Lexim i romanit “Dyer të paputhitura”, i shkrimtarit Halit Shamata. Studim nga Dr. DURIM ÇAÇA

GJERATORET E GROTESKES DHE RRËNIMI I UTOPIVE POLITIKE

Aktet estetike, si konfigurime të përvojës, sjellin gjithëherë në ekzistencë, mënyra të reja të të ndjerit dhe induktojnë forma të reja të subjektivitetit artistik. Pas shpalljes së rrënimit të utopive politike e të dramaturgjisë së humnerës, vjen çmagjepsja prej post-modernes, me hovin e një moderniteti të ri.

1.SHTJELLA TË NJË SAGE ANTIHEROIKE

Në rastin më të mirë, një artist modern krijon një të shkuar vetjake e cila, në thelb, është e ndryshueshme. Ndërgjegjësimi i tij për të tashmen, i rrokur në menjëhershmërinë dhe kohëçastshmen e saj të papërballueshme, bëhet burimi kryesor i frymëzimit dhe i forcës së tij krijuese. Në këtë kuptim, mund të thuhet se, për një artist modern, e shkuara imiton të tashmen, shumë më tepër se e tashmja imiton të shkuarën, sepse moderniteti është kalimtarja, e paqëndrueshmja, e ndryshueshmja, e pasigurta, imanentja.
Ndjenja e pasigurisë, ankthit, pafuqisë përforcohet vazhdimisht prej ngurrimit, dyshimit, dilemës, mëdyshjes së rrëfimtarit, ku kundërthëniet e qëllimshme të të cilit ia hedhin fajin paqetësisë, amnezisë, pamundësisë për të ndarë “faktin” prej “trillimit”, të tensionit të brendshëm shpirtëror e që shpërfaqen edhe në trilogjinë (që ne po e konceptojmë si të tillë) të tre romaneve: “Dyer të paputhitura”,( SAIT, 2001, Tiranë), “Një vit i brishtë”, (Ombra GVG, 2008, Tiranë) dhe “Kolonia e erës”, ( Plejad, 2012, Tiranë), të shkrimtarit të spikatur Halit Shamata. Në nivelin e strukturës së “trilogjisë”, teknika e krijimit të të fshehtave (mistereve) ekzistenciale, merr formën e qasjeve rishqyrtuese më të gjera që pasojnë, apo të riinterpretimeve të gjithçkaje që ka ndodhur më parë. Këto tekste, (tre romanet në fjalë) të cilët, dhe pse tejkalojnë në elemente të veçantë metodën artistike të dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit XX, gjithësesi janë po në hullinë estetike post-moderniste, sepse përdorin hapur konvencione dhe teknika strukturore dhe stilistikore të kësaj estetike, si: përdorimin e ri ekzistencial apo ontologjik, (në ç’mënyrë ekziston teksti dhe në ç’mënyrë ekziston bota që ai pasqyron) të perspektivizmit, (i ndryshëm prej atij, kryesisht psikologjik, që gjejmë tek modernizmi), tematizimin parodik të autorit që ndërhyn kudo, me një damar të qartë vet-ironizues, trajtimin e barabartë të faktit e trillimit, të realitetit dhe mitit, të së vërtetës dhe gënjeshtrës, -si mjete për të theksuar luhatshmërinë, referimin ndaj vetes dhe “metafiksionin”, si mënyrë për të dramatizuar karakterin rrethor të pashmangshmërisë. Nga ana stilistikore, përveç përdorimeve të veçanta dhe shpesh herë parodike të mjeteve të mëdha tradicionale retorike, mund të vërejmë te arti i literaritetit të këtij autori të një sharmi galant, turbullues, përshkëndites, parapëlqimin e tij të dukshëm për figura të tilla jokonvencionale, si: anakronizmi i qëllimtë, tautologjia dhe palinidi, (ripërdorimi i motiveve, përdorur më parë në veprën e tij poetike e romanore, paradokset, etj. si dhe të autorëve botërorë, Shekspirit, etj.). Cikli i romaneve në shqyrtim, (të trilogjisë, në perceptimin tone të kësaj përsiatjeje kritike eseistike), i ngjan kështu një sage antiheroike e absurdi, (ngaqë veprimet heroike janë të mundshme vetëm në epokat kur nuk është përhapur akoma vet-ironia). Shpërfaqur, e gjitha kjo, përmes një projeksioni të groteskes, ndërthurur me paradoksin, parabolën, parodinë dhe humorin e zi, të një virtuoziteti të thellë therës. Të groteskes që është mohimi absolut i qetësisë, – të kësaj gjendjeje pastërtie, tejpashmërie dhe ftillimi, – kaq larg dëshpërimit, prej të cilit lindin kaosi dhe zbrazëtia. Të groteskes që fsheh, në të shumtën e rasteve, tragjeditë e brendshme, të cilat nuk shprehen në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes aktualizimit dhe intensifikimit të frikës dhe tmerrit:
“…Ishte pa gdhirë akoma kur gardiani i turnit u fut me potere në kapanon dhe nisi t’u heqë një nga një batanijet e vetme të burgosurve, – Kush ash t ai doktori i veshëve, mor jahu,- dhe vazhdonte të zbulonte me radhë të fjeturit e vdekur, në mos të vdekurit e fjetur. Mjeku nën batanije u shtang. – Pse duan të më marrin?! Unë edhe një muaj lirohem. Kishte dëgjuar që, ata që i pushkatonin, i merrnin në të zbardhur. – Apo duan të më ridënojnë, meqë më mbaron dënimi, dhe e mbuluan djersë të ftohta. Mundësia e dënimit, në krahasim me pushkatimin në të zbardhur, iu duk si një realitet festiv lirie. Pasi e mblodhi veten, tha me zërin që nuk ngjasonte aspak me zërin e tij: Jam unë, -tha i vdekuri. –Po fol, bre burrë, se nuk kena me t’vra sonte! Hajde, vishu! E ndoqi pas gardianin, gjersa u gjendën në sallën e vdekjes. Në skaj të dhomës së errët, mbledhur kruspull, gulçonte në dyshemenë e ftohtë, një njeri i mbytur në gjak që shtrëngonte veshin me duar…”. (“Dyer të paputhitura”).
Kush e ka parë veten në hipostazën groteske, nuk mund të harrojë kurrë, sepse do të trembej nga vetja e vet.:
“ …Ndjeu se e kaploi frika. Sa herë që përjetonte një çast frike e merrte veten dhe s’i bënte më përshtypje asgjë. –Po nuk u frigove, i thoshte e ëma, nuk bahesh kurrë trim. Ç’i duhet trimnia, ia kthente i ati. Bëhet luftë me këta?- Lene ti, se do t’vdesësh nga frika! -Unë jam trim, ia kthente i ati, por as frikë nuk kam. Ç’më hyn në punë frika. Po as trimnia s’më duhet kund. Kot nuk thonë, duhet nëntë hile, një trimni! Po dhe kjo është pak si tepër Ç’t’i bëj unë që nuk di të bëj dy hile bashkë?…Mendo se ç’do të ishte një botë që ka trima me shumicë, heroj me shitje të lirë!…” (“Një vit i brishtë”).
Modeluar e gjithë kjo narrativë sage të absurdes përmes groteskes së ironisë dhe satirës, “këtyre modeleve mitike të përvojës, përmes të cilave iu jepet formë dykuptimësive ndryshuese dhe ndërlikueshmërive të ekzistencës së paidealizuar”, (Northrop Fraj).

2. DYERT E PAPUTHITURA TË TOTALITARIZMIT

Me “shpirtin e idealitetit për një emancipim liberal, për një milieorizim (udhë të mesme) të politikës dhe të jetës së mendjes, për një shoqëri vërtet demokratike, që vë në pikëpyetje çdo gjë që është paravendosur dhe, me këtë çliron krijimin e kuptimeve të reja, ku të gjithë individët janë të lirë të krijojnë për jetët e tyre kuptimet që duan e që munden”, (Georg Steiner), romani “Dyer të paputhitura” paraqitet si një projeksion tragjikomik i deformimit të shoqërisë në diktaturë, i alogjizmit dhe iracionalitetit. Një vepër që përmbledh e ngjan me një “inventar” të frikës e paranojës, të makthit e vuajtjes së njerëzve të kohës, jo prej “demonëve të brendshëm” të qenies njerëzore, por prej “demonëve të jashtëm” të mekanizmave të terrorit shtetëror, (që i përndjek dhe i torturon përjetësisht), në një sistem totalitarizmi. Dhe kjo, në të gjitha nivelet e shoqërisë, (shtresat e thjeshta popullore dhe ato intelektuale) dhe në të gjitha trevat e vendit të pushtetit shtypës, (që nga kryeqyteti e qyteti bregdetar, gjer te bjeshkët e veriut e bregdeti i jugut). Një narrativë që ndërthur manierën, si ankth i përsëritur i autorit, (që ribën gjithnjë e vazhdimisht vetveten) me stilin, si aftësi për të kapërcyer vazhdimisht vetveten e që mund të vihet re vetëm përmes një vështrimi semiotik.
Kështu, në veprën në fjalë, një varg fatesh njerëzorë, rrotullorë, (i shurdhuari prej sirenave të policisë, -jo prej sirenave zëëmbla të mitologjisë e që është pseudo-i shurdhuari fals i spiunimit,- i shurdhuari prej këmbanës së orës së madhe të kullës së qytetit, i shurdhuari verior prej zërit të vet, në thirrjet kushtrimtare me zë majëkrahu, i shurdhuari prej breshërive të pushkatimit prej diktaturës, në mes të arës së bujkut himariot, I.SH, shoku i rinisë i mjekut otojatër dhe i spiunimit të burgimit të tij politik, përmes maskimit të një shurdhërie false, etj. dhe, mes tyre, mjeku i persekutuar , ngaqë flet dhe dëgjon, kur duhet të jetë shurdh e të mbyllë gojë dhe veshë edhe ai, – si një viktimë në mes të pacientëve të vet të viktimizuar nga njëra anë, që vërtiten në një qerthull, në një vorbull, rreth një gume tmerri e lemerie, (për shkak “të dyerve të paputhitura”, përmes të cilave dëgjohen zërat e brendshëm njerëzorë prej informatorëve të Sigurimit të Shtetit, që përgjon pas çdo dere, apo poshtë të cilave futen letrat anonime shantazhuese, provokuese, poshtëruese, terrorizuese të hafijeve të pushtetit). Që përsillen pa pushim, si në një rreth të 5-të dantesk, për shkak të pafajësisë së tyre të të qenit njerëz, apo si rrotull një abisi (humnere) të pafund dëshpërimi e dalldie, në një gjeratore a shtjelle angushtie e çmendurie, pa gjetur kurrë prehje. Dhe, në anën tjetër, pseudo-shurdhi të spiun i mjekut e i shumë të tjerëve), që vërtitet e qerthullon dhe ai, në një shakullinë infernale, rrokull ligësisë, çnjerëzisë dhe shfytyrësisë së vet prej monstre.
Në këtë narrativë shpërfaqet përdorimi parodik e shkatërrues i realitetit, që i kundërvihet kuptimit historik, duke e çliruar historinë përgjithmonë nga modeli njëherësh metafizik dhe antropologjik i kujtesës dhe duke bërë një kundër-kujtesë, për të shpalosur në të, një formë krejt tjetër të kohës shoqërore. Romani që po shqyrtojmë, projekton një realitet fantazmagorik, në pjesën më të madhe, jo nëpërmjet të ironisë së lehtë të së qeshurës e komikes së tre shkallëve të ulëta të burleskes dhe komedisë, (sipas klasifikimit të Fraj-it), por përmes ironisë tragjike të tre shkallëve të larta të saj, deri në satirën e hidhur të groteskes e të sarkazmës së humorit të zi. Kështu, në fazën e katërt të satirës, shfaqet më tepër aspekti elegjiak, ironia është më e pakët, e ndërthurur me ndjenjën e patos-it të butë e të denjë dhe tragjedia vështrohet ironikisht nga poshtë, nga perspektiva morale e realiste e gjendjes së përvojës, ku del në pah njerëzia e protagonistëve dhe zvogëlohet ndjenja e pashmangshmërisë rituale në tragjedi, duke bërë që vuajtja njerëzore të duket, sa më shumë që të të jetë e mundur, e tepërt dhe e shmangshme, (si te Tolstoi, Hardi e Konradi):
“…Unë, F. B., nga Bregu,(Himarë), 65 vjeç, i martuar, pa fëmijë: Natën e fundit të shkurtit 195…, sa kam vënë kokën në jastëk, dëgjova breshëri të shtënash. Zot, na ruaj!…Zbrita në rrugë, eca bregut të detit te dy pllajat…Vendi kundërmonte gjak i freskët..Një zë gruaje, foli gati midis këmbëve: Ndihmë, jam ende gjallë! Zë njeriu, as i gjallë, as i varrosur!… Më në fund, shkrepësja e fundit, u ndez. Vendi ishte bërë kasaphanë. Dheu përqark, i bërë baltë prej gjakut. Nisa të rrëmoj vendin përreth. Një çast, gjithë trupi m’u drodh! Kisha prekur dorën e gruas. Ishte ende e ngrohtë. Sapo kishte vdekur,si të thuash, vdiq në dorën time. E mbulova me pak dhe’. Vendi përqark ishte mbushur me gëzhoja.. Ia dhashë vrapit poshtë “Ndalo, ndihmë, jam ende gjallë!” Zura veshët me duar dhe, ashtu në rendje, çava kallmin dhe u futa në det me gjithë rroba. –Mos thirr, i thashë,- gjersa je gjallë, mos u ndiej se vijnë e të vrasin përsëri! Zura të mërdhij e të dridhem si purtekë kallmi. O Zot, pushkët paskan qenë të vërteta! Se mos më ka parë kush. Shahit kam detin dhe fikun në pllajë. Po pse ishte kaq e gjerë dhe kaq e cekët gropa? Aq pak dhe’ përsipër dhe aq shumë duar jasht. Të nesërmen qeshë i gjithi në ethe. Qeshë ftohur, por kjo s’qe gjë. Veshët më ushtonin nga plumbat dhe zëri i gruas. Doktor, kisha vendosur t’ia tregoj vetëm natës së varrit, por punët e sollën që humba dëgjimin dhe ja, ku jua thashë juve…”.

Duke u ngritur tek shkalla e ironisë tragjike të fatalitetit, që është më pak morale dhe më shumë stoike dhe rezinjuese, (e nënshtrimit dhe pajtimit me fatin):
“…Një çast mjeku u ndje i qetësuar prej piskamës që s’dihet nga i vinte dhe po atë çast e ndjeu që burri (malësori tropojan i thirrjeve me zë krahu, i shurdhuar prej zërit të vet të lartë), bashkë me zërin që prej mijëra vjetësh vazhdon të thërrasë në mal, ishte përballë tij, në dhomën e vogël të vizitave dhe pinte duhan, I patrazuar prej askujt. Ndoshta zërat tanë të mëvonshëm, janë pjellë e atij zëri, që s’pushon së thirruri në mal, në gjuhën e vendit. Bile edhe shurdhëritë e here-pas-herëshme, kalimtare qofshin apo ato që kanë vazhduar me shekuj, në një sens tjetër burojnë prej tij. Atëhere kur të tjerët, përdhunisht, na kanë prerë të gjitha fijet që na lidhin me të, si dhe atëhere kur e kemi lënë pas dore a mohuar, apo jemi dehur prej lloj-lloj tellallësh zëçjerrë e të paguar mirë (të cilët, në kohët moderne quhen zëdhënës dhe kohët moderne prodhojnë më shumë zëdhënësa sesa zë), ai zë ka thirrur e ka thirrur dhe, kur nuk i është përgjigjur njeri, ka shkuar të heshtë për aq kohë, sa ne kemi pranuar të jetojmë të shurdhët…”.
Dhe gjer te shkalla më e lartë e ironisë, me intensitetin e saj të fortë, ku satira shkon deri në sarkazmë (e shkallës së Kafkë-s dhe Oruell-it) dhe ku jeta njerëzore paraqitet në terma të deformimit të skajshëm e të absurdit, të mungesës së lirisë dhe shtypjes shtetërore, me mjedise vuajtjesh, me forma të linçimit dhe vende të dënimit e të ekzekutimit, duke na kthyer sërish tek epifania demoniake, te burgu i dhembjes së pafund, te shkretëtira morale e një bote të ndohtshmërisë dhe shfrenimit, ku nuk ka shpresë e mëshirë:
“…Pa pritur të hapë mirë derën, nja katër a pesë palë duar e tërhoqën njëherësh (mjekun), sikur ta kishte gllabëruar një oktapod nate. Vetëm nga radiot tip policie, që mbanin në duar, që jepnin dhe merrnin urdhëra të koduar, e kuptoi që ishin policë. Pastaj, përfundimisht nga prangat në formë hallke me një vidë të madhe në mes. Ngaqë vepronin me ngut, më shumë i dukej se zvarritej, se sa ecte. Këpucët e veshura përgjysëm i dolën nga këmbët dhe i mbetën pas. “Të paktën ato i shpëtuan policisë”,-dhe mendoi se ishte ende në gjendje të bënte humor…Dera e shtëpisë kishte mbetur hapur dhe ai pa dy pleqtë që, për shkak të dritës së ndezur që vinte nga brenda, ngjasonin si dy hije të përziera me njëra-tjetrën. Njëra prej hijeve më shumë gulçonte, sesa qante. Pastaj, kur u shkreh në vaj, ai e njohu nga zëri që ishte i ati. “Loti i burrit dhe mallkimi i gruas, është pa qeder,- i thoshte e ëma, sa herë që të shoqit i shkonin lot. Burrat mallkojnë rrallë por, kur të mallkojnë, duhet të ruhesh, sepse nëma e burrit të ze”…E hipën në një makinë të madhe ushtarake, të mbuluar me tendë. Në terr dikush i zgjati këpucët. Ai i preku me gishtërinjtë e njërës dorë dhe tha: – Nuk janë të miat! Janë pa lidhëse! Një zë në terr: -Lidhëset e sat ëme! Dikush mezi përmbajti të qeshurën. Një zë tjetër po në errësirë: Dashke edhe lidhëse, ë?! Ti, edhe litarin e ke tepër!,-dhe ndjeu se e qëlluan me shqelm mu midis kurrizit. “Ndoshta s’ka dashur të më qëllojë. Ka dashur vetëm të çmpijë këmbën,- tha duke kafshuar buzët. Nuk iu kujtua se cili kishte thënë (apo ndoshta akoma s’e kishte thënë, apo ndoshta kishte harruar ta thotë) se dinjiteti merr fund, kur njeriu nis e përligj të keqen që i shkaktojnë të tjerët… Tjetri i kishte duart tek prangat e tij, (deshi të thotë duart e tij, por nga ai çast e kuptoi se të tijat ishin vetëm prangat). Me sa kuptoi, ai duhet të ishte polic me gradë më të madhe, se i liroi vidën mestore, të shtrënguar gjer në fund. E ndjeu veten më të lirë.. Liria në diktaturë është një palë duar, të mbërthyer nga një palë pranga, të cilat, herë-herë, lirohen nga pak…Le që këta s’kanë fare grada! Kush ka çelësin e prangave është i besuari më i madh dhe kush është i besuar më shumë, rrezikon të mos i gjendet varri!… Në atë çast, për herë të parë iu kujtuan pleqtë. I bëhej se ata niseshin për ditë tek dera e burgut, rrinin atje në shi me orë të tëra për të takuar me atë, më shumë të besuarin dhe për t’iu lutur atij që t’ia lironin djalin e vetëm, pasi ai nuk kishte kurrfarë faji. Ditën tjetër ata vinin sërish dhe prisnin në shi, gjersa dikush dilte nga dera përballë dhe u thoshte të mos prisnin kot sepse i shumëbesuari i djeshëm ishte zëvëndësuar nga një tjetër, më i besueshëm akoma dhe atij të parit nuk i kishte mbetur nam e nishan. -Kokën hëngshin,- thonin pleqtë me zë të ulët,- po djalit si do t’i vejë halli? Dhe vinin prapë ditën tjetër dhe, shi a diell qoftë, prisnin para derës së ngushtë të burgut. Tani bashkë me ta, prisnin dhe pleqtë e ish-të besuarit që nuk i gjendej nami e nishani. –Të paktën, djali juaj ka varr!- i ngushëllonin këta të fundit.- Sigurisht që ka,- i përgjigjeshin pleqtë e tij,- gjersa është i gjallë…”.
Siç shihet, tragjedia dhe ironia tragjike na bartin në një ferr të harqeve ngushtues dhe kulminojnë në një vision të tillë të errët të burimit të tërë së keqes, por ndërsa tragjedia nuk na çon më tej, mitos-i i ironisë dhe satirës na çon deri te terri dhe terrori i totalitarizmit.

3. NJË VIT I BRISHTË SHQIPËRIE

Ne ndoshta pranojmë që ekzistojmë po aq në atë që jemi, sa në atë që nuk kemi qenë, njëlloj si në atë që është e vërtetueshme, e matshme, e kujtueshme, edhe në atë që është e mjegullt, imagjinare, e rremtë ëndërrore. Dhe, kur zbulojmë se diçka nuk qe asht siç e jetuam, një dashuri a miqësi, një situatë politike a një çështje e përbashkët e gjer kombëtare, na shfaqet në jetën reale ajo dilemë, që mund të na torturojë aq shumë dhe që, në një pjesë të madhe të saj, është territori i fiksionit romanor. Sa që “ tash ne nuk e dimë nëse ajo që jetuam është ajo që besonim, ndërsa qemë të gënjyer, apo nëse duhet ta hedhim në thesin pa fund të imagjinares e të rrekemi të rindërtojmë hapat tanë, në dritën e zbulimit të tanishëm e të zhgënjimit”, (Javier Marias).
Në këtë hulli mëdyshjeje e pakthjelltësie, duke qenë gjithnjë e më pak naivë për të besuar në fiksionin dhe imagjinaren e letrares së sotme, na shpie narrativa tjetër e bukur romanore “Një vit i brishtë”, një tjetër tekst mjeshtëror i metagjuhës artistike dhe i “veprës së hapur”, ku absurdja dhe paradoksalja shoqërore, kapërthyer hovshëm në surealen ekzistenciale, ( të shpërfaqur në botimet e mëparshme poetike dhe të prozës së gjatë të Shamatës), arrijnë një densitet të fuqishëm, me ravgimin në gjurmë të reja të rrëfimit poetiko-filozofik, të estetizimit dhe ironisë së gjuhës. Ku, pas “një viti të brishtë” (të 1990-s) të realitetit shqiptar, shihet një demokraci e brishtë , një politikë e brishtë, një shtet i brishtë, një lidhje erotike e brishtë, një fat njerëzor i brishtë. E përbërë nga kujtime dhe ëndrra, që lidhin të shkuarën me të tashmen, shoqëroren me intimen, dhembjen me shpresën, vuajtjen me sfidën, për të ecur përpara në një shoqëri të lirë, kjo veper literariteti shpërfaqet si një mozaik ndriçimesh e terresh, plot shpirt ekscentrizmi dhe të qeshure të hidhur.
Në një perceptim të parë, ngjan një roman i kujtdo, i shkruar në “lëkurën” e gjithësecilit, me përvojën e përzishme të diktaturës së monizmit komunist dhe tranzicionit të vështirë drejt demokracisë. (Copëra ëndërritjesh, zhgënjimesh, idealizmash, krimesh, mashtrimesh të politikës së “re”, dashurish e trishtimesh të lirisë, që ranë mbi jetën e ne të gjithëve, në vitet ’90, në jetën tonë të gjithësecilit). Por nuk është kështu dhe jo gjurmë e rastësishme dhe, sidomos, jo e kujtdo. Fuqia imagjinative e pamjeve sociale, loja virtuoze gjuhësore dhe energjia e ligjërimit, pasuria e parabolave (edhe e atyre popullore krahinore), që shndërrohen në përsiatje filozofike të gjithëkohëshme, e bëjnë këtë vepër ,- të admirueshme. Shto depërtimet psikosomatike në qenien njerëzore, histori fantazmagorike fatesh tragjikomike, ku groteskja dhe humori i zi krijojnë atë atmosferë sureale dhe alogjizmi.
Kujtojmë se groteskja, mohon në mënyrë thelbësore klasiken dhe çdo ide të stilit, harmonisë dhe përsosmërisë. “Ndryshe nga tragjikomikja e mirëfilltë, ku ruhen veçoritë kategoriale të tragjikes e komikes, ku tragjikja është tragjike dhe komikja është komike dhe ku ne e dimë pse qajmë e pse qeshim, si tek figura tragjikomike e Don Kishotit, tek tragjikomikja e groteskes, nuk ruhen vecoritë kategoriale të tragjikes e komikes dhe na përftohen efektet e reja të paradoksales e deformimit, si tek figura groteske e Shvejkut”, (Volfgang Kajzer). Ajo përdoret në funksion të rivlerësimit të realitetit, të krizës shoqërore, kulturore, etj., shfrytëzohet si procedim stilistik dhe vizion estetik dhe është fuqia më e realizuar artistike e shekullit XX. Dy paradigmat e saj janë ajo që lidhet me projeksionin romantik të groteskes, dhe që vjen që prej Hygo-it: e madhërishmja në kundërvënie me të ultën e grotesken, (surealistët, ekspresionistët, Kafka, Kadare) dhe tjetra, groteskja realiste, ajo që lidhet me traditën e realizmit dhe kulturën popullore, (Tomas Man, Breht, Neruda, etj.). Te Shamata shohim grotesken e paradigmës së parë, të projeksionit romantik, me ndjesitë e paradoksales dhe alogjikes:
“…Merreni seriozisht dhe qeshni! Kemi dhe punë të tjera. Nuk na del hesapi që të presim deri sa t’ju vijë për të qeshur. – Po s’më qeshet, sikur gjithë palaçot e botës të më sjellësh përpara. Shkrepe! Qëllo! Qesh që të shpëtosh! Shpëtova në saj të një zgërdheshjeje që e shita për të qeshur. Me çmim fare qesharak. Njeriun nuk ka palaço ta bëjë për të qeshur dhe palaçon e vërtetë vetëm njeriu e bën të qajë…
…Fërko e fërko me llak për t’i dhënë lustrën kokëfortë gjërave të kësaj bote që e kishin humbur me kohë shkëlqimin. Në këmbim të gazit helmues që lëshonte llaku, i jepnin një gotë qumësht në ditë që ajo, në ndonjë rast, e sillte tinës në shtëpi. Atëhere kur lopëria e socializmit nisi ta mejë qumështin për popullin thjeshtanak. Kishte ndonjë rast që e pinte ai. –E pive qumështin e nënës, – e pyeste plaku, pa i vajtur mendja në kurrfarë metafore.- Helmin e nënës, thuaj më mirë, plako!…
…Një copë e breckave të së fejuarës së Zhanit kishin mbetur mbi murin e ambasadës. Taksa e kapërcimit të murit. Një palë brekë të tharta që nuk kishin arritur ta kapërcenin historinë. Mëkat të jesh gjysmëbrekëveshur! Njeriu me qenin roje zgjat kryet edhe më, strucohet me këmbë e duar. Me të gjitha duart që i kanë mbetur në dorë. Ç’ka në dorë ai struc sigurimsi? (Ti je zëri im). Lirinë e të strukurve. Çelsi i lirisë është brenda teje. Për një çast i erdhi për të vjellë. Sa çelsa lirie, të prodhuar në seri, do të nxirrte nga fundi i barkut?…”
Gjer te satira e shkallës së lartë e ironisë së fortë të sarkazmës:
“…Edhe kur trupin ta kenë përshkuar plumbat që të kanë dënuar me vdekje, sa kohë që shpirti s’të ka dalë dhe sa kohë që prokurori nuk të ka qëlluar me një plumb elegant pas koke, je absolutisht i lirë…”.
Një teksturë rrëfimore, e endur sa me një modernitet të ri, që e tejkalon herë-herë, shprehësinë e post-modernes, aq dhe me pasurinë e kulturave popullore krahinore: “E ka thënë bukur labi, njeriu nuk vdes kur e mbulon dheu, por kur i harrohet emri…Mos fol shumë me vete! Të bahet vetja havale dhe s’të ndahet. Hajt, freskohu e dil në rrugë. Kot, plot, hiqju vedit. Nuk bahet luftë me vedin… Si ka thon kavajsi: Kalove dyzet vjeç, han bukë veç…”.
Një roman i bukur nuk shkruhet e lexohet, por ndodh. Dhe ne bëhemi pjesë e tij e vetvetishme me një frymë. Sepse Adnan Hukamaj, një fiksion i imagjinatës, ngjan më i besueshëm se ne vetë, njerëzit e gjallë të vërtetë, që jetuam realisht vitet ’90. Ngaqë secili nga ne, njerëzit realë, mund të rrëfejë, të kujtojë, të shohë ëndërr, pjesë të veçuara, të copëzuara, të fragmentuara e të kufizuara të këtyre viteve, sipas përjetimit dhe perceptimit të tij të drejtpërdrejtë ndjesor dhe jetësor, ndërsa Adnan Hukamaj përjeton kuintesencën e këtij realiteti të të gjithëve. Ngaqë romani zbulon gjithmonë se ajo që ishte, është gjithashtu, pjesë a asaj që nuk ishte dhe se ajo që nuk ishte, ende mund të jetë. Këtë perceptim të gjithëkohëshëm të reales dhe sureales, të jetës dhe gënjeshtrës, të ëndrrës dhe zhgjëndrës, të idealitetit dhe falsitetit, të njësimit dhe dyzimit social, politik, erotik shpërfaq si projeksion të thellë literariteti edhe vepra në fjalë e Shamatës, ndër shkrimtarët tanë bashkëkohës më të spikatur.

4. Kolonia e erës delirante

Modelimi i teksturës romanore te “Kolonia e erës” paraqitet si një metafiksion narrative, ku gjuha e rrëfimit të fshehtë, të brendshëm, e cila buron që nga thellësitë e nënvetëdijes ligjërimore të çdo protagonisti, (që shfaqen njëri pas tjetrit), paraqitet si gjuha e autorit, me lexuesin e vet. Dhe, sa më të errëta, të gjymtuara, të mjegullta vijnë këto copëza gjuhe rrëfimore nga nënshtresat e përjetimit, si nga thellësitë infernale të vuajtjes e mundimit, aq më të përçudshme e të dhembshme shfaqen fatet reale të njerëzve, në kohëra të errëta diktaturash ideologjike apo në kohëra gri tranzicionesh politike. Dhe, aq më të vërtetë dhe të drejtpërdrejtë, projektohen pasiguria dhe paranoja obsesive individuale dhe kolektive e kohëve të tilla., përmes literaritetit shprehës të kësaj vepre. Ky shkrimtar i shquar ka krijuar tashmë një tipologji tekstuale të artit të tij letrar, me këtë procede metanarrative, që vëmë re edhe në veprat e tij të mëparshme romanore, (“Dy dorëshkrime”, Ombra GVG, 2004, Tiranë, një tjetër narrativë mjeshtërore, që kërkon një përsiatje kundruese kritike eseistike më vete, etj.). Ku, më shumë se karaktere, semema, fabula subjektore, kolizione intrige, shfaqen gjendje shpirtërore rrethanash dhe përjetimesh makthi, absurdi dhe traume të errët e të pakufishme, përmes të cilave lëvizin qenie njerëzore të dyzuara apo të tjetërsuara, në dilema me veten, për t’i dhënë një kuptim, një fytyrë, një emër, një përmajtje lirie, kumti, flake shpirtërore, një palcë kohe dhe historie shoqërore, -jetës së tyre të cekët konvencionale provinciale. Apo, përkundrazi, për të mos i dhënë asnjë mesazh, asnjë formë ideali e morali, asnjë përmasë historie, individualiteti, emri dinjiteti të kohës së vet dhe për të jetuar thjesht, për veten, lirinë e tyre “të vërtetë” të fantaksur e qesharake. Ata vrullojnë si koloni ere nëpër terr, nëpër frymë, nëpër një diell të vdektë, mes përjetimesh ëndrre e zhgjëndrre, reale dhe ireale, të vetëdijshme e të pavetëdijshme, jete dhe pajete, në një lloj gjallimi, ku i merret fryma çdo shprese për të nesërme.
Të gjithë protagonistët të tragjikomikes së groteskes të këtij metafiksioni rrëfimor: Melin Resmja, Keçka, Rik Bombola, Sutë Balla, Ndreqësi i çative, Mareza, Historiani,- kalojnë me ankthin e tyre të brendshëm, në imazhe, pothuaj, faktike, si ato fotografike, të shfytyrimit në përballjen me kontekstin politik e shoqëror të jashtëm, nëpërmjet tmerrit të përjetuar, perceptuar apo përfytyruar prej rrëfimit të vuajtjeve të të tjerëve, në qelitë e hetuesisë politike dhe të policisë sekrete te diktaturës komuniste, apo të absurdes dhe paranojakes së lirisë së pamodeluar me ligje, të periudhës së gjatë transitive. Por, gjithashtu, të gjithë këta aktantë-personazhë parakalojnë edhe përmes meditimit dhe refleksionit të zërit kryesor ligjërimor, me projeksionin e Tomorrit apo Tomit, fotografit të ri të revistës lokale të qytetit të tyre të vogël, që ndërlidh gjithë parzmin rrëfimor të këtij tekstualiteti literariteti. (Siç shihet, ne nuk po bëjmë fjalë për protagonist kryesor, sepse romani nuk ka një rrjedhë subjektore ngjarjesh kronologjike që mund të lëviznin në kahun e këtij kryeprotagonisti, por një shumësi zërash ligjërimorë, një polifoni tingullore e semantike fjalësimesh, një sinergji të gjerë metaforike, ku autori “zhduket” apo “ravijëzohet”, konfigurohet si një medium i fshehtë dhe ku kumti, buron jo shfaqshëm e dukshëm, jo drejtpërdrejt, por si prej realitetesh të tjerë, nga kontekstet morale e shpirtërorë të kohëve të ligjëruesve dhe dekodohet përmes shenjuesish semiotikë societalë dhe estetikë. Ndaj, në këtë “vepër të hapur” për çdo lloj leximi dhe dekodimi, secili lexues mund të receptojë , të çkodojë e të kapë kumtin e leximit të vet:
“…Në bodrumin tim të shtetëzuar, unë punoj me qira. Unë i paguaj qira vetes, jo vetëm në këtë rast, por unë, në përgjithësi, edhe veten e shtetëzuar e kam marrë me qira. Paguaj kohë e pa kohë qira për përdorimin e duarve, të këmbëve, të të ndenjurave dhe pjesëve të tjera nën hije të trupit qiramarrës. Sidomos për këto të fundit, paguaj një qira që ia vlen barra qiranë. Kurse qiraja për përdorimin e mendjes është e ulët, gati falas, sepse mendjen jo vetëm që nuk e vëmë në punë por edhe po të duam, nuk na lejojnë, për shkak të ruajtjes së shëndetit mendor që është pronë publike…”.
“Kolonia e erës” është një një projeksion me elementë post-moderniteti. Që ndërthur pamje të tragjikomikes së groteskes dhe absurdit, për paranojat dhe traumat shoqërore që, në sisteme politike pushtetesh autoritare dhe të një lirie “të klonuar”, të pakultivuar me vlera morale, depersonalizojnë dhe tjetërsojnë natyrën njerëzore, duke ia vrarë e duke ia tharë shpirtin idealist ngazëllor e të shenjtë e duke e kthyer atë në një qenie të paformë, hibride, të paemër, në një qenie të gjymtuar gjer në dhembje.
Kjo sagë e trishtë për fatalitetin e jetës, të ëndrrës, të pasionit, dashurisë në kohëra të errëta dhe gri shoqërore, të individualiteteve ligjërimore, që kalojnë njëri pas tjetrit, si pamje vizive në dramacitetin e tyre, sa vetjak, aq dhe të një populli, si fate, përjetime e kujtime njerëzish, në një qytet të vogël e që bëjnë çmos të hyjnë në histori, apo t’i fshihen asaj, për të projektuar, me një pamje të re, jetën e tyre. Por që historia “e madhe” pompoze e politikanëve megalomanë e arrivistë, i lë gjithnjë në provincializmin e vet. Një sagë narrativiteti që kthehet në një meditim të thellë për botën dhe njeriun, për ideologjitë, pushtetet totalitare dhe liritë “barbare” që përçudnojnë shoqërinë dhe njerëzimin:
“…Njeriu që nuk qeshte mbushi sërish gotat me ujë. Po pse nuk qesh njëherë xhanëm?
Një herë të vetme sa për gjithë jetën! Mbase nuk ka mësuar të qeshë që i vogël?! Mbase nuk ia kanë mësuar në shkollë?! Po, gjithësesi, mund të kishte ndjekur një kurs privat për të qeshur. Po ku i dihet, mbase e ka ndjekur, por e kanë mësuar të qeshë privatisht, megjithëse qeshja është pronë e përbashkët publike…”.
Politika demagogjike populiste kalon si një furi delirante, si një erë e thatë shakullime fushatash elektorale partish politike, si dikur, në pushtete totalitare, si tani, në shoqërinë e sotme të ashtuquajtur të lirë, nëpër sheshe të mëdhenj pompozë qytetesh të vegjël provincializmi, që i mbajnë për “koloni” të tyre, “bastione të tyre demokracisë”, si Kavaja, etj. duke lënë pas vetëm zhgënjim, mashtrim, varfëri e mjerim moral. Që shpërfaqen përmes hermeneutikës së makthit dhe zbrazëtisë së paformë e të mjegullt ekzistenciale, të një shoqërie margjinale, në kohëra politike totalitare dhe sistemesh demokratike të deformuara, surrogate e jofunksionale. Dhe e gjithë kjo alegori shkundulluese në artin e spikatur romanor të Shamatës, e endur me një estetikë gjuhe , të punuar imët, si prej filigrami dhe e selitur, aty-këtu, me një amëz semantike të idiolektit të të folmes së trevës së Shqipërisë së Mesme.
Sentenca e autorit, që kalon nga një roman në tjetrin, se nuk vdesin kollaj të vdekurit e që ngjan me një parodi të klishesë se herojtë janë të pavdekshëm, stilema kryesore e propagandës në diktaturat ideologjike, për sakrificat dhe viktimat e kota njerëzore të sistemeve të tyre utopike, nga kahu heroik i kësaj të ashtuquajture pavdekësi, kthehet në kahun tragjik,- të vdekurit prej persekutimeve, internimeve burgimeve, pushkatimeve pa gjyq, të zhdukurit, të humburit, të traumatizuarit, të gjymtuarit shpirtërisht, nga pushtete dhe kohëra të shtypjes shtetërore, nuk vdesin lehtësisht, por shfaqen si makthe të përjetshme, si halunacione e paranoja të dhembshme mbi jetët e të gjallëve, në sistemet antihumane.
“Kolonia e erës” është një tjetër diskurs i magjishëm i groteskes dhe sarkazmës, për lirinë e gjymtuar të fjalës, një semiotikë artistike dhe intelektuale e dhembjes për lirinë e gjymtuar të shprehjes, një ligjërim i thellë ilokutiv për lirinë e gjymtuar të shpirtit.

5. Parabola të “veprës së hapur”.

Gjeratoret e groteskes vorbullojnë shtjella-shtjella rrotullore nga njëri fat njerëzor te tjetri, nga njëri personazh tek tjetri, të çdo narrative dhe, nga njëri roman te tjetri të kësaj “sage” të absurdit, jo nëpërmjet ironisë së lehtë të së qeshurës së komikes të satirës së nivelit të ulët (që merr si të gatshme një botë e cila është përplot me anomali, padrejtësi, marrëzi, krime dhe ku parim është se, kushdo që dëshiron të mbajë barazpeshën në një botë të tillë, duhet së pari të mësojë t’i mbajë sytë hapur dhe gojën mbyllur) por, siç kemi përmendur dhe më parë, shpërfaqen përmes satirës së ironisë së thekshme, të fortë, të hidhur të sarkazmës shoqërore e politike, nëpërmjet parabolash, paradoksesh, parodish e humori të zi të tragjizmit:
“…Dikush i kishte thënë se edhe po të dilte nga burgu s’kishte nga të shkonte. Fshati më i afërt ishte dyzet ujqër larg. Dhe i dha karar që, ditët e para të lirisë, t’i kalonte në burg. Po dikush tjetër, që ishte më i riu i burgut e që ishte zbardhur krejt, nga koha e gjatë që kishte kaluar aty, e nxiste orë e çast: – Këtu është për të ikur natën, kurse ti, pret të zbardhë drita! Ujqërit e lirisë, në krahasim me ujqërit e burgut janë dele e shkuar deles…Një ditë tepër në burg, pasi ke kryer dënimin, është baras me njëqind vjet të tjera burg! E ke dëgjuar atë përrallën , që unë s’e kam dëgjuar kurrë? Një ditë në burg, njëqind vjet liri! Ik, ore vëlla, dhe tërhiq këmbën zvarrë për ne të tjerët! Apo mendon se të kanë falur ndonjë ditë dhe ke hall mos mbetesh borxh te këta? (Dhe sërish bëri me shenjë nga drejtori i përjetshëm i burgjeve dhe ky, i dënuar me burgim të përjetshëm). Kokërr më kokërr i ke bërë! Këta, edhe plumbin s’ta japin falas! Të fusin plumbin dhe të ngrejnë nga varri ta paguash!…,(“Dyer të paputhitura”).
(Kujtojmë që parabolat janë tregime popullore alegorike morale për jetën: fabulat, paravolitë, librat e shenjtë fetarë, etj., ndërsa paradokset shërbejnë për të paraqitur gjendje anormale apo paranormale, siç njihen në psikologjinë moderne, ku komunikimi arrin të realizohet intuitivisht).
Sjellim ndërmend se e gjithë kjo “trilogji” narrative, shtrihet në hullinë e estetikës së postmodernes që ka si veçori: “metanarrativitetin, (si përsiatje që bën teksti mbi veten dhe natyrën e vet, si ndërhyrje e zërit të autorit që përsiat rreth asaj që rrëfen), dialogjizmin sipas Bahtin-it, (tekstet dialogojnë me njëri-tjetrin, në një strukturë hipertekstualiteti), kodimin e dyfishtë, (teksti shkruhet për dy nivele lexuesish: lexuesin e thjeshtë të sipërfaqshëm semantik të fabulës, ngjarjes, dhe lexuesin e thellë mendimor semiotik të domethënies) si dhe ironinë intertekstuale”, (Umberto Eko):
“…Merreni seriozisht dhe qeshni! Kemi dhe punë të tjera. Nuk na del hesapi që të presim deri sa t’ju vijë për të qeshur. – Po s’më qeshet, sikur gjithë palaçot e botës të më sjellësh përpara. Shkrepe! Qëllo! Qesh që të shpëtosh! Shpëtova në saj të një zgërdheshjeje që e shita për të qeshur. Me çmim fare qesharak. Njeriun nuk ka palaço ta bëjë për të qeshur dhe palaçon e vërtetë vetëm njeriu e bën të qajë…
Në pasazhin në fjalë, (të rimarrë), shohim më qartësisht veçoritë që përmendëm: metanarrativitetin, me zërin e autorit që përsiat rreth asaj që rrëfen ( Njeriun nuk ka palaço ta bëjë për të qeshur dhe palaçon e vërtetë vetëm njeriu e bën të qajë…), ku gjejmë dhe ekscentrizmin, si komike të alogjizmit, të qesharakes, të së pakuptimtës, të së hidhurës, si zëri i botës në harresë, si hiperbolizimi i kontrastit, (figura groteske e palaços, kllounit, si pasqyrë e njeriut të sotëm); dialogjizmin bahtinian, me tekstin që dialogon me një tekst të mëparshëm, “klasik” të realizmit socialist të antologjive shkollore, (tregimin “Djaloshi” të shkrimtarit partiak Fatmir Gjata, për partizanin në moshë të re, rob të nazistëve, që nuk shkel kapelën me yllin e kuq komunist: “Shkele! Shkele që të shpëtosh!”), Shkrepe! Qëllo! Qesh që të shpëtosh!; kodimin e dyfishtë, me nivelin e thjeshtë, nga njëra anë, të përpjekjeve të fotografit të gazetës lokale, për të paraqitur një realitet fals “të lumtur”, me foto fytyrash të qeshura, me qeshje pozimi, që të mos akuzohet e dënohet me burg politik për “nxirje të realitetit” dhe me lexuesin e thellë semiotik, nga ana tjetër, që kupton se përmbajtja e diktaturave dhe pushteteve tiranike janë shtypja, terrorizimi dhe mbulimi i tyre me falsitetin e propagandës së “lumturisë”; “…Merreni seriozisht dhe qeshni! Nuk na del hesapi që të presim deri sa t’ju vijë për të qeshur… Dhe, së fundi, shohim dhe ironinë intertekstuale: Në të gjitha ideologjitë totalitare (të nazizmit, komunizmit, etj), thelbi është dhuna e tjetërsimi i qenies njerëzore, me një mbijetesë të shpërfytyruar e poshtëruese. Shpëtova në saj të një zgërdheshjeje që e shita për të qeshur…
Veç kësaj ironie postmoderniste, mund të vëmë re dhe ironinë erudite kulturologjike (përmes veprës së Homer-it, Shekspir-it, Kafk-ës, Sartri-t): ”Secilit i mjafton dylli që prodhojnë veshët e tij, për të mos dëgjuar këngën e sirenave, përveç meje. Mbase dhe Uliksit nuk i mjaftonte, ndaj urdhëroi ta lidhnin fort në direkët e anijes…”,”Gëzuash, (hidhëruash) doktor, që nesër bëhesh shurdh në dy kopje…”,”Dënimi me burg është e ç’është, por të dënohesh me liri është më e tmerrshme akoma..”; ironinë intelektuale politike: “Ai kishte qëndruar 8 vjet në burgun më të madh të vendit, atëhere kur vendi i tij (i vogël) kishte sipërfaqen më të madhe të burgjeve, për frymë të popullsisë. Si mjek, hera-herës nuk ia falte vetes që, një pjesë e veshëve që kishte shëruar, kishin shërbyer për të mbushur burgjet dhe se, në mënyrë të paevitueshme, kishte ndihmuar për të burgosur të tjerët. Ndoshta ai vetë ishte viktimë e ndonjë veshi përgjues, që e kishte shëruar me duart e veta… “: ironinë parodike popullore-folklorike: “Rrofshin muret (e burgut)! Poshtë dyert e dritaret! Duam shurdhëri, duam qetësi! Nëse ti guxon të lidhesh me botën e zërave,, do të të murosim të gjallë dhe njërin vesh do të ta lëmë jasht!”…etj. etj., (“Dyer të paputhitura”).
Estetika postmoderne e veprave në shqyrtim, (por dhe në dy romanet e tjerë mjeshtërorë të këtij autori: “Dy dorëshkrime” dhe “Streha e manekinëve”, ky i fundit, ende i papublikuar), shpërfaqet gjerësisht me personazhe pa identitete, (gjer dhe pa emra, te ”Dyer të paputhitura”), me karaktere dhe personalitete njerëzorë të copëzuar e të shpërbërë, që mbijetojnë në një truall të paqëndrueshëm realitetesh fantazmagorike ëndrrash-zhgjëndrrash e haluçinacionesh të së shkuarës e të së tashmes, alogjizmi, çekuilibri e degradimi:
…” “Madje në sallën e gjyqit të fundit, gjyqit special, të mbledhur enkas pë mua, (fundja, ç’isha unë), ku dhe u dënova me burgim të përjetshëm, për shkak të atyre ideve të shkallës së dytë, (që unë as sot, nuk e di se ç’janë), kur më pyetën se cila ishte dëshira e fundit, unë i thashë; -Më vini sa më parë në duart, lidhëset e hekurta, (emri i tyre s’më kujtohet), se më duket vetja si i pabrekë, para drejtësisë sonë të veshur aq hijshëm…”
“…I vdekuri shetiste nëpër trotuar me këpucën e tij të panevojshme në dorë për të gjetur princeshën e tij të fanepsur, ndonëse ajo ishte këpucë burrash. Provonte këmba-këmbës dhe, as këpuca nuk po e gjente këmëbn e saj, as i vdekuri, mëkëmbësin e vet! Dhe, ku dreqin, erdhi dhe më gjeti mua. Dhe më la trashëgimëni këtë varr të papërshtatur që unë e çmoj për shtëpi. Ja, po kalon xhaketa ime e errët, me të cilën unë kam folur për herë të parë në publik. –Ti ke grabitur rrobat e mia! Ecejaket në korridorin spitalor (psikiatrik), reshtën një frymë.- Kuptuat, lesh kupton ti, por rrobat që mbani veshur, janë të miat! –Po ti je mëkëmbësi i të vdekurit, ç’të duhen rrobat? Zëra, zhurmë, të qeshura që s’dallohen nga të qarat. -Këto janë rroba të vdekurish, blerë në trotuar te gabi, që ndahen barabar midis të gjallëve,- unë vazhdoja të vetpërgjigjesha në vend të tyre.- Bile, këtu ka rroba që kanë vdekur nga dy a më shumë here…”, (“Dy dorëshkrime”).
“Vepra e hapur”, në konceptin e Eko-s nënkupton një sistem të ri gjuhësor poetik inovativ, që vë në pikëpyetje marrëdhënien me traditën, përmes kërkimit të marrëdhënies dialektike të formës me papërcaktueshmërinë, me një manifestim domethëniesh në universin e rastësisë, si një kategori fenomenologjike. Si e tillë, një vepër letrare lejon mënyra të shumta leximi, (apo më saktë leximin e vet të çdo lexuesi), dekodimi dhe kuptimësimi. Kështu, sentencën me të cilën Shamata përfundon romanin e parë dhe që e kalon si përmbyllje (sarkastike) te të gjithë romanet e tjerë, (si Dante që përmbyll secilën kantatë të Komedisë Hyjnore të tij, (poetikisht) me të njëjtin varg të “yjve vezullues”), sentencë e cila mbyll çdo narrativë romanore të këtij autori dhe hap “veprën” e receptimit të lexuesit: “Epo s’vdesin kaq kollaj të vdekurit”, (“Dyer të paputhitura”) dhe, më tej, në veprat e tjera, “E po ja që nuk vdesin kaq kollaj të vdekurit” dhe “Zor se vdesin ndonjëherë të vdekurit!” Duke hapur kështu, përmes kësaj “mbylljeje”(nga autori) dhe “hapjeje” të veprës, (nga lexuesi), mundësinë e një shumësie receptimesh, interpretimesh, domethëniesh e kuptimësish.
“Nuk vdesin kollaj të vdekurit”, ngaqë:
– nuk e pranon dheu të vdekurin, prej ligësisë së vet dhe duhet që ta fale viktima e tij, që të gjejë prehje dhe qetësi në varrin e tij;
– e keqja nuk vdes, sepse lë mbi tokë hijen e vet;
– profesioni i dytë, më i vjetër në botë, ai i spiunimit, ashtu si ai i pari, i prostitucionit, do të jenë sa të jetë njerëzimi;
– njeriu fals, si i shurdhëri fals për të survejuar dhe spiunuar më lehtësisht, edhe vdekjen e ka false dhe jo të besueshme e të vërtetë;
– të gjallët drejtohen nga të vdekurit, nga taktikat dhe strategjittë e lëna prej tyre;
– ka vdekur më parë moralisht, njerëzisht e shpirtërisht dhe vdekja fizike nuk ngjan si vdekje;
– se rilind në forma të tjera, sipas besimit panteist bektashian;
– se i vdekuri vdes jo kur e mbulon dheu, por kur i harrohet emri;
– njeriu i dashur, (prindi, i afërmi,) janë gjallë në kujtimin e të dashurve të vet, që i mbajnë në gojë gjithë jetën e tyre;
– spiuni i Sigurimit të Shtetit monist nuk vdes, edhe me nxjerrjen jasht ligjit të këtij institucioni kobzi, sepse ky mekanizëm i persekutimit, funksionon në forma të reja dhe sot, në demokraci; (“…S’ke nga ia mban, qen bir qeni! Sepse ti je zë e unë jam veshë. Ti je i kryqëzuari, unë jam kryqi dhe kryqëzuesi. Cili duhet t’ia dijë për nder, njëri-tjetrit? Natyrisht, ti. Ç’do të ishe ti ,pa të vënë unë në kryq? Hiçmosgjë! Cili duhet të kërkojë falje i pari? Unë të kam falur. Veç mos më thuaj më që jam i djeshëm. Unë ende nuk kam filluar të lind,(edhe në këtë kohë), prandaj puthite mirë derën”), (“Dyer të paputhitura”), etj. etj..

Dhe mund të vijonim kështu, edhe me shumë receptime dhe interpretime të tjera të “veprës së hapur” të shkrimtarit tonë të shquar autorial.
“Proza romanore e këtij autori, formatohet si një eksperiment i përfunduar shkrimor, ku shpaloset poetika klasike e moderne, si ndërlidhje e pashmangshme dhe funksionale, që sendërton një botë të çuditshme, enigmatike dhe të tejpashme, njëherit, një realitet letrar absurd, që brendashkruan konkreten dhe iluzionin, ëndrrat dhe aspiratat, dëshirat dhe shpresat”, (Behar Gjoka). “ Halit Shamata, ky mjeshtër i romanit modern, krijon një harmoni të ngrysur, të zymtë, në një egërsi të shurdhët të kohës, gjer në çtjetërsim të saj dhe përballje me një pakohësi që krijon demonë, përbindsha, mure ndarës, moskomunikim, shurdhim të gjithëmonshëm dhe e gjitha kjo, e ngarkuar me një tragjizëm dinjitoz”, (Nexhati Tafa).
Interpretimi i veprave letrare asnjëherë nuk mund të jetë i vetmi dhe përfundimtar. Qoftë forma e interpretuar, qoftë personi që interpreton, janë pafundësi të përcaktuara dhe, për pasojë, të interpretosh është një proces që zbulon vetë formativitetin e krijimit, pafundësinë e aventurës shpirtërore të krijuesit, që shkundullon e trondit nëpër kohë, jetë e botë të njerëzve. Sepse në veprën e autorit tone, gjejmë pozicionin strategjik të fjalës në letërsi e cila, nga pozita e saj e mëparshme, si e panevojshme dhe jovepruese, për shkak të përhapjes së reportazhit universal, tashmë kjo fjalë katapultohet, përmes veprës së Shamatës, në një qiell të ri e tokë të re! Ngaqë letërsia ekziston edhe sot, edhe e vetme, si një përjashtim nga gjithçka, me fuqinë e formës, tani e çliruar prej gjithësejt dhe për këtë, edhe më e afërt, me shpirtin tonë të lirë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here