POR, NE ISHIM
Pa dritat e mendimit…
jemi thjeshtë pjesa e pjesës të pjesëve
diçka që s’do ta shpjegoj assesi
nga erdhëm e kah shkojmë
mor askush s’do ta ndryshojë ligjin
e heshtjes bizare pasi tradhtojnë
dhe veten në fund të fundit
deri këtu kemi ardhur
duke u kapur për një fije t’mendimit
pas betejave të gjëllimit ofshajmë thekshëm
në tërë rrugëtimin tonë vetmitar
ekziston ana e errët që ne s’e shohim
pikërisht aty kemi kurthën
e shpirtit të lënë vishkull
s’është e rëndësishme
nga na vjen gjykimi
ne edhe vetëgjykohemi
për ato që s’ia arritëm qëllimit
tash qetësia ime vajton papajtueshëm
por, ne ishim…
pikëllim fatesh nëpër kohë
E PAMUNDSHMJA
Mësa një fije bari
që mund ta dijë për një fije bari tjetër
që ekziston dikund larg në botë
aq e pamundshme është ta dijë
dikush e dikund se ekzistojmë
ti dhe unë në këtë çast, pra
po flas, ja për çka po flas
për të pamundshmen
dijmë vetëm për raca njerëzish e popuj
kufij, luftëra, dhe tragjedi jetësh
por ne s’e dijmë biografinë e secilit
prandaj ne s’e dijmë as pse jemi këtu
e dikush tjetër e atje dikund
dijmë vetëm se jemi dhe në këtë formë
pra, ja për çka po flas
për të pamundshmen e njohur
E PANDRYSHUESHMJA
Ekziston diçka e paarritshme
për ta njohur deri në fund
në botën e kujtesës
qiriu i mendimit rri ndezur
në mua, përreth meje ekziston
e reziston deri në paskajësi
e mjegullt e panjohur
që rrjedhë përditë çdo çast
Panta Rhei, dhe
një ditë që s’do të jemi
më kështu në këtë ajër
po si luan teatër me ne
e padukshmja
e paprekshmja dhe hija
e atij që rrënon dashuritë
ne mbesim veç hijesim, shenja
për t’na çajtur mjerueshëm
pasaktësia nëpër hirin e asgjësë
KORI I KORBAVE
Amen, mos ua kopjoni krrokamën
s’thonë gjë prej gjëje
që i duhet bardhësisë
pos zhurmës së korbët
në shumës janë bërë të zhurmshëm
kor i mërzitshëm deri te retë
kur ta vajtojnë fatin e atdheut
janë duke ia sqepuar mëlqitë
pasi ia kanë shtjerrur
tërë qumshtin e nënës
posi, i dalin zot në secilën krizë
së bashku në kor me gjuhën e korbët
NË FOLTORE
Si po djersijnë fjalëve
fytyrave nuri i bardhë
si po ushtojnë kërcëllimës
për t’parin e radhës
askushët sërish te vargu
betohem në verën e kallirit
të thatë, në stinën e verdhë
dyll do të na dalin
veç një herë do t’i shohin
fjalë të zbrazëta prej asgjëje
paskëtaj do t’i takojmë heras
n’peshoren e ndërgjegjes së vrarë
askushët sërish në krye të vargut
NËN DIELLIN TIM
Ecjen e bëj të flashkët
me thirrjet në vetvete
dhe ngrohem
ashtu si di vet
në botën time të vogël
vetëm poezinë e kam
dashnoren më besnike
që s’më lë të vetëm
edhe atëherë kur s’më shohin
edhe atëherë kur s’ më njohin
o ati ynë, bota dhe njerëzit
qenkan një reklamë e madhe
të mërdhijnë hipokrizitë
kur ndeshesh ballëpërballë
me intrigat, laviret e demonët
kujt t’i qahem e kujt t’i besoj
veç poezisë që më mbetet afër
një pikë helmi në dhembje fjalësh
PRAPË DEMONËT
Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine
plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine
në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm
në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë
RISANI
Aty, vetëm pluhuri
i Ilirisë së madhe
një dhembje
për t’humburën
po ma brente shpirtin
askund mbretëresha
Teutë,
unë – askushi aty
dhe askund
fjala e bukur shqipe
veç kthimi në kohë
dhe një dritë në kujtesë
për luftërat, tmerr i njerëzimit
ika për ta shëruar plagën
atje te lumi Shkurd
PERASTI
Perasti ishte dikur
një pikë në Iliri
tash detit iu kthye
mendimi se është
dikund përsëri si pikë
me bokelët vendas
nga rrënja ilire
me vetëm dy fije emri
ballabanët dhe Lindi
a thua do të Ri-lindin
LUMI SHKURD
Lum shkurti,
po të thellë burimin
po të shkurtër rrugën
po të lashtë rrjedhën
më thuaj kah i del
më shkurt, për t’jetuar
shqip me detin
Ulqin-Risan,2002
HARRIM U BËMË
Koha kaq e shurdhër
e spo na e zë as fjalën
as zëri s’na dëgjohet kund
hapësira sa e gjerë
i vie era pis
nga myk i mendimeve
e s’e shohim njëri-tjetrin
nga hipokrizia e vetvetes
amen mor si ia dalim
kështu drejt Bregut
e ai na pret në maje
me shpatën e njëjtë
ne ngjitemi rrugëjetës sonë
mugët dhe bëjmë sehir
me jetët tona e lavdet
e fitorët e minjve
harrim u bëmë kaq kohë
e s’po e kuptojmë asnjëherë
as n’fund as n’fillim Dhembjen