NËNA ARRË (nga ditari i gjyshes). Tregim nga Adem Nimani

 

 

“Në jetë s’ka gjë ma ranë, se me ta ngjitë fjalën pa kanë”!

(gegërisht; fjalë e urtë popullore)

Nëna e Grremçit ishte rritur në familjen e Bardhit në fshatin Gurishtë, në grykë të bjeshkës. Ajo ishte martuar në Rrafsh. Asaj, as kur ishte vajzë e as kur u martua nuk iu kishte ndarë gazepi. Nënëlokja iu mbijetoi katër pushtimeve të vendlindjes në këmbë të veta, pa pasur nevojë për ndihmën e dikujt.

Sa herë që bisedonte me djalin e saj, që ishte bërë mësues, i dukej sikur përjetonte serish tmerret e luftës, nëpër të cilat kishe kaluar.

Vetëm vonë në pleqëri të thellë, ajo nisi të shfletonte kujtimet për vuajtjet nëpër të cilat kishte kaluar. Kohë të gjatë më të vjetrit i kursenin fëmijët nga tregimet e tmerrit që kanë përjetuar nëpër kohë.

Sa ishte nuse e re, nënën Arrë, askush nuk e thërriste ndryshe, por vetëm; oj nuse! Kështu kishte ndodhur qe emrin e saj e dinin fare pak njerëz të afërm!

Ajo kishte emrin Arrë! Shumë herë i shkonte buza në gaz kur dikush e pyeste për emër.

-Mori loke!

-Nga hallet e jetës, rrallë më ka ra ndërmend për emër!

-Po kujt i duhej emri im, mori loke?

-Burri me thërriste përherë, oj grua!

 Kunetërit  më kanë thirre; oj nuse, derisa jam plakur e jam bërë gjyshe.

Nuse me quanin edhe burrat e afërm të shoqit tim. Ma vonë, kur shoqet me të cilat kemi jetuar e mësuan emrin tim, me quanin ngurajkë.

Pasi kam lindur shtatë fëmijë, e kam pa, se me lind dy a tri vajza rresht, për çika, burrat zakonisht gjenin do emra të çoroditur!

Thoshin; për me ndërpre pjesllën, mos me lind ma çika, duhet kësi emrash.

Emrat Shkurtë apo Elheme ua kanë ngjitë  vajzave, kishe na mos me lind ma vajza.

As që kemi menduar sa emra të mirë ka në gjuhën shqipe.

Dikur vonë kur nisen me shkua  fëmijët në shkollë, ata tregonin për shokët e tyre si i kanë emrat. Shumë më vonë, prita që nipërit  e mbesat tonë nisen t’i pagëzojë fëmijët e tyre me emra të bukur shqip.

Rrallë ndonjë burrë e ka pyet të shoqen, se çfarë emri donë me ia lanë vajzës që ka lindur vetë nëna!

Po kush ka mendua për emër oj loke?

 

Nëna Arrë që doli gjallë edhe nga lufta e fundit, si refugjate e pa me sy edhe Shqipërinë e saj të dashur. E pa, jo për qejf, por nga zori. Nuk kishte ndjerë kurrfarë gëzimi kur kishte shkelur në tokën e mëmës Shqipëri, të cilën e kishte ëndërruar gjithë jetën. Në moshën 85 vjeçare ajo shkoi në Shqipëri me shumë nëna tjera shqiptare refugjate.

Nëna Arrë ishte dalluar që nga ajo ditë kur kishte zbritur nuse në Rrafsh.

Ajo kurrë nuk ishte marrë  me thashetheme.

Nga shtatë fëmijë që pati, vetëm djalin e vogël arriti ta shkollonte. Pasi djali i saj u bë mësues, ajo dukej sikur fluturonte nga gëzimi. Thellë në zemër e kishte ruajtur dashurinë, që edhe vetë një ditë të mësonte shkronjat.

Sa herë kthehej nga shkolla, djali i saj ulej e bisedonte më të ëmën për shkronjat  e për nxënësit. Pa kaluar shumë ditë që Grremçi kishte filluar të punonte mësues, nëna Arrë, përditë e më shumë, si me mahi, përpiqej t’ia bënte me dije të birit që tek ajo nuk është shuar dashuria për të mësuar shkronjat shqipe, megjithëse tash ishte bërë gjyshe.

Një mbrëmje, nëna i tregoi djalit dëshirën e saj për të mësuar shkronjat. Mësuesi pranoi me entuziazëm që t’ia mësonte shkronjat së ëmës.

Nëna e Grremçit, gjithë alfabetin e mësoi për tre muaj. Ajo  i këndonte shkronjat sipas radhës, pa huq asnjëherë.  Tinëz filloi edhe të bashkonte ndonjë shkronjë me tjetrën për të shkruar ndonjë fjalë. Ditë pas ditësh nisi edhe t’i lidhte me kujdes shkronjat për të shkruar ndonjë fjali edhe kur djali mësues nuk ishte në shtëpi. Kishte dëshirë të shkruante edhe ndonjë rrëfim që kishte ruajtur në heshtje sekret gjithë jetën.

Edhe Grremçi, sa herë kthehej nga shkolla, me përqafime e nxiste të ëmën që të shkruante diçka. Ai dëshironte të mësonte diçka edhe ndonjë sekret nga jeta e nënës!

Nëna e jetës, siç e quante mësuesi të ëmën, kishte radhitur shumë fjali, por në shumë vende, shkronjat nuk i kishte bashkuar si duhet. Nga ato pak fjali të thjeshta ndonjëra kishte mbetur pa kuptim të caktuar. Mësuesi, sapo lexonte ato fjalë,  përpiqej t’i vendoste të gjitha shkronjat në vendet e duhura, ashtu që çdo fjalë e fjali të ketë kuptim.

Derisa Grremçi i lexonte e i bashkonte ato fjalë të nënës, kishte mbetur i habitur nga përmbajtja e tekstit që një ditë prej ditëve kishte shkruar e ëma!

Ajo kishte shkruar për çnjerëzimin e një nëne, por pa theksuar ndonjë emër konkret.

Grremçi përditë e më shumë zgjeronte bisedat me të ëmën !

Një ditë, nëna Arrë, në një fletë të fletores, të cilën gati e kishte mbushur me fjalë e fjali pa ndonjë renditje të caktuar, mes tjerash kishte shkruar:

-Jo pasha loken! As kur u hi Serbia e parë, as e dyta, nuk kam dëgjua për çnjerëzimin e një nëne. Ndoshta i kanë fshehur këto raste, por nuk kam dëgjuar, e as që ka fol dikush për ndonjë rast dhunimi të një femre.

Për çnjerëzimin e një vajze a të një nëne, behej horë gjithë fisi.

Atë njeri e dënonte edhe fisi i tij, edhe fisi e fara e gruas apo vajzës së çnjerëzuar!

Për atë dhunues nuk mund të kërkonte gjak askush!

 Edhe po të vritej, dhunuesi shkonte gjakhumbur!

Për  dhunuesin nuk kishte shpëtim! E ndiqnin derisa e vrisnin apo detyrohej të zhdukej nga ai rreth. 

Kemi pas kojshi shumë kolonë serbë, por nuk kam dëgjuar që ia kanë ngacmua gratë e kojshive. 

Kur hyni Italja, këtu të na u kanë njëfarë koloni serb, Rada e ka pasur emrin.

Ai  i ka pas tri çika të mëdha për martesë. Pasi ndërroi hyqymeti, ai ishte frikua shumë se dikush mund t’ ia dhunonte vajzat në shtëpi, e nuk ka çka bën.

Kishte bisedua ai me familjen e vet për shtegdalje nga rreziku që ishte shfaqur në rrethanat e reja që ishin krijuar!

Kishte vendosë që vetë me dal  nëpër katunde e me pyet fqinjët shqiptarë a i merr dikush ato çika për nuse.

Ai kishte gjetur edhe miq të mirë!

Pasha loken, kështu ua bani çarën vajzave! 

I ka dhanë( i kafejua) e i ka martua të tri vajzat me djem shqiptarë. Ato u martuan e kanë lënë edhe fëmijë, nipa e mbesa.

I kam njohur të tria.  

Sa vjet  u kanë Italja, i patën hap do shkolla shqip, por mësues nuk kishte të na! E kanë pas prue një mësues nga Gjinokastra me të shoqen. Ai i ka mësue fëmijët tonë tri vjet.

Ai mësuesi, sa ka punue këtu, ka jetue në shtëpinë e atij Dikës që u kanë kmet i katundit tonë në kohën e krajlit.  Ai ia liroi dy dhoma mësuesit i cili erdhi me të shoqen.

Në katundin tonë, sa ke kanë Italja, këtyre serbëve kolonë, për me ua heq frikën, ua patën ngjitë edhe emrat sikur na që i kemi. I thirrshin me emra të shqiptarëve.

Oj loke, tutën për jetë e kanë pas të gjithë!

E mira edhe e keqja nuk harrohen lehtë. 

Me gratë serbe që i kemi pas kojshi, na kemi fol shqip gjithmonë, e ato 

serbisht! Sa herë i kemi bërë mirë njëra tjetrës, jemi marr vesh shumë lehtë.

Asnjë njeri nuk është i njëjtë!

Secili popull ka njerëz të ligj e të mirë! Na gratë shqiptare shumë herë kemi udhëtuar bashkë me gratë e kolonëve serbë deri në shehër, me ble a me shitë diçka. Sa herë që kishim me shkua diku përtej fshatit, në të njëjtin drejtim, ecnim bashkë. Si femra, edhe ato edhe na, kur udhëtonim bashkë, ndiheshim më të sigurta. Këso problemesh që po i dëgjojmë, ka pasur përherë, por i kanë mbuluar me heshtje. Nënat kanë rritë fëmijë e nuk i kanë ba belatë. Çdo grua e mençme ka ditë me iu ikë belave.

Me ia ngjitë dikujt fjalën pa kanë, asht punë e rëndë!

Këta që kanë bajt fjalë, e që thashethemet i kanë pasur për shpirt, i njohim të gjithë. 

Edhe ata na njohin neve edhe na i njohim ata.

Pafytyrësia ka ekzistuar gjithmonë, por edhe njerëz të mirë ka pasur përherë