1.
Fshatra të tëra filluan të shkuleshin
me rrënjë,
siç shkulet një shelg nga stuhia.
Po u prisheshin varret
që ruanin kujtesën, dashurinë dhe dhimbjen,
po prisheshin me një egërsi cikloni,
siç u prishën varret e hebrenjve
nga Ferdinandi, Izabela dhe Inkuizicioni.
Po u digjeshin shtëpitë
po u dhunoheshin gratë
po u vriteshin fëmijët.
Po dëboheshin nga atdheu
me zjarr e hekur dhe me administratë.
Fshatrat, anekënd Kosovës
të shkulura me rrënjë,
si të dënuarit para pushkatimit
po luteshin në heshtje,
të bindur se lutja e tyre
do të arrinte në qiell
dhe nga qielli do të vinte shpëtimi,
siç erdhi intervenimi.
2.
Qytete të tëra të Kosovës
u shndërruan në vagona trenash
dhe lëviznin si breshka drejt kufirit,
me burra të rrahur,
me gra të dhunuara,
me fëmijë të frikësuar.
Ky ishte një popull i vogël
me një faj të madh
Faji i tij qe pse ekzistonte mbi këtë tokë.
Por popujt nuk ekzistojnë
pse vetë duan
as pse janë të përkorë,
ata ekzistojnë
vetëm falë Vullnetit Hyjnor.
3.
Plepa, plepa, plepa.
Shi, shi, shi.
Baltë, baltë, baltë.
Lotë. Lotë, lotë
Bllacë, Bllacë, Bllacë.
Mbyllur si në guacë.
4.
Baci Sejdi
pinte duhan pa ndalë, nën një llastik
nën shiun që binte pa pushim
as nuk fliste as nuk të dëgjonte
as nuk e dinte ku e kishte gruan e fëmijët
vëllezërit e motrat
mezi e dinte që vetë ishte në kamp
në Bllacë.
Më vonë më pati thënë:
kam menduar që kampe kishte pasur vetëm
në Aushvic
në Dahau
në Mathauzen
dhe se nuk mund të kishte kampe
në shekullin XX,
deri sa e pashë vetë.
5
Me Naimin e me Agimin
u nisëm herët, ishim pa gjumë,
nga gëzimi.
Rruga na ishte më e gjatë se sa pritja
gropat që kishin hapur tanket
në asfalt
ishin më të cekëta se rrudhat e mia,
nga mërgimi, në ballë.
Kisha me vete fletore e laps
po nuk arrija t’i lidhja fjalët
nga ngashërimi,
që po e shihja sërish
Rrafshin e Kosovës
këtë tokë të bekuar,
që po hyja në Prishtinën time,
sepse fjalët ishin ngrirë
si heje akulli
dhe do t’u duhej kohë e gjatë
që të shkrinin
gjithë atë dhimbje ngurtësuar në to.
Vetëm tash fjalët u çliruan, ato fjalë,
ndoshta nga frika se po vdisja
pa i thënë.
6.
Unë e kam ditur
Që do të ngrihej ajo pllakë
në Bllacë.
E kam ditur se atë tekst
unë do ta shkruaja,
që atë ditë kur polici po gajasej
duke më ndarë nga fëmijët dhe nga gruaja.
E kuptova sepse qielli qante nga mërzia,
toka dridhej nga dhimbja,
ndërsa unë nuk kisha fare frikë
as nga vdekja.
Më e fortë se ajo ishte atdhedashuria.
TRAKT PËR SHPËRDORUESIT E LIRISË
Kur na erdhi si një zanë universi liria
dhe e pamë përhumbshëm në sy,
Sa nuk u verbuam nga drita e saj,
Sa nuk ramë nga lumturia të mekur,
Po ju u bëtë shpejt zullumqarë,
Dhunues arrogantë e të paepur.
Filluat me rozafat-rindërtimin
Duke ua thyer kurrizin maleve,
Mes një pluhuri asfiksues,
Duke gërryer barkun e lumenjve
Për pallatet e reja të maskarenjve.
Qytetet antike e orientale, mistike
u sakatuan si samarë breshkash,
kur goditën me gur egërsisht,
u shndërruan në bordele, bastore e mejhane
me pankartën, “e nxane!”
Shumica mësuan të tradhtojnë
në emër të luftës, lirisë e demokracisë.
Ashtu që tradhtia u bë endemi.
Jeni bërë mohues edhe të Zotit,
Sepse ia vodhët nektarin jetës.
Ç’vend është vendi ku rrena është ligj,
ku gënjen secili secilin, bashkërisht,
ku gënjejnë edhe fetarë e dijetarë,
të mbetur lakuriq para pasqyrës
pa u ardhë turp prej fytyrës.
Gënjeshtra s’paskësh qenë gjëma më e madhe
në krahasim me tradhtinë,
Që në koka burrash shtriqet si iriq,
një vend i tërë mbuluar si nga terri
nga idiotizmi, ku sovran është tmerri.
Ndërsa padituria duket lodër letre
në krahasim me kurvërinë
që lulëzon ndanë magjistralesh
para hundëve të popullit dhe të shtetit
që shtiren krenar, si gjeli maje plehut.
Kurvëria nuk duket kryegjëma
në krahasim me krimin që u shfaq si lugat
nga vrragët e thella të kanunit
vrasje për gjakmarrje, për prona, për politikë,
për një fjalë, për një klikë.
Me krimin po kalëron droga si fantazmë
Në oborre shkollash e tempujsh
E patrazuar nga policë e mësues.
Shpirtërta të bardhë fëmijësh po dërrmojnë
Për një grusht euro që kutërbojnë.
Ju s’e vrisni mendjen pse na mbyt bërrlogu
pse ka reduktime uji, pse ndalet rryma,
pse ka në markete mallra të skaduara,
pse trotuaret janë të zëna,
sepse jeni si paganët, që besojnë te fatthëna.
Kjo poemë nuk ka si të mbyllet
pasi kjo tragjedi po vazhdon.
Ne bëjmë tutje, si breshka në bajgë,
i keni ndotur si diarretiku brekët
emrat e bukur Kosovë dhe shqiptar. (19 prill 2016)
ATDHEU
Enveristët na flisnin shumë për atdheun
Na tregonin se si brenda dhe jashtë tij
vigjilonin armiq të panumërt,
se armiq ishin zogistët, ballistët,
soacialdemokratët, liberalët,
të krishterët, muslimanët,
tregëtarët, zejtarët, shkrimtarët,
marinarët, naftëtarët,
me folë drejt, krejt.
Enveristët kurrë nuk e kuptuan
se nuk mund të ketë atdhe pa njerëz,
pa konkurencë, pa larmi.
Po ta kuptonin
nuk do të qenë ashtu si qenë,
vrasës të atdheut në liri.
AMANETI I BRANKO MERXHANIT
Unë për vete e dija se kush isha
dhe çka po bëja shumë mirë e dija.
po ata të tjerët, ata trutharë, a e dinin
se nuk ishte në shitje shqiptaria?
Mora arratinë, nuk ika, po humba shqim
erdha, si thuhet, prapa diellit,
që atë ditë, kur ia vunë mbi krye
kurorën e Skënderbeut, Viktor Emanuelit.
M’u duk më e drejtë të isha i humbur,
i harruar, i tretur, qoftë dhe i vrarë.
Vetëm të mos e shihja me sy atë lukuni,
që me vullnet u bënë tradhtarë.
(Nga vëllimi “Kujtimet luajnë me mua”, i cili është në proces botimi.)