Mallkimi i gjeneralit. Tregim nga Istref Haxhillari

Mallkimi i gjeneralit

 

 

Në prillin e largët të vitit 1975, teksa pranvera druante të shtrohej në trojet e njerëzve që frymonin nën hijen e frikës, një sallë e ftohtë mbledhjesh në qendër të Tiranës u mbush me hapin e rëndë të uniformave të gjelbra. Oficerë të lartë, që kishin mbajtur me nder mbi supe flamurin e atdheut, hynin kokulur, të ngrysur si qiell i vrenjtur vjeshte. Organizata bazë e partisë së dikasterit hijerëndë të ushtrisë shqiptare analizonte veprimtarinë antikombëtare të grupit puçist të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos.

– Partia ka zbuluar grupin armiqësor në ushtri, – hapi mbledhjen i brengosur sekretari i partisë, – kurse ne ushtarakët as e kemi idenë e rrezikut që i kanoset vendit. Kjo situatë e pazakontë me pasoja fatale për lirinë e atdheut na vë të gjithëve përpara përgjegjësisë.

Fjalët e ashpra, të drejtpërdrejta, u varën si teh shpate mbi qafat e rreshkura nëpër stërvitje, secili e dinte çdo të thoshte të ulje vigjilencën revolucionare, secili parashihte pasojat fatale.

Heshtja e rëndë pllakosi sallën.

– Me leje, – u dëgjua një zë i ngjirur burrëror.

Komandant i Artilerisë Kundërajrore Shqiptare, Gjeneral Todi Naço, me pamje të urti dhe llullën e pandarë në buzë, u ngrit ngadalë, si të mbante mbi supe grykën e zjarrit të topit kalibër 100 mm. Studenti i Akademisë Ushtarake të Torinos, i specializuar oficer i forcave kundërajrore në Akademinë Ushtarake “Voroshilov” të Moskës, me karrierë të gjatë në forcat e armatosura, e ndjente obligim t’i dilte së keqes përpara. Eleganca e natyrshme dhe çibuku proverbial e bënin të dukej disi jashtë kohës në atë mjedis të zymtë.

– Shokë, – nisi të fliste me gjuhën që e përbuzte, – nëse në këtë sallë ka një burrë që duhet të mbajë përgjegjësi për situatën e krijuar, ai jam unë. Ju më njihni mirë, nuk dua të justifikohem, por ju them me zemër në dorë se nuk kam bërë dhe nuk do të bëja kurrë asgjë të qëllimshme kundër atdheut tim.

U largua me hap të zvargur, iu drejtua karriges të tij në sallë. Hodhi sytë mbi presidiumin që miratonte në heshtje dhe i pëshpëriti kolegut pranë.

– Më duket se shpëtova.

Por u gabua.

Partia nuk ia fali sinqeritetin. I akuzuar “bashkëpunëtor i grupit puçist të Beqir Ballukut” nga udhëheqja e Lartë e Partisë, u internua në rrethin e Beratit, ku duart që dikur komandonin me saktësi milimetrike armët e artilerisë kundërajrore, u detyruan të trazojnë llaçin. Dhe kur vdekja e gjeti në fshatin Lapardha të Beratit në vitin 1985, nuk pati ushtarakë ta përcillnin me nderime, siç e meritonte më shumë se kushdo, vetëm një qerre e thjeshtë që vajtonte me kërcitje rrotash dhe tre pjesëtarë të familjes e shoqëruan në banesën e fundit.

Përtej jetës së një njeriu të vetëm, historia e Gjeneral Todi Naços është rrëfim i një kohe të errët, i ushtrisë që u gjunjëzua nga frika, i burrave dhe grave që u flijuan në emër të heshtjes.

Atëherë askush nuk parashikoi se një fat i përafërt do të ndiqte kolegët e tij afro çerek shekulli më vonë. Reformimi i ushtrisë shqiptare pas viteve 90’, largoi nga radhët e forcave të armatosura qindra e mijëra oficerë të përgatitur në shkollat ushtarake të vendit, ndër më të mirat e rajonit. Djem e vajza 40 vjeçare u detyruan të përfshihen në punë të rëndomta për të përballuar jetesën ashtu si dikur gjenerali u detyrua të trazonte llaçin.

Të qe ky mallkimi i tij?

Si homazh për ata që mbetën dinjitozë, kur dinjiteti u mohua, që u stërvitën për mbrojtjen e atdheut dhe u ndëshkuan prej vetë atyre që duhej t’i mbronin, Memoari “Uniformat e gjelbra” rreket të pasqyrojë karrierën e shkëlqyer të oficerëve që e deshën atdheun më shumë se gjithçka, që nga pikëpamja njerëzore e ushtarake qëndronin afër gjeneral Todi Naços.

 

Istref Haxhillari