Gazeta Nacional Albania

Naum Prifti: Një tjetër gomar si shoku Valedin. Skicë humoristike

Shefi i Seksionit të Industrisë së rrethit shoku Veledin Pema ndodhej në fshat gjatë muajit shtator. Zyrtarisht figuronte se po kryente punën fizike në kooperativën malore me drejtim blegtoral, por ky “komponent” i jetës socialiste kishte degjeneruar me kohë në Shqipëri. Është më e drejtë të thuhet se qe kthyer në një pushim suplementar njëmujor.

Gjithë ditën Veledin Pema mrizonte hijeve, kurse pasditeve shkonte në klub ku rrëkëllente kafe dhe pije që bënin pjesë në inventarin e banakut të klubit. Bashkëfshatarët e mi thoshin se shoku Veledin qe ‘xhanan djalë’ nga që pranonte të shkonte për dreka e darka kudo që e ftonin, ndërsa mua më dukej se e ngrëna ishte e vetmja punë fizike që e kryente me devocion.

Megjithatë Veledini nuk ishte mëndjemadh, as fodull, as qibar si shumica e shefave që kryenin punën fizike në fshat, por edhe nuk mund ta fajësoje se kishte ndonjë dhunti të asnjë lloj kategorije aq më pak për industrinë e rrethit tonë. Veledini qe i lezetshëm nëpër sofra e tryeza dhe i kënaqte vendasit me qyfyret që rrëfente nga sfera e burokracisë së Komiteteve, që nga ai i Partisë deri te Komiteti Ekzekutiv.

Veledini ende nuk e kishte plotësuar muajin e punës fizike, kur u mësua shkarkimi i papritur nga detyra i Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv Alush Osmani.

Ky akt përbën ngjarje të jashtëzakonshme për vendasit. Ata e komentuan në klubin e fshatit teksa rrufitnin kafetë pas punëve të lodhshme të ditës. Mendimet ose më së shumti supozimet përziheshin me aromën e kafesë dhe tymin e duhanit. Sigurisht fjalët e Veledinit kishin peshë të veçantë për situatën e krijuar.

Duke afruar filxhanin në buzë ai ju tha:

-Mirë bënë që e hoqën, bile duhet ta kishin hequr me kohë se ai e turpëronte atë pozitë…

Për ta verifikuar qëndrimin e tij rrëfeu disa episode komike për paaftësinë e ish-kryetarit. Në klub krisi gazi dhe të gjithë i dhanë të drejtë Veledinit.

Mbështetur në murin përballë banakut, një fshatar i imët e pyeti se kush mund të vinte në vend të Alushit. Anëtarët e administratës lokale janë figura me shumë rëndësi për jetën e banorëve. Posti i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv ishte i një rangu dhe rëndësie të veçantë. Tek ai ose nga zyra e tij mund të vulosej fati i dikujt apo edhe i çdonjërit nga ne, që nga çështjet e banesave e strehimit deri te punësimi e pensionimi. Këto i dinin të gjithë ata që dëgjonin me kureshtje Veledinin. Ai sapo mbaroi së treguari episodin e fundit tha një pohim të pazakonishëm për një mjedis kafeneje.

-Sigurisht do sjellin ndonjë gomar tjetër, ashtu sikurse e kanë zakon.

U dëgjua një krisje e thatë por nuk u kuptua nga se dhe ku. Nuk mjaftonte që kritika cënonte autoritet më të larta të Partisë në sferën e kuadrit, por si shef seksioni Veledini hynte në sferën e nomenklaturës së kuadrit dhe efekti i asaj që tha i ngjante plasjes së një saçmeje në mes të klubit. Të padëmtuar por të shushatur, fshatarët e dinin mirë se nuk kishte më gjë tjetër për të thënë.

Pas përfundimit të muajit të punës fizike së Veledinit, vendasit mblidheshin në klub pranë filxhanëve dhe përsëritnin shprehjen e Veledinit nën buzë dhe duke hedhur rromuze për kandidatët e mundshëm për kryetar. Thuajse me një lloj padurimi prisnin emërimin e ri si për t’i dhënë plotësisht të drejtë vizitorit të tyre nga Seksioni. Nuk pritën shumë gjatë kur mësuan se kush ishte ”gomari” që kishte parashikuar Shefi i Seksionit të Industrisë së rrethit. Pas një jave kur erdhi dekreti i botuar në gazetën lokale u zbulua se “gomari tjetër” qe vetë shoku Veledin Pema