HASAN PRISHTINA, NJË AMANET I DYFISHTË QË PO VJEN NË VLORË
Të ndruar motra dhe vëllezër, të nderuar njerëz të mirë të Vlorës,
I nderuari Kryetar i Bashkisë Vlorë zoti Dritan Leli,
I nderuari Minister i Mbrojtjes së Republikes së Kosovës
z.Armned Mehaj
I nderuari kryetar i kryqytetit të Kosovës z. Perparim Rama,
Sot para jush vjen një amanet i dyfishtë nga Kosova. Amaneti i parë është vetë historia Kosovës që është ngushtë e lidhur me Vlorën e Pavarësisë, me Vlorën e Ismail Bej Qemalit, kurse amaneti i dytë është i babait tim të ndjerë si detyrim moral për mua, që u vra në një ballafaqim me forcat serbe në Drenicë.
Ky amanet sot ndodhet para jush, është shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, e derdhur në bronx nga skulptori nga Mitrovica, Sabri Behramaj, një vepër kjo artistike e punuar me dashuri e përkushtim të madh krijues. Prandaj, shfrytëzoj rastin që sot publikisht të faleminderoj Sabriun për këtë vepër që u bë edhe shkas të jemi sot bashkë të gjithë në Vlorën tonë të lavdisë dhe bujarisë, aty ku në shiritin e kohës na rikthehet edhe një herë ballkoni prej ku u valvit për herë të parë flamuri i shtetit të pavarur shqiptar si dhe fama e burrave të Kaninës, prej ku doli figura markante e Ismail Bej Vlorës.
Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dijnë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë. Dhe tani, jo vetëm që po e kthejmë në vend një padrejtësi të shtresuar me dekada, por po vendosim edhe një komunikim të përhershëm e të pandërprerë në mes të këtij kolosi dhe brezave të ardhshëm, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë historike e kombëtare të procesit të shteformimit shqiptar.
Kjo edhe për faktin se Hasan Prishtina, jo vetëm që ishte një nga arkitektët kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, por, ai me dijen, guximin dhe largpamësinë vizionare i dha kombit tonë dinjitetin përfaqësues në arenën e madhe diplomatike të kombeve tjera.
Ky përfaqësim fillimisht buronte nga brenda, sepse ai me besnikëri dhe devotshmëri të lartë i përfaqësoi krahinat shqiptare që nga Shqipëria e mesme e deri ato të jugut të Shqipërisë në negociatat me autoritet turke në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke qenë anëtar i kabinetit të parë qeveritar të Ismail Qemalit, pastaj edhe kryeministri i tetë i Shqipërisë, Hasan Prishtina, gjithë trajektoren e veprimit të tij politik e kombëtar e kishte të përqëndruar në krijimin e rrethanave për një atdhe të përbashkët të shqiptarëve. Por, gërshërët e konferencave ndërkombëtare e pamundësuan realizimin e këtij projekti…
Sot kur në Vlorën tonë të lavdisë dhe dinjitetit kombëtar po e përjetësojmë figurën e Hasan Prishtinës në formë të kësaj shtatoreje të bukur, s’ka si të mos faleminderojmë të gjitha ato subjekte, individë, institucione e segmente shtetërore këtu në Shqipëri, sidomos Bashkinë e Vlorës, për nderin që po i bëhet sot figurës së Hasan Prishtinës, duke e vendosur atë në një hapësirë mjaft të dinjitetshme, në një diagonale me figurën markante të Ismail Bej Vlorës, me çka po plotësohet edhe një mozaik i munguar i kujtesës urbane në këtë qytet historik me rënëdisi jetike për gjihë shqiptarët.
Hasan Prishtina udhëtoi nga Mitrovica në Vlorë i shoqëruar nga trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, prandaj një faleminderim i sinqertë shkon edhe për ta, duke veçuar me këtë rast kontributin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Z. Armend Mehaj, i cili vuri në dispozicion një prej segmenteve më të shenjta institucionale të shtetit tonë – FSK-në
Personalitetin e Hasan Prishtinës nuk mund ta shohim të shkëputur nga proceset nëpër të cilat kaloi edhe Kosova, prandaj shfrytëzoj rastin që të faleminderoj për kontriburtin e tyre atdhetar edhe çlirimtarët tanë që padrejtësisht sot ndodhen në Hagë, si dhe gjithë pjesëmarrësit dhe veteranët e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Sepse vetëm lufta heroike dhe flijimi për liri i ushtarëve të UÇK-së, prodhoi krenarinë e madhe kombëtare të cilën Hasan Prishtina paraprakisht e kishte projektuar në platformëm e veprimti të tij politik e kombëtar. Pra, duke qenë ndjekës të rrugës së Hasan Prishtinës, klasa politike shqiptare ka shanse ideale që të konsolidoj strategjinë shtendërtuese, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra konkrete, ashtu siç veproi Hasan Prishtina, i cili ishte një shembull i rrallë në historinë tonë kombëtare, duke mos marrë asgjë nga politika, por vetëm duke i dhënë asaj gjithçka të shtrenjtë. Hasan Prishtina shqiptarisë i dha modelin e politikanit që nuk blihet as nuk shitet në këmbim të kauzave të huaja politike. Ai ndërtoi kauzën e tij dhe e zgjeroi në gjithë hapësirën shqiptare, që nga Juniku, në Shkup, që nga Drenica në Labëri, që nga Prishtina në Plavë e Guci.
Duke iu faleminderuar gjithë juve që keni ardhë sot nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe nga viset tona shqiptare në Mal të Zi, Serbi e gjetiu, në emër të familjes së gjerë të Hasan Prishtinës u shprehim mirënjohjen tonë të thellë me një zotim se doktrina hasaniste do të jetë pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm kombëtar.
*Autori është nip i Hasan Prishtinës