Përgatiti për botim prof. dr. Luan Malltezi
Shqipëria natyrore e vitit 1909 në reportazhet e Mithat Frashërit, të botuara në disa numra të gazetës “Lirija”
Nga LUMO SKENDO
Këndonjësvet
Po marr lejë nga të dashurët, këndonjësit e mij. për të vajtur disa javë në Shqipëri, në mëmëdhet tim që s’e kam parë që kur isha katër vjeç. “Lirija” ato javë do të dalë pa rregull; u kërkoj ndjesë pajtimtarëve dhe miqve të mij, po me të kthyer shpresoj që t’i kënaq më tepër duke u sjellë çdo farë të reje dhe lajmi prej atyre vendeve të bukura që do të vizitoj.
LUMO SKENDO
“Lirija”.
Selanik, 15 gusht 1909
Gjashtë javë në Shqipëri
Nisja nga Selaniku
15 gusht 1909
Kur ra zilja e avullores shtrënguam duart me miqtë që kishin ardhur të na urojnë udhën e mbarë, dhe u ndamë duke i lënë atyre shëndet dhe duke i rekomanduar klubnë. Një fërshëllimë dhe qerret u tundën dhe zunë të rrungullisen mbi purtekat /shinat/ e hekurta.
Në qerret /vagon/ brenda kam ca shokë, një zot nga Labëria, zot i gjallë e plot zjarr, gjithnjë i ri sado që i thinjur; një zot nga Elbasani, oficer dhe mëmëdhetar i matur; shoku im delegat edhe ai në Kongres të Elbasanit nga Klubi i Selanikut, edhe nj dy zotërinj të tjerë.
Kongresi do të mblidhej më 20 të muajit, ish lajmëruar për 15 të majit, me një program që kishte botuar Klubi ynë, po ngjarjet e 31 marsit në Stamboll me trubullimet që solli dhe me të vështirat që shkaktoi në Shqipëri, u bënë shkak që mbledhja të lihet për 20 gusht.
Qerrja ish jona, se e kishim mbushur; fjalët po bredhin si katari që na shpie, të ndryshme si vendet që çaplosen përpara finestrës sonë: literaturë, gjuhësi, sociologji, histori të gjitha i përziem, kush gjen të metat e shqiptarëve, kush numëron virtytet, po të gjithë të bashkuar në dashuri të mëmëdheut dhe në të ardhur keq për të mbeturit tanë kaq pas.
Ahere treni arriti stacionin e Vodenës dhe qëndroi. Dyert u hapën, bota lëvriti, në stacion dy kavas shqiptarë rrinin përpara derës. Nuk e di cili prej nesh u ngrit më këmbë, iu qas finestrës dhe tregoi me gisht ujët e varur, fabrikat e Vodenës, të dy kavaset dhe tha:
– Shqipëria do vejë përpara kur shqiptarët të mos jenë më kështu kavasë, po të bëjnë dhe ata të atilla fabrika në vent të tyre!
16 gusht
Jam në Manastir. Këtë qytet të madh (afro 30 000 njerëz), këtë Pellagoni të vjetër, e njoh fort mirë, i di çdo rrugë.
Sa javë dhe muaj kam shkuar njëviti e stërviti me Hilmi Pashën! Që ahere s’shoh nonjë ndryshim: ai qytet i shuar, ata njerëz të ngadalshëm, sikur janë zënë gjunjësh. Vetëm fuqi e grekërve /është/ pakësuar: njëviti në rrugë gjithë bota do të thoshte greqisht kalimera dhe kalispera kur piqesh mbi udhë, se ndryshe komiti i grekut e dënonte. Edhe sot kjo fuqi është, po më pak dhe bullgarët kanë zënë vendin e tyre.
Një mik më tregon se Banka e Lindjes (Orient) më tepër punën e ka me komitaçinjtë, dhe komiti pagon, mos e di unë, ca lira në muaj për çdo tabelë dyqani në gjuhë greqisht!
Në mes turqve, shqiptarëve, bullgarëve, grekëve, vllehëve dhe serbëve, lufta ndërmjet grekëve dhe bullgarëve është më tepër e madhe në këtë qytet, se këto dy kombe e pandehin veten e tyre trashëgimtarë të këtij vendi pa peshuar fare të tjerët.
Nga numri pa dyshim shqiptarët s’janë më të pakë se dhe nga ata që s’dinë gjuhën tonë, më të shumtët gjyshërit nga Shqipërija i kanë pasur dhe tani me këtë mburren, se është lehtë që ta mësojnë dhe shqipen!
Brenda në Manastir prapë numri i atyre që flasin shqip e gjen 5 000, se një mëhallë e tërë (Arnaut mahalesi) këtë gjuhë kanë. Po dhe në fushë fuqinë kombi ynë duhet ta ketë, në fushë të Manastirit dhe të Follorinës më të shumtët e çiflikëve të zotërinjve shqiptarë janë; kështu janë sot dhe kanë qenë dje; po a do jenë dhe nesër, se bullgarëve u ka hyrë dëshira të blenë dhenë, të bëhen të zotërit e tokës dhe të kenë vendin e tyre!
Piqem me shokët e Manastirit në Klubin “Bashkimi”, në këtë klub ku 10 muaj e gjysmë më parë kisha marrë pjesë në Kongres të Alfabetit.
Me gjithë ca kundërshtime të brendshme të pathemelta, që për fat të keq tekdo janë ndalime të forta dhe kundërshtime për ne, prapë Klubi punon dhe ka vullnet që të punojë dhe pa dyshim do vejë përpara bashkë me klubet e tjerë. Një shkollë që ish çelur brenda në Klub kishte punuar nja katrë muaj, po tani nga shkaku i ikjes së mësonjësit ish mbyllur.
Anëtarët e klubit janë nonjëqind: ca vendës, ca nëpunës, ca oficerë dhe ca të huaj; kuvendi i kryetarit të dytë të zotit Kara Rexhep Efendi, myfti i Manastirit, u jep dhe njëherë kurajo, se më thotë se me pak durim dhe me gjallësi s’do të mënojë që të hyjë dashuri e mësimit në gjuhë të vendit.
17 gusht
Kur dielli nxori rrezet e para, unë isha në kalë dhe po ecja buzë Drahorit, bashkë me dy njerëz.
Është tri ditë udhë për në Elbasan edhe unë dua të bëj gjithë udhën në Shqipëri me kal; prandaj do shpejtuar.
Rruga është një shosé qerreje mjaft e mirë. Koha e bukur na bën udhën të zbavitshme. Po shkoj nga fshatra që i njoh, që i kam parë jo një herë po disa herë.
Na i pari fshat, Bratindolli ka shqiptarë dhe bullgarë; Dihova, ky fshat me një fabrikë cohe që e kthen ujët e Drahorit, me shumë shtëpi shqiptare; Nizopoli, (a Çinçopolli qysh i thonë nganjëherë), me disa shtëpi nga të cilat mjaft shqiptare; Tërnova, Magarova, këta dy fshatra të bukura që flasin vllahisht dhe shqip; në Tërnovë ka dhe nja 20 shtëpi shqiptare myslimane; Lera, Ramna, thjesht shqiptare. Po më i madh i fshatrave /është/ Kazhani, me shumë shtëpi, gjithë burra të hijshëm.
I di këta katunde, i di kur shëtitja në kohë të despotizmës dhe kur Hilmi Pasha, pranë të cilit isha si shkronjës më pyette mbrëmanet: A shëtite dhe sot fshatra shqiptare? Po ahere s’mund t’u thoshnim gjë këtyre fshatarëve për gjuhën shqip; për fat të keq edhe tani akoma fare s’është bërë gjë për ta dhe mbase edhe gishtërinjtë e të dy duarve do të jenë shumë për të numëruar ata që dinë dhe këndojnë e shkrojnë shqip.
Fusha, dheu në mes Manastirit dhe Gavatit është i shqiptarëve, se ky e ka dhe ky e punon. Bullgarët nuk e di se ku janë dhe bullgaromanët më të fortë do kenë mundim që të më përgënjeshtrojnë.
Me gjashtë orë udhë jam në Resnjë. Njeriu i parë që takoj është oficeri Niazi Beu , ky trim ushtar që fitoi një emër në ngjarjet e njëvitme që na suallën konstitucionë. Më shpie të shohim shkollën që po bën, një shkollë ryshdie turqisht, ku më ep fjalën se do verë dhe shqipen se “Dhe unë shqiptar jam”, më thotë.
Zoti Niazi në mes të fjalës më qahet pak nga ca shqiptarë që venë e pinë në kafene dhe flasin e shajnë kundër turqve. I jap të drejtë dhe i qahem nga ca oficerë turq që flasin esëll kundër shqiptarëve. Më ep të drejtë.
Udha prapë shkon shosesë dhe largohem nga Resnja, nga ky katund gjysmëshqiptar dhe gjysmëbullgar; këtë qytet bullgarët e quajnë fare të tyre, po nuk e di ku e kanë tapinë.
Në fshatin Dolenca ndahem nga shoseja, se dua të fitoj disa orë duke marrë rrugën e malit, një udhë e keqe, e dhisë dhe ku me të zbritur duhet të unjem nga kali.
Kur arrij në breg, që s’andejmi duket Ohri, kam përpara syve një panoramë të çuditçme : një fushë të bukur dhe të punuar si një kopësht shtëpije, një kënetë të kthielltë në anë të cilit ka hipur në shkëmb dhe gjysma është shtritur mbërdhe qytetit të Ohrit; përpara meje ca male prapa të cilit dielli që perëndon po nxjerr vetëm ca rreze. Më anë tjatër nga lindja, hëna rrumbullake dhe e verdhë që del të zbavitinj sytë e saj me këtë pamje të bukur, kjo pamje më mbajti gjysmë ore në breg dhe kur hyra në qytet, ora ish një e gjysmë, dritat ishin ndezur dhe qentë po lehnin tek shkonim.
“Lirija”, Nr. 59, f. 3.
Selanik, 8 vjesht’ e dytë 1909
2. OHRI KA SOT AFËR 15 000 NJERËZ, NGA TË CILËT PJESA MË E MADHE SHQIPTARË
18 gusht
Natën në Ohër shkojmë në klub të shqiptarëve ku anëtarët janë mbledhur për të /na/ pritur ne. Klubi është buzë kënetës, një kënetë e bukur dhe e gjerë: valët e tij, që i ngrinte një erë e lehtë, nxirrnin një zë që pandehte njeriu se ndodhesh anë detit.
Shokët e klubit, gjithë burra të vjejtur, me ndjenja kombiare, ishin mbledhur në një darkë gazmore dhe shtëpijake. Kishim pak të qara nga ngjarjet e fundi të 31 marsit, pas të cilave ca shqiptarë të nderçëm ishin zënë dhe ishin dërguar në Stamboll: këta zotërinj pa faj ishin kallzuar si kundërveprimtarë (irtiçaijun)! Çudi e madhe: qëmoti zihesh njeriu dhe hidhesh në burg duke thënë se është kundër Hamidit; tani e zënë njerinë dhe e hedhin në burg duke thënë se do Hamidin; pra puna tërë ajo është, vetëm emri u ndërrua!
S’kemi kohë të shëtitim dhe të shohëm qytetin, këtë qytet që ka marrë emrin e Lihnidos së romanëve dhe të Ahridos së bizantëve: ky qytet i moçmë ish në juglindje të qytetit të sotëm, dhe sot i duken vetëm ca gërmadha të paka afër manastirit Shën Naum. Lihnidos në kohë të romanëve kish rëndësi të madhe, se atje shkonin të dy degët e udhës Ignatia: një degë nisësh nga Durrësi, tjatra nga Apollonia (afër Vlorës), piqeshin në Elbasan, shkonin nga Ohri dhe venin në Selanik.
Ohri ka sot afër 15 000 njerëz, nga të cilët një pjesë e madhe shqiptarë; në këtë qytet ka dhe vlleh, po pa dyshim bullgarët duan të rrëfejnë veten e tyre më të shumtë se të tërë: bullgarët thonë se Ohri ka qenë që më 1000 dhe gjer më 1767 ndenjtje e një patriku bullgar. Më 1337 Ohri ka qenë në dorë të krajlit serb Stefan Dushan dhe më 1374 të Marko Kraleviçit. Po më 1382 ra në dorë të turqve.
Ora s’kish vajtur akoma dy kur karvani ynë u vu në udhë: sot shokët janë më të shumtë, se kemi dhe delegatët e Manastirit dhe të Ohrit: udhën të gjithë po e bëjmë me kalë.
Gjer në Strugë ecim anë zallit; shoku im më rrëfen një breg afër Ohrit, mbi udhë, një breg me baltë të kuqe, dhe më thotë se bota edhe sot beson se mbi atë breg është bërë një luftë në kohë të Skënderbeut dhe është derdhur verë: prandaj edhe tani është e kuqe!
Arrijmë në Strugë dhe vemi drejt në klub, ku na pret kryetari, një burrë i gjatë, i thatë, i bukur, me një çufkë feste të rënë mi shpatulla. Edhe këta në Strugë hoqën pak nga e thëna i r t i ç a i j u n , se kjo fjalë ca kohë ish si një lugat, si një lugat pa trup e pa frymë.
Pas një dreke të shkurtër dhe të lehtë, si gjithë drekat në të tilla udhëtime, rrimë dhe pimë një kafe të ëmbël në kafene mbi buzë të lumit, atje tek del Drini: një lumë i bukur dhe i kulluar si ari. Po shikoj: ky ujë i kulluar që del nga këneta e Ohrit shkon nga Dibra, vete në Malësi të Shkodrës dhe derdhet në det afër Leshit. Këta ujë sot rrjedh pa nonjë fitim në mes për mes së Shqipërisë së Sipërme; po vallë a s’mund që të hyjë më nonjë punë? Kur isha në Manastir, Qenan Beu nga Manastiri më thosh se Drini mund që të ecet me lundra gjer në det; Qenan Beu më thosh se dhe sot qëllonte të vejë vetë gjer në Dibër me lundër.
Karvani ecën shosesë, po në Qafë të Thanës marrim një monopat, një rrugë greminë ku kali pengohet në gurët e mprehtë.
Pastaj dalim në fushë Domuzovë, një fushë e vogël e rrethuar me male, po pjellore dhe e bukur, me një ujë në mes. Më të djathtë të udhës një mik më rrëfen fshatin Rahicë. Atje, më thotë, është fole e shtëpisë së Toptanëve që janë sot në Tiranë. Ca thonë se një jeniçer, Ramazan Aga, kish shpëtuar një djalë nga fëmija /familja/ e Topisë në Krujë, ca të tjerë thonë se një fshatar nga Rahica kish marrë një zonjë nga fëmija /familja/ e Topisë .
Atje tej më anë të djathtë shohim majën e shkëmbit Pishkash, një majë me emër në këto vise; pastaj si sosim Domuzovën (fushën e derrave) hyjmë në grykë të Langaricës, një ujë i vogël që del nga këmbët e Mokrës dhe derdhet në Shkumbin, një ujë i vogël, po që rrjedh me fort dhe nga i cili pa dyshim mund të ketë një ditë fitim të madh për të kthyer fabrika dhe do farë punëtorë. Tani ky ujë rrjedh pa punë, pa fitim, si dhe çdo gjë tjatër!
Kur dalim nga gryka e Langaricës, nga kjo grykë e bukur, marrim anën e Shkumbinit. Ahere na zë të mukëtit /muzgu/: tym i hollë i natës ca nga ca ngjitet nga fusha gjer në majat e maleve që na rrethojnë.
Pa errur fare shohim më të mëngjër fshatin Bërzeshtë, një fshat i madh, gjashtë orë tej për tej, se çdo shtëpi është gjysmë ore larg njëra nga tjatra.
Kur arrimë në urë të Quksit ish errur dhe hoqmë mjaft mundim sa të gjejmë toruan e kuajve të shokëve që kishin shkuar më parë nesh.
Ura është bërë nja 12 vjet më parë kur u nis shoseja prej Ahmed Ejup Pashës: shoseja gjer në Qukës ka vajtur, po sot është shumë e prishur dhe ura ka tre vjet që është shëmbur.
Pas gjysmë ore udhë në të errët, arritmë në han të Quksit, në këtë han ku çdo udhëtar është i shtrënguar që të shkojë një natë, një natë të zezë: s’ka dyshim se atij që fle atje i lahen mëkatet, sadoqë petkat dhe duart i fëlliqen.
“Lirija”, Nr. 61.
Selanik, 7 vjesht’ e tretë 1909
Rrugës për në Elbasan
19 gusht
Zbardhëllimi më gjeti zgjuar: një mëngjes i bukur dhe i kthjelltë, një veri i lehtë dhe i ftohtë. Me zërat e këndezëve po përzjeheshin hingëllimat dhe zërat e kuajve. Bëmë hesap me hanxhinë dhe u nismë. Hesapi s’është i gjatë se në këtë han të bekuar, veç kashtës dhe elbit s’gjendet gjësend tjatër.
Tani karvani është fare i madh, jemi më tepër se njëzet kuaj.
Shokët e mij janë delegatët e Manastirit (zoti Gj. Qiriazi dhe zonja P. Qiriazi), delegatët e Ohrit dhe të Strugës (Hamdi dhe Abdullah Beu) dhe delegatët e Korçës dhe të Skraparit me të cilët u bashkuam në han të Qukësit; Orhan Beu, Idhomeno Kosturi dhe Abdullah Beu; bashkë me këta dhe Osman efendi Zhuraja, bashkëdelegat i Selanikut, Baki efendi Berati, shok i udhës dhe zot i fjalës.
Quksi është një fshat i përndarë, çdo shtëpi /është/ një nishan dyfeku larg nga njëra-tjatra; këtu rri dhe një mydir , disa xhandarë dhe një telegrafçi, po që të tërë kanë zënë dhoma në han të ri. Duke parë sa shumë punon kjo udhë dhe sa i lig është hani, njeriu kupton se me të vërtetë në këto vende të varfra jeta dhe shëndeti i njeriut s’kanë fare /…/ një Shkumbini atje poshtë, dhe më tej malet e mëdhenj të Çermenikut: pamje vërtet fort të bukura dhe plot ëmbëlsi; edhe mejtohem, pa dyshim njerëzja këtu është mbytur në moskamje, në padijë dhe në egërsi, po këta pyje mund të na japin një begati dhe ato male mund të ushqejnë me mijë dhen dhe lopë. Shkojmë nga fshati Çura, ca shtëpi të përndara dhe ca ara të varfra: shtëpitë janë si varre të zes, pa penxhere, pa dritë, pa erë. Njerëz nuk sheh gjëkund, thotë njeriu, se këto ndenjtje janë pa frymë.
Më tej shohim Dardhën, një fshat tjatrë, jo më i mirë se Quksi dhe Çura.
Këtu bashkudhëtari ynë, Hamdi Beu nga Ohri, më rrëfen një shkëmb, një gur i lartë dhe i vetëm, brenda në drurë: këtij shkëmbi edhe sot fshatarët i thonë gur i Skënderbeut. Kujtimi i trimit të madh qenka më i gjallë në fshatra e në male, sesa në qytete!
Më të djathtë, atje tej mbi malet e Çermenikës, shoku ynë, Osman Efendiu, na rrëfen një shkëmb më të madh, gur i Muzaqit, përmbi katundet Neshta dhe Zdransha: më ato anë dukërkan dhe ca kisha e fortesa të gërmadhosura, dhe qenkan gjendur gjëra dhe monedha (para) të vjetra.
Pas katër orë e gjysmë edhe arrijmë në Babja ku në një han dhe një gjurrëz anë udhës po na presin që të hamë drekë.
Poshtë Babjes, anës tej Shkumbinit po shohim çadra ushtarësh: këto janë çadrat e ushtarëve që punojnë në udhë. Pesëqind ushtarë nga ata që bënë trubullimin e 31 marsit në Stamboll janë dërguar këtu që të punojnë në udhë: tani udha, duke nisur nga Ura e Quksit, do të shkojë buzë Shkumbinit më anë të djathtë, dhe jo nga shkëmbenjtë dhe nga malet e Çuras dhe të Babjes, sikundrë që ish shënuar herën e parë. Udha sot gjer në Babje ka arritur dhe pandehet /mendohet/ se në vaftë kështu, gjer motin që vjen do vejë në Elbasan: nga vijë e re udha do të jetë më e mirë se s’ka të përpjetë e të tatëpjetë.
Një ngrënie e lehtë, ca bukë, ca mish, një ujë i ftohtë për ne, dhe ca bar kuajve na ep fuqi ne dhe kafshëve. Udha prap nis gazmore, se rreth nesh çdo gjë që shohim na gëzon sytë dhe shpirtin, jo se është zbukuruar prej dorës së njeriut, po një bukuri e egër, një bukuri pa fitim për këtë njerëzi.
Mbi udhë shohim ca gurë që më ngjajnë me serpentit dhe mejtohem se në ato vende do të ketë dhe metal kromi: kushedi mbase një ditë do të jetë një burim begatije dhe lumturije.
Me shokun e afërm, zotin Idhomeno, po kuvendojmë mbi nevojat e mëdha që ka vendi ynë për udhë që të mundim të lëvrijmë dhe të punojmë. Po mejtohemi se kjo udhë e re në mes Manastirit dhe Elbasanit, duke u zgjatur gjer në Durrës, do të çeli një rrugë të re dhe të lehtë: kjo udhë, duke u bashkuar dhe me Korçën, do të sjellë një lehtësi të madhe në tregti të Shqipërisë së Mesme: sot plaçkat e Triestës vinë prej Selanikut me udhë të hekurt në Manastir; po ahere do vinë drejtpërdrejt nga Durrësi dhe do bëhet një ekonomi e madhe.
Po, dhe shumë dobi e lehtësira do kemi kur të mundim të punojmë me automobilë mbi këto udhë: ahere një udhë dy ditësh do bëhet një gjysmë dite dhe automobilët do jenë si gjysmë udhë të hekurta.
Duke kuvenduar kështu po harronim kohën, kur përnjëherë një shok na thirri nga prapsmi: këtu duhej që të zbrisnim nga kuajt dhe të ecim më këmbë, se ish një e tatëpjetë e keqe. Ndodheshim në një vend që i thonë Brinjë e Polisit dhe me të vërtet u zbritmë kafshëve, se në Shqipëri më të rrallë mund njeriu që të udhëtojë një ditë të tërë pa u shtrënguar që të zbresë nga shala.
Kjo e tatëpjetë mund që e lodh pak njerinë, se është tërë gurë dhe ferra, po shpirti kënaqet me një pamje të çudiçme: Shkumbini me gjarpërimet e tij dhe me të dy anët e gjelbëra vërtet bën një tabllo të rrallë dhe të çudiçme.
Tani jemi te Ura e Haxhi Beqarit, një urë e gurtë bërë dyqint vjet më parë. Atje kafshët dhe njerëzit çlodhen pak: të parët pinë një kafe, të dytët ujë në lumë.
Nga ura shkojmë më të djathtë të ujit. Paskëtaj kemi një udhë shesh.
Kur arritëm në Rrapin e Vojvodës gjejmë shumë njerëz nga Elbasani që na kishin dalë përpara bashkë me Dervish Benë.
Një fjalë mirëserdhjeje prej pritësit dhe një fjalë ngjatjetimi prej nesh, dhe gjithë më këmbë hyjmë në qytet drejt në Klubin “Bashkimi”, ku na pret dhe një shumicë tjatrë.
“Lirija”, Nr. 63, f. 2-3.
Selanik, 21 vjesht’ e tretë 1909