Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

 

Marre nga Zeri i Amerikes

 

Memli Krasniqi nga sot është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Zgjedhja e tij u bë në konventën e dhjetë të kësaj partie, e cila u mbajt në Prishtinë.

Ai u zgjodh me votim të hapur dhe pa asnjë kundër kandidat. Pas votimit, ai tha se do të drejtojë partinë me synimin për t’u rikthyer në udhëheqjen e shtetit.

 

 

Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë, por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme, unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, tha ai.

Zoti Krasniqi para se të zgjidhej, paraqiti platformën me anë të së cilës synon të reformojë partinë. Ai tha se konventa është imponim i asaj që ka ndodhur në nëntorin e kaluar, kur dy udhëheqësve të mëhershëm të partisë padrejtësisht ua ndalën veprimtarinë politike.

 

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ishte themelues i partisë të cilin e kishte udhëhequr deri në vitin 2016, dhe ish kryetari i saj, Kadri Veseli, nga nëntori ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për dy liderë të PDK-së, por bëhet fjalë edhe për dy liderë të Kosovës. Sepse, le të thotë kush çka të dojë, por pa këta liderë, nuk do të kishte shtet të Kosovës, as në kohën kur kemi dashur ta kemi, as si kemi dashur ta kemi, e as si duam ta kemi në të ardhmen”, tha ai

Zoti Krasniqi tha se Partia Demokratike tashmë duhet të mendojë nga e ardhmja dhe të hapet për të njerëzit e rinj.

Për t’u rikthyer, nuk duhet të harrojmë kush jemi, por të transformohemi në atë që duam të bëhemi, në atë që do të na rikthejë si bindje politike te qytetarët e Kosovës. Për t’i arritur këto, unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë. Por, unë besoj në PDK-në dhe në secilin prej jush. Në ata që janë, e ata që do vijnë tani e tutje për të ndarë rrugëtimin bashkë me ne, drejt fitores. Sot na duhet një front me i gjerë për betejën politike”, tha ai.

Memli Krasniqi është kryetari i tretë me radhë i Partisë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj.

Kush është Memli Krasniqi?

I lindur në janar të vitit 1980, Memli Krasniqi është shkolluar në Prishtinë ku përfundoi studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike, ndërsa studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike.

Para se të përfshihej në jetën politike, Memli Krasniqi ishte I njohur për karrierën e tij muzikore më grupin “Ritmi i Rrugës”. Në vitet 1999-2000 kishte punuar për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Në vitin 2004, ai u anëtarësua në Partinë Demokratike të Kosovës dhe ishte pjesë e strukturave drejtuese, duke shërbyer si anëtar i kryesisë dhe si nënkryetar u saj dhe në disa mandate u zgjodh deputet në parlamentin e Kosovës.

Në vitin 2011 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndërsa në vitin 2014 mori drejtimin e ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti ai u zgjodh sërish deputet.

Që nga vjeshta e vitit të kaluar partia u drejtua nga ushtruesi i detyrës së kryetarit Enver Hoxhaj i cili hoqi dorë nga kandidatura për postin e kryetarit disa ditë para konventës. Në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti Partia Demokratike doli e dyta.

Sfida e parë e kryetarit të ri është përgatitja e partisë për zgjedhjet lokale që mbahen më 17 tetor.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here