Mikel GOJANI: Romani “Banorët e Shpellës” i Sulejman Mato një arritje për prozen bashkëkohore shqiptare

NË BOTËN E LIBRIT

LIBËR QË NGËRTHEN NJË SUBJEKT MOZAIKOR NË NJË LIRI TË BRENDSHME KRIJIMI

(Disa aspekte rreth romanit “Banorët e Shpellës”, Tiranë 2011, të shkrimtarit të mirënjohur nga Tirana, Sulejman Mato)

Sulejman Mato, hyn në mesin e shkrimtarëve tanë bashkëkohës më produktivë dhe më të përkushtuar ndaj pothuaj të gjitha zhanreve të letërsisë shqipe. Sado që shkroi edhe poezi,edhe tregime,edhe romane, ese, publicistikë etj., romani mbetet fusha ku e përqendroi tërë interesimin dhe angazhimin e vet krijues. Mbase pikërisht një përqendrim i tillë i potencialit të tij krijues vetën në një pikë – në prozë – bëri që ai ta begatojë pareshtur veprën e vet në trajta dhe kuptime të reja,duke e ruajtur vazhdimisht e madje, herë – herë,duke e përsëritur intensitetin e komunikimit artistik.

Duke qenë prozator me prirje pa dyshim të shquar dhe duke e pasuruar gjithnjë përvojën e vet në formën e vargut të gjatë,ai arriti të perfeksionojë objektivin e vrojtimit dhe t’i zgjerojë mundësitë e shprehjes.

Një sukses jetësor!

Sulejman Mato është krijues me interesime thuaja tërësisht objektive. Ai është i preokupuar me problemet e individit e të kolektivitetit të mjedisit të vet,por edhe të individit dhe të njerëzimit bashkëkohës përgjithësisht. Në pjesën më të madhe të rasteve ai edhe u bën drejtpërdrejt jehonë manifestimeve të veçanta konkrete te jetës,prandaj mund të thuhet se më shumë merret me ngjarjet jetësore, dukuritë, përkatësisht me thelbin e këtyre dukurive.

Në këtë rast, shkrimtari Mato, duke e lidhur mjeshtërisht të veçantën me të përgjithshmen, ai e ka shënjuar sa njeriun e mjedisit konkret, aq edhe njeriun në përgjithësi. Një procedim të këtillë të shënjimit prozaik ky prozator e zbaton me sukses edhe në raste të tjera,edhe nur niset nga e përgjithshmja,edhe ky niset nga e veçanta.

Këtë frymë të fundit të shkrimtarit Sulejman Mato e hasim në romanin tepër interesant të titulluar,”Banorët e Shpellës”, të botuar në Tiranë më 2011.

Për vlerat e këtij romani tepër të rëndësishëm për letërsinë shqipe, qysh në fillim ia vlen të shkëpusim një mendim të shkrimtarit të shquar dhe studiuesit të mirënjohur, dr. Moikom Zeqo. Zeqo në vlerësimin e tij rreth këtij romani ndër të tjera shprehet: “ Sulejman Mato na befason: shkruan një roman, jo aq për veten se sa për të tjerët. I është dashur një jetë e tërë për këtë gjë,është një ëndërr e bërë realitet më në fund,me një vetëdije dhe kërkesë estetike, një sukses! Romani “Banorët e shpellës”, i Sulejman Matos është një subjekt mozaikor në një liri të brendshme krijimi. Autori rikthehet drejt ftillëzimit ekzistencial, ribën, ose rilind vetveten në fëmijërinë e largët,por ky shtegtim mbrapsht në kohë nuk është truk alkimisti, por një jetë e gjallë dhe ndjeshmëri e dyfishtë. Në katrahurën marramendës e të Luftës së Dytë Botërore,vendlindja e tij Ftera, intimizohet dhe bëhet optika e përsiatjeve,banorët e saj kanë një arketip, mbijetues; shpellën. Me dashuri, me një humor të qetë e të ndritshëm, romani i Matos është i vërtetë në substancë, padyshim libri i tij më i spikatur,për përfaqësuesi dhe më artistiku,ndër veprat më të arrira të kohëve të fundit”, u shpreh shkrimtari dhe studiuesi Zeqo.

Në romanin “Banorët e shpellës” të autorit S.Mato,që autori i kushton fëmijërisë së tij, vërehen elemente të aftësisë e të kreativitetit të prozatorit që artistikisht t’i shpreh disa reaksione të botës së tij shpirtërore nga fëmijëria, e cila,edhe pse e kaluar, është pjesë e mendimit dhe e ekzistencës së tij intelektuale. Kjo gjë është realizuar në një numër kapitujsh të ndarë,por që përbëjnë një tërësi përmbajtjesore. Në gjithë romanin nuk vërehet asnjë lëkundje e mossigurim në transponimin prozaik të refleksioneve të ndryshme, të dilemave apo pikëpamjeve për botën dhe individin. Në gjithë vargun e gjatë që përshkon këtë roman, vërehet tërësia kuptimore dhe shprehëse ,që autori arrin t’i ruajë të nivelizuar të gjitha elementet që përkon proza artistike. Kështu uniteti tematik, kompozicioni, korrelacion dhe përçimi i mesazheve shumë të rëndësishme dhe tepër dimensionale, karakterizojnë këtë varg të gjatë.

Gjen fëmijërinë e trishtë!

Shkrimtari Mato shkruan këtë roman jetësor, që i takon një periudhe të shkuar, njëherazi pjesës më të bukur dhe më të brishtë të jetës, fëmijërisë…, një fëmijërie që u takoi ta kalojmë nën edhe shumë breza të tjerë, në një kohë të egër deri në përjetime të luftës (Luftën e Dytë Botërore), me plot vuajtje, kalvare, mirëpo edhe idile. Shkrimtari sikur e kupton se e kaluara, edhe pse e rëndë, ka bukurinë e vet. Këtij fakti i qëndron edhe nga ndjenja se e kaluara është më interesant se e tanishmja, sepse ajo mund edhe të harrohet. Shkrimtari Mato, në librin e tij “Banorët e shpellës” ringjall , evokon, sjell dhe përçon në një të kaluar të tij me shumë bashkëmoshatarë të vendlindjes së tij, Ftera… atë çka ndodhi, jetoi, përjetoi dhe kaloi jetën ndërsa ishte fëmijë. Është e trishtë dhe e bukur e gjitha kjo kur e lexon. Është e bukur, sepse në të gjen fëmijërinë, është e trishtë, se një e nga një në faqet e këtij romani, ti ndjen ndjenjën e trishtuar të një fëmijërie që tashmë nuk mund të kthehet më. Struktura e librit është më shumë se sistematike e mirëmenduar. Nuk ka përsëritje në të, në të ka rrëfim të gjallë dhe joshës, që të nxit të vijosh e të vijosh të lexosh se çfarë do të duhet të ndodhë faqe pas faqe. Dhe pavarësisht se merr përsipër të tregojë një epokë, në të lexuesi nuk shpërqendrohet e gjitha, është një e tërë. Dhe e gjitha kjo, se faqet e tij kanë një emërues të përbashkët, atë të një romani – ditari jetësor, që shkrimtari i qaset menjë mjeshtri të rrallë.

Brenda kapitujve të konceptuar në roman, si në prologun e romanit, në kapitullin, Anglezët në shtëpinë tonë, Dajë Mersini, Socializëm- secili sipas punës, Votimet, Xhindet, Portat e qielli,Mësimet e para të seksit,Bullgari që na preu rrugën, Aventurat e Hakelbër Finit, “vjedhja e zerdelisë dhe arratisja nga ahuri, Përjashtimi i Xho Hapëri, Aksioni te rrapet, Vdekja e hallë Memesë, Nata e fundit etj., prezantojnë ngjarje tepër të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me jetën nga bota fëmijëore e autorit, një botë tepër interesante bashkë me atë botë që përshkon atë realitet.

Fundi i romani sikur është pika më kulmore e gjithë dramës që zhvillohet në roman. Retrospektiva që kthen autorin sikur drithëron dhe përvëlon thellë atë shpirt të katandisur,retrospektivë që për shumë dekada mundon qenien e autorit – protagonist.

“ Si në filmat horor ngjarjet e ditës shpesh më janë zhvendosur në ato humbëtira primitive, me persona realë e ngjarje reale. O madhështi e portës sonë? O oborr, i mbushur me lule dregëza,o dritare me vazo karafilash e menekshesh, borzilokë e manxuranë që iu ujiste nëna çdo mëngjes. Një qen i zi ndjeu erën e njeriut të huaj dhe iu vërvit lesës me hungërimë: “Kush je ti? Nga vjen? Ku ke qenë që s’je dukur për kaq kohë…? Vazhdonte të lehte me të njëjtin ritëm, edhe kur i kthyem shpinën dhe e lamë në atë gjendje të irrituar. Qeni i zi më ktheu në kujtimet e shkollës… (fq.204).

Emicione intesive

Si në prozën e tij me temën për fëmijërinë,ashtu edhe me temat tjera që shtjellon shkrimtari Mato, shihet qartë se kemi të bëjmë më një prozator që raportin me botën e ndërton mbi bazën e emocioneve intensive. Këto ndjesi autori ia del t’i manifestojë me mature të veçantë në trajta të ngjeshura, me anë të zgjedhjes ngulmuese të fjalës,si dhe të shprehjes në tërësi.

Fuqia shprehëse e përshkon pothuaj gjithë rrugëtimin e të të rrëfyerit të këtij autori.
“Erdha, pashë, dhe po iki. Mos kisha gabuar fshatin dhe vija të kërkoja një fshat imagjinar, gjysmë real e gjysmë ireal.
Kujtesa kishte bërë disa modifikime “emocionale”, shtesa dhe retushime,fshirje e përmirësime. Ngjarje reale të ngatërruara në vite me sekuenca ëndrrash. Fshati im i memorizuar ishte një mishmash imazhesh bardh e zi.
Kishte ndodhur ajo që u ndodh shpesh njerëzve të letrave, kur imazhe kujtimesh përzihen me imazhe ëndrrash. Duhej vetëm ky çast që fshat i im imagjinar të shkërmoqej e shkrihej si bryma e mëngjesit. Një piktor kishte vite që pikturonte pas një perdeje të bardhë. Miqtë e tij një ditë e pyetën: “Çfarë fshihet pas perdes?” Piktori hoqi perden,dhe ata panë jo pa habi,se pas perdes së bardhë nuk fshihej asgjë…
*
Më mbeti peng që nuk më priti njeri në shtëpinë time. Nuk pashë dot kandilin e vjetër mbi buhari,as shtratin e hekurt të tim ati, musëndrën e vjetër të futur në mur… Më mbeti peng që s’pashë dot dritaren ku i gdhija netët më mendjen në yje… Nuk pashë fikun në oborr,nuk pashë as saksitë e luleve në dritaren e dhomës së pritjes… Fillimi dhe fundi është e njëjta gjë. Drutë në zjarr janë fikur, gacat e zjarrit janë mbuluar nga hiri i kujtimeve. Vetëm trajta ime prej frymë vërtitet këtyre anëve… (fq. 2005-2006).

Mbi bazën e perceptimit të çështjeve e të dukurive të ndryshme, Mato krijon një realitet artistik shumë të rëndësishëm dhe pothuaj pa dyshim të papërsëritshëm.

Spontaniteti krijues, animi i vetvetishëm ka subjektiviteti, besnikëria ndaj natyrës së vet krijuese, emocionaliteti intensive dhe i paimponueshëm e joshës njëkohësisht, bukuria e virtytit të krenarisë njerëzore, dashuri skofiare ndaj vendlindjes dhe njeriut të saj, ndaj së kaluarës së largët,por tepër të freskët, dhe në fund përpunimi i durueshëm i trajtës të së shprehurit kanë bërë që ky prozator të na jap një roman nga më të bukurit në letërsinë e sotme shqipe.

Përmes këtij romani, autori Mato dëshmon vlerën dhe ngritjen cilësore të krijimtarisë letrare në prozën e këtij autori dhe njëkohësisht të prozës romaneske shqiptare në përgjithësi.

Romani “Banorët e Shpellës”, i autorit Sulejman Mato është një roman tepër i rëndësishëm dhe si i tillë pa dyshim do të lexohet me interesim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here