Mimoza Rexhvelaj: PA SPIRALE DALLGËSH…

1

NJË KUPË ME MUSHT

Myshqet u fshehën në lëkurën
E drurëve në komën e dimrit,
Një grusht rrezesh të diellit rezear
E dëbuan tek unë makthin e shpirtit.

E turitën pa të drejtë ndoshta
Siç nënçmojmë ne legjenda mitike,
Në kohëra kur pemët i shkundin
Çastet e veta me gjeste hermetike.

Apokalipsi i ndjenjave të mia hepohet
E tremb një lejlek se e var në sqep,
Unë ende veten e marr me të mirë
Besoj ende se pasioni shkrep…

Zëri im malin e shpon
Tehun të mprehtë e ka zëri im,
Me një kupë me musht të trazuar
E nënshkrova sonte aktin sublim.

Mbi puthje të ciflosura enden hijet
E fjalëve që bëhen lumë e ikin për dikah,
Parazitët gërmuan në rrënjët e shkurreve
Mjeranë e të pashpresë si ata!

Mali mbi kullë lëviz qeleshen gri
Një kupë me musht në dorë e mban,
Në se e ka ndjerë hallin që kam
Nuk di në se qesh apo qan?

Mitet e kohës që jetoj me ty
Shkrumb bëhen nën krojet me currila,
E në vend të tyre në kopshtin tonë
Harlisen me triumf mijëra trandafila.

2

PA SPIRALE DALLGËSH…

Delikate si lulja Mos më Prek,
Mendimet e tua këtë mbrëmje,
Nuk e di pse më mbollën në shpirt trishtimin.

Edhe pse e pata krejt afër vedit
Mjelmën, kur rrëfimi e humbi fillimin.

Nuk lodhem t’ja nis nga e para
Për ta bindur heshtjen vrastare
Se do ta doja perendimin e fillimit.
Pa spirale dallgësh e ortekë në male.
Dhe asesi si muzgun e mendimit.

3
IKU DHE NJË VIT

Bën shumë ftohtë në këtë fundvit,
Raporti nuk shënon asgjë interesante
Gotën disa e shohin bosh…
Disa mbushur plotë.
Stuhia e fishekzjarreve vazhdon glorizimin
Qiejve të varfëruara tejshkajshëm.
I njëjti avaz sot e mot.
Zemra përplaset ne tallazin e vet
U mbytet në një pikë loti
Mbi buzë.
Nuk ka një det
por aniet e medha mendon si t’i ankorojë,diku…
Shtigjeve të pamundësisë absurde.
Ku thuhen gjërat e pathëna
që kurrë s’u thanë, s’do thuhen kurrë.
Dashuri çumrrake shtrihen sa gjatë
sa gjanë si suvenire vitrinash
Nën efektin e dritave blu.
E mbyllem edhe një vit suksesi
Shumë xixa, përlyer me të kuq
Në fund fasada e festës
Lumturi pa fund…!!
Të dehur nga hiçi me ujë pusesh
me aromë e shije mocalore.
Janë mendiet e varfëra që mbyten në luks.

4

EKSTAZË

Ndizini zjarret e shpirtit,
Mos kini frikë – hapini portat
Shkundini pluhurat
Mbushni gotat!

Jam uragan sonte.
Jam e çmendur, llahtari,
Dashuria më bën
me krahë në kaltërsi.

Me flatrat e jetës sulmoj
Asgjë s’më ndal.
Kam lindur me yllin e fatit
Qëndisur në ballë.

Ejani dhe ju me mua
në qiellin e shtatë.
S’do lëmë gur dashurie
Pa kthyer mbrapsht.

5

E NISA AVENTURËN

E nisa aventurën
Anija e mendimit lundron
Në oqeanin e ngrirë.
Në oqeanin Paqësor.
Në avujt hapsinor…
Tallazi përplaset në kështjellë
të tallazit.
Bregu pret
dashuri të mbytura.
Shpirti shkumohet
në jargët e valëve…
Rrotullohem
rreth globit mjeran
Eksploroj
Planetin e vjetër në univers.

Bota e brengosur ushton!

SOS!SOS!SOS!
Shpresa grindavece ulëret:
“Kam të drejtë të jetoj per qefin tim!”

E nisa aventurën
drejt gjithësisë…
Engjujt vrapojnë
të shpëtojnë,
Planetin Tokë.

6

MË FRIKSON KJO LOJË

Si pupëlza e një zogu
Mbi telat e kafazit
Lëkundem në krahëzat
E heshtjes….
Jeta kompozon
E gëlltit soneta.
Luaj me tingullin e pafaj
Dhe fajësohem pa faj…

Më frikson kjo lojë
Në tastierë të jetës.
Dua të rrëshqas…
Sa hedh njërën këmbë
Tjetra çalon në krahë të saj.

Oh, kafazin e përpijnë xhindet
Hija derdh
Hije si lugat
Si pupëlza e një zogu
Kuturu
Qorrazi
Rrotullohem
Në sqep të ajrit bosh.

7
SHPRESA

Vjeshtë të përlotur
mbi degë pemësh të zhveshura.
Solli kjo stinë.
Gjethja e fundit na la,
pa lamtumirë!
Iku mes mijra psherëtimave,
Tik-taket e mbytura mbi tokë u shtrinë
Asgjë nuk është si më parë,
Asgjë s’do jetë si dikur,
Por, Shpresa e marrë vazhdon këmbëngul
Jam unë këtu!
Jam unë!
Besom jam unë!

8

SINFONIA E DHIMBJES

Sinfonia e dhimbjes po luhet atje jashtë.
Qielli e paska orkestruar mirë
Mbi xhamat e ftohtë përplasen tingujt pafat
Symbyllur numëroj rrahjet e strukura nën çarçafë

Si erdhi ky dhjetor nuk e di se si…
Prisja dritat të ndizeshin ngado…
Mes mira yjeve prapë do të të zgjidhja ty
Sinfoni dimri në sfondin tim me shi.

9

TASH NUK MË LËNDON MA

Si ike,
Si erdhe,
Si nejte,
Si u ktheve,
Thjeshtë
Ngelesh hije e shtatorës tande
të vocël…
Shuj!
Heshtun
Ti flet ma shumë
Ndaj shuj!
Më pelqen gjuha e heshtjes
që tejzgjatet në kohë
lëshon za kot, pa u nie
Eh, kajherë psherëtin…
Sa mem kallxua se je ala ktu
A e din?!
Tash nuk më lendon ma
Asgja…
Jam Rozafë e gjallë
që ecen mbi shpinë t’dhimsë
e shkrun histori qendrese…

10

PA TITULL

Bora erdhi me bujtë prapë tek na
edhe këtë vit…

Erdhi me nji bardhësi të frikshme,
E ftohtë në skaje
E të bukur deri në mahnitje…

Bora ka nji të mirë kur vjen
Nuk banë diferencime
I rrok te tanë me bardhësinë e saj,
Bardhë e banë edhe gjanë ma të zezë…

Erdhi bora me bujtë prapë tek na
I pashë tanë tu vrapua mi i dal para
mi thanë”Ardhshë e bardhë!”
Se gjasme e bardha e saj,
me shpirtin po ju ngja…

Nën dhambë jam lutë mos me qënë ashtu
Se borë e zezë do të kish kenë t’u ra …

11

PENGU IM

Babi nuk më pa nuse,
As nuk më bekoi me puthje mbi ballë
As ishim bashkë në vallen e parë,
As nuk më tha:” bijo udha e mbarë!

Babi nuk ishte kur u bëra nënë,
As fjalën gjysh s’pati fat ta dëgjojë
Se di, a kishte ndonjë peng,
kur në udhtimin e fundit, iku e shkoi..

Dhimbja ime mban aromë malli ,
Që djeg në fund të shpirtit si zjarri.
E sot më duhet nga ti një fjalë…
A thua të kam bërë krenar?!