SIMFONIA E SHKRONJAVE
Eureka:
-E gjeta trungun e lashtësisë
Ilirishten
” Formulën e pagëzimit ”
” Mesharin” e Buzukut,
” Sibilat” e Bogdanit,
urtësinë, epikën dhe lirikën
e popullit tim
gjuhën e luleve
të Alpeve shqiptare,
gjenezën e fisit
ninullat e nënlokeve
pranë caranit të vatrës
në hirin e butë
e shkrova shkronjën e parë
zjarrit ia këndova himnin
çerepit ia përshkova perimetrin
saçit ia shtova durimin ndaj yjarrit
bukënoren mjaltë e ndava me Nexhatin,
shqiptarisht e shtruar sofra
luga me bilbil ëndërronte
shtegtarin e vonuar
për një kafshatë buke
me nder e besë…
Simfonia e shkronjave
- më thëriste në shoqëri –
pas juve u nisa
drejt shkollës,
për t’i mësuar të artat
- margaritarët e praruar –
shkronja të dashura, si nëna
të mëmës Abetare –
perla të kombit tim.
Ju jeni
burimi i diturisë,
ju jeni si drita,
ju jeni si dielli,
si ajri, si buka
si puthja e nënës,
breroni gjithkund.
Me ju mësohet
gjuha e urtësisë,
gjuha e dashurisë
jeni më të shtrenjta
se gjaku, se jeta
që kurrë nuk vyshkeni
shkronja në Abetare –
bukureza të diturisë!…
SHELGJET NË DIMËR
Dimër. Fërfëllizë…
Shelgjet si vasha të virgjërta
breg lumit rrin të mallëngjyera,
degët i kanë veshur fustanellash bore
mbi to nuk këndojnë kumritë,
as nuk thurin çerdhe turtulleshat
nëpër degët e tyre
derdhet veriu
viu, viu, viu
si Niagarë.
Vetëm zalli
i ankon, mëkon
dhe i thërret harabelat
nga shpati.
Lumi gjysmë i ngrirë
i përdredhon valët
- me gjuhë shpate –
për një përshëndetje bleroshe-
erëmimin e pranverës…
Kur do të marrë fund
Ëndërrimi i tyre ëngjullor
Për krahët e lejlekëve
Për cicërimin e zogjve
ashtu të gjelbëruara
të nusërohen në pasqyrën ujore.
SYTË E VOGËLUSHËVE SYBLERTË
Prej buzëqeshjes në buzëqeshje
Në cep të buzës si ujëvarë
Shkëlqen ylberi
Prej bregu në bregun tjetër
Ndërtohet ura sa mrekulli
Krenohet inxhinieri…
Prej bukurisë në bukuri
shtohet purpuri – margaritar
magjepset poeti.
Prej thellësisë në thellësi
në rrugën e kriptë del shëti
guaska e detit.
Prej katundit në katund
në shenjë nderimi si raketa
pahiten plepat.
Prej ninullës në ninullë
Arrijnë ëndrrat nga Kroi i Rritës
Përkundën djepat…
Prej lundrimit në lundrim
nga kaltërsia zbret albatrosi
palos krahët në kuvertë
Prej meridiani në meridiane
Nëpër ranishtet e praruara
“puthen sytë e vogëlushëve syblertë”
CICËRIMAT E QERSHORIT
Në grunore mes kallinjve
sqep i praruar i laureshës
seç po rri në fshehtësi!
Dot s’ia shoh syrin mikeshës
Por cicërimet vijnë të brishta
në veshët e mi derdhën simfoni !
Gjerësisë së detit të blertë
në prehërin e televe të harfës
fantazia thellë më shpuri …
- Ore, – më thonë lulëkuqet,-
Janë cicërimat e qershorit
Kështu argjendohet gruri …
I DUA SHPIRTËRISHT
Ato shpate
me luleshpate
pranverohen pranverisht,
Ato shpate
me manushaqe ndajnate
thërrasin butësisht,
Ato shpate
me luleshpate në monopate
amësojnë kaltërsisht,
Ato shpate
me kroje plot fate
gurgullojnë freskisht,
Ato shpate
folëzat kat më kate
shtohen zogjërisht,
Ato shpate
edhe pa hënë nate
brerojnë shqiptarisht,
Ato shpate
Kështjellë Rozafate,
Cep më cep i dua shpirtërisht …
NË ODEONIN E BLERIMIT
Dhe aty në odeonin e diturisë zë filli i dashurisë
-Mirko Gashi-
Doli marsi
hyri prilli
zëartë cicëron
mbret trishtili…
Prilli rrit lulen
e maji ka nderin
nga shpatullat e qiellit
prej gurrës në gurrë
e shpalos ylberin…
Trishtili i lumturisë
bëhet kasnec i dashurisë
nëpër hartën e blerimit
vallëzon turtullesha
pas këngës së fëmijëve
xixëllonja haremadhe
e valëzon bajrakun
me shtatë pikë…
E – vocërraku nëpër bjeshkë
kërkon strall dhe eshkë
që ndjell pranverë
për një bareshë
me qengjat bandila
në kaçubë vjollcat
falin kaltërsi, erë …
KROI ME TRËNDAFIL
Vrullin ujë dy sylynjarë,
Trëndafili kupë lulëzuar,
Dielli me rreze – ujëvarë :
Vrullin ujë dy sylynjarë.
Trishtili me këngën e parë
Thërret për t’u freskuar,
Vrullin ujë dy sylynjarë
Trëndafili kupë lulëzuar
Jehon kënga serenadë
Faqet zambak – stoli,
Fëmijët vijnë mirjadë
Buzët i njomin freski…
VALLJA E DËSHIRËS
Buzagazi – bardhësia – çel hapësirës,
Ditës ia shtrinë çejzin kaltërsi !
Fëmijët nisin vallen e dëshirës :
Dita e re – shpresa e re – përsëri !
Sytë bëhen trishtila – faqet burbuqe
Kënga flatron me flutura bardhoshe.
Gishtat lozin bajrak me mollëkuqe
Shamia e gëzimit valon qoshe më qoshe.
Sa i dashur – Dielli – diell në duar –
Secilit i bëhet pranverë në gushë…
Shëmbëllen në një kopsht të praruar,
Që gëzim – dituri zemrat t’i mbushë …
QIRIAZËVE
Çdo ditë me gaz – Qiriazët i shoh
Hirësinë e tyre – diell në mësditë !
Bien rreze shumë – derdhin pranverë
Na falin mësime – na falin dituritë !
Fjala vjen – hartonin vjersha – fjalëar,
Me breroren e shkronjave si flori …
Nderoj – Qiriazët – të shkollave pishtarë
Dëshirat zgjojnë – drita jonë – dashuri !
Shtatë ditë jave – Qiriazët përkujtoj
në mësonjëtore, shtëpi e libër këndimi,
dritë –vullnet më jep vepra e tyre, gjurmoj
në librin e jetës dhe në binarë gëzimi.
Më kalë agimi – fatmirosh – vijnë përditë
Urojnë për shkolla të larta – krenare …
Më rrëfen Jehona, e imja shpirt e rritë
Tregon – miqtë e rrallë – nëpër Abetare…
SHELGU PËRPLOT YJE
Fëmijët
Të mos i gërgasim ëndrrat
e arëzës së dremitur,
lehtë do t’u afrohemi
qershive në sinorin e Lugjet e
Drajkocit
ku dashurohen mëllenjat.
Shushuron shelgu përplot yje
Shkridhet qielli nga çerdhet e zogjve
Shkridhet errësira nga mullinjtë
Përgjon prej përpanjës shalqiri.
Plepat me radhë
Këmishat e hijes i kanë larë
Në vesën e livadheve
Luleve bletët e kanë harruar mjaltin –
Era e freskët ëmbëlsohet.
Përroi i buzëqeshur bën gjumë
Në nënkresën e butë të barit,
– Dëgjojeni se si merr frymë, –
Dardha e arrirë përgjumshëm luhatet
Hëna në luhajen e degëve tundet
Shkëlqimi i amësimit del në breg
yjet nëpër qiell duken – xhevahirë
Reja kaltëroshe bulkthave
pjeprin e artë ua pret
Qielli seç zemërohet
shushurin, shushuron shelgu
shelgu i fëmijërisë sime
plot yje.
LEPURI
Fëmijë,
nëse sot e takoni
lepurin nëpër korie
që i ka veshët si gjethe lakre,
prej vesës gjyzllëkët
i përkuleni me korrektesë
dhe i thoni mirëdita !
Dhuroni ndaçi, portokalla
ose karrotë
dhe një çadër kaltëroshe,
sepse ai është i qullosur
në djersë, siklet
deri në sexhaden e blertë
të një lule qafëgjatë
e shkroi shkronjën L,
dhe firmën e vet…
NËPËR FUSHË
Lozin zogjtë lozin
me guaskën e zefirit,
Dielli kapur në valle me xixëllonja.
Çantën e kuqe e bart dhe kërcen
Livadheve lulëkuqja
lehtë diç pëshpërit
si një fallxhore
se ç’ka parë nëpër grunore.
Pas bishtit të gjatë të erës bari krekoset
shtëmbat e vesës thekra i shet
bulkthat fushën e kosisin
kërmijtë ujë më sjellin
turfullon nga vrimat e hundës
gomari i gjyshit
dhe shuan etjen në kënetë.
MOLLËKUQJA
Shikohet druri në pasqyrën e kënetës
retë e bardha vallëzojnë nëpër erën
e pusht, e kaltërosh
E unë pres nga gishti tregues
Të fluturojë mollëkuqja
-Fluturo, fluturo mollëkuqe
-Nga do të ma gjesh një nuse?
-Fluturo, fluturo mollëkuqe
se grafulloi qumështi !
Dhe kur shkëlqen në largësia kaltërsia
boshllëku ngeli
në dy duart e mia
Ah, mollëkuqe,
ah, mollëkuqe!
MANI I KOPSHTIT TIM
Në kopshtin tim afër gardhit
lavdërohet mani kokërrqelibar
se si është shumë i degëzuar
e blerosh, me degët tendosh
dhe e mbulon kopshtin qosh më qosh
si dreni i lëpin duart e hënës
qiellit ia miklon flokët kaltëroshe
mbi xixëllonjë e shkund vesën.
Njëherë ishte kreshpëruar si daci në shkurt
të gjitha lodrat i kishte frikësuar
kukulla me fustan mëndafshi të bardhë,
as nëna e saj nga arnat
dot nuk e pajtonte
Eh, ky mani i kopshtit tim
nuk më ngjan se është trim, –
se si u fut –
në vargun tim.
***
Pranvera pranverën pranveron,
Ëndrra ëndrrën ëndërron
Dashuria dashurinë dashuron,
Shpëtimi shpëtimin shpëton,
Mrekullia mrekullinë mrekullon
Lakmia lakminë lakmon
Xhelozia xhelozinë xhelozon
Vetmia vetminë vetmon
Lajka lajkën lajkaton
Sfida sfidën sfidon,
Mëkati mëkatin mëkaton,
Ligësia ligësinë ligëson.
Trishtimi trishtimin trishton
Sekreti sekretin sekreton
Shpirti shpirtin shpirtëron
Madhështia madhështinë madhëron.
Djallëzia djallëzinë djallëzon
Sylakmitari sylakmitarin sylakmon
Trimëria trimërinë trimëron
Shpresa shpresën shpreson.
Mëngjesi mëngjesin mëngjeson
Dredhia dredhinë dredhëron
Shigjeta shigjetën shigjeton
E Bukura e Dheut baltës nusëron…
SI BUZËQESH VETMIA
( variant )
Në bjeshkë burimi,
në burim gjen freski,
e braktisur fusha –
fare nuk sheh njeri.
Në purpurin vjeshtor,
e florinjtë qetësia,
si valët kaltëroshe –
buzëqesh vetmia.
Dhe ia behin dy çuna
në djersë çurg të larë,
burimi përngamot –
pret me valët krenar
Mbledhin manaferra
zgjat degët lajthia,
nga vrulli i tyre
buzëqesh vetmia …
Shpati mbushur blire
gjethet fëshfërijnë,
plot droje dy suta
në ikje buzët i lëpijnë.
Nën degë si flakë
argjend vjen arratia,
sutat bishtshkurta ikën –
buzëqesh vetmia.
Bjeshkën e kam për zemër
shkrihem në ëndrra blu,
gjithnjë i përmalluar
më vjen të këndoj kështu.
Mështeknave përvidhet
Kredhur futet duhia
Vargjet s’kanë mbarim
Buzëqesh vetmia…
POEZISË
As më dole, as të dola në pusi
Me vrull rinor t’u qasa, pa frikë,
Kurorë vura – shtatë mërli –
Fjalët gërshetuar – lindi lirikë,
Lindi lirikë nga frymëzimet e mia
Çdo gjë fshatarçe e vuri në rima …
Si rosak nën urë lahem te vija
Joshem si në prill kur del bima
Bimë prilli shpëtuar fërfëllaze
Për ty gjithnjë dal në garë,
Në stuhi kallam – krenar mes oaze
Vargun e koj, zemra ndizet zjarr!
MËHALLË TJETËR –
MALL I RI
Në të rrallë kur shkoj në fshat
ndonëse s’i kam mëmë dhe atë
- Ç’më merr malli herë a herë
beftë shndërrohem zog mbi ferrë.
Zog i ferrës – çudi – papritur
Më vjen vargu – perlë ndritur…
Ia marr shtruar, fare ngadalë
Ulur mbi prag si bandill djalë.
Bandill djalë –rritur me halle! –
Por trazovaç i një mëhalle …
Fatin kërkoja nën çdo gur –
Lumin e rritës s’e pashë kurrë !
Lodrat ia derdhja kushërinkës,
T’urtës, të mirës – gjeraqinkës,
që faqeve m’i nguliste thonjtë
me hile kur ia merrja ftonjtë …
Më gërgiste: “Mustafa, o Mustafa,
Po deshe kumbulla – hyp e ha!…”
- ,,Nuk dua kumbulla, as qershi,
- E dua një pjatë me kabuni![1]”
SI BUZËQESHET BUKURIA
Në bjeshkë burimi,
burimi fal freski,
fusha e nusëruar –
e thërret çdo fëmijë.
Në pushimin pranveror
e florinjtë dëlirësia,
si valët kaltëroshe –
buzëqeshet bukuria.
Ia behin dy çuna,
n’djersë çurg të larë,
përngamot burimi –
pret valëzë krenar.
Ecin, vjelin dredhëza,
degët zgjat lajthia,
nga vrulli i tyre –
buzëqeshet bukuria.
Shpati mbushur blire,
gjethet fëshfërijnë,
sytë droje – dy suta
shih! buzët lëpijnë.
Degëzave si flakë
argjendi vjen arratia,
ikën sutat bishtshkurta –
buzëqeshet bukuria.
Për zemrër e kam bjeshkën
shkrihem n’ëndërra blu,
kur pranverohen nuansat
më vjen të këndoj kështu.
Tunikës së mështeknës
hajnisht kridhet puhia,
vargjet s’kanë mbarim –
buzëqeshet bukuria…
FLEGMATIKU
Dëgjo! O bir, i thotë mamaja :
“Nxito vrik deri në Myçivërcë!”
Obobo! – qeshet – s’u bë belaja,
Niset ngadalëz xhvërcë e xhvërcë.
Pesë plus tre janë baras tetë
Dhe dy herë tre bëjnë gjashtë.
Ai trillon llogari të lehtë
Numrat tjerë i fut në kashtë…
Shih! Nuk çan kokë flegmatiku
Për asgjë, bëhet si barasnatë ;
Mendimet i flladit, or lum miku
Gjakftoftë me një gotë limonatë.
E zuri për grykëzë të këmishës
Pse qeshte djali i mullixhiut.
I vari flegmat në krah të pishës
Sa më larg syrit të kallajxhiut.
NARCISI
( Sipas mitologjisë )
Në të lashtën Greqi, në qytetin Tebë,
Jetonte një djalë me të rrallë bukuri !
Dhe i magjepste zemrat e të gjithëve,
Me vetveten kishte rënë në dashuri!
Djaloshi kishte përbuzur nimfën Eko,
Ajo vrerosur, harlisur e gjora treti,
Nga dashuria me ngashërin e kanë derdhë!
- Narcisin, djaloshin e mrekullueshëm
E shndërruan vrik në lule të verdhë !…
Prej atëherë ky narcis lulëverdhi
Me qeshjet e para të pranverës lulëzon.
Sa burrëror, rri dashuruar në vetvete
Nëpër fijet e barit bukurinë ëndërron !
DYERT E MËNGJESIT
Nëpër dyert e mëngjesit,
mëngjesit të praruar
del dita e parë
stolis me margaritarë
dhe pas vetes
banesës së bukur
nuk i vë katinar.
Doreza e brava
nuk kanë ato dyer
me ylbere lyer,
aty fshihen
shumë ëndrra tjera
të bardha, të njoma
dhe bleroshe
si pranvera …
HARABELAT
Edhe harabelat mbajnë pastërti
Bëjnë banjo sa herë që bie shi,
Tevona prej dege në degë rreziten
Puplat një milimetër u rriten.
Të shëndetshëm, kurdoherë të larë
Vrik nxitojnë harabelat në garë,
Pup degëzave që i njohin shkëlqyer
Ndaj ata s’e kanë fare vështirë …
Fushës çukisin thërmia plot hare
Në mbrëmje gjëkundi kërkojnë fole!
Dhe bëjnë gjumë, çlodhen fillikat
Si bebushkat shtrirë në krevat.
Harabelat në gjumë të lehtë kredhur,
-Ëndërrojnë fushave grurin e derdhur?
Me sytë inxhi – vështrojnë me mend! –
Harabelat nuk mërgohen nga ky vend.
NË TË NJËJTËN DITË
Në të njëjtën ditë në Gostivar,
një nënë lindi djalë – sybehar.
Në të njëjtën ditë në Radushë,
një nënë lindi çupën – sydrenushë.
Në të njëjtën ditë në Keçekollë,
një nënë lindi trimin – faqemollë.
Në të njëjtën ditë në Dremnjakë,
jo një, – nëna trime lindi trenjakë.
S’janë trill, as shifra përrallore
po ju flas për gëzimet jetësore …
Dhe ikën disa vite – këta moshatarë
në të njëjtën ditë u bënë shkollarë.
S’jam qesharak po thash nga e para
më flet dëshira – ju priftë e mbara !
LETËR NGA KOPSHTI
I dashuri im – zotëri baba –
Më lindët me këmbë të mbarë !
-Propozoj ta kem dhe një vëlla
mbase pa nervozë – sa më parë ! –
Totja na – tha – ore të bekuar,
lejlekët dot nuk sjellin fëmijë!
-Vetëm prindërit tuaj të uruar
nëse pranverohen me dashuri …
Sot për “dashuri” morëm udhëzim
s’kishte asgjë të turpshme, baba !
Mamit thuaji: “Të dua, shpirti im!”
Unë do të mburrem me një vëlla …
VJOLLCA
Nën kulmarët e kaçubës
një sykaltroshe,
ka çelë si gaz’i foshnjës
vjollca – bukuroshe.
Galdon si fytyrë nëne,
ninëzat i pahit,
nën ujëvarën e rrezeve
kurorën e rrit…
Puhiza pranverore
kërcen mbi përrua,
vjollcës zemër – aromë
i tha: shumë të dua!
Vrik krahët e fluturës
u bën ylyver!
në sarajin e bukuroshës
trokitën në derë…
Për takimin – zambak
kam veç imagjinatë …
me burbujë mars ngucakeqi
më ndali me shtrëngatë !
FLUTURA DHE BLETA
Motërzo, bletëzo mjaltore,
Nëpër fushën e gjerë qiellore…
-Fliten fjalë më të bukura!
Dhuron mjaltë ti për flutura?
Dhuroj mjaltë, si nuk dhuroj
Kopshtijeve gjezdisim njësoj…
-Të dyja krahëlehta pa dallim
Puna ime më sjell përfitim.
Ah, loja ime – pikë – në ballë
Luleve kot nuk sillem vërdallë…
-Mbi krahë ruaj një fshehtësi
Argjendin e pushin – mrekulli!
Loja jote është margaritar,
Puna ime të gostisi me nektar
Në koshere të artë me galdim
Për zemrat shtalbore – ëmbëlsim.
Njëra – tjetrën s’po e ngasim,
Po ua lëmë petaleve të flasin…
Krahët tanë përshkojnë gjithësinë
Mjaltë e lojë ka vlerën – bukurinë !
KOSOVARISHT
Kur mendoj, mendoj fare kosovarisht.
Kur qëmtoj metafora, qëmtoj kosovarisht
Nëna ime është Nëna Kosovë.
Venddheu im i shtrenjtë është Kosova,
Kur mbushem vaj, mbushem kosovarisht.
Kur heshti, qartë hesht kosovarisht.
Kur ia them këngës, ia them kosovarisht
Për mua Kosova është xhevahir
Shpresë, fjalëbesë, lindje dhe Nënëloke.
Për mua Kosova është –
Dukagjin, vjershë me lot.
Llap e Gallap, Shalë e Bajgorës
Anamoravë dhe rreze e metaforës.
Për mua Kosova është –
ëndërr, vajtim dhe Drenicë,
Për mua Kosova është burim gëzimi
Unë e përgëzoj Kosovën
Unë e përqafoj Kosovën
Kosova më ka djalë,
Kosovën e kam nënë!…
Shkup, 1999
KOSOVË
Kosovë,
Rrënjëthellë – fushë e pjellshme
Rrënjëlashtë – fushë e mëllenjave,
Nënëlokja ime martire – pa buzëqeshje,
Bukuria – pa Ty – s’është bukuri…
Qiellin kaltërosh po ta vrasin
Hordhitë barbare,
Po u bien daulleve të vdekjes
Bishat paramilitare!
Kosovë, po t’i vrasin fëmijët
Thesarin e dashurisë sate –
Fare pa prituar, pa kujtuar
Egërsirat e stepeve karpate!
- Po lulëkuqet, Kosovë kanë çelë
Pëllumbat e bardhë ku janë strehuar,
Dallëndyshet a fluturojnë
Rrafshit të Dukagjinit…
Kur do të miklojnë flatrat e bilbilave?
Zogjtë cicërrimën pse e kanë fshehur kaçubave?
Oxhaqet, Kosovë, pse nuk frikësohen
Pa pullazet e shtëpive të Drenicës?
Diellin e ngrohtë të lirisë presin,
Kohështriga ta vrau kasnecin e parë
Të dashurisë, blerimit…
Kosovë, po vjen e mira ditë,
Me brushat e blerta të pranverës
Do ta pikturojmë portretin tënd
Me tri ngjyra: zi , kuq e bardhë…
Kosovë,
Fëmijëve nuk do t’u dridhen sytë
As nuk do t’u mbyllen qepallat
Si foshnjeve të sapolindura në Bllacë,
E bardha ditë po agon, së shpejti –
Kthimi fatmirosh në Kosovë –
Qoftë i bekuar !
Vetëm ti, Kosovë e dashur, vetëm ti
Je më e pathyeshme se graniti
Je më e guximshme se fajkoi,
Ti nënë Kosovë je rrufepritëse
Për fëmijët e tu!
Vetëm ti e mira – Kosovë
Thirri dhe mëkoi me gjirin tënd
bijtë e tu –
mos të të lënë në vetmi!
MËSUESJA
(gruas sime, Yrfetit)
Zemrën e ka pranverë
Duart me margaritarë,
Ajo i mësoi shkronjat
Në të parin “Ëvetar “.
Ngado vete si manushaqe
Hap dritare – fut dritë,
Vogëlushve me çuka në faqe
Abetarja u sjell rritë.
Lulëzim t’artë – dituri
Gojën bilbil – buron hare…
Çdo shkronjë – është – mrekulli
Thotë mësuesja, gëzohemi ne!
FSHEHTËSITË …
Para mamit s’ka fshehtësi
Gjë të tillë ndërgjegjja s’më lejon!
Vetëm mami ka të drejtë
Të gjithë fshehtësitë t’i kuptojë.
Poshtë e lart ka mundësi
Ndonjë sosh të pranverojë,
Në kopsht të zemrës, në kokë
Përgjithmonë e artë të perëndojë.
Por fshehtësia e vërtetë
Xhanin orë e çast e vë në siklet,
Atëherë mos e fsheh, mos hesht
Vetulla e mikës me nojma flet.
ÇELËSI I ARTË
Çuna e çupëza
Të gjitha si bulëza,
Eni në vallen e xixëllonjave
T’i prarojmë flokët me dritë
Të duket e jona rritë…!
Vini re,
Të mos e zgjojmë çafkoren,
As grishën llafatoren,
Të mos e shkokrrojmë vesën
Nga fijet e barit,
Nuk na vjen në dasmë
E diela e larit,
Të mos zëmë në thua
Në barkun e kungullit,
Pasha ty,
E pasha mua
Ia kam parë qystekun brumbullit!
Do të na akuzojë bufi
(roja e territ)
nëpër këto majole
se jemi hajnat e qetësisë
në mës të këtyre cikoleve.
Me fytyra të skuqura
çuna e çupëza –
të gjithë si bulëza,
eni të kërkojmë nga xixëllonjat
çelësin e artë të diturisë.
Betohemi prore
kryelartë të ecim,
askund mos të ngecim,
prej fitores në fitore …
SHPREHJE E NDËRTIME
Dielli e di rrugën e vet çdo agim
Shend e verë niset nxënësi Agim
Rrugës së shkollës çdo ditë ka shpresë
E merr për dore shoqëzen – o Shpresë
Bëhen të hareshëm – ju them – për besë,
Më pritni = thërret – e vogla Besë
Rrugës së dritës nxitojnë – pranverë
Ju puthsha – i uron – tezja Pranverë :
Sa të dashur! Të rriteni nëpër blerim,
Shtegun e tyre e ndjek çuni Blerim…
Gjithë meritojnë nota me vlerë
Diturinë e breron mësuesja Vlerë…
Dhe u shënua në ditar me meritë
Nota pesë për recituesen Meritë.
Tring, tring zilja ra ngeli një kujtim
Në vargjet e para të vocit Kujtim
Klasës buzëqeshja gurgullon burim
Para shkollës qeshet dhe gjyshi Burim.
EJA, VOGËLUSH EJA
Eja,
ta lexojmë bashkë një poet
pas vargut të blertë, të qartë,
zemrat na pranverohen – det
në ballë të këndon zogu i artë.
Eja,
ta lexojmë bashkë një shkrimtar
ka një gjetje të bukur në roman
unë me ngazëllim, ti kureshtar
t’evokojmë kujtime – gjerdan
Eja,
ta lexojmë bashkë një dramaturg
që këto ditë shkroi një tragjedi
për një hero që derdhi gjakun çurg
heroi u përmendorizua me përjetësi.
Eja,
ta lexojmë bashkë epikën tonë
brilante mendja s’të vete ngjeti,
rrjedhimisht lavdinë e meriton:
i pari në luftë, i dyti dhe i treti.
Eja,
Ta lexojmë bashkë një bibliotekë.
DITË MAJI
Maj maj hoshi
me valle burrërishte
dita ditështohet
Amësojnë kopshtit jargavanët
vallen çupërishte –
Shilarëzen me hare
degëve me prush
fluturat laramane, si tulipana.
- Ore, kalamaj,
thërret puhiza kërcimtare
argëtuese
- Vallë, jeni të përgatitur
për një të vogël shoqërim
për një të shkurt fluturim
për dy-tri çape kërcim
dhe për një garim:
- Kush deri te dielli
i pari ngjitet – dhuratë i merr
me mjaltë pitet…
MAJI MAJOSHI
Maj majoshi
lule luloshi
shfleton abetaren e dëshirës
princ bleroshi.
Vjen
me valle djalërishte
ditët i ditështohen,
si zurkajë rrezet gërshetohen…
Amësojnë kopshtit jargavanët
dëgjohen zërat çupërishte –
sfilatë mode në shelgjishte.
Maj majoshi
shtegëton si Krez,
me bajraqe gjelbërishte
me ylbere në brez,
bukuria mbretëron
nëpër trëndafilishte.
Veshëve
cicërojnë më të bukurat melodi
Agim maji
me kolibrin e lumturisë
përvidhem
pas bukurisë stërmjaltishte
kasnec i dashurisë –
me trumbetë trimërishte…
Shilarëzen me erë bliri
degëzave me push xhevahiri-
fluturat laramane, tulipana
në Drurin e jetës i pastë nëna !
- Ore, kalamaj!
thërret puhiza kërcimtare
ndjellamirëse, argëtuese, me tupana.
- Vallë, jeni të përgatitur
jo si në përrallëza të rritur !
Eni, or eni
për një të vockël shoqërim-gëzim
për një të këndshëm fluturim-këndellim
për ndonja dy-tri çape fluturim-vrapim
dhe për një garim – dëfrim
nëpër ditë maji me kundërmim…
Le të jetë në fjalor – maji rritë
le ta dijnë fëmijët – majin dritë
le të shkruajnë vargje për majin –
poetët përditë…
- Kush deri te dielli
i pari ngjitet – dhuratë merr
me mjaltë pitet
NËNA DHE DIELLI
Kur nëna shpejton
dielli shndrit
në çdo lëvizje të saj.
Nuk e kam të qartë
nëna ose dielli
janë në shëti.
Edhe nëna, edhe dielli
e ngrohin botën me shkëlqim
të dy janë lule në amësim …
SHEGA
Shegë e ëmbël, shegë e butë
Shëndet të uroj, shëndet!
Ç’më shkoi vera duke të lutur
Shijen tënde goja me mall e pret!
Shegë e ëmbël, shegë sheqeri
Nga meraku mendja të ëndrron!
- Do të fluturoj me krah skifteri
Të të vjel degëve kur kuqlon.
Shegë e ëmbël, shegë Tivari
- M’i fal dëshirat e moshës së re,
Të thërret vasha nga Gostivari
T’ia mbushësh zemrën plot hare.
Shegë e ëmbël, shegë devedishe
Mike, lutjet e mia s’kanë mbarim
- Shndërrohu moj në dallëndyshe
Eja të rritesh në kopshtin tim!
BOTA E LODRAVE
E pyeta diellin
kur kaptonte kodrat
- Ku është bota, ku
që rriten lodrat !
Buzëqeshi dielloshi
me syrin e zjarrtë
tha: për botën e lodrave
pyet bujkun duarartë.
Erdhën fjalët si burimi
Ç’ thoni ju ?
or, punëbardhë
- Duarartët dinë se ç’ bëjnë –
Kërkoni radhë më radhë.
Po me radhë, shumë mendim
Duke nxjerrë thesarin kodrave,
Lypset mund e durim
Për ta gjetur botën e lodrave …
DALLËNDYSHJA E TAKIMIT
Dallëndyshja lozonjare
vjen shigjetë – përshkon dhenë,
në balluket e mia – pjergullë –
fluturon – kërkon folenë,
Dallëndyshja e takimit
rri buzëqeshur – pranverë …
Papritur ndizet zjarr i shpirtit
një me një gëzohem përherë.
Pak i ndrojtur duke bredhur
ndalem nën strehën e vjetër …
– Shoh një faqe – hënë – të vjedhur
të mos më ikë – nxitoj patjetër
Nxitoj patjetër – ti më erdhe
tani gjendesh në prehrin tim
futu në zemrën time – çerdhe!-
Do të gjesh puthjet pa mbarim …
ZEMRA
Zemra është si zog – kanarinë,
Zemra është si çelik e fortë
Thellë në kraharor e ka shtëpinë –
Ushqen më gjak trupin kroi – aortë.
Zemra si vashë shikon në dritare
Pas çdo stresi shndërrohet në det…
Për çaste gëzimi – hapet fare
Dhe si topth kraharorin e godet.
E thotë zemra – e thotë goja
Jo të ngjashme, po ç’është me rëndësi
Të dish si vocko të zgjatet loja
Dhe të dashurosh deri në pakufi…
Rolin e saj si ta quash me emër,
Aty ku jep fjalën, pra, ver zemrën!
PSE KËSHTU, PSE ASHTU
Pse nuk rritet plepi sa hija e vet,
Pse nuk shtron darkë dielli në det,
Pse nuk lundron vapori binarëve,
Pse nuk ec rruga pas udhëtarëve,
Pse nuk fluturon avioni pa pilot,
Pse nuk verojnë fëmijët në hënë,
Pse nuk ka lumi fare gjyshe, nënë,
Pse nuk verojnë fëmijët në hënë,
Pse nuk lulëzojnë margaritarët,
Pse nuk i pret mali druvarët,
Pse nuk janë drunjtë sportistë
Pse nuk bëhen kangurët alpinistë,
Pse nuk bëhen dardhat në shënëndre
Pse nuk tregon përalla, përrallë të re?
TEK UNË BËN GJUMË VENDLINDJA
Bie gjumë, e, shih në të dy sytë
një përrua m’i gurgullon fshehtësitë.
Në mua fle, si në pëllëmbë dore
lumthi kaltërosh që rrjedh nga një bregore.
Në mua rriten dredhëzat nëpër zabele
dhe shelgu gungaç, shkoza flokëkaçurrele.
Sapo dal të shëtis nëpër nënën natyrë
zogjtë e larëm më ulen në flokë, në fytyrë.
( Ju prarohen puplat.. Unë pa frymë dhe pikë
I përkëdheli… Ata fare rrin pa frikë).
Po kështu sonte me bardhësi më llomotit
qershia e harlisur nën diell duke rrezitur.
Dhe me mua bën gjumë në krevatin tim
Ylli me i bukur që derdh krua vezullim.
Kënd e pret atje – ai prush i dashurisë ?
Shtëpia e vjetër, e vogël, kujtim i fëmijërisë…
(Më thërret dhe më lutet për çdo agime –
që më shpesh ta vizitoj – të mbushem frymëzime).
Tërë natën, me hënën gjatë kemi shëtitur
nëpër vendlindjen time, atje ku jam rritur…
SHTËPIA IME DHE YJTË
Që moti jetojnë me të çiltër dashuri
Yjtë dhe shtëpia ime – sofër për miqësi.
Nga yjëzimi deri te vatra lashtore
Ka një përjetësi dritë – shembullore
Por yjet janë larg, larg atje në gjithësi
Kur ndriçojnë bëhen ëndrra për fëmijë
Ngandonjëherë mund edhe ta dëgjosh
Kur ylli mbi shtëpi thërret si kaprosh…
Dhe dëgjohen thirrjet deri në agim :
Thërret ylli, përgjigjet shtëpia pa ngurim.
Që moti jetojnë me të çiltër dashuri,
Yjet dhe shtëpia ime – sofër për miqësi.
DJALI DHE XIXËLLONJAT
Ai djalë arave fshehtas, zemërdëlirë
Deri n’agim xixëllonjat i kolis mirë.
Përgjon pas tyre, si më i miri mik
Dhe i mbledh ato me shkopin magjik.
Ai djalë ka aftësi t’i bie barit si burisë
Kur xixëllonjat futen kopshtit të komshisë
Ai djalë di, o, ai djalë ka shkathtësi
T’i ruajë xixëllonjat fare afër nën qershi
Fushës errësirë – fshehtësi e miradishme
E këtej ëndrra e ndritshme, e pakufishme…
XIXËLLONJAT
(variantë)
Në grunoren time lindën xixëllonja
Dhe u shpërndanë nëpër shtoja
Dhe u shpërndanë nëpër sinore,
Ndezin fenerët e artë oborr më oborre
Dhe drerojnë, mështeknën e stolisin
Me gjilpëra t’ arta këmishën ia qëndisin
Me grunore grumbull xixëllonjat luzmojnë
Që ëndrrën me perin e artë ta arnojnë…
QERRJA E FATIT
U shfaq hëna me fshesën flori,
Oborri shkëlqente – larë stoli.
Të butë shtroi pëlhurë – mëndafshi,
Oborrit si blerimi rritej – afshi
Udhës ecte nën mështeknën time –
Qerrja e fatit përndezte gëzime…
Çiliminjtë e fshehur të mrekullisë
Kërkojnë gjurmët e vogla të fëmijërisë.
KOPSHTI IM KA KREMTE
Kopshti im ka kremte me bimët e tokës,
Behari është derdhur si qumështi i lopës.
Si ëndërr e bardhë – dëshirë bardhoshe
Si fshehtësi dashurie, luleve laroshe
Borëbardhat gjurmëve të mia zbardhojnë
“Fërfëllizë ” e bardhë drunjtë kremtojnë.
Lum për ata që janë lindur me fat
Gjatë motit të bardhë në “shtrëngatë”.
Lumthi atyre të mirat kur u reshin
Rritës së paku njëherë t’i buzëqeshin.
SHELGU DHE GJYSHI
Im gjysh është tekanjoz, paksa inatçi ,
Me drurin e shelgut ka një armiqësi …
Gjatë kohës së ugareve nuk ndryshon,
Ai me këmesë degët trungut ia shkurton!
Toka diç rrënjëve shpesh u pëshpërit,
E trungut bisqet nisen për t’u rrit …
Dhe shelgu sapo nis të rritet, ka shpresë,
Kur gjyshi mësyn me të mprehtën këmesë !
Dhe përsëri, shih, mbin e gjethon në behar
Qysh se mban mend njeriu, shelgu rri krenar.
Kësaj pranvere s’është në orë të mirë –
Fushës nuk del gjyshi, as që ka dëshirë …
E shelgu rritet, rritet agim për agim …
Tri jetëra nën lëvore i futen me nxitim.
Shelgu gjatë ka pritur, me kaq dashuri
Një pranverë kundër gjyshit, për miqësi…
GJYSHI NË BJESHKË
Pranvera me buzëqeshje zbret në pjeshkë,
Im gjysh me torbën në krah niset në bjeshkë.
Në vargje telegram mori nga turtullesha,
Eja, – firmoste dreri – po të pret bjeshka !
Bjeshka të pret – dredhëzat janë bërë gjak,
- Gjyshi në vend të sëpatës mori një bajrak…
Bajrak si flatrat e zogut në kaltërsi,
Ecte nëpër shtigje – kërkonte miq të ri…
Se bjeshka këndell secilin – shtin vullnetin,
Pas kthesës së parë, retë derdhin detin
E shiut qilimit blerosh – ylberi stoli ! –
Nga vetullat e gjyshit – puth çupat në vërri …
Thellë gjyshi kredhet, gjen bisqe, njomësi,
Lisave qindvjeçarë, ua lë një porosi :
“Siç dëshmon lashtësia, ne jemi punëmbarë :
- Para furtunave dolëm ngadhnjimtarë,
Dolën ngadhnjimtarë – nën diellin e dëlirë,
T’i mbani peng!” – foli gjyshi fjalëmirë …
AUTOPORTRET
Një ditë prilli unë linda në një fshat,
Atë ditë ylberi u shfaq shpat më shpat.
Nga gëzimi nëna derdhi lot me zemër,
Guguçja mbi qershi – gugonte një emër …
Erdhi zonja Nazife, nga tjetra mëhallë
E përgëzoi nënën – mua më puthi në ballë.
- Pastë fat e jetë ky çilimi pëshurran:
“me faqkat si mollë, me vetullat gajtan,
Dhe hundën si kalemi, gojën si kuti,
Me doçkat e bardha – sytë si qershi ! …”
- Shend e gazplot- t’i falim një emër – tha –
- peshqesh le ta mbajë … përjetë – Mustafa.
Seç u përhap lajmi si zogjtë mbi dardha,
Erdhën për urime nënat dhe tërë mëhalla …
I vogël isha – fare pa bërë as një mot,
Për këto ndodhira shpesh nëna më thotë:
- Të veja në djep – lidhur me pelenka,
Vajzat të “shanin:” o, sa i vogël qenka !
- Unë për mamanë, shih gogël në prehër
Por djalë i rritur, i madh për zemër …
Qengjat me delet kur kullosnin në fushë,
,, Moj, Fahrie djalin, ta hëngërt një arushë!”
Nga shpirti si dritë nëna – vrer u mbush
- Po ty, moj Gjylferie s’të pyeti askush!
Aty i biri Sherif agës, foli Selveri :
- ,,Tezja Fahrie, djalin e ke si ylberi!”
- Lagjes Dullaku do të lozë bashkë me ne,
Mamaja nga gëzimi ia dha një kokërr ve.
SI RRËSHQET GËZIMI
Gëzimi rrëshqet
liqenit si ngjalë,
luleve si flutur –
mjaltë me fjalë.
Gëzimi rrëshqet
si blerimit pranvera,
ndehet si mëndafsh –
përkëdhelur nga era.
Gëzimi rrëshqet
sumbull me sedefe,
sikur bukuroshet
dorën mbi gjergjefe.
Gëzimi rrëshqet
kaltëron ninullë,
si rrita e nipit
me gjyshin në kullë.
Gëzimi rrëshqet
vesë gjelbërimi,
dhe valëve hipur –
shprishet gëzimi.
SHKOLLA E ZOGJVE
Në bjeshkën bleroshe
degëve të molikës,
zogjtë këngëtarë
kanë shkollën e muzikës.
Me këngë e valle
askënd s’e mburrin,
Të bashkuar në kor
magjepsin edhe gurin.
Magjepsin krojet
lulet në lëndina,
vjollcat e zambakët
zymbylat në trëndelina.
Ato këngë, fëmijë
dini ç’vlerë kanë?
-Janë ninulla rrite
nga këngëtarët tanë.
Të nisemi, fëmijë
atje drejt molikës,
presin me gosti këngë
zogjtë e shkollës së muzikës.
TELEGRAMET
- Vendlindja nis tek unë një telegram,
Në telegram fjalët janë – flori :
- Këto ditë kanë lindur shumë fëmijë…
- Fshati nis tek unë tjetër telegram,
Në telegram vetëm një fjalë :
- Në mëngjes ka lindur një djalë…
- Fshati nis tek unë prapë një telegram,
Në telegram një paralajm dhe pikë :
- Këto ditë ka lindur një çupëzë – dritë…
- Lagjja nis tek unë një telegram,
Në telegram fjalitë fare kajmak :
- Në mesditë një nënë lindi binjakë…
- Kush nis tek unë, pra, telegrame,
Gjallërinë e buzëqeshjen ma shton,
- Dhe vjersha ime lindjet i përgëzon!
KOPSHTAR POEZIE
Mos nxito vargu im
Tej lumit të bardhë !
Shkëndijo fjalëprerë,
por duke lënë radhë.
Me gjuhën qumështore
bëhu si ambasador …
Hap dritare miqësie
portave në çdo oborr.
Dërgo postë me pëllumba,
Shtro sofra diellore! –
Merr letra e telegrame,
përqafime – ylberore …
Ta kuptojnë çdo fjalë
dhe zogjtë me flatra …
Lulëzo stinë më stinë
Me nuance të kaltëra.
Rrugë të mbarë me rima
shtigjeve larg e larg,
Ngjatjeto, ballëndritur
fëmijët e presin çdo varg
Të mbledhur… duan paqe ! –
Duan lule me erë magjie…
- I gjej me durim bukuritë
dhe bëhem kopshtar poezie …
JAM KOMIT I BUKURIVE
Heeej, jam komit i ferrës
ia ruaj cicërimat pranverës,
heeej, jam komit i fushës
ia mbroj drerin drenushës,
heeej, jam komit i mollës
ia zë shtigjet belhollës,
heeej, jam komit i dardhës
ia gjej unazën gushëbardhës,
heeej, jam një komit bukurosh
nëpër valle këmbën e heq osh !
heeej, jam komit i lëndinës
ia thithi aromën trëndelinës,
heeej, jam komit pa romuze
ia fali nektarin çdo buze,
heeej, jam komit me besë të situr
pas vargjeve fare i harlisur …
Ç’MË KANË FËMIJËT
Fëmijët
më kanë shtrojerë në shtrëngatë,
fëmijët
më kanë mbi valë albatros krahgjatë,
fëmijët
më kanë brerore që u vezulloj në ballë,
fëmijët
më kanë gëzim të pashtershëm në përrallë,
fëmijët
më kanë kofën të mbushur me rrush,
fëmijët
më kanë mburojë kur u bërtet dikush,
fëmijët
më kanë gurgullimë burimi që shpërblej,
fëmijët
më kanë rreze dielli ….. për ta shkëlqej,
fëmijët
më kanë libër që me dorë më shfletojnë,
fëmijët
më kanë mik – fshehtësitë m’i tregojnë,
fëmijët
më kanë akuarel vrapojnë pas një ngjyre,
fëmijët
më kanë zemër – dua të futem në botën e tyre,
fëmijët
më kanë dymbëdhjetë muaj në emision,
fëmijët
më kanë shok secili mund të më qortojë,
fëmijët
më kanë ditë të mirë që në mëngjes,
fëmijët
më kanë kopsht me lulemollë që marrin serbes
fëmijët
më kanë kalëshale për ndonjë ngarkesë
fëmijët
më kanë rrugë të gjatë – udhëtojnë pa përtesë,
fëmijët
më kanë zallinë – aty – kulla ndërtojnë,
fëmijët
më kanë Olimpiadë, për fitore garojnë,
fëmijët
më kanë Niagarë në zemër të pyllit,
fëmijët
më kanë kozmodrom presin uljen e yllit,
fëmijët
më kanë me dhjetëra qengja në fushë,
fëmijët
më kanë trishtil që i mikloj në gushë,
fëmijët
më kanë këngë zogu që s’pushoj kurrë,
fëmijët
më kanë fener – për ta digjem furrë,
fëmijët
më kanë farkë, kështu farkëtohet miqësia
fëmijët
më kanë lundër drite, poetin e duan fëmija…
SONTE KËRKOVA NJË VJERSHË
Më fjalë të rrallë – rreze gëzimi
Si ulliri i Minervës në burimi…
Që bën hije t’ëmbël – fal freskinë
Si pranverë me zambakë dhe dafinë.
Sonte kërkova një vjershë në dhomë
Fustan engjëllushe e artë si gjithmonë…
Larg zemrës trishtin, as lot për faqe
Varg i mbjellë kopshtit manushaqe.
Sonte kërkova një vjershë pa xhelozi
Me kujtime mëngjesi me çiltërsi,
Me vargje zefiri që dalin grofulluar
Burojnë lirisht për t’u pranveruar.
Sonte kërkova një vjershë pa derte
Le të ketë moçale, liqene dhe dete …
Si shelg i gjatë të ngeli në hapësirë
Dhe metaforë në mote – gjuhë dëlirë…
[1] Kabuni,- a,- të – ëmbëlsirë që bëhet me oriz, me sheqer të djegur, me rrush të thatë, me bajame etj.