LAMTUMIRË, ABAZ MUSË BUÇPAPAJ, KUSHERINI IM FISNIK DHE PATRIOT. Nga dr. Mujë Buçpapaj

Ka njerëz që ikin dhe pas tyre mbetet heshtja. Ka të tjerë që, edhe pasi mbyllin sytë, vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve, në rrugët ku kanë ecur, në kafetë ku kanë folur, në shtëpitë ku kanë hyrë, në fjalët që kanë thënë dhe në zemrat e atyre që i kanë dashur. Abaz Musë Buçpapaj ishte nga këta njerëz.

Dje, në Bajram Curri,(Tropojë) iu dha lamtumira njërit prej bijve të saj të nderuar. Familja, fisi, miqtë dhe njerëzit që e njohën e përcollën për në banesën e fundit një burrë 94-vjeçar, i cili e kishte jetuar pothuajse një shekull shqiptar, me gjithë dritën dhe hijet e tij, me gjithë ndryshimet, përmbysjet, padrejtësitë, shpresat dhe zhgënjimet.

Dhe ndoshta nuk ka mënyrë më të bukur për ta kuptuar një njeri sesa të shohësh çfarë lë pas vetes kur largohet.Abazi la pas familjen.La pas miqtë.La pas fisin.La pas kujtimet.Por mbi të gjitha, la pas nderin e një emri.Dhe një emër i nderuar është një nga pasuritë më të mëdha që një njeri mund t’u lërë brezave.

Në historinë e një fisi ka lidhje që nuk shkruhen në libra. Ato ruhen në kujtesën e burrave dhe grave, kalojnë nga babai te biri dhe mbijetojnë edhe atëherë kur kohët përpiqen t’i ndajnë njerëzit.

Babai i Abazit, Mus Isufi, ishte kushëri dhe mik i babait tim, Mehmet Buçpapajt. Dy familjet tona ishin të lidhura nga gjaku, por mbi gjakun u ndërtua edhe një miqësi e gjatë, e cila u provua në kohë të vështira.Dhe kohët ishin vërtet të vështira. Kur familja ime e ngushtë u përndoq dhe u godit nga regjimi komunist si “reaksionare”, kur fjala “biografi” mund të bëhej më e fortë se çdo meritë njerëzore, kur lufta e klasave mund të shtrihej deri në shtatë breza dhe frika i mësonte njerëzit të largoheshin edhe nga të afërmit, Abazi, vëllai i tij Selimi dhe familjet e tyre nuk u larguan prej nesh.Nuk e mohuan gjakun.Nuk e mohuan miqësinë.Nuk e mohuan të shkuarën.Qëndruan.

Dhe ndonjëherë, në historinë e një familjeje, të qëndrosh është një akt më i madh se çdo fjalë.

Regjimet ndryshojnë. Ideologjitë vijnë e shkojnë. Kohët përmbysen. Por disa gjëra nuk duhet të ndryshojnë kurrë.Gjaku nuk bëhet ujë. Kjo ishte një nga mësimet e heshtura që Abazi dhe familja e tij na lanë.

 

Abazi jetoi 94 vjet.Por mosha nuk e kishte zvogëluar. Edhe në vitet e fundit të jetës, kur shumë njerëz të moshës së tij mbështeten pas kujtimeve të largëta, ai të jepte përshtypjen e një burri ende në këmbë përballë jetës.Ishte mbi dy metra i gjatë si nje malsor tipik. Një kolos. Por kolosët e vërtetë nuk maten me centimetra.Madhësia e Abazit ishte tjetërkund: te karakteri, tek fisnikeria, guximi dhe mençuria.

E shihje duke ecur nëpër Tiranë me hapin e tij të sigurt, gjithmonë i gjallë, me humor dhe me atë pamje të një burri që nuk ishte dorëzuar kurrë para viteve.

Abazi e lidhi gjithë jetën e tij aktive me ushtrinë shqiptare, së cilës i shërbeu me përkushtim deri në daljen në pension. Për të, uniforma nuk ishte thjesht një profesion, por një mision dhe një nder. Në karrierën e tij ushtarake ai dëshmoi profesionalizëm të lartë, përgatitje të vazhdueshme, disiplinë dhe përgjegjshmëri, por edhe atë cilësi të rrallë të drejtuesit që di të bashkojë autoritetin me mirëkuptimin njerëzor. Me kolegët dhe vartësit ruante marrëdhënie të respektit të ndërsjellë, dinte të dëgjonte, të vlerësonte dhe të udhëhiqte, ndërsa aftësitë e tij të forta në drejtim, organizim dhe menaxhim e bënë një kuadër të besueshëm dhe të respektuar të Forcave të Armatosura. Ai ishte një ushtarak i formuar në frymën e detyrës, disiplinës dhe nderit, por mbi të gjitha një patriot që besonte se shërbimi ndaj ushtrisë ishte shërbim ndaj Shqipërisë. Ia kushtoi vitet më të mira të jetës uniformës shqiptare dhe e mbajti deri në fund të karrierës së tij bindjen se nderi i ushtarakut dhe dashuria për Atdheun janë dy vlera që nuk ndahen kurrë. Për Abazin, Shqipëria nuk ishte vetëm vendi ku kishte lindur; ishte Atdheu të cilit i kishte dhënë një pjesë të madhe të jetës së tij.

Tre dekadat e fundit i kaloi në Tiranë, pranë të birit, Agimit, edhe ky ushtarak i shquar dhe profesionist, i cili, edhe pse kishte një karrierë të gjatë e të suksesshme, u largua vitet e fundit nga shërbimi për arsye ideologjike.

Edhe kjo ishte një nga padrejtësitë e kohëve që familja e Abazit i përjetoi pa u thyer. Abazi nuk jetoi për luks.Nuk jetoi për dukje.Nuk jetoi për pasuri.Jetoi për familjen, per vendin dhe Atdheun.Dhe në fund të jetës, kjo ishte pasuria e tij më e madhe.Ka një privilegj që koha ua jep vetëm disa njerëzve: të shohin jetën e tyre të vazhdojë përtej vetes.

Abazi pati fatin të shihte katër breza të familjes së tij.Të birin. Nipin. Stërnipin. Të shihte një familje që rritej përpara syve të tij dhe të ndiente se jeta e vet kishte kaluar në duart e një brezi tjetër. Rreth tij ishin jo vetwm i biri Agimi, por edhe vajzat  Dusha dhe  Mimoza, motrat  e tij Xhanja e Hamitja dhe një rreth i madh fëmijësh, nipërish, mbesash e stërnipërish.Kjo është ndoshta një nga format më të bukura të pavdekësisë: të vazhdosh të jetosh në fytyrat e atyre që vijnë pas teje.

 

Por jeta e Abazit nuk ishte vetëm dritë. Ai njohu edhe dhimbjen e madhe. Bashkëshortja e tij, Zadja, grua fisnike nga Memiajt e njohur të Gashit, u nda herët nga jeta. Dhimbja e saj lidhej edhe me humbjen tragjike të djalit të tyre, Besimit, i cili u nda nga jeta në lulen e rinisë, duke lënë pas një nuse të re dhe një vajzë të vogël. Disa dhimbje nuk shërohen. Njeriu vetëm mëson t’i mbajë me vete. Abazi e mbajti atë dhimbje gjatë gjithë jetës, por nuk e la të shndërrohej në hidhërim. Vazhdoi të jetonte. Vazhdoi të kujdesej. Vazhdoi të qeshte. Vazhdoi të ishte pranë të tjerëve.

Ndoshta ky ishte një nga triumfet e tij më të mëdha: të mos lejonte që dhimbja t’ia mundte fisnikërinë.Në vllazërinë Buçpapaj, Abazi kishte një autoritet të veçantë. Jo vetëm sepse ishte më i madh në moshë.Por sepse kishte fjalën e matur të burrit që kishte parë shumë. Ai nuk fliste për të mbushur heshtjen. Fliste kur kishte diçka për të thënë. Dhe fjala e tij kishte peshë. Në Tropojë, në Tiranë, mes familjarëve, miqve dhe bashkëkrahinorëve, ishte një pikë referimi.I drejtë. I ndershëm. I thjeshtë. Inteligjent. Human.Por edhe i prerë, siç i shkon një ushtaraku.Kur duhej të ishte i rreptë, ishte i rreptë. Dhe kur puna kërkonte vendim, fjala e tij nuk kishte nevojë për shumë përsëritje.

 

Në vitet e fundit, kishim një ritual të vogël.Kafenë. Abazi dhe miqtë e tij, kryesisht nga Tropoja, mblidheshin pothuajse çdo ditë në një kafene në qendër të Tiranës.Aty kalonte një orë.Ndoshta më shumë. Flisnin për gjithçka. Për Tropojën. Për Malsinë e Gjakovës.Për njerëzit që kishin ikur.Për ata që kishin mbetur.Për Kosovën.Për Shqipërinë.Për politikën.Për kohët e vjetra.Dhe, mbi të gjitha, për njerëzit.Kishte humor.Kishte kujtime.

Ndër kujtimet e shumta që sillte Abazi, ishte edhe një episod i hershëm, që sot, pas kaq shumë vitesh, duket si një copëz e gjallë e një bote që po largohet bashkë me njerëzit e saj.

Kur lindi Skënderi, vëllai im i madh, familja jonë kishte marrë një gëzim të veçantë: pas tri vajzave, baba im, Mehmeti, ishte bërë me djalë. Në atë kohë Abazi kryente shërbimin ushtarak në një repart në Jug të Shqipërisë. Babai im i dërgoi një telegram ku e njoftonte për lindjen e djalit. Telegrami i gjeti Abazit ndërsa ishte në shërbim roje, në repart. E hapi, e lexoi dhe, në vend që ta mbante gëzimin për vete, bëri atë që do të bënte një malësor kur i lind një djalë: mori pushkën dhe qëlloi disa herë në ajër.

Reparti kaloi menjëherë në alarm. Komandanti doli me nxitim për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Përballë tij ishte Abazi, ende me telegramin në dorë. Kur e pyeti për arsyen e krismave, Abazi ia zgjati telegramin dhe i tha, me natyrshmërinë e tij:

Në Malësi, kur na lind djalë, qesim pushkë. Më lindi kushëriri djalë dhe këtë zakon e kreva edhe këtu.

Ishte një përgjigje që vetëm Abazi mund ta jepte në atë çast: e drejtpërdrejtë, e pafajshme dhe njëkohësisht e rrënjosur thellë në traditën prej nga vinte.Sigurisht, kjo ishte një thyerje e disiplinës ushtarake. Por komandanti, pasi kuptoi arsyen, nuk mundi të mos e falte. Përkundrazi, e uroi Abazin për kushëririn e sapolindur.Kështu, lajmi për lindjen e Skënder Buçpapajt u shoqërua me krisma edhe larg Tropojës, në një repart ushtarak në Jug.

Sot, ky episod më duket më shumë se një kujtim familjar. Është një copëz e asaj bote të dikurshme shqiptare ku lindja e një djali ishte gëzim i gjithë fisit, ku pushka ishte pjesë e gjuhës së festës dhe ku një burrë mund të harronte për një çast rregulloren e repartit, por jo zakonin e vendlindjes.Dhe Abazi, edhe nën uniformën ushtarake, edhe larg maleve, mbeti bir i Malësisë.Uniforma e kishte mësuar të respektonte rregullin; vendlindja i kishte mësuar të nderonte gëzimin. Atë ditë, për pak çaste, gëzimi fitoi mbi rregulloren.

 

 

Kishte atë lloj bisede që sot po bëhet gjithnjë e më e rrallë: bisedën e njerëzve që e kanë jetuar historinë dhe nuk kanë nevojë ta kërkojnë atë në libra.Unë isha gjithmonë i ftuar në atë rreth. Jo gjithmonë arrija të shkoja.Puna ime me librin, gazetën, kulturën dhe jetën publike më merrte kohën.Sot, do të doja të kisha shkuar më shpesh.Sepse sot e di se disa kafe nuk duhen shtyrë për nesër. Këtu kam një peng që do ta mbaj gjatë. Kishim folur me Abazin të shkruanim kujtimet e tij. Nuk u realizua. Dhe sot më dhemb.

Sepse ato kujtime nuk do të ishin vetëm kujtime të Abazit.Do të ishin kujtime të një epoke.Një njeri që jetoi 94 vjet mbante brenda vetes një shekull.Një shekull familjar.Një shekull tropojan.Një shekull shqiptar.Kujtime për njerëzit, për ushtrinë, për komunizmin, për luftën e klasave, për demokracinë, për ndryshimet e mëdha që kaluan mbi këtë vend.

Abazi ishte një arkiv i gjallë.Dhe sot ai arkiv u mbyll.Por fjalët e tij, historitë e tij, mënyra e tij për ta parë botën, duhet të mbeten.Ky është edhe detyrimi im.Sepse një shkrimtar nuk mund ta lejojë kujtesën të vdesë dy herë.

Ka një tjetër kujtim që nuk mund ta lë jashtë. Kur u plagosa me nje bresheri kallashnikove  në vitin 1997, Abazi ishte ndër të parët që më erdhi në spital.Nuk harrohet njeriu që të gjendet pranë kur je në një nga ditët më të vështira të jetës. Nuk harrohet fjala e dhënë në një dhomë spitali.Nuk harrohet dora e kushëririt që vjen jo për të bërë detyrën e një të afërmi, por sepse e ndien dhimbjen tënde si të vetën.Këto janë kujtime që nuk zverdhen.

 

Abazi e deshi shumë vendlindjen.Edhe pse jetoi gjatë në Tiranë, zemra e tij kishte mbetur në Tropojë.Kur krijuam shoqatën e fshatit tonë, ai ishte ndër njerëzit që dha ndihmën e tij me këshilla dhe kontakte.E ftoja në veprimtaritë kulturore qe organizoja dhe vinte me kënaqësi. Tre vjet më parë, në promovimin e librit të bashkëfshatarit tonë Al Bajrami, “Tplani, vendlindja ime”, Abazi ishte në panel bashkë me mua. Atë ditë foli për vendlindjen me një emocion që nuk mund të perseritet. Sepse vendlindja, për njerëz si Abazi, nuk është thjesht një vend në hartë.

Është vendi ku njeriu ka lënë fëmijërinë, prindërit, të parët, gjuhën, kujtesën dhe emrin.Ai e donte edhe kulturën, ndiqte Gazetën Nacional, të cilën e blinte çdo javë, dhe interesohej për jetën kulturore e publike.Dhe sa herë kishte një fatkeqësi në komunitet, ishte aty.Ngushëllonte.Mbështeste.Nuk mungonte.

Por ndoshta asgjë nuk e tregon më mirë lidhjen e Abazit me vendlindjen sesa amaneti i tij i fundit.I kishte thënë të birit, Agimit:“Më fut në dhe afër djalit Besimit.”Nuk kërkoi një varr larg.Nuk kërkoi një vend tjetër.Kërkoi të kthehej atje ku kishte lindur.Atje ku preheshin të parët.Atje ku ishte edhe biri i tij.Dhe Agimi ia përmbushi amanetin.Abazi u kthye në Tropojë.U kthye në dheun e vet.U kthye pranë Besimit.

Dhe Tropoja doli për ta përcjellë.Ndoshta ishte mënyra më e bukur për t’i thënë një burri:Ti ishe malsori ynë i nderuar.Sot Abazi nuk është më mes nesh.Por ka njerëz që nuk largohen krejtësisht.Ata mbeten në gjuhën e familjes.Në fotografitë e vjetra.Në rrëfimet e fëmijëve.Në kujtimet e miqve.

Në rrugët ku kanë ecur.Në kafetë ku kanë folur.Në emrat e atyre që do të vijnë.Dhe kështu do të jetë edhe me Abazin.Do ta kujtojmë si ushtarakun e shquar.

Si burrin shtatlartë që ecte drejt edhe në moshën 94-vjeçare.Si njeriun me humor.Si kushëririn që nuk e harroi familjen.Si burrin që nuk e braktisi gjakun në kohë të vështira.Si njeriun që dinte të ishte i fortë pa qenë i ashpër.Si njeriun që dinte të ishte i butë pa qenë i dobët.Si mikun që gjendej pranë kur duhej.

Si burrin që e deshi Tropojën deri në frymën e fundit.

Dhe, për mua, si një kapitull të gjallë të historisë së fisit Buçpapaj, një kapitull që tashmë është mbyllur, por që nuk duhet të harrohet.

Sepse njerëzit si Abazi nuk janë vetëm pjesë e familjes.Ata janë kujtesa e familjes.Dhe kur ikën kujtesa, detyra e të gjallëve është ta mbajnë ndezur dritën e saj.Abazi e përfundoi udhëtimin e tij.Eci përmes 94 vitesh jetë, përmes dashurive dhe humbjeve, përmes kohëve të mira e të këqija, përmes historisë së një familjeje dhe të një vendi.Në fund kërkoi vetëm pak dhe pranë birit.Dhe iu dha.Tani prehet në tokën ku kishte lindur.Në atë tokë që e kishte mbajtur gjithmonë në zemër.Ndoshta ky është kthimi më i madh i njeriut: të kthehet në fillim, pasi ka përshkuar gjithë udhën e jetës.

Lamtumirë, Abaz!

Ti ike nga kjo botë, por nuk ike nga kujtesa jonë. Do të jesh në rrëfimet e fëmijëve tanë, në kujtimet e vëllezërve e kushërinjve, në emrin e familjes, në bisedat e atyre që pinë kafe me ty dhe në historitë që një ditë do t’ua tregojmë brezave.Sepse ti nuk na le vetëm një jetë të gjatë.Na le një dëshmi se si mund të jetohet me dinjitet, me bese dh ender.Dhe tani, kushëri i dashur, pusho i qetë. Pas një udhëtimi 94-vjeçar, më në fund u ktheve në shtëpi.

Të qoftë lehtë dheu i vendlindjes, pranë Besimit, ashtu siç e kërkove!

E emri yt u kujtoftë gjatë, për aq kohë sa në këtë tokë të ketë njerëz që e dinë se çfarë do të thotë familje, besë, fis, vendlindje dhe nder.

Lamtumirë!

Dhe prehu në paqe, në tokën tënde!