Natasha Xhelili: Vështrim mbi romanin “Amerikani” të Odise Kotes, ose një amerikan në ferrin komunist shqiptar.

Koncerti për violinë, i luajtur në një sallë imagjinare bosh, me praninë e shpirtrave të artistëve të vdekur, në errësirë të plotë, në kubenë e fshehtë të një ndërtese të sekuestruar, është pamja më e trishtë e romanit “Amerikani” i shkrimtarit Odise Kote. Pjesa që është zgjedhur për koncert, është nga më të vështirat, nga ato që mund të realizohen me talent e me një përgatitje të madhe. Kjo gjë e rrit seriozitetin e shfaqjes, por tregon edhe shprehjen e munguar të artit në një qytet gri të mbuluar nga tisi i mjegullt i misterit.
Janë shkruar mjaft vepra letrare të autorëve të ndryshëm mbi bëmat e regjimit komunist në Shqipërinë socialiste. Asnjëherë nuk do të jenë të mjaftueshme këto dëshmi. Ato kanë mbetur ende plagë e hapur në zemrën e këtij populli që nuk mundi t’u shpëtojë dot prangave të diktaturës për rreth gjysmë shekulli. Ky roman është një gur më shumë në murin e lartë të ndërtesës së dëshmive.
Nuk mjafton dëshmia për një vepër letrare. Ajo që e mban atë në këmbë si të tillë, është gjuha artistike. Metafora, mbretëresha e figurave është edhe mbretëresha e librit. Ajo stolis përfytyrimin tonë dhe të jep magjinë e leximit. Rrëfehet me një gjuhë të pasur e të personalizuar, të përdorur me mjeshtëri nga autori.
Edhe pse i mbushur me ngjarje të dhimbshme e me shfaqje torturash nga më të këqijat, me trajtime çnjerëzore që u bëhen njerëzve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste, libri nuk është i shkruar me gjuhën e urrejtjes. Autori qëndron i ftohtë para ngjarjeve, i përshkruan ato me realizëm dhe fton lexuesin të njohë, gjykojë dhe të vlerësojë ato së pari si një qenie njerëzore dhe së dyti si një qytetar i botës që sheh të shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut. Autori shprehet: “As urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë.” Me këtë moto autori ndërton veprën si të ishte duke ndërtuar ëndrrën amerikane. Nelson Andrea (i shndërruar në Nelo Andrea) paraqet të vërtetën e tij disa herë në libër, megjithëse e kishte të ndaluar. Ai thotë: “Unë jam amerikan” , por e vërteta nuk kishte vend në Shqipëri. Ndoshta prandaj autori i jep dashuri, një dashuri të një lloji të veçantë, të pafjalë, që vetëm jep dhe nuk kërkon shpjegime për ekzistencën. Një dashuri fluide si të ishte dashuruar jo me një njeri të vërtetë, por me një krijesë që vinte nga mitet.
Ngjarja është nga më të pabesueshmet (por jo në Shqipërinë komuniste). Një shqiptaro-amerikan, i larguar në moshë të vogël nga Shqipëria bashkë me babanë duke lënë pas varrin e nënës e njerkën që nuk mund të largohej se kishte nënën plakë e të vetme, kthehet në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të njerkës, për të realizuar amanetin që i kishte lënë i ati, por sa zbret në aeroportin shqiptar, arrestohet, gjykohet dhe burgoset si një spiun. Ai ishte një artist që bënte pjesë në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit. Atij i griset pasaporta dhe mbetet në Shqipëri për më shumë se 20 vjet, për të jetuar në ferrin komunist.
Pamja e jetesës e shoqërisë së asaj kohe shihen me sytë e një amerikani që ka ardhur në Shqipëri bashkë me violinën e tij, të cilën ia ndalojnë ta përdor me ligj. Situata absurde të krijuara gjatë jetës së tij në Shqipëri, mbushen edhe me mite, legjenda, çmitizime që nuk duken shumë ndryshe nga realiteti. Ato përshkohen nga një tis misteri, nga një mjegull që krijohet në mendësinë e njerëzve që herë janë xhelati e herë viktima.
“Amaneti ra mbi të. Sa një mal. Kur erdhi koha e përmbushjes së tij, u nis. Pa pyetur për asgjë. Fluturoi mbi oqean”. Këto fjali i ngjajnë baladës shqiptare , nëna bërtet mbi varrin e Kostandinit dhe ai ngrihet nga varri të shkojë të marrë Doruntinën e t’ia sjellë. Kanë forcën e baladës dhe e çojnë drejt Shqipërisë për të mbajtur amanetin. Errësira nëpër të cilin kaloi Kostandini për të arritur te Doruntina nuk është aq e madhe sa ferri komunist, ku iu desh të kalonte Nelson Andrea. Tingujt e violinës që nuk duhej t’i dëgjonte kush, ishin si zërat e zogjve që shoqëronin në udhëtim motër e vëlla në baladë. A e ka forcën e baladës ky roman që mbështetet te historia jonë komëtare? Po ndërsa Kostandini e mbajti amanetin dhe kthehet e qetë në varrin e tij Nelson Andrea “ngeci” në baladë. Errësira e pushtoi rrugën e tij dhe ai nuk mundi ta mbajë amanetin. Ai lufton për të mbajtur veten gjallë. “I ngjau se ai e kërcënoi: “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të harresës. Fol me të vdekurit njëherë, që të kuptosh më mirë të gjallët e mbijetuar, se do të kalbesh gjithë jetën në këtë burg…” Xhelatët janë të shumtë, ata shfaqen gjithandej, rrinë me kosën e vdekjes në dorë dhe kërcënojnë duke skëmitur dhëmbët. Ata i kanë humbur tiparet njerëzore. Ndërsa shpirti i artistit kërkon pak paqe, ata e çojnë në punë të detyruar e në kushte jojetike, mirësia e tij i drejtohet një shpirti të dlirë si mollëkuqes : “Si t’i bie me këta gishtërinj violinës, moj mollëkuqe?” Shpresa e tij e vetme për të mbijetuar ishte violina. Ajo e mban gjallë ëndrrën e tij dhe vetëm falë saj ai ia doli.
Në libër vrapojnë vazhdimisht fantazmat. Fantazma të vërteta dhe njerëz-fantazma. Ato sjellin lajme, sqarojnë situata të caktura, ndonjëherë janë edhe kobsjellëse. Fantazmat e Odise Kotes janë si kori në letërsinë antike. Ato nuk kanë frikë nga e vërteta dhe e dukshmja, shprehin qartë idetë e tyre, duke qenë përfaqësues të një grupi të madh shoqëror.
“Kur dremitja e ëmbël topitëse i mpiu gjymtyrët, mendjen dhe shikimin, dikush si fantazmë a hije e zezë iu afrua pranë.” Në fakt në atë kohë nuk kishte një ndryshim të madh midis njerëzve dhe fantazmave “Po a ishte vërtet rojtari plak apo fantazma ajo që e ndihu Nelson Andrean të mësojë një pjesë të historisë”. Krijimi i dualitetit është cilësi e këtij libri, ai e vendos lexuesin në dilemë dhe krijon misterin në vepër, në të njëjtën kohë nxit dyshimin, atë dyshim që mban gjallë leximin në një vepër letrare.
Po ndërsa fantazmat enden si personazhe, kufijtë e shfaqjes së tyre zgjerohen e zgjerohen si grotesku i realitetit.“Kur do t’i kapërcente togjet e pafundme të fantazmave e hijeve për të dalë në mbretërinë e dritës?” A mund të dilte në dritë në një vend të pushtuar nga errësira. Çdo rreze drite shuhej pa shpërthyer ende, të gjitha përpjekjet për të dalë në dritë, mposhteshin nga nevoja për ekzistencë. Fantazmat janë pjesë e realitetit, janë njerëzit që këkojnë dritën dhe luftojnë për të.
Në lojën që bën fati me personazhin kryesor, ai ka një udhëheqës, Rako Siranin, pasi i vetëm nuk mund ta përballonte e ta kuptonte diktaturën komuniste. Në fakt më shumë se udhëheqës ai është xhelati i tij, një xhelat për mendjen e tij, që nuk e lë të mendojë dhe mundohet ta brumosë me moralin komunist. “…po i thoshte se qenkësh dënuar prej Kolegjit të bashkuar të gjykatave për të mos e prekur me dorë violinën e tij. Ndalohej me Ligj! Çfarë vendi është ky? Në cilin planet ekziston?” absurditeti i ngjarjeve që sheh në Shqipëri, plotësohet nga ato që dëgjon. Propaganda po mbushte mendjet e njerëzve duke mos i lënë ata të mendonin në mënyrë të pavarur. “Nuk donte të dëgjonte më atë trumbetë propagande, atë çarturi të pafund.” Nelson Andrea, i quajtur Nelo Andrea e gjen një shteg shpëtimi nga gjithë kjo mizori. Ai struket në tingujt e lirë të violinës së vet, megjithëse para se t’i bjerë duhet të mbyll të gjitha dritaret dhe të gjitha mundësitë për ta dëgjuar të tjerët.
Rako Sirani justifikon bukur çdo veprim absurd me të cilin përballet Nelson Andrea. Megjithëse ai kthehet herë pas here në një konfesionale për Amerikanin shqiptar që guxon të protestojë para tij. Ndonjëherë dalin pohime që duken të frikshme, por Rako Sirani e ka fuqinë t’i kapërdijë ato herë me paditurinë e tij, herë me besimin e verbër te ai sistem. “Këtij qyteti i mungon muzika dhe unë dua të ndihmoj”- shprehet Nelo Andrea në zyrën e komitetit të partisë, kur do të paraqesë një këngë të kompozuar nga ai vetë për festivalin e fëmijëve në qytet. Rako Sinani kthen një përgjigje që në fakt është një e vërtetë e madhe “Po a e di që të gjitha vrimat e mureve në qytet janë të mbushura me përgjues, me spiunë, me pyetjet tinëzare: Kush është ky kompozitor i madh? Nga na doli?”
Në vepër krijohet një dualitet edhe përsa i përket besimit fetar. Është koha kur në Shqipëri po prishen kishat e xhamitë, kur nga goja e shqiptarëve duhet hequr fjala “zot”. Autori mundohet ta mbush me heshtje mungesën e kësaj fjale, por përdor pa të keq fjalën djall apo shejatn. “Mbylli një çast sytë e lodhur, dhe u lut: “O… (nuk e përmendi fjalën Zot) më mbro!”, por shprehet pa të keq “Ç’kërkon të arrijë ky shejtan?” apo Sakën! Sakën more djall! I gjithë ky dualitet vë në dyshim edhe Nelo Andrean në besimin e tij. “Përse duhet të të besoj, o Zot?” ose “Bota është e Zotit, thoni ju të asaj Amerike. Le t’i gjykojë Zoti disa gjëra. Po vallë Zoti a e ka mendjen tek unë”. Si mund të ndihet vallë një njeri që pasi i kanë marrë gjithçka, i kanë dhënë një punë të rëndomtë dhe të drejtën e heshtjes dhe të fshehjes së identitetit e talentit të tij?
Të flasësh për njeriun apo më saktë atë çka mbetet nga ai, te personazhi Nelo Andreas, autori përdor një fjali me një fjalë të vetme: kufomë. Në momentin që i morën pasaportën, ai mbeti pa identitet, luftoi për ta mundur fatin e tij , po nuk mundi. “Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij. Si në çdo kimerë, pjesa e pasme e dramës, sado e rëndë të jetë, sjell pashmangshëm edhe komedinë.” Lumturia e Nelson Andreas zgjati pak, ajo bazohej në çastet që ai kalonte në kubenë e fshehtë me violinën e tij. Ai vazhdonte të ushtrohej që të mos e harronte mrekullinë e asaj copëze që kishte nga jeta e mëparshme, por edhe që të harronte jetën me të cilën përballej çdo ditë.
Ai takohet shumë herë me vdekjen, por autori që ka shumë për të treguar për diktaturën, i jep frymë atij për t’i parë ato. “Brenda tij gjithçka kishte shterur. Kishte mbetur vetëm shkretimi. Shkretim në ajëz të lotit.” Streha në të cilën gjen strehim Nelo Andrea është violina e tij Stradivarus që e ka sjellë me vete. Asgjë në Shqipëri nuk i dha ngushëllim të mjaftueshëm, as familja e re që krijoi, as dashuria pa kushte e Pandorës, as fëmijët e tij. Ai duket se është sjellë në Shqipëri si një dëshmitar i jashtëm që vjen nga Amerika, vendi i demokracisë. Diku autori shprehet : “Rrekej të mblidhte shpirtin. Ku dreqin bridhte ai?” sa dhimbje brenda këtyre fjalive. Njeriu lufton deri në fund për jetën, edhe kur ajo i fal hidhërime pa kufi. Jeta është dhurata më e vyer, prandaj takimet me vdekjen Nelo Andreas i japin forcë ta jetoj jetën dhe të mos dorëzohet.
Megjithë pamjet e këqija të realitetit shqiptar Nelson Andrea nuk u tjetërsua. Ai mbeti një artist që e kërkonte dhe e shijonte të bukurën. “I huaji brenda njeriut, ai që zakonisht bën të kundërtën e asaj që mendon e bën ai i zakonshmi, e shtynte të jepej i tëri te mirësia.” Filozofia e ekzistencës së personazhit jepet pikërisht në këto fjali. Artisti brenda tij fitoi mbi njeriun e egër që përfaqësonte në Shqipëri ky amerikan “armik”, ai u drejtua gjithmonë te mirësia.
Duket ironi e fatit që gruaja e tij është shurdhmemece, por në fakt ky është lloji i njeriut që mund të mbijetonte në atë regjim. Me përfundimin e kohës së tij, ajo zhduket pa lënë gjurmë, duke mbetur një shenjë e së shkuarës.
Qyteti i gurtë bëhet ferri i Nelson Andreas. Nw fakt ai ndihet nw ferr qw kur vuri kwmbwn nw Shqipwri dhe autori e vendos si njw banor tw ferrit qw ta njohw sa mw mirw atw. “Papritur mendoi se ai vinte nga ndonjë rreth ferri”. Jeta e re qw po bwnte aty i pwrforcon edhe mw shumw idenw se “S’mund të jesh shenjtor kur jeton në ferr” ai merr violinwn e tij dhe fillon qw t’i bjerw fshehurazi duke luajtur muzikwn e ferrit, atw muzikw qw e bwnte tw harronte se ku ishte, qw shpresonte ta zgjonte nga ai makth qw po pwrjetonte. Kur duket se gjithçka shkoi mirë, ndodh diçka që prish rutinën, që godet përsëri fatin e tij, duke e nisur kalvarin e vuajtjeve në burg nga fillimi. Prapë fatthënat janë aty e paralajmërojnë. Ferri wshtw po aty tw tregojw rrathwt e tij.
Gjirokastra fiton përmasa të tjera, jo shumë ndryshe nga ajo që njohim nga vepra e Kadaresë. Qendra e vëmendjes vendoset në një pjesë tjetër të qytetit, po rutina është po ajo. Qyteti i gurtë e provon përbindëshin e kohës. Ai i nënshtrohet diktaturës e luftës së klasave. Ka në gjirin e vet komunistë e të deklasuar, ka punëtorë të zotë, xhelatë e hetues të tillë, ka plaka që i ndjekin zakonet e përhapin thashethemet. Ka historitë dhe baladat e veta. I tregon ato me mburrje. Tregon edhe variante të tyre duke çmitizuar, duke shpalosur anën tjetër të medaljes, atë që mund të quhet e papranueshme për mendjen tonë, pasi jemi rritur duke lexuar histori të tilla që vështirë t’i pranojmë ndryshe.
Odise Kote shfaqet si një pelegrin i shpirtit njerëzor. Ai përqëndrohet te një personazh i vetëm. Në ateljen e tij ka vetëm që portret në të cilin punohet. Ai e krijon atë pak nga pak duke e vendosur në situata nga më të ndryshmet, nga më të pabesueshmet, duke i dhënë mundësi të shfaqet, duke e plotësuar si portret. Ai nuk ndjek asnjë personazh tjetër, nuk na njeh me situata nw tw cilat nuk ndodhet personazhi kryesor, sepse ia ka lwnw atij barrwn e pwrshfaqjes sw realitetit. Cilësi të personazheve tw tjerw dalin vetëm nga këndvështrimi i tij. Ata mbeten të tillë në sytë e tij, të pandryshuar. Gruaja e Rako Siranit quhet vazhdimisht “shkurre” dhe asnjëherë me emrin e saj të vërtetë, po kështu edhe vetë Rako Sirani dallohet për zgurdullimin e syrit të tij dhe ky fakt përsëritet shumë herë.
Në libër shfaqen edhe notat ekzistencialiste, duke u nisur nga trajtimi i tematikws sw lirisë që trajtohet në roman dhe në kundërshtinë e përvojës njerëzore që përjeton Nelson Andrea në Shqipëri, një përvojë e pangjashme dhe e padëgjuar për të. Gjithashtu duke u nisur nga gjithë këto, njeriut (jo vetëm personazhit në shqyrtim) i mohohen të drejtat themelore për t’i dhënë kuptim jetës e për ta jetuar atë sipas dëshirës.
“Amerikani” është një libër që i jep vlera letërsisë shqipe. Ai është shkruar në një gjuhë të admirueshme në të cilin kryqëzohen shumë drejtime letrare si realizmi, surealizmi, realizmi magjik etj. Ai është një libër që mbush një vend bosh në mozaikun e letrave shqipe, një libër i munguar që do të bëhet objekt studimi si për vlerat letrare dhe ato jashtëletrare.
Delvinë më 10.12. 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here