NË QYTETIN TËND. POEZI NGA ARBEN GJEKA

HËNA

 

Shpeshherë më fshihesh,

lozonjare si hëna.

Dhe, ah, nuk e di,

sa më dhemb zemra!

 

 

NUSELALE

 

Sonte nuk kam gjumë (se kam ca halle!).

Ma vodhi një vajzë porsi nuselale.

Po më buçet zemra si deti me valë.

Më vështron ajo me sytë si ngjalë.

 

U hutua hëna

(kjo bionde e rrallë!).

Për flokët e saj,

që ndrisin mbi ballë.

 

Dhe dora më dridhet

t’i shkruaj ca fjalë.

Një ëndërr të bukur

asaj do t’ia fal.

 

Ah, kjo dashuria (si bora në mal!).

Shpirtin ta mbulon me vellon e bardhë.

Sonte nuk kam gjumë (por kam ca halle!).

Në vargje do kap atë si nuselale.

 

 

POETI

 

Ah, kjo buza jote lyer me sherbet!

Po s’e putha dot, dheu nuk më tret.

Por gjinjtë e bardhë si topa dëbore.

Do t’i shkrij në gojë

porsi akullore!

Dhe syrit të zi,

që vështron aq bukur.

Do t’ia rrëmbej xixat veç me një të puthur!

Kjo dorë e vogël,

lyer me flori! Pakëz përkëdhelje po m’i nis nga ti.

Por në shtratin tënd, që digjet si furrë.

Dua të rri zgjuar,

dhe mos të fle kurrë…

Ti hiç mos u tremb, o moj sirenë deti.

Se këto që shkruaj, janë vargje poeti!

 

 

 

NË QYTETIN TËND

 

Lodhja e ditës

është bërë pluhur në xhaketën time dhe unë e shkund me mërzi.

Ky qytet s’do të ish kaq i bukur, sikur t’i mungoje ti…!

 

 

 

GALAKTIKE

 

Mirëmbrëma, o yll i gjithësisë

(o kushërira e parë e Arushës së Madhe).

Për ty dhe për hatër të dashurisë sonte po i shkruaj këto vargje…

Të ftohta netët e gjata të janarit

(i acartë, i akullt pa ty është dimri!).

Ti ndriço dhe më dërgo nga larg ca rreze në shpirt,

si një lule prilli!

Veç ti m’i di ëndrrat që çelin nën hënë,

o trëndafil i bardhë, me dymbëdhjetë fleta!

Qielli me yjet sonte shkruajnë emrin tënd,

si shenjë hyjnore që rrallë na shfaq jeta!

 

 

 

DASHURIA

 

Ti me siguri pret gjithë shqetësim, të hapësh facebook-un në mbrëmje.

Të kërkosh e hutuar emrin tim sipër ndonjë vjershe apo kënge.

Të mendosh pastaj për vargjet me rimë, për stilin e të shkruarit, motivet.

Të citosh vargjet për dashurinë, kur zemra si zogu të dridhet.

Të shikosh kush fshihet në strofa, tek rrjedh frymëzimi si krua.

Të thuash në mbrëmjet e ngrohta,

“Shejtani! Paska shkruar për mua!”

“Krimbi” i dyshimit do fillojë të lëvrijë

tek diellin do mbulojnë dy re.

Cila hënë ka filluar t’i ndrijë, mos është vallë e dashura e re?!

Do fryhesh si Vjosa nga shirat, plot ujëra të turbullta tërbimi.

“Këtij vagabondi i tregova dëshirat,

netëve, kur më mbyste trishtimi!

 

Betohesh se kurrë s’do më falësh (megjithëse sërish do ndiesh flutura!).

Në ballkonin plot lule do dalësh,

si hëna mbi kodrat e bukura.

 

Me lupën e madhe të xhelozisë, skaner do i bësh çdo shkronje.

Dritë në çdo skutë të dashurisë do shpien sytë e tu prej xixëllonje.

Çdo ditë në jetën tonë ndodhin, si eklipse, këto ngjarje të thjeshta.

Po pse më kot veten lodhim, vallë, kush fshihet në vjersha?!

Ndaj ti pret me padurim

të hapësh facebook-un në mbrëmje.

Të kërkosh (tek lexon me nxitim),

e të gjesh e lumtur… veten tënde.

 

 

E BUKUR SI HËNA

 

Gjithë natën në spital shtruar nëna (me serume dhe mjekë te koka!)

Në dritare e zbehtë u ul hëna dhe ndenjën bashkë si dy motra!

Unë, natyrisht, isha pranë saj (me lotët e fshehur poshtë syve!).

Zemra më dridhej si flutur në maj

dhe në heshtje u lutesha perëndive!

O Zot i madh i gjithësisë,

shëroje nënën sa më shpejt, të lutem!

Dhe si dikur fëmijë (i pleqërisë!) në gji të saj sërish të futem!…

Gjithë natën në spital ndenji nëna.

Asaj i dhembi trupi dhe mua… zemra!

 

 

DËBORA

 

Mbi qerpikë dëbora,

ulur porsi flutur. Cila nga të dyja është më e bukur?!

Mbi degë gushëkuqi këngës ia ka marrë.

Mbi sqep po i tretet dëbora e parë.

Fusha është bërë nuse, mali është bërë dhëndër.

Bardhësi si kjo

sheh vetëm në ëndërr.

Kaq larg ke ikur, mes maleve futur.

Mbi qerpikë dëbora, e lehtë si flutur.

Zogjtë pa fole

të gjithë kanë mbetur.

Mbi degë gushëkuqi si qejfli i thekur.

Bukuri si kjo dhe ai s’ka parë.

Ndaj po i këndon dëborës së parë.

Të dy po këndojmë, gushëkuqi dhe unë.

Dëbora dhe ti

seç na hapët punë.

Mbi qerpikë dëbora

ulur porsi flutur.

Të vij të ta shkrij

veç me një të puthur?!