Poezia si kërkim dhe reflektim
Teksa ecim më tej në këtë udhëtim poetik, Spurio na paralajmëron të mos besojmë verbërisht në pluhurin e përkohshëm: “Jashtë ishte si të jetoje në një shkëmb të mprehtë”. Ekzistenca na vë vazhdimisht në provë, por poeti na fton të dëgjojmë pa frikë atë që kozmosi ka për të na thënë. Kjo është një këngë për hënat e rrëmujshme, për arkipelagun e erës, për rimat që rikthehen dhe për orët e errëta të shpirtit. Në këtë betejë të vazhdueshme mes rrjetave të hijes dhe shpërthimeve të dritës, Spurio lufton, përpiqet të mos rrëshqasë në greminë, të mos humbasë. Restaurimi i vargjeve është një ftesë për të përballuar të panjohurën me guxim dhe për të sfiduar të padukshmen.
Për lexuesin shqiptar
Përkthimi i këtyre vargjeve në shqip sjell diçka të çmuar për lexuesit që duan të zbulojnë një poezi introspektive, të fuqishme dhe simbolike. Restaurimi i vargjeve është një ftesë për të medituar, për të ndier dhe për të parë dritën edhe në errësirën më të thellë.
Anila Dahriu
Lorenzo Spurio është një autor që pëlqen eksperimentimin gjuhësor dhe kërkimin absolut. Restaurimi i vargjeve mbledh poezi të shkruara nga viti 2017 deri në vitin 2021, një vepër e jashtëzakonshme që kthehet në një rrugëtim të strukturuar mirë. Kjo është e dukshme që në nënndarjen e librit në tetë seksione: “Atlasi i pemëve të padukshme”, “Pasazhe”, “Rivendosja e linjave”, “Fjala në rrjet”, “Hënat dhe përkohshmëria”, “Bregdetet”, “Spirometria e heshtjes” dhe “Versos castizos”.
Libri hapet me disa vargje të Federico García Lorca-s, një poet shumë i dashur për Spurio-n dhe një pikë referimi thelbësore. Lirika e parë, “Nuk dua hapësirë nga parajsa”, na projekton në një dimension ku hapat bëhen të lehta dhe ku gjejmë “granulat që verbojnë/copat e dritës që shpojnë sytë”. Këto janë imazhe të veçanta që e çojnë poezinë drejt universalitetit të kuptimit.
Duke ndjekur këtë shteg, hasim sërish dritën: “Është e lehtë të ecësh nëpër shtigjet e dritës/nëse di të hysh në konin që të ndriçon”. Qartësohet se poeti ndërmerr një udhëtim eksplorimi dhe njohjeje të thellë për t’u çliruar nga hijet gjithnjë e më të dendura. Metafora e “dafinës kufizuese” shpreh luftën e ashpër mes dritës dhe errësirës; dafina, simbol i pavdekësisë, bëhet shenjë e rezistencës. Poeti vëzhgon, mediton, kërkon. Ai kërkon “ahun e fuqishëm që/mbron dhe mbulon shpatullat e njeriut” – një simbolikë e fuqishme, pasi ahu përfaqëson ruajtjen e kujtesës. Lëvorja e tij ka qenë një nga sipërfaqet e para për të shkruar, ndaj nuk është rastësi që Spurio e zgjedh këtë pemë si mbrojtëse të qenies dhe njerëzimit. Në këtë kontekst, njohuria na lejon të qasemi në mençuri dhe të mbajmë gjallë traditat.
Në poezinë e tij, Spurio u jep elementëve natyrorë cilësi njerëzore: era ka kapilarë, gjethet janë si duart e lëvores, pema është e mbuluar me lulebore – natyra merr formën dhe identitetin tonë. Është një “të jetuarit me psherëtimë dhe përkëdhelja e dafinës”, një referencë ndaj bimës së shenjtë të Apollonit dhe mitit të nimfës Dafna, e cila u shndërrua në dafinë për t’i shpëtuar perëndisë që e përndiqte. Kështu, dafina bëhet shenjë e fitores, lavdisë, kthimit tek ëndrrat dhe qetësia e humbur.
Poeti vazhdon rrugëtimin e tij me hapa të vendosur, në një univers ëndrrash, duke na kujtuar se nuk duhet të nxitojmë kur kërkojmë të rishikojmë brendësinë tonë. Në një sekuencë kujtimesh, ai evokon mozaikun e kujtesës mes gjilpërave të pishës. Edhe këtu, simbolika është e fortë: pisha përfaqëson pavdekësinë dhe në Greqinë e lashtë i kushtohej Rheas, si shprehje e dualitetit të ekzistencës. Poezia e Spurio-s ushqehet me simbole, asonanca dhe muzikë që kujton himnin e Otorino Respighit për pishat, duke vendosur lidhje arkaike me mitin. Këto vargje janë një “tufë poleni” që fluturon lart, drejt sublimitetit.
Michela Zanarella
Pluhuri që formohet nuk është
dheu që shfryn, as i plakur:
e vetmja arsye është që godet dhe bën ashkëla.
Unë jam ende këtu, teksa ngre
atë ulërimë mizore që nuk dëgjohet.
1- Nuk dëshiroj hapësirë në parajsë
Pjesë-pjesë, moti i acartë
mes kockës plagë rritet,
teksa shqyen hapësirën që rrënohet.
“Unë dua gjithçka” – tha me besim,
“Madje, së shpejti do të dish në ç’kah po fryn era.”
Tejmbushur nga ankthi ishe,
ndërsa hëna të hodhi një triko mbi supe.
Ecje me besim përmes monopateve gjarpërushe,
të cilat nuk kanë udhë.
Po mbaj hapat e dritës,
kokrrizat që verbojnë,
copëza që shkëlqejnë
dhe shpojnë sytë.
Ti je bari që rritet,
madje, duke u shartuar përherë,
ndërsa fiku të jepte dorën
për valsin e shtatorit.
Nuk dëshiroj hapësirë në parajsë:
atë bimë që pushton skutën,
madje, dominon mungesën e forcës.
2- Të jetosh me psherëtimën
Të jetosh me psherëtimën,
duke përkëdhelur dafinën,
duke shtrënguar dhëmbët,
madje, duke ditur të buzëqeshësh,
ndërsa dhoma ajrosëse e qiellit u thye.
Të kthehesh në kohën kur përmbledh ëndrrat,
tullumbacet që presin dhe jetojnë mes plastikës,
duke mos ditur të vështrosh udhëtimin që shkoi;
feksin, duke duartrokitur për selvitë që kufizohen.
3- Lulediellët
Janë shërbëtorë të lumtur të diellit,
midis shpateve të prera thelbi,
sfera drithëruese të ëndrrave
dhe sistole të tejzgjatura që ndizen.
Vështroj linfën tek rritet
mes fundeve të shkurtër jeshilë
dhe dritës së thyer teksa i prek.
Duken si një byzylyk buzëqeshjesh,
perla të humbura mes rrënjëve të ditëve,
tek ngopin vështrimin me verdhësinë.
4- Do të vijë koha
Do të vijë koha e hijeve të kuqërremta,
të cilat do të bien në sy
mes përrenjve, teksa u zhdukën shpejt
në një rrebesh delirant,
në ndërrim stinësh,
i tërbuar si një zhurmë e pashmangshme,
dhe më pas dorëzimi
i pathyeshëm i vorbullës së ajrit.
Do të jetë koha e kuqërremtë
nëpër kreshtat e reve,
tek kapërthejnë përherë vështrimin.
Mund të ndodhë që era të përndjekë
me nofullat e shtrënguara xhepat e ajrit,
me gjurmë të lëna nga trashëgimia e tij,
mirëpret zogjtë shtegtarë të iluzionit
për të hequr ritualet e oksiduara!
Do të jetë koha e kuqërremtë
nëpër kreshtat e reve,
tek kapërthejnë përherë vështrimin.
Kam imagjinuar hapësira të pakufijshme,
ankthin që lind e lakohet
në prehër trazuar mes ligështive,
trupa të rraskapitur e të harruar
nga kushdo që merr të drejtën për t’i ngjyrosur,
për t’u dhënë shkëlqim ose për t’i hedhur në gropë,
mikun e devotshëm,
pastaj atë armik autentik.
Fllade të kuqe të patrembura.
Do të jetë koha e kuqërremtë
nëpër kreshtat e reve,
tek kapërthejnë përherë vështrimin.
5- Refreni me zanat
Si tjegull e bardhë që shkëputet,
edhe pse e humbur në kohë, po shkëlqen;
hapësira, e saktë, tashmë e humbur.
Në një skaj të syrit grumbull,
pragjet e përhirta të njerëzve,
midis pikave në arrati dhe ujit që vërshon
me furi në cep të godinës.
Edhe ky sy do të hapet,
kalon era dhe e këqyr lakuriq.
Më pëlqen përherë si fusha e yjeve,
me reflektime të përdredhura
të kostumeve fluoreshente.
Çfarë historie të hidhur mbaje në sirtar!
Në tregun e mundësive, me një llastik,
tentova të zgjeroj degë hapësirash.
Prandaj recitoj në kor me zanat,
mes xixëllonjave të djallëzuara,
teksa rehatohen.
6- Ti njeh
Ti, teksa njeh kohën,
mund të këshillosh se si ta vrasim atë.
Nëse njeriu është krijuar nga çastet
dhe ekzistenca e tij shkrihet menjëherë,
sa sheh jetën,
si përbuzet flladi që derdhet?
Nuk mjafton të shqyesh hapësirat
ose të bluash dhëmbët për të kërcënuar,
mund të kënaqesh me dënimin, por
dëshira mbetet pezull,
nuk mund krijohet në asnjë mënyrë.
Gropat e hapura (varret) dhe transferimet,
kënaqësitë dhe përuljet,
koha na i rikthen kundër.
Nëse ekziston, rrjedh pa frikë,
nëse nuk është aty, kristalizohet,
nëse është e tepërt, është,
njëlloj sikur të ketë mbaruar.
Sepse është vetëm keqardhje,
teksa truri duhet të gërmojë
mes rrënojave dhe debelizmit,
mes shqisave të fjetura.
Ti e njeh hapësirën që
është një kohë pa kufi.
Pra, the se dije diçka –
invektiv i shkëlqyer, teksa ka nevojë,
tek ushqen të çuditshmen që bëhet virale.
Koha banon nëpër dhoma
të një thënieje që tashmë ka humbur.
7- Petalet e hënës
Petale që shndrisin,
prej argjendi të shkrirë,
linjat që shtrihen pezull, rozë,
madje buron shkëlqime
dhe tymra të padepërtueshëm
ngricash syve.
Është përherë çast ndriçim
tek krijon, pika mbi valë
midis baticave të largëta dhe zbarkimeve të sigurta,
pluhur i bukur, nëpër detin e qetësisë.
Po ecin shpejt mbi ty, me gjurmë
të padukshme të lëna në trupin tënd
kur pushtohen nga mendimet,
koloni e gjallë mes dashurisë dhe mistereve.
“Është ankoruar!”, tha dikush pa qëllim;
në zemër, tashmë mike, të lojrave dhe spazmave.
BIOGRAFIA
Lorenzo Spurio, poet, shkrimtar dhe kritik letrar, ka lindur në Jesi (AN) në vitin 1985 dhe jeton në Matera. Ai është i njohur për krijimtarinë e tij të pasur, e cila përfshin poezi, prozë dhe ese, si dhe për aktivitetin e tij si kritik letrar. Disa nga librat e tij të poezisë përfshijnë Neoplazitë civile (2014), Koka nëpër duar (2016), Ujërat e dëshpëruar (2016), Pareidolia (2018), dhe Restaurimi i vargjeve (2021). Përveçse si poet, Spurio ka kontribuar edhe në kurimin e antologjive poetike, duke përfshirë Bashkëjetoj me vargjet. Harta demokratike e poezisë dhe Lulet e Poezisë.
Në fushën e prozës, Spurio ka botuar tre përmbledhje me tregime, përfshirë Kthimi në Ankona dhe tregime të tjera (2012), Kuzhina portokalli (2013), dhe Urithi në dollap (2015). Ai është gjithashtu autor i eseve të ndryshme, përfshirë Metafora e kopshtit në letërsi dhe Një rilexim bashkëkohor i Jane Eyre. Spurio ka një interes të veçantë për jetën dhe veprën e poetit spanjoll Federico García Lorca, të cilit i ka kushtuar një numër studimesh dhe eseve.
Përkthimet e tij nga gjuha spanjolle përfshijnë punë nga autorë si Federico García Lorca, Rafael Alberti, Luis Cernuda, dhe Miguel Hernández. Ai ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i letërsisë ndërkombëtare, duke organizuar ngjarje dhe konferenca, përfshirë ato dedikuar autorëve spanjollë.
Lorenzo Spurio ka marrë shumë çmime letrare dhe vlerësime, përfshirë ato për poezinë dhe letërsinë artistike. Ai ka shërbyer si President i Shoqatës Kulturore Euterpe të Jesit dhe si President i Çmimit Kombëtar të Poezisë “L’arte in versi” në vitin 2024.
Përgatiti dhe Shqipëroi Anila Dahriu