Ramazan Çeka: KUR BOTA VALLËZOI NË VLORË. Një oaz kulturor dhe artistik në zemër të qytetit bregdeta

default

 

 

Një oaz kulturor dhe artistik në zemër të qytetit bregdetar

 

Në qytetin ku flamuri i pavarësisë u ngrit për herë të parë, sërish u lartësuan flamuj mes duarve të artit ndërkombëtar, kulturës dhe mikpritjes, një altar ku bota festoi pa kufij tingujt e një dashurie të përbashkët për trashëgiminë shpirtërore.

Katër ditë të mbushura me magji, ritme të zjarrta, ngjyra vezulluese dhe tradita që kapërcyen oqeanet. Në Vlorën e dashurisë, mikpritjes dhe historisë, u mbyll me një sukses të jashtëzakonshëm edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk”, duke kurorëzuar me Kupën e Festivalit ansamblin magjepsës “Proarchi” nga Kili i largët.

Për katër net radhazi, Vlora nuk ishte vetëm një qytet bregdetar; ajo u shndërrua në epiqendrën ku rrahu zemra e kulturës botërore. Rrugët dhe sheshet u pushtuan magjishëm nga tingujt e muzikës tradicionale, ritmet kumbimtare të daulleve, vrulli i valleve dhe mozaiku mahnitës i kostumeve popullore.

Ky edicion shënoi një zgjerim të jashtëzakonshëm të gjeografisë së festivalit, ku krahas kulturës europiane, në brigjet tona pulsoi fort energjia e Afrikës dhe sharmi i Amerikës Latine.

Edhe në “Bojo Resort”, aty ku valët përkëdhelnin bregun dhe deti i jepte skenës frymën e tij të qetë, performancat e grupeve artistike krijuan një tjetër çast magjie. Mes ritmeve tradicionale dhe bukurisë së peizazhit bregdetar, arti dhe natyra u ndërthurën në një harmoni të rrallë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm mban vulën e një pune titanike, të një përkushtimi të palodhur dhe të atij kujdesi fin që vetëm dora e një artisti të vërtetë di të përcjellë. Nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm, z. Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, “Aulona Inter Folk” dëshmoi edhe një herë se arti nuk njeh kufij, duke e kthyer qytetin bregdetar në një kryeqytet të mirëfilltë të folkut botëror.

 

NJË URË MIQËSIE MES NËNTË SHTETEVE

 

Skena e këtij edicioni u ndez nga performancat mbresëlënëse të ansambleve të ardhura nga Shqipëria, Burundi, Greqia, Gjeorgjia, Italia, Kili, Kosova, Mali i Zi dhe Polonia. Rreth 350 artistë e kthyen qytetin dhe rrethinat e tij në një arenë festive plot jetë. Ky festival nuk ishte vetëm një garë artistike, por një urë e fuqishme miqësie, bashkëpunimi dhe dialogu kulturor mes kombeve.

Në prag të çeljes së sezonit turistik, “Aulona Inter Folk” shënoi një gur të çmuar në kalendarin kulturor të Bashkisë së Vlorës, duke i dhënë qytetit një dimension dhe promovim ndërkombëtar edhe më të spikatur.

Besnik ndaj traditës, festivali nderoi historinë dhe identitetin e qytetit. Në Sheshin monumental të Flamurit dhe përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, parada madhështore e kostumeve i dhuroi Vlorës pamjen e një gjerdani të gjallë ngjyrash, ritmesh dhe drite pranverore. Ndërkaq, në skenën e madhe pranë stadiumit “Flamurtari”, për tri mbrëmje radhazi u ndez konkurenca artistike, e ndjekur me entuziazëm nga mijëra artdashës, qytetarë vlonjatë dhe vizitorë vendas e të huaj.

Kjo është Vlora, aty ku kultura nuk njeh kufij, ku festa flet në çdo gjuhë, dhe ku arti bëhet frymë që bashkon botën. Një maratonë katër ditore, ku kultura, historia dhe krenaria shqiptare vallëzuan bashkë, përtej kufijve dhe kohës.

 

EMOCIONET E ÇMIMEVE DHE TRIUMFI MADHËSHTOR

 

Duke ndjerë pulsin e publikut që rritet nga viti në vit, Komiteti Organizator solli këtë edicion një risi të veçantë: “Çmimin Special të Publikut”. Ky vlerësim, që mbart emocionin e duartrokitjeve më të zjarrta, iu akordua trupës mbresëlënëse të Burundit dhe u dorëzua nga Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Ervis Moçka.

Triumfi më i madh i këtij edicioni i takoi Kilit. Kupën e madhe të Festivalit të 18-të, dorëzuar nga Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, znj. Bruna Mersini, e rrëmbeu ansambli “Proarchi”.    Performanca e tyre elektrizuese, kostumet autentike dhe interpretimi brilant i trashëgimisë kulturore kiliane pushtuan zemrat e publikut dhe fituan vlerësimin maksimal të jurisë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, kryebashkiakja Bruna Mersini theksoi me emocion:

“Ky festival është një traditë e gjallë dhe një urë miqësie mes popujve. Vlora u bë sot epiqendra ku u bashkuan ritmet, ngjyrat, kulturat dhe zemrat e botës.”

 

HISTORIA QË FLET VETË NË PLATFORMËN TEA

 

I konfirmuar si një nga ngjarjet më të ndjekura dhe më të suksesshme në aplikacionin TEA, historia e “Aulona Inter Folk Festival” flet vetë: rreth 140 ansamble folklorike, mbi 4.900 pjesëmarrës dhe përfaqësues nga 39 vende të Ballkanit, Europës, Azisë, Amerikës dhe Afrikës kanë sjellë në Vlorë një pasuri të pashtershme shpirtërore.

Edhe këtë vit, “Aulona Inter Folk” u konfirmua si një ndër ngjarjet më të mëdha kulturore të vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në jetën artistike, por edhe në zhvillimin turistik dhe promovimin ndërkombëtar të qytetit bregdetar.

Ky rrugëtim i suksesshëm dhe me ndikim të jashtëzakonshëm u bë i mundur falë bashkëpunimit institucional dhe mbështetjes së pakursyer të Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, si dhe Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Prapa skenës gjigante binin në sy “ethet e bukura” të organizimit, angazhimi i stafit të palodhur, si dhe përkushtimi i regjisorit të qindra veprimtarive artistike, z. Llesh Nikolla “Mjeshtër i Madh”, me një përvojë të jashtëzakonshme në RTSH. Ndërkaq, moderatorja plot hijeshi e madhështi, ikona e skenës dhe ekranit, Silvane Braçe, nuk ishte thjesht prezantuese; ajo u shndërrua në dritë, në emocion dhe në fjalë që prekin shpirtin.

Një falenderim i veçantë u shkon edhe donatorëve që mbështetën këtë ngjarje. “Regina Garden” u kthye në një altar nderimi për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, si dëshmi e përkushtimit ndaj identitetit dhe traditave tona.    Në këtë mbrëmje post-festivali, emocionet shpërthyen si fishekzjarrë që ndezën atmosferën! Vlerësimet e ndërsjella, fjalët e ngrohta dhe surprizat e përzemërta u shndërruan në reflektime të bukura të një mozaiku të rrallë ndërkulturor.

“Aulona Inter Folk” pati edhe pasqyrimin e gjerë mediatik të RTSH-së, si dhe vëmendjen e veçantë të kamerës Televizionit “Kultura Shqiptare”, ACTV nga Amerika, duke përçuar jo vetëm pamjet, por edhe melodinë e shpirtit të këtij festivali drejt çdo ekrani ku malli për atdheun frymon.

Kështu, Vlora nuk përcolli vetëm një festival, por i dha botës një mesazh të fuqishëm: trashëgimia folklorike dhe shpirtërore e kombeve është gjuha universale që bashkon popujt, kapërcen kufijtë dhe i jep njerëzimit një ritëm të përbashkët.

 

Maj 2026