Juljana Mehmeti ka lindur në qytetin e Durrësit.
Qysh në moshë të herët u apasionua pas artit të shkruar, kryesisht poezisë, gjini që në vitet më pas do e shndërronte në lajmotiv jete dhe mendësi për të shprehur idetë, vizionin dhe metafizikën, si këndvështrim nga përtej koshienca, por dhe si përsosje e tejkalim të vetë sugjestionit që rrethon botën njerëzore.
Librit i parë “Soft Poesie“ është publikuar në italisht dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës letrare italiane e botuesve, jo vetëm për stlistikën e veçantë, por dhe për gjetjet, gjuhën e përdorur, mesazhin filozofik dhe për më tepër të rrymave përshkuese nga ai hermetik deri në surrealizëm.
Libri i dytë vjen nga fusha e përkthimit me titull ”Vramendje”
(Rimugino”) i autorit italian Alessandro Ferruccio Marcucci Pinoli, i cili do përbënte eksperiencën e parë në këtë drejtim, por do përforconte dhe idenë e saj të kahershme për përnjohjen dhe sjelljen në shqip të autorëve të njohur italianë.
Vëllimi poetik “Tejkalim“ është botimi më i tretë, i cili vjen me tedenca të reja në letërsinë shqiptare, drejt postmodernizimit e mendimit universal, nga ato të rrymave eksperimentale deri tek absurdi. Publikimi në revista të ndryshme dhe Antologji Ndërkombëtare do sillte dhe vëllimin poetik “ In His light” anglisht version, të publikuar nga Dremer Press në Holandë me përkthim nga Arben Hoti, vëllim ky që do hapte tjetër prespektivë dhe do e njihtë artin e saj poetik në mbarë Letërsinë Ndërkombëtare..
Lamaste është tjetër vëllim poetik i publikuar në Itali nga Shtëpia Botuese “Libri Di Versi in Diversi Libri” (Edicioni 2019-2020)
Aktualisht jeton e punon në Ankona, Itali.
- Në dritën e saj…
Tinguj epokash
në melodi vazhdimësie,
zgjuar në vizione
e kështjellash antike,
që mbretërojnë legjendash
mes ngyrash mistike
në nuanca fluide
rrugicës bardhë,
që gjymtyrët zgjat larg…
Aroma të shpërndara myshqesh
…dhe zogj shtegëtarë në ikje,
që fluturojne lart …
e rrëzohen papritur,
si një vello e mëndafshtë
në frymëmarrje ere,
që hap porta qiellore
prizmit shpirt në përthyerje.
Shëtit dhomave Kleopatra …
ditës më të zbehtë, vjeshtës,
ku kohët deshifrojnë hieroglife…
dhe kode…
pasqyruar në mure të lagështa,
me imazhin e saj…
Trokitje hapash të largëta, zgjojnë ofshama
në pyje të heshtura
zhveshur mëkatesh …
E padukshmja endet shtjellash të trishta
botës pakuptimësi,
ku iluzioni humbet
hapësirës pa zë…
Ndalet pragut harresë
të mjegullës argjend.
Mbështjell ajrin e mbrëmjes
të sapo rënë ..
Ngjitet lart
poltronit Andromedë
në dhoma kujtese
zbehur nga nata ,
e fiket
në dritën e saj…
- Namaste!
Jam,
pjesë e universit pa mbarim
grimcë e hedhur në paralele të përthyera,
të asaj bote që vishet ngjyrimit dritë
e zhytet memories errëti sërish,
kuptimit të egzistencës në kufijtë e jetës
nëndijes së ardhur nga fjalë të pashprehura,
brendësi
e atij vizioni që në të kaltër më vesh,
përjetësi
e krijuesit që bashkoi trup e shpirt
në bekime engjëjsh
gjurmëve të gjakut dhe dhimbjes kryq.
Fluturim i ngritur hirit të vet
në kurme të harruara legjendave të shkuara
shenjtëruar kohës së trazimeve të mëdha,
të detit dhe veriut
në kërkim të syve që veshin blerimin
hapësirave të reja
kufijve më të fundit
endur përtejbote
rrëzuar e ngritur
në të tjerë hapa
pafundësisë ripërtëritur.
Kulme te reja prekin lartësitë
zemër e mendje
përulur tempullit,
që ngre ura të padukshme
vështrimit drejt të plotfuqishmit
e duar në përshpirtje
fjalëve që shkojnë me erën
e kthehen me stinët,
fragment i vazhdimësisë
lindur frymës së qiellit;
Namastè!
- Tejkalim…
Një çast… dhe ngjyrat fiken
Ajri mbetet varur ndër kapakë sysh
Akujt ftohtësi depërtojnë kurmit.
Errësira shtrin krahët ngadalë
në një tis të hollë …,
ku gjithçka tretet ..
…në pafundësinë e qenies.
Format në mjegull
shkrihen papritur…
Deformohen rrugëtimit..
rishfaqen e zhduken…
Përhumbje e ëmbël..
në hapësira boshe të pavetëdijes …,
misterit
dhe të pathënës
kufirit të fundit,
ku dihatja drithëruar
shpirtin shtegëtar mbështjell…
Imazhi tjetërsuar,
vegim i zbehtë drite në shuarje
zëra të largët,
pasthirrmë e harruar.
Në pasqyrë universi projektohet shpirti
përthyer rrathëve të padukshëm
yjesh reflektim.
Përshfaqur në sekuenca vazhdimësie…
Dashurive rilindur
dhe dëshirash mëkatim
… në tejkalim të vetvetes
nëpër natë
me të vetmin kujtim.
Endemi,
mes asgjësë dhe pafundësisë
gjuhë gjurmësh të shkuara
grimca në përjetësi
… gjithmonë e më larg
për të kuptuar kufijtë…
- Zgjohu!
Zgjohu!
U dogjën kohërat
edhe legjendat
me feniksat e humbur.
Pluhuri mbuloi epokat
erërat e reja nuk fryjnë askund.
Ca relike të vjetra kanë mbetur shenjë
e intrigave të vetëdijes
kacafytjes së mendimeve
në një gjumë të lodhur
ëndrrash pa zgjim.
Zgjohu!
Perëndite zvëndësohen nga tre Moire kokëforta
dhe më nuk mund të jesh;
as Klote, as Akesi apo e vjetra Atopo
që fatin e njeriut në fije tendosin dhe e presin me gërshërë
për të qepur format e fundit gri
veshjes së përhimtë në vdekje.
Zgjohu
me forcën e Zeusit
të drejtosh ekuilibrin e botës.
- Mendimesh…
Mërkuri ndriçon sonte galaktikës
mendime të harlisura pa asnjë gravitet
Hënës i mbetet një buzëqeshje e fshehur mistereve
tek kujtoj
nëse isha shi apo erë
në zbritje
deti vazhdon të mërmërijë lutjet e sirenave
ngatërruar ndër vite
ethe përplasjesh me valët e pabindura
që ikin e vijnë
rërës së ftohtë përzier ndër gishta
pikëzuar lot
etje dhe kripë…
Vërtitem hapësirës time në kërkim
“flakëza e ndezur diku do jetë”
errësira vishet me të bardha resh
duke ëndërruar zgjimin e dritës
në një cep të humbur
dritëhije mendimesh
në rrugë qiejsh,
që ndoshta agu do i sjellë
me buzëqeshje të fshehura jete.
@ julja
- Et voilà…!
Toka ndër këmbë digjet
e ajri mbytës bëhet përreth
qielli përmbushet me re pësherëtimash
lotë derti derdhin mbi ne,
arenë betejash
portave të gurta
perde që fshehin kështjellat memorie
rrethimet kufizojnë kufijtë e diellit
pak dritë,
për të shquar ditën që çel.
Madhështia shfaqet vegimeve të humbura
shkëlqim që rrënjët zhyt në mëkat
fije pas fije depërton errësirës
të rritë filizat edhe më lart,
ngritur pleksjes së tij herezi
detrave, ku trupin le peng
e vala e zezë i nxjerr në një breg,
urave, ku trenat shkojnë me furi
degëzimeve të hekurta fatit harrim.
Me zjarr shkrepëtimash,
flakë shkrumbuese
djajtë , ferrin kanë braktisur,
titanë që zgjohen, kurmeve dhe shpirtit
një botë të tërë zhytin në kaos,
e vozit shpresën në turbullirë Noe
se tjetër jetë nesër do vijë
të fundit ditë, të humbjes njeri
ndoshta e rigjen
mëshirës së tij!