Vilson Blloshmi ishte në listat e “kontingjenteve armike” të regjimit komunist. I cilësuar si bir një familjeje kulake me baba e xhaxha të burgosur, ai nuk kish si t’i shpëtonte goditjes së luftës së klasave. I lindur në një familje arsimdashëse, me një inteligjencie natyrale për t’u admiruar, adhurues i madh i librit dhe poet që do ta kishte luks çdo vend, Vilsoni ishte preja e një regjimi ziliqarësh e kriminelësh. Me mbarimin e shkollës së mesme pedagogjike, atij nuk iu dha e drejta të punonte në arsim.
Raporti i parë për të u soll në vitin 1970 kur ishte në moshën 22-vjeçare. Ishin përgjithësisht shprehje për çështjen e punësimit të tij. Më vitin 1974 informatori “Bleta” sillte bisedën me Vilsonin rreth përkthimit të Lamartinit, një diskutim për jetën i ndarë në dy faza, nga rinia te pleqëria me kthimin në fund te besimi për Zotin. Këtë kohë Vilsoni punonte në minierën e Përrenjasit. Diskutimi ishte filozofik dhe jo politik, por raportimi analizohej se Vilsoni ka “përbërje shumë të keqe politike”. “Bleta” në Përrenjas shkonte sërish më 12.10.1974 në dhomën e Vilsonit gjoja për të mësuar frëngjisht. Atje gjeti një person tjetër, Genc Lekën, të cilin Vilsoni ia prezantoi si shokë dhe të afërm. Vilsoni diskutoi me Gencin për letërsinë dhe artin. “Bleta” vërente se “Genc Leka ishte njeri me kulturë dhe e njihte mirë letërsinë, gjithashtu ai vuri re se të dy kishin shumë libra, nga të cilët dhe të autorëve të papërkthyer në shqip si Dideroi, Shatobriani, Lamartini etj.. Vilsoni i kishte thënë se atij i pëlqenin shumë idealistët në teori, për mënyrën se si ata i kundërvihen materialistëve.
Më 15.2.1975 është marrë vendimi për vënien e tij në përpunim paraprak (PP). Më 19.4.1975 informatori “Shkumbini” raportonte se i kish rënë në sy se “Vilson Blloshmi, lexonte shumë literaturë të huaj në gjuhën frënge”, ndërsa Genc Leka i thoshte se Vilsoni frëngjishten e kishte gjuhën e vet. Në vijim jepen dy informacione të përgjithshme që nuk janë rënduese ndaj Vilsonit.
Më 11.8.1975 Vilson Blloshmi, i cilësuar “shtresë e pasur kulak”, u ngrit në kontroll operativ 2B. Jepeshin si arsye bisedat me bashkëpunëtorët “Studenti” dhe “Bleta” “për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin pakënaqësi të theksuar ndaj partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë”. Por siç i bënte Sigurimit punët, niveli i informacionit ishte jo cilësor. Madje vëllai i Vilsonit, Bedriu, shkruhet në listën e lidhjeve familjare si “kushëri” i tij.
Më 5.11.1975 operativi Vesel Gjorga shkruan disa detyra në drejtim të përpunimit të Vilson Blloshmit, ku peshën më të madhe e mbajnë “Studenti” dhe “Shkumbini”. Vija e sjelljes ndaj tyre është ajo provokuese. Do pyetej se ishte me shkollë të mesme dhe nuk i jepnin të drejtën e dhënies mësim. Edhe shakatë që bënte Vilsoni e që mbështeteshin në ngjarje të njohura, operativët i shkruajnë me nëntekste armiqësore e të qëllimta.
Për të ndezur pak situatën, organizohet djegia e muzeut të Bërzheshtës. Për këtë qëllim, informatori “Dardha”, me porosi të Vesel Gjorgës provokon Vilsonin, të cilin e takon më 20.3.1976 në Qukës. Vilsoni i thotë se djegien mund ta ketë bërë Sigurimi për të marrë njerëz në qafë, por ishte i sigurt se asnjë prej tyre (të deklasuarve) nuk e kish bërë këtë gjë. Madje ishte shkruar edhe një letër për gjoja kryengritje, etj.. Më 17.4.1976 operativi Xhevat Karriqi kërkon të ngrihet Vilsoni në përpunim aktiv 2A “si armik klase dhe të ecet drejt goditjes së tij”. Pas kontrollit që i është bërë në shtëpi, ai kërkon të gjendet lista e librave të ndaluar. Kërkon kontrollin edhe të gruas së Vilsonit dhe të kihej kujdes se mund të arratiseshin të dy.
Më 10.5.1976 vendoset ngritja në përpunim aktiv 2A e Vilson Blloshmit. Si arsye jepen origjina si kulak, zhvillimi i agjitacionit e propagandës kundër pushtetit (në dosje janë opinione, por jo të atilla që plotësonin elementin penal), si dhe kallëzimi i datës 9.5.1976 (në fakt, në dosje është kallëzimi i datës 15.5.1976) i qytetarit Ferit Çota se Vilsoni mund të arratisej. Feriti kishte qenë shok ushtrie me Vilsonin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton me personalitet të qëndrueshëm.
Kallëzimi i Çotës (në të cilin ishte futur edhe një element që mund të lidhej me “terrorin”, marrja e dy minave) i bëhet i njohur sekretarit të parë të PPSH-së në rreth, Sotir Koçollarit si dhe Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB.
DPB Librazhd miraton edhe planin e masave agjenturiale operative për parandalimin e arratisjeve të Vilsonit, Genc Lekës, etj. Më 14.5.1976 Ferit Çota instruktohet si ta provokojë Vilsonin, përfshi edhe një incizim të fshehtë në vendin e caktuar, që u realizua po atë ditë. Ndaj Vilsonit vendoset survejimi. Një vijësjelljeje tjetër për denoncuesin harton edhe operativi Xhevat Karriqi. Çota e realizon incizimin, por në të nuk ka asgjë thelbësore, nuk arrin ta fusë në kurth Vilsonin. Duket që edhe kallëzimi i tij ishte i rremë. Ai e provokon vazhdimisht Vilsonin se do të arratisej. “S’jemi takuar hiç ne të dy”-i thotë Vilsoni. Kur ishte zhvilluar goxha bisedë, Vilsoni e fton të bisedojnë jashtë godinës, por Çota refuzon. “Për çfarë më ndjek mua prapa ti”- i thotë Vilsoni që duket e ka kuptuar lojën e tij. Në këtë mënyrë dështoi gjithë plani i përgatitur nga DPB Librazhd për të futur në kurth Vilson Blloshmin. Dështimi i gjithë shtetit dukej qartë edhe në shënimin e fundit sepse “objekti” (Vilsoni) nuk kishte besim te denoncuesi. Për këtë arsye, Ferit Çota më 15.5.1976 nënshkruan para hetuesit Lulo Ymeri dhe operativit Spiro Lera një kallëzim (të rremë) penal ndaj Vilson Blloshmit, duke kaluar kështu drejt veprimeve legale hetimore-gjyqësore. Sipas kallëzimit, më 9 maj, kur ishin duke gjuajtur peshk, Vilsoni gjoja i kish thënë se do arratisej në Jugosllavi. Por as këtu Vilsoni nuk kapet në kurth. Ai shkon në DPB Librazhd dhe kallëzon Ferit Çotën për kallëzim të rremë. Zgjuarsia e Vilsonit arrin në një pikë vërtet të pabesueshme. Ai akuzon Feritin se i kishte para borxh si dhe ndërton kundërakuzën e tij bazuar në provokimet e tij (Feritit), duke nxjerrë se ishte provokuesi ai që i kish thënë të arratiseshin.
Dështimi i F.Çotës, detyron operativ V.Gjorgën të dërgojë informatorin “Dardha”. Gjorga shkruan se Blloshmi ndiqej për tentativë arratisje dhe si kulak. Operativi tjetër Xhevat Karriqi, porosit “Studentin” të provokojë Vilsonin se kush e kish djegur muzeun e fshatit. Karriqi çon “Nogolin” dhe ndryshe nga Vesel Gjorga shkruan se Vilsoni ndiqej për agjitacion e propagandë, e jo për tentativë arratisje. Të dy operativët, ngatërrohen me njëri-tjetrin. Nuk ishin kurrkund me planin e tyre.
Më 20.6.1976, DPB Librazhd miraton një plan masash kundër Vilsonit, të hartuar operativi Xh.Karriqi dhe miratuar nga zëvendëskryetari Spiro Lera. Plani synonte aktivizimin më të madh të bashkëpunëtorëve “Dardha” e “Studenti”, si dhe identifikimin e përkthimeve e librave të ndaluar që mbante Vilsoni. Akuza qartësohej për agjitacion e propagandë. Shënimi i fundit për Vilsonin është në lidhje me shkrimet dhe librat që i kishin marrë.
Pasi të gjithë dështojnë, Vilsoni arrestohet më 5.8.1976.
Skeda e përndjekjes së Vilson Blloshmit
-15.2.1975 në përpunim paraprak PP
-11.8.1975 në kontroll operativ 2B
-10.5.1976 në përpunim aktiv 2A
-5.8.1976 arrestohet
-17.7.1977 ekzekutohet
Skeda e jetës së Vilson Blloshmit
18.3.1948 u lind në Bërzeshtë
1962-1966 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan
1966-1968 punëtor në ndërmarrjen e drurit në Stravaj
1968-1970 ushtar në Tale të Lezhës
1970-1973 në kooperativë bujqësore
1973-1975 minator në minierën e Përrenjasit
1975-1976 në kooperativë bujqësore
*Marre nga kujto.al