“Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua” — Ismail Kadare
Luigj Çekaj ndërroi jetë në fillim të këtij viti në moshën 70-
vjeçare. Ai vinte nga Çek-Dedajt e Shkrelit të Malësisë së Madhe — fshati Bzhetë
— nga e ka origjinën edhe familja ime. “Në Shkrel te shtëpia e prindërve të mij”,
është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes. Atje, ku “Te muri në vend të
lahutës, bimë vjerrëse varen. Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.”
Kur ishte në moshën 2-vjeçare, babai i Luigjit, Kolë Gjoka Çekaj, për t’i shpëtuar
përndjekjes nga diktatura komuniste dhe dënimit me vdekje, arratiset në ish-
Jugosllavi, në rrethin e Ulqinit, të cilin si bashkvendas që ishte, familja ime e
strehoi për një kohë të gjatë dhe u kujdes për te derisa ai vendosi të emigronte në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si biri i një të arratisuri, i mituri Luigj Çekaj jetoi
ashtu me dhimbje, me njollën absurde të të prekurit dhe të përndjekurit, politikisht.
Merrni me mendë, prej 2 vjeç, poeti i ardhëshëm do të jetonte nën tmerrin e
persekutimit të diktaturës komuniste e që, eventualisht, shkoi edhe deri në
arrestimin e tij. Në moshën 2-vjeçare kishte humbur babain, i cili u arratis për
pikëpamjet e tija anti-komuniste. Pastaj, siç ka shkruar poeti Gjekë Marinaj në
parathënjen e librit me poezi,të autorit Luigj Çekaj, “Vjeshta në Aeroporte”, se
ndërkaq, Luigji i vogël kishte humbur edhe duart e së ëmës në pranga sepse kishte
refuzuar të padiste të shoqin tek policia.
“Për herë të parë e të fundit në moshën dy vjeç më arrestuan.
Si natën e pushkatimit të Lorkës adoleshenca e hënës
Stoli të papërsëritshme në kujtesën time ngeli,
shkëlqimi i prangave në duart e nenës! (Kujtim nga Fëminia, 1964)
Luigji i vogël, si 2-vjeçar dhe më vonë, po humbte gjithçka. Poeti i ardhëshëm me
trupin e tij të njomë, humbi edhe vendlindjen më në fund, duke përfunduar në
kampet e Tepelenës, si përfundim i vendimeve të autoriteteve komuniste.
Kryeredaktori i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, Z. Dalip
Greca në parathënien e librit të Luigjit, “Unë vij nga Shkodra”, ka shkruar, “Babai
i Luigjit, për t’i shpëtuar kurthvdekjes kishte kapërcyer kufirin, ndërsa familja
shkonte për t’u kryqzuar. Hakmarrja u zbraz mbi gruan e pambrojtur të Kolë
Çekaj, e cila do të plasej në birucat e ftohta. Ç’mund të mbetej në kujtesën e një
fëmije 2-vjeçar, që provonte burgun në moshën e lodrave? …”.
Ndërsa pyetja ime drejtuar nostalgjikëve të sotëm të regjimit të Enver Hoxhës — të
cilët na thonë se, “komunizmi ka qenë në anën e duhur të historisë”, ose
“komunizmi ka berë më shumë të mira se të këqia” – është se çfarë kërcënimi
paraqiste për regjimin enverist 2-vjeçari Luigj Çekaj në vitin 1952, poeti i
ardhëshëm i Malësisë? Si mund të mbrohet dhe të justifikohet një regjim i tillë
edhe sot në Shqipëri 30-vjet gjoja post-komunizëm, në një vend anëtar të NATO-s,
i cili pretendon gjithashtu edhe antarësimin në Bashkimin Evropian? Pse, ende 30-
vjet pas ndryshimit të sistemit, nuk ka një distancim zyrtar nga regjimi diktatorial i
Enver Hoxhës, i cili i hidhte fëmijt 2-vjeçar, si Luigj Çekaj dhe të moshave të tjera
të mitura, në kampe përqendrimi, shumë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen atje?
Pse kjo heshtje zyrtare! Deri kur?
Për hir të Madhit Zot, ashtu i njollosur për jetë, si bir i një të arrartisuri nga
“parajsa” komuniste e Enver Hoxhës, Luigj Çekaj mbijetoi disi kampet, burgjet
dhe diskriminimet komuniste gjatë gjithë jetës së tij – mbijetoi edhe “Stinën e
dhimbjes”:
“Në prill të ’75-sës — Përjashtim nga Universiteti
Në Maj vjen urdhëri — Të pushohet nga puna
Dhe në Qershor –Të dëbohet nga qyteti…”
Luigj Çekaj, gjithmonë e kishte pasion letërsinë por mundësia për të botuar iu dha
vetëm pas ndryshimit të sistemeve në Shqipëri. Kështuqë, menjëherë pas
ndryshimit të atmosferës politike, në vitet 1991-1993, ai filloi të kontribonte si
redaktor i poezisë në gazetën e pavaruar, “Besa” në Shkodër. Pas kësaj, ai vendosë
të largohej, përfundimisht, nga vendlindja dhe shkon në Amerikë si emigrant
politik, për tu bashkuar me babain e tij, Kolë Gjokën. Luigj Çekaj vendoset në
Bronx të Nju Jorkut, ku jetonte dhe babai i tij. Me të ardhur në Amerikë, gjatë
viteve 1994-1998, ai angazhohet me revistën “Trojet tona”, ndërsa më vonë iu
bashkua kolegjiumit të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, organ i Kishës Katolike
Shqiptare, “Zonja e Shkodrës” në Hartsdale të shtetit Nju Jork. Në vazhdim të
veprimtarisë së tij letrare në Në Nju Jork, ku jetoi familjarisht sa ishte gjallë, Luigj
Çekaj ka botuar librat: “Vjeshta në aeroporte”, poezi, 1998 dhe “Unë vij nga
Shkodra” në vitin 2004 — “Libri që renkon nga dhimbja” — ku ka përmbledhur
mbresat e kujtimet e tija nga jeta në Shqipërinë komuniste dhe në Amerikën e lirë e
demokratike. “S’na kontrolluan si të dyshimtë rojet,
Bile as pasaportën s’na e nxuri kush me gojë!
Ne që sa herë shpirtin na e pruri në fyt
Sigurimi i dreqit në Velipojë — (Ditën e Hyrjes sime në
Washington, 2 Prill, 1993)
Më kujtohet se kur ishte i angazhuar pranë revistës, “Jeta Katolike Shqiptare”, unë
banojsha në Washington, por me anë të një letre më kërkonte mendimin tim — si
një ish anëtar i redaksisë së kësaj reviste që isha në fillim të 1970-ave — për
ndryshimet që kishte bërë në formatin dhe përmbajtjen e revistës “Jeta Katolike
Shqiptare”, në përgjithësi. Me letrën në fjalë, Luigji më kishte dërguar edhe dy tre
numra të revistës “Jeta Katolike Shqiptare”, të redaktuar prej tij dhe më kërkonte
mendimin tim për formatin e ri të saj. Në pamje të parë, revista kishte ndryshuar
për më mire, falë angazhimit të Luigjit dhe ketë e kisha pasqyruar në përgjigjen
time, ku ndër të tjera i kam shkruar: “Të them të vërtetën, duke u bazuar në
shikimin e vetëm disa numrave të revistës që kam lexuar deri tani, më vjen shumë
mirë që rifilloi botimi i saj. Për më tepër, u kënaqa se revista e re, “Jeta Katolike
Shqiptare”, nën drejtimin tëndë është shumë e rindërtuar, më e mirë, më e
këndshme dhe e lezetëshme për syrin, në krahasim me formatin e vjetër të revistës
– një përmirësim i dukshëm, pra, si nga formati ashtu edhe nga përmbajtja. Ju
dëshiroj suksese të mëtejshme.”
Për ringjalljen e revistës “Jeta Katolike Shqiptare” aty nga mesi i 1990-ave, një
meritë e madhe i shkon Luigj Çekajt dhe bashkpuntorëve me të cilët punoi në atë
kohë në redaktimin dhe botimin e kësaj reviste, duke ia rritur vlerën si një organ
serioz që pasqyron jo vetëm veprimtarinë e Kishës Zoja e Shkodrës por edhe të
komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe rrethe. Më vonë, poeti
dhe shkrimtari i Shkrelit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj është angazhuar edhe
pranë Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Amerikë, ndërsa për
një kohë ka shërbyer edhe si sekretar i kësaj shoqate intelektualësh shqiptaro-
amerikanë. Luigj Çekaj është shquar dhe vlerësuar nga komuniteti i intelektualëve
shqiptaro-amerikanë si një kontribues i vyer ndaj kulturës shqiptare në Amerikë
dhe më gjërë. Por jo vetëm nga shqiptaro-amerikanët.
Veprat e Luigj Çekajt kishin renë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i
cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi, “Vjeshta në Aeroporte”. Në një
letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Z. Kadare ka vlerësuar me këto fjalë
poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për
nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për
kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore
nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik,
qoftë ai moral,ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë, dërguar
poetit Luigj Çekaj, me datën 28 nëntor, 1998.
Në veprat e tija Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për
nenën e vet të shumë vuajtur, për Shkodrën e tij të dashur, “Në qytetin e Nju
Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar” dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:
“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.
Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,
Ti me duart e tua më ke bërë njeri,
Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)
Por në veprat e tija shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti
strehimin, por edhe liri e pak paqë të merituar, më në fund. “Mes Shqiptarëve të
Nju Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshir ne që na konsideronte si kushërinjtë
e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë
dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton atyre një artikull të gjatë,
“Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”. Në librin, “Unë vij nga
Shkodra”, ai përmendë pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar
takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim
lenë atij në takimin e parë me të. “Me kushëririn Fran Shkrelin u pash me hënë të
mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij, “Unë vij nga
Shkodra”. “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtetë shumë mirë. Pothuajse
gjithmonë ramë në një hulli të këthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në
asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të
kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të
ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një
mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.
Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim – duke
mos dashur të trazoja plagët e vjetëra të vuajtjeve të tija e të familjes — nuk e pyeta
asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënes së tij dhe familjes në
Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nepër të cilën kishin
kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në
Amerikë. Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vet nuk deshi të fliste për
vuajtjet e tija dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste. Por, duke u ndarë me
Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thenë: “Ju
sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri,
deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr
mendja se bëre mirë që nuk fole, i thashë, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një
vendi nuk janë nëna fëmijsh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të
qara…”.
Vërtetë, i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet
dhe kalvarin e gjatë nepër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin
diktatorial i Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjëndjen jo aq të mirë shëndetësore,
as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në
fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara. Profesori i ndjerë, Agron
Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj — botuar vite më parë —
pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për
ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i
fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e
vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon
për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore. Lirika e
poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione
publicistike – politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër,
regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi
piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj”, “Statujat e
diktatorëve.”
Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt:
për sjelljet e tija prej një zotërije të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej
malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke berë shumë miq këtu
në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare. Me
jetën plot vuatje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e
dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkpunoi ngusht pas arritjes së tij në
Amerikë — por edhe nga shkrimtarë të mëdhej të Kombit si Ismail Kadare — Luigj
Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar — nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të
ngushtë dhe më të gjerë. Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me ‘të, ndërsa
komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij
të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë
këtu në Shtetet e Bashkuara para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën,
parakohësisht, në fillim të këtij viti.
Frank Shkreli