NË MES TË ËNDRRAVE TË GJUMIT TË PARË! Tregim nga Kim Mehmeti

Siç kalojnë vitet gjithnjë e më e gjërë më duket dhoma e punës. Dhe aty ndjehem si në hapësirë ku i kam të gjitha.

Mbase pse çdo skutë e saj është e mbuluar me pluhurin e kujtimeve. Pra pse aty është e palosur e kaluara ime dhe e familjes që më rriti dhe më drejtoi rrugës së pleqërisë.

Aty e ruaj makinën e vjetër të shkrimit, disa enë të bakërta në të cilat dikur gatuante nëna ime, gramafonin e vjetër që me aq krenari e solla para shumë dekadash nga Gjermania si dhe qindra pllakat e gramafoni të blera anë e mbanë botës.

Mbi tavolinën e punës qëndron edhe telefoni i moçëm familjar, i cili askujt nuk i shërben dhe që moti nuk ia kisha dëgjuar cingërimën.

Madje nuk besoja se ndonjëri nga të afërmit, apo miqtë tanë, ende e mbante mend numrin e tij. Prandaj, shpeshherë, për t’u bindur se nuk i është ndryshkur zilja, e formoja numrin e tij në celularin që kisha dhe e dëgjoja cingërimën që më bëhej si e ardhur nga thellësitë e një kohe tjetër, si jehonë e gëzimit të largët kur shtëpia jonë e dikurshme u lidh me botën dhe kur prindërit e mi, më në fund, mund të bisedonin me motrat e tyre që i kishim larg në Turqi.

Shpesh më bëhet se e shoh babanë si i rrotullon ngadalë numrat, pastaj si kujdesshëm e afron kufjen pranë veshit dhe si me padurim pret ta dëgjojë zërin e përmallimit të vet.

Ndërkohë, përderisa i ndërmendi ditët e largëta kur jetonim, gëzoheshim dhe hidhëroheshim më ngadalë se gjatë dekadave të pleqërisë sime, përderisa i rikujtoj javët që kishin shtatë ditë të plota dhe ditët mateshin me orë që kishin gjashtëdhjetë minuta komunikim me vetveten dhe njerëzit që më donin dhe i doja, shikoj kah fotografitë e radhitura pranë makinës së shkrimit.

Nga aty më shikojnë sytë e atyre që i pata pranë vetes e që nuk do t’i kem kurrë më. Dhe sa herë që i shoh ato fotografi, më rëndon ndjenja e humbësit të madh, e atij që kishte përjetuar humbje pas të cilave nuk do të mund t’i gëzohej asnjë fitoreje në jetë.

Shpesh më ndodh të dëgjoj ndonjë këngë nga pllakat e vjetra të gramafonit. Dhe së bashku me tingujt e këngës të më ringjallet zëri i saj i largët që më pëshpëritë: Ta ndjej mungesën, sa herë që më rrehë zemra…

Dhe së bashku me këtë zë të largët më vjen edhe një kllapi që më bënë të ndjehem si në mes të kujtimeve dhe të ëndrrave të gjumit të parë…