Udhë të mbarë, o Viti 2020! Bëmat e tua, do ngelin në histori. Edhe mua më ke shkatuar dhimbje shpirtërore e fizike. Kam shumë për të shkruar, por po limitohem e po filloj të tregoj si banuese në Itali…
Italia ishte vendi i parë, që provoj Virusin llahtar të këtij viti. Kasaphanën, që bota shikonte nga larg, ne e përjetonim shumë pranë. Llahtar kur shikonim mjekët dhe infremierët me fytyra plagë prej maskave, që na luteshin mos të dilnim jasht, se s’mund t’ju bënin ballë dyndjeve në urgjencë. Llahtarë kur jepej numuri i të vdekurve, njëmijë e më tepër, në ditë. Llahtar, kur jepesh lajmi që vorrezat s’kishin më vend. Llahtar kur nga Bergamo niseshin autokollonat me kamionet ushtarake, (çdo njeri me pesëdhjet- njëqind arkivole), që i shpinin në qytete të tjera për ti djegur. Llahtar kur dëgjonim thirrjet e alarmuara të punonjësve të furrave, që s’përballonin djegiet e kufomave e sallat mbusheshin me ujrat, që kullonin prej arkivolëve. Llahtar prej dëshmive të ushtarve, të thirrur në ndihmë për të boshatisur spitalet prej kufomave. Të mbështillnin trupat lakuriq në një thes plastik, ti mbyllnin në arkivole e të shkruanin emri përkatës mbi një etiketë. Rrobat e tyre ushtarake qulleshin e bienin erë, prej ujrat e të vdekurve, që kullonin prej trasportit të arkivolëve. Situatë e pa përballueshme. Llahtar çdo minut, prej sirenave dridhëruese të ambulancave, që shponin heshtjen prej vdekje të qytetit. Llahtar zbrazja e rrugëve, që dukej sikur kishte rënë mortaja. Kërkoj falje se s’mund ta përshkruaj me pak fjalë, pranverën e këtij viti, që ishtë vetëm tmerr e llahtarë.
Duke qënë në Itali, që në atë periudhë digjej zjarr, si shqiptare e ndjeja për detyrë të jepja çdo informacion. Çdo ditë, çdo lajm e çdo këshillë, e shkruajta me imtësi e nëpërmjet fb, informoja popullin tim. Ndjehesha sikur bëja diçka, kur me qindra lexues më falenderonin për ç’ka lexonin.
E përjetonim çdo minut të asaj situate të vështirë, e respektonim rregullat higjenike me preçizionin më të madh. Kjo na jepte sigurinë e shpresën që s’do ishim viktim e atij armiku që vriste, ndërsa për vete hapej si fara e hithrës, duke zgjeruar luftën fantazëm. Edhe se zbatova me përpikmëri të gjitha rregullat u bëra paciente e këtij virusi, jo vetëm një herë, por edhe të dytën. Qaja për njerëzinë, që vdisnin, o për ndonjë të njohur, por s’e prisja të dëgjoja prej zërit të doktorrit të familjes, që edhe unë isha e sëmurë me virusin, kur i spiegova në telefon simtomat e mia. Duke dëgjuar vujatjet e pacientve, vdekjet dhe varrimet, që bëheshin vetëm, pa një të afërm pranë, kisha vendosur që në se do sëmuresha, s’do shkoja në spital. Edhe se do kaloja sëmundjen vetëm, doja të vdisja në krevatin tim e të varrosesha prej fëmijve të mi. E tmerrshme!
Për të fshehur merakun e mendimet e këqia, gjatë telefonatës, fëmijët mundoheshin të bëheshin të fortë e pa lot e po ashtu edhe unë, ju thoshja që isha mirë edhe se isha shumë rëndë. Fëmijët më bienin ç’më duhej e mi linin jashtë derës e unë i merrja kur ata ishin larguar. Më pajisën me aparatin për matjen e oksigjenit, me aoresolin, që më ndihmonte për frymarrjen, me aparatin e tensionit, por mbi të gjitha më ndihmoj fati që doktorri im është një person human. Duke më ndjekur çdo ditë telefonikisht, për çdo ndryshim të gjëndjes time, më qetësonte e më jepte mjekimet e duhura. Fatmirësisht në qytetin tim, një profesor onkolog, studiues i njofur në vende të ndryshme të Europës, për të evituar dyndjet në urgjencë, krijoj një ekip mjekësh, që shkonin nëpër shtëpitë e të sëmurve, bënin ekografinë e mushkrive e i linin pacinetit, ilaçet kundër malarjes. Fatmirësisht, unë isha një paciente, që u kurova prej këtij ekipi. Ashtu e vetmuar, qava për gjëndjen e përgjithëshme e të rëndomtë, qava për vete, qava për fëmijët, por shpëtova. Po kështu e përballova edhe për herë të dytë, në nëndior e dalngadalë vazhdoj jetën normale e merrem dhe me shkrimet e mia.
Ky vit bllokoj e viktimizoj ekonominë, artin, sportin, shkrimet e çdo gjë. Në Itali, në dhjetorin e vitit tjetër, u publikua romani im italisht, “Cronaca di una condanna a morte”, që sapo doli nga botimi u vlerësua me çmimin special. Ishin organizuar disa takime të rëndësishme e në qytete të ndryshme, ku e prisnin këtë libër një pjesëmarrje e madhe publike, por çdo gjë u bllokua prej virusit. Në shkurt të këtij viti u botua volumi i pare i romanit tim, “Rrugët e Mjerimit” e pas tij, libri me poezi” Bota e një Gruaje”. Në një konkurs internaional, me 1500 pjesëmarrës, fitova çmimin e parë për një poezi në dy gjuhët. Në maj mora pjesë në një konkurs tjetër internacional, me 70 poezi italisht, ku fitova çmimin “Titull Nderi”, shoqëruar me një kontratë, që libri të botohet falas prej shtëpisë së botimit. E tani, jam duke pritur me ankth botimin e volumit të dytë të romanit. “Rrugët e Mjerimit” Shkrimet e mia, indiferente për gjëndjen time, kanë vazhduar rrugën, duke më bërë shoqëri.
Ky vit na lodhi e të gjithë me shpresa, duke mbajtur syt në një rizgjim, presim një Vit Të Ri, me mbarësi. URIMET E MIA PER VITIN E RI 2021!