Mbyllen votimet për zgjedhjet e pushtetit lokal ne Kosovë, dalin rezultatet e para


• Leonat Shehu
________________________________________
Print
Deri në orën 19 kur janë mbyllur vendvotimet, rreth 43 për qind e rreth 1 milion e 890 mijë votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në zgjedhjet për pushtetin lokal që po mbahen në Kosovë.
166 kandidatë për kryetar të komunave dhe mbi 5 mijë kandidatë për kuvende komunale të 89 subjekteve politike synojnë të fitojnë në 38 komunat e Kosovës.
Sipas sistemit zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar votat më të shumta.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se nuk pati ndonjë vështirësi në rrjedhën e procesit.
Votimet e sotme u mbajtën në kohë pandemie, ku maskat, distanca fizike dhe grumbullimet e më shumë se 50 personave mbeten në fuqi, ndonëse përgjatë fushatës nuk janë respektuar nga partitë politike.
Autoritetet vendase thanë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për qytetarët Kosovës, ndërsa presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje për proces të qetë dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në votime.
“Prandaj i ftoj që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ta dëshmojnë sërish që qytetarët e Kosovës janë ata që në radhë të parë e mundësojnë e në radhë të dytë e mbrojnë çdo proces demokratik që të jetë i lirë dhe të drejtë që ka të bëj me jetën e tyre. Shpresoj që zgjedhjet sot të kalojnë pa asnjë incident”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje që të shfrytëzohet procesi i votimit nga të gjtihë qytetarët.
“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë sot vendosin se kush do të vendos, pra përcaktohen se kush do të jenë udhëheqjet dhe përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj të gjithë qytetarët pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie që ta shfrytëzojnë këtë moment barazie që t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot”, tha ai.
Edhe përfaqësuesit e partive opozitare bënë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për qeverisjen lokale.
“Unë jam udhëheqës i opozitës, por sot këtu para së gjithash jam qytetar i Prishtinës dhe jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet andaj edhe ky obligim qytetar dhe kjo votë bëhet para se gjithash si qytetar i Prishtinës që e dëshiron më të mirën e komunën e tij, për vendin e tij dhe shpreoj që edhe gjithë qytetarët tjerë do të të shfrytëzojë të drejtën e tyre, obligimin e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatit më të mirë dhe që ata u besojnë më së shumti”, tha Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Sot natyrisht është festë sepse vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë dhe nuk ka gjë më të mirë e më të bukur se sa kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre. Uroj që kjo ditë ta kaloj sa më mirë”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Shfrytëzojeni të drejtën me votu, edhe unë votova, qeversija komunale është mjaft e rëndësishme për jetën e juaj, për jetën e qytetarëve, pra në të gjitha drejtimet e jetës ju ftoj të vendosni për vetën, pra votoni dhe mos e lini votën në shtëpi”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë, u zhvillua në Prishtinë. Disa nga kandidatët u bënë thirrje sot qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për demokracinë por edhe jetët tona. Sot flasin qytetarët dhe është e rëndësishme që qytetarët me verdiktin e tyre sot të zgjedhin atë që mendojnë”, tha Arben Vitia kandidat i lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prishtinës.
“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë garë prandaj i ftoj të gjithë të rejat, të rinjtë, të moshuarit e Prishtinës që të dalin dhe me votën e tyre ta zgjedhin kryetarin e komunës. Pra kjo është datë me rëndësi andaj ftoj që të gjtihë të dalin dhe me votën e tyre të vendosin se kush do të jetë kryetar i komunës”, tha Uran Ismaili kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Prishtinës.
“Ndjehem i lumtur që jetoj në një shtet demokratik të Kosovës ku kemi të drejtën të gjithë të bëjmë votën tonë, do të thotë të marrim përgjegjësinë, të marrim vendimin për të ardhmen e qytetit tonë, për të ardhmen e kryeqytetit. Unë ndjehm shumë i lumtur dhe ftoj të gjithë që të dalin të votojnë e ta zgjedhin të ardhmen e kryeqytetit tonë të dashur”, tha Përparim Rama kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Prishtinës.
“I lus qytetarët e kryeqytetit që ta shfrytëzojnë të drejtn e votës dhe të bëhen pjesë e ndryshimit të cilin të gjithë e deshirojmë. Falenderoj mediat dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut që këto zgjedhje me qenë zgjedhjet më të mira të pasluftës në Kosovë. Urime prishtina, urime Kosovë dhe na prift e mbara”, tha Daut Haradinaj kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të komunës së Prishtinës.
Rreth 25 mijë vëzhgues e ndoqën procesin e zgjedhjeve të së dielës për pushtetin komunal në Kosovë. Mbi 100 prej tyre janë pjesë e misionit të vëzhgimit nga Bashkimit Evropian, shefi i të cilit, Lukas Mandl, tha se procesi i votimeve po zhvillohen pa ndonjë problem që do ta dëmtonte atë.
“Ka mënyra të ndryshme se si të kontribuohet për demokracinë, por më e rëndësishmja është dalja në votime, prandaj inkurajoj çdo votues të dalë për të ushtruar të drejtën e vet. Deri tash, me sa ne kemi informacion zgjedhjet po zhvillohen qetësisht në mbarë Kosovën, ne jemi sot në ditën e zgjedhjeve dhe po e përcjellim situatën vazhdimit ndërsa më së largu të martën do të dalim me qëndrime preliminare për mbarëvajtjen e përgjithshme të këtij procesi zgjedhor” tha ai.
Mbi 3 mijë e 300 pjesëtarë të policisë dhe rreth 100 prokurorë e gjykatës, u kujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe parandalimin e keqpërdorimeve.
Zgjedhjet e sotme shihen si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen Vetëvendosje, që dolën fitues në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti.
Procesi i votimit në komunat me shumicë serbe
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orët e pasdites, në komunat me shumicë serbe pati pjesëmarrje më të lartë në zgjedhje sesa në pjesët tjera të vendit.

“Në bazë të raportimeve deri më tani që i kemi nga komunikimet me zyrtarët tanë komunalë të zgjedhjeve në të gjitha komunat, përfshirë edhe komunat e banuara me shumicë serbe, përgjithësisht mbarëvajtja e procesit zgjedhor është duke shkuar sipas planifikimeve dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë raportim për ndonjë problematikë që do të dëmtonte procesin zgjedhor”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Në komunën e Graqanicës, votën e hodhën edhe dy kandidatët për kryetar të kësaj komune, Ljiljana Shubariç nga Lista Serbe dhe ish anëtari i kësaj liste, tash kandidat i pavarur, Branimir Stojanoviç.
“Unë besoj që qytetarët do të përzgjedhin atë që është më e mira për ta dhe familjet e tyre dhe për këtë bëj thirrje që dalin në numër sa më të madh në vendet e votimit dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, sepse përpjekja për interesin e qytetarëve është përpjekje e secilit dhe çdokush duhet ta jap kontributin e tij”, tha zonja Shubariç.
“Është e nevojshme të ndryshohet sistemi i vendimmarrjes dhe të punohet më mirë në nivelin lokal. Çfarë kemi parë deri tani për pasojë ka një kaos total të cilin e kanë shkaktuar interesat e strukturave të nivelit komunal. Është e nevojshme që vendimmarrja t’i kthehet popullit dhe populli të pyetet e jo disa qarqe të fshehura të cilat fatkeqësisht sot vendosin më shumë se kushdo tjetër që jeton këtu”, tha zoti Stojanoviç.
I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, qëndroi në komunën e Graçanicës gjatë ditës prej nga foli për rëndësinë e zgjedhjeve për pushtetin komunal.
“Zgjedhjet lokale bëjnë me të vërtetë ndryshimin sepse udhëheqësit komunal janë ata që vendosin se çfarë ndodhë me shkolla, infrastrukturë, rrugë, prandaj është e rëndësishme që njerëzit të dalin dhe të votojnë e ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet, pra të marrin pjesë në procesin e sotëm demokratik që është një shtyllë e rëndësishme e demokracisë në Kosovë”, tha ai.
Në zgjedhjet e kaluara për pushtetin komunal, pjesëtarë të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kishin ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa kësaj radhe i tërë procesi zhvillohet nën drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here