Ndahen çmimet e Panairit të Librit, Enkel Demi shpallet autori më i mirë i vitit
Nga Arlinda Gjonaj -16/11/2024
TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve janë ndarë çmimet e Panairit të Librit Tirana 2024 për veprat më të mira letrare. Në edicionin e 27-të të këtij panairi, çmimi “Shkrimtari më i mirë i vitit 2024” iu dha Enkel Demit, i cili përdor pseudonimin letrar Tom Kuka, për romanin “I rënë nga qielli”.
Ky çmim iu dorëzua Demit me motivacionin: “Për trajtimin me mjeshtëri stilistikore dhe burimore të një teme të mprehtë për tranzicionin shqiptar, por po aq edhe në rrafsh të përbotshëm, siç është ajo e përpjekjes njerëzore pěr të bërë një jetë të kuptimshme në kushtet e absurdit kolektiv.”.
Milena Selimi fitoi çmimin për përkthimin më të mirë të vitit me romanin e saj “Kohëstrehim”.
Anastas Angjeli u shpall fitues i çmimit për studimin më të mirë në shkencat ekonomike.
Për sa u përket çmimeve të panairit të librit, çmimin për studimin më të mirë e mori profesoreshë Viola Isufaj me monografinë kushtuar poetit Zef Zorba: “Baladë dritash për Zorbën”.
Çmimi tradicional për përkthimin më të mirë në frëngjisht i shkoi Lindita Gjetanit, për veprën “Mirupafshim atje lart”.
Panairi organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Ai u hap në datën 13 nëntor e do të vazhdojë deri më 17 nëntor. Në të marrin pjesë 90 botues jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga treva të tjera shqipfolëse.
Motoja e këtij viti e panairit është: “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”