Gazeta Nacional Albania

NËNË E BIJË. Tregim nga Kismete Hyseni

 

 

 

-Mos i thuaj të kthehet. Mos e merr më qafë. Ose, më mirë mos i thuaj asgjë. Lere të vendosë vet. Ajo e di ç’duhet bërë. E di çka është mirë e çka është keq, e di ku është mirë e ku është edhe më mirë..

Liria e shikoi me habi gruan qe kishte përballë dhe po shikonte në drejtim të saj.

-Kush e pa dritën e atjeshme dhe veç një çast ju kanë mbushur sytë me atë dritë, zor se kthehet ma këtu. Kush mbërrini ti prek ato shkëndija, s’ka çka bën këtu, jo. M’sa po kam çka bëj unë.? Tha gruaja dhe zëri ju drodh.

-Po u  kthye i bie sikur po e ç’bën krejt rrugën deri këtu, krejt jetën. I bie se po kthehet ne të shkuarën. Neve atje jemi akoma. Ehee sa larg jemiii nga e sotmja.. A e di ti sa larg jemi ? Ha ? drodhi kokën ajo duke bërë me dorë në drejtim të Liries.

Liria u kthye befas kah gruaja- Me mua e ke.? A?

Gruaja që deri atëherë lëkundej në karrigen e kthyer kah dritarja ia kishte ngulur sytë Liries dhe dukej sikur po shikonte anë përtej saj.

-Po me ty, me ty, e kam. U përgjigj pas pak.- Lere atje ku është.- Është larg teje por më pranë jetës.- Pasi ta ketë parë më mirë botën, atëherë do ta dojë më shumë edhe jetën. -Tek e fundit më mirë është ta shohë diellin duke perënduar, se mos ta shohë fare. -Unë e ngrata nuk pata sy të shikoj, as diell as hanë, atëherë kur ishin këtu, kurse tani që më lanë edhe sytë, tani që ikën, po i kërkoi gjithkund., por as diell e as hanë ma nuk janë.- Nuk janë!

-Si moj?- Ç’më thua?- Çfarë Evrope?- Për çfarë dielli e ke fjalën.- Nuk po të kuptoj.

– Nuk po më kupton ?-thua ?- Jo pra, nuk kupton se më lehtë është të mos kuptosh.- Shumë thjeshtë, nuk kupton asgjë, dhe nuk ke pse shkon më tej. -Sepse kur nuk kupton, gjithçka, dhe asgjë, fillon dhe mbaron aty, tek moskuptimi.- Eheee. -E di unë. e di. -Prandaj edhe gjërat e pakuptim të duken se kanë kuptim, se ato duhet të jenë ashtu siç janë.- Se moskuptimi është kuptim për ty.- Se nuk i kupton, prandaj edhe u jep kuptimin që të pëlqen.- Ha,ha,ha. -Sa herë deri sot e kam dëgjuar këtë përgjigje.- Këtë mos përgjigje. -Ja, se ta them unë.  -Mos thuaj pastaj se nuk e dita, ose po ta kisha ditur do kisha vepruar kështu e ashtu. -Ja tani e ke mundësinë.

-Aq keq është a ?

– Hmm, keq ?

-Mbase është ashtu siç thua ti, xhanëm po, sa i përket diellit, them se kur perëndon kurrë nuk të ngroh sikur kur lind.- Është diell i huaj. -Tek e fundit atdheu nuk shikohet ashtu. Mirë e keq, atdhe është. -Atdheu duhet vetëm pse është atdhe. Kaq.

-Ha, ha, ha,ha,ha, qeshte ajo pa ia shqitur sytë Liries. Atdheu duhet vetëm pse është atdhe!- Ha,ha,ha,ha.- Ç’paske zbuluar. -Akoma me këto ëndrra rron ti.- Atdheu pa njeri është vetëm një grusht dhe.- Ja një grusht dhe.- Këtu e ke.- Gruaja shprishi me thonj një vazo të vjetër me lule të vyshkura qe gjendej ne këndin e dhomës, mbushi grushtin me dheun e saj dhe ia afroj para syve Liries:

– Shikoee.- Ç’të hyn në punë ky grusht dhe kështu siç është.- Këtë do ti.?- Ketë.- Ç’mund të bësh me ketë grusht dhe.- Ja ta them unë.- Me dhe vetëm varr mund të bësh. -Varr!.- Besa, jo, jo. Madje as varr jo!  -Edhe për varr duhet të kesh më shumë se veç një grusht dhe.- Shumë më shumë.- E po s’pate diç më shumë, as në varr nuk të kallin.- Ja pra ky është atdheu që do ti.- Ha,ha, ha.- Leri tash ato fjalë, mos me plas. Nuk të ngroh dielli kur perëndon thojka, ha,ha.- Nuk e ditke se dielli është diell si kur lind si kur perëndon. –Në qoftë se nuk  ta zë kush, të ngroh edhe ç’ke me të, madje n’ daç edhe të përcëllon. Ha,ha,ha, vazhdonte të qeshurën duke i dhënë zërit me zor.- Diell është i të gjithëve njësoj.- Kurse këtu haj medet haj.- Këtu me mujtë edhe diellin e marrin veç për vete, lere më të tjerat.

-Liria po e shikonte pa ditur ç’të thotë.

-Gruaja herë bënte sikur po shkrihej se qeshuri, herë merrte një qëndrim të ftohtë dhe pa bërë asnjë lëvizje ngulte sytë sa ne një kënd sa në këndin tjetër të odes. Ndërsa ne fytyrën e mbuluar nga trishtimi i dukej vetëm hija e një buzëqeshje të ngrirë qe i kishte ngelur aty shumë kohë më parë.

-Ç’pat kështu qe pik n’terun  i shkrepi t’më këshillojë për time bijë. -Mendoi Liria, pa e ditur ne bënte shaka apo e kishte me gjithë mend sepse kohen e fundit gruaja sillej çuditshëm dhe hove-hove fliste sikur nuk i përkiste këtij realiteti.

-Ti, për nime e ke a.?- E pyeti sërish.

-Po për nime e kam.

-Po ti deri dje më ke kritikuar ashpër pse nuk e ndal bile të voglën për vete., për pleqëri, për atdhe, për e për…- Kurse tani  ç’më thua.

-Eh dje ishte dje, kurse sot është sot.- Edhe unë sikur ti kujtova se paqja do më sillte liri.- Kujtova se pasi të largohen të huajt, do ta ndërtonim jetën e re dhe do kënaqeshim së jetuari . Nuk doli ashtu.- A nuk po e sheh a. -As të huajt nuk u larguan, as liria nuk erdhi e lirë. -As për të gjithë njësoj.- Dikujt i solli gjithçka, dikujt i mori gjithçka. I mori edhe jetën.- Unë dhe ti me tërë këto dhembje kemi ngelur vetëm si vëzhguese të jetës së tjetërkujt. E sheh?- E kur dhembja lëshon rrënjë ajo e lëndon edhe zemrën, kurse zemra e lënduar nuk shërohet kurrë. -Kështu e pa shëruar dhe në luftë jam edhe vetë. -Akoma në luftë. -Nuk them se jam dorëzuar, jo, veçse tani as vet nuk e di kush është armiku. -Gjithkush, askush, apo vetja ime. -Për nime e kam.- Tha gruaja duke i dhënë zërit.- Mos më shiko ashtu. sikur s’i ka thënë kush tjetër këto fjalë, para meje.- Nuk ka më atdhe.- Ne qofte se e ke për këtë.- Jo, jo, nuk ka. -E morën atdheun, edhe hisen tënde edhe timen. -E vodhën e vranë dhe e varrosen përsëri. -Tani nuk kemi pse shkojmë as në Rashkë as neper gropa tjera të Serbisë ti kërkojmë pjesët e atdheut. Tani i kemi këtu. -Para syve tanë, nën këmbët tona. -Vetëm ata që lanë eshtrat mbetën atje, pa të keqen e gjakut që flijuan.

Kush e vodhi ?Kush e vrau?

-Eh. Kush thua ti.- Edhe po pyet.- Askush. Kjo është edhe më keq se keq. Sikur ta dinim se kush, ndoshta do ti hidheshim përmbi, do t’ia nxirrnim sytë dhe do ta ndalonim. Kurse kështu, as nuk ke kujt ti hidhesh askujt t’ia hedhesh. Askush nuk ka faj, në kohen kur janë fajtorë te gjithë. Kështu pra askush s’ta bënë me keq se vetja jote. Mua ma kanë bërë edhe më keq se të më kishin vrarë. – Eh sikur të kthehesha ne atëherë. – U dhashë krahun e djathtë, le të behën më shumë. Thashë. U dhashë të dy krahët se liria i do bijtë e vet. Nuk mjaftoi, ajo po vonohej. U dhashë edhe më. Por nuk u ngopen as me krahët as me duart që u dhashë, kërkojnë edhe kokën time, edhe kujtimet.  Kërkojnë gjithçka që më ka mbetur. ——-

-Po ti ku i ke fëmijët. Janë me ty apo jeni ndarë. Foli gruaja,sikur po e fillonte bisedën nga e para.

-Larg i kam fëmijët. Jemi ndarë. Jo, s’jemi ndarë, por ata jetojnë larg prej këtu. Tha Liria duke kërkuar fjalët e duhura për përgjigjen,sepse pyetja i ra shumë e papritur.

-E ti?

-Çka unë?

-Ku je ti po dua të them?

-Po këtu jam. Ku tjetër?

-E ç’bënë ti këtu?

-Ç’bej? Unë ç’bëj, thua? Liria vonoi ti përgjigjej.

-Paj, jetoj këtu. Atë fjalën je-t-o-j, sikur e zgjati e zgjati, se i tingëlloi disi e huaj dhe e panjohur. Duke e shqiptuar i ngjante disi e zbrazët. Nuk i rrinte në gojë .Nuk  e kishte thënë asnjëherë tërë këto vite. -Po se di besa, nuk e di a po jetoj apo jo. Në të vërtetë jam duke pritur që

nesër, një ditë, kush e di, kur të kthehen ata pastaj të nis jetën.

-E kuptova. Pra qenke duke pritur. Kësaj i thua jetë ? Tha gruaja me qesëndi.

Liria rrudhi krahët.- Mërmëriti diçka, por nuk i doli asnjë zë prej tërë atyre fjalëve që tha brenda vetës. Ishte hera e parë qe i dha emër tërë atij shqetësimi që mbante brenda, Për herë të parë e zbërtheu gjendjen e saj, mungesën, pritjen, vetminë, jetën e mos jetën. Kjo paska qenë ajo gjendja e pashpjegueshme qe nuk e lente të qetë,nuk e lente të zërë vend. Kurse ajo kujtoi se….Po edhe nuk kujtoi asgjë tjetër, e dinte gjithnjë se jeta e vërtetë është diku tjetër. Është atje tek janë ata. Po nuk e thoshte. Nuk ia thoshte as vetvetes, e shtynte nga një ditë ne tjetrën nga frika se do te behej e vërtetë. Nga frika se do ta besonte se ashtu ishte dhe ashtu do te mbetej. Nuk i pëlqente ta pranoje se jeta e saj kaherë ishte shndërruar ne pritje te një dite që nuk do të vijë .

Gruaja kishte të drejtë. Ajo i ndihmoi Liries ta nxirrte atë vrer që  ndrynte brenda.

Po ti ku e di ? Foli Liria.

-Nuk e di. As unë nuk e kam ditë.- Por e kam jetuar vetë.. Tha gruaja, dhe u ngrit në këmbë – Askush nuk e di ç’është pritja, ç’është jeta e pa jetuar.- Nuk e di si hiqet zvarrë e të  mbyt ashtu e mbushur me asgjë. Veç unë e di. -. Dhe u kthye befasisht kah Liria. – Mua mos me pyet më. – Nuk kam ç’të them.  As kam gjë mbas shpirti.- Gjithçka pata tani është aty nën dhe.- Në tokë. – Edhe fëmijët edhe burri, edhe shpresa edhe jeta. Të gjithë aty janë të groposur. Kam ngelur vetëm unë. Jam fillikat, më pak e gjallë se sa të kisha vdekur. Atdheut i kërkova vetëm pak liri, qe në heshtjen time ti ruaj kujtimet për ta, se jeta tani s’ka ç’më duhet më. Por jo! – Atdheu nuk më dha asgjë. Prandaj po të them, më mirë është të ikësh, se sa të jetosh duke mos qenë.

Mirë e ke. tha Liria!