NDAHET NGA JETA ZEQIR LUSHAJ, PUBLICIST DHE SHKRIMTAR I MIRËNJOHUR

Nga Dr. Mujë Bucpapaj. Botues dhe kryeredaktor i gazetës kombëtare “Nacional”

Është ndarë nga jeta në moshën 72 vjeçare publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur Zeqir Lushaj, redaktor i përgjithshëm i portalit “Zemra Shqiptare”. Lushaj dekadat e fundit i kishte ndarë mes SHBA dhe Shqipërisë ndërsa pas daljes në pension jetonte në Shëngjin të Lezhës ku edhe redaktoi dhe botoi koprpusin e librave të tij në poezi, prozë, publicistike dhe kritikë letrare.

Zeqir Lushaj lindi 72 vjet më parë në Gri e Krasniqes, Tropojë, ku dhe do të prehet sot dhe përjetësisht, sipas amanetit të tij.

Z. Lushaj ka botuar 12 libra, mes të cilave m”Hija e vendlindjes” (vjersha); “Lisi i shkruar” (vjersha); “Vdekja e varreve” (vjersha); “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); “Pengjet” (vjershërime); “Fjala mbi tel” (tekste këngësh popullore), “Si n’kurbet, bre vëlla” (vjersha); “Zbehje e heroizmit” (shkrime publicistike); “Duhama e Valbonës” (vjersha); “Piedestali” (vjersha), “Rrokada” (vjershërime politike); dhe “Sportit i mbeta borxh” (reportazhe, portrete, kujtime). Ai, la në dorëshkrim edhe libra të tjerë.

Zeqiri u bë i njohur, prej viteve 1970 e ne vijim, për shumë tekste të këngëve me frymë patriotike të kënduara nga rapsodët e Hasit dhe në përgjithësi rapsodët shqiptarë, duke qënë një hymn patriotik për Kosovën Lirinë dhe Pavarësinë e saj dhe te tilla mbetën akoma ndër hitet e këngëve popullore shqiptare.

Lushaj, studimet e larta i kreu në IKF, Akademinë e Sporteve të Tiranës (1970-’73), ndërsa për shkak të talentit dhe prirjeve të tij në publicistikë dhe në letërsi, në vitin 1974 emërohet redaktor në “Zëri i Rinisë” në Tiranë. Prej atëherë ai do t’i dedikohej gazetarisë dhe veprimtarive shoqëore duke qënë një përfaqësues dinjitoz i Tropojës në Tiranë edhe në kohë të diktaturës.
Lushaj ju bashkua shndërrimeve demokratike pas viti 1990. Ai së bashku me një grup intelektualësh të pavarur, personalitete të kohës, krijojnë Shoqatën “Bashkimi Kombëtar Shqiptar”, që pas një viti emërtohet: “Lëvizja Shqiptare për Mirëkuptim dhe Paqe” (e cila pranohet menjëherë anëtare me të drejta të plota në Këshillin Botëror për Paqe) ku zgjidhet në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj.
Librat e tij poetik, poezitë e tij, janë vlerësuar me çmime.
Zeqir Lushaj ishte një mik i gazetës kombëtare “Nacional” dhe bashkëpunëtor i kësaj gazete prej themelimit të saj 15 vjet më parë.Ishte nje mik i shquar i familjes Bucpapaj.

Jemi të pikëlluar nga ndarja e parakoshme nga jeta e mikut tonë të paharruar Zeqir Lushaj. Me këtë rast i shprehim ngushëllimet vëllazërore familjes dhe gjithë fisit Lushaj.

I qoftë i lehtë dheu i Tropojës që e pati gjithë jetën në zemër dhe shpirt!

Tiranë, 11 nëntor 2021

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here