveç kësaj nuk duhet harruar, që ital. “coscienza”, nga e cila është huazuar fjala shqipe “koshiencë”, e ka origjinën në fjalën lat. “conscientia”, e cila është gjithashtu baza formuese e fjalës “consciousness”.
Përkthimi i çiftit terminologjik angl. “the being and the becoming” (gjerm. “das Sein und das Werden”)
Angl. “the being” (gjerm. “das Sein”) ka kuptimin e ekzistencës së pandryshueshme transhendente në vetvete, e cila qëndron mbi kozmosin dhe mbi individin; angl. “the becoming” (gjerm. “das Werden”) ka kuptimin e procesit brenda ekzistencës së pandryshueshme, i cili zhvillohet në kozmos dhe brenda individit. Domethënia e këtyre termave është baza kuptimore e gjithë filozofisë spirituale dhe Jogës Integrale të Shri Aurobindos. Për përkthimin e përshtatshëm të tyre, pa përdorur perifrazime, të cilat nuk bëjnë për t’u bërë terma afatgjatë të një fushe të caktuar, kemi dy mundësi: ose çiftin “qenia dhe bërja” ose çiftin “të qenët dhe të bërët”. Meqenëse Shri Aurobindo nuk e përdor termin “the being” vetëm në kuptimin e ekzistencës mbikozmike dhe mbiindividuale në vetvete, por edhe në atë të qenies thelbësore të çdo gjallese dhe të çdo sendi në botë (në kozmos), duhet zgjedhur çifti i dytë, pra “të qenët dhe të bërët” për të shprehur domethënien e “the being and the becoming”. Shpesh është mjaft e vështirë të kuptosh megjithë ndihmën e kontekstit, se çfarë do të thotë “the being” në veprën e Shri Aurobindos. Përkthimi gjerman i veprave kryesore të Shri Aurobindos nga Heinc Kapesi (Heinz Kappes)[7] është një ndihmë e madhe, sepse në gjermanisht ekzistojnë – njësoj si në gjuhën shqipe – dy fjalë të veçanta për të dhënë kuptimin e saktë të fjalës angleze “the being” në një kontekst të caktuar, pikërisht “das Sein” (të qenët, ekzistenca) dhe “das Wesen” (qenia thelbësore e çdo gjallese dhe e çdo sendi). Nga ana kuptimore të dy termat filozofikë qëndrojnë shpesh shumë afër njëri-tjetrit, prandaj anglishtja i shpreh me të njëjtën fjalë “being” dhe shqipja gjithashtu shquhet nga afërsia dhe këmbyeshmëria kuptimore e fjalëve “qenie” dhe “të qenë”. Për sa i përket kuptimit të termit “të bërët” (the becoming), në përkthimin e veprës së Shri Aurobindos ai i referohet atij të foljes pësore “bëhem”. Ndryshe nga ai fjala “bërja” (the making, gjerm. das Tun, das Machen) përdoret në kuptimin e foljeve “bëj”, “kryej” dhe “veproj”.
Përkthimi i termit angl. “the oneness” (gjerm. “das Einssein”)
Fjalë të tilla si “unitet”, “bashkim”[8], “njësi” ose “njëshmëri”[9] i përgjigjen në kuptimin e mirëfilltë të fjalës më shumë termit angl. “unity” (gjerm. “Einheit”) sesa termit angl. “oneness” (gjerm. “Einssein”), i cili përkthehet më mirë me “të qenët një”. Për hir të ruajtjes së larmisë së shprehjeve të anglishtes së Shri Aurobindos, i cili i ka zgjedhur fjalët dhe termat me një qëllim të caktuar spiritual, përkthyesi duhet të përpiqet jo vetëm për një përkthim besnik të kuptimit – që është një kusht i domosdoshëm i padiskutueshëm në fushën e përkthimit të teksteve të tilla me përmbajtje filozofike jospekulative në bazë të eksperiencave mistiko-spirituale –, por edhe të bëjë një përkthim të fjalëpërfjalshëm në të gjitha rastet, ku pasuria e fjalorit dhe mundësitë e fjalëkrijimit të gjuhës shqipe e lejojnë një gjë të tillë.
Mënyra e të shkruarit të termave me origjinë sanskrite në gjuhën shqipe[10]
Të gjithë termat sanskritë citohen duke dhënë temën[11], d.m.th. rrënjën e tyre.[12] Ekzistojnë disa terma sanskritë, të cilët kanë hyrë ndërkohë në gjuhën shqipe dhe kanë marrë mbaresa përkatëse. Pjesën më të madhe të tyre mund ta gjejmë në fjalorin “Anglisht-Shqip” të Pavli Qeskut[13], si p.sh. “jog|ë, -a” (sanskritisht yoga), “nirvan|ë, -a” (sanskr. nirvāna[14]), vedant|ë, -a” (vedānta), “veda, -t” (veda), “brahman, -i” (brahman), “atman, -i” (ātman), “avatar, -i” (avatāra), “Vishnu, -ja” (Visnu[15]), “Shiv|ë, -a” (Śiva), “Brahm|ë, -a” (Brahmā), “Krishn|ë, -a” (Krsna[16]), “mantr|ë, -a” (mantra), “guru, -ja” (guru) dhe “karm|ë, -a” (karma).
Kur një gjuhë merr hua një fjalë nga një gjuhë tjetër, atëherë ka dy mundësi për formimin e fjalës së huazuar në gjuhën e vet: rrënja e fjalës së huaj ose ruhet ose nuk ruhet. Duke ruajtur rrënjën e fjalës së huaj, fjala e re e formuar në gjuhën e vet tingëllon shpesh e panatyrshme, kështu që nganjëherë është më mirë të ndërhyhet në temën e fjalës për t’i shtuar mbaresat e duhura. Një shembull për mospërfilljen e rrënjës së fjalës origjinale sanskrite është avatāra, e cila edhe në anglisht edhe në gjermanisht është “Avatar”, duke hequr zanoren –a në fund të temës, e cila është në fakt një pjesë përbërëse e saj. Edhe Pavli Qesku, duke i marrë termat sanskritë në mënyrë indirekte nga anglishtja, nuk e ruan rrënjën e tyre në shumicën e rasteve të sipërpërmendura. Për shkak të të gjitha këtyre arsyeve rekomandohet zbatimi i metodës së gjysmëruajtjes së temës në favor të natyrshmërisë tingëllore në përshtatjen e termave sanskritë në gjuhën shqipe.
Tek fjalët sanskrite si purusa[17] (“Purusha”), prakrti[18] (“Prakriti”), īśvara (“Ishvara”) dhe śakti (“Shakti”) ne hasim në një farë vështirësie, e cila megjithatë mund të kapërcehet: tingulli fundor i temës së tyre sanskrite tregon sipas rregullave të gjuhës shqipe një gjini të caktuar gramatikore. Në qoftë se i bindemi atyre, atëherë del, se “Purusha” dhe “Ishvara” janë të gjinisë femërore dhe “Prakriti” dhe “Shakti” të gjinisë mashkullore. Por në të vërtetë ata janë në gjuhën origjinale sanskrite si dhe në gjuhë të tjera, si p.sh. në anglisht dhe gjermanisht, të gjinisë së kundërt. Prandaj duhet përdorur përemri “ai” për Purushën dhe Ishvarën si dhe përemri “ajo” për Prakritin dhe Shaktin, duke përputhur gjithashtu përcaktuesit si p.sh. mbiemrat me gjininë e tyre origjinale në sanskritisht, d.m.th. për shembull “Purusha hyjnor”, “Ishvara hyjnor”, “Prakriti hyjnore” dhe “Shakti hyjnore”.[19] Perënditë hinduiste Shiva, Brahma dhe Krishna si dhe avatari[20] Rama konsiderohen në gjuhën sanskrite gjithashtu si mashkullorë dhe duhen trajtuar si të tillë edhe në gjuhën shqipe megjithë mbaresën e tyre –a në të shquar. Ky vendim justifikohet ndër të tjera me ekzistencën e disa fjalëve shqipe, tek të cilat gjinia gramatikore nuk përkon me mbaresën, si p.sh. mashkullorët “bab|ë, -a”, “pap|ë, -a”, “axh|ë, -a” dhe “daj|ë, -a” si dhe emrat e përveçëm femërorë “Ajten, -i”, “Fiqret, -i” dhe “Sadet, -i”. Kështu thuhet, duke përputhur mbiemrin me gjininë e vërtetë, “daja i mirë” dhe “Ajteni e bukur”.[21]
Përfundim
Këto shpjegime të hollësishme për problemet përkthimore dhe terminologjike ishin më se të nevojshme, sepse shqipërimi i veprës në fjalë është ndër të parat në fushën e përkthimit të letërsisë mistiko-spirituale të traditës indiane nga gjuhët e ndryshme të huaja në gjuhën shqipe. Deri më sot kanë dalë pak përkthime në fushën e Jogës, prej të cilave ende më pak[22] japin një terminologji të sistemuar, që mund të zbatohet në disa pika të përgjithshme për një përkthim me temë të ngjashme, por jo në pjesën e saj më të madhe, sepse ajo i referohet një Joge të caktuar, ku terma të veçantë kanë kuptime të veçanta. Në fakt ekzistojnë shumë disiplina të ndryshme të Jogës[23], dhe secila ka terminologjinë e vet. Të njëjtët terma, si p.sh. Purusha dhe Prakriti, mund të përdoren në sisteme të ndryshme të Jogës, por me kuptime të ndryshme. Meqë Joga Integrale e Shri Aurobindos përfshin tri nga disiplinat kryesore tradicionale të Jogës (sanskr. karmayoga, jñānayoga, bhaktiyoga) dhe i zhvillon më tej duke i integruar në një sistem të ri të praktikueshëm, terminologjia e Jogës Integrale në gjuhën sanskrite dhe angleze mund të konsiderohet si një ndër më të pasurat dhe më të plotat. Me anë të njohurisë së saj përkthime të tilla mund të kryhen me më pak vështirësi. Ka një numër të madh problemesh përkthimore e terminologjike lidhur me përkthimin nga gjuhët e huaja në shqip në këtë fushë. Prandaj përkthimi i veprës së Shri Aurobindos nga anglishtja në shqip është një punë prej pionieri, e cila mund të shërbejë si një bazë dhe shembull për përkthimet e ardhshme në fushën e filozofisë indiane.
Literatura
Shri Aurobindo: Evolucioni i ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë. E Përkthyer dhe e botuar nga Kurt Gostentschnigg. Vetëbotim 2014. (Origjinali në anglisht: Sri Aurobindo: The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth. Compiled with a Summary and Notes by P.B. Saint-Hilaire. Twin Lakes: Lotus Press 2003. 148 pages.).
Qenia Psikike. Shpirti: natyra, misioni dhe evolucioni i tij. E përpiluar nga veprat e Shri Aurobindos dhe e Nënës. E Përkthyer dhe e botuar nga Kurt Gostentschnigg. Vetëbotim 2014.
(Origjinali në anglisht: The Psychic Being. Soul: Its nature, mission and evolution. Selections from the works of Sri Aurobindo and The Mother. Twin Lakes: Lotus Press 1999. 223 pages.)
Katharina Reiß (1971): Möglichkeiten und Grenzen der Übersetzungskritik. Kategorien und Kriterien für eine sachgerechte Beurteilung von Übersetzungen. München: Hueber. (Hueber Hochschulreihe 12).
Katharina Reiß (1993): Texttyp und Übersetzungsmethode. Der operative Text. Kronberg/Ts.. 3. Aufl.. Heidelberg: Groos.
Erich Prunč (2003): Einführung in die Translationswissenschaft. Bd. 1. Orientierungsrahmen. 4. Aufl.. Graz: Selbstverlag Institut für Theoretische und Angewandte Translationswissenschaft.
Radegundis Stolze (1994): Übersetzungstheorien. Eine Einführung. Tübingen: Narr.
Oda Buchholz und Wilfried Fiedler (1987): Albanische Grammatik. Leipzig: Verlag Enzyklopädie.
[1] Shih veprat kryesore në: Sri Aurobindo Birth Centenary Library edition 1972.
[2] Shri Aurobindo: Evolucioni i ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë. Botuar dhe përkthyer nga Kurt Gostentschnigg. Vetëbotim 2014. (Origjinali në anglisht: Sri Aurobindo: The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth. Compiled with a Summary and Notes by P.B. Saint-Hilaire. Twin Lakes: Lotus Press 2003. 148 pages.).
Qenia Psikike. Shpirti: natyra, misioni dhe evolucioni i tij. E përpiluar nga veprat e Shri Aurobindos dhe e Nënës. Botuar dhe përkthyer nga Kurt Gostentschnigg. Vetëbotim 2014. (Origjinali në anglisht: The Psychic Being. Soul: Its nature, mission and evolution. Selections from the works of Sri Aurobindo and The Mother. Twin Lakes: Lotus Press 1999. 223 pages.)
[3] Shih Erich Prunč: Einführung in die Translationswissenschaft. Bd. 1. Orientierungsrahmen. 4. Aufl.. Graz: Selbstverlag Institut für Theoretische und Angewandte Translationswissenschaft 2003;
Radegundis Stolze: Übersetzungstheorien. Eine Einführung. Tübingen: Narr 1994.
[4] Katharina Reiß: Möglichkeiten und Grenzen der Übersetzungskritik. Kategorien und Kriterien für eine sachgerechte Beurteilung von Übersetzungen. München: Hueber 1971. (Hueber Hochschulreihe. Sprachen der Welt; 12);
E njëjta: Texttyp und Übersetzungsmethode. Der operative Text. Kronberg/Ts.. 3. Aufl.. Heidelberg: 1993.
[5] Varianti nr. 1: Fjala “Shpirt” përdoret edhe për fjalën “spirit” (gjerm. “Geist”, italisht “spirito”, latinisht “spiritus”, greqisht “pneuma”) edhe për fjalën “soul” (gjerm. “Seele”, ital. “anima”, lat. “anima” ose “animus”, greq. “psyche”).
Varianti nr. 2: “Shpirt” për “spirit” dhe “Frymë” për “soul”.
Varianti nr. 3: “Frymë” për “spirit” dhe “Shpirt” për “soul”.
Varianti nr. 4: “Shpirt” për “spirit” dhe “Psike” për “soul”.
Varianti nr. 5: “Shpirt” për “spirit” dhe “Psikikë” për “soul”.
Varianti nr. 6: Kuptimi në anglisht dhe gjermanisht në kllapa pranë fjalës “Shpirt” brenda tekstit të përkthyer, d.m.th. “Shpirt” (angl. “spirit”, gjerm. “Geist”) si dhe “Shpirt” (angl. “soul”, gjerm. “Seele”).
Varianti nr. 7-8: Perifrazime “Shpirt I Madh” ose “Shpirt I Përgjithshëm” për “spirit” dhe “Shpirt” për “soul”.
Varianti nr. 9: Një krijim fjale, d.m.th. një fjalë e re e krijuar, si p.sh. “Spirit-i” për “spirit” dhe “Shpirt” për “soul”.
Varianti nr. 10: Krijimi i fjalës “Madhshpirt” për “spirit” dhe “Shpirt” për “soul”.
Varianti nr. 11-13: “Shpirt” për “spirit” dhe një krijim fjale për “soul” duke u mbështetur në lat. “anima” (fem.) ose lat. “animus” (mashk.), si p.sh. “Anim|ë-a, -a-t“, „Am|ë-a, -a-t“, “Nim|ë-a, -a-t”.
Varianti nr. 14-15: “Shpirt” për “spirit” dhe një krijim fjale për “soul” duke u mbështetur në angl. “soul”, si p.sh. “Sol-i, -ë-t“, „Sul-i, -ë-t”.
[6] Në tirazhin e parë prej 40 copash të përkthimit tim të librit “Sri Aurobindo: The Future Evolution of Man. The Divine Life upon Earth” (shqip “Shri Aurobindo: Evolucioni i ardhshëm i njeriut. Jeta hyjnore në Tokë”), i vetëbotuar në vitin 2005, unë kam përdorur ende variantin nr. 4, të cilin e kam mbrojtur gjithashtu në shkrimin tim: Kurt Gostentschnigg: Probleme përkthimore dhe terminologjike në përkthimin e teksteve të filozofisë lindore. Në: Hylli i Dritës 26 (2006), nr. 2 (249), f. 140-158.
[7] Heinc Kapesi ka përkthyer veprat kryesore të Shri Aurobindos nga anglishtja në gjermanisht dhe i ka botuar ato në Gjermani në shtëpinë botuese “Hinder + Deelmann”.
[8] Emrat, trungu i të cilëve mbaron me –im, tregojnë në radhë të parë një proces dhe vetëm në radhë të dytë një gjendje, e cila është rezultati i procesit. “Bashkim“ përdoret dhe kuptohet sot më shpesh si “unitet“ ose si “njësi“ (në kuptimin filozofik), por në fakt kjo fjalë tregon më shumë procesin e të bashkuarit në kuptimin e unifikimit ose njësimit.
[9] “Njëshmëri“ mund të jetë një fjalë e re e krijuar. Nëpër fjalorët ekzistues mund të gjendet vetëm “njënjëshmëri“, me të cilën Pavli Qesku përkthen “oneness“ në fjalorin e tij “Anglisht-Shqip“, megjithëse ajo duhet të ishte angl. “sameness“, sepse “njënjë“ dhe “i/e njënjëshëm, -me“ do të thonë “njësoj“ dhe “i/e njëjtë“.
[10] Për të qenë sa më i saktë, jam konsultuar me Prof. Kristian Cinko (Christian Zinko) nga Instituti i Gjuhësisë në Universitetin e Gracit në Austri, i cili ndër të tjera merret edhe me studime mbi sanskritishten.
[11] “Temë” në kuptimin e rrënjës së fjalës, që nuk mund të ndahet më tej në pjesë përbërëse, që bart e ruan kuptimin themelor dhe që shërben si bazë për të formuar fjalë të reja.
[12] Disa shenja diakritike (dalluese) të sanskritishtes nuk i kisha në dispozicion gjatë përkthimit të librit, prandaj i kam dhënë mangësitë në shkrimin e tyre, kur përmenden për herë të parë, në shënimet në fund të faqes.
[13] Qesku jep vetëm një formë, pa shënuar, nëse është fjala për të shquarën apo të pashquarën. Kështu ne gjejmë p.sh. “krishnë“ dhe “brahma“; e para duhet të jetë e pashquar, e dyta duhet të jetë e shquar.
[14] Poshtë „n“-së së dytë duhet një pikë.
[15] Poshtë shkronjave „s“ dhe “n” duhet një pikë.
[16] Poshtë shkronjave „r“, „s“ dhe “n” duhet një pikë.
[17] Poshtë shkronjës „s“ duhet një pikë.
[18] Poshtë shkronjës „r“ duhet një pikë.
[19] Lakimet alternative për “Purush|ë, -a”, “Prakrit, -i”, “Ishvar|ë, -a” dhe “Shakt, -i” do të kishin qenë: “Purusha, -ja” ose “Purusha, -i”, “Prakriti, -a”, “Ishvara, -ja” ose “Ishvara, -i” dhe “Shakti, -a”.
[20] Mishërimi i Hyjnores në një formë fizike.
[21] Shih Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler: Albanische Grammatik. Leipzig: Verlag Enzyklopädie 1987, f. 205 e 269.
[22] Si p.sh. “Urtësia e Joga-s”.Tirana. Pa shënim viti.
[23] Fjala sanskrite “yoga” do të thotë “lidhje, bashkim”. Jogini përpiqet të lidhet me Psiken e vet (d.m.th. me “shpirtin individual brenda vetes”), e cila është një pjesë hyjnore dhe e lidh joginin me Hyjnoren, me Zotin. Fjala latine “religiō” do të thotë “fe, besim” dhe rrjedh nga folja latine “religare”, e cila do të thotë “rilidh, ribashkoj”. “Yoga” dhe “religio” shprehin pra të njëjtën domethënie fillestare.

















