Ndërsa Joe Biden fillon javën e tij parë të plotë si president i Shteteve të Bashkuara, ai përballet me shumë sfida. Kryesorja është: rritja e përpjekjeve për vaksinimit në shkallë kundër koronavirusit dhe gjyqi në Senat i paraardhësit të tij Donald Trump. Materiali i korrespondentes së Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë detaje.
Të hënën, dokumenti me akuzat kundër ish-Presidentit Donald Trump shkon nga Dhoma e Përfaqësuesve në Senat. Të martën, senatorët do të betohen si anëtarë jurie në gjyqin që fillon pas dy javësh.
Vendi vazhdon të përballet me ndarje të thella lidhur me deklarimet e zotit Trump para sulmit të 6 janarit në Kapitol dhe rreth zgjedhjeve të nëntorit, të cilat ish presidenti pretendoi pa ofruar asnjë fakt se u manipuluan. Ekipi elektroal dhe aleatët e zotit Trump ngritën dhjetëra padi por nuk fituan asnjë. Senatori republikan nga Kentaki, Rand Paul, argumenton se duhen hetime shtesë.
“Mendoj se kishte mjaftueshëm prova për mashtrim dhe ndryshim të ligjeve zgjedhore në mënyrë të jashtëligjshme. Unë mendoj se duhet një hetim i plotë“, tha ai.
Gjyqi vjen në një kohë kur administrata Biden duhet të bashkëpunojë me Kongresin për të realizuar synimet e saj. Por a është kjo një barrë e madhe për Uashingtonin në mes një pandemie?
“Unë besoj se ne mund ta zhvillojmë gjyqin dhe ashtu siç po bën populli amerikan, të përballemi edhe me ato që duhen bërë“, tha Amy Klobuchar, senatore demokrate.
Sfida kryesore me të cilën përballet vendi është shtimi i përpjekjeve për vaksinim kundër koronavirusit. Presidenti Biden premtoi 100 milionë doza në 100 ditët e para në detyrë, shifër kjo që për disa është e ngadaltë. Dr. Vivek Murthy, i emëruar për postin e drejtuesit të lartë të administratës për shëndetin
“Është fillimi, jo fundi. Është një synim që pasqyron realitetin me të cilin përballemi, ajo që mund të shkojë mirë dhe keq”, tha Dr. Vivek Murthy, i emëruar për postin e drejtuesit të lartë të administratës për shëndetin.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kaluan shifrën e 25 milionë rasteve të konfirmuara me COVID-19 dhe më shumë se 418 mijë vdekjeve.
Javën që shkoi, Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për mënyrën e trajtimit të pandemisë, që bën të detyrueshme mbajtjen e maskave në prona federale, autobusë, metro, aeroporte dhe aeroplanë, me qëllim të ngadalësimit të përhapjes së pandemisë të COVID-19.
Marre nga Zeri i Amerikes