“Ideja për të shkruar këtë libër, më lindi duke dialoguar me një miken time italiane që në ankesë, i them; “në e gjetsha atë Fatin tim do ta godas fortë me një shkop e t’ja bëj kurrizin më të butë se barkun”. Sapo arrita në shtëpi, fillova ti shkruaja në italisht të gjitha mendimet, që më vërtiteshin në kokë. E në fakt, ndryshe nga herët e tjera, është libri i parë, që në fillim e shkruaj në italisht e pastaj e përkthej në shqip”, thotë shkrimtarja Lumturi Plaku. Në librin e tij “Rrugët e Fatit” shkrimtari i madh O’Henri, heroin e tregimit e shpie në një pikë, ku kryqëzoheshin tri rrugë. Nëpërmjet njërës prej rrugëve, që personazhi zgjedh, shkrimtari na jep zgjidhjen e logjikshme që do të kishte ai kur do të arrinte në fund. Por O’Henri nuk e mbyll tregimin me kaq. Ai e rikthen personazhin tek kryqëzimi dhe e bën të përshkojë dhe dy rrugët e tjera. Pra shkrimtari O’Henri kishte mundësinë ti jepte personazhit të tij tre alternativa. Po ç’ mund të bëhej në një vend si Shqipëria në kohën e diktaturës së egër komuniste, kur për çdo gjë vendoste shteti e kishe vetëm një alternativë.? Duket absurde, por fatkeqësisht ky ishte realiteti. Pikërisht këtë temë, sa filozofike, aq edhe dramatike apo tragjike zgjedh të shkruajë edhe shkrimtarja e njohur Lumturi Lume Plaku në librin e saj të ri me një titull intrigues “Në duel me Fatin”. Autorja ka bërë një gjetje të bukur dhe moderne, gati psikoanaliste, duke vënë përballë heroinën e librit me Fatin e vet. Njëra, personazhe reale e tjetri personazh imagjinar, por me influencë të lartë në jetën e heroinës. Një sfidë e duel që nis ashpër që tek dialogu i parë i përballimit midis tyre. Heroina është një grua që ka vuajtur tmerrësisht në kohën e diktaturës therëse, të asaj diktature, që nuk kursehej me persekutime dhe me një fëmijë dhjetëvjeçare, heroinën e librit, të cilës i vrasin ëndrrat, duke i privuar edhe gjërat më elementare që mund të dëshirojë një fëmijë. Jo pa qëllim, autorja nuk i ka vënë një emër të përveçëm personazhes së saj, por e thërret me emrin e përgjithshëm; Grua. Në veshjen e kësaj heroine janë shumë gra shqiptare që u arrestuan, u pushkatuan apo u dënuan të jetonin e të vdisnin kampeve të punës së sforcuar, që nuk kishin asgjë më pak se kampet e përqendrimit të nazistëve gjermanë. Me forcën e saj të rrallë, midis të këqijash, ajo gjen ngushëllimin tek shpëtimi nga e keqja më e Madhe që s’përfundoi në tragjeditë e tmerrshme si ajo e shkrimtares së talentuar Musine Kokalari, e cila deri sa vdiq, kaloi jetën burgjeve dhe internimeve, si Drita Kosturi, që provoi lloj-lloj torturash, si burgimi i kompozitores së talentuar Dhora Leka, poetes Zhaneta Ogranaja, poetes, aktores e këngëtares së talentuar Edi Luarasi, apo poetes Drita Çomo, që vdiq në internim në moshën 23 vjeçe e shumë gra të tjera të nderuara e intelektuale. Në këtë vështrim libri i ri i Lumturi Plakut është edhe një homazh për tërë ato gra që jetuan vuajtjet e atij regjimi të tmerrshëm. Autorja tregon kalvarin e jetës së vet jo si monografi apo biografi e thjeshtë, por jetën e jashtëzakonshme të një gruaje të pazakontë. Gruaja, heroina e librit, që në momentet e para të përballimit, mbasi fantazon e realizon gërshetimin e jetës së sajë reale me botën e paimagjinueshme të fateve, i drejtohet me revoltë të ligjshme personazhit që i prezantohet si fati i saj. Ku ishe ti, fati im, kur unë ndjeva dhimbjen e arrestimit dhe pushkatimit të babait, dhimbjen e një zemre të vogël, kur më arrestuan mamanë, kur na sekuestruan shtëpi e gjithçka e do merrnim rrugët e dëshpërimeve, kur s’kishim ç’të hanim e flinim pa ngrënë, kur m’u hoqën të gjitha të drejtat, kur në moshën e pafajësisë e të lodrave më persekutuan duke më bërë të ndihesha ndryshe nga moshataret e mia dhe e padenjë për shoqërinë e tyre, kur më thërrmuan zemrën e vogël e më mohuan dhe të drejtën e një dhurate të vogël në mbrëmjen festive të vitit të ri, apo kur më hoqën nga duart me dhunë e poshtërsisht pankartën që mbaja në pritjen e udhëheqësit komunist sovjetik, Hrushovit? Breshëria e pyetjeve të fillimit, do të pasohet nga të tjera e të tjera gjatë gjithë librit, ku nëpërmjet një dialogu të pazakontë e një dueli pa kompromis midis heroinës dhe fatit të saj, vijnë për lexuesin pjesë jete drithëruese. Librin e bën edhe më interesant konstruksioni e struktura moderne e tij. Dy personazhet, Gruaja dhe Fati, nëpërmjet pyetjeve, përgjigjeve e kundërpërgjigjeve shpalosin të kaluarën e të tashmen e heroinës, duke e njohur lexuesin me jetën e një gruaje sa të edukuar, të kulturuar, të brishtë, me botë të pasur shpirtërore e me talent, po aq të fortë, luftarake, shpesh me zotësi të qeshë mbi të qarën e të vendosur përballë situatave më të vështira para së cilave shumëkush mund të ishte dorëzuar. Episodet e ngjarjet janë treguar me një gjuhë të pastër, të sinqertë e pa teprime e sforcime për t’i dramatizuar, sepse të gjitha dramat janë përjetuar të gjalla prej heroinës. Kur fillova leximin e librit, me kuriozitetin e lexuesit, por edhe të një krijuesi modest në fushën e letrave, pyesja veten se si do ia dalë autorja të përballojë monotoninë e një libri vetëm me dy personazhe? E menjëherë më erdhi në mendje tregimi “Plaku dhe deti” i Hemingueit. Por, mos të harrojmë se Heminguei ishte Heminguei, që ia njohim mirë vlerat e tij artistike e po ashtu veprën e tij, të vlerësuar me çmim Nobel. Lumturi Lume Plaku ka ditur të gjejë një instrument të vlefshëm artistik, dinamizmin dhe ritmin e brendshëm të t’ treguarit, që e bën lexuesin të rrijë gati me frymën pezull në pritje të episodeve të mëpasme. E kjo nuk është e pakët, por është rezultat i përvojës së një shkrimtareje që ka shkruar mbi 22 libra, rezultat i një fantazie brilante, por edhe i stilit të saj individual të zhdërvjelltë e tërheqës në të treguar. Gjatë leximit, natyrshëm më lind pyetja: Si ka mundësi që përplasjet me jetën, kësaj gruaje nuk iu ndanë edhe pas rënies së komunizmit? Do përplasej dhe në emigrim, sidomos me koincidencat gati të pabesueshme që e venë përballë provash të rënda shëndetësore? Ajo nënë, që akoma i kishte fëmijët të vegjël, ju desh të përballej disa herë dhe me vdekjen. Pikërisht atëherë, kur fëmijët kishin shumë nevojë për të, e dobësuar dhe ngelur pa forca fizike, ajo grua arrin të shkatërrohet edhe shpirtërisht e të rrezikoj të marr një vendim fatal. Ku ishte Fati? E me që kemi Fatin personazh, lind pyetja; pse paska qenë kaq indiferent, kaq i ashpër e kaq i keq? Edhe këtyre pyetjeve autorja ka ditur t’u japë përgjigje në një libër, që nuk është thjeshtë narrativ, por në vetvete përmban filozofinë e jetës me të gjitha ngjyrat e saj. Heroinës i mbarojnë forcat, por me natyrën e saj pozitive, gjithëmonë me buzëqeshjen në fytyrë, ajo gjen forca që të vdesë edhe vdekjen. Ajo e dashuron jetën me një dashuri të rrallë, që e bën të mbijetojë, të rrisë dy fëmijë, duke luftuar si luaneshë, me thonj e dhëmbë, duke afirmuar çdo ditë e më shumë identitetin e saj shoqëror e kulturor, integritetin moral, personalitetin e pacenueshëm, talentin përmes të cilit nxjerr në dritë vepra letrare dinjitoze, që i japin një vend të spikatur para lexuesit shqiptar, italian e më gjerë. Duke parë këtë aspekt të fundit të veprës së saj, mund të thuhet që libri është një homazh edhe për tërë gratë emigrante, të cilat kanë ditur të përballojnë situata e vështirësi të panumërta në luftën për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vend të huaj e Gruaja e librit është një nga ato. Shembulli i saj është si një dritë që ndizet e iu tregon atyre rrugën e ringritjes e të triumfit mbi çdo situatë e vështirësi. Edhe pse dueli nëpërmjet dialogut është herë i ashpër e herë i qetë, herë me nota të trishta e herë e herë me batuta gazmore, autorja evidenton idenë që fati e shoqëron dhe e përcjell njeriun përgjatë gjithë jetës. Fatin nuk e kemi në dorë ta zgjedhim, por me zgjedhjet që bëjmë në jetë, me sjelljet, vendosmërinë, shpirtin e mirë e luftarak, mund t’i japim një dorë edhe Fatit që të na ndihmojë. Pikërisht mbi këtë filozofi ndërtohen edhe momentet e fundit të duelit dialogues, kur dyluftimi përfundon në paqe, ashtu siç ndodh kur njeriu di të jetë në paqe me vetveten dhe me të tjerët. Dikush ka thënë që të gjitha fitoret nisin nga fitorja mbi vetveten e, siç duket, edhe heroina e librit, apo autorja Lumturi Plaku, me siguri e ka pasur devizë të jetës këtë thënie. Nuk është e lehtë të kontrollosh veten e të fitosh mbi vetveten kur të duket se tërë bota të vjen kundra, kur vihet në diskutim ekzistenca e jeta jote dhe e fëmijëve, kur pa arsye duan të të fyejnë, kur nga brenda, herë-herë të bren tendenca e hakmarrjes dhe urrejtjes. Pikërisht ky triumf mbi vetveten e mbi vështirësitë ka bërë që ajo, ndoshta dhe në flakët e ferrit, apo siç thotë populli, duke hedhur valle në gojë të ujkut, të ndërtojë një jetë të admirueshme e në çdo rast ekselente në fisnikërinë e saj. Heroina e romanit, mori kurajën të përballet me fatin e saj, jo për ta sfiduar, sepse fati nuk sfidohet, por nëpërmjet debateve, ajo reflekton mbi jetën, rifreskon forcën, shpresat, optimizmin, ëndrrat, mënyrat zdramatizuese, që ajo përdori e nëpërmjet shembullit të saj, të tregojë se jo gjithçka lihet në mëshirë të fatit. Tek shkrimet e Lumturisë, përveç ndonjë korrigjimi ortografik, nuk mund të ndërhyhet absolutisht për redaktim, gjë që të lë të kuptosh se autorja, para se të nisë të shkruajë, ka në mendje ide shumë të qarta. I dashur lexues! Lexoje me vëmendje këtë libër e do shikosh se si një grua mund të të bëhet shtysë që të kesh kurajon të përballohesh me fatin tënd. …
EDITORIALE
Harry Bajraktari: Gëzuar 16-vjetorin e pavarësisë, Kosova! Disa mendime dhe këshilla për të ardhmen...
Disa mendime dhe këshilla për të ardhmen e shtetit të ri
Sot, është ditë feste për shqiptarët në Kosovë, por është ditë feste edhe për...
Elvis Ponari: Kriza e Pensioneve – Ja si e zgjidhi Europa!
Kriza e Pensioneve - Ja si e zgjidhi Europa!
Nga *Elvis Ponari
Jetesa sa vjen dhe bëhet më e shtrenjtë, çmimet dhe inflacioni rriten...
Prof. Dr. Milazim KRASNIQI : PËR CILËT KUFIJ TË PRISHUR PO FLET MINISTRI LLAVROV?
Sergej Llavrovi ka deklaruar në Shkup se gjoja në vitin 2008 me pavarësinë e Kosovës është shkelë rezoluta 1244 dhe parimi i OSBE-së...
Genc Pollo,Ish ministër e deputet: Propozime që dëmtojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Europën
Genc Pollo,Ish ministër e deputet: Propozime që dëmtojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Europën
Michael Martens, gazetari që mbulon Ballkanin për të përditshmen kryesore gjermane Frankfurter...
Nga Dr. Mujë Buçpapaj: 15 VJET ME GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”
Dr. Mujë Buçpapaj, Botues dhe themelues i gazetës “Nacional”
Në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ja ka...