Metafora e antidhimbjes, antizhbërjes dhe e kujtesës, në romanin “Vajzat e mjegullës” të Namik Dokles

Një rrëfim për veten dhe kohën, për kufijtë e njohjes dhe të harresës, për Bukonjën, një fshat Goran, që historia e diktaturës e ka harruar përmes plojës së mjegullës shumëshekullore, jo vetëm të identitetit të goranëve, por edhe qëndresa e tyre përballë shkatërrimit të vlerave njerëzore dhe zhbërjes etno-kulturore, nga regjimi i diktaturës, por edhe mohimi i vlerave më bazike jetësore. Ky roman përrok momente dhe kohë, jetë personale dhe bashkësi etnike si:
– dhimbje dhe fate tragjike kolektive,
– përplasje për jetën, për dashurinë, për të ndaluarën dhe të shkuarën,
– rrëfime për kohën, vendin dhe hapsirën,
– kthime në rotrespektivë përmes shkrimit të ditarëve,
– çjerrja e historisë “së rreme” të diktaturës, nëpërmjet procesit të receptimtit përmes
një shumësie interptretimesh (Dado: 2009: 294). Lexuesi është pjestar i një shoqërie me diversitete kulturash, që në kontekste të caktuara morale, realitetet politike përcaktojnë edhe veprimet e individëve të caktuar (djali 13-vjeçar që rrëfen për një kohë të caktuar politike, sipas kujtesës së vëzhgimit, të gjithë historinë e fshatit të tij), si proces i interpertimeve simbolike, ku lexuesi është pjesmarrës:
a) në kohë dhe hapsirë (koha pas vendosjes së regjimit deri në mesvitet ’70-të, dhe duke
ravijëzuar edhe hapsirën gjeografike në tre shtete të ngulmimeve gorane),
b) lexuesi si qenie sociale, (dramat familjare, betejat kundër urisë, ndalesa e fjalës së lirë,
përndjekja dhe survejimi i njerëzve “të dyshuar”dhe me rrezikshmëri si: xhaxhai, mësuesi, Majka etj.),
c) vetëdija dhe përvoja personale e autorit (rrugëtimi është me dy zëra: zëri i
personazhit/fëmijë dhe Majka/autor),
d) perispektiva e kontekstit socio-shoqëror dhe mjedisi sociohistorik përmes raportit me
konsumuesit e saj historik (Rohou: 1995: 61).

***

Romani, “Vajzat e mjegullës” (Dokle: 2015) është një rrokullisje përmes ngrehinës së jetës dhe trashëgimisë së mbijetesës së një pakice si goranët, ku rrëfehet për natyrën, kujtimet që nisin me djegjen e xhamisë të ndërtuar nga një pashë, me një Kur’an të vjetër shekullor, rrethuar me mite, besime, dhe ruajtja e traditës, përmes shekullorimit të Majkës, (një krahasim me “Makondon e Markezit”), si një bimë e brishtë dashurie që rritet në “kopshtin e ferrit” komunist, ku Zoti i Eprisë ka përmbysur jo vetëm jetën e një fshati të vogël goran, por edhe të gjithë pjesës tjetër të shoqërisë, ku përmbysja mizore përmes përgjimeve, vuajtjeve, frikës dhe sidomos koha e urisë për bukë, rrëfen skenarin ngjethës, të dashurisë për jetën dhe vendlindjen. Makthi dhe frika që ndjen djaloshi 13-vjeçar, reflektohet ngejshëm nën kutin e rrokshmërisë së ngjarjeve të pakuptueshme. Në kohën kur goranët janë shtrirë në tre hapsisa gjeografike si: Shqipëria, Maqedonia, dhe Jugosllavia e kohës (Kosova e sotme), kanë tëhujëzuar tragjiken dhe misterin, realen dhe irrealen, në oazin e kohës së “dashurisë për Stalinin”, ku mjegullinat e kohës ravgojnë:
– dashuritë dhe urrejtjet,
– frikërat dhe pabesitë,
– pushtetin dhe (nën)vetëdijen,
– mitet dhe legjendat,
– të bukurën dhe shëmtinë,
– dashuria për vajzat dhe fatet e tyre tragjike, vjen nga rezistenca shpirtërore, kundër
represionit të gjithanshëm, për të ruajtur identitetin dhe origjinalitetin e gjuhës dhe zakoneve të tyre (Zalihiç: 2021). Profesoresha e letërsisë së krahasuar në Universitetin e Sarajevës, (Adijata Ibrišimović Šabić) shkruan: “Namik Dokle ia ka arritur që, nga një kronikë familjare dhe e një fshati të vetëm, të përcjellë kronikën e një krahine dhe një vendi, të end edhe një histori për popullin e tij… për vlerat e një jete të ndershme, të respektuar dhe qëndrestare”, kurse për kritikun (Behar Gjoka): “Gora është pasqyra ku reflektohet bota”, dhe për kritikun tjetër, (Agim Baçi); “nuk jemi thjeshtë përpara historisë së një krahine; është historia e një mbijetese”. Përmes shumë ujdhesave, goranët “notuan” dhe mbijetuan me dramën e tyre shekullore, na qasën një sagë të pashkruar deri tek “Vajzat e mjegullës”, duke eptuar qëndresën nga togfjalëshi: “në tokën e askujt, në botën midis jetës dhe vdekjes, në botën e lirë me liri të ndaluar”, përmes dy ndalesave totalitare: a)andej Tito, b) këndej Enveri, c) mesorja qe mjegulla e murrme, që është edhe kryetema, që abstragon edhe tiparet kryesore të tekstit (Riffaterre: 1983: 134). Përmes rrëfimit autorial: “nga tre karvanët e parë me të ardhur janë shtuar aq shumë pasardhësit, saqë shumica nuk e dinë që e kanë prejardhjen nga Shundët, hebrenjtë apo Malësorët. Gurë e shkrepa është Gora, thoshin deri në shtatë krahina më tej, por e ka shpirtin e butë si revania që bëjnë dhe e thithin sherbetin pa u ndjerë. Por vetë bukojnasit thoshin se çdo karvan që erdhi na shtoi diçka: i pari na shtoi bukurinë, i dyti mendjen dhe i treti na forcoi zemrën. Prandaj njerëzit, kur dëgjonin se është një vend ku dielli lind dy herë e hëna perëndon dy herë, e kërkonin dhe, në mos nguleshin aty, nuk e harronin…” na ndërton një version nocionesh dhe besimesh, si një bashkësi e madhe nënbashkësish kulturore në formë semiosfere (Lotman: 1985: 109 ), por edhe si “distila tekstesh”, një lidhje e mundshme e “njësive kulturore” si një bashkësi e regjistruar me të gjitha interpretimet (Eco:1979 :108).
Ngrehina autoriale përmes miteve, sidomos të miteve letrare dhe joterare si: Zoti, Muhamedi, Sulltani etj, nuk e shmang praninë stukturore të mitit, në funksion realist, si një skajshmëri e modelit letrar, por të vendosjes së mitit në një riciklim njerëzor, të kovencionalizmit të përmbajtjes dhe hapsirave gjeografike si: Mëhallë e Epërme/Xhamia e Djegur/Hasi/Kukësi/ Nimçes/Lojmes/Gjalica/Kollovozi/Selanik/Bashkimi Sovjetik/Malet e Sharrit/Beograd/Bosnje etj., lidhet edhe me përmasat e tjetrit/(i huaji) d.m.th. (unë)/ (ne) në një botë që e përceptojmë jashtë vendlindjes marrëdhënia mes “times” dhe “tjetrit”, nëpërmjet kodeve poetike, sidomos kodi i vendlindjes (atdheu) na bën të barabartë, më përtej sindromës së kufirit (Gjoka: 2018: 147).
Shoqëritë komunikojnë nëpërmjet “kodeve” letrare apo verbale, nëpërmjet identiteteve sociale, zakoneve, modeleve dhe sidomos identiteteve gjuhësore:
a) gjuha si burim semiotik shoqëror,
b) formësimi i konteksteve shoqërore të caktuara etnike/gjuhësore,
c) “nocioni” i mundësive dhe interesat e përdoruesve.
Identitetet kulturore kolektive janë fenomene me sjelljet ekonomike, politike dhe shoqërore ku ekziston një lloj pluralizimi kulturor (Gray: 2002: 45). Ndonëse, në disa vepra rroken edhe kufijtë kohorë, nëpërmjet kufirit hapsinor dhe mes vendeve gjeografike, mes kontinenteve, mes kulturave, mes historive dhe mendësive të ndryshme, gjen vend edhe disiplina e semiotikës dhe sociosemiotikës (Van Leeuwen: 2005: 285). Në këtë paragraf: “…askush nuk është i sigurt për prejardhjen e vërtetë të goranëve. “Nga mjegulla kemi ardhur”, thonë me trishtim. Nuk dihet me siguri se a janë shqiptarë të sllavizuar, turq të sllavizuar, sllavë të islamizuar, maqedonë apo serbë. Edhe bullgarët i pretendojnë si të vetët. E ndërkohë ata vetë ndjehen si jetimë. “Jetimë, por në shtëpinë tonë.”, qartësisht del dukshmën shenja e sociosemantikës dyshuese për mëvetësinë identare të goranëve. Kush jemi ne??! Integriteti i vërtetë kulturor promovohet përmes “përvojës, që vjen nga brenda natyrës dhe strukturës së vetë kulturës, shpalos natyrshëm traditat e veta kulturore më të gjalla, teksa përfaqëson të gjithë atë pasuri të jetës kombëtare edhe si vizion zhvillimor të progresionit shoqëror (Yogi: 1977; 317). Autori kur shkruan, nuk ka brenda vetes një “vizion të caktuar lexuesish”, pasi vepra mund të kalojë kohë, që të dekodohet nga lexuesi. Ndonjëherë bashkohësia autoriale, nuk përkon me lexuesin në bashkohësi. Linja e rrëfimit është shumëplanëshe apo e kompozuar përmes tre personazheve: djali, Majka, mësuesi. Kurse zërat rrëfimtarë, janë përsëri trediminsionalë si:
– dimension i parë: rrëfimimi në vetën e parë: [të tregosh n herë atë që ka ndodhur n
herë, (e sa për fshatin tonë, mund të thuash apo të shkruash, se kam marr vesh që ti shkruan…)],
– dimension i dytë: rrëfimi në vetën e tretë: [të tregosh n herë atë që ka ndodhur një
herë, (shkruaj atëherë se në fund të botës apo në askund, fshehur në mjegull, ndodhet një fshat i quajtur Bukojna…)],
– dimensioni i tretë: rrëfimi i personazhit të gjithëditur autorit/personazh dhe
anasjelltas: (a e di, o Mësues, se çfarë thonë për burrat dhe djemtë e fshatit tonë? Nuk i ka lindur nëna prej barkut, por i ka lindur mjegulla e Kallabakut. Qëkur lindin dhe derisa vdesin, janë fëmijë të mjegullës…).
Lidhja e elementeve të rrëfimtarisë, është një reaksion mes konvensimit dhe narratorit realist. Ky reaksion, herë është i fortë, herë i butë, herë ndërpritet në disa pjesë elementare të poetikës duke zbehur personazhin, herë-herë krijon lojën narrative duke shmagur rrëfimtarin e zakonshëm:
– vrasja e qenit, Dudanit,
– mbytja në lumë dhe mallkimi i gjermanit,
– vajzat në aksion.
– plaka shekullore Majka dhe arrestimi i saj,
– arrestimi i mësuesit,
– ditarët e xhaxhait etj., me raporte të deformuara mes rrëfimtarëve dhe rrëfimtarisë,
në bazë të një kopetence të trefishtë: për të folur, për të dëgjuar, për të vepruar: “e sa për fshatin tonë, mund të thuash apo të shkruash, se kam marr vesh që ti shkruan… shkruaj atëherë se në fund të botës apo në askund, fshehur në mjegull, ndodhet një fshat i quajtur Bukojna, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën sesa ditën. A e di, o Mësues, se çfarë thonë për burrat dhe djemtë e fshatit tonë? Nuk i ka lindur nëna prej barkut, por i ka lindur mjegulla e Kallabakut. Qëkur lindin dhe derisa vdesin, janë fëmijë të mjegullës. Në pelena mjegulle i mbështjellin, kur dalin nga barku i nënës dhe në qefin mjegulle i fusin kur i përcjellin pas Kodrës, në varreza. Dhe e gjithë jeta mjegull u shkon nëpër botë, i rrëmbejnë ku të munden erërat e vjeshtës, përqafohen me shkëmbinjtë në grykat e lumenjve, hanë bukë me natën e grinden me ditën”, f.37.
Përmes copëzimit të ditarit, autori-fëmijë ndihmon vetveten të plotësojë historinë e vëzhgimit (elemente kadareanë), por duke moskuptuar edhe absurdin e shumë gjërave:
– ndërtimi i fshatit me shumë etni (turq, goranë, shqiptarë, hebrenjë),
– kumti i festave pagane si Shëngjergji (dashuri, lule, gjelbërim, ngjyra, njohje dhe fate),
– udhëtimi tragjik i kujtesës shekullore të Gorës dhe goranëve përmes Majkës, (plaka
magjistare 300 vjeçare, bartësja e fuqishme e traditës gojore ballkanike, e mbushur me mite, legjenda dhe këngë epike),
– survejimi, frika dhe ndalesat nga diktatura,
– çmitizimi ose deheroizmi i historisë, zhbërjes së besimit dhe përmbysjes së
njerëzores (djegia e xhamisë, prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe Bashkimin Sovjetik etj.),
– vrasja e poetëve ose intelektualëve (një paralele e heshtur me mësuesin Havzi Nela).
Fundi tragjik i pushkatimit të mësuesit dhe vdekja e Majkës, vjen përmes pasazhit të fundlibrit:
“Një ditë më dërgoi fjalë Majka. E dija se, që nga pushkatimi i “Djalit të Shkodrës”, ajo nuk fliste me askënd. “Më ço tek ai”, më tha. E mora dhe shkuam. Që larg pashë se gurët e muranës ishin zhdukur, ishin shpërndarë e hedhur teposhtë përroit dhe një gropë bosh dukej si plagë e zezë në planet. “E kanë marrë”, bërtita. “Ku e kanë çuar, ku e kanë hedhur, ku është, ku, ku?” “Është në qiell, është me yjet”, tha Majka. Ishin fjalët e fundit që tha në këtë botë…”

Sëfundmi: stili gjuhësor mjaft i veçantë vjen me risinë e panjohur të së folmes gorançe, me përshkrime plot ngjyra dhe pikturë reale të jetës së komunitetit të Gorës, nëpërmjet përfytyrimit të lexuesit, sidomos ironisë, si veçoria kryesore gjuhësore e rrëfimit të romanit modern
/postmodern. Fjalët e mbartura nga gjuha e gjallë me ngjyra humori, por edhe përmes zhargonit të krahinës, si kundërshtim të pabesisë dhe pasigurisë ndaj diktaturës, e ngërthen lexuesin deri në fund. Simbolika rrëfyese, mbart simbolikën e një poetike tragjike, duke dekoduar tragjiken që mjegullon të vërtetën historike të deformuar për Gorën dhe goranët.

BIBLIOGRAFIA:

1. Dado, Floresha. (2009): Sfida teorike të historiografisë letrare, “Bota shqiptare”, Tiranë.
2. Dokle, Namik. (2015): Vajzat e mjegullës, “Toena”, Tiranë,
3. Eco, Umberto. (1979): Lector in fabula. Bonpiani . Milano.
4. Gray, John. (2000): Two Faces of Liberalism, The New Press, New York.
5. Gjoka, Albert: (2018), “Sindroma e kufirit”, në letërsinë bashkëkohore, “Palimpseset”, nr.4, Tiranë. https://palimpsest.al/2018/11/sindroma-e-kufirit-ne-letersine-bashkekohore/
6. Lotman, Juri. (1985): La semiosfera. Marsilio. Venezia.
7. Riffaterre, Michael. (1983): Text Production, New York: Columbia University Press.
8. Rohou, Jean. (1995): L’Histoire Littéraire, Objectes et Méthodes. Nathan. Paris.
9. Van, T. Leeuwen. (2005): Introducing Social Semiotics, London & New York: Routledge.
https://semioticon. com/semiotix/2013/12/semiotic-profile-theo-van-leeuwen/
10. Yogi- Mahesh, Maharishi. (1977): Creating an ideal society : Livingston Manor, NY: Age of Enlightenment Press.
11. Zalihiç, Almir. (2021): Namik Dokle: Gora, pasqyrë ku reflektohet bota, “ExLibris”: https://exlibris.al/namik-dokle-gora-pasqyre-ku-reflektohet-bota/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here