Banorë të Malësisë së Madhe, në të dy anët e kufirit të sotëm shtetëror, u mblodhën në Hot të Kastratit në përpjekje për të shpëtuar një nga monumentet më të rëndësishme historike të Malësisë, Kullën e Çun Mulës, prijësit dhe luftëtarit popullor, i cili, së bashku me familjen, u vunë në krye të fiseve nga Malësia, duke i udhëhequr në luftërat e shumta kundër serbo-malazezëve dhe forcave osmane, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit.
Një nga pasardhësit e familjes së Çun Mulës, Maliq Çun Mula, tha se ringritja e kullës dhe kthimi i saj në muze për Malësinë e Madhe, është një mision i vetë malësorëve.
“Ne, si familjarë, u munduam të bëjmë diçka dhjetë vitet e fundit, por nuk mundëm me ba diçka në përmirësimin e gjendjes se kullës. Sot, tjetër rrugëdalje nuk kemi, por u detyruam të qesim kushtrimin, kushtrimin për ruajten, mbrojtjen dhe rindërtimin e Kullës së Çun Mulës”.
Kulla e prijësit popullor Çun Mula u braktis, duke u kthyer në magazinë, gjatë viteve të regjimit komunist. Por, edhe gjatë 30 viteve të demokracisë, megjithë interesimin e malësorëve, nuk u arrit restaurimi i këtij monumenti të rëndësishëm historik për Malësinë.
Ndërsa studiuesi Ardjan Marashi vlerësoi rëndësinë e Kullës së Çun Mulës për të gjithë Malësinë e Madhe si dhe për Plavën dhe Gucinë.
“Historia është kjo, është kjo kullë që, për fat, nuk është rrëzu. Dhe burrëria e malësorëve është me e mbajtë këtë kullë në këmbë dhe me e trashëgu në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe, mënyra më e mirë është që të mbetet një dokument historik i Malësisë”.
Në një tjetër përpjekje për të ringritur vlerat e trashëgimisë historike, banorët e Lezhës u bashkuan në fshatin Mërqi, ku po restaurohet një nga monumentet më të rëndësishme me vlerë kombëtare, kisha ku u mbajt Kuvendi i Arbërit. Rapsodi Gjon Frroku thotë se vetë banorët organizuan një koncert me rapsodë nga Kosova dhe Shqipëria, për mbledhje fondesh për përfundimin e restaurimit, i cili po realizohet me fonde private.
“Famullitë e kësaj zone, emigrantët, djemtë dhe vajzat që janë të kësaj famullije jashtë atdheut pritet të japin një kontribut për përfundimin e restaurimit të kësaj kishe. Është një simbol historik, sepse në vitin e ardhshëm është 320 vjetori i Kuvendit të Arbërit, i cili është mbajtë me përfaqësi nga të gjitha trojet shqiptare”.
Për shumë vite, një pjesë e objekteve të trashëgimisë historike dhe kulturore, në mjaft zona të Shqipërisë, kanë mbetur jashtë kujdesit për shkak të mungesës së fondeve, por edhe mos interesimit nga strukturat vendore dhe ato të qeverisë. Është pikërisht kjo situatë, që po shtyn gjithnjë e më shumë banorët vendas për t’i ringritur dhe mirëmbajtur këto objekte, si pjesë të historisë së tyre.
Zeri i Amerikes