Mbi vëllimin poetik “Dritëhije”, të poetit Dashamir Malo. Kritike n ga Xheladin Mjeku  

 

 

 

 

 

Dashamir Malo: “DRITËHIJE”, poezi, botoi “Neraida” – Tiranë, 2019

Dashamir Malo, edhe në librin e tij të gjashtë poetik “Dritëhije” nuk rresht së kërkuari të bukurën, të artikuloj bashkërenditjen e hijes me jetën dhe, të dritës me rrugëndriçimin e të ardhmes së njeriut të tij. Në fakt, mbi parimin e këtyre fenomeneve e gjen fjalën e ngjizur me dashuri dhe mall për atdheun, për ndërtimin e një bote të qëndrueshme poetike, që prej vitesh do ta kemi, në një rrugëtim të pandalshëm të krijimtarisë poetike sens e përkushtim.

Ky kërkim temash e motivesh gjithandej në vendndodhjen e tij të tanishme buzë Jonit, nuk do ta kishte vlerën pa mos të ravijëzoheshin edhe bukuritë kaltëroshe, si ngjyra që i japin shpirt poezisë. Po të mos vinte në vargun e poetit pasqyrimi i imazhit magjepsës i këtyre viseve të përshkuara nga gjithë ajo kaltërsi në horizont, është sikur të lundrosh me anijen e pakthim, e të mos kujtohesh për asnjë vend të pëlqyer për ankorim. Por kjo “bezdi” asnjëherë nuk mund të ndodh gjatë “lundrimit” shpirtëror nëpër poezitë e librit “Dritëhije” të Dashamir Malos, meqë që në nismë janë ndërtuar “pikat ankoruese”, të cilat të mbushin me aromën e kohës, frymëzojnë me mrekullitë e pafund të horizonteve joniane dhe të pushtojnë në krahët e fluturimit të imagjinatës, deri në padjallëzi.

Janë katër vendndalimet që e ndërtojnë këtë hapësirë kaltroshe, që buron nga një shpirt-vargëzim i pashterrur frymëzimesh: “Lulet e braktisjes”, “Mallëngjim i kaltër”, “Stinët e shpirtit” dhe “Pranverën e thërras me emrin tënd A”, të cilat e bëjnë “Dritëhijen” të shkëlqej me reflektimin e vargjeve rrezatuese, nëpër të cilat do të ndalojmë në çast.

“Lulet e braktisjes”

Braktisja, si fenomen i njohur, sidomos në regjionet ku migrimet e popullsisë janë të theksuara, poetit ia rikthen kujtesën në çdo cep të vendlindjes. Nga ky prizëm i vështrimit e gjejmë të trajtuar poezinë “Lisin i vendlindjes”, duke e kujtuar me nostalgji, për të ndier pastaj dhimbje për qarrin e vjetër, i cili “u këput nga maja e bregut” për t’iu bashkuar “kortezhit të lisave në korije” (“Ndërroi jetë qarri në kangjele”, fq. 8). Poetin e preokupon edhe një “Ndjenjë faji”, meqë edhe thneglat e vendlindjes së tij që në fëmijëri mund t’i ketë trazuar, prandaj, ashtu edhe si e shpreh përmes vargjeve: “Do të shkoj në vendlindje/ këtë verë/ do të shkoj/ t’u kërkoj ndjesë” (po aty, fq.9). Çfarë ndërlidhje me ambientin rural, me prekjet e ndjeshme të gjithçkaje që takon e kujton nga vendlindja, që në parim, po të lexohen si tërësi krijojnë imazhin e plotë të saj, duke i sjellur tok në një cikël poetik, që gjason në ndërthurje vargjesh të një poeme për vendlindjen, prej nga gjithmonë e ndien pranë si pjesë të jetës së tij, kudo që ndodhet. Edhe poezitë: “Katundi pranë sinorit”, “Dushkaja në prag pranvere”, “Dy shelgje”, etj. vijnë si vazhdimësi e pasqyrimit të fenomeneve që ndodhin, për ta saktësuar pamjen sa më bindshëm.

 

Dashamir Malo

Por, poeti nuk ndalon veç në këto prekje të vendlindjes. Ai ka edhe dhimbje të papërshkruara për ngjarje e fenomene që mund të ndodhin atje. Kështu, edhe “Pas zjarrvënjes” që mund të ketë ndodhur, ai e kujton rrapin e vjetër, si “një obelisk i zi”, meqë “Ai nuk është plandosur,/ ende qëndron atje” (po aty, fq.12). Gjithashtu, dhimbja e pllakos edhe për “Pemën e djegur”. Këtu autori sikur paralajmëron rrezikun e zhdukjes graduale të bukurive të vendlindjes, qoftë nga dhëmbi i kohës, qoftë nga dora e njeriut të papërgjegjshëm, që një ditë të mbesin veç kujtimet. Atje do ta ketë kaluar fëmijërinë e tij, të cilën e paraqet ashtu të zhveshur nga figurat stilistike, por me bukuritë rurale, për ta sjellur të plotë, me vuajtjet, trishtimet, me varfërinë dhe dashurinë që nuk venitej asnjëherë, përkundër të gjitha këtyre problemeve. Kjo ndodh për vite të tëra, që i pasqyron edhe poezia “Dhjetori në përsëritje”, për t’i përmbyllur në kornizën e vargjeve:

”Ëndrrat tona ishin si flutura dëbore

që në mëngjes i gjenim të ngrira kallkan

strehëve të çative”

(Po aty, fq.17)

Fëmijëria e tij takohet edhe për “Një shtator”, e ndonjë poezi tjetër, gjithnjë duke bredhur “Brigjeve të fëminisë”, mbi kujtesën e një kohe.

Nuk ka dyshim, se Dashamir Malon e preokupon gjithçka që e rrethon. Ai nuk mund ta anashkaloj njeriun e vendlindjes, ashtu të heshtur, të vyer dhe plot dashuri, duke u përballur me dallgët e jetës, që “veten përplasur pastaj gjen/ në ndonjë breg a ndonjë mol” (“Një njeriu”, fq. 18). Po këtë njeri të përvuajtur e takojmë edhe në poezinë “E diel”, e ndonjë tjetër.

Shtëpia e emigrantit” është një tjetër vetmi që e ka katandisur koha, duke e trajtuar në imtësira gjithë pamjen e saj, që nga “Pragu i heshtur”, tek “Derë që i mungojnë trokitjet” për të kaluar pastaj me përshkrimin e “Portës së vjetër”. E gjithë kjo përmbyllet me vargjet plot mall: “Shtëpizë e braktisur/ përbri,/ pas derës së gjelbër,/ pikëllimi gri” (po aty, fq. 29).

Personazhe që laton përmes vargut i sjell të lidhura me fatin e tyre dhe me kohën e jetuar e përjetuar, në varësi të rrethanave që u shtjelluan si tema motivuese, tek poezitë:“Margaritës”, “Motiv i rrahur” dhe “Kënga e fatalistit”.

“Mallëngjim i kaltër”

Mallëngjimi paskësh ngjyrë! Kjo, mbase më bën kurreshtar ta kuptoj në çast, prandaj po ec një rrugëtimi tjetër me poezitë e ciklit të dytë, për ta shpalosur këtë “enigmë kaltroshe”. Këtu poeti niset me ngjyrën gri, duke i njëjtësuar bashkë detin me qiellin: “Deti gri si qielli, qielli gri si det,/ ndërkallur mes tyre, çdo ngjyrë u tret!” Kjo shkrirje ngjyrash në gri vazhdon edhe me vjeshtën dhe retë, për ta shpërfaqur dilemën: “Ç’udhë të marr vallë, në ç’drejtim të shkoj?!..” (“Gri”, fq. 48). Ngjyrat kalërojnë vargjeve parreshtur, për t’i dhënë pamje të bukura dhe krahasimtare ngjarjes. “Po të mos ishe ti dhe deti”, shprehet ai, “Ç’trajta do kish qenja ime/ ç’ngjyra do kishte qyteti,/ dhe dita ç’emër do kish vallë,/ po të mos ishe ti dhe deti?” (po aty, fq.49). Poeti edhe më tutje vazhdon të mrekullohet nga këto ngjyra; “Blu i kthjellët deti sot”, do të shprehej në bashkëbisedim me varkëtarin plak, por ndryshe ishte mendimi i varkëtarit: ”Ah, mor mik, ma ktheu,/ përtej blusë ka një ngjyrë tjetër,/ dhe u dha rremave/ duke më lënë në breg/ të kurreshtjes”. Kjo përgjigje nga varkëtari e shtyn të vazhdoj tutje me zbulimin e ngjyrave të detit, qiellit, stinës… Poaq interesante është krahasimi i të kuqes tek barka dhe e kuqja “në buzët e një vajze/ veshur me të kaltra” (“Varkëz e kuqe në detin blu”, fq. 62).

Pothuajse në çdo poezi të këtij cikli kemi të pranishëm togfjalëshat: det i purpurt malli, e të bardha në gri, molit gri, agimi i purpurt, varka me të kuqe, festë e kaltër, ëndërrblerti, ëndërkaltra, anije e blertë, dritare e kaltër, ankth i gjelbër, drojë e kaltër, gjelbrimi i syve, e kaltra e hijes sate, kaltëroi detin, flamur i blertë shprese, të hirtë pendimi, të bardhë gëzimi, të zezë brengosëse, etj. që gjithnjë e më shumë e fuqizojnë vargun, duke i dhënë një kolorit refleksiv pamjeve e ngjarjeve të shumta. Kontrasti i ngjyrave bën të njëjtësohet bota rreth së cilës zhvillohet jeta imagjinare e poetit, reflektimet e të cilës sjellin vargun plot gjallëri,

 

kurreshtar i ndryshimeve spontane të së bukurës dhe mrekullive që krijon natyra, fenomene këto që mund t’i kap veç vigjilenca e muzës që nuk ndalon në gjurmimin dhe trajtimin kundruall situatave që reflektohen në vargun shpërthyes të tij.

Poezia për detin dhe deti në poezi vijnë të bashkërenditura në të gjitha këto krijime letrare që korrespondojnë fuqishëm mes vete, për të krijuar botën imagjinare të bukurisë së ngjyrave, që rrëshaqsin në çdo kohë mbi suprinën kaltroshe të Jonit.

Bashkëdyzimi i ngjyrës, si fiksion dhe i mallëngjimit, si akt, krijojnë pasazhin e bukurisë joniane, mbërthyer fort në shpirtin poetik të krijuesit, që nuk rresht së gjurmuari vlera e vepra nga më të bukurat, për t’i sjellur përfundimisht në aureolën e tij poetike. Këto mrekulli rrezatojnë edhe tek poezitë: “Far”, “Butrinti”, “Liqeni mitik”, “Bijës së fatit”, “Pulëbardhat dhe unë”, etj.

Shiko si e përshkruan një realitet kohor të përafrisë me Naim Frashërin, duke e pasqyruar jetën dhe veprimtarinë nga po i njëjti vend, prej nga kishte vepruar një kohë edhe rilindasi. Ky, përmes kësaj poezie vjen si pasardhës fizikisht, me dashurinë e pafund që ta shtyj edhe më tutje krijimtarinë e tij, nga rrafshi kohor dhe motivues, mbërthyer me dashurinë joniane dhe ngjyrimin e detit, si pasione të pashuara.

“Kupën e së sotmes e kthej me fund

te ky liman ku ish Naimi doganier,

këtu ku i dha udhë vjershërimit shqip,

dhe si qiri mandej për mëmëdhe u ter”

(“Buzë limanit të shpresë”, fq. 61)

Jeta e detarëve ka shumë mistere. Asnjëherë nuk dihet ku të gdhin dita e ku mund të err nata, por një e vërtetë është e njohur, se ballafaqimet e “piratëve” kanë çmime të larta të jetës. Një të tillë e paraqet të stërholluar në momente e situata përmes vargjeve në “Vorbull”, prej nga bën të kuptojmë, se vërtetë të moshuarit, pavarësisht ndodhive, gjejnë mundësi ta shpërfaqin përvojën e tyre jetësore në kthimin e situatave në vendin e vet.

“Dy gjëra, bir, si plak të them, veten duhet ta mbledhësh ti:

Se leku kthen lumë edhe det. Në ndjenja nuk ka tradhti.”

(Po aty, fq. 64)

Deti dhe hiret e tij nëpër kohëra paraqiten bindshëm edhe në poezinë “Ishulli përballë”, prej nga ballafaqohen realitete të hidhura dhe peripetitë e kohës, të përshkuara me ngjyrimet e çastit ku zhvillohet ngjarja.

Janë këto, disa nga poezitë më të realizuara, qoftë në aspektin tematik dhe në atë letraro-stilistik, që e bëjnë më madhështore këtë krijimtari, vlerat e së cilës hetohen pothuajse në çdo njësi poetike, për tu veçuar ndonjëra për stilin, për ndërthurjen tematike që kanë, etj.

“Stinët e shpirtit”

Stinët e poezisë nuk kanë përkufizime kohore. Ato vijnë bashkë me ngjarjet, parafytyrimet dhe, sidomos me ambientimin e tematikës së trajtuar. Në ciklin e radhës pasqyrohet një botë e tërë ngjyrimesh poetike, duke ravijëzuar fuqishëm pamje të ndryshme, personazhe e figura që paraqesin botën letrare të Dashamir Malos, në raportin vizuel të trajtimit tematiko-letrar. Pa mos i dhënë mundësinë tejkalimit të bukurive poetike, po prek ndonjërën prej këtyre poezive që e argumentojnë këtë mendim, për të njohur sa më shumë vlerat që mbrunë kjo materje poetike. Kështu, “Ifigjenia” si personazh zbret në mesin e një klase punëtorësh emigrantë, të përballur me hallet e veta, ku çastet e pushimit u “terratisen” padiktueshëm me prezencën e saj. Punëtorët emigrantë, në ngushëllimin nga hallet e tyre do të thërrasin: ”Ifigjenia, Ifigjenia, marsh dhe nga ditët e mia”, për ta shtyrë situatën deri në kujtesën e fatit tjetër, ku edhe ajo do të kuptoj këto “shqetësime”, nga të cilat trandet edhe “E bukura, e ligështuara Ifigjeni!, flijuar prej fatit të saj.” (po aty, fq.77). Por Dashamir Malo nuk denjon të mbyll “aferën” e tij poetike në një pikë të vetme. Ai shkon edhe pranë asaj që matet me diellin, duke shprehur dyshimin: “nuk e di kush hyn më shpejt/ në këtë bar café,/ dielli apo ti” meqë, pavarësisht të gjithave që mund të zhvillohen aty, ai “në mbrëmje do t’i zë pritë banakierit,/ të poshtrit,/ emrin tënd do të doja ta shkruaja vetëm unë”, ngushëllohet poeti. (“Emrin tënd do të doja ta shkruaja vetëm unë”, (po aty, fq. 78). Kujt do t’ia shpjegoj poeti vlerat e aktit të dashurisë, që e shpërfaq në poezinë ”Të jesh e dashuruar?” Me vargjet krahasimtare që shpalosin personin e tij, ai shprehet: “të kesh parë ëndrrën më të bukur,/ madje ëndrra të jesh ti vetë;” (po aty, fq. 79). Kështu, që nga vargjet e para e deri në mbyllje shijojmë ritmin e kësaj poezie përmes së cilës arrijmë të kuptojmë gjithë domethënjen e të qenurit e dashuruar. Vërtetë, siç shprehet poeti përmes vargjeve:

“Të jesh e dashuruar

do të thotë

që e gjithë bota të jetë e jotja,

por pa kërkuar kurrë ta zotërosh atë.

Të jesh s dashuruar…”

(Po aty, fq. 80)

Me poezinë “The freedom”, Malo na sjell një zbërthim enigme, duke ngritur paralelet mes dy vijave të rrugëtimit, në shkuarje-ardhjen e mikes së tij, që siç do ta kuptojmë më tutje: “Erdhe prag mëngjesi,/ Prag perëndimi ike,/ për shumë nga ne/ mbete ëndërr,/ mike” (po aty, fq.84). Kjo ëndërr-enigmë vazhdon të krijoj një nebulozë kohe e hapësire, për tu takuar pastaj “Përgjatë vitesh,mes rrethanash” në vend krejtësisht tjetër, me ndiesinë e mallit dhe humbjes, si dy faktorë, simbol i migrimit të njeriut tonë, për tu ngushëlluar, pastaj ”larg syve tanë ashtu në heshtje/ sfidat e jetës i kalon sall” (po aty, fq. 85). Kjo dhimbje, mbase do të vazhdoj përgjithmonë, derisa mos ta takoj njeriun, i cili kahmot ndodhet “larg vendit ikur në emigrim,/ në shpirtin tënd befas zë ndizet/ tek-tuk si flakëz ndonjë gëzim.”As edhe pas këtyre pamjeve kaq të dhimbshme, poeti nuk e humb besimin, derisa ende beson në magjinë e syve, në shkëlqimin e shpirtit, për ta përkujtuar që t’ia “rikthej dritën qenjes sate”, për të qëndruar sa më pranë jetës, gjithnjë në të kundërtën e kujtesës së përhershme. Pra, poeti, me vullnetin e mirë zbërthen këtë enigmë, ndoshta mbetur veç në fiksionin imagjinar, meqë kundruall gjithë këtyre bezdisjeve kohore e pamjeve të dhimbshme, përfundimisht e shpërfaq atë që do ta ketë ndier në fillim, pavarësisht ndryshimeve kaq të mëdha të raporteve fizike:

“Ti ende je ai shpirt i qeshur,

ti ende je një hënë e plotë,

ndonëse keq qenkëshin ndarë

udhët dhe fatet në këtë botë.”

(Po aty, fq. 86)

Poeti më tutje trajton edhe shumë tema të ndryshme. Ai prek jetën e njerëzve e profileve të veçanta, për ta pasqyruar ashtu origjinale, me të mirat dhe të këqiat e saj, por gjithësesi, në të mirën e kuptimit të vlerave të akcilit subjekt, pavarësisht kushteve rrethanore. Kështu, aq të trishtë e sjell jetën e kapitenit në poezinë “Ja si i vret koha kapitenët”, duke pasqyruar dhimbshëm një natë të një kapiteni, gjatë kohës së ankorimit, “ti vrasësi me pagesë i kohës, do të shfaqesh me formën e hënës”, që në pamje të saj bëhet sikur përcjell një episod filmi mbështjellur me pamje deti e nate. Qoftë si imagjinatë, qofte edhe si trajtim ngjarje e vërtetë, kjo paraqitje bën të kuptohet se nuk është veç e bukura e jetës mbi suprinën e ujit kaltrosh, po edhe e errëta e jetës, ku si në ëndër “Pastaj gjithçka do të mbyllet shpejt dhe pa bujë” (po aty, fq. 88). Një realizim tjetër e gjejmë edhe poezinë “Kënga e trishtë e një miku”, ku përmes vargut lirik transmeton karakterin e mikut, që e ka kapluar ndjenja e vetmisë, e ikjes nga kjo botë, pa asgjë të realizuar, pa asnjë mundësi t’iu lë të tjerëve ndonjë pasuri, shpreh gjithë mllefin: “çfarë është virtyti, çfarë është vesi,/ çka është e keqe, çka është e mirë?!” (po aty, fq. 89). Nuk mund të mos kujtohen edhe poezitë e tjera, që shpërfaqin, me poaq përkushtim vlera e mesazh të qëndrueshëm, si: “Hënore”, “Unë e di sekretin e magjisë së saj”, “Rrëzëllimë”, “Bëra të iki s’di se ku”, “Pushimet e verës”, “Ndodhi të rastësishme”, etj. për ta rrumbullaksuar si një sferë ngjarjesh e realizimesh përmes një “Litari të jetës”, prej ku jeta i “ka tendosur një litar“, ku e përshkojnë ngjarje e sende, të hedhura shkujdesshëm, prej nga “gjenden pezme, brenga, trishtime”, por i vetmi ngushëllim i kësaj është besimi në jetën, që siç do ta falënderoj poeti: “Vetëm ti, hera-herës, më zgjatë dorën/ që unë të mund të ruaj/ ekuilibrin” (po aty, fq.98). Tërë këtë cikël poezish e përshkon një ekuilibrim ngjarjesh nga jeta, me motive e tema të larmishme dhe plot ndjeshmëri jete.

“Pranverën e thërras me emrin tënd A”

Pranverën si emër dhe si simbol i të bukurës, luleve, diellit, pamjeve të ndritshme që na mrekullojnë shpirtin dhe, pse jo edhe na frymëzojnë për vepra të reja, këtu e takojmë edhe në një mision tjetër, të emërtimit të bukurisë fizike dhe shqisore. Prandaj, mund të saktësojmë se jeta plot dashuri, sharm dhe farfuritje shpërthen vrullshëm në poezitë e ciklit të fundit “Pranverën e thërras me emrin tënd A”, të cilat siç duket autori i ka sistemuar qëllimshëm, pa mos ia lënë të drejtën e veprimit spontanitetit të ndërtimit të tij. Kjo nga fakti se, pas një rruge të gjatë e plot lakadredha nëpër motive e ngjarje të ndryshme, këtu ka menduar ta “çlodh” kohën me pak ëmbëlsirë shpirti, me aromë dite e stine, me fjalë e përqafime që relaksojnë deri në mrekulli. E tillë fillon edhe poezia “Ja pse të dua”, që në plotni sjell frymën e jetës, bashkërenditur me pranverën, që të dyja e përbëjnë korpusin e dashurisë: “Pranvera/ nuk vjen vetëm me ty,/ thonë./ Por edhe pa ty/ s’ka sesi të vijë!” (po aty, fq. 101). “Eklips”, shpërfaq një ndiesi shumë të fuqishme shpirtërore, ku: “Thonë se/ sot do të ndodhë/ eklipsi i diellit” për ta “kundërshtuar” me madhështinë e saj, siç do ta kuptojmë pastaj, poeti i sigurtë edhe e shpreh: “unë them/ s’ka hënë/ që e mulon diellin/ tënd”, për të shpalosur në horizont të kësaj mrekullie, dashurinë e tij, siç do të shprehej: “Qysh kur të njoha ty,/ pranverën e thërras me emrin/ tënd”(po aty, fq. 102). Ndërlidhja e përhershme e “Dy pisha me një kurorë”, poeti i sheh si dy dashuri të një fryme:“Ah, këto kapriçiot e pranverës,/ si kapriçiot e një vajze të dashuruar/ për herë të parë”, për t’i identifikuar me dashurinë e parë, si fenomen i pandarë në kohë.

Kjo madhështi e prekur me vargun lirik nuk ka si të mos bën të relaksohesh gjithandej poezive, që vijnë margaritarë me shkëlqimin e diellit e thesarin shpirtëror që nuk mbaron asnjëherë.

Në mbyllje të kapakëve

E them kështu nga fakti se kjo mbyllje libri, pas një leximi të këndshëm mund të qëndroj veç përkohësisht. Kjo “Dritëhije” do të vezulloj në nuansa të ndryshme nëpër kohë, duke shpërfaqur fuqishëm shpirtin poetik të Dashamir Malos, mbi bazamentin e dashurisë së shumëfishtë, për të bukurën, për vendlindjen, për marinarin, për njeriun e tij fisnik e të dashur, që asnjëherë nuk mund ta shkëpusë nga mendja dhe dashuria e pashuar, për detin e pafund, prej nga sjell kujtime të bukura e ngjarje të ndryshme, etj.

Vërtetë në këtë poezi poeti e zbret detin mbi qepallë, e hap portën e dashurisë gjithandej kah lundron mendja dhe kujtesa dhe e rikthen besimin në një pikë ankorimi të quajtur: dashuri!

Derisa “Dritëhija” shpërfaq një botë të tërë nuansash jetësore të shtresuara në forma të ndryshme, duke prekur kohë e ngjarje, këtij përkufizimi mund t’i qëndroj kundruall si bashkëveprim i bukur “Autohija”, që përmbyll mendimin se poeti ka edhe shumë për të thënë “për të mbërritur në vijën e horizontit, / atje ku bashkohet deti me qiellin”, me ndiesinë e fajit se “kam mbetur në udhëkryq,/ për ato çka (s’) bëra/ vetes i bëj gjyq” (po aty, fq. 115), për ta urdhëruar unin e tij krijues që në veprat e radhës të sjell edhe më fuqishëm fjalën poetike, me vlera e gjetje nga më të realizuarat.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here