Merita Bërdica : I DRUHEN…GRUE, POEME

I DRUHEN…GRUE

Kanë frigë të marrin përsipër
me lexue një Grue.
Grue me sy dielli e shpirtë hane.

Në raft librave, vjetërsi dërrase,
asht harresë.
S’e cikun as me bula gishtash,
kur i kalojnë aty afër.
I druhen…
S’i ndigjoi kurrë m’ul karrige
që ia caktuen me detyrim.
Një pëllambë vend ke.

E sa herë ke me pâ dikê
tek dera shpisë, në kambë ke mu çue.
I frigohen…
Burrin,
nga një gjak mos “kujtesë” moti,
që askush s’ia dit nga ka rranjen,
ia vran.

Ndërsa ajo netëve
nân dritë zjermi jetim, mëkon birin;
“Shifja jetes sytë e ballit, bir!”
I largohen…

Shpirti s’i bân pare ma,
kur sahanat e fmive i shef shprazun.
E me thonj ngjitun mishra loti
merr livadhet zbathtë
tue mbushë thasët erë sherbele.

S’e lexojnë ndër rreshta shkurt…
Ka bâ pakt mes vedit e vetmisë.

Tek çdo grimcë ajri ngin frymen
e askujt s’i bahet lëmoshë.
Biles arrin me mbërthye
pullin e fundit mbrapa kotulles.

I druhen…
Nën shosh dushi bashkë me ujin
zani i saj, rreke shpërthimi, k’dojnë;
“Dance me to the end of love”
E ma vonë i pëlqejnë rrudhat,
mbasi peshqiri ka ra dysheme.

Pasqyra ia pret;
“Janë hyjnore, e dashur”
Muzikulojnë forcën rrebeliane
mes lumtunisë e hithrimit
tue rrëfye tinzash shpirtin para Zotit.
I frigohen…

Deri naten vonë lexon libra verdhë
tue harrue driten abazhurit ndez.
Pikturon nën amên muzë.

E në marrëzi thymje plumçi
mbi papërlyemen fletë
shkruhen poezi aromë erotike.
Shenjtërohet
mes mençurisë e çmendurisë
dhurue shpirtin e lirë.

Kanë frigë të marrin përsipër
me lexue një Grue.

Paq me Zotin asht;
“Ai që s’ka m’katue kurrë
mund ta gjuejnë me gur!”

I druhen kêsisoj Grue!

Merita Bërdica
Lindur dhe rritur Shkodër. Në 1991 kam kryer universitetin “Luigj Gurakuqi” në degen Gjuhë-Letërsi, ku që në atë vit e deri tani ushtroj profesionin mësuese.
Në 2005 kam emigruar në Itali bashkë me familjen dhe pas një kohe shumë të shkurtër kam kontaktuar me shoqaten “Bashkimi Kombëtar”, Bassano del Grappa province Vicenza. Dhe në këtë shoqatë u hapen dyert menjëherë që të ushtroj profesionin tim si mësuese vullnetare për 12 vite rresht, duke ushqyer tek fëmijët shqiptarë dashurinë për gjuhën amë.
Kam vite që ushtroj penden si në poezi ashtu edhe në skicen poetike. Jam anëtare e Shoqates e Shkrimtarëve Shkodër.
Pasion në rrugëtimin tim të artit kam edhe fotografinë, si dhe qendistarinë.
Shpeshherë jam nderuar me çmime të ndryshme për këto tri kolona, si në Shkodër ashtu edhe jashtë saj.