KOKA
Emri i Mërkur Buas ka gjasa të mos harrohet asnjëherë.
Dihet se harresa është një pastrim dhe dlirësi e historisë. Data dhe ngjarjet, heronjtë dhe antiheronjtë, njerëzit e jashtëzakonshëm por dhe ata të rëndomtët përballen më shumë me harresën dhe shpërbërjen. Sipas një koncepti kimik kemi të bëjmë me një proces distilimi.
Lavdia është përherë tekanjoze, duket se është e pavarur nga vetë heronjtë, madje shumë shpotitëse, ngatërrestare dhe komplotiste ndaj tyre.
Por në rastin e Mërkur Buas shpresoj se lavdia do të jetë më tepër një mirëkuptim, këndellje dhe hedonizëm i qartë.
Mërkur Bua lindi nga një familje shqiptare në shek. XV-të, në qytetin Nauplion, në brigjet e Moresë në Peloponez. I ati i tij, Aleksi, qe stradiot, luftëtar me pagesë.
Kur Mërkuri ishte 14 vjec i ati e mori me vete në Itali. Aty, për shkak të forcës fizike dhe inteligjencës së tij të paparashikueshme dhe të lëvizshme, mori famë si një luftëtar kokëshkretë dhe i pafrikshëm, madje u bë gjeneral i stradiotëve.
Bëmat e tij janë të pabesueshme.
Luftoi në tërë Europën, herë u shërbente venedikasve, herë francezëve dhe herë spanjollëve.
Në vitin 1507 sulmoi qytetin e Gjenovës, ku i preu kokën Dogjit të Madh të Gjenovës, Paulo Di Novi. Pas kësaj kaloi në Flandër, në Bovari. Dikur në shërbim të Venedikut, mbas shumë vitesh i provoi armët e tij të përgjakshme kundër Venedikut. Ai mori me sulm kështjellën e Kueros dhe atë të Feltres.
Në 1513, me kalorësit e tij shqiptarë, Mërkur Bua u vu përsëri në shërbim të Venedikut. Gjatë një beteje të tij të Batalies zuri rob një djalosh spanjoll, mendjelehtë, por nga një familje e lartë aristokratike që quhej Karvajal. Në rrethana misterioze Karvajali u arratis, me të vërtetë e kishte liruar vetë Mërkuri për shkak të një zemërgjerësie të papritur.
Në 1516 mMërkuri korri një sukses të shkëlqyer, në afërsi të Veronës zuri rob një repart të madh spanjoll prej 600 vetësh. Por në 1521 Duka i Mantovës arriti ta kapë rob atë vetë. Mërkuri arriti të arratisej nga burgu.
Në 1527 ai u dallua në betejën e Bergamos. Pas kësaj, fama e tij u bë aq e madhe sa përherë gati i fitonte të gjitha betejat.
Disa kronikanë italianë kanë shkruar disa hollësira biografike për Mërkur Buan. Ai qe martuar me një shqiptare, Maria Bokalin, e veja e një shoku të tij të armëve. Maria qe disa vjet më e madhe në moshë se Mërkuri. Ajo ishte e bija e Katerina Arianitit, motrës së gruas së Gjergj Kastriot Skënderbeut
Në 1524, kur Maria vdiq, Mërkuri i bëri një funeral luksoz në kishën e Shën Vasilit, ku i bëri vajtime të mëdha dhe arkivolin e shoqëronin 32 klerikë jezuitë.
Pas një viti Mërkuri u martua me të bijën e një patrici, Alvise Balbi, i cili pretendonte se kishte lidhje gjaku me shenjtorin Shën Zulian të shek. XIII-të, kulti i të cilit qe shumë i përhapur në Itali.
Mërkuri kishte një pronë të tij në Trevizo. Kish filluar të plakej po qe ende i fuqishëm. Paratë e fituara i shpenzoi për të ndërtuar një pallat të madh prej mermeri, të cilin e zbukuroi me piktura që festonin dhe tregonin veprimtaritë e tij.
Thuhet se vdiq mbas vitit 1539. Ai pati një djalë të ligjshëm, i cili quhej gjithashtu Mërkur. Por gojët e këqija thonë se pati dhe 10 fëmijë të tjerë të paligjshëm, meshkuj dhe femra, të cilët, derisa i ati mbylli sytë, i ndihmonte dhe tregonte për ta një dashuri të madhe.
Kjo jetë prej luftëtari, më saktë prej mercenari, qe vërtet e zulmëshme por dhe fare e kotë. Kureshtarët mund të fantazojnë, skeptikët kuptohet që heshtin. Vërtet Mërkuri qe një Bua ( Buall), kishte një fizik të madh dhe forcë të jashtëzakonshme. Dinte të luftonte me të dyja duart. Sidomos dinte të mos mposhtej. Ai i ndërronte padronët sa herë të donte. Kjo nuk e shqetësonte aspak.
Në fund të jetës Mërkur Boa mbante titullin e kontit.
Ngjarja që e bëri më rezistent emrin e tij ndaj harresës lidhet me një skulpturë. Në pallatin e tij Mërkur Bua në fund të jetës pati disa prirje meditative, krejt të pazakonta me jetën luftarake. Një farë bashkatdhetari i i tij, i lindur në ishullin e Zantes, me emrin Zane Koroneu, me afshe mistike (donte të bëhej murg por pastaj ndërroi mendje), i kushtoi Mërkur Buas një poemë shumë të gjatë në një gjuhë greke vulgare të tmerrshme, plot plagjiatura të silimitudave homerike, me shumë fjalë shqipe, madje dhe arabe.
Libri u botua dha pavarësisht nivelit artistik mesatar ose të dyshimtë, për arsye të pashpjegueshme pati një bum leximesh në Itali. Ky lloj poeti vdiq nga tuberkulozi, s’dihet se ku është varrosur. Poema në fjalë e mistifikoi më shumë figurën e Mërkur Buas.
Ai gati u bind se ishte me të vërtetë dikush, një qenie e përkëdhelur nga fati. Fati dhe lavdia nuk janë e njëjta gjë. Këtë Mërkuri e kuptonte. Trupi i tij prej vdekatari do të shpërbëhej një ditë sepse vdekja është e pashmangshme.
Atëherë luftëtari i vjetër mendoi diçka ambicioze. Ai arriti të gjejë një artist të panjohur me emrin Agustino Busti, i njohur më pas me mbiemrin e dytë Bambaia, kur u bë i famshëm, për t’i gdhendur skulpturën e vetvetes.
Kjo skulpturë do të ishte skulptura funebre e Mërkur Buas.
Skulptura ruhet dhe sot në kishën Santa Maria Maggiore dhe ka një pllakë përkujtimore lëvduese. Por si është e vërteta e skulpturës?
Në qytetin Pavia, në rininë e tij, Mërkur Bua kishte rrëmbyer disa vepra arti, midis të cilave dhe një skulpturë të perëndisë Mërkur. Skulptura qe e mrekullueshme, e stilit rilindas, rizgjim i skulpturës antike greke. Pikërisht këtë skulpturë shqiptari e deshi më shumë, ndonëse shija e tij artistike qe e vagullt dhe aspak profesionale.
Por ai s’çante kokën për këtë.
Ai e thërriti artistin Agustino dhe i tha t’ia hiqte kokën skulpturës së perëndisë Mërkur dhe të montonte mbi të kokën e tij të skulpturuar prej shqiptari. Dhe kështu ndodhi. Shumë historianë të artit italian e përmendin skulpturën në fjalë.
Ata habiten nga stili eklektik, por parafytyrimi i tyre nuk arrin t’i çojë në arsyetimin logjik se koka është diçka e montuar në një trup tjetër, se kemi një mënyrë arrogante por dhe të mençur për të bashkuar kokën e një personazhi historik të shek. XVI, për më tepër të një shqiptari të frikshëm ndonëse fitimtar, me trupin e një perëndie, që në mitologjinë klasike përfaqësonte Lajmëtarin të urdhrave dhe dëshirave të perëndive olimpike
Megjithatë koka është origjinale. Është koka e Mërkur Buas.
Ai kishte qenë njeri i vërtetë gjatë jetës, s’mund të mos ishte i vërtetë dhe pas vdekjes. Me shpatën dhe armët e tij ai kishte lëvizur, bërë dhe zhbërë shumë ngjarje të historisë, sipas një anarkie të brendshme dhe misterioze të racës së vet, por kjo nuk qe e mjaftueshme për të mos vërshuar mbi të harrimi i zi dhe gërryes.
Atë që mund të mos e arrinte me artin strategjik, me anë të luftës së pamëshirshme, Mërkur Bua, pa qenë as njohës i artit, as estet dhe as njeri i ditur, e arriti habitërisht me anë të shpikjes së tij të pafytyrë dhe të një krenarie të rëndë.
Ai vendosi kokën e vet të skulpturuar me gjithçka.
Kafka e tij e vërtetë ka humbur, ashtu si dhe eshtrat . Skulptura e dyfishtë mbart të fshehtën nuk u harrua.
GRATË KALORËSE
Në vitin 1081 një flotë e madhe normanësh zbarkoi përballë mureve të kështjellës së fuqishme të Durrësit. Normanët i udhëhiqte princi Robert Guiskardi, një burrë afro 2 metra i gjatë, muskuloz, me sy të vëngërt dhe me një mjekër të gjatë të përhapur mbi gjoksin e tij në ngjyrë të kuqërremtë. Flokët i mbante të thurura me gërsheta.
Qe i vrazhdë, i shpejtë dhe nuk e njihte mëshirën.
Perandori Aleks i Parë Komnen i Bizantit erdhi me një ushtri të mbledhur me shpejtësi nga të katërta anët e perandorisë në ndihmë të banorëve të Durrësit në 15 tetor 1081.
Në gardën e tij ai kishte marrë shumë ushtarë anglosaksonë, të cilët i kishin braktisur ishujt britanikë, kur normanët në betejën e Hastingsit i kishin pushtuar plot tmerr të vërtetë ishujt britanikë. Anglosaksonët u futën në shërbimin e perandorit të Bizantit, ata qenë luftëtarë trupmëdhenj, arma e tyre kryesore qe sëpata e hekurt dytehëshe, tepër e rëndë.
Trupat bizantine u ndeshën me ato normane në veri të qytetit, mes një fushe të ulët qarkuar nga kodra plot pyje.
Pikërisht në këtë vend anglosaksonët e gardës perandorake u sulën me furi duke bërë masakër mes normanëve. Ishte kjo një hakmarrje ndaj disfatës që kishte ndodhur në ishujt britanikë, ku sundimi norman gati ndryshoi gjithçka.
Në kohën kur kalorësit norman po zbytheshin të tmerruar befas ndodhi një çudi.
Gruaja e Robert Guiskardit qe një princeshë longobarde e quajtur Sikelgaita.
Ajo ishte 23 vjeç me një trup të hajthëm por të gjatë dhe mbante flokë të verdhë deri në afërsi të brezit. Ajo qe një kalorëse e jashtëzakonshme, e përdorte shpatën me lehtësi të papërshkrueshme.
Pikërisht Sikelgaita, në çastin e rrëmujës, e hipur mbi kalin e saj të bardhë, gjithashtu një kalë gjigant, ulëriti me fjalë, u dha kurajë normanëve dhe e papërmbajtur u hodh në sulm.
Shumë herë e kam lexuar fragmentin që e tregon këtë ngjarje në librin “Aleksiada”, të shkruar nga princesha Ana Komnena, bija erudite dhe murgeshë e perandorit Aleksi I-rë Komnen. Ana Komnena shënon: “Kur i pa të vetët t’ia mbathnin, Sikelgaita iu drejtua atyre me fjalë të denja për Homerin: “Ku keni ndërmend të shkoni?Qëndroni dhe tregohuni burra!” Dhe kur ata vazhdonin t’ia mbathin ajo morri një heshtë dhe iu qep nga pas për t’i goditur. Kur e panë kështu, ikanakët morrin zemër dhe u kthyen të luftojnë.”
Pse vallë kjo kalorëse e tërbuar e pati këtë hov trimërie? Tek normanët ajo gëzonte famën e një hyjneshe, ashtu siç janë valkirët. Është shumë e rrallë në seksin femër të kishte në krejt Europën e shek. XI-të një grua kaq të bukur, shtatmadhe dhe të fuqishme.
Ajo s’ngjante me asnjë nga gratë e kohës së vet. Qe një qenie e rrallë, çudi e racës njerëzore.
Ajo luftoi së bashku me të shoqin e saj, Robert Guiskardin, kudo që ai shkoi. Robert Guiskardi pati një fund të papritur. Ndërsa lundronte me anije disa vite më vonë drejt ishullit të Qefalonisë, ky luftëtar gjigant u ligështua dhe e zunë ethet.
Qe infektuar nga murtaja.
Anija ndaloi në një nga gjiret e ishullit dhe trupin e sëmurë të Robert Guiskardit e vendosën në tokë. Mbi krye i rrinte Sikelgaita, e cila kur shihte të shoqin që po humbiste fuqitë qante me të madhe, dhe kur ai mbylli sytë përgjithmonë në 17 korrik të vitit 1085, Sikelgaita shpërtheu me ulërima, morri shpatën dhe preu flokët e saj të mrekullueshëm, për të shprehur kështu dhimbjen e saj.
Ajo nuk u martua më përsëri. Në të vërtetë nuk dihet sesi ka vdekur. Nuk dihet nëse është vrarë apo ka mbaruar në vetmi.
Por, gjestet e saj mbetën në kujtesën e shekujve.
Mbas disa qindra vjetësh, në vitin 1610, një prelat kishtar, arkipeshkv i Tivarit, i quajtur Marin Bici, vizitoi dioqezat e Shqipërisë dhe përpiloi për Papën Pali V-të një relacion të gjatë në latinisht që është gati sa një libër prej 200 faqesh.
Marin Bici qe një teolog i shquar, por ai ndërmerrte udhëtime dhe aventura që mund t’i kushtonin kokën.
Ai nuk kishte frikë të ecte në trojet e pushtuara nga osmanët dhe t’i takonte dhe t’u jepte shpresë shqiptarëve të rënë në një çoroditje të madhe.
Të pafundme janë hollësirat dhe detajet e përshkruara në relacionin e habitshëm të Marin Bicit. Ai përshkruan gjendjen e kishave, stilin e afreskeve të tyre, mjerimin dhe injorancën, islamizimin e shqiptarëve.
Ai shkruan me dhimbje të pakufishme për këta pasardhës jetima të Gjergj Kastriot Skënderbeut. E kam shfletuar shumë herë këtë relacion.
Mes të tjerave është dhe një fragment befasues.
Marin Bici shkruan për një grua të re shqiptare në qytetin e Shkodrës, e cila quhej Fatime, qe gruaja e Dusli Agës, i cili kishte pasur për shumë kohë zyrën e Eminit të Sulltanit të Madh.
Marin Bici qe tmerruar nga kjo grua e cila qe një kalorëse e papërshkrueshme.
(Ai shënon se kjo grua megjithëse ishte e re dhe me pamje fisnike dhe shumë të bukur, ishte jo më pak e egër dhe e tmerrshme, përtej instinktit femëror.
Që e vogël kishte mësuar të përdorte armët, të kalëronte mbi kuaj të egër si asnjë luftëtar tjetër, dhe, në vrapim e sipër sulej me hov duke rrotulluar në ajër një topuz hekuri dhe duke e pritur në dorë me shumë shkathtësi dhe hijeshi)
Shqiptarja me emrin Fatime iu afrua Marin Bicit dhe i tha se para ca kohësh kishte lindur një vajzë dhe prelati papnor duhej t’ia pagëzonte sipas riteve të krishtera.
Marin Bici u gjend ngushtë.
Ai s’mund ta bënte këtë gjë për një grua shqiptare të pafe, sepse vetëm fëmijët me prindër të krishterë mund të pagëzoheshin. Kjo ishte e drejta e kishës dhe e rregullave të saj.
Por kur dëgjoi këtë gjë, shqiptarja u tërbua, klithi si e çmendur, ngriti lart shpatën dhe u bë gati ta çante në dysh Marin Bicin e mjerë.
Ajo mund ta bënte lehtësisht këtë gjë. Askush nuk mund ta ndalonte. Qe e pamundur të ndalohej kjo krijesë me bukuri të rrallë, që të kujtonte amazonat luftëtare dhe kalorëse të shekujve të zanafillës që kishin fuqi të bënin gjithçka.
Kur shqiptarja ngriti shpatën, prelati ngriti kryqin.
Atëherë femra e tmerrshme e goditi me tehun e shpatës dhe ia hodhi kryqin tutje. Një skenë blasfemike.
Pas kësaj, kur nuk pritej, ajo i ra në gjunjë dhe iu lut përsëri me zë të drithëruar që t’ia pagëzonte fëmijën.
Prelati i tmerruar nuk u përgjigj.
Shqiptarja ulëriti përsëri dhe si e marrosur u hodh mbi kalin e saj me shkathtësinë e një pantere dhe nisi të kalëronte rreth e qark për një kohë të gjatë si në një vorbull makthi dhe dhimbjeje të pafund. Pastaj u zhduk.
Sa herë e rikujtoj këtë ngjarje nuk më bie ndërmend fare fakti se ka ndodhur në Shqipëri pikërisht në fillim të shek. XVII-të. Njerëzit janë të individualizuar, të papërputhshëm me njëri tjetrin.
Por diçka e demonëshme gëlonte në vetëdijen time duke bërë një lidhje midis kalorëses longobarde Sikelgaita në shek XI-të dhe kalorëses shqiptare 6 shekuj më vonë. Të dyja zemërake dhe të papërmbajtura.
Të dyja të bukura, krejt të pakrahasueshme me femrat bashkëkohore.
E para qe e gatshme për çdo sakrificë për hir të të shoqit.
E dyta kërkonte të arrinte me çdo kusht dhe mënyrë të dhunshme pagëzimin e fëmijës së saj në fenë e krishterë, ndërkohë që dhe ajo edhe i shoqi qenë myslimanë.
A thua kishte në këtë ngulm të hatashëm thjesht një bestytni që pagëzimi, që nuk e njohin myslimanët, qe gjithsesi një mbrojtje hyjnore për të gjithë fëmijët pa përjashtim në botë.
Paradoksi qëndron se kalorësja shqiptare me emrin Fatime nuk e kishte fare të nevojshme për mjedisin e saj të kërkonte një pagëzim, në fund të fundit një ceremoni normale, që sipas historianëve të feve ka qenë një ceremoni më shumë pagane sesa e krishterë.
Pse vallë shqiptarja e kërkoi këtë gjë?
Arsyet janë të pashpjegueshme dhe do të mbeten të tilla përgjithmonë.
Aq më tepër duket sikur çdo lidhje virtuale midis dy grave kalorëse është më tepër një trill apo sajesë e nëmur e shkrimtarëve. Ata i lëvizin faktet sipas një kaleidoskopi, duke abstraguar deri aty ku zhduken kufijtë tradicionalë të çdo kuptimi.
Në shikim të parë duket se absurdi i hedh poshtë dhe i kërcënon të gjitha metaforat. Por absurdi nuk shpjegon dot vetveten dhe kjo shterpësi është përherë rutinore dhe nuk kënaq asnjeri.
Sidoqoftë të dyja gratë kalorëse ishin trupa të ndryshëm por ndoshta të një shpirti të vetëm.
Figurat e tyre rrotullohen dhe vërtiten egërsisht dhe mrekullisht në sfonde të ravizuara gjeografike, janë pamje konkrete të një lëvizjeje triumfuese por njëkohësisht kanë dhe vetinë e abstragimit të figurave, ku përfaqësimi i emrave nuk ka asnjë rëndësi.
Ato janë shpalosje karakteresh, pasionesh të mëdha.
Ato i mbushin me bujë strukturat e rrëfenjave por dhe dalin, arratisen jashtë tyre sepse janë të pambërthyeshme, të pambyllëshme dot, të pakapshme në asnjë çark, janë substanca e lirisë së pamatë njerëzore, që e grish dhe e tmerron çdo kronikë historike.
FORMULA MAGJIKE
Kam në bibliotekën time disa libra për Kabalën.
Madje dhe një botim të shek. XVII-të, të botuar në latinisht me shkronja gotike në tipografinë hebraike të Amsterdamit.
Këtë libër ma ka dhënë miku im, koleksionisti nga Elbasani, V. K.
Dihet se në Elbasan ka qenë një sinagogë dhe një komunitet hebrenjsh që në mesjetë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore sinagoga u shkatërrua, librat e Sinagogës humbën, u dogjën ose u grabitën. Ksombla që kam unë tashmë në dorë është një botim i plotësuar i tekstit fillestar të Kabalës, që në origjinal është shkruar hebraisht që në shek. IV.
Shumica e faqeve janë komente inteligjente, hetime dhe pandehma profetike të rabinëve eruditë.
Gjithashtu e kam dhe librin e famshëm të historianit të madh të shek. XX-të, Gershom Shalom, mbi Kabalën si matricë mendore të njerëzimit, të vërtetat dhe spekulimet e furishme dhe të pandalshme ndaj saj.
Kur isha më i ri përvëlohesha në vetvete për të kuptuar pikërisht ato që ishin gjërat më të pakuptueshme të botës.
Sipas kabalistëve, të 24 gërmat e alfabetit hebraik janë të shenjta, kombinimi midis tyre, gjetja e një rendi të renditjeve të përputhura por jashtëzakonisht të rralla, bëjnë të mundur që të krijohen formula të tilla të plotfuqishme sa mund të krijohet edhe njeriu kabalistik, i quajtur Golem, i cili është krejt i ndryshëm nga ideja e klonimit e inxhinierëve revolucionarë të gjenetikës moderne të sotme
Kuptohet që thelbi i Kabalës është laboratori universal i shkronjave, për këtë arsye shkrimtarët janë jo aq kabalist ortodoks sesa heretik.
Të gjitha këto që thashë më sipër mund të mendohen me nge sidomos kur je në gjendje të plogët dhe të përfshin një skepticizëm për bëmat dhe marrëzitë njerëzore.
Shumica e njerëzve (e njerëzimit) prirjen intelektuale të kabalistëve e kanë tjetërsuar në formën e ethshme të lojërave të pokerit dhe të fatit, të fitimit të çmimeve për garat e kuajve dhe të automjeteve të sofistikuara.
Një ditë ndërsa rrija i vetmuar mes librave të mi e gjeta një vëllim të madh, botim shkencor akademik, ku ishin përkthyer në shqip dhe përfshirë relacionet e kishtarëve të lartë të Romës ku përshkruanin shtegtimet dhe aventurat e tyre për të njohur gjendjen dhe situatën reale të Shqipërisë në shek. XVII-të.
Në faqen 103 ishte dhe relacioni me numër 28, i shkruar nga nënprefekti i misioneve katolike në Shqipëri, i quajtur fra Kerubini.
Relacioni qe shkruar në italisht dhe mbante datën 27 mars 1638.
Relacioni i kalonte të 99 faqet. E rilexova gati mekanikisht.
Fra Kerubini kishte stil dhe nuk di pse më kujtonte një lloj reportazhi si ai që ka përdorur Herodoti kur përshkruan vizitën e tij në Egjipt.
Befas në faqen 90 lexova një fragment ku fra Kerubini përshkruan bestytnitë popullore të shqiptarëve të veriut, sidomos për vampirët. Shqiptarët besonin se të vdekurit që brenda varreve mund të ngriheshin natën në formën e vampirëve.
Kerubini i tmerruar thotë se për ta parandaluar këtë transformim të llahtarshëm, shqiptarët i hapnin varret ku dyshonin se të vdekurit mund të shndërroheshin në vampirë dhe i copëtonin me sëpata dhe thika trupat e të vdekurve gjysmë të kalbëzuar.
Kerubini nuk arrinte dot ta kuptonte këtë marrëzi.
Pothuaj të gjithë shqiptarët ishin analfabetë dhe me një varfëri të skajshme. Në një fshat (Kerubini nuk e thotë emrin e fshatit) befas njoh me një rit të çuditshëm që përdorej nga populli.
Njerëzit gatuanin disa bukë katrore prej meli dhe mbi to shkruanin fjalët Satan arepo tenet opera natas, secilën fjalë e kornizonin pastaj në bukë të tjera të njëjtat fjalë renditeshin në një mënyrë tjetër, ndryshohej rendi i fjalëve, duke bërë që mbi bukët të mbeteshin jo një por disa formula.
Fra Kerubini, i mahnitur deri në lebetitje, shkruan se riti i këtyre fjalëve për shqiptarët kishte një fuqi magjike për t’i shpëtuar nga sëmundjet e rënda vdekjeprurëse dhe mund të shëronin dhe të sëmurin më të pashpresë.
Kurse për kafshimin nga qentë e tërbuar shqiptarët zgjidhnin disa lloj mizash, të cilave ua prisnin kokat me anë të një monedhe të vogël argjendi me fytyrën e Shën Gjergjit, prej tyre bënin një lloj pijeje që ua jepnin të kafshuarve për t’i shpëtuar prej tërbimit.
Duke e rilexuar këtë fragment të mësipërm mbas kaq kohësh, u rigjallërova me një vrull të qenies.
Jo më kot kisha lexuar gjithë ato libra.
Jo më kot kisha humbur vite të tëra për të lexuar dhe shkrimet më të pabesueshme
Jo më kot isha vërtitur dhe kisha përplasur kokën mbas shumë lloj enigmash, shumica e të cilave nuk mbartin asnjë lloj shenjë jete.
Por ama diçka dija, sidomos nga libri i Gershom Shalomit për katër fjalët enigmatike, që fra Kerubini i kishte gjetur në një pikë të thellë dhe absolutisht të vetmuar të maleve shqiptare, aq më tepër në një vend ku banorët nuk dinin as shkrim dhe as këndim.
Të katërta fjalët ishin të njohura në mesjetën evropiane në rrethet e kabalistëve.
Ato formonin të ashtuquajturin “katror magjik”, që bashkon anagramën dhe palidromin si më poshtë:
| S | A | T | O | R |
| A | R | E | P | O |
| T | E | N | E | T |
| O | P | E | R | A |
| R | O | T | A | S |
Ja disa sqarime për tabelën e mësipërme: Fshatari (ai që mbjell) Arepo (emër njeriu) drejton me dorën e tij (me punë) plugun (rotas).
Përkthimi fetar është: Zoti (Sator) zotëron (tenet) krijimin (rotas), punët e njerëzve (opera) dhe prodhimet e tokës (arepo do të thotë plug).
Fjalët mund të lexohen në fillim në drejtim horizontal dhe vertikal në katër mënyra. Prej këtyre pak germave ndërtohen 13 fjali anagramatike (në latinisht).
Me anën e bashkimit të dy fjalëve “tenet” në mes, formohet një kryq.
Me anën e një lëvizjeje shahu (lëvizja e kalit) formohen fjalët “Pater noster” dhe AO, që përfaqësojnë monogramin e Krishtit etj, etj., dhe duke shtuar Alfa dhe Omega (në germa latine), përftojmë:
A
P
A
T
E
R
A P A T E R N O S T E R O
O
S
T
E
R
O
Duke e riparë me vëmendje gjithçka sidomos komentimin e këtij “katrori magjik”, gjë që përbën një shëmbëlltyrë klasike në të gjitha librat që janë marrë me shpjegimin e katër fjalëve me mundësi renditjeje të ndryshme, qoftë në boshtin vertikal, ashtu dhe në boshtin horizontal, ku spikat ideja e krishterë se në fund të fundit të gjitha germat mund të japin dy herë A PATER NOSTERO (për Zotin tonë), vura re se kishte një shmangie.
Në rastin e dëshmisë së fra Kerubinit për ritin tek shqiptarët e paditur në vend të fjalës SATOR ishte fjala SATAN, rrjedhimisht e njëjta fjalë mbrapsht jepte NATAS.
Pra kjo e prishte rregullin e “katrorit magjik”.
Fjala SATAN lidhet me Djallin. Pse ky variant ndryshe?
E vrava mendjen por u ngatërrova më keq dhe misteri në vend që të zhbëhej bëhej më i mbyllur në vetvete.
Dija se edhe Dante Aligeri në këngën e 7-t te Ferrit përmendte në një varg të tij fjalët kabalistike “PAPE SATAN ALEPPE”.
Tërë dantologët e fandaksur të botës nuk i kanë shpjeguar dot këto fjalë.
Ndonjëri është mbërthyer mbas pandehmës se ndoshta këto janë fjalë të gjuhës të kohës së Nembrotit, që i dinin të gjithë njerëzit që donin të ndërtonin Kullën e Babilonisë, si sfidë dhe rebelim ndaj Zotit, por Zoti dihet, e prishi gjuhën unike të zanafillës dhe u dha atyre 72 gjuhë njëherësh, në mënyrë që të mos merreshin vesh dhe kështu ndërtimi i makabshëm u la përgjysmë deri në ditët e sotme.
Duke iu rikthyer përsëri e përsëri fragmentit të padyshimtë të fra Kerubinit unë nuk kisha asnjë fuqi të mos besoja se ai kishte treguar një ngjarje të vërtetë dhe një rit real.
Por shumë pikëpyetje më sfilitnin.
Si ka mundësi që shqiptarët ta përdornin ritin e katër fjalëve, të cilat ata dhe nuk i njihnin?
Mos vallë ndonjë rabin ose një grup hebrenjsh, për shkak të persekutimit nga kishat dhe mbretërit e Europës, për të shpëtuar jetën e tyre, kishin mbërritur në malet e mbyllura të Shqipërisë?
Dihet se mbreti i Spanjës, Filipi II, i mbiquajtur Katoliku, i përndoqi dhe i përzuri hebrenjtë nga Spanja dhe ata me shumicë erdhën në kufijtë e perandorisë otomane, përveç të tjerave edhe në brigjet e Vlorës, të Beratit dhe të Elbasanit.
Për këtë gjë flasin disa kronika krejtësisht të besueshme.
Por, është krejt e pakuptueshme që formulat kabalistike të përdoreshin tek malësorët veriorë shqiptarë, shumica e të cilëve vdisnin pa e parë kurrë detin me sy.
Mos vallë të ardhurit, për të shpëtuar nga vdekja, gëzuan mikpritjen e malësorëve dhe u mësuan atyre në mënyrë mekanike të shkruanin mbi bukët prej meli fjalët e pashpjegueshme?
Kush e di tamam të vërtetën?
Jam rrekur për një kohë të gjatë për të shkruar një subjekt për gjithçka që kam thënë më sipër.
I tërë arsyetimi im rrotullohet rreth dëshmisë së fra Kerubinit dhe të njohjes dhe ndikimit në kulturën evropiane të të ashtuquajturit “katrori magjik”.
Katër fjalë në latinisht të përdorura si yshtje dhe mbrojtje ndaj sëmundjeve dhe vdekjes.
Gjithmonë shqiptarët kanë mbijetuar në skajin e ekzistencës.
Ata kanë njohur simbole pagane, kanë besuar në shpirtëzimin e natyrës, ujërave, Diellit, Hënës, në misterin druik të lisave të shenjtë, nën ndikimin e “syrit të keq” etj. Por duket pak e pazakontë që disa shqiptarë në shek. XVII-të.
Larg të gjitha mrekullive të qytetërimit, të arrinin të besonin në bërjen e disa vijave grafike që përfaqësonin germa dhe fjalë, madje të një gjuhe që nuk ishte e tyrja.
Ndoshta për këta shqiptarë këto simbole alfabetike kishin një fuqi ndjellëse dhe shëruese, jo aq për trupat e tyre përherë të kërcënuar, por për shpirtrat e tyre. Ja një pikë ku mund të kapesh dhe të ngrihesh nga çdo lloj rrëzimi logjik.
Ndoshta forma e gërmave mbushet përherë me fuqi kozmike për të gjetur një argumentim të mbramë.
Thuhet se rrëfimi policesk, i ashtuquajtur thriller, ka lindur nga pamundësia e njerëzve për të gjetur të vërtetën.
Në rastin për të cilat, jo pa ngurrim, plot dyshime, unë i kam hedhur këto rahdë të shkruara në letër, koncepti i thrillerit bëhet pashmangshmërisht akoma më i ndërlikuar.
Gjithsesi, fuqia sakrale e fjalëve ka ekzistuar. Kjo s’do të thotë që nuk do të ekzistojë edhe në të ardhmen.
Ndoshta në fjalën SATAN kemi një blasfemi të mllefëshme dhe të pafund. Një herezi si ato që janë gjithmonë kundërshtuese, me një fjalë aktin kryengritës të kryeëngjëllit dikur shumë të dashur për Zotin, të quajtur Luciferr, por që Zoti e dënoi pa mëshirë për shkak të dyshimeve që e cuan në mosbindje. John Milton në “Parajsën e Humbur”, e poetizon Luciferrin dhe në vend të mallkimit i ofron një lavdi prometeike.
Kështu kuptimet përzihen, përplasen, tjetërsohen, për të krijuar një ekstazë intelektuale që e dallon njeriun nga të gjitha qeniet e frymëta ose të pafrymëta.
Çdo lojë intelektuale nuk është e padobishme, qoftë dhe atëherë kur duket sikur nuk ka asnjë kuptim.


















