MËSUESJA E FSHATIT
Tregim nga Spiro Mëhilli
Në udhëkryqe, ndan’ xhadeve
Ditët e shtuna dalin shpesh
Dhe zgjatin dorën nga makinat,
Herë dy nga dy, herë veç e veç.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Koha e fejesës i ka ardhur,
Dikujt dhe ndoshta i shkon çdo ditë…
Pluhuri i shkumësit, vello e bardhë
U bie mbi supe e i trondit.
Ismail Kadare. Fragmente nga poezia “Mësueset e fshatit”
Fabiola S. vajzë nga Tirana, u emërua mësuese letërsie në një shkollë tetëvjeçare në rrethin e Mirditës. E caktuan të banonte në një dhomë me Meritën, në familjen e një fshatari. Banesa prej guri ndodhej diku në anë të fshatit. Për fat, në atë zone, kishte energji elektrike. Fabiola, me vete kishte marrë edhe një radio të vogël “Iliria”, prodhuar në Uzinën Elektroteknike në Durrës. Ajo vinte nga një familje qytetare. I ati kishte mbaruar Kolegjin “Roberts” në Stamboll dhe ishte financier në një ndërmarrje në Tiranë, ndërsa e ëma, Luiza, ishte italiane. Fabiola e mbyllur në vetvete, pasi mbaronte mësimdhënien, gjatë korrigjimit të detyrave ose kur shtrihej për të pushuar, hapte radion dhe dëgjonte muzikë, kryesisht italiane. Shpesh, Merita, shoqia e dhomës i thoshte: “Ule zërin se do të raportojnë dhe do të kesh pasoja”. Por Fabiola, nuk e konceptonte jetën të ndrydhur. Ajo donte të ishte e lirë. Nuk dëgjonte lajme dhe nuk i interesonte politika. Dikush kishte informuar në drejtori dhe fjala shkoi në vesh të operativit të zonës, Mazllum Tuqit, që në ato anë njihej si qejfli, pasi u sillej rrotull jo vetëm mësueseve, por edhe vajzave të fshatit. Fshatarët i trembeshin çantës së tij prej meshini në ngjyrë të zezë që nuk e lëshonte nga dora, pasi mendonin se aty ndodheshin të dhëna sekretet për çdo familje të fshatit. Një ditë, ai e thirri Fabiolën dhe filloi t’i bënte komplimente. Ajo ia preu shkurt dhe i tha:
– Shko aty ku të ecën dhe jo tek unë!
– Këtu do të jemi. Do të takohemi përsëri.
-Largohu i pacipë.
Kur ajo shkoi në dhomë, Merita e mori me mend se çfarë duhej t’i kishte thënë shoku Mazllum dhe i tha shoqes së saj:
– Horri. Nuk je e vetmja që të provokon…Të pata thënë, kujdes me radion se aty ka për të kapur.
Ai nuk i ndahej Fabiolës sa filloi të binte në sy edhe te kolegët e saj, por, asnjë nuk kishte kurajo t’i thoshte diçka shoqes së tyre.
Nuk kaloi një muaj, dhe ai, si e takoi në udhë, i tha:
– Fabiola, problemi i radios tënde do të shtrohet shumë shpejt në kolektiv.
Dhe ashtu ndodhi. Pas dy ditësh, ishte e shtunë. Kur mësuesit pritnin me padurim të largoheshin, drejtori i shkollës i thirri në mbledhjen dhe pasi ata ishin të gjithë të pranishëm, tha:
-Fabiola, çohu dhe trego se çfarë dëgjon nga radioja që ke në dhomë?
– Muzikë, shoku drejtor!
– E kemi të qartë që dëgjon muzikë, por çfarë muzike thuaj?
– Muzikë dhome dhe asgjë tjetër.
– Italiane thuaj, – u hodh e tha operativi, që mezi e priste atë moment që t’i kundërvihej.
– Edhe shqiptare. Sa për dijeni, nënën e kam italiane dhe gjuhën italiane e kam gjuhën e nënës.
– Nuk të pëlqen gjuha e jonë?
– Po mos të më pëlqente, nuk do të jepia lëndën e letërsisë, shoku Mazllum.
– Këtu po sillni një frymë të keqe. Fshatarët kanë filluar të flasin. Nuk mund ta miratojnë një qëndrim të tillë mospërfillës të një mësueseje që vjen nga kryeqyteti.
– Fabiola, për këtë do të marrim masë ndëshkimore, – pasoi fjalën e operativit të zonës, drejtori i shkollës.
– Shoku drejtor, mund të largohem disa minuta?
– Pse?
– Ashtu kam një punë. Nuk vonohem, – tha dhe u largua me vrap, për t’u kthyer, duke sjellur me vete radion. Pasi e uli atë në dysheme, e shtypi me këmbë. Ajo u bë copë e çikë.
– Ja, shoku drejtor dhe shoku Mazllum, nëse kjo radio ju shqetëson, tani nuk do ta keni më problem. Më mjafton vetmia, – tha dhe u ulë.
Asnjë nga mësuesit nuk u çua ta mbronte shoqen e tyre, megjithëse e donin dhe e respektonin, sepse i dinin pasojat e luftës së klasës. Vetëm operativi qeshi nën buzë. Tani mendonte se do ta kishte më të lehtë që ta shtinte në dorë.
***
Një ditë, në fshat, shkoi për kontroll kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Kryesia e kooperativës u vu në lëvizje. Rrethi që ai drejtonte, nuk po i plotësonte detyrat që i kishte caktuar Komiteti i partisë, me një fjalë, nuk po realizohej plani i grurit, i misrit, i fasules, i mishit, i qumështit etj. Pasi u diskutua për rrugët që duhej të gjenin për të arritur objektivat, kryetari i kooperativës u ankua për mësuesin e gjeografisë që nuk e çante kokën për të mësuar fëmijët e tyre. Kryetari i Komitetit vendosi të vizitonte mjediset e shkollës. Sikundër pritej, u fut në klasën e mësues Xhemalit. Nxënësit u ngritën në këmbë, por ai ia bëri me dorë që ata të uleshin, dhe si shkoi në fund të klasës, u ul në bankën që gjeti të lirë. Si u sistemua në atë vend të ngushtë, tha:
– Shoku mësues?
– Urdhëroni!
– Të lutem, zhvillo një orë mësimi.
– Me kënaqësi, – dhe si hapi regjistrin, ngriti disa nga nxënësit dhe filloi t’i pyeste për tema që nuk kishin të bënin me programin mësimor.
Kryetari i befasuar me qëndrimin e mësuesit të lëndës, u çua, tha:
– Mësues Xhemali, sa të jem unë kryetar i Komitetit të rrethit, ti, këtu do të qëndrosh.
– Shoku kryetar, sa të jem unë mësues në këtë shkollë, nxënësit nuk do të mësojnë më shumë se këto që ju dëgjuat.
Kryetari iu drejtua drejtorit të shkollës:
– Të mblidhen të gjithë mësuesit!
Nuk vonoi dhe ata u mblodhën në pritje se çfarë do t’u thoshte kryetari i Komitetit. Ai, gjithë nerv dhe pa i përshëndetur tha:
– Shokë mësues, sapo dola nga klasa e mësues Xhemalit. Ishte një skandal i vërtetë. Si veprohet kështu? Ai ishte jashtë binarëve. Do të marr masa ekstreme. Ju, ç’mendim kini? Jeni dakort me veprimet e kolegut tuaj?
Shumica e atyre që u çuan, kishin të vetmin pretendim, qarkullimin. Kishin nga 4-5 vjet e më tepër që punonin dhe jetonin në atë zonë. Gëzonin vetëm pushimet për të shkuar pranë familjeve. Dikush tha:
– Shoku kryetar! Duam të krijojmë familje, duam të martohemi. Këtu është e pamundur. Asnjë vajzë nuk vjen nga qyteti për tu martuar me ndonjërin nga ne dhe të banojë në fshat.
– Si ju quajnë?
– Baki.
– Shoku Baki! Ja ku jeni. Në mes jush ka vajza shumë të mira nga qyteti që japin mësim e banojnë këtu bashkë me ju. Martohuni me ato. Kooperativa do t’ju siguroj edhe shtëpi. Duke qëndruar në fshat, do të lidheni më mirë me fshatarët dhe do të luftoni për emancipimin e tyre. Vajza të mira ka dhe fshati. Mund të martoheni edhe me ndonjërën prej tyre.
Në sallë u krijua ilaritet. Papritur u çua Fabiola dhe tha:
– Shoku kryetar. Unë jam dakort. Kam dëshirë të qëndroj këtu.
– Brravo! Ja kështu ju do partia.
– Por, me një kusht!
– Me çfarë kushti?
– Të martohem me djalin tuaj dhe të krijoj familjen këtu, në këtë fshat.
Kryetarit, që nuk e priste një përgjigje të tillë, një fytyrë i vinte dhe një tjetër i ikte dhe me vete tha: “Bushtra, do edhe djalin tim”, – dhe në vijim – Djali im është diplomat, punon në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
– Po pastaj, ç’të keqe ka?
Kryetari u kthye nga operative i zonës dhe e pyeti:
– Kush është kjo zuskë?
– Vajzë tirane. E kemi me dosje. E ka mbushur kupën. Së shpejti do ta rregullojmë.
***
Fund dhjetori. Fabiola dhe Merita, ashtu si edhe shokët e shoqet e tyre, prisnin në buzë të udhës që të kalonte ndonjë makinë, e në mëshirë të shoferit, t’i merrte dhe t’i çonte në Tiranë, nëse e kishte udhën për atje. Kishin rreth tri orë që prisnin. Po errësohej. Nga kthesa e udhës u duk një veturë nga ato të ushtrisë. Brenda ishin tre oficerë. Njëri prej tyre që me siguri mbante postin më të lartë, qëndronte në sediljen përpara, përbri shoferit. Vajzat ngritën duart për t’u thënë atyre që “ndaloni dhe na merrni me vete”. Oficeri që ndodhej para tha:
– Djema, t’i marrim?
– Si të urdhëroni ju shoku…!
– Do të ngushtoheni? Do të bëheni katër veta?
– Ti marrim, për më tepër që dhe shiu po vjen vërdallë.
Shoferi frenoi. Vajzat u afruan te makina. U hap dera e parë dhe oficeri madhor nxori kokën e pyeti:
– Vajza për ku?
– Për Tiranë.
-Futuni!
Ato u sistemuan ashtu si mundën, por ishin të lumtura që gjetën një makinë. Bisedat gjatë udhëtimit pasonin njëra-tjetrën. Nuk thonë kot, që prania e femrave e bën më të këndshëm udhëtimin. Kur u afruan te rruga e Durrësit, njëra nga vajzat tha:
– Do të zbresim këtu. Besoj së nuk e keni problem?
Shoferi e ndaloi makinën buzë trotuarit. Zbriti Merita, dhe pas saj Fabiola. Nga nxitimi, fustani i saj diku u kap dhe pasi vuri këmbën e djathtë në tokë, këmba e majtë i mbeti në makinë. Oficeri që ndodhej para, zgjati dorën dhe ia futi Fabiolës midis shalëve. Një e goditur u dëgjua dhe më pas:
– Turp të kesh! – dhe u largua me shoqen e saj.
– Bushtra!- gjegji ai.
Dy oficerët që ndodheshin në sediljet e pasme, u ndodhën para një situate të vështirë, por deri në qendër të qytetit nuk u ndjenë. Njëri prej tyre, pasi shkoi në zyrë, shkroi gjithçka që kishte ndodhur dhe ia dërgoi shefit të tij. Të nesërmen ai e thirri dhe i tha:
– Platon, ti e ke shkruajtur këtë? – dhe i tregoi letrën.
– Po, shoku shef!
– Të vërteta janë ato?
– Se luan topi!
– E ke parë ngjarjen me sy?
– Isha i pranishëm.
– Je ngutur. Djalë, kujdes herë tjetër. Pa marrë të dhëna të plota se me kë ke të bësh, nuk duhet të raportosh. Vajza, për të cilën më ke shkruar, tani duhet të jetë arrestuar. Po të kesh dëshirë, eja në zyrën time dhe lexo relacionin e operativit të zonës.


















