MISIONI.Tregim nga Hekuran Halili

-Azbiu , Azbi Borrua të paraqitet në vendkomandë – dëgjova përgjumsh.
Sapo isha kthyer nga një udhëtim tri orësh i vështirë , mes një të ftohti që të sharronte.
Pesë muaj kishte kaluar nga dita e çlirimit të vendit dhe komanda kishte shumë punë.
Kisha rrufur një çaj të ngrohtë, përtypur një fetë bukë misërnike të verdhë, shoqëruar me një copë djathë të bardhë bërë nga qumësht dhie .
Isha zhveshur e futur në krevatin e ngrohtë dhe po përhumbesha në gjumin përrallor që vjen me lodhjen deri në raskapitje.
Vendkomandën partizane e kishim në shtëpinë e Beshajve të Markatit. Ishte aq e madhe, sa që na shërbente për zyra, për mencë, për fjetore.
Përtimthi u ngrita . Gjysëm i veshur u paraqita tek komandant Ramadani, gjitoni ynë , mik i babait, i cili kur më nisi partizan e porositi Ramon ( kështu i fliste që nga vogëlia Ramadanit) :
– Të ma kesh kujdes djalin, si djalin tënd!
Vërtet, në moshë sa djali i tij isha . Pas një jave mbushja njëzet e tre vjeç.
Komandant Ramadani , kur më pa të lodhur e të raskapitur, më mori në qafë e hezitoi të më jepte detyrën.
Nga kjo ngrohtësi gati prindërore u ndjeva mirë. M`u duk sikur më mori në qafë babai dhe kaq më mjaftoi të çlodhesha e të çelesha. Ishte i rreptë komandanti ynë, por poshtë asaj rreptësie , flinte një ngrohtësi e butësi, që kur zgjohej, lum kush e gëzonte.
-Biu, -më foli me përkëdheli, siç më flisnin në mëhallë.
Zgjidh pesë shokë të fortë e të këmbës, se do të veni maleve në Filat. Merrni me vete ushqime, fishek me bollëk ,se ku i dihet.
Do niseni me një mision të vështirë dhe të rrezikshëm.
Do nxirrni nga thonjtë e egërsirave zervistë në Filat dyqind e ca vajza, nuse, gra me fëmijë, plaka ,të cilat i kanë mbyllur në xhami, kishë, shkollë, i përdhunojnë, torturojnë , që kur janë rikthyer me familjet para dy muajsh në shtëpitë e tyre.
Burrat e djemtë u a kanë vrarë e masakruar.
Komandant është Shozho Kitua nga Talambaja.
Më mbeti fryma. Jo se nuk i dija krimet e atyre egërsirave nga qershori i dyzet e katrës mbi popullsinë e pafajshme e të pambrojtur të Çamërisë , por fryma më mbeti nga vështirësia e përgjegjësia e këtij misioni kaq delikat.
Që ata t`i lirojnë ato gra , duhet t`u bëhet një presion i fortë, sidomos mbi Shozhon, i cili bën ligjin.
Me armë nuk mundemi, se do të merret si sulm i vendit tonë ndaj një vendi të huaj .Anglezët nëpër këmbë janë dhe anën e grekut mbajnë.
Për këtë kemi menduar të kaloni nga Talambaja, të shkoni në shtëpinë e Shozhos dhe do t`i merrni me vete vajzën .
Maria e ka emrin. Me të për tërë natë do të sosni në Filat.
Në të gdhirë do të vini Marinë t`i flasë të atit dhe t`i thotë të lirojë gratë e vajzat që i mbajnë mbyllur, përndryshe do ta pësojë ajo dhe e gjithë familja.
Vajzën do ta mbani në vëzhgim të rreptë se mos u ikën, por nuk do t`i prekni asnjë fije floku.
Përgjigjeni me kokë po i ndodhi gjë asaj.
Kur vajzat gratë, plakat,fëmijët do t`i lironjnë, të kenë kaluar gjysmën e udhës për në Vërvë ,do ta lini vajzën të lirë.
Edhe njëherë të porosis:-Të bëni presion sa të doni për t`i liruar ato fatzeza, por mbi të nuk do të vini dorë!
– E keni të qartë se si do të veproni? – e mbylli fjalën komandanti.
– Po,- i thashë me një zë që as vet nuk e njoha.
Kur u ktheva në fjetore dhe u tregova për misionin, të gjithë donin të vinin.
Shumica prej nesh nga ato vende ishte dhe nuk kish mbetur familje pa u prekur nga masakra e madhe .
Nuk i dihej, mbase në mes atyre robinave që i përdhunoni e torturonin në Filat, mund të kishim edhe njerëzit tanë.
U bëmë gjashtë vet. U veshëm dhe u furnizuam mirë. Morëm një fener për dritë dhe u nisëm.
Rrugën e dinim symbyllur. Ramë në Ninat, kaluam poshtë Janjarit, ecëm përgjatë luginës së Pavlës . Për dy orë ishim në Talamba. Greqishten e kuptonim, por me mirë nga të gjithë ne e fliste Sejkua nga Spatari që kish mbaruar edhe pesë klasë greke.
Pyetëm për shtëpinë e Shozhos dhe e gjetëm menjëherë. Trokitëm . Derën na e hapi i ati i Shozhos.
Nuk vonoi dhe te dera doli gruaja dhe vajza e Shozhos.
Sejkua u tha të mos shqetësoheshin, nuk do t`u prekej asnjë fije floku.
U spjegoi se çfarë po bënte në Filat njeriu i tyre dhe pse do ta merrnim me vete Marinë.
Gjatë gjithë rrugës kisha menduar se si do ta prisnin këtë gjë në shtëpinë e atij maskarai, që as emrin nuk dua t`i përmend.
Madje isha përgatitur për ndonjë të papritur, ndaj i kisha ndarë shokët në pozicione dhe në shtëpi vajta vetëm unë e Sejkua.
U çudita që nuk bën as gëk as mëk. Gruaja mërmëriti ca sharje nën buzë .
U bë meit kur i thamë se do merrnim me vete Marinë, vajzën.
-Do të vij edhe unë , për t`i thënë nja dy fjalë maskarait tim e atyre maskarenjëve të tjerë.
Do të lirohen, do të lirohen menjëhere ato gra , ndryshe unë do u a marr shpirtin me këta thonj.- e zgjati duart në ajër, si ta kish burrin e saj e ata , aty para.
Ishte aq e besueshme dhe e vendosur për ato që thosh,sa na befasoi e na çarmatosi.
Urdhrin e kishim të merrnim vetëm vajzën, por aty për aty vendosa ta marr edhe gruan e atij maskarai.
Shpejt e shpejt u bënë gati dhe u nisëm. I vumë në mes .
Rrugës vazhdimisht i porositja shokët të bënin kujdes se mos u ndodhte gjë grave kur kalonim në rrugë të vështirë dhe vende – vende i mbajtëm për krahu.
Ato ecnin pa u ankuar dhe pa nxjerr zë.
Ndjeheshin të frikësuara, për më tepër fajtore për poshtërsitë që bënte njeriu i tyre me maskarenjtë e tjerë.
Ishte fundi i marsit dhe koha ishte ngrohur. Qielli as me yje , as errësire e plotë.
Tërheqja e natës na zuri mbi Filat.
Nga frika se mos na iknin i lidhëm bashkë përdore me shaminë e tyre te kokës dhe i porositëm të mos bënin zhurmë.
Zumë pozicione në ca shkëmbinj mbi një kodër dyqind e pesëdhjet, a treqind metra mbi qytet,nga ku zotëronim të gjithë sheshin, xhaminë , kishën e shkollën ku mbaheshin të burgosurat, si dhe post komandën e ushtarve.
Po agonte. Çdo gjë nisi të dallohej dalë e nga dalë. Zemra më rrihte e më hidhte përpjetë në pozicion ku isha shtrirë.
Çudi! Nuk më kishte ndodhur kas kur u ndeshëm për herë të parë me gjermanët në Qafë të Botës .
Për gjermanët kishim dëgjuar shumë gjëra, aq sa disa thonin se nga trimëria e tyre nuk i zinte as plumbi.
Na erdhën me triçiklat e tyre pothuaj përsipër, aq afër, sa që edhe ngjyrën e syve u a dalluam, e zemra nuk më kishte rrahur kështu.
Në mendje më vinin lloj – lloj mendimesh .
Kë do të vija t`i fliste Shozho Kitos, vajzën apo gruan?
Po sikur ai të mos pranonte t`i lironte të burgosurat dhe të na hidhej me ushtarët e tij përsipër?
Ç`do bënim me gruan e vajzën? Do t`i lironim apo do t`i merrnim me vete ?!
Po ne do hapnim zjarr, apo do tërhiqeshim?
Isha në një tension e siklet që s`e kisha provuar kurrë .
Ah ç`mision më ngarkoi ky komandant Ramadani, mua, një djaloshi që ende s`kisha mbushur as të njëzet e tre vjetët.
Fola shokët si do të vepronim. Maria do t`i fliste Shozhos , do t’i këkonte të lironte menjëherë të gjitha të burgosurat, përndryshe ajo e nëna e saj do ta pësonin më keq se ato gra që mbaheshin peng prej tyre.
Ashtu bëmë. Sa zbardhi mirë, i thamë Marisë t`i fliste të atit.
E verdhë dyll, duke u dridhur nga frika, por edhe nga turpi për ato që bënte babai i saj me ato fatzeza, ku me siguri do të kish edhe vajza në moshën e sa , i foli.
-Shozho Kito, Shozho Kito, Shozho Kito…Patera,o patera. ( baba , o baba)
-Jam unë ,vajza jote , Maria, që mos qofsha . Jam me gjithë nënën.
Na kanë marrë peng partizanët shqiptar. Janë shumë. Merr ushtarët pa armë e dil në shesh.
Me t`u dëgjuar zëri i vajzës, në shesh doli një ushtar që në ikje e sipër vishte xhaketën.
Pa nga vinte zëri. U fut përsëri brënda në vend komandë. Nuk vonoi në shesh doli Shozhua me ushtarët e tij . Të gjithë pa armë .
Maria vazhdoi: -Na kanë marrë peng që mbrëmë. Nuk na kanë prekur me dorë.
Duan të lironi menjëherë të gjitha gratë që mbani mbyllur.
Ju do të lëvizni prej andej kur t`u them unë. Po nuk i liruat e po lëvizët nga vendi ,do ta pësojmë ne të dyja më keq nga ato që u keni bërë ju atyre .
I pamë mirë. Nuk ishin më shumë se 20 vet.
U ngroha. Edhe po të sulmonin nuk do na bëni dot gjë. I hanim . Kishim armë të mira, municion të shumtë, pozicione dominuese.
Ra një heshtje që na e shtoi ankthin.Me siguri po bisedonin ç`të bënin.
Shozhua i foli të bijës në emër sikur desh të sigurohej edhe njëherë ishte ajo apo jo.
U kërkoi të ngriheshin në këmbë të dya t’i shihte. U thamë të ngriheshin.
Ndenjën të ngritura një minutë dhe i ulëm poshtë.
U foli përsëri dhe i pyeti në u kishim bërë gjë. Nga zëri dallohej shqetësimi, frika, alarmi, meraku, por edhe të qenurit fajtor për ato që kish bërë dhe për atë që mund t`i ndodhte vajzës e gruas.
Mori edhe njëherë përgjigje që nuk u kish ndodhur gjë.
I thuaj të lirojnë menjëherë të burgosurat, u tha Sejkua, se ndryshe nuk do t’u shohë më as të gjalla e as të vdekuara. Ato ja thanë me zërin e dridhur e plotë frikë.
Pllakosi heshtja. Heshtje e mbarsur me shumë siklet për ne e për ata.
Disa ushtarë u shkëputën dhe u futën brenda
Gruaja e Shozhos papritur u ngrit , i futi një të share burrit dhe gjithë të tjerëve, me një egërsi e kërcënim , që të ngjallte frikë e imponim.
-O bëni siç u thonë partizanët,o do ta pësojmë edhe ne, juve ,që e keni hak nga një plumb në lule të ballit! Jo nga këta, por nga Ne, njerëzit tuaj.
– Qenër,palo qenër! Zagar rrugësh!-e mbylli ajo e u ul.
Zuri në qafë vajzën. Të dya ja plasën të qarit,e qarë që dëgjohej deri në shesh,ku rrini ata burra të poshtëruar.
Të gjitha këto na i përktheu Sejkua , i cili kur mbaroi përkthimin, i hodhi asaj mesogruaje në moshë që ende mbahej mirë,një shikim miqësor.
Ushtarët që u futën brenda ,dolën menjëherë jashtë dhe u drejtan njëri nga shkolla, nga xhamia e kisha.
Hapën dyert. Prej andej filluan të dalin një nga një, plaka, vajza, nuse e gra me fëmijë në duar .
Fëmijët qanin. Të gjitha mezi hidhnin këmbët, mezi lëviznin.
I mblodhën në shesh ,diç u thanë që ne se dëgjuam.
Pas pak ato morën rrugën për nga ne, për në Shqipëri.
Kur na u afruan Sejkua u foli:
– Ka më njerëz të tjerë brenda , u liruan të gjitha?
– Na liruan te gjithave ,-na erdhi përgjigjia.
Ushtarët grek rrinin pa lëvizur në sheshin e turpit. Shikonin vargun e atyre të mjerave që i kishin katandisur në atë gjendje.
Ato kërkonin edhe pikën e fundit të fuqisë që të shpejtonin hapin, të largoheshin një orë e më parë nga ai vend ku ishin lindur, rritur, ku kishin tokën shekullore , varret stërgjyshore, ku u kishin vrarë baballarët, djemtë e burrat, ku i kishin dhunuar, përdhunuar, masakruar, poshtëruar…
Mbanin plakat nga krahët, mbanin njëra – tjetrën, shtrëngonin fëmijët në gji.
Të dukej se ajo kolonë ishte bërë një trup njerëzor, që, ose do të vazhdonte të ecte i gjithi, ose do të binte e nuk do të ngrihej më asnjë.
Edhe gruaja e Shozhos me të bijën, qanin për fatin e zi të atyre grave, qanin të poshtëruara për veprën e njerëzve të tyre, qanin edhe nga frika se mund ta pësonin si ato.
Kur kolona kaloi përroin dhe nuk dukej më nga sheshi, u dhashë urdhër katër shokëve që të shkonin e t`i ndihmonin për t’i ndihmuar.
Kur të arrinin afër përroit të Koskës për në Vërvë të hidhni tri armë që të tërhiqeshim edhe ne.
Ata morën ushqimet e ujin tone për atë kolonë grash, na lanë municionin e tyre dhe u sulën me një frymë për t`i ndihmuar.
Dielli ishte ngritur mirë dhe ngrohte, megjithëse ishte fund marsi.
Në pozicione nga ku mbanim në vëzhgim ushtarët mbemë unë dhe Sejkua.
Të dyja grate i kishim siguruar mirë se mos na iknin. Na vinte edhe keq për to, po kujdesi duhej bërë.
Ushtarët grek ishin ulur në shesh e pinin duhan.
Shozhua pothuaj çdo pesë minuta u fliste grave dhe i pyeste si ishin . Ato i përgjigjeshin shkurt e me inat: – Mirë.
Kaloi gati gjysmë ore kur kolona e grave ishte vënë në lëvizje në drejtim te Vërvës.
Nuk e kisha hapur gojën, por edhe Sejkua nuk kish folur.
Ishim shokuar e mundoheshim të mblidhnim veten nga ato që pamë.
Fillova dalëngadalë të qetësohesha.
Gratë ,veç përgjigjes që i kthenin Shozhos kur i pyeste si ishin, nuk e kishin hapur gojën.
Herë i shihja me inat,sikur edhe ato të kishin faj për ato që kishin hequr ato gra e vajza nga njeriu i tyre, herë me vinte keq për to.
Edhe ato, herë me shikonin me frikë e mosbesim , sikur ta dinin që kushdo të ishte, do të hakmerrej për ato tmerre që kish bërë njeriu i tyre me egërsirat e tjera mbi ato gra.
Herë – herë më shikonin me një ngrohtësi e besim, se ne nuk ishim si ata , njerëzit e tyre ,që rrinin të poshtëruar aty në shesh të Filatit .
E ëma e Marisë iu drejtua Sejkos:
– Amani , mos na prekni.
-Bëni me mua çfarë të doni , por vajzën mos ma prekni.
Ai maskarai që rri aty në shesh bashkë me zagarët e tjerë , nuk do të kapërcejë me pragun e shtëpisë tonë.
Unë se dua për burrë, vajza nuk e do një baba. U kthye nga Maria, sikur priste edhe fjalën e saj.
-Po mama, po! Më vjen turp që jam vajza e tij.
Kurrë në jetë nuk do të them se jam vajza e Shozho Kitos!
Sejkua më përktheu ato që thanë gratë.
Me siguri që sytë m’u ngrohën, m’u njomën. Në sytë e Marisë dallova një shkrepëtimë të ngrohtë vajzëror.
Ishte ky shkëmbim vështrimesh, që më bëri të shihja se ç’vajzë ishte Maria.
Nga mosha nuk i vura me shumë se tetëmbedhjetë . Për bukuri ,nuk kisha parë në jetë time një vajzë të tillë.
Si Vasiliqia e Aliut, më shkrepëtiu në mëndje. E dija se edhe Vasiliqia ishte nga fshati i Marisë.
Për t`u shkëputur nga këto mendime ktheva kokën nga sheshi ku rrinte grumbulli i ushtarëve bisha, egërsira, ,të dorëzuar e poshtëruar.
Minutat kalonin me vështirësi, por kalonin.
Tri krismat që prisnim u dëgjuan. Vargu i grave po ngjitej grykës Vërvës për në Shqipëri.
Tani duhej të largoheshim edhe ne.
Pa folur pashë në sy Sejkon. Nuk e kishim biseduar fare se ç’do të bënim me gratë pas marrjes së sinjalit .
Do t`u lidhinim gojën të mos flasin, t`i lidhim tek përralli që të mos lëvizni, deri sa të vinin e t`i kërkonin, apo t`i linim të lira sapo të iknim?
Kisha frikë se u flisnin ushtarëve te sheshi e ata mund të na viheshin pas me kuaj e na rrezikohej jeta.
Sejkoja ma lexoi mendimin dhe pa hapur gojë unë, më tha:
-Ti lëmë të lira, t`u themi të presin një orë, pastaj të zbresin poshtë.
Gruaja e Shozhos kur na pa duke biseduar, ra në gjunjë e u lut :
-Amani! Ju thashë, bëni me mua çfarë të doni. Po të doni më merrni me vete, veç Marinë mos ma prekni. Syve i hipi një frikë që më ligështoi, frikë nëne.
-Thuaji që nuk i prekim me dorë, nuk do i gjejë gjë , do t`i lemë të lira ,por të presin një orë sa të largohemi ne.Pastaj të zbresin tek Shozhoja i tyre.
Sejkoja u a tha në greqisht ato që thashë unë.
Gruaja, duke qarë nga një çlirim i madh, filloi e lutej me duar nga dielli.
Sejkoja më përkthente lutjet e saj.
Lutet për ato gra,vajza e fëmijë që vuajtën aq shumë, lutet për ne e na uron fat e mbarësi në fis e farë,lutet për Shën Marinë, e vajzën e saj .
Lutet që vajza e saj të gjej një burrë të mirë, të bukur, të ndershëm si ti.
Lutet që perëndia të ndëshkojë me gjithë forcën e vet ata njerëz të përbuzur e të turpëruar që rrinin te sheshi i Filatit.
Na siguron qe do të rrinë pa folur jo një orë sa të largohemi ne, por një ditë po deshëm.
Thotë që këtë histori mirësie e këtë qëndrim tonin do t`ua tregojë të gjithëve sa njeh e do të njohë.
Ajo lutej, Sejkoja përkthente, por edhe pa përkthyer ai, unë kuptoja çdo gjë që ndiente e thoshte ajo grua .
Fliste me zemër, e gjuha e zemrës është e njëjtë për të gjitha vendet, për të gjithë njerëzit, s` ka nevojë për përkthyes…
Befas, Maria u shkëput nga e ëma dhe erdhi e qëndroi para meje, afër, shumë afër.
Me hodhi krahët në qafë, më puthi ngrohtë në faqe, siç më puthte motra ime , Mira, kur veja në shtëpi me leje.
Edhe unë ashtu ,si motrën time e përqafova, si vëlla e putha, pa me shkuar mendja fare për keq, ndonëse ishte vajza e parë e huaj që më puthte dhe e puthja.
I lamë të lira me besim se nuk do na tradhëtonin…
Pas gati dy orësh me Sejkon ramë në përrua të Koskës e pas pak ishim në Vërvë .
Nuk e kisha ndjerë fare rrugën. Për dy orë rresht kisha falënderuar komandant Ramadanin që ma kish ngarkuar mua këtë mision…