NË GOTËN E THYER TË BOTËS
Për hatër të shoqërisë, ngrita buzët te një gotë urrejtje,
aty ku smira helmon zemrat
dhe fjalët vijnë si gjilpëra në mishin e shpirtit.
Piva një gotë xhelozie,
me shijen e hidhur të atyre që s’mund të jenë si ti
dhe të derdhin vrer nga sytë.
Piva një gotë frike,
sepse sot, më shumë se nga bishat,
duhet të ruhemi nga fytyrat njerëzore
që fshehin dhëmbët pas buzëqeshjes.
Piva një gotë hidhërimi,
ku zemrat mbajnë mërinë si fëmijët
që nuk e lëshojnë lodrën e prishur nga dora.
Piva një gotë dashurie,
dhe kujtova se si njerëzit dikur dinin të duanin
pa kushte, pa matje, pa interes.
Piva një gotë freskie,
të shuaj etjen e zemrave të plasaritura.
Piva një gotë ndihme,
që të ndriçojë si një pishtar në duart e errësirës,
e të bëhem një pikë shprese
në gotën e thyer të botës.
Dhe kuptova…
se ndonjëherë, gotat thyhen jo nga duart,
por nga zemrat.
USHTARE ME PENDË
Jeta ime, por si mesazh po ju nis, ju atdhedashës…
Meqë s’gjeta askund paqe e mirësi,
Atë e gjeta në librin tim, o ju miqtë e mi.
Fletët flasin më shumë se zërat,
Ndjenjat shkruhen më thellë se lotët.
Mora një pendë, një letër të bardhë,
Nisa të shkruaj vargjet por si bletë, pa ndalë.
Nga t’ia nis? Si t’ia filloj?
Nuk di kur të ndal, as kur të përfundoj…
Nga rrënjët e tokës e deri në qiell,
Nisa të mbledh fjalët një nga një si petale,
Të bukura, por edhe të thera,
Se jeta s’është veç pranverë, por edhe dimër e terr.
Ju që dashurinë për atdhe e mbani si flamur në zemër,
Ju që s’jeni trembur nga errësira, as nga plagët që dhembin,
E dini pse shkruaj, pse lotët bëhen fjalë,
Se në këtë dhe të bekuar, gjak e shpirt kemi falë.
Ngase nuk di dot t’ju stolis me fjalë boshe,
Shkruaj thjesht, drejt, siç më flet zemra ime.
Ndoshta s’jam poete, ndoshta s’jam zë i njohur,
Por jam një shpirt që digjet për këtë truall të lodhur.
…Dhe ja, kjo është jeta ime në letra e vargje,
Një zemër që s’pushon së dashuruari këtë tokë,
Një shpirt që shkruan edhe kur nuk flet,
Se fjala është dritë, kur zemra tretet.
Mos më kërkoni në rrjete, në zëra të lartë,
Më gjeni aty ku fryn era mbi gurë të lashtë,
Në heshtjen e lisave, në shikimin e një nëne,
Në një lot që pikon për këtë vend pa këngë.
Sepse ndonjëherë, fjala bëhet flamur,
E vargu bëhet lutje për një atdhe më të bukur.
E nëse s’mund të bëhem heroinë me armë në dorë,
Do jem ushtare me pendë, me fjalë që nuk vdesin kurrë.
10.07.25
FJALËT QË SHËROJNË
Para se gojën ta hap,
mjeku me sy më lexon,
diagnozën në heshtje gjen,
e shpresën në mua ndez.
Një fjalë e butë më thotë,
gjysma e dhimbjes tretet,
zemra qetësohet ngadalë,
para se ilaçi të veprojë.
Se ka plagë që shërohen,
jo me barë, por me fjalë,
kur mendja gjen ngushëllim
e shpirti merr dritë të re.
Janë fjalë- shërbet të ëmbla,
kurim për shpirt e mend,
që na shërojnë më shpejt
se çdo terapi e rëndë.
Gjysma e dhimbjes shuhet,
me fjalë që prekin shpirtin.
Me terapinë e parë,
zemra qetësohet,
e dhimbjet shuhen ngadalë.
Se ka plagë që shërohen,
më shumë me fjalë,
se me ilaçe.
Fjalë shërbet,
kurim me mend.
YLLI QË SHËNDRIT
Një yll u shndrit në qiell,
erdhe si freski pranvere,
dhe ike si gjethe vjeshte.
Ëmbëlsia e fjalëve tua, nektar,
bukuria jote akullnajë dimri
që shkrihej në diellin përvëlues vere.
Flokë mendafshi,
sy të zjarrtë porsi vullkan,
zemra jote një zjarr i fshehur,
që digjet dhe ndez çdo rrjedhë të shpirtit tim.
Në qiellin e shpirtit tim
ti mbete yll i përflakur,
që digjet pa u shuar kurrë.
Era përkëdhel kujtimet tona,
dhe çdo frymë është flakë e dashurisë.
Në çdo rreze drite ndjej ty,
yll që shëndris dhe digjesh në shpirtin tim.
Hëna e natës ndjek hapat e tu,
dhe hapat e mi tundohen në flakët e ëndrrave.
Çdo tingull i zemrës sime, thërret emrin tënd,
yll që shkëlqen në çdo qoshe të qenies sime.
Dhe në çdo pulsim të fundit,
ti digjesh në mua si zjarr i pakapshëm,
yll që shëndris përtej çdo qielli,
pasion që nuk shuhet kurrë.
Gusht,2025
FLUTURO O PËLLUMB I BARDHË
Fluturo, o pëllumb i bardhë,
mbi tokën time të lashtë,
sill një lajm si rreze drite,
që ndez zemrat pa pushuar.
Fluturo shtigjeve të Dardanisë,
ku malet këndojnë me krenari,
ku gjaku i të parëve u bë flamur,
dhe liria u bë këngë përjetësie.
Ngrihu mbi qiellin e kaltër,
përshko dete e oqeane pa fund,
le të jehonë kënga shqipe,
si rrufe që s’ka të ndalur kurrë.
Bashko zemrat shqiptare kudo,
në veri e jug, në lindje e perëndim,
si një trup e një shpirt të vetëm,
nën flamurin kuqe e zi.
HIMNI I ZEMRËS
E dua një shpirt,
që fjalët e tij janë melodinë e zemrës.
E dua një lot,
që rrjedh vetëm kur dhembshuria zgjohet.
E dua një sy,
që më përqafon me ngjyrat e dashurisë.
E dua një dorë,
që më prek me ëmbëlsi dhe ngrohtësi.
E dua një përqafim,
që më mbështjell si dritë agimi,
të më japë paqe në shpirt,
edhe kur bota shkundet nga trishtimi.
E dua një zë,
që më thërret me ëmbëlsi,
si këngë e fshehur në shpirt,
që s’mbaron kurrë në dashuri.
E dua gjithçka,
që shndrit si mister nga përjetësia e zemrës.
SEMAFORI I JETËS
Jeta nuk ka semaforë.
Asnjë dritë e kuqe s’të ndal kur gabon,
asnjë e verdhë s’të përgatit për stuhitë e ardhshme,
asnjë e gjelbër s’të jep shenjë se je në hapin e duhur.
Ajo tërheq zvarrë drejt majave të suksesit,
por në të njëjtën kohë të tret ngadalë,
si kandili që digjet për t’i dhënë dritë të tjerëve.
Të mirat nuk zbresin kurrë lehtë,
ato vijnë tinëzisht, nëpër shtigje të ngushta,
dhe veç atëherë kur je gati t’i mbash,
të përballesh me peshën e tyre,
ato bëhen pjesë e shpirtit tënd.
Sepse suksesi s’është një hap i vetëm,
por një udhëtim i gjatë
ku çdo gabim është mësim,
dhe çdo durim është fitore.
Prandaj ec përpara,
edhe kur dritat mungojnë në udhën tënde.
Bëhu vetë semafor i shpirtit tënd:
ndalu kur zemra të lëndohet,
përgatitu kur sfidat të thërrasin,
dhe ndiz dritën e gjelbër brenda vetes
për të mos u ndalur kurrë.
THJESHTËSIA QË RREZATON
Më shumë se kurrë e dua thjeshtësinë,
ajo më flet si një këngë e qetësisë.
E dua të bukurën, por mbi të gjitha thjeshtësinë,
si një femër që rrezaton dritë e pastërti.
Dua të jem stil i veçantë, i papërsëritshëm,
jo për dukjen, por për shpirtin përmbajtësor.
Të më lakmojnë jo për arin, por për vlerën,
për atë që jam, për atë që mbaj brenda.
Të ngjasoj natyrës, me aromë që s’venitet,
me gjurmë që mbesin në kohë e në breza.
Si një grua me virtyte të larta,
që dashuron, sakrifikon dhe gjithmonë ia del.
Unë jam thjeshtësia që ngadhënjen mbi kohën,
jam zëri i gruas që kurrë nuk shuhet.
Jam dritë që lind nga sakrifica e heshtur,
testament i përjetshëm i forcës dhe dashurisë.


















